Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shkruar se më 6 maj të vitit 1997, ditën kur ra për të mos vdekur kurrë, Luan Haradinaj ishte vetëm 23 vjeç.
Megjithatë, mosha e tij e re nuk paraqiti asnjëherë pengesë për idealin që ai kishte në zemër. Përkundrazi, për lirinë e Kosovës, Luani ishte ndër të parët që nuk bëri kurrfarë kompromisi – as me vdekjen.
Krasniqi ka shkruar në Facebook se pa guximin, frymëzimin dhe sakrificën e Luanit dhe të bashkëluftëtarëve të tij – Kosova si shtet i pavarur do të mbetej përjetësisht vetëm një ëndërr.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se për muajin mars, janë gati 2 mijë të punësuar e të validuar në superpuna, për punësimin e të cilëve tashmë është proceduar subvencioni.
Murati ka shkruar në Facebook se një fakt interesant e që i bën të krenohen është edhe përbërja gjinore e të punësuarve, pasi mbi 51% janë vajza.
“Pra përveç adresimit të problemit të punësimit të të rinjve në përgjithësi, superpuna po ndihmon edhe në rritjen e punësimit për vajzat e gratë në veçanti. Punë dhe drejtësi”, thuhet në njoftim.
Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, gjatë intervistimit të të dyshuarit N.P. (viti i lindjes 1958, mashkull kosovar serb) për një rast të dyshimit të sulmit fizik ndaj bashkëshortes së tij, e cila ka pranuar tretman mjekësor, ka lindur dyshimi i bazuar se i njëjti posedon armë.
Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë kontrollimi i shtëpisë dhe objekteve përcjellëse ku janë gjetur dhe sekuestruar si dëshmi për gjykatën një revole e tipit VZOR 50 Cal, një revole e tipit Cervena Zastave e kalibrit 7.65mm, një pushkë gjysmë automatike e kalibrit 7.62mm, një pushkë e tipit M48, dyqind e njëzet e nëntë fishekë të kalibrit 7.9mm, dyqind fishekë të kalibrit 7.62mm, njëzet fishekë të kalibrit 7.65mm, një mbrojtës për tyta dhe një brushë për pastrim të armëve.
“Prokurori i shtetit ndaj të dyshuarit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ,,Dhunë në familje’’ dhe ,,Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, rasti do të procedohet në prokurorinë themelor”, thuhet në komunikatë.
Ekipi elitar i xhudos kosovar do të jetë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror të xhudos në Doha të Katarit.
Ky Botëror do të zhvillohet nga data 7 deri më 13 maj në Doha, ku do të marrin pjesë pesë kontinente, 99 shtete me 658 garues, ku nga ta janë 344 meshkuj dhe 314 femra, raporton KosovaPress.
Qytetari nga Prishtina, përkatësisht nga lagjja “Dodona” ka dëshmuar me faturat e tij se çmimi për tatimin në pronë për këtë vit i është rritur për rreth 700 për qind krahasuar me vitet e kaluara.
Qytetarët vazhdojnë të shprehin shqetësimet e tyre rreth faturave për tatimin në pronë që u kanë ardhur me çmime shumëfish më të larta se viteve paraprake.
Shqetësim të njëjtë ka një qytetar nga Prishtina, ku tatimi i ishte rritur rreth 700 për qind më shumë se që paguante zakonisht. Nga 9.93 euro sa ka pasur obligim tatimor më parë për një parcelë prej 1 ari, këtë vit këtij tatimpaguesi nga Prishtina, i ka ardhur fatura 69.71 euro. Ky banor nga Prishtina (emër i njohur për redaksinë) shprehet i habitur me çmimin kaq të lartë që është aplikuar sivjet për pronë.
“Nuk e kuptoj pse është ardhur kjo faturë kaq e shtrenjtë për rreth 700 për qind këtë vit. Bëhet fjalë për një parcelë vetëm 1 ari në Prishtinë”, është shprehur ai.
Nga janari i këtij viti qytetarët e Kosovës janë goditur me një rritje marramendëse dhe jonormale të tatimit në pronë, mesatarisht më shumë se 100 për qind, krahasuar me vitin paraprak. Për rritjen e tatimit në pronë përveç qytetarëve, partive opozitare dhe shoqërisë civile ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNj), e cila ka bërë përgjegjëse për këtë rritje Ministrinë e Financave që drejtohet nga Hekuran Murati.
Rritja e tatimit në pronë, sipas KMDLNj-së është plaçkitje nga ana e shtetit.
“Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati ka tërë përgjegjësinë për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë e adresoi te komunat duke deklaruar se këto mjete shkojnë në buxhetin e komunave në kohën kur komunat po arsyetohen se Ministria përkatëse ka përgjegjësi dhe se komunat nuk kanë as mundësi e as përgjegjësi ligjore të ndërhyjnë në vendimet e ministrisë. Realisht, qytetarët e Kosovës që pamëshirshëm po plaçkiten, qoftë nga një vendim diskriminues i ministrisë, qoftë nga mungesa e kompetencave të komunave të ndërhyjnë në caktimin e shumës së tatimit në pronë, janë të pafuqishëm të mbrojnë buxhetin familjar dhe biznesor, edhe ashtu të rrezikuar shumë nga kriza e përgjithshme ekonomike”, është bërë e ditur në njoftim.
Edhe Instituti Kosovar Drejtësi i ka kërkuar qeverisë ta pezullojë shumëfishimin e tatimit në pronë deri më 2025. IKD e ka quajtur të padrejtë vendimin e marrë nga Ministria e Financave.
Vendimi i Ministrisë së Financave për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë është kundërshtuar edhe nga qytetarët e vendit, ndonëse disa kanë kërkuar të falet tatimi deri në 200 euro për secilin tatimpagues.
LDK, nëpërmjet rezolutës në Kuvend kishte kërkuar që fillimisht Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimit paraprak.
Ndërsa, pas propozimit të Qeverisë, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, dy javë më parë ka miratuar në parim Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, mes polemikave të shumta të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë. Në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, deputetët nuk kanë arritur ta shqyrtojnë në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme që mundëson faljen deri 100 euro për çdo tatim pagues për vitin 2023. Po ashtu, si shembull konsiderohet nga tatimpaguesit se nga 1000 euro, 2000 apo 5000 euro tatim dhe falja e mëvonshme e 100 eurove nuk është asnjë ndihmë as përkrahje nga qeveria.
Për herë të parë në shtatë dekada, një monark i ri britanik është kurorëzuar zyrtarisht.
Kryepeshkopi i Canterbury Justin Welby vendosi kurorën e Shën Eduardit mbi kokën e Charles III, pjesa më e rëndësishme e shërbimit të kurorëzimit.
Ndërsa përgatitej ta bënte këtë, Uelbi tha: “Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotëve, bekoje, të lutemi, këtë kurorë, dhe kështu shenjtëro shërbëtorin tënd Charles, mbi kokën e të cilit sot e vendos atë si një shenjë madhështie mbretërore, që ai të kurorëzohet me favorin tënd të hirshëm dhe të mbushet me hir të bollshëm dhe të gjitha virtytet princërore; nëpërmjet atij që jeton dhe mbretëron suprem mbi të gjitha gjërat, një Perëndi i vetëm, botë pa fund. Amen.”
Pasi kurorëzoi Mbretin, Welby tha: “Zoti e ruaj mbretin”.
Duka i Sussex, Harry, i cili ka shkuar pa gruan e tij Meghan, dukej i lumtur dhe i relaksuar teksa hynte me kushërirat e tij princeshat Beatrice dhe Eugenie, vajzat e Princit Andrew.
Princi Harry ishte i veshur me një kostum ndërsa bisedonte me Princeshën Beatrice.
Mësohet se ai shkoi në Mbretërinë e Bashkuar me një fluturim komercial dje, shkruan BBC.
Ai mund të qëndrojë vetëm disa orë pasi të kryhet shërbimi dhe më pas pritet të fluturojë për në SHBA për ditëlindjen e djalit të tij.
Pasditen e së martës pesëvjeçari D.K. është sulmuar nga qentë endacakë në afërsi të shtëpisë së tij. Ai ka marrë lëndime në disa pjesë të trupit, ku më pas iu është nënshtruar intervenimeve kirurgjike.
Nëna e tij, Selvetja tregon se si ka ndodhur rasti, teksa thekson se është e shqetësuar për gjendjen e djalit Veç këtij rasti, ajo thotë se janë gjithmonë të rrezikuar nga sulme të tilla.
Tash e sa vjet, Selvetja tregon se kanë telashe me numrin e madh të qenve endacakë në lagjen ku jeton në Milloshevë të Obiliqit.
Tutje, Selvetja tregon për KosovaPress se djali i saj është ndihmuar nga një punëtor në afërsi të shtëpisë së saj.
Nga e marta, pesëvjeçari që është edhe me autizëm po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë pas lëndimeve që ka marrë në shumë pjesë të trupit.
“Djali jem është me autizëm dhe normalisht nuk ka ditur të mbrohet. Edhe ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Kur e kemi marrë, ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Ka plagë prapa veshit, në kokë, në kukë. Është shumë i lënduar. Kemi shkuar fillimisht në Obiliq, aty kemi ardhur me ambulantë deri në Prishtinë. Këtu i kanë dhënë menjëherë ndihmën, kanë bërë intervenime, ka qepje nëpër trup. Tash ka filluar të marrë vetën, por ka trauma, si të fle vazhdimisht ka trauma, qanë. Është shumë i shqetësuar.”, tregon nënë Selvetja.
Selvetja lutet që të mos përsëriten më raste të tilla, as për fëmijët të tjerë të lagjes.
Pesëvjeçari nga Millosheva e Obiliqit do të vazhdojë të trajtohet edhe disa ditë në Klinikën Infektive të QKUK-së.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor kanë bërë homazhe te varri i veprimtarit Ferid Agani në 24-vjetorin e vrajës së tij, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast Abdixhiku tha se puna e Aganit si nënkryetar shumëvjeçar të LDK-së ka qenë udhërrëfyes për të gjithë.
Ai e quajti Aganin ideator e udhëheqës të lëvizjes për liri dhe pavarësi dhe krah t djathtë të ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Abdixhiku tha se vrasja e Aganit nga forcat serbe ishte hakmarrje për lëvizjen për liri dhe prezymim i të ardhmes së Kosovës.
“Sot me bashkëpunëtorë, anëtarë të Kryesisë, deputetë e familjarë të profesor Aganit, nderojmë figurën e lartë të çmueshme të intelektualit profesor Agnit i cili 24 vjet më parë u vra nga forcat serbe. Profesor Agani ishte bartës, ideatorë dhe njëkohësisht udhëheqësi i lëvizjes për liri dhe pavarësi dhe krah i djathtë i presidentit Rugova si nënkryetar i LDK-së”.
“Sot kujtojmë veprën e tij, vrasja e tij përveç që ishte hakmarrje edhe prezumim i të ardhmes së Kosovës. Familjes i themi mbahuni sot në këtë ditë, popullit iu shprehim ngushëllime e si LDK duhet që urtësinë e tij ta vazhdojmë. Profesori Agani mbete njëri prej patriotëve më të mëdhenj të Kosovës”.
Agani është vrarë me 6 maj të vitit 1999, nga forcat serbe. Agani ka qenë njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike.
Për nder të profesor Aganit, vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje si dhe njëri nga të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës, Enver Dugolli, ka bërë kërkesë publike për nisjen e hetimit të kësaj masakre nga Gjykata Speciale.
Në një konferencë për media, të shtunën, në Kuvendin e Kosovës, ai u shpreh se para një jave iu ka drejtuar Gjykatës Speciale me kërkesë zyrtare që të fillojë hetimet për këtë krim.
“Nëse Gjykata Speciale nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye që të mos kryhen hetimet për këtë krim”, tha ai.
Deputeti shtoi se ka dëshmi të mjaftueshme për t’u ngritur aktakuza në lidhje me këtë masakër dhe se kërkesa e tij është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale.
“Kërkesa ime është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale që të nisë hetime sepse kam dëshmi të mjaftueshme për t’u zhvilluar hetimet dhe për t’u ngritur aktakuza në lidhje edhe me këtë masakër”, tha tutje Dugolli.
Ai theksoi se është në dorën e prokurorit të vendosë nëse do të fillojë hetime në lidhje me këtë masakër dhe të dëshmojë nëse është apo jo kjo gjykatë një etnike.
“Faktet janë se në atë masakër janë ekzekutuar 116 të burgosur dhe një i zhdukur sikurse Ukshin Hoti. Janë dëshmitarët që ende janë gjallë dhe plagët e tyre flasin vet. Madje këta dëshmitarë nuk kanë nevojë as për mbrojtje të identitetit”, theksoi Dugolli, i cili është njëri nga dëshmitarët e kësaj masakre.
Ai ka thënë se të gjithë dëshmitarët e kësaj masakre janë të gatshëm të dëshmojmë.
“I mbaj mend edhe emrat që i kanë urdhëruar dhe kryer këto krime”, nënvizoi Dugolli.