ATV

Author: E.R.

  • ​Rasti tragjik në familjen Bekteshi në Lipjan, qytetarët i shkojnë për ngushëllime

    ​Rasti tragjik në familjen Bekteshi në Lipjan, qytetarët i shkojnë për ngushëllime

    Qytetarë të shumtë i kanë shkuar për ngushëllime familjes Bekteshi në fshatin Rufc të Lipjanit, ku dje janë gjetur të vdekur tre anëtarët e kësaj familje. Babai, nëna dhe djali i tyre janë gjetur dje pasdite të vdekur, e që sipas policisë ka ndodhur si problem i brendshëm familjarë.

    Varrimi i viktimave do të bëhet sot në orën 19:00.

    Policia sot ka dhënë detaje tjera, ku mësohet se në vendin ku ishin gjetur viktimat, janë gjetur edhe dy armë.

    Kurse, Komuna e Lipjanit ka pezulluar të gjitha aktivitetet kulturore pas këtij rasti tragjik të ndodhur në familjen Bekteshi.

  • ​Afër 7 mijë pacientë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit për 6 muaj

    ​Afër 7 mijë pacientë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit për 6 muaj

    Në Spitalin e Përgjithshëm te Gjilanit për gjashtë muajt e parë të vitit 2023, kanë qenë të shtrirë 6 mijë e 615 pacientë, me gjithsej 25 mijë e 580 ditë shërimi.

    Këto shifra i bëri të ditura, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, gjatë paraqitjes se raportit të punës, në mbledhjen e bordit drejtues, të mbajtur në Spitalin e Gjilanit.

    Sipas njoftimit të ShSKUK-së, në mbledhje të bordit drejtues, kryesuesi, Naim Bardiqi, tha se indikacion kryesor i performancës së institucioneve shëndetësore është shfrytëzimi dhe performanca e stafit, përkatësisht burimeve njerëzore, përfshirë stafin mjekësor dhe atë jo mjekësorë.

    ” Indikatorët kyç është mbulueshmeria e shtretërve në përqindje, shfrytëzueshmerisë së kapaciteteve dhe shfrytëzueshmëria e pajisjeve mjekësore” theksoi ai.

    Në takim u diskutua performanca e secilit repart të Spitalit, me arsyeshmërinë e shfrytëzimit të kapaciteteve, me qëllim të ngritjes se performancës.

    Nga drejtori i Spitalit, u kërkua të ndërmarrë masat e nevojshme për përmirësim të performancës se reparteve dhe të Spitalit ne përgjithësi.

    Në takim të bordit drejtues, raportin e punës e paraqiti edhe Afrim Cana, zëvendësues i drejtorit të Qendrës se Shëndetit Mendor dhe Shtëpive për Integrim, i cili tregoi për trajtimin dhe shërbimet që ofrojnë për klientët.

    Anëtarët e bordit drejtues vizituan disa nga repartet e Spitalit.

  • ​Aktakuzë për personin që kërcënoi deputeten Musliu-Shoshi

    ​Aktakuzë për personin që kërcënoi deputeten Musliu-Shoshi

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë ngritur aktakuzë me kërkesë për caktim të masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente, ndaj të pandehurit A.B., për shkak të veprës penale “Kanosja”.

    Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit dhe i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur, më 02.05.2023, rreth orës 19:00, përmes rrjetit social “facebook”, me dashje dhe me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht të dëmtuarën Ariana Musliu-Shoshi, deputete e Kuvendit të Kosovës, për shkak të detyrës së saj, ashtu që i pandehuri nga një profil në rrjetin social “facebook” i drejtohet: “…sa te vije ne pushim… edhe dy muj i ke jete midis Prishtinës ka met masakrue…”, ku me këtë rast tek e dëmtuara është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe e pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të kanosjes”, thuhet në njofitm.

  • SHBA, anulohen mbi 730 fluturime për shkak të stuhisë

    SHBA, anulohen mbi 730 fluturime për shkak të stuhisë

    Në SHBA janë anuluar mbi 730 fluturime për shkak të stuhisë. Sipas mediave, Administrata Federale e Aviacionit Amerikan ka paralajmëruar se itineraret e fluturimit do të ripërcaktohen në shtetet verilindore dhe në aeroportet në Atlanta, Denver dhe Florida.

    Kompanitë ajrore dje kanë anuluar mbi 730 fluturime për shkak të kushteve të këqija të motit. Aeroportet Ndërkombëtare John F. Kennedy dhe Newark Liberty në New York City dhe Aeroporti LaGuardia ishin aeroportet më të prekura nga anulimet e fluturimeve ndërsa vonesat në aeroportin John F. Kennedy zgjatën mbi 3 orë.

  • Kosova shkruan historinë në Kampionatin Botëror të tenisit “Davis Cup”, kualifikohet një grup më lartë

    Kosova shkruan historinë në Kampionatin Botëror të tenisit “Davis Cup”, kualifikohet një grup më lartë

    Fitoret nuk kanë të ndalur për ekipin e Kosovës në “Davis Cup 2023”.

    Tenistët nga Kosova, me katër fitore nga po aq takime, dhuruan spektakël duke u kualifikuar në Grupin III të “Davis Cup”, që njihet si Kampionati Botëror i Tenisit.

    Sot, në ndeshjet e “play-offit”, ku Kosova u përball me Andorën, djemtë tanë treguan një paraqitje të shkëlqyer, duke mposhtur ekipin kundërshtar me rezultate:

    Vullnet TASHI – Eric Cervos Noguer 6:3 6:0

    Jasin JAKUPI – Damien Gelabert 6:3 6:0

  • ​Haxhiu synon ndryshime, Qendrat për Punë Sociale punojnë në formate të para 20 vitesh

    ​Haxhiu synon ndryshime, Qendrat për Punë Sociale punojnë në formate të para 20 vitesh

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se Qendrat për Punë Sociale po vazhdojnë të punojnë me formate të stërvjetëruara të para dy dekadave. Sipas saj, shërbimet sociale po ofrohen pa u përshtatur me legjislacionin e miratuar ndër vite, e as rrethanat. Ajo zotohet që do të ketë reformë në këto qendra, ani pse ka rezerva nga QPS-të. Qendra për Punë Sociale në Gjakovë deklaron se zyrtarët e shërbimeve sociale janë në një situatë jo të mirë. Megjithatë, nuk shprehin kundërshtimin për reforma nga ana e institucioneve.

    Që nga janari i këtij viti, Ministria e Drejtësisë ka marrë përsipër shërbimet sociale, ku është bërë një analizë e gjendjes së Qendrave për Punë Sociale. Ministrja Albulena Haxhiu deklaron se të njëjtat po vazhdojnë të punojnë me formate të para 20 vitesh.

    “Ne kemi pasur diskutime në raport me mënyrën se si bëhen këto planet individuale dhe të planet e përgjithshme për trajtimin e një personi, i cili merr shërbime qoftë nga Qendra për Punë Sociale, apo është i strehuar në strehimore. Sidomos në një rast të fundit, të cilin e kemi pasur dhe e kemi ndjekur me shqetësim është rasti i 11-vjeçares, ne kemi diskutuar për të gjithë dosjen, në kuptim të marrjes se cilat janë shërbimet që i ka marrë në këtë rast fëmija, viktima. Dhe kur kemi parë këtë dosje, ne kemi hasur në formate të stërvjetëruara, me anë të së cilave punohet ende. Keni parasysh që para 20 viteve, janë disa forma, me të cilat ende punojnë Qendrat për Punë Sociale. Pa ja përshtatur fare as legjislacionit që është miratuar ndër vite, as rrethanave. Dhe unë e kam ngritur me shqetësim këtë çështje. Dhe tani kemi marrë përsipër që kjo të ndryshohet në kuptimin që edhe përshtatet me rrethanat por edhe pse jo me legjislacionin i cili është në fuqi”, deklaron Haxhiu.

    Haxhiu thekson se do të jetë sfiduese reforma në këto qendra, meqë ka rezerva nga disa Komuna.

    “Unë e di që reforma në Qendrat për Punë Sociale mund të jetë shumë sfiduese. Sepse për sa kohë ne e kemi vullnetin për të adresuar, në anën tjetër ka rezerva nga disa prej Komunave, sepse nuk konsiderojnë rëndësinë që kanë Qendrat për Punë Sociale. Por, meqë tani ne kemi marrë përsipër, në do të vazhdojmë reformat dhe do t’i adresojmë të gjitha problemet në të cilat jemi ballafaquar”, shton ajo.

    KosovaPress tentoi të marrë përgjigje nga Qendra për Punë Sociale në Prishtinë e Drenas, por nuk kanë dhënë përgjigje në lidhje me këtë.

    Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë, Dervish Tahiri thotë se janë të hapur për çfarëdo avancimi, pavarësisht se nuk janë të kënaqur me trajtimin nga institucionet.

    “Çfarëdo avancimi që eventualisht mund të parashohin nga ekipet profesionale, të cilat do të kishin ndikuar në ngritjen e kapacitetit edhe produktivitetit e zyrtarëve të shërbimeve për të përfituar njohuri sa më të shumta edhe më të mira për interes për të vënë në shërbim të qytetarëve, do të ishte e mirëseardhur. Megjithatë, nuk po e di se çfarë misioni kanë, çfarë forme duan t’i qasen kësaj pune, por një gjë e di që zyrtarët e shërbimeve sociale janë në një situatë tepër jo të mirë, nuk vlerësohen si zyrtarë profesionalë edhe pse në çdo legjislacionet figurojnë që janë zyrtarë profesionalë të fushës dhe te kategorizimi i Ligjit të Pagave, po ashtu janë dëmtuar nuk kanë ndonjë vlerësim”, shprehet ai.

    Ndërkaq, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se procedurat standarde të veprimit nuk mund të ndryshohen pa u miratuar Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.

    “Procedurat standarde të veprimit nuk mund të ndryshohen pa u miratuar Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, në momentin që ky ligj miratohet, padyshim që edhe procedurat duhet të ndryshojnë konform këtij ligji dhe konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera që Kosova ka në fuqi. Përderisa kanë kaluar afër 10 vite që kur as Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje nuk është ndryshuar e as procedurat standarde të veprimit, padyshim që dokumentet tjera përcjellëse që institucionet tona përpilojnë për viktimat do të jenë shabllone dhe nuk do t’i afrohen standardeve për trajtimin e mirë dhe të menjëhershëm të dhunës në familje dhe në baza gjinore”, deklaron ajo.

    Breznica shton se dështimi më i madh në trajtimin e rasteve të dhunës në bazë gjinore është koordinimi në mes të institucioneve.

    “Rrjeti i Grave të Kosovës në praktikë çfarë sheh si dështim për trajtim të rasteve të dhunës në bazë gjinore, është koordinimi në mes institucioneve. Kjo është një prej dështimeve që më së shumti që ne kemi mundur të shohim në terren. Institucionet tona dështojnë qysh të informojnë viktimën për të drejtën e saj, dështojnë të bëjnë vlerësimin të rrezikut, dështojnë të bëjnë planin afatgjatë rehabilitues dhe riintegrues për viktimat e dhunës në familje dhe viktimave të tjera të rasteve të dhunës në baza gjinore. Zinxhiri institucional është dashur të funksionojë më mirë mes vete, në mënyrë që krejt institucionet të japin një përgjigje të menjëhershme dhe të duhur për të gjitha viktimat e dhunës në baza gjinore”, thotë Breznica.

    Në mbledhjen e grupit ndërministror kundër dhunës në familje, pas dhunimit të 11-vjeçares brenda strehimores, është ngritur shqetësimi për trajtimin dhe plotësimin shabllon të të gjitha dokumenteve në rastet që trajtohen. Aty është thënë se ky format i dokumenteve nuk është përditësuar asnjëherë që nga viti 2003.

  • Murati: Ekonomia e Kosovës tejkaloi shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës

    Murati: Ekonomia e Kosovës tejkaloi shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se për herë të parë ekonomia e Kosovës ka tejkaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës.

    Sipas shifrave zyrtare të deklaruara në ATK, Murati ka potencuar se në fund të tremujorit të dytë sivjet, ka pasur të regjistruara 404,965 vende pune aktive.

    “Kjo është dëshmia më e mirë që politikat tona të punësimit po funksionojnë. Punësimi ka qenë prioritet që nga dita e parë, si njëra nga shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës – Punësim e Drejtësi.”, ka shkruar ndër të tjera Murati në Facebook.

    Ministri ka thënë se disa nga masat e punësimi që kanë ndërmarrë janë:  Mbështetja e punësimit të grave; Mbështetja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara; Mbështetja e zanateve; Mbështetja e start-ups.

    Tutje, ai ka thënë se kanë shtuar subvencionet në bujqësi, kanë mbështetur kreditë investive për prodhuesit, kanë filluar shkollimin dual, kanë dhënë bursa për studime në STEM si dhe kanë shpërndarë voucher për kurse në IT.

  • Heqja e gurit të Nënës Pashke, Policia e njofton Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve Memoriale

    Heqja e gurit të Nënës Pashke, Policia e njofton Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve Memoriale

    Guri përkujtimor i Pashke Markut, nënës që dogji veten në vitin 2003 pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të djemve të saj të vrarë e të djegur nga kriminelët serbë, është hequr para disa ditësh nga një pronë private në Korenicë të Gjakovës.

    Lidhur me rastin, Policia bën të ditur se ka njoftuar Agjencinë për Menaxhim të Monumenteve Memoriale.

    “Fsh. Meje, Gjakovë 28.07.2023 – 11:22. Është pranuar informatë se në lokacionin e cekur është lëvizur një guri përkujtimor i cili ishte i vendosur në pronën e të dyshuarit mashkull kosovar. Në lidhje me rastin është njoftuar Agjencioni për Menagjimin e Monumenteve Memoriale”, njofton Policia.

    Me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Ndryshe, Komuna e Gjakovës ka njoftuar të premten se e ka marrë nën përkujdesje gurin që simbolizon sakrificën e nënës Pashke Marku, duke e vendosur atë në afërsi të Kompleksit Memorial në Mejë.

    Sipas njoftimit për media, ky gur përkujtimor është vendosur në një ambient publik në atë lokacion vetëm përkohësisht.

  • Pas tragjedisë në Lipjan, komuna pezullon aktivitetet e Mërgata Fest & Sport

    Pas tragjedisë në Lipjan, komuna pezullon aktivitetet e Mërgata Fest & Sport

    Pas vrasjes së trefishtë e cila ndodhi një ditë më parë (e premte) në fshatin Rufc të vjetër kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti ka marr vendim që të pezullojë të gjitha aktivitetet e Mërgata Fest & Sport.

    Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ku ndër të tjera thuhet se “Ngjarja e mbrëmshme në familjen Bekteshi tronditi thellësisht mbarë opinionin e gjerë”.

    “Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti ka marr vendim që të pezullojë të gjitha aktivitetet e Mërgata Fest & Sport. Të dashur qytetarë, të gjitha aktivitetet e Mërgata Fest & Sport janë pezulluar. Ngjarja e mbrëmshme në familjen Bekteshi tronditi thellësisht mbarë opinionin e gjerë.

    Bashkë ndjejmë dhimbjen dhe shprehim ngushëllime familjes Bekteshi, miqve të familjes Bekteshi dhe qytetarëve”, thuhet në postim.

    Ndryshe, Policia e Kosovës sot ka dhënë detaje lidhur me rastin, duke konfirmuar se i dyshuari mashkull kosovar ka vrarë bashkëshorten, djalin e tij dhe më pas vetën.

    Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur dy revole dhe 4 gëzhoja.

    “Fsh. Rufc i Vjetër, Lipjan 28.07.2023 – 16:25. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka vrarë bashkëshorten dhe djalin e tij e më pas ka kryer vetëvrasje. Njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole e cila dyshohet se janë përdorur në rast dhe 4 gëzhoja. Gjatë kontrollit në një dhomë të shtëpisë është gjetur dhe sekuestruar edhe një revole tjetër me dy fishekë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • IKD: Katrahurë dhe sjellje jo parlamentare në sesionin pranveror të Kuvendit

    IKD: Katrahurë dhe sjellje jo parlamentare në sesionin pranveror të Kuvendit

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një komunikate drejtuar mediave, ka thënë se sesioni pranveror i Kuvendit u karakterizua nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit në seancat parlamentare.

    Në reagim, IKD thotë se “sesioni pranveror i Kuvendit filloj me 54 pikave të rendit të ditës të cilat në vitin 2022 në mungesë të kuorumit dhe dështimit të dhjetëra seancave nuk u votuan nga Kuvendi”.

    “Kuvendi i Kosovës filloi sesionin pranveror në vitin 2023 pa diskutuar në Kryesinë e Kuvendit mbi Programin e Punës për sesion dhe pa e miratuar atë në seancë plenare si dhe nuk miratoj kalendarin e punimeve një mujore, ashtu siç kërkohet me Rregulloren e Kuvendit”, thuhet mes tjerash në reagim.

    Më poshtë reagimi i plotë i IKD-së:

    “Sesioni pranveror u karakterizua nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit në seancat parlamentare. Rrjedhimisht, puna e kuvendit të Kosovës u përcjell me seanca të papërfunduara dhe me vazhdime të shumta të seancave. Nga totali i seancave të rregullta, 41% e tyre u përcollën me më së paku dy vazhdime dhe më së shumti me katër vazhdime. Këto vazhdime të seancave morën epilog final vetëm dy ditë para përfundimit të sesionit pranveror, 27 korrik 2023.

    Përveç mungesës së kuorumit në seanca parlamentare, mungesë të kuorumit pati edhe në Kryesinë e Kuvendit. Kryesisht kjo u shkaktua nga bojkoti i njoftuar nga ana e dy nënkryetarëve të dy grupeve parlamentare opozitare. Po ashtu, Kryesia e Kuvendit vazhdon të mos jetë e kompletuar për arsye të mos propozimit të nënkryetarit nga ana e Listës Serbe.

    Sa i përket zbatimit të Rregullores së Kuvendit të Kosovës gjatë seancës plenare, Kuvendi i Kosovës zhvilloi punime pa u miratuar rendi i ditës në seancë plenare për arsye që ky rend i ditës, nuk u votua në Kryesinë e Kuvendit në mungesës të kuorumit. Seanca ku u shpërfaq një praktikë e tillë e shkeljes së Rregullores së Kuvendit ishte seanca e datës 13 korrik 2023, ku fillimisht nuk është votuar rendi i ditës dhe më pas është hyrë në seancë të jashtëzakonshme pa marrë miratimin formal të seancës plenare ashtu siç kërkohet sipas Rregullores së Kuvendit.

    Formën e thirrjes dhe mbajtjes së kësaj seance, duke pretenduar në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, grupi parlamentar i PDK-së me 20 korrik 2023 e dërgoi për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese dhe me kërkesën për anulimin e kësaj seance. Në të njejtën seancë, puna e Kuvendit u përcollë me përplasje fizike ndërmjet kabinetit të Qeverisë, deputetëve të opozitës dhe të shumicës parlamentare. Prokuroria Themelore në Prishtinë ftoi për intervistim zv. Kryeministrin Besnik Bislimi, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deputetët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa. IKD, konsideron se një praktikë e tillë e sjelljes së deputetëve është në kundërshtim me standardet e larta profesionale dhe etike të cilat janë parakusht për të ndërtuar besim të publikut në punën e përfaqësueve dhe në integritetin e tyre.

    Në këtë situatë, pas krijimit të rrëmujës dhe përplasjeve fizike ndërmjet kabinetit qeveritar me disa deputetë të opozitës, Kryetari i Kuvendit ka thirrur brenda sallës policinë dhe ka vazhduar të mbajë seancë plenare, përkundër se në këto situata, Rregullorja e Kuvendit kërkon pezullimin dhe vazhdimin e seancës në një ditë tjetër.

    Në anën tjetër, Ministrat e Qeverisë kanë vazhduar të injorojnë Kuvendin gjatë parashtrimit të pyetjeve parlamentare. Në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ata kanë munguar gjatë parashtrimit të pyetjeve parlamentare. Këtu prijnë Zv. Kryeministrja Donika Gërvalla-Schëarz, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Ministri i Mjedisit, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Krahas kësaj shkeljeje, edhe Kryetari i Kuvendit ka vazhduar të mos e zbatojë Rregulloren e Kuvendit sa i përket dhënies së vërejtjeve ndaj anëtarëve të Qeverisë dhe Kryeministrit kur ata mungojnë dhe nuk e njoftojnë Kryetarin për mungesën e tyre gjatë parashtrimit të pyetjeve nga deputetët. Në asnjë nga seancat plenare, siç kërkohet me Rregulloren e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit nuk ka tërhequr vërejtje publikisht, për kabinetin qeveritar për qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit dhe deputetëve.

    Në anën tjetër, në dhjetëra raste, IKD ka gjetur se përkundër faktit që deputetët janë njoftuar se është radha e tyre për të parashtruar pyetjet parlamentare, të njëjtit nuk kanë qenë prezent në sallë të Kuvendit për të parashtruar pyetjet.

    Në lidhje me aktivitetin legjislativ, puna e Kuvendit është përcjellë me joefikasitet. Në secilën seancë plenare, projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit. Gjatë sesionit pranveror, më shumë se 70% e projektligjeve janë përcjellur nga një seancë në tjetrën. Që nga fillimi i legjislaturës, ¼ e projektligjeve të proceduara kanë qenë projektligje në formën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat në më shumë se 80% e tyre janë hedhur në votim më shumë se tre herë dhe epilog final kanë marrë vetëm pas përplasjeve pozitë me opozitën, por jo si rezultat i një dialogu të mirëfilltë dhe konsensusi të plotë për miratimin e tyre.

    Gjatë sesionit pranveror, deri në seancën e datës 27 korrik 2023, Kuvendi miratoi në tërësi 44 projektligje. Por, në mungesë të kuorumit, seanca e fundit e sesionit pranveror, e planifikuar për t’u mbajtur me 28 korrik dështoi të fillojë. Si pasojë mbetën pa u diskutuar dhe votuar tetë projektligje në parim, pesë projektligje në formën e marrëveshjeve ndërkombëtare, pesë projektligje në lexim të dytë, pika të cilat do të mbesin për shqyrtim në sesionin vjeshtor të Kuvendit.

    Në anën tjetër, përkundër faktit që kanë kaluar afatet e parapara me Rregulloren e Kuvendit, ende nuk janë miratuar gjashtë projektligje nga viti 2021, 12 projektligje nga viti 2022 dhe gjashtë projektligje nga viti 2023.

    Sa i përket transparencës, mbledhjet e komisioneve parlamentare vazhdojnë të mos transmetohen live nga Kuvendi. Në anën tjetër përkundër vërejtjeve dhe kërkesave të IKD-së, Kuvendi ende nuk e ka funksionalizuar votimin elektronik duke pamundësuar informimin e qytetarëve për mënyrën se si kanë votuar deputetët. Vlen të theksohet se përkundër që me Rregulloren e Kuvendit është obligative edhe publikimi i rezultateve të “votimit me dorë”, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur.

    Puna në seancat parlamentare është karakterizuar edhe nga gjuha joparlamentare e përdorur nga anëtarët e Qeverisë dhe nga deputetët e Kuvendit duke krijuar diskutime të polarizuara ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputëve dhe kabinetit qeveritar. Në disa raste, anëtarët e qeverisë përdorën gjuhë seksiste ndaj deputetëve, pastaj fjalët tradhtar, hipokrit, mashtrues, gënjeshtar, rrenc janë fjalët që janë përmendur nga anëtarët e qeverisë dhe deputetët, fjalë të cilat nuk përkojnë me gjuhën parlamentare dhe standardet minimale të sjelljes parlamentare.

    Në këso situata, miratimi i një kodi të sjelljes për deputetët e Kuvendit do të duhej të ishte në agjendën e Kuvendit si prioritet. Përkundër faktit që një kod i tillë parashihet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, i njëjti ende nuk është miratuar. Ky kod do të duhej që mjaftueshëm të përshkruajë natyrën e përgjithshme dhe të veçantë të sjelljeve jo parlamentare të deputetëve. Miratimi i një kodi të tillë do të shprehte vlerat e përbashkëta dhe parimet kryesore të cilat do ta orientonin dhe vlerësonin sjelljen e deputetëve.

    IKD në një rast ka gjetur se Kuvendi ka dështuar të zbatojë pavonesë një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Me 30 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një dispozitë të Ligjit në fuqi për Skemat Pensionale — përkatësisht paragrafin 2 të nenit 8 të këtij ligji. Kjo dispozitë, në mënyrë diskriminuese, u’a ndaloi mijëra qytetarëve, të cilët nuk e përmbushin kriterin e përvojës së punës prej 15 vitesh para janarit të vitit 1999 ta marrin pensionin kontributdhënës. Atyre u lejohej vetëm pensioni i moshës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas kërkesës së Gjykatës Supreme, ku kishte ngritur dyshime për kushtetuetshmërinë e kësaj dispozite. Gjykata Kushtetuese e obligojë Kuvendit që ta miratojë Ligjin për Skemat Pensionale deri me 15 korrik 2023, por se Kuvendi këtë e bëri vetëm me 27 korrik 2023. Kësaj situate i ka kontribuuar Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila nuk e ka përcjellë këtë projektligj në Kuvend deri më 6 korrik 2023.

    Kuvendit të Kosovës, i janë kontestuar edhe tre ligje të miratuara gjatë këtij sesioni. Grupi Parlamentar i PDK-së dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, grupi parlamentar i AAK-së dërgoi në GjK, Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetor dhe Ligji për pagat në sektorin publik përfundoi në GjK nga Institucioni i Avokatit të Popullit. Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, këto Ligje nuk hyjnë në fuqi, deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me kushtetutshmërinë e këtyre ligjeve”.