ATV

Author: E.R.

  • S’ka të interesuar , QMF e fshatrave të Prizrenit pa biokimist

    S’ka të interesuar , QMF e fshatrave të Prizrenit pa biokimist

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Si pasojë e mungesës së stafit shëndetësor, qendrat e mjekësisë familjare në fshatra të komunës së Prizrenit, nuk po mund t’u ofrojnë pacientëve shërbime mjekësore për çdo ditë. Pacientët ankohen se po detyrohen që të bëjnë rrugë deri në Qendër të qytetit për t’i kryer shërbimet, sidomos për kryerjen e analizave. Mungesa e biokimistëve nëpër QMF-të, është si pasojë e mosinteresimit për të aplikuar për këtë pozitë.

    “Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Gjonaj në Has të Prizrenit, banorët ankohen se nuk po mund t’i kryejnë të gjitha analizat”.

    Kjo për shkak se në këtë qendër, nuk ka të punësuar asnjë biokimist.

    Mungesa e një biokimisti në QMF-në e këtij fshati, po detyron banorët të cilët kanë nevojë për këtë shërbim mjekësor, të shkojnë në Prizren. Sipas tyre, udhëtimi e më pas edhe kryerja e analizave po iu kushton atyre.

    “Po duhet të shkojmë në Qendrën Kryesore në Prizren e goxha është larg. Mua po më kushton goxha shtrenjtë. E këtu në Qendër të Mjekësisë në Gjonaj s’ka kush me t’i kry analizat, është shqetësuese për krejt edhe fshatarët e mi. Po na kushton secilit”.

    “Është shqetësuese, po masi këtu s’po bahen, po duhet me shku në qendër. E tash më vështirë se shumë nxehtë”.

    Për vështirësitë që hasin pacientët për bërjen e analizave ka folur edhe kryetekniku në këtë qendër, Muharrem Qollaku.

    “Këtu nuk kemi biokimist të punësuar, kemi vetëm një laborant që në vend të biokimistit punon dy herë në javë për pacientët. Ama këtu nuk kryhen krejt llojet e analizave se s’ka biokimist, duhet me shku në qendër pacientët”.

    Mirëpo, nuk është vetëm fshati Gjonaj që ka mungesë të një biokimisti, me të njëjtin hall përballet edhe QMF-ja e fshatit Romaj. Për këtë pozitë nuk ka të interesuar.

    “Në fshatin Gjonaj kemi pasur të hapur një konkurs për biokimist, por s’kemi pasur asnjë të interesuar, andaj jemi detyruar ta mbyllim konkursin. Kemi një biokimist këtu në QKMF. E njëjta situatë është edhe në fshatin Romaj. Të gjitha analizat prej atje i bijnë këtu mostrat për përpunim. Ndërkohë tjetër çështje është se këtu kemi vetëm 1 radiolog, kemi nevojë më shumë. Kemi shumë pak staf për shërbime mjekësore”.

    Sipas menaxhmentit drejtues të QKMF-së në Prizren, në 44 njësitë e kujdesit parësor shëndetësor, numri i të punësuarve arrin në 500.

    Ndryshe, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, brenda ditës kryhen mbi 150 lloje të analizave.

  • Kuvendi i Kosovës hap dyert për mërgimtarët

    Kuvendi i Kosovës hap dyert për mërgimtarët

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Kuvendi i Kosovës ka hapur sot dyert për pritje të mysafirëve nga diaspora. Bashkatdhetarët patën mundësi t’i vizitojnë hapësirat e këtij institucioni e të takohen me deputetë, të cilëve ua shpalosën shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

    Për Besart Demakën është hera e parë që Kuvendin e Kosovës po e sheh nga afër. Meqë erdhi nga Suedia, vendosi të ulet në karrigen e kryeministrit, për ta parë më mirë gjithë sallën e seancave.

    Por me të hyrë brenda sallës, ai thotë se iu kujtua përleshja e deputetëve që ndodhi një javë më parë, për të cilën pati një kritikë.

    Ndihem shumë mirë, i kemi problemet por është vendi ynë. Nuk është ajo punë normale me krye politikën ashtu, se pamja shumë e keqe në Suedi. Mediat s’shkruajnë shpesh për Kosovën e kësaj radhe kanë shkrua që janë rreh e kjo nuk është e mirë se na del pamja e keqe.

    Kuvendin nga një dimension ndryshe e panë edhe mërgimtarë nga Gjermania e Zvicra.

    Është shumë kënaqësi me ardhë në Kosovë, bile para se me ardhë thoja që ky kuvend është Vlora e dytë, gurthemeli i shtetit është këtu.

    Emocion shumë i madh se një institucion si ky s’e kemi vizitua kurrë, në kohën e ish-Jugosllavisë nuk kemi guxua as me u afrua te dera se na rrahshin.

    Ata i priti deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e cila tha se këto takime janë shumë të rëndësishme për të.

    Mërgata jonë vjen çdo vit këtu, për të shfaqë brengat e shqetësimet që ata kanë, por më shumë për t’u lidhur me shtetin e tyre. Kemi diskutuar gjatë që të kemi edhe zërin e tyre këtu në Kuvend, me i shpreh shqetësimin, e më herët e kemi pas edhe një ministri të diasporës, por me nuk funksionon. Kjo nuk e zbeh assesi nevojën tonë për këta njerëz, të cilit janë aty për sa herë që ka nevojë Kosova.

    Mërgimtarët do të kenë mundësi që edhe nesër nga ora 8 deri në 16:00 të takohen me deputetë e ta shohin nga afër Kuvendin e Kosovës.

     

     

  • AAK-ja, tryezë diskutimi me organizatat e dala nga lufta

    AAK-ja, tryezë diskutimi me organizatat e dala nga lufta

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sot mbajti një tryezë diskutimi me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta, ku fokus ishte gjendja e veteranëve, veçanërisht tash pas mospërfshirjes së tyre në pagën minimale. Ata akuzuan qeverinë se nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna, derisa thanë se si kategori janë lënë pas dore. Kësisoj zgjidhje, sipas tyre, mbetet që të jenë të bashkuar edhe në protesta.

    Në vazhdën e diskutimeve për situatën politike në vend dhe një zgjidhje të mundshme për të dalë nga ajo, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot priti shoqatat e dala nga lufta.

    Grupi parlamentar i AAK-së ishte i hapur që t’i dëgjojë hallet e përfaqësuesve të këtyre shoqatave, që më pas ato t’i përcjellin në Kuvend para deputetëve të tjerë.

    Fokusi kryesor ishte gjendja e veteranëve, veçanërisht tash pas mospërfshirjes së tyre në pagën minimale.

    Andaj një vendim i tillë nga ata që përfaqësojnë veteranët u cilësua edhe si tradhti ndaj atyre që ishin simbol i lirisë.

    Përveç se veteranët nuk u përfshinë në pagën minimale, atyre thonë se nuk u dha asnjë e drejtë që ua garanton edhe ligji, që nga ardhja e kësaj qeverie.

    Andaj, sipas tyre, krejt çka mbetet është që të vazhdojnë me protesta, pasi ndryshe nuk po dëgjohet zëri i tyre.

    Në fund fare edhe morën zotimin e aleancës se brengat e tyre do t’i ngrenë në kuvend.

    Ndryshe, kjo ishte tryeza e tretë e organizuar nga AAK-ja, pas asaj me sindikatat e punëtorëve të sektorit publik dhe përfaqësuesve të mediave.

  • Temperaturat e larta, dëmtohet asfalti në Prishtinë

    Temperaturat e larta, dëmtohet asfalti në Prishtinë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë në Kosovë, mjetet transportuese që bartin pesha të rënda kanë deformuar asfaltin në disa rrugë të Prishtinës. Përderisa ekspertët paraqesin nevojën e përcaktimit të orarit për lëvizjen e këtyre mjeteve, Komuna e Prishtinës thotë se diçka e tillë nuk mund të realizohet.

    Temperaturat e larta me të cilat po përballet vendi muajt e verës, po shkaktojnë probleme edhe në infrastrukturë.

    Sipas ekspertëve të komunikacionit, temperatura mesatare e asfaltit është dyfishuar, gjë që ka krijuar mundësi të deformimit të rrugëve të asfaltuara nga mjetet e rënda transportuese.

    “Ne i bëmë matjet më herët dhe e pamë që temperatura në hije po vjen 28-30 gradë, ndërsa në diell deri 52, sa i përket shkeljes së rrotave mbi asfalt nuk lejohet më shumë se 32 gradë.”

    Për t’i shmangur këto dëmtime të rrugëve, eksperti Bekim Ahmeti thotë se janë dy zgjidhje.

    “Mjetet e transportit duhet ta kenë një orar për qarkullim që të mos e deformojnë asfaltin kur temperaturat janë të larta… Më mirë kishte qenë që Prishtina të ketë tramvaj në lidhje me disa qytete, gjë e cila nuk po bëhet dhe shpresojmë ta mbërrijmë, sepse shinat e përballojnë temperaturën më shumë se asfalti, po ashtu kishte ndikuar edhe në komunikacion”.

    Disa prej këtyre mjeteve të rënda transportuese janë të kontraktuara nga vetë komuna e Prishtinës, për kryerjen e disa projekteve infrastrukturore në kryeqytet.

    “Rrugët e asfaltuara të kryeqytetit dëmtohen jo vetëm si pasojë e kualitetit të dobët, por edhe prej peshave të rënda që bartin mjetet transportuese gjatë temperaturave të larta. Situatë e tillë është në rrugën “Fehmi Lladrovci”, e cila ndër vite ka pësuar deformime të tilla”.

    Komuna e Prishtinë e pranon se një gjë e tillë po ndodh, por arsyetohet se punimet në projekte infrastrukturore duhet të kryhen verës.

    “Është e vërtetë që mjetet shkaktojnë dëme, por kohën e mirë duhet ta shfrytëzojmë në sa më shumë projekte”.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vala e të nxehtit do ta shoqërojë vendin deri në fund të sezonit veror.

     

  • Zyrtare: Okafor i bashkohet Milanit

    Zyrtare: Okafor i bashkohet Milanit

    AC Milan ka njoftuar se Noah Arinzechukwu Okafor i është bashkuar klubit nga FC Red Bull Salzburg.

    Sulmuesi zviceran ka nënshkruar një marrëveshje me kuqezinjtë që zgjat deri më 30 qershor 2028.

    I lindur në Binningen (Zvicër) më 24 maj 2000, Noah u zhvillua në seksionin e të rinjve të FC Basel dhe bëri debutimin e tij profesional me klubin në 2018.

    Ai do të vazhdonte të shënonte shtatë gola në 54 ndeshje me FCB, duke fituar një titull të Kupës së Zvicrës.

    Ai më pas u transferua në Salzburg në janar 2020, ku bëri 110 paraqitje dhe shënoi 34 gola.

    Ai fitoi katër tituj të Bundesligës austriake dhe tre Kupa të Austrisë me Die Roten Bullen.

    Në futbollin ndërkombëtar, Noah ka fituar 14 ndeshje dhe ka shënuar dy gola për Zvicrën.

    Noah Okafor do të veshë fanellën me numrin 17.

  • Një organizatë e veteranëve ka nisur me vetiniciativë pastrimin e listave

    Një organizatë e veteranëve ka nisur me vetiniciativë pastrimin e listave

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Derisa është duke vazhduar ende debati për pastrimin e listave të veteranëve, me një proces gjyqësor të hapur ende, një organizatë e veteranëve ka nisur me vetiniciativë pastrimin e listave. Për më shumë se një vit, nga beneficioni i veteranit i kanë shkëputur mbi një mijë persona.

    Në këtë zyrë në Rogovë të Hasit, Organizata e Veteranëve të Luftës po vazhdon pastrimin e listave. Për një vit e gjysmë u hoqën më shumë se 1000 emra të personave, të cilët nuk arritën të dëshmonin se ishin luftëtarë.

    “Kur e kemi marrë përsipër organizatën, numri ka qenë 4682 veteranë. Pas një viti e gjysmë i kemi heqë 1300 veteranë, duke i shkëputë nga paga në mungesë të dëshmive dhe dokumentacionit.”

    Procesi i pastrimit që bëhet përmes dorëzimit të dosjeve në prokurori nuk është i lehtë.

    “Kemi pasur vështirësi, kërcënime. Por, këto nuk na ndalin…”

    Megjithatë, ka optimizëm se lista do të pastrohet tërësisht.

    “Besoj se në vitin 2024 zona jonë e Hasit do jetë tërësisht e pastër. Do të kthehet numri në 1200.”

    Ndërkohë, në qendër procesi i pastrimit të listave ka ngecur, meqenëse ka edhe proces gjyqësor ndaj komisionit për verifikimin e veteranëve.

    Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar nëse ka ndonjë plan konkret për nisjen e procesit të pastrimit listave në nivel shtetëror.

    Për këtë çështje të paktën deri në publikimin e kësaj kronike nuk është deklaruar as Organizata e Veteranëve të Luftës. Megjithatë, sugjerohet që puna në këtë drejtim të fillojë sa më shpejt.

    “Pastrimi I listave së pari do t’u shërbente vetë veteranëve, për shkak se ne si IKD e kemi thënë që ka pasur fryrje. Dhe vetëm përmes proceseve gjyqësore do pastrohen, dhe më pastaj të mos kemi probleme që na shfaqen.”

    Organizata e Veteranëve ka shprehur pakënaqësitë pas miratimit të Ligjit për Pagën minimale, pa u përfshirë pensioni i veteranit.

    Sipas të dhënave të Qeverisë, statusin e veteranit e kanë 53.000 persona. Kryeministri Kurti që gjatë luftës punonte në zyrën politike të UÇK-së, disa herë ka deklaruar se veteranë nuk ishin më shumë se 20.000 persona.

  • Në tregjet e druve në Prishtinë, një metër dru, kushton hiç më pak se 70 euro

    Në tregjet e druve në Prishtinë, një metër dru, kushton hiç më pak se 70 euro

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Në tregjet e druve në Prishtinë, një metër dru, kushton hiç më pak se 70 euro. Me të njëjtin çmim, shiteshin drutë në nëntor të vitit të kaluar, kur kërkesa ishte në kulmin e saj. Përderisa, qytetarët shprehin shqetësim për çmimet e larta të tyre, njohësit e fushës thonë se kjo është rezultat i mungesës së fuqisë punëtore për përgatitjen e druve për treg.

    Në mes të korrikut, çmimi i druve nuk ka ndryshuar aspak nga dimri i kaluar.

    Aktualisht 1 metër dru shitet 70 euro, njësoj sikurse në nëntor të vitit të kaluar, kur kërkesat për blerjen e tyre ishin të mëdha.

    Qytetarët të cilët furnizohen me dru që në muajt e verës, shprehin shqetësime për çmimet e larta të tyre.

    “Problem, shumë shtrenjtë…”

    “Nuk është në rregull, në mes të verës çmimi kaq i lartë”.

    “Duhet me u ul ky çmim”.

    Në Agjencinë e Pylltarisë së Kosovës thonë se në ngritjen e çmimeve po ndikon mungesa e fuqisë punëtore për përgatitjen e druve për treg.

    “Çmimi është pak i lartë, mirëpo një rol të madh e luan edhe mungesa e punëtoreve për me ardhë me punu në pyll e me përgatit drurin po prapëseprapë çmimi është i papërballueshëm”.

    Ndërkaq, Agjencia e Pylltarisë së Kosovës çdo vit hap konkurs për procedura të rregullta në blerjen e druve me çmime më të volitshme.

    “Në e hapim konkursin për pesë ditë, i pranojmë diku rreth 700 palë i kontraktojmë, vijnë në pyll marrin drutë me çmime të vogla”.

    Në rritjen e çmimit të druve ka ndikuar edhe inflacioni më të cilin u përball vendi vitin e kaluar.

  • PDK shqyrton mundësinë që edhe Ligjin për Institutin për krime lufte ta dërgojë në Kushtetuese

    PDK shqyrton mundësinë që edhe Ligjin për Institutin për krime lufte ta dërgojë në Kushtetuese

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Partia Demokratike e Kosovës është duke e shqyrtuar mundësinë që edhe Ligjin për Institutin për krime lufte ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Për partinë më të madhe opozitare ky ligj është në dëm të interesit kombëtar. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nëse nuk dërgohet ne Kushtetuese, brenda gjashtë muajve do të procedohen aktet nënligjore.

    Nismat e Qeverisë Kurti, që përfundojnë në Gjykatë Kushtetuese nuk janë të pakta. Fat të njëjtë, mund të ketë edhe Ligji për Institutin për krime lufte.

    Ketë mundësi është duke e shqyrtuar partia më e madhe opozitare.

    “Ndërkohë që për Projektligjin për Institutin për Hetimin e Krimeve të Luftës, ne jemi duke e analizuar në tërësi se si t’i qasemi dhe cila pjesë do të jetë objekt trajtimi në mënyrë që ta dimë saktësisht se në çfarë forme do ta adresojmë dhe do ta parandalojmë një ligj, i cili në fakt është në dëm të interesit shtetëror dhe kombëtar të Republikës së Kosovës”

    Shqetësuese po vlerësohet edhe periudha kohore që ky institut do ta mbulojë, e që përfshinw fazën deri me 31 dhjetor te vitit 2000. Megjithatë, për ministren e Drejtësisë deklarata të tilla janë manipulim politik.

    “Manipuloi publikisht sepse theksoi që qeveria e ka përkufizuar periudhën e luftës nga janari 1998 deri në dhjetor 2000. Kjo është e pavërtetë, ju lutem që t’i referoheni gjithnjë ligjit që është votuar në Kuvend, në lexim të dytë. Sepse ne kemi bërë një adresim të rëndësishëm, ku periudha e luftës konsiderohet janar 1998 deri më 20 qershor 1999. Dhe në anën tjetër kemi konsideruar që instituti po ashtu mund të merret edhe me krimet të cilat kanë ndodhur para luftës dhe që ndërlidhen me luftën”

    Ndërkaq, fakti që ky institut do të jetë nën ombrellën e Zyrës së Kryeministrit, vazhdon tw kritikohet.

    “Ky është instituti hulumtues, shkencor. Për këtë arsyeje mendoj që nuk duhet të jetë në Zyrën e Kryeministrit për shkak se mund të ketë implikime, ndikime politike për shkak se pas 1 viti, 2 vitesh ndërrohet kryeministri dhe bën ndonjë politikë tjetër aty, kështu që ky duhet të jetë autonom”

    Ndryshe, sipas ministres Haxhiu, brenda gjashtë muajve do të procedohen aktet nënligjore për themelimin e Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë, nëse nuk dërgohet ne Kushtetuese.

    Pa saktësuar, Haxhiu tha se shumë shpejt do të bëhet edhe përzgjedhja e drejtorit dhe stafit mbështetës.

  • Presidentja s’do ta dekretojë Ligjin për pagën minimale pa vendim të Kushtetueses

    Presidentja s’do ta dekretojë Ligjin për pagën minimale pa vendim të Kushtetueses

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Presidentja Vjosa Osmani nuk do ta nënshkruajë ligjin për Pagën Minimale deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Mirëpo kjo nuk i ka zbutur qëndrimet e veteranëve të cilët janë të vendosur ta pengojnë punën e Kuvendit dhe të protestojnë. Ndërkohë konfirmuan se nuk ka ndonjë iniciativë të Qeverisë për të dialoguar.

    Pasi Ligji për Pagën Minimale përfundoi në Gjykatë Kushtetuese, dekretimi i tij duket se do të marrë kohë. Nënshkrimi i ligjit nuk do të behet nga Presidentja Vjosa Osmani, derisa Kushtetuesja të marrë një vendim.

    “Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar Presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese.”

    Pavarësisht kësaj, qëndrimet e Veteranëve të UÇK-së, nuk janë zbutur.

    “Ideja e Presidentes që mos ta dekretojë ligjin deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, nuk na i zbutë qëndrimet tona. Ne do të dalim të protestojmë sepse është vendim i kryesisë se nëse Kuvendi provon të mblidhet ne do të dalim për t’i penguar mbajtjen e seancave”

    Protestën e paralajmëruar me 26 korrik e ka komentuar edhe kryeministri Albin Kurti i cili tha se zgjidhja mund të gjindet por duhet bashkëbisedim.

    “Në veçanti unë ju bëjë thirrje të gjithëve që këto t’i zgjedhim me gjuhën e fakteve dhe të dialogut, jo me kërcënime apo me sulme jashtë kuvendit apo brenda tij. Nuk ka një Qeveri e Republikës se Kosovës, e cila nuk ka shfaqur gatishmërinë, vullnetin, interesimin, për njohjen e mirënjohjen për falënderimin e pafundmë nga kategoritë e dala nga lufta, por duke mos e braktisur të vërtetën. Duke mos partizuar e politizuar”

    Megjithatë, nga Organizata e Veteraneve, konfirmojnë se nuk ka ndonjë iniciativë nga Qeveria për dialog.

    “Komunikimi i Shoqatave të dala nga lufta me Qeverinë e Kosovës, përkatësisht me kryeministrin Kurti ka ndodhë vitin e kaluar, në qershor të vitit të kaluar. Prej atëherë nuk kemi pasur komunikim, edhe pse kemi paralajmëruar protestë nuk kemi ndonjë kontakt me Zyrën e Kryeministrit apo nuk kemi ndonjë tentativë që të na kontaktojnë e të bisedojmë për shqetësimet dhe brengat tona.”

    Pas një seance, ku paraprakisht pati edhe dhunë fizike, në një tjetër të jashtëzakonshme me 60 vota për e një abstenim u miratua Ligji për pagën minimale në lexim te dytë. Veteranet u lanë jashtë ligjit, çka edhe nxiti reagimin e tyre.

  • Projektligji për rritjen e tatimit, Asociacioni i Komunave kërkon të ftohen nga komisionet

    Projektligji për rritjen e tatimit, Asociacioni i Komunave kërkon të ftohen nga komisionet

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI 

    Pas miratimit në lexim të parë të projektligjit për rritjen e tatimit në pronë të paluajtshme, Asociacioni i Komunave kërkon të ftohen nga komisionet parlamentare përkatëse për diskutim. Kërkesa e Asociacionit është që projektligji të mos kalojë në lexim të dytë. Ndërkaq edhe falja prej 100 eurosh siç parashihet në projektligj vetëm për këtë vit, po konsiderohet mashtrim.

    Mes shumë debateve e kundërshtimeve, projektligji për tatimin në pronën e paluajtshme u miratua në lexim të parë.

    Por Asociacioni i Komunave të Kosovës po kërkon diskutim më anëtarë të komisioneve parlamentare para se të projektligji të shkojë për votim në Kuvend herën e dytë.

    Meqë barra për fjalën e 100 eurove u bie komunave Ibrahimi thotë se komunat do të mbesin pa investime.

    Ne seancën e Kuvendit kur ishte miratuar ky projektligj, opozita nuk kishte marrë pjesë. Partitë opozitare madje kishin deklaruar se nuk do të lejojnë që projektligji të kalojë në lexim të dytë.

    Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme parasheh që tatimpaguesit mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro apo sa lartësia e faturës.