ATV

Author: E.R.

  • Vuçiq përdori fjalën demilitarizim për Kosovën, siç bëri Putini për Ukrainën

    Vuçiq përdori fjalën demilitarizim për Kosovën, siç bëri Putini për Ukrainën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po kërkon një qasje të ngjashme ndaj Kosovës si Rusia ndaj Ukrainës.

    Gjatë fjalës së tij më 6 korrik, ai theksoi synimin e tij për të përdorur konceptin e demilitarizimit për Kosovën, paralelisht me një qasje të ngjashme që presidenti rus, Vladimir Putin, ka zbatuar në Ukrainë.

    Duke iu drejtuar publikut për situatën në Kosovë, Vuçiq kërkoi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të kërkuar “demilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura shqiptare”, transmeton The Geopost.

    “Në atë seancë do të kërkojmë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së t’i kërkojë KFOR-it të veprojë sipas rezolutës 1244 dhe të kryejë demilitarizimin e të gjitha formacioneve shqiptare në përputhje me të njëjtën rezolutë. Unë personalisht do të marr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë presidenti serb.

    Kjo deklaratë e Vuçiqit tregon një dëshirë për një qasje të ngjashme me atë të përdorur nga Putini në Ukrainë, ku Rusia justifikoi masat e saj të demilitarizimit me arsyetimin e mbrojtjes së popullatës ruse.

  • Si u bind Biden që ta furnizojë me municion thërrmues Ukrainën?

    Si u bind Biden që ta furnizojë me municion thërrmues Ukrainën?

    Ukraina do të shfrytëzojë municionin thërrmues vetëm në zonat e okupuara prej rusëve dhe nuk do t’i përdor për të sulmuar territore në Rusi. Kjo garanci e ka bindur presidentin amerikan, Joe Biden që të merr vendim për ta furnizuar me këtë armë shtetin ukrainas.

    Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov përshëndeti vendimin e amerikanëve për të dërguar armët e diskutueshme, duke thënë se ato do të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve të ushtarëve.

    Ai shtoi se Ukraina do të mbajë një regjistër të rreptë të përdorimit të tyre dhe do të shkëmbejë informacionin me partnerët e saj, raporton skynews.

    “Qëndrimi ynë është i thjeshtë – ne duhet të çlirojmë territoret tona të okupuara përkohësisht dhe të shpëtojmë jetën e njerëzve tanë”, tha ai.

    “Ukraina do t’i përdorë këto municione vetëm për de-okupimin e territoreve tona të njohura ndërkombëtarisht. Këto municione nuk do të përdoren në vendet e njohura zyrtarisht
    territorin e Rusisë”, shtoi ai.

    Biden kishte deklaruar se municionet thërrmuese nuk do të shfrytëzohet për të sulmuar Rusinë, por vetëm caqet ruse në Ukrainë.

    Municionet thërrmuese, të quajtura edhe bomba thërrmuese, janë bombola që mbajnë dhjetëra deri në qindra bomba më të vogla, të quajtura gjithashtu si nën-municione.

  • Rrahja masive për guroren në Borizanë, Rahman Rraja jep dorëheqjen nga mandati i deputetit

    Rrahja masive për guroren në Borizanë, Rahman Rraja jep dorëheqjen nga mandati i deputetit

    Deputeti i Partisë Socialiste, Rahman Rraja ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit, pas ngjarjes në Borizanë, ku familjarët e deputetit ushtruan dhunë ndaj disa banorëve.

    Në deklaratën e tij për media, Rraja ka thënë se i ndihet i turpëruar publikisht nga fëmija i tij, ndërsa u ka kërkuar ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar.

    “Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike”, ka njoftuar ai.

    Tutje, Rrahja u ka kërkuar ndjesë edhe të gjithë atyre që e kanë votuar që nga viti 2000  si kryetar komune dhe prej dy mandatesh si deputet.

    Po ashtu, ai i ka kërkuar djalit të tij që të dorëzohet para drejtësisë.

    “Ju kërkoj ndjese viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që me la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”, ka përfunduar Rraja.

  • Lajçak: Vazhdon përpjekja jonë për t’i normalizuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Lajçak: Vazhdon përpjekja jonë për t’i normalizuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se udhëtimi i tij në Ballkan e ka ndihmuar atë më shumë për të kuptuar situatën që është në veri të Kosovës.

    Lajçak ka thënë se vazhdojnë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Vazhdon përpjekja jonë për të kthyer në rrugën e normalizimit marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan ai në postimin e bërë në Facebook.

    Tutje, ai ka dhënë detaje rreth takimeve që ka pasur në Kosovë dhe Serbi.

    “Në fillim të kësaj jave, udhëtova në Kosovë dhe Serbi, në kuadër të përpjekjeve të BE-së për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Fokusi kryesor ishin takimet e mia me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Kosovë, si dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq në Serbi për të shqyrtuar opsionet për rrugën përpara në përputhje me kërkesat e BE-së për deeskalim, zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrja e serbëve të Kosovës dhe kthimi në dialog”.

    “Në Kosovë takova edhe shefin e ri të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, gjeneralmajor Barbano dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia. Ne diskutuam situatën e sigurisë në Kosovë, nevojën urgjente që të gjitha palët të ndërmarrin hapa konkretë për de-përshkallëzimin dhe kemi shqyrtuar opsionet për kontributin e organizatave tona”, ka shkruar ai tutje.

  • Vuçiq ankohet te Macroni: Prishtina “të vijë në vete”

    Vuçiq ankohet te Macroni: Prishtina “të vijë në vete”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq thotë se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun francez, Emmanuel Macron.

    Ai deklaron se me presidentin e Francës ka biseduar rreth situatës aktuale në Kosovë.

    Në llogarinë personale në Instagram, Vuçiq ka pohuar se i ka thënë Macronit që Kosova është destruktive dhe se ai është e gatshëm për bashkëpunim.

    “Dhuna tani e pamaskuar e drejtuar kundër serbëve në Kosovë po heq gjithnjë e më qartë çdo mundësi për një bisedë të civilizuar dhe një qasje për zgjidhjen e çështjeve të hapura. E theksova se Serbia mbetet e përkushtuar për dialog dhe ruajtjen e paqes, edhe pse komuniteti serb në Kosovë është i vetmi grup etnik në Evropë që është i ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme”, ka shkruar Vuçiq.

    “Kam kërkuar nga presidenti Macron që të bëjë një përpjekje shtesë në mënyrë që pala prishtinase të vjen në vete dhe t’i kthehet sa më shpejt bisedimeve”, shtoi ai.

    Vuçiq i ka kërkuar Macronit që të ndalojë autoritetet kosovare siç tha ai “të bëjnë gjëra të kota që synojnë de-përshkallëzimin e situatës”, por i njëjti nuk ka përmendur dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe qytetarëve në veri të Kosovës.

    “E falënderova presidentin Macron për gatishmërinë që të dëgjojë Beogradin, si dhe për vendosmërinë e tij për të bërë përpjekje shtesë për të zgjidhur situatën jashtëzakonisht komplekse dhe mbi të gjitha të rrezikshme në Kosovë”, përfundoi Vuçiq.

  • Deklarata për të Zhdukurit, Hoti: BE nuk po e kushtëzon Serbinë për qasje në arkiva

    Deklarata për të Zhdukurit, Hoti: BE nuk po e kushtëzon Serbinë për qasje në arkiva

    Deklarata për të Zhdukurit e miratuar më 2 maj në Bruksel, nuk po gjen zbatim nga pala serbe.

    Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me kërkesën për hapjen e arkivave.

    Ai thotë se nuk ka marrë përgjigje, ani pse tash më shumë se një muaj është dërguar kjo kërkesë.

    Bashkimi Evropian si ndërmjetës i kësaj deklarate, siç thotë Hoti, nuk po kushtëzon Serbinë për implementim të asaj për çfarë janë dakorduar.

    Në intervistën për KosovaPress, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur flet edhe për gërmimet që kanë nisur javën e kaluar në Prishtinë dhe për Ligjin për Personat e Zhdukur.

    Nga fillimi i vitit janë kryer disa gërmime në disa lokacione të Kosovës, mirëpo Hoti përsërit kërkesën që të kthehen kërkimet në tri lokacione ku janë gjetur mbi 700 trupa, në Batajnicë, Petrovo Sello dhe Bajna Bashta në territorin e Serbisë.

    Ai tregon edhe për letrën që i ka dërguar Serbisë, për hapjen e arkivave.

    “Unë çfarë kam bërë ka qenë vetëm implementimi i kësaj deklarate. Unë kam kërkuar, i kam shkruar një letër presidentit të Serbisë, Vuçiqit dhe i kam kërkuar që të hapë këto arkiva. Dhe i kam specifikuar në mënyrë që të mos bëjë lojëra politike, siç vazhdon të bëjë ai, i kam specifikuar. Sepse, ky ka qenë vetëm fillimi, nuk jemi fokusuar vetëm një, i kam specifikuar edhe cilin lloj të arkivave.

    Të Brigadës 37 që ka qenë publike, është klasifikuar gjatë luftës, është riklasifikuar disa vite më parë. Ka qenë temë diskutimi mes Natasha Kandiqit dhe shumë akterëve të tjerë ndërkombëtarë. Në një formë ia kam lehtësuar punën që vetëm ai duhet t’i japë, sepse ai nuk mund ta mashtrojë askënd që nuk i ka, diçka që ka qenë publike. Por, fatkeqësisht nuk kam marrë asnjë përgjigje, as nga zotëri Vuçiq por, nga askush në Serbi”, deklaron ai.

    Për këtë, Hoti e fajëson edhe Bashkimin Evropian, për çka kërkon që të kushtëzojë Serbinë për qasje në këto arkiva.

    “Por, fatkeqësia më e madhe në këtë rast është nga Bashkimi Evropian, sepse ata kanë qenë ndërmjetësues të deklaratës dhe kemi pasur një afat kohor kur është dashur të kryhet dhe të themelohet komisioni i përbashkët i kryesuar prej BE-së. Por, ne jo vetëm që nuk e kemi themeluar, ne i kemi dërguar imputet tona si Kosovë, por BE nuk na ka lajmëruar më se çfarë do të ndodhë me atë komision. Fokusi është tashmë në Mitrovicë dhe në problemet e serbëve që po i bëjnë atje, por fatkeqësisht po ndikon shumë edhe në procesin tonë. Sepse, ne e kemi ditur që Serbia nuk na i jep, heziton të na jap këto informacione, por kemi shpresuar prej Bashkimit Evropian që është serioz në këtë aspekt dhe bën një kushtëzim ndaj Serbisë dhe i marrim (informacionet) nga arkivat dhe ne nuk po shohim asnjë kushtëzim”, shton ai.

    Teksa thekson se fokus i tyre janë gërmimet në varrezat masive në Serbi, Hoti shton se në Kosovë është gërmuar gati çdo katër kilometër katror, apo në mbi 2,700 lokacione.

    “Të fundit kanë qenë në Podujevë, Kamenicë, në fakt edhe në Matiqan ka qenë para Kamenicës, Kishnica ka qenë në këtë javë dhe (të enjten) ishim në Arbëri në Prishtinë. Matiqani është një rast ku kanë qenë tetë persona të zhdukur, të marrë nga Spitali i Prishtinës në atë kohë, të vrarë, të zhdukur. Para disa vitesh, gjashtë persona janë identifikuar dhe janë gjetur dhe dy patën mbetur ende persona të zhdukur. Paramendoni mes varrezave të bëhen gërmime, por janë ekspertë ata që i bëjnë, kemi arritur të gjejmë një person të zhdukur në ato varreza të Matiqanit, por nuk është identifikuar ende, sepse është në procedurë që duhet të shkojë mostra në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur në Hagë dhe kjo e merr një kohë deri në identifikimin e këtij personi dhe pastaj nëse del një nga këta dy persona që është i zhdukur, mbetet edhe një person i zhdukur në Matiqan”, tregon ai për KosovaPress.

    Hoti shton se janë edhe dy vende të tjera, të cilat do të gërmohen në territorin e Republikës së Kosovës, bazuar edhe në urdhëresat e gjykatës. Njëra është në Mitrovicë, ndërkaq tjetra në fshatin Bizhtazhin të Gjakovës, ku pritet të ketë gjetje të tjera.

    “Dje (6 korrik 2023) në lagjen ‘Arbëria’ edhe kjo ka ndodhur në varrezat e Dragadonit, kemi arritur të gjejmë një trup të një personi, që sipas ekspertëve dyshohet se është person i zhdukur. Edhe ky person ka qenë person i zhdukur i luftës, që pastaj është identifikuar dhe është humb trupi për shkak të ekspertëve ndërkombëtarë në atë kohë kur kanë punuar dhe i kanë bartur trupat me qëllim të identifikimit, me informacion të familjes ka ndodhur ku na kanë dhënë familjarët disa informacione që mund të jetë trupi në atë vend ku kemi gërmuar. Kemi arritur të gjejmë një person edhe kjo e ka një procedurë deri në identifikimin e saj”, thotë Hoti.

    Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të pagjetur, Andin Hoti thekson se shumë shpejt do të finalizohet Ligji për Personat e Zhdukur.

    Kjo nismë legjislative, siç thotë ai, nuk përcakton dhe nuk përfshin kërkesat e familjarëve të të pagjeturve. Hoti shton se një gjë të tillë e bën Ligji për Pensione dhe ai për Kategoritë e Dala nga Lufta.

    “Ne mund ta kryejmë Ligjin për Personat e Zhdukur qysh nesër, por kjo do të thotë që familjarëve nuk do t’ju plotësohet asnjë kërkesë e tyre. Prandaj, ne kemi hezituar edhe ta kryejmë, me tendencën për të gjetur një mes të jo futjes, por ndoshta të plotësim-ndryshimit të ligjeve të tjera, një lloj presioni dhe trysnie që kemi tentuar të bëjmë institucioneve përkatëse që të ndryshojnë dy ligjet e tjera dhe të plotësohen kërkesat e familjarëve. Kërkesat e familjarëve, përveç të drejtës për të ditur, janë pensionet… Ne jemi shumë gati dhe ne e kemi themeluar edhe grupin punues, kemi mbajtur edhe takimin e grupit punues, kemi edhe një afat kohor kur duhet ta përfundojmë, që është nëntori”, shprehet ai.

    Hoti thekson se Ligji për Kategoritë e Dala nga Lufta është në plotësim-ndryshim në Kuvendin e Kosovës tash e tetë vjet.

    Vitin e kaluar janë dërguar mbi 70 mostra për identifikim në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur në Hagë, ku 25 prej tyre priten të kthehen në Kosovë.

  • Rusët sulmojnë vendlindjen e Zelenskyt

    Rusët sulmojnë vendlindjen e Zelenskyt

    Vendlindja e Volodymyr Zelenskyt është sulmuar gjatë natës me dron, ka thënë një guvernator ukrainas.

    Kryvyi Rih, në qendër të Ukrainës, është sulmuar disa herë gjatë luftës, por kësaj radhe trupat e Vladimir Putinit kanë shënjestruar këtë vend në një ditë simbolike.

    Një burrë 26-vjeçar është shtruar në spital dhe një numër i depove u shkatërruan në sulmin e mbrëmshëm, tha Serhiy Lysak.

    “Gjatë natës armiku sulmoi Kryvyi Rih. Përdori drone”, ka shkruar ai në Telegram.

    “Kanë rënë dy zjarre njëherësh, por ekipet e shpëtimit e kanë shuar. U shkatërruan disa depo, u dëmtuan pajisje dhe vetura”, shtoi Lysak.

    Ndryshe, Zelenskyn për të shënuar 500 ditët e përballjes me Rusinë ka vizituar ishullin e gjarpërinjve, i cili ishte në qendër të vëmendjes së botës në ditën e parë të pushtimit rus, kur një luftëtar ukrainas i tha një anijeje luftarake ruse që po afrohej, “shko r.s.”.

  • Lëndohet një punëtor në Prizren

    Lëndohet një punëtor në Prizren

    Një punëtor është lënduar ditën e premte derisa ishte duke punuar në Prizren.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Ekrem Rexha”, rreth orës 17:00.

    “Raportohet se viktima mashkull kosovar i mitur, derisa ishte në vendin e punës, dyshohet se aksidentalisht ka pësuar lëndime nga makineria e punës. Njësitë relevante policore dhe inspektori i punës kanë dalë në vendin e ngjarjes. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e bërë nga Policia.

    Policia shton tutje se, është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt.

  • Haradinaj kujton vëllezërit Bytyqi: Heroizmi, humanizmi e atdhedashuria e tyre do të kujtohen ndër breza

    Haradinaj kujton vëllezërit Bytyqi: Heroizmi, humanizmi e atdhedashuria e tyre do të kujtohen ndër breza

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqin.

    Haradinaj ka thënë se shteti serb i ekzekutoi ata dhe se po vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve.

    “Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë, iu bashkuan rreshtit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përpjekjet më vendimtare për lirinë e atdheut. Vetëm pak ditë pas përfundimit të luftës u arrestuan nga shteti serb, ku më pas u ekzekutuan. Shteti serb, përpos që i ekzekutoi ata dhe shumë shqiptarë tjerë, vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë vëllezërit Bytyqi”, theksoi Haradinaj.

    Tutje, ai ka shtuar se “sot e çdo ditë ndajmë dhembjen me familjen Bytyqi – me bacën Ahmet e me zonjën Bahrije dhe bashkëluftëtarët e Atlantikut”.

    “Heroizmi, humanizmi e atdhedashuria e Agronit, Yllit e Mehmetit do të kujtohen ndër breza. Ne kurrë nuk do të ndalemi në përpjekjet për të çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar dhe vrasësit ta marrin dënimin e merituar. Lavdi e përjetshme”.

  • Borrell në Dubrovnik flet për dialogun Kosovë-Serbi

    Borrell në Dubrovnik flet për dialogun Kosovë-Serbi

    Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell është duke marrë pjesë në forumin e Dubrovnikut në Kroaci.

    Përmes një postimi në Twitter, ai ka shkruar së në forum kanë biseduar edhe për dialogun Prishtinë-Beograd.

    “Ne diskutuam mbështetjen për Ukrainën, dialogun Beograd-Prishtinë dhe klimën e investimeve në Afrikë”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka komentuar situatën aktuale në rajon në prag të konferencës ndërkombëtare në Dubrovnik, duke iu referuar veçanërisht krizës mes Kosovës dhe Serbisë si dhe lëvizjeve të fundit të Milorad Dodikut në Republikën Serbe të Bosnje-Hercegovinës.

    Duke komentuar situatën në Kosovë, zyrtari amerikan beson se zgjidhja më e mirë për daljen nga kriza është që Beogradi dhe Prishtina të pranojnë planin trepikësh të prezantuar nga Bashkimi Evropian.