ATV

Author: E.R.

  • Policia jep detaje të reja nga ngjarja tragjike në Lipjan ku mbetën të vdekur tre persona

    Policia jep detaje të reja nga ngjarja tragjike në Lipjan ku mbetën të vdekur tre persona

    Një vrasje e trefishtë ka ndodhur ditën e premte në fshatin Rufc të vjetër, komuna e Lipjanit.

    Policia ka dhënë detaje lidhur me rastin, duke konfirmuar se i dyshuari mashkull kosovar ka vrarë bashkëshorten, djalin e tij dhe më pas vetën.

    Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur një revole dhe 4 gëzhoja.

    “Fsh. Rufc i Vjetër, Lipjan 28.07.2023 – 16:25. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka vrarë bashkëshorten dhe djalin e tij e më pas ka kryer vetëvrasje. Njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole e cila dyshohet se janë përdorur në rast dhe 4 gëzhoja. Gjatë kontrollit në një dhomë të shtëpisë është gjetur dhe sekuestruar edhe një revole tjetër me dy fishekë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Sot zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike – Lulzim Basha përballë Gjergj Hanit

    Sot zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike – Lulzim Basha përballë Gjergj Hanit

    Partia Demokratike sot mban zgjedhjet për kreun e ri të partisë, ndërsa në garë janë Lulzim Basha dhe Gjergj Hani.

    Numri i anëtarëve që pritet t’u drejtohen sot kutive të votimit është reduktuar në më pak se 1/3 krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2021 në PD, nga rreth 75 mijë anëtarë demokratë, në 25 mijë, teksa në 12 qarqe janë përgatitur 71 qendra votime.

    Dy kandidatët e një gare të cilësuar me fitues të paracaktuar në PD-në e vulës të copëzuar në dy pjesë, do të votojnë në selinë me qira, pasi shtëpinë e demokratëve e ka marrë ‘joligjërisht’ grupimi i tretë, ai i “Rithemelimit”.

    Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi mblodhi Këshillin Kombëtar dy net më parë, ku vendosi anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut, por ishte grupimi tjetër i Bashës që doli në kundërshti me këtë vendim dhe njoftoi detajet e organizimit të procesit të votimit.

  • Shqetësuese ikja e infermierëve nga Kosova, migrimi vështirë mund të ndalet

    Shqetësuese ikja e infermierëve nga Kosova, migrimi vështirë mund të ndalet

    Numri i infermierëve që po largohen nga Kosova është goxha i madh. Disa me vetë iniciativë, e disa përmes kompanive që merren me rekrutimin e tyre. Një e tillë është edhe “Comsense Kosova”.

    Ndërsa ish-udhëheqës të Sindikatës së Infermierëve kritikojnë udhëheqësit e sistemit shëndetësor, teksa e konsiderojnë si të vonuar ndaljen e migrimit.

    Albulena Shala-Çela, drejtoreshë e “Comsense Kosova”, thotë se vetëm këtë vit, rreth 25 infermierë kanë arritur të shkojnë në Gjermani, ndërsa edhe 30 të tjerë janë në fazën testuese.

    “Prej nga janari (2023) deri më sot mund t’i numëroj 25 persona që kanë shkuar, kurse në fillim të javës së ardhshme priten pesë me shku, sepse varet se kur do të përfundojë procesi i vizës dhe i njohjes dhe në pritje janë edhe 30 të tjerë që janë në pritje me përfundu procesi i tyre”, thotë ajo, teksa tregoi edhe për kërkesat që i ka tregu gjerman për rekrutimin e infermierëve.

    “Ne merremi vetëm me Gjermani. Kërkesa është shumë e madhe por për të qenë real ne nuk punojmë me krejt firmat gjermane por vetëm me ata që i përmbushin kërkesat tona, qoftë me iu siguru vendin e banimit, qoftë me ju ndihmu financiarisht muajin e parë e kështu më radhë. Pra kërkesa është shumë e madhe por nuk bashkëpunojmë me të gjithë institucionet shëndetësore që janë atje”, thotë Shala.

    Drejtoresha e “Comsense Kosova”, e cila merret me rekrutimin e infermierëve për tregun gjerman, thotë se interesimi i të rinjve për të punuar në këtë shtet është goxha i madh.

    Madje, thotë se kandidatët po përgatiten vetvetiu, të cilët mandej kërkojnë të largohen nga Kosova.

    “Interesimi i të rinjve është shumë i madh, sidomos vitin e kaluar është rritur shumë që ka nisur infermieria me u bë profesion i përzgjedhur si derë për të dalë. 50 për qind më shumë që po shikojnë të regjistrohen nëpër agjencitë të tilla sikur ne se sa ka qenë vitin e kaluar por ka ndryshuar mënyra. Para tri vitesh, kandidatët kanë qenë të interesuar me i shfrytëzo të gjitha benefitet që i kanë përmes neve si kurse pa pagesë etj, ndërsa tash kanë filluar të përgatiten edhe vet që kemi kandidatë që kursin e kanë kryer vetë dhe vijnë të gatshëm për me shku jashtë shtetit”, thotë tutje ajo.

    Shqetësuese po e sheh edhe Ish-kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli. Fajtorë për ikjen masive të infermierëve i bën udhëheqësit e shëndetësisë.

    “Kam ngrit si shqetësim para pesë vite që ky problem do t’i ndodh vendit tonë por faji gjithmonë është tek politika që udhëheq me sistemin tonë shëndetësorë. Realisht sistemi shëndetësor në Kosovë që nga paslufta edhe duke qenë përfaqësues në pjesë të ndryshme në organizata të ndryshme brenda mbrojtjes së këtij komuniteti, kam ngrit si shqetësim qysh para pesë viteve që ky problem do t’i ndodh vendit tonë por faji është gjithmonë tek njerëzit që udhëheqin me sistemin tonë shëndetësor”, thotë Havolli.

    Ai e konsideron si të vonuar mundësinë e parandalimit të ikjes së profesionistëve shëndetësor, duke e parë siç thotë se si po udhëhiqet shëndetësia në Kosovë.

    “Realisht është shumë vonë për ta parandaluar këtë ikje por së paku për ta minimizuar ose për të shkuar drejtë një eliminimi të ngadalshëm, meqenëse jemi futur në krizë të kësaj çështje. Duke e parë se si po udhëhiqet sot institucionet shëndetësore. Nuk ka shqetësim më të madh se sa me të ikë njerëzit që e trajtojnë jetën e njerëzve. Është çështje shumë senzitive. Me të ik profesionistët të cilët kanë përvojë jashtë vendit, ti ki me mbet pa profesionistë”, u shpreh Havolli.

  • ​Kusari-Lila e kënaqur me punën e Kuvendit: Kemi miratuar boshtin e programit të LVV-së

    ​Kusari-Lila e kënaqur me punën e Kuvendit: Kemi miratuar boshtin e programit të LVV-së

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është e kënaqur me punën e Kuvendit të Kosovës në sesionin pranveror. Pasi deputetët shkuan në pushime verore, Kusari-Lila thotë se në këtë sesion kanë miratuar projektligjet që kanë qenë bosht i programit zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, ajo e pranon se legjislativi s’ka pasur konsistencë në punën e vet, derisa e kritikon opozitën, veçmas PDK-në për përdorimin e dhunës në Kuvend.

    Kusari-Lila për KosovaPress thotë se Kuvendi ka miratuar rreth 44 projektligje, ndërsa rreth 50 sosh janë në procedurë të rregullt.

    Shefja e deputetëve të LVV-së në një intervistë për KosovaPress flet edhe për audio-incizimet, ku dëgjohet ajo duke folur me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, kontestimin në Gjykatën Kushtetuese të seancës së “dajakut” më 13 korrik dhe kërcënimet e veteranëve se nuk do t’i lejojnë të hyjnë në Kuvend në shtator, pas përjashtimit të tyre nga paga minimale.

    “Këtë sesion, sikur sesionet paraprake e ka karakterizuar dinamika, e cila nuk ka pasur konsistencë. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e shumë faktorëve, njëri prej tyre ka qenë edhe kërkimi i vazhdueshëm i opozitës për një kauzë, për të cilën mundet të targetohet pozita dhe qeveria. Por, unë prapë mund të them se në aspektin e performancës kemi hyrë në një periudhë ku po miratohen projektligje të rëndësishme që do të kenë efekt shumë më të gjatë sesa edhe vet mandati i kësaj legjislature…Në përmbajtje, ky sesion ka pasur projektligjet kryesore, të cilat kanë qenë bosht i programit me të cilat kemi garuar dhe fituar në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. Gjatë këtij sesioni janë trajtuar projektligjet, sikur Fondi Sovran, Projektligji për investimet e qëndrueshme… Në anën negative mund të përmend seancat, të cilat janë mbyllur në mungesë të kuorumit. Atë e kemi marrë në vazhdimësi si kritik ndaj deputetëve të pozitës, por gjithashtu edhe faktin se përkundër që ka pas numër të deputetëve në sallë për të votuar, opozita ka refuzuar të marrë pjesë. Nuk ka pasur konsistencë në qëndrimet e tyre në raport me mosvotimet, po ashtu kemi pas vonesa edhe në raport votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, thotë Kusari-Lila.

    Krahas kësaj, Kusari-Lila është e bindur se s’ka asnjë bazë për kthimin në pikën zero të seancës së 13 korrikut, kur u miratua edhe rritja e pagës minimale.

    “PDK-ja është jo konsistente në qëndrimin e saj, pasi në seancën e 13 korrikut ata kanë qenë prej fillimit të seancës, kanë qëndruar dhe kanë respektuar rendin e ditës të seancës. Po ashtu, kanë marrë pjesë në deklarimin jashtë rendit të ditës dhe kanë kryer procesin. Dy pikat që ata pretendojnë se nuk janë në përputhje me Kushtetutën, miratimi i procesverbalit apo miratimi i rendit të ditës janë pika që vijnë para deklarimeve të rendit të ditës. Rendi i ditës përcaktohet para se të hyjmë në përbërje të seancës. Ata kanë marrë pjesë dhe nuk e kanë kontestuar gjatë seancës, në veçanti edhe pas gjithë asaj tollovie që është shkaktuar nga ana e tyre, ata janë larguar me dijeni e plotë se seanca vazhdon. E keni deklarimin edhe të deputetes Eliza Hoxha, e cila përmend arsyet e largimit…Në aspektin ligjor dhe kushtetues nëse dëshiron të rrëzohet rendi kushtetues në Kosovë rrëzohet ajo seancë. Pasi nuk mund të rrëzohet ose të konsiderohet e jashtëligjshme një seancë, e cila ka 61 deputetë gjatë gjithë kohës, është transmetuar publikisht dhe ka qenë në përputhje me të gjitha normat dhe rregulloren e Kuvendit”, shton ajo.

    Duke folur për audio-incizimet, Kusari-Lila paralajmëron kallëzim penal ndaj ish-deputetit Simiq.

    Ajo thotë se qëllimi ka për të shkaktuar përçarje brenda koalicionit qeverisës, por thekson se ka marrë mbështetje të plotë nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e LVV-së.

    “Efekti që është bërë është më shumë linçues dhe denigrues ndaj personalitetit tim. Përmes të cilit mundohet të dëmtohet qeveria dhe pozita, të shkaktohen qarje dhe të arrihet tek një rezultat që ata assesi nuk po munden me arrit me numra në Kuvend. Ndërsa kanë arritur efektin e kundërt, siç e keni parë pas ngjarjeve dhe eskalimit në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë, opozita ka qenë me një sjellje e cila tentoi të ndalëpunën normale të Kuvendit…Për mua ka qenë një mbështetje jo vetëm morale dhe politike nga grupi parlamentar që e vlerësoj pafundësisht. Kanë qenë aq mbështetës dhe aq përkrahës në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme. Në këtë rast edhe komplet subjekti Lëvizja Vetëvendosje saqë me të vërtet dua të them se aty e kam pa edhe motivin dhe bashkëpunimin e tyre në gjithë këto vite, në përplasjet e shumta që kanë ekzistuar politikisht, ndërmjet po të njëjtave forcave politike. Kam bindjen se ajo çka është synuar të bëhet në logjikën se zinxhiri është i fortë sa është hallka më e dobët e tij, të sulmojnë udhëheqësen e grupit parlamentar në pamundësi me arrit çfarëdo rezultati tjetër në Kuvend apo manovrimi tjetër që ata mund të bënin ndaj qeverisë dhe kryeministrit Kurtit”, thotë Kusari-Lila.

    Megjithëse, Kuvendi ka shkuar në pushim deri në javën e dytë të muajit shtator, Kusari-Lila paralajmëron veteranët e UÇK-së se nuk mund t’i ndalojnë deputetët të hyjnë në Kuvend, pavarësisht arsyeve që mund t’i kenë.

    Sipas saj, po punojnë që deri kur fillon sesioni vjeshtor i Kuvendit të gjejnë një zgjidhje me veteranët, pas kundërshtimeve të tyre për anashkalim nga rritja e pagës minimale.

    “Ky Kuvend përfaqëson vullnetin e popullit, përfaqësuesit e saj janë brenda. Prandaj, natyrisht nuk mund të ndalohet ushtrimi i detyrës së funksionet të përfaqësuesve të popullit, të cilët janë skajshmërish të interesuar që të bëhet një zgjidhje. Është një situatë komplekse në raport me procesin e identifikimit të atyre që janë paraqitur dhe janë të paraqitur në lista. Për këtë proces e kemi edhe ndërhyrjen e drejtësisë që ka ndodhur prej kohës së ish-Qeverisë Haradinaj. Andaj, ky është një proces që duhet të ketë një zgjidhje të ndërmjetme deri në situatën kur të ketë një verdikt final nga organet e drejtësisë”, përfundon Kusari-Lila.

  • Kolona në dy pikat kufitare, pritje deri një orë për të dalë dhe hyrë në Kosovë

    Kolona në dy pikat kufitare, pritje deri një orë për të dalë dhe hyrë në Kosovë

    Në dy vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdare janë krijuar kolona deri në 500 metra. Qytetarët janë duke pritur deri në një orë për të dalë dhe për të hyrë në territorin e Kosovës.

    Të dhënat e fundit të publikuar nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, tregojnë se dy vendkalimet kufitare të lartë cekura janë më të ngarkuarat, transmeton Telegrafi.

    Kurse, vendkalimet tjera janë të lira për qarkullim ku dalja dhe hyrja mund të bëhet nga tre deri në pesë minuta.

    Qytetarët mund të informohen në kohë reale lidhur me gjendjen në kufi duke klikuar KËTU.

  • ​Konferenca e Londrës, 110 vjet nga ndarja e trojeve shqiptare

    ​Konferenca e Londrës, 110 vjet nga ndarja e trojeve shqiptare

    110 vjet më parë ka përfunduar punimet Konferenca e Londrës, në të cilën është vendosur përgjysmimi i trojeve shqiptare dhe fati i saj.

    Konferenca e Ambasadorëve ka filluar punimet në dhjetor 1912, duke vazhduar deri më 29 korrik 1913.

    Ajo mund të ketë qenë përcaktuese e të ardhmes së Shqipërisë mbi pavarësinë e vendit, por siç dihet nga ajo konferencë, Shqipëria ka dalë e përgjysmuar në kufijtë e saj.

    Konferenca është diktuar prej shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike. Aty kanë marrë pjesë fuqitë e mëdha të Evropës, përfaqësuesi i Perandorisë Otomane dhe përfaqësues të fuqive ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë (që nuk njihej) dhe Greqisë (që nuk e kishte nënshkruar armëpushimin).

    Nga kjo konferencë ka dalë Traktati i Londrës, mbi ndarjen e territoreve që kanë dalë jashtë Perandorisë Otomane prej fuqive të mëdha dhe aleatëve të tyre. Ky Traktat ka mbetur i fshehtë deri në Konferencën e Versajës (1918).

    Të gjitha fuqitë e mëdha kanë paraqitur versionin e tyre të hartës së Shqipërisë. Harta më e favorshme për shqiptarët ishte ajo e propozuar nga Austro-Hungaria.

    Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët kanë marrë një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, duke e copëtuar edhe njëherë dhe duke marrë dy të tretat e trojeve shqiptare.

    Më poshtë shihni hartën e propozimit të qeverisë shqiptare, propozimit të Francës, Rusisë dhe Ligës së krijuar Ballkanike (Bullgaria, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi), si dhe vendimin e marrë nga konferenca e ambasadorëve.

    This image has an empty alt attribute; its file name is image-34.png

    Harta me propozimet e Qeverisë së përkohshme të Vlorës për hartën e Shqipërisë, propozimet e Francës, Rusisë dhe ligës së Ballkanit (Serbia, Bullgaria dhe Greqia) si dhe kufijtë e tanishëm të propozuar dhe miratuar nga konferenca e Londrës (ky territor tani quhet Shqipëri).

  • Temperaturat sot deri në 31 gradë Celsius

    Temperaturat sot deri në 31 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka informuar se gjatë fundjavës parashihet të mbajë mot me diell.

    Sipas parashikimeve, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-31 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes”, ka informuar IHMK.

    Ndërsa, të dielën pritet të mbajë mot me vranësira të pjesshme dhe intervale me diell. Sipas parashikimeve, në fushat termike nuk parashihet të ketë ndryshime të mëdha.

    “Minimalet do të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius”, thuhet në njoftim.

    Era do ta mbajë drejtimin e njëjtë nga verilindja, shpejtësia e së cilës mund të arrijë deri 4 m/s.

  • Rrëzohet helikopteri i ushtrisë australiane

    Rrëzohet helikopteri i ushtrisë australiane

    Është duke u kryer një kërkim për katër anëtarët e ekuipazhit të një helikopteri të ushtrisë australiane pasi u rrëzua në Queensland.

    Helikopteri MRH-90 Taipan u rrëzua pranë “Shkëmbit të Barrierës së Madhe” në orën 22:30 të së premtes gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me SHBA-në.

    Një helikopter shpëtimi thuhet se ka pikasur mbeturina pranë ishujve Whitsunday, raporton skynews.

    Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles u tha gazetarëve se “helikopteri kishte në bord katër anëtarë të ekuipazhit. Për shkak se ishte një helikopter tjetër i pranishëm, kërkim/shpëtimi ka filluar menjëherë”.

    “Ndërsa po flasim me ju tani, katër anëtarët e ekuipazhit ende nuk janë gjetur, por misioni i kërkim/shpëtimit po vazhdon”, deklaroi ai.

    Australia dhe Shtetet e Bashkuara aktualisht po kryejnë stërvitje ushtarake përgjatë bregut australian që këtë vit përfshin 13 vende dhe më shumë se 30 mijë personel. /

  • Statovci: Përfundimisht u ndalen padrejtësitë që janë bërë 70.000 pensionistëve

    Statovci: Përfundimisht u ndalen padrejtësitë që janë bërë 70.000 pensionistëve

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e GP të Vetëvendosjes, Jeta Statovci ka thënë se me ligjin për skemat pensionale janë larguar padrejtësitë shumvjeçare.

    Ajo përmes një reagimi në rrjetet sociale ka shkruar se populli i Kosovës, në mesin e shumë padrejtësive që ju nënshtrua nga shteti i Serbisë, pësoi shumë kur dhunshëm qindra mijëra njerëz u larguan nga puna.

    Ky është reagimi i Jeta Statovcit:

    Kosova nuk është dashur të lejojë diskriminim në pensione për qytetarët e saj, për kohë kaq të gjatë!

    Me votimin tonë sot në Kuvend, u vendosë të rregullohet kjo padrejtësi.

    Populli i Kosovës, në mesin e shumë padrejtësive që ju nënshtrua nga shteti i Serbisë, pësoi shumë kur dhunshëm qindra mijëra njerëz u larguan nga puna, pra në shkelje të të drejtave dhe lirive elementare njerëzore.

    Nëse ne dhe bota demokratike këtë e kemi quajtur diskriminim e shkelje  të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, atëherë,  çfarë kuptimi kishte që njerëzve tanë nuk ua kthenim të drejtat e mohuara?

    Nga sot, stazhi dhe të drejtat tjera nga marrëdhënia e punes për rreth 70,000 pensionistë, janë rikthyer dhe kështu përveç ndikimit pozitiv në kuptimin e drejtësisë sociale, Kosova me akte konkrete po e materializon refuzimin e pushtimit e të veprimeve gjenocidale të Serbisë.

  • Sveçla e Balla s’i komentojnë raportet Kurti-Rama

    Sveçla e Balla s’i komentojnë raportet Kurti-Rama

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ai i Shqipërisë, Taulant Balla, kanë vizituar sot pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Morinë, me ç’rast thanë se po mundohen të gjejnë një zgjidhje për t’i shkurtuar pritjet e mërgimtarëve gjatë udhëtimit për në Kosovë. Për raportet mes dy kryeministrave nuk komentuan, por thanë se u takon dy ministrave ta zbatojnë secilën marrëveshje të nënshkruar.

    Pika kufitare në Vërmicë ka qenë pikëtakimi i dy ministrave të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Shqipërisë.

    Xhelal Sveçla e Taulant Balla thanë se arsye e vizitës në këtë pikë kufitare është rritja e numrit të mërgimtarëve, e gjetja e një zgjidhjeje për t’i shkurtuar pritjet.

    Dy homologët nuk i komentuan raportet mes kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama, por thanë se u takon dy ministrave t’i zbatojnë marrëveshjet e përbashkëta.

    Kosova dhe Shqipëria në korrik të 2018-s kishin përuruar pikën e përbashkët kufitare Morinë – Vërmicë.

    Për modernizimin e pajisjeve kishte ndihmuar me financim edhe Bashkimi Evropian, më shumë se një milion euro.

    Ndërsa, marrëveshja për unifikimin doganor mes dy vendeve ishte nënshkruar disa muaj më vonë, në po të njëjtin vit.