ATV

Author: E.R.

  • Martohet vajza e Jakup Krasniqit, shkon në Hagë për të marrë urimin nga babai i saj

    Martohet vajza e Jakup Krasniqit, shkon në Hagë për të marrë urimin nga babai i saj

    Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, sot është martuar, ndërsa urimin e parë për martesë  e ka pranuar nga babai i saj, i cili gjendet në paraburgim në Hagë.

    Gresa Krasniqi, në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, ka publikuar disa fotografi me bashkëshortin e saj para Gjykatës Speciale.

    “Dita e parë, urimi i parë prej babit”, ka shkruar ajo mbishkrim mbi fotografitë  e publikuara.

    Ndryshe, më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • “Njeriu nga një planet tjetër”, Messi debuton te Inter Miami me një supergol nga goditja e dënimit

    “Njeriu nga një planet tjetër”, Messi debuton te Inter Miami me një supergol nga goditja e dënimit

    Lionel Messi shënoi golin e tij të parë për Inter Miamin në minutën e katërt shtesë në Kupën e Ligës së Amerikës Veriore dhe Qendrore dhe këtë e bëri në mënyrë fantastike nga gjuajtja e lirë për të fituar 2-1 kundër Cruz Azul.

    Messi nuk e nisi ndeshjen e mbrëmshme në formacionin titullar, por mori mundësinë për të luajtur, së bashku me Sergio Busquets, duke u inkuadruar në minutën e 54-të.

    Më herët u bë e ditur se Messi ndoshta do të ketë kohë të kufizuar në fillim dhe se i duhet kohë për t’u mësuar me fushën e re.

     

    Në momentin kur ai dhe Busquets hynë në lojë, Inter Miami kishte epërsinë me golin e Taylor në minutën e 44-të, por në minutën e 65-të mysafirët barazuan pasi Antuna shënoi për 1:1. Dhe pas kësaj, u duk se ndeshja do të përfundonte pa fitues dhe më pas në skenë doli Messi.

    U luajt minuta e katërt e shtesës, madje kishin kaluar dy minuta nga përfundimi i kohës së shtuar nga gjyqtari dhe më pas Messi befasoi të gjithë me një goditje dënimi fantastike dhe i solli fitoren Inter Miamit.

     

    Ky ishte goli i tij i parë në fanellën e klubit të tij të ri dhe sigurisht vetëm një nga shumë që do të shënojë ylli argjentinas për Inter Miamin.

    Ndeshjen e radhës, po në Kupën e Ligës, Inter Miami do ta luajë më 26 korrik në kundër Atalantas.

  • Gjakovë, djali rrahë prindërit e tij

    Gjakovë, djali rrahë prindërit e tij

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të dhunës që ka ndodhur në Gjakovë.

    Siç njofton Policia, një djalë ka ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të tij.

    Rasti ka ndodhur ditën e premte, rreth orës 10:30.

    “Viktimat burrë e grua kanë informuar se djali i tyre m/k ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre. Viktimave u është ofruar tretman mjekësor. I dyshuari gjendet në arrati”, thuhet në njoftim.

    Policia bën të ditur se rasti është duke u hetuar.

  • Emërim politik në Bordin e Trustit: Kuvendit i shkoi për votim kandidatja që nuk ndodhej në listën e britanikëve

    Emërim politik në Bordin e Trustit: Kuvendit i shkoi për votim kandidatja që nuk ndodhej në listën e britanikëve

    Memorandumi mes Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Britanike për emërime në pozita të larta është shkelur në mënyrë flagrante në rastin e përzgjedhjes së anëtarëve në Bordin e Trustit.

    Kandidatja Mimoza Mustafa është emëruar anëtare bordi në Trust, ani pse emri i saj nuk figuron fare në listën e “kandidatëve të emërueshëm” të Ambasadës Britanike.

    Lista e britanikëve në rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Bordit të Trustit përbëhej prej 10 kandidatëve, në mesin e të cilëve Komisioni përzgjedhës, në krye me U.D. së Guvernatorit, Bashkim Nurboja, ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca, do të duhej të përzgjidhte pesë prej tyre.

    Mirëpo nga lista e britanikëve, Kuvendit i shkuan për votim vetëm katër prej tyre, dhe kandidatja Mimoza Mustafa, e cila nuk është pjesë e listës në fjalë.

    Përkundër kësaj, Mustafa ka marrë votat e mjaftueshme për një mandat të plotë si anëtare e Bordit në Trust.

    Ajo ka qenë edhe më herët kandidate për pozitën e një anëtari joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Kosovës para dy vitesh, por që e njëjta nuk ishte përzgjedhur.

    Në bazë të ligjit për FKPK-në, anëtarët profesionistë të Bordit të Trustit kanë për detyrë që ta udhëzojnë FKPK-në në çështjet që kanë të bëjnë me investimet e mjeteve për pensione dhe çështjet administrative të grumbullimit të kontributeve pensionale. Gjithashtu, ata duhet që të kenë edhe së paku 10 vite përvojë pune në ekpertizën e investimeve pensionale.

    Pra, Bordi ka përgjegjësi ekskluzive për investimet e FKPK-së, si dhe është përgjegjës për vendimmarrjen mbi politikën e FKPK-së, pas këshillimeve paraprake me Drejtorin Menaxhues dhe stafin e FKPK-së.

    Mimoza Mustafa është pyetur rreth përrvojës së saj me investimet pensionale dhe se pse nuk figuron emri i saj në listën e britanikëve, por nuk është përgjigjur deri më tani.

    Janë kërkuar sqarime edhe nga Komisioni përzgjedhës, që përbëhet nga Guvernatori i Bankës Qendrore, Ministri i Financave dhe nga Auditorja e Përgjithshme, se pse është përzgjedhur si anëtare Bordi një kandidate që nuk është vlerësuar si “kandidate e emërueshme” nga britanikët për këtë pozitë, por që asnjëra palë nuk kanë kthyer përgjigje.

    Sipas aktivitetetit të saj në rrjetin social facebook, Mustafa shihet të jetë e afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, përkatësisht Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin janë edhe kolegë në Universitetin Amerikan në Prishtinë. Në këtë universitet, Mustafa ligjëron lëndën e Matematikës dhe Statistikës që nga viti 2006.

    Të hënën që shkoi, ministri i Financave, Hekuran Murati, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca dhe ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të BQK-së, Bashkim Nurboja, kanë raportuar para Komisionit për Buxhet pikërisht lidhur me procesin e përzgjedhjes së bordit të Trustit.

    Murati me këtë rast tha se intervistat për këta kandidatë kanë zgjatur nga një orë.

    “22 të ftuar kanë qenë, intervistat kanë zgjat nga 1 orë, kanë zgjatë disa ditë. Mund të konsideroj që këta pesë persona janë më të mirët sipas poentimit. I plotësojnë kriteret” – ka thënë Murati shkurt.

    Ndryshe, me 61 vota për, Kuvendi i Kosovës më 13 korrik ka zgjedhur kryesuesin dhe anëtarët e bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, në konkursin e dytë të shpallur për këto pozita. Kryesues i Bordit të FKPK-së është përzgjedhur Emanuel Bajra, ndërsa anëtarë janë zgjedhur Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Trim Shala dhe Cyril Demaria Bengochea.

    Mandati i tyre do të jetë katër vjeçar.

    Konkursi i parë ishte anuluar nga Komisioni për Buxhet për shkak se ishte vlerësuar se kishte mangësi në kërkimin e informacioneve të nevojshme për të siguruar një vlerësim dhe verifikim objektiv të kandidatëve.

    Bordi aktual i Trustit është zgjedhur me konkursin e dytë të shpallur më 18 prill të këtij viti.

    Pjesë e këtij procesi kanë qenë edhe monitoruesit britanikë, sipas Memorandumit mes Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Britanike për asistim për emërimet në pozita të larta në institucionet dhe ndërmarrjet publike në Kosovë.

  • Humb jetën një person në Ferizaj, u rrotullua me traktor

    Humb jetën një person në Ferizaj, u rrotullua me traktor

    Një person ka humbur jetën ditën e premte në fshatin Pleshinë të Ferizaj.

    Policia njofton se viktima është përmbysur me traktorin e tij, derisa në të kishte të ngarkuara dru.

    “Ferizaj 21.07.2023-21:56. I dyshuari m/k, derisa ishte duke drejtuar mjetin motorik-traktor me rimorkio (të ngarkuar me dru) në rrethana të panjohura ka humbur kontrollin dhe për pasojë është rrokullisur me mjetin, duke u përmbysur dhe për pasojë ka pësuar lëndime vdekjeprurëse”, thuhet në njoftim.

    Më tej, në njoftim thuhet se, njësitet policore, zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku edhe është konstatuar vdekja e drejtuesit.

    Në konsultim me prokurorin turpi i pajetë u është dorëzuar familjarëve.

  • E premtja e zezë? Si humbën jetën 11 persona dje në Shqipëri në mënyrë tragjike

    E premtja e zezë? Si humbën jetën 11 persona dje në Shqipëri në mënyrë tragjike

    Dita e djeshme ishte e zezë për disa familje në Shqipëri, të cilët humbën të afërmit e tyre në mënyrë tragjike.

    Ngjarja më e rëndë ishte ajo në liqenin e Banjës ku katër anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën duke u mbytur në ujërat e liqenit.

    Të vdekur mbetën Gazment Zogu, 46-vjeç, dy djemtë e tij 14 dhe 19-vjeç si dhe nipi 20-vjeçar Melis Zogu të gjithë nga fshati Cingar.

    Polumbarët e RENEA-s arritën të nxirrnin trupat e pajetë në orët e vona të së premtes.

    Dy viktima të tjera u shënuan në plazhet e Durrësit dhe Tales. Njëra ngjarje ndodhi në plazhin e Durrësit ku një 68-vjeçar në Porto Romano rreth orës 19:20 sapo ka rënë në kontakt me ujin ka shfaqur probleme shëndetësore, ku ka gjetur vdekjen.

    Ngjarja tjetër ndodhi në plazhin e Tales ku humbi jetën një 52-vjeçar.

    Një 45-vjeçar bojaxhi po ashtu ka humbur jetën dje  teksa lyente muret e një ndërtese pasi ka rënë aksidentalisht nga lartësia.

    Si pasojë e tre aksidenteve të rënda ndërruan jetë tre persona të tjerë ditën e djeshme.

    Njëra viktimë ishte në aksin Elbasan-Peqin, ku si pasojë e një aksidenti humbi jetën një 58-vjeçar, ndërsa viktima tjetër u shënua në fshatin Fortuzaj në Tiranë, ku një “Range Rover” ra në humnerë dhe mbeti pa jetë një person ende i pa identifikuar. Si pasojë e një tjetër aksidenti në Himarë, ka humbur jetën një 40-vjeçar në fshatin “Shën Vasil”.

    Dife Gërdani ndodhej në shtëpi kur humbi jetën tragjikisht dje duke rënë në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa po tentonte të piqte bukën në furrë.

  • Veç në qershor në Prishtinë 39 raste të dhunës në familje

    Veç në qershor në Prishtinë 39 raste të dhunës në familje

    Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti, ka konfirmuar se veç në muajin qershor në kryeqytet janë raportuar 39 raste të dhunës në familje.

    Sipas saj, numri i rasteve ka shënuar rritjen në krahasim më vitin e kaluar kur ishin raportuar 17 raste të tilla. Madje Sahiti shton se institucionet duhet të ndërmarrin politika që ta parandalojnë këtë fenomen.

    “Kur jemi te rastet e dhunës në familje, fatkeqësisht kemi një trend në rritje nga viti në vit. Tani që po flasim në statistikat e fundit që i posedojmë për këtë vit është shtuar dukshëm numri i rasteve të dhunës në familje. Nëse bëjmë një paralele në krahasim me vitin e kaluar të gjashtëmujorit të parë tani kemi 39 raste që janë raportuar vetëm përgjatë muajit qershor të dhunës në familje që vitin e kaluar e kishim një situatë tjetër; ishin shtatëmbëdhjetë raste të cilat i kishim të paraqitura në Qendrën për Punë Sociale, kështuqë ky është një tregues që me të vërtetë po shtohen rastet e dhunës në familje, është diçka shumë e dhimbshme”.

    “Por ne si institucione paralelisht, si institucione të nivelit lokal dhe ato të nivelit qendror duhet të bashkohemi dhe të ndërmarrim politika të cilat tregojnë mirëfilli që duhet ta parandalojnë këtë fenomen”.

    Ajo ka përmendur një varg masash që duhet të ndërmerren, duke filluar nga sic ka thënë edukimi i brezave të rinj se dhuna nuk është mjet për të zgjidhur asnjë kontest.

    Sipas saj, duhet që të punohet edhe në procesin e trajtimit dhe të rehabilitimit të këtyre viktimave dhe integrimin e tyre në shoqëri përmes trajnimeve, punëtorive, work-shopeve duke i ndihmuar të krijojnë start-upet të vogla.

    “… si bëhet kjo, bëhet duke edukuar breza të rinj, duke shkuar në shkolla, duke u treguar fëmijëve tanë se dhuna nuk është mjet për të zgjidhur asnjë kontest që mund të kemi, asnjë telashe që mund ta kemi me dikë. E pastaj të të punojmë edhe në procesin e trajtimit dhe të rehabilitimit të këtyre viktimave e ne në këto komponentë jemi duke mjaftueshëm, e sidomos në komponentet e fundit, prandaj po them që çalojmë në komponentë e parë; në parandalim dhe po punojmë mjaftueshëm si kryeqytet, jemi edhe model në Kosovë duke ofruar këtë ndihmesë financiare për herë të parë për viktimat e dhunës në familje dhe po shohim që këto viktima kanë filluar ta marrin jetën e tyre në duar dhe paralelisht me këtë ne jemi duke synuar që këto gra, këto zonja të cilat kanë pasur dhunë në familje të integrohen në shoqëri përmes trajnimeve, punëtorive, work-shopeve duke i ndihmuar të krijojnë start-upet të vogla”.

    Ajo foli për mbështetjen financiare që Komuna e Prishtinës po u jep viktimave të dhunës në familje si dhe bashkëpunimin që kjo komunë ka me organizatat e shoqërisë civile, përcjell Ekonomia Online.

    Drejtoresha Sahiti ndër të tjera tha se 305 mijë euro janë ndarë për këto organizata në mënyrë që të ofrohen shërbime sociale direkte në kryeqytet për këto raste.

    “Kryeqyteti për herë të parë ka ndarë 305 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile që ofrojnë shërbime sociale në kryeqytet, shërbime direkte sociale dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne sepse kemi arritur të mbështesim 36 organizata. Tani jemi në fazën e ankesave ku priten të shqyrtohen edhe të tjera organizata të cilat ankohen meqë e kanë afatin e fundit për t’u ankuar në rast se vlerësojnë se i kanë pasur dokumentet e duhura për të qenë pjesë e thirrjes, për të përfituar nga thirrja jonë publike dhe çka është e rëndësishme të potencojmë është se për herë të parë i kemi nëntë programe të reja të cilat jemi duke i mbështetur si kryeqytet e që fokusin kryesor e kanë tek gratë të cilat kanë pasur dhunë në familje, për t’i mbështetur ato financiarisht, për t’i avancuar ato në kuptimin e profesionit e gjetjes së një profesioni për t’i ndihmuar ato që të pavarësohen në mënyrë që të mos detyrohen që të kthehen tek dhunuesi edhe një herë. Kjo ka qenë primare dhe shumë e rëndësishme edhe në çdo paraqitje që e kemi pasur si drejtori”.

    Ajo ka treguar se që nga nëntori i 2022-ës është marrë vendim që viktimat e dhunës në familje të financohen me një pako prej 500 euro për muaj që supozon të përfshijë pagesën e qerasë, të kushteve të jetesës dhe për fëmijë në rast se viktima ka dhe i merr me vete.

    “Kryeqyteti në fund të vitit të kaluar, në nëntor të 2022-ës, siç edhe e dini ka marrë një vendim shumë të guximshëm dhe të parin në vend në asamblenë komunale për t’i mbështetur financiarisht viktimat e dhunës në familje në një pako prej 500 euro në muaj. Fatkeqësisht rastet e dhunës po rriten, po rritet edhe raportimi i tyre ndoshta edhe është rritur vetëdija, ky është një tregues që është ngritur vetëdija për mos ta duruar dhunën si mjet të cilin e përdorin njerëzit e ndryshëm fatkeqësisht, dhe ne po i mbështesim financiarisht këto zonja, i kemi deri më tani shtatë gra të cilat i kemi mbështetur dhe jemi vetëm në muajin korrik dhe po shpresoj dhe po uroj shumë që mbështetja jonë do të përfshi sa më shumë gra të cilat kanë pasur dhunë”, tha ajo, raporton EO.

    “Ne urojmë që të kemi sa më pak raste, por ne jemi këtu për secilin rast i cili i plotëson kriteret, dhe shumat janë të ndryshme, varësisht nga kërkesat që kanë, sepse janë tre komponentë të ndihmës financiare që ne ofrojmë; është pagesa e qirasë, pagesa e kushteve të jetesës, e poashtu pagesa për fëmijë në rast se gratë kanë fëmijë, një zonjë mund ta ketë një fëmijë apo dy me vete. Në total është një pako prej 500 eurosh”, u shpreh ndër të tjera Sahiti.

  • Ibrahimi: Dëmet nga vërshimet e janarit s’janë kompensuar ende, të krijohet Fond Emergjent

    Ibrahimi: Dëmet nga vërshimet e janarit s’janë kompensuar ende, të krijohet Fond Emergjent

    Komunat e prekura nga vërshimet e janarit nuk janë kompensuar ende, ka bërë të ditur  Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

    Dëmet në komunat Skenderaj, Mitrovicë, Klinë e Istog kapin vlerën e disa dhjetëra miliona eurove.

    Në këto komuna janë krijuar komisione për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet, por që sipas Ibrahimit po kontestohen nga niveli qendror.

    Me këtë rast, Ibrahimi ka kërkuar të krijohet Fondi Emergjent për komunat, në mënyrë që qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore të kompensohen më shpejt.

    “Unë javën e kaluar kam qenë në koordinim me kryetarë të komunave sa i përket çështjeve që janë në interes të autoriteteve lokale të Kosovës dhe në bazë të informatave që posedojmë ne si AKK nga kryetarët e komunave të prekura nga vërshimet e janarit, ende nuk ka filluar kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Më duhet të theksoj se komunat me kapacitetet e tyre financiare i kanë përkrahur qytetarët të cilët kanë qenë të prekur nga vërshimet por shpresojmë që niveli qendror duhet ta ngrisë gatishmërinë sa i përket bashkëpunimin me nivelin lokal rreth këtyre problemeve”, thotë Ibrahimi.

    “Janë fenomene natyrore të cilat nuk mund t’i ndalë as niveli lokal dhe po shpresojmë në një të ardhme të afërt niveli qendror do ta ngrisë vetëdijen dhe do ta themelojë nj Fond Emergjent për nivel lokal, ku qytetarët mund të përfitojnë nga dora e shteti sa më shpejt që është e mundur. Duhet theksoj se komunat i kanë kryer të gjitha obligimet dalin nga legjislacioni në fuqi, sa i përket dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe janë deponuar në nivelin qendror dhe sipas informacioneve, kompensimi nuk është kryer”, u shpreh tutje Ibrahimi.

    Drejtori i AKK-së i konsideron si të paarsyeshme kontestimet e nivelit qendror vlerësimet e komisioneve vlerësuese nga komunat.

    “Legjislacioni në fuqi kërkon lloj hapash. Pra në fillim komunat i themelojnë komisionet vlerësuese të dëmeve, pastaj ato rishikohen edhe një herë në nivel lokal, pastaj dërgohen në Kuvend Komunal për shqyrtim, analizim dhe aprovim dhe ne po besojmë se Kuvendi Komunal si organi vendimmarrës në nivel lokal merr vendim se ato janë dëmet, atëherë nuk e di pse niveli qendror mund t’i kontestojë ose të shkojë edhe një herë në terren dhe t’i kontrollojë se a janë në rregull. Pra kjo është ajo burokracia”, u shpreh Ibrahimi.

    Ibrahimi ka ankesa edhe sa i përket komunikimit të komunave me nivelin qendror. Theks të veçantë i jep ankesave të komunave sa i përket Projektligjit të Tatimit në Pronë.

    “Bashkëpunimi me nivelin qendror përveç takimeve që e kemi pas me kryeministrin ku i kemi ngrit një varg çështjes, kanë qenë mbi 10 tema të cilat janë ngritur nga kryetari i Asociacioni i Komunave dhe i përkrahur nga të gjithë kryetarët. Ka pasur shumë kërkesa dhe kërkesat janë objektive sepse ato kërkesa vijnë nga interesat e qytetarëve”, u shpreh Ibrahimi, teksa shton se pas këtij takimi nuk ka pasur komunikim më me Qeverinë.

    Teksa ka folur për miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Tatimin në Pronë, Ibrahimi e konsideron absurde moskonsultimin me hisedarët kryesor të këtij ligji.

    “Nuk ka pasur komunikim sa i përket Projektligjit për Tatimin në Pronë, i cili ministri Hekuran Murati ka theksuar se ai Projektligj është hartuar nga një grup teknik, pa konsulta me askënd. Është sinqerisht për keqardhje që hisedarët kryesorë të këtij ligji që janë komunat, nuk janë konsultuar. Pra kjo ndodh për herë të parë, gjithmonë komunat janë konsultuar dhe ky projektligj ka kaluar në lexim të parë në Kuvend, neve duam të besojmë se ky ligj do të kthehet mbrapa në Qeveri sepse duhet të konsultohen komunat”, thotë ai.

  • “The Sun”: Shqipëria, Maldivet e pazbuluara të Evropës, tashmë me një aeroport të ri

    “The Sun”: Shqipëria, Maldivet e pazbuluara të Evropës, tashmë me një aeroport të ri

    Vlora është pjesë e Rivierës shqiptare, e cila po vizitohet nga një numër i madh britanikësh, këtë vit, shkruan në një artikull Kara Kodfrey për të përditshmen angleze “The Sun”.

    Aktualisht, ata duhet të fluturojnë drejt qytetit të Tiranës dhe më pas me orë të tëra me makinë për të shkuar në resortin bregdetar.

    Megjithatë, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritet të hapet në prill të vitit 2024, duke e lehtësuar kështu udhëtimin e tyre.

    Aeroporti me vlerë 90 milionë paund do të ketë një pistë prej dy miljesh dhe mund të mbajë deri në dy milionë pasagjerë në vit.

    Ndërsa, ende nuk është konfirmuar se cilat linja do të operojnë nga aeroporti, kompania ajrore britanike “Ryanair” ka njoftuar së fundmi 17 linja të reja drejt Tiranës nga Britania e Madhe.

    Linjat ajrore buxhetore mund të ulin çmimet e biletave, kur aeroporti në Vlorë të hapet vitin e ardhshëm.

    Ka pasur disa kundërshtime pas ndërtimit të tij, për shkak të afërsisë me Lagunën e mbrojtur të Nartës, e cila është shtëpia e mijëra specieve, shkruan Atsh. Megjithatë, vendasit kanë shpresuar se kjo do të ndihmojë në nxitjen e turizmit në zonë.

    Adriatik Sela, i cili jeton në fshatin e afërt, Akern tha për median lokale se ai shpreson se biznesi do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të punës.

    Ministria e Turizmit informoi se ata zgjodhën zonën, pasi një pistë ajrore ushtarake ishte në ndërtim më parë atje, në vitet 1920.

    Riviera Shqiptare ka tërhequr interesin e shumë britanikëve që duan pushime të lira në plazh.

    Jo vetëm që fluturimet janë vetëm disa orë nga Britania e Madhe, por birra kushton 1,10 paund dhe hotelet fillojnë nga 20 paundë.

    Disa prej tyre madje janë krahasuar me “Maldivet e Evropës” me vila ditore sipër ujit, për vetëm 8 paundë.

    Një aeroport i ri në Britaninë e Madhe gjithashtu mund të rihapet për herë të parë në një dekadë.

    Aeroporti “Plymouth” është detyruar të mbyllej në vitin 2011, por besohet se do të rifillojë fluturimet e pasagjerëve shumë shpejt.

    Aeroporti “Manston” në BM shpreson të rifillojë fluturimet e planifikuara të pasagjerëve për herë të parë në gati 20 vjet.

  • Zjarr i madh në objektin e ETC-së në Klinë

    Zjarr i madh në objektin e ETC-së në Klinë

    Një zjarr i madh ka përfshirë objektin e ETC mëngjesin e së shtunës në Klinë. Përveç dëmeve materiale deri në këto momente nuk ka të lënduar.

    Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Gashi bëri të ditur se objekti i ETC-së është përfshirë nga zjarri rreth orës 06:30.

    Ai tha se deri në këto momente nuk ka të lënduar, ndërkaq zjarrfikësit ende janë duke u përpjekur për ta lokalizuar zjarrin.

    “Objekti i ETC-së është përfshirë nga zjarri rreth orës 06:30. Policia e zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes”, tha ai.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës tha se fillimisht kanë shkuar në vendngjarje Policia e zjarrfikësit e Klinës, e më pas në ndihmë u kanë dalë edhe zjarrfikësit e Pejës e Deçanit.