ATV

Author: E.R.

  • Kryeministri mbron vendimin për “Dy organizatat terroriste” në veri

    Kryeministri mbron vendimin për “Dy organizatat terroriste” në veri

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria ka dëshmi e fakte për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste. Pa dhënë detaje e pa treguar nëse informacionet janë deponuar në Prokurori, ai tha se janë identifikuar 45 persona për pjesëmarrje në sulmet ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve. Në anën tjetër, Lista Serbe i kërkoi Serbisë të shpallë organizatë terroriste njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

    Përkundër se faktorët ndërkombëtarë e vlerësuan të pakoordinuar, kryeministri Albin Kurti mbrojti vendimin për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

    Ai theksoi se qytetarët serbë, të cilët u dërgojnë informacione institucioneve kosovare, nuk frikësohen nga Policia, por nga pjesëtarët e këtyre dy organizatave.

    “Ne kemi pa numër fakte e dëshmi, jo vetëm argumente, se bëhet fjalë për organizata terroriste. Nëse ne, me këto fakte e dëshmi, nuk do t’i shpallnim organizata terroriste, do të bënim shkelje”.

    Pa treguar nëse informacionet janë të deponuara në Prokurori, kryeministri foli për numrin e personave të identifikuar për pjesëmarrje në sulmet e dhunshme në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    “Deri më sot janë identifikuar 45 persona, identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulme, dhunë kundër ushtarëve të KFOR-t, policisë e gazetarëve, por njëkohësisht edhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës deri te shok bomba, por edhe te plumbat, qofshin ato të automatikëve ose të revolverëve”.

    Në anën tjetër, përmes një letre, Lista Serbe, parti e cila ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe qeveris në gjashtë komuna të Kosovës, i kërkoi Qeverisë së Serbisë t’i shpallë organizatë terroriste njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

    Për dhunën ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve, në veri, deri tani janë arrestuar nëntë persona, të gjithë të serbë.

  • Në gjashtëmujorin e parë, asnjë fëmijë i braktisur

    Në gjashtëmujorin e parë, asnjë fëmijë i braktisur

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Përderisa Prishtina është i vetmi qytet në Kosovë me qendër për kujdesin e fëmijëve të braktisur, mungesën e qendrave të tilla në qytetet e tjera përfaqësuesit e Qendrave për Punë Sociale e arsyetojnë me numrin e vogël të braktisjes së fëmijëve gjatë viteve të fundit.

    Në 6-mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, nuk është braktisur asnjë fëmijë.

    Ndërkohë, fëmijët që u braktisën viteve të kaluara, vazhdojnë të qëndrojnë në “Sos Fshatin” në kryeqytet.

    “Është organizatë nacionale për krejt vendin pa dallim feje edhe i përgjigjemi kërkesave të qendrës për punë sociale për kërkesat që vijnë nga e gjithë Kosova”.

    Mirëpo, veç Prishtinës, “Sos Fshatra” nuk ka në qytetet e tjera. E mungesën e tyre, e arsyeton Qendra për Punë Sociale, pasi, sipas saj, numri i braktisjes së fëmijëve është në rënie.

    “Numri i adoptimeve në nivel vendi është numër pak më i zbehur, për shkak se kemi numër të vogël të fëmijëve të braktisur muajt e fundit, Sepse me fushata të ndryshme, organizime edhe ka rrjedhë vetëdijesimi i nënave.”

    Në mungesë të “Sos Fshatrave”, sipas udhëheqësit të Kujdesit Alternativ, Besnik Peci, ka pika orientuese që shërbejnë për identifikimin dhe trajtimin e rasteve.

    “I kemi qendrat në Graçanicë e Fushë Kosovë ku identifikojmë raste, kudo që braktiset një fëmijë në Kosovë, qendrat së bashku me ne merremi për t’iu ofruar kujdesin adekuat fëmijëve, kudo që vendosen në kujdes alternativ”.

    Në anën tjetër, nga viti 2019, asnjë fëmijë i braktisur nuk është ribashkuar me familjen biologjike, derisa për adoptim disa familje janë duke kaluar në procedurat që i takojnë këtij procesi.

    Sipas legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur, këta të fundit së pari strehohen në qendra sociale për të vazhduar në SOS Fshatrat, pastaj për ta hapen edhe procedurat për adaptim.

     

     

     

  • 35 milionë euro do të kushtojë zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë

    35 milionë euro do të kushtojë zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Të paktën edhe një vit, qytetarët që udhëtojnë nga Prishtina për në Podujevë, do të përballen me kolona të gjata, kjo pasi që punimet për zgjerimin e kësaj rruge nisën sot. Projekti për zgjerimin e kësaj rruge kap vlerën e rreth 35 milionë eurove, dhe pritet të përfundojë në fund të 2024-ës.

    Punimet që nuk përfunduan për shtatë vjet, pretendohet të përfundojnë deri në fund të vitit të ardhshëm.

    Ndonëse, projekti pritet të kushtojë 35 milionë euro, Qeveria në janar për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, ka ekzekutuar vetëm 6 milionë euro, të cilat janë bartur nga viti paraprak.

    Por pavarësisht kësaj, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Infrastrukturës thonë se punimet do të përfundojnë brenda afatit.

    “Rruga Prishtinë-Podujevë është e vjetër gjysmë shekulli dhe ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit, që të lidhet me kryeqytetin në mënyrë efikase të shpejtë dhe të sigurt, andaj do të bëjmë çmos që kjo rrugë të përfundojë sa më parë. Natyrisht që numri i ditëve është rreth numrit të ditëve që ka viti që nevojiten si ditë pune që të përfundojë kjo. Por tash jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar këtë zgjerim i cili është i rëndësishëm. Ngecja e madhe ka ekzistuar pikërisht për shkak se kanë hyrë në ekzekutim pa planifikim e pa përgatitje. Tash ne e rikuperuam me shpejtësi maksimale dhe do të bëhet zgjerimi i rrugës.”

    “Përvojat nga e kaluara na kanë treguar që është shumë e rëndësishme që proceset e shpronësimit të kryhen para se të fillojnë punët, për shkak se një ndër elementet e zvarritjeve në projekte janë elemente e shpronësimit… Një element i rëndësishëm është trafiku në këtë rrugë. Zgjerimi i rrugës do të ketë ndikime të shumta në trafikun ekzistues, që është një ndër problemet kryesore. Kemi krijuar ekipe të veçanta që të merren me mbarëvajtjen e trafikut, sidomos gjatë këtyre muajve të parë që do të hyjë diaspora, respektivisht mërgata jonë, do të ketë prezentë dhe do të jetë trafiku më i shtuar.”

    Duke thënë se kjo rrugë ka shkaktuar telashe në qarkullim, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është shprehur i lumtur që të hënën rifilluan punimet.

    “Një projekt i shumëpritur nga qytetarët e Llapit, për arsye se kjo rrugë pati shkaktuar shumë vështirësi në qarkullim, për shkak të numrit të madh të automjeteve. Por, nga kjo që po shohim, kemi parapërgatitje të mira dhe çdo gjë është menduar, çdo gjë ka shkuar me rend dhe rregull dhe shpresojmë se ky projekt do të mbyllet brenda afateve kohore.”

    Punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, kishin filluar qysh në vitin 2016, por problemet që pati Ministria e Infrastrukturës me shpronësimet, u bënë shkak që punimet aty të ndërpriten.

     

     

  • Komuna e Prishtinës i blen QKMF-së aparatura të reja

    Komuna e Prishtinës i blen QKMF-së aparatura të reja

    PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Komuna e Prishtinës ka blerë pajisje mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, vlera e të cilave është rreth 300 mijë euro. Dorëzimin e tyre e bënë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me drejtorin e Shëndetësisë, Izet Sadiku, të cilët thanë se synohet ofrimi i shërbimeve sa më cilësore për pacientët e kujdesit primar shëndetësor.

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është furnizuar me pajisje të reja mjekësore, të cilat janë investim i Komunës së Prishtinës në vlerë rreth 300 mijë euro.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se këto mjete do t’i përmirësojnë shërbimet mjekësore të cilat ofrohen për pacientët në sektorin primar shëndetësor.

    “Kemi marrë tash një numër të madh të aparaturave, të cilat do të shfrytëzojnë në sektorin primar. Gjithë ky transformim i kryeqytetit, i shërbimeve duke u fokusuar në sektorin primar, është duke ndodhur, kemi aparatura me kosto afër 300 mijë euro, e cila do të shpërndahet në QKMF në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Ultrazërat janë shërbimi i pari në sektorin primar në kryeqytet, por edhe gjithë vendin. Do të fillojmë së shpejti që ta bëjmë këtë në të gjitha QKMF. Kjo do t’i ndihmojë shumë gjithë nivelit shëndetësor, për arsye se qytetarët do të mund ta marrin këtë shërbim në sektorin primar, pa pasur nevojë të shkojnë në atë sekondarin apo terciarin për t’i marrë këto shërbime. Kjo është përmirësim i kushteve në të gjitha nivelet. Kjo është risi për kryeqytetin, Kosovën”.

    Tutje, ai ka folur edhe për mundësinë e digjitalizimit të QKMF-së.

    “Kjo për fat keq, përkundër faktit se si kryetar jam munduar ta shtyj përpara, ne kemi arrit deri te një pikë, por kjo është e ndërlidhur edhe me nivelin qendror në aspektin e SISH-it, i cili ende nuk është i gatshëm, pra duhet ndërlidhur sistemin primar me atë sekondar dhe terciar. Për fat të keq, ende nuk e kemi prej nivelit qendror. Po ashtu, ka të bëjë me çështjen e informatave të cilat janë sensitive, që kemi mundësinë me shty qysh tash, por është e kontrolluar nga niveli qendror dhe për këtë shpresoj së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë të mund ta shtyjmë këtë proces sa më shpejt, sepse mënyra si bëhet sot marrja e informatave është e shekullit të kaluar. Por, jemi duke punuar që ta shtyjmë këtë sa më shpejt. Duhet me pas shtyrje prej nivelit qendror që të na lejojnë edhe ne, i kemi fondet e gatshme”.

    Drejtori i shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se do të trajnojnë stafin mjekësor të kësaj qendre për ta kryer shërbimin e ultrazërit.

    “Ne po fillojmë për herë të parë, përveç radiologëve që janë në mjekësi primare kanë të drejtë, të bëjnë shërbimeve radiologjike, ne e jemi në proces me Odën e Mjekëve të Kosovës, një projekt që kemi nënshkruar marrëveshje me kryetarin e odës dhe do të zgjidhen persona profesionalistë që kanë të bëjnë me trajnimin e stafit tonë për ultrazë të abdomenit dhe kukave, me qëllim që edhe mjeku familjar të bëjë ultrazërin e abdomenit, mos ta dërgojë menjëherë qytetarin në emergjencë dhe ta ngarkojë atë. Vetëm vitin e kaluar rreth 40 për qind e pacientëve në emergjent kanë qenë prej Prishtinës, dhe me këtë shërbim po mundohemi ta lirojmë emergjencën”, tha Sadiku.

    Sipas udhëheqësit të shëndetësisë në kryeqytet, pajisjet e blera janë kryesisht mjete stomatologjike, biokimike e të tjera.

  • Rritet numri i rasteve me kancer, trajtimi mjekësor sfidë

    Rritet numri i rasteve me kancer, trajtimi mjekësor sfidë

    PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vetëm për 6 muaj, janë regjistruar 900 raste me kancer. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, thotë se ky numër është 10% më i lartë, krahasuar me vitin e kaluar. Por nga ana tjetër, familjarët e pacientëve ankohen se me vështirësi po e sigurojnë terapinë për kurim.

    Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është e mbushur me pacient të diagnostikuar me kancer.

    Statistikat në këtë klinikë flasin për shtim të rasteve me këtë sëmundje, krahasuar me vitin e kaluar.

    “900 raste të reja janë regjistruar me kancer, domethënë 10% më shumë sesa në vitin 2022, ku kanë qenë total 1800 raste, në bazë të kësaj në këtë vit ky numër pritet të arrijë në 2000. Në këtë rritje dominon kanceri i gjiri, 250 raste, kurse te meshkujt kanceri i mushkërive. Kemi rritje edhe të kancerit të pankreasit, kemi deri në 40 raste me terapi dhe krahasuar me vitet e kaluara ky numër është ngritur, numri i terapive do të shtohet nga 45 në 90”.

    Tutje, Kurtishi ka përmendur disa nga shkaktarët që kanë ndikuar në rritjen e këtyre shifrave.

    “Ka shumë faktorë që ndikojnë në mënyrë direkte dhe indirekte, janë faktorët trashëgues, infeksionet virale, ambienti i ndotur, ekspozimi në rreze të diellit dhe faktorë të ndryshëm që shtyjnë në këto sëmundje”.

    Autoritetet përgjegjëse thonë se janë duke punuar që vërejtjet shëndetësore të respektohen dhe vetëdijesimi i qytetarëve të rritet.

    “Mbështetur në hulumtime, kosovarët shpenzojnë në bazë vjetore afro 400 milionë euro për duhan. Pirja e duhanit renditet si faktor i madh i rrezikut që çon në Kancer të Mushkërive. Po ashtu, ushqimi llogaritet një nga shkaktarët për shumë lloje të kancerit, siç është kanceri i lukthit, i zorrës së trashë, mëlçisë, pankreasit. Ne jemi duke punuar sa më shumë për vërejtjet shëndetësore. Për parandalimin e duhanit, këtë vit për tre muaj janë inspektuar mbi 5000 subjekte afariste, kurse inspektorët janë detyruar të shqiptojnë gjoba në rreth 60 raste. Jemi duke punuar në zbatimin e ligjit për duhanin që të mos konsumohet shumë në mënyrë që të ulet edhe numri i pacientëve me kancer”.

    Meqenëse nuk ka mjaftueshëm terapi për këto raste, familjarët e pacientëve të sëmurë me kancer po duhet t’i sigurojnë nga xhepi i tyre.

    “Kom pas 4 raste me kancer në familje, është jashtëzakonisht e vështirë të sigurohet terapia, pjesa e kimioterapisë, po lindin probleme financiare. Një terapi normale kushton 400-600 euro”.

    “E kam gruan me kimioterapi prej kancerit të pankreasit. Terapitë e para ka qenë më lehtë për t’i siguruar, por tani terapia e tretë vetëm një ampulë, po kushton 500 euro. Në total për tre muaj 40 mijë euro harxhohem”.

    Ndryshe, menaxhmenti drejtues i klinikës në QKUK ka bërë të ditur se problematikë tjetër vazhdon të jetë edhe mungesa e infermierëve.

  • Themelohet forumi rajonal i trupave mbikëqyrëse policore

    Themelohet forumi rajonal i trupave mbikëqyrëse policore

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU 

    Është shënuar 17-vjetori i themelimit të Inspektoratit Policor të Kosovës. Me këtë rast, është bërë edhe nënshkrimi i themelimit të Forumit Rajonal të Trupave Mbikëqyrëse Policore. Në këtë përvjetor u fol për rëndësinë e bashkëpunimit me këtë institucion, për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

    Inspektorati Policor i Kosovës, në 17-vjetorin e themelimit të tij, ka themeluar forumin rajonal të mbikëqyrjes së Policisë së Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

    Sipas kryeshefit ekzekutiv të Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, themelimi i këtij forumi është i rëndësishëm për shkëmbimin e informacioneve.

    “Ky forum do të jetë një mekanizëm dhe platformë e rëndësishme në shkëmbim të informacioneve, praktikave të mira, trajnimeve të përbashkëta, por edhe aktiviteteve të përbashkëta inspektuese dhe hetuese. Forumi do të jetë organizim i përbashkët dhe do të udhëhiqet me rotacion dhe do të mbetet i hapur për anëtarësim, edhe për agjencitë e shteteve të rajonit, por edhe më gjerë”.

    Ndërkaq, shefja e kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Jeta Tela-Shema, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me këtë institucion, për luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

    “IPK-ja në vizionin e Ministrisë zë një vend të jashtëzakonshëm. Prioritet për ta luftuar krimin e organizuar është vështirë e realizueshme pa policinë. Gjithë këto vite, falë edhe mbështetjes së bashkëpunëtorëve tanë, IPK-ja është angazhuar për policinë me integritet karshi qytetarëve tanë”.

    Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe atasheu i Departamentit të Drejtësisë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Kimberly Riffe. Ajo foli për sfidat e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar.

    “Nevoja për IPK-në që të sigurojë që veprimet policore janë të ligjshme dhe në përputhshmëri me rregulloret e brendshme, kjo është një detyrë shumë e rëndësishme të cilën ju jeni dedikuar dhe e bëni çdo ditë. Ju lutem vazhdoni të jeni një agjenci, ku njerëzit, qytetarët mund të bëjnë ankesa, duke ditur se ju do t’i aplikoni principet ligjore, duke siguruar një proces demokratik në hetimin dhe zbulimin e të vërtetës dhe fakteve në mënyrë transparente”.

    Në raportin e vitit të kaluar të IPK-së thuhet se janë pranuar mbi 1690 ankesa, 34 për qind prej të cilave janë orientuar për hetim penal në Departamentin e Hetimit. Po ashtu, janë arrestuar 108 punonjës dhe qytetarë nën dyshimin për përfshirje në krim dhe është rekomanduar suspendimi i 164 punonjësve policorë.

  • Komuna e Vushtrrisë e ka vazhduar traditën duke ofruar shërbime administrative për mërgimtarët

    Komuna e Vushtrrisë e ka vazhduar traditën duke ofruar shërbime administrative për mërgimtarët

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU

    Komuna e Vushtrrisë e ka vazhduar traditën duke ofruar shërbime administrative për mërgimtarët edhe të shtunave. Sipas kryetarit të kësaj komune, përveç shërbimeve administrative, komuna ka siguruar edhe vendparkingje për veturat e tyre.

    Edhe të shtunën, qytetarët e Vushtrrisë që jetojnë ne diasporë do të mund të kryejnë shërbime administrative në komunë.

    Nga 1 korriku deri më 31 gusht duke e vazhduar traditën, Komuna e Vushtrrisë ka hapur sportelet administrative për mërgimtarë.

    “Nga sot kemi filluar me shërbimet administrative për qytetarët e Vushtrrisë që jetojnë në Diasporë, do të punojmë me kapacitete të shtuara, ku mërgimtarët do të mund të kryejnë shërbime edhe të shtunën. Këtë vit do të kemi edhe shërbime shtesë. Diasporës i dëshiroj mirëseardhje, te ne do t’i gjejnë të gjitha shërbimet. Ne jemi përkujdesur që për Diasporën t’i sigurojmë edhe vend parkingjet e automjeteve”.

    Drejtoresha e Administratës në Komunën e Vushtrrisë, Hana Mlinaku, tha se komuna ka shtuar kapacitetet për kryerjen e shërbimeve për mërgimtarët.

    “Këtë vit e kemi parë të arsyeshme me zgjeruar edhe qendrën për shërbim me qytetarë me një sportel të veçantë, po ashtu edhe dy sportele i kemi ndarë

    enkas, do të punojnë me shërbim të veçantë për bashkatdhetarët, por nuk do të thotë që ata nuk mund të shërbehen edhe në sportelet e tjera”.

    Përgjatë këtyre ditëve mërgimtarët do të mund të kryejnë të gjitha shërbimet administrative.

    “Të gjitha shërbimet do të jepen të shtunën, duke filluar nga regjistrimi i fëmijëve, regjistrimi i martesave, lëshimi i dokumenteve që të pajisen me pasaportë, letërnjoftim, të gjitha dokumentet që lëshohen ditëve të javës, për të gjitha ato dokumente do të shërbejmë edhe të shtunën”.

    Për nder të mërgimtarëve Komuna e Vushtrrisë këtë vit ka organizuar edhe aktivitete kulturore.

    “Kemi dy festivale, njërin në muajin korrik dhe njërin në muajin gusht dhe ato do të përcillen me aktivitete të ndryshme kulturore. Jemi munduar që në këtë sezon veror të presim diasporën që janë pjesë e familjeve tona sa mirë e sa më ngrohtë”.

    Ndërkaq, me vendimin e kryetarit të komunës së Vushtrrisë, të gjitha bizneset në këtë qytet do të jenë të hapura edhe të dielën.

  • Ish-ambasadori i Holandës Bosch, vlerëson se Kosova duhet t’i zbatojë kërkesat e ndërkombëtarëve

    Ish-ambasadori i Holandës Bosch, vlerëson se Kosova duhet t’i zbatojë kërkesat e ndërkombëtarëve

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Ish-ambasadori i Holandës Robert Bosch, vlerëson se Kosova duhet t’i zbatojë kërkesat e ndërkombëtarëve, sado të padrejta që mund të jenë ato, marrë parasysh paralajmërimet për sanksione. Veç kësaj, holandezi shprehet i bindur se Kosova duhet të gjejë rrugëdalje në këtë situatë, pavarësisht se po vuan pasojat e veprimeve të Serbisë.

    Në Kosovë punoi deri në vitin 2015. Pavarësisht kësaj, Robert Bosch, vazhdon të jetë i lidhur me vendin në të cilin shërbeu, derisa interesohet edhe për krizat politike që kalon.

    Marrë parasysh përvojën e gjatë politike, ish-ambasadori i Holandës, megjithëse e konsideron të padrejtë presionin drejt Kosovës, sugjeron që të dëgjohet faktori ndërkombëtar.

    “Ju jeni ndëshkuar që nuk keni bërë saktësisht atë që ju është thënë dhe sigurisht siç thash, mendoj se është shumë e padrejtë ajo që po ju kërkohet, por sipas meje, ju lutem bëjeni atë gjithsesi, sepse çfarë është gjëja kryesore që kërkojnë dhe që nuk po bëni është të tërhiqni forcat speciale te policisë dhe të gjithë të tjerat. Pra, dua të them, ju duhet të dorëzoheni në këto gjëra, nëse bëni atë që thonë ata, ata nuk mund të zemërohen më me ju, dhe pastaj mbani këto zgjedhje të reja sa më shpejt që të jetë e mundur dhe nëse nuk marrin pjesë përsëri, atëherë është problemi i tyre, janë ata që e kanë bërë problemin”.

    Sidoqoftë, ish-ambasadori shprehet i bindur se Kosova duhet të gjejë rrugëdalje, megjithëse po vuan pasojat e problemeve që ka shkaktuar Serbia.

    “Vërtet nuk e di pse janë kaq shumë kundër Kosovës. Pse po dënoheni kaq shumë për atë që bënë serbët. Dhe nuk dua të them nëse pas këtyre është qeveria e Beogradit apo këto grupet e tjera, dy grupet që tani u shpallën organizata terroriste, të cilat gjithashtu mendoj se… pse duhet t’i quani organizata terroriste, mund të thuash se janë organizata kriminale; terroriste sigurisht që është një hap më tej, gjithashtu, kjo nuk ju ndihmon kur ekzagjeroni, sepse tani është koha të përpiqeni të moderoni. Por, dua të them, tani është koha të jeni edhe më të moderuar, sepse sipas meje, paarsyeshëm, ju kanë shtyrë në një qoshe dhe duhet të bëni diçka për të dalë nga ky cep”.

    Holandezi Bosh, tanimë në moshë, vlerëson se Kosova duhet ta formojë edhe asociacionin por pa kompetenca ekzekutive.

    “Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet ta bëni sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, do të thotë se kjo është një Asociacion pa kompetenca ekzekutive. Dhe atëherë cili është problemi për të pasur këtë Asociacion? Sigurisht që atëherë serbët do të thonë, ‘oh, është e tmerrshme, është e tmerrshme’, por është problemi i tyre. Ju e keni kryer detyrën tuaj, e keni bërë këtë Asociacion dhe në përputhje me Kushtetutën tuaj, dhe nëse ata nuk janë të lumtur atëherë është problem i tyre. Por, tani është problemi juaj, sepse ju nuk e keni bërë atë akoma”.

    Presioni tani e tutje sipas ish-ambasadorit duhet t’i drejtohet Vucic-it, sidomos pas destruktivitetit treguar në raport me Marrëveshjen e Ohrit.

  • Avokati i Popullit ka evidentuar shkelje kushtetuese në një vendim të Kuvendit

    Avokati i Popullit ka evidentuar shkelje kushtetuese në një vendim të Kuvendit

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Avokati i Popullit ka evidentuar shkelje kushtetuese në një vendim të Kuvendit i cili e vonon zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor. Megjithatë, kryetari i komisionit legjislativ vendimin nuk e konsideron të gabuar. Sidoqoftë, njohës të fushës së drejtësisë, theksojnë se anëtarët dhe udhëheqësit e sistemit të drejtësisë duhet të zgjedhën sa më parë, meqenëse sipas tyre kjo ndikon edhe në efikasitet.

    Asnjëri nga gjyqtarët, Alban Ajvazi dhe Besnik Bislimaj nuk kishin marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar tw Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Kështu, pas dy rundeve Kuvendi vendosi që konkursi duhet të përsëritet.

    Por, ky vendim i cili u analizua pas një ankese, sipas Avokatit të Popullit përbën shkelje kushtetuese, dokument të cilin e posedon ATV.

    “Kuvendi në rastin konkret nuk e kishte respektuar tërësisht procedurën e përcaktuar në nenin 10, paragrafi 9, të Ligjit të KGJK-së dhe si rrjedhojë ankuesit i ishte pamundësuar realizimi i të drejtës së përcaktuar në dispozitën e theksuar.

    Sipas Ligjit për këshillin gjyqësor, kandidati që merr më shumë vota në raundin e dytë, zgjidhet automatikisht anëtar. Megjithatë, kryetari i komisionit për Legjislacion, nga Lëvizja Vetëvendosje, e arsyeton vendimin e Kuvendit.

    “Në rastin konkret asnjëri kandidat nuk ka marrë së paku shumicën e thjesht, andaj është konstatuar se nuk është zgjedhur. Nuk mund të ketë votim të sukseshëm në Kuvend me më pak se 31 vota për në një proces ku së paku marrin pjesë 61 deputet. Si rrjedhojë do të duhej të kishim rishpalljen e konkursit, por ndërkohë ndaj vendimit të Kuvendit është larashtruar ankesë.”

    Sidoqoftë, vonesat në zgjedhjen e anëtarëve dhe udhëheqësve në institucionet e drejtësisë, konsiderohen shqetësuese nga njohës të fushës së drejtësisë.

    “Pashmangshëm që ndikon në mungesë të efikasitetit. E dijmë që kryeprokurori është me ushtrues detyre. Por, cilado pozitë që mbetet me ushtrues detyre paraqet vështirësi në ushtrimin e detyrës.

    “Marrë parasyshë mosemerimin e kryeprokurorit të shtetit për teke politike, poashtu edhe mosemërimi I një anëtari të kgjk-së. Me mosemërimin e një anëtari të KGJK-së, kuvendi ka bërë shkelje ligjore.

    Për rastin e anëtarit të KGJK-së, opozita fajëson pozitën.

    “Mendoj që zgjedhja e anëtarëve të këshillit gjyqësor zgjedhen me shumicën që duhet ta sigurojë shumica. Më shumë mundohen ta politizojnë procesin.”

    Tash e 15 muaj Prokuroria e Shtetit është pa kryeprokuror. Prokurorin pasardhës Blerim Isufajn, Presidentja ende nuk e ka dekretuar.

  • Spanja merr presidencën e BE së, nuk ndryshon qëndrim ndaj Kosovës

    Spanja merr presidencën e BE së, nuk ndryshon qëndrim ndaj Kosovës

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Spanjën pasi ky shtet mori udhëheqësinë e presidencës së Bashkimit Evropian, të cilën do ta mbajë deri në dhjetor të këtij viti. Osmani pret që përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës ne Bashkimin Evropian të vazhdojnë edhe gjatë viti 2023.

    Nga 1 korriku, udhëheqësinë e presidencës së Bashkimit Evropian do ta mbajë Spanja.

    Spanja e cila është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, bashkë me Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron kryesinë e Bashkimit Evropian do ta mbajë deri në dhjetor të këtij viti.

    Teksa më 9 janar, ish-presidenca suedeze e Bashkimit Evropian kishte nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, presidentja, Vjosa Osmani pret që përpjekjet të vazhdojnë edhe me Spanjën në krye.

    “Derisa Suedia përfundon presidencën e saj, unë e falënderoj kryeministrin Ulf Kristersson për lidershipin e tij dhe angazhimin për siguri dhe stabiliteti në Evropë. Shohim drejt vazhdimit të përpjekjeve tona për ta sjellë Kosovë ne afër BE-së gjatë vitit 2023”.

    Megjithatë, njohës të politikes së jashtme nuk presin lëvizje pozitive.

    “I cili është një shtet rigjid ndaj pavarësisë se Kosovës, është absolut shteti me jo miqësor për Kosovën dhe duhet ta kuptojmë qe këta gjashtë muajt e ardhshëm Kosova nuk mund ta këtë qasjen e njëjtë sikur e ka pasur deri me tani.”

    Ditë më parë, ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, theksoi se qëndrimi kundër pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar.

    Ndërkaq, në ditën kur Spanja mori udhëheqjen e BE-së, kryeministri i këtij vendi, Pedro Sanchez, ka vizituar Kievin për të përsëritur mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën në luftën me Rusisë.