ATV

Author: E.R.

  • “Trepça” hakmerret keq për minatorët grevist, ua heq nga 176 euro prej pagës

    “Trepça” hakmerret keq për minatorët grevist, ua heq nga 176 euro prej pagës

    PËRGATITI: FITIM MAJKOVCI

    Për katër ditë grevë, menaxhmenti i ndërmarrjes publike ‘’Trepça’’ ka ndëshkuar me nga 176 euro, 151 minatorët të cilët për katër ditë bojkotuan punën. Sipas ndërmarrjes, nëse bojkoti vazhdon, do të merren masa edhe më të rënda ndaj tyre. Masat e ndërmarra ndaj tyre, sindikata e minatorëve të ‘’Trepçës’’ i ka cilësuar si shantazh dhe kërcënim të menaxhmentit.

    Rreth 176 euro për një punëtor, për katër ditë ‘’bojkot pune’’ është masa që ndërmarrja publike ‘’Trepça’’ e ka marrë ndaj 151 minatorëve që grevuan.

    Punëtorët e kësaj ndërmarrjeje morën këtë masë si rezultat i vonesës së pagave, të cilën tani edhe ashtu do ta marrin të reduktuar.

    “Një vlerë që mund të jetë e përafërt e humbjeve ditore në rast të mos punës varet nga shumë faktorë, mund të jetë nga 40 mijë deri në 50 mijë euro në ditë. Masa fillestare është marrë ndaj 151 punëtorëve të cilët kanë bojkotuar punën, dhe një kalkulim i përafërt i masës financiare që do të merret ndaj tyre do të jetë rreth 176 euro për një punëtor, për këto katër ditë të bojkotit të punës’’.

    Abdurrahmani, shtoi se nëse bojkoti i punës thellohet, sanksionet ndaj minatorëve do të jenë me pagë deri në 40 për qind.

    ‘’Në konsultim me zyrën ligjore dhe departamentet tjera, kemi marrë masat e para që çdo bojkot dhe sabotim në punë do të sanksionohet me ndalesa të ekzekutimit të mëditjeve dhe shujtave ditore, dhe nëse ky bojkot dhe sabotim thellohet, atëherë i kemi masat e rregulloreve të brendshme të cilat sanksionojnë edhe me pagë deri në 40 për qind, mirëpo ligjet i kemi shumë të qarta që do të thotë se çdo bojkot dhe sabotim mbi tre ditë pune mund të shpie edhe deri në shkëputje të marrëdhënies së punës për çdo punëtor që e bënë këtë vepër…’’

    Këto masa të menaxhmentetit ndaj punëtorëve, Ibrahim Jonuzi nga sindikata e minatorëve i ka cilësuar si shantazh dhe tentim për t’i heshtur ata në kërkesat e tyre.

    ‘’Për neve si sindikatë ky vendim i menaxhmentit është i pa pranueshëm dhe është kërcënim e shantazh ndaj fuqisë punëtore, ndaj minatorëve për t’i heshtur ata në kërkimin e realizimit të të drejtave të tyre. Realizimi i pagës është obligim i tyre dhe vonesat në paga janë dështim i menaxhmentit.’’ 

    Veç çështjes së pagës minatorët e ndërmarrjes ‘’Trepça’’ kanë pakënaqësi edhe sa i përket kushteve në minierë si dhe punës pa sigurim shëndetësor.

      

  • ​Përfundon seanca, të enjten mbahet konferenca përgatitore për mbrojtjen e Pjetër Shalës

    ​Përfundon seanca, të enjten mbahet konferenca përgatitore për mbrojtjen e Pjetër Shalës

    Ka përfunduar dëshmia e dy eksperteve mjekoligjore të thirrura nga mbrojtësi i viktimave, në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Trupi gjykues e ka caktuar 24 gushtin datë për mbajtjen e konferencës përgatitore për mbrojtjen.

    Pas disa orë dëshmi para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Karin Dune-Prinsen Cajenn Lozano Parra, e kanë përfunduar dëshminë e tyre lidhur me dëmin fizik dhe psikik që sipas tyre ka pësuar një prej viktimave të pretenduara në këtë çështje gjyqësore.

    Ato janë përgjigjur në pyetjet e avokatit të viktimave, pastaj mbrojtjes së Shalës si dhe trupit gjykues.

    Pjesë nga dëshmia e tyre ka vijuar e mbyllur për publikun, ndërsa në seancë të hapur ato kanë folur për punën e tyre në Institutin Holandez për të Drejtat e Njeriut dhe Vlerësim Mjekësor.

    Ato kanë deklaruar se e bëjnë diagnostikimin dhe trajtimin e personave që kanë përjetuar trauma, derisa kanë theksuar se kanë punuar për organizatën IMO (Organizatë jo qeveritare në Holandë e cila bënë vlerësime mjekoligjore të viktimave të pretenduara të torturës apo keqtrajtimit).

    Dëshmitaret kanë thënë e janë autore të një raporti që i është paraqitur turpit gjykues në këtë çështje gjyqësore.

    Kryetarja e turpit gjykues Mappie Veldt Foglia, ka lëshuar një urdhër në seancë private, ndërsa ka bërë të ditur se konferenca përgatitore për mbrojtjen e Shalës do të mbahet të enjten me 24 gusht.

    Paraqitja e provave nga ekipi mbrojtës i Shalës pritet të fillojë pas gjysmës së muajit shtator.

    Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Të paktën 12 të vdekur pas rënies së autobusit në një luginë në Turqi

    Të paktën 12 të vdekur pas rënies së autobusit në një luginë në Turqi

    Të paktën 12 njerëz vdiqën dhe 19 u plagosën në provincën qendrore të Turqisë, Yozgat, kur një autobus pasagjerësh u rrëzua nga një autostradë në një luginë herët të hënën (21 gusht), sipas zyrtarëve.

    Autobusi po udhëtonte nga Sivas për në Stamboll, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Një nga 19 personat e plagosur, të cilët u dërguan në spitalet në rrethet e Yozgat dhe Sorgun, ndodhet në gjendje kritike.

  • ​Aksident me fatalitet në Drenas

    ​Aksident me fatalitet në Drenas

    Një person ka vdekur dhe tre janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në mesditë në fshatin Çikatovë e vjetër, në Drenas.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.

    “Rreth orës 12:30, kemi pranuar informatën se në fshatin Çikatovë e vjetër – Drenas, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale… Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar katër persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QMF (Qendrën e Mjekësisë Familjare) në Drenas”, ka thënë ajo.

    Ajo ka bërë të ditur po ashtu se “në këtë aksident ka qenë i përfshirë, një automjet, ngasësi i të cilit për shkaqe të panjohura deri më tash, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është aksidentuar”.

  • Rreth 50 policë kanë dhënë dorëheqje – Zeqiri: Momenti i fundit të kthehet vëmendja kah Policia

    Rreth 50 policë kanë dhënë dorëheqje – Zeqiri: Momenti i fundit të kthehet vëmendja kah Policia

    Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka thënë se është momenti i fundit që Qeveria ta kthejë vëmendjen tek Policia e Kosovës dhe t’ua plotësojë kërkesat policëve. Në të kundërt, Zeqiri, tha se do të ketë protesta e ikje të profesionistëve policor. Vetëm këtë vit, rreth 50 policë kanë lëshuar punën.

    Sipas tij, pakënaqësia është kolektive për një mori çështjes. Së pari, Zeqiri tha se ka kaluar më shumë se gjysmë viti që policëve nuk po u paguhet shtesa për rrezikshmëri. Si sindikatë, ai tha se nuk e kanë pritur një “dëmtim” të tillë me Ligjin e ri të Pagave.

    Përveç kësaj, ai tha se PK-ja është e vetmja polici në botë pa sigurim shëndetësor. Kjo ka qenë kërkesa e tyre numër një, njëkohësisht edhe miratimi i Ligjit për Pensionim, pasi që Kosova ka policinë më të vjetër në rajon.

    “Pakënaqësia është kolektive, edhe te pjesa e unifromuar edhe te pjesa e shërbyesve civilë në kuadër të Policisë së Kosovës, rreth shtesës për rrezikshmëri. Po kalojnë më shumë se gjashtë muaj, pra është ky muaji i shtatë, që zyrtarëve policorë nuk u ekzekutohet në paga shtesa për rrezikshmëri”.

    Për këtë çështje, Zeqiri tha se kanë dërguar ankesë edhe te Avokati i Popullit.

    “E kemi pasur të rregulluar edhe më herët, e kemi edhe tani me Ligjin për Policinë. Kemi bërë kërkesa të vazhdueshme rreth kësaj çështje. E kemi dërguar edhe te Avokati i Popullit sepse i kemi vrenjtur mangësitë në Ligjin e ri të Pagave. Shtesën për rrezikshmëri e kanë vendosur me një për qind të buxhetit të pagave që nuk është e mjaftueshme për rrezikshmërinë”.

    “Dëmtimin me Ligjin e ri të Pagave në institucionin policor të Kosovës nuk e kemi pritur, sepse kemi pasur kërkesa që shumë vite më herët”.

    Teksa tha se Kosova ka policinë më të vjetër në rajon,  ai ka kërkuar që të miratohet Ligji i Pensionimit, që policët të dalin në pension në moshën 55 vjeçare, si dhe të kenë një pension më të mirë sesa ai i zakonshmi.

    Edhe kjo kërkesë, siç u shpreh ai, është e kamotshme.

    “Jemi e vetmja polici në botë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor që ka qenë kërkesë numër një. Kemi ofruar mënyrën se si mund ta bëjmë Policinë me sigurim shëndetësor alternativ, por ende nuk kemi marrë përgjigje nga Policia”.

    “Jemi polici pa Ligj të Pensionimit. Kjo ka qenë kërkesë që para shtatë-tetë apo dhjetë vitesh, që të bëhet ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare sepse, ndër të tjera, është se mosha mesatare ka arritur të jetë shumë e lartë në krahasim me shtetet e rajonit. Kemi arritur në moshën 47-48 vjeçare, domethënë jemi policia me moshën më të vjetër në rajon. Kjo ka qenë kërkesë që policia të freskohet, por edhe që zyrtari policor kur të pensionohet, ta ketë një pension të dinjitetshëm e jo prej 100 eurosh”.

    Këto probleme së bashku me disa të tjera, si mos pagesa e shujtës, udhëtimeve zyrtare apo shpërblimeve në fund vit, janë arsyeja pse policët po e lëshojnë vendin e punës.

    Për Zeqirin, kjo është jashtëzakonisht shqetësuese dhe më së shumti nga ikja e policëve dëmtohet vendi dhe vetë institucioni.

    “Te shumica e zyrtarëve policor nuk paguhet shujta, nuk paguhet udhëtimi zyrtar apo një shpërblim për fund vit, edhe pse këto janë të rregulluara me ligj. Prandaj, po shprehen pakënaqësi, me protestë në vend të punës apo me dorëheqje vullnetare. Është jashtëzakonisht shqetësuese puna e dorëheqjeve në Policinë e Kosovës sepse neve po na ikin profesionistët”.

    Ai tha për EO, se nëse vazhdohet “kështu” ikjet e policëve vetëm sa do të shpeshtohen, kur vetëm këtë vit rreth 50 kanë dhënë dorëheqje.

    “Nëse kështu vazhdohet dhe nuk përmirësohen këto kushte e kërkesat e gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, paralajmërojmë se dorëheqjet do të vazhdojnë. Kush do të dëmtohet më shumë sesa vetë shteti dhe institucioni? Unë mendoj se është momenti i fundit që Qeveria ta kthejë vëmendjen nga Policia e Kosovës. Këtë vit, numri i dorëheqjeve vullnetare sillet rreth 50. Është shqetësuese, por më shqetësuese është se kemi paralajmërime se dorëheqjet do të vazhdojnë nëse nuk përmirësohen kushtet”, është shprehur ai.

  • Mosformimi i Asociacionit mund të sjellë masa të reja – vendi mund të përballet me paralizë politike e ekonomike

    Mosformimi i Asociacionit mund të sjellë masa të reja – vendi mund të përballet me paralizë politike e ekonomike

    Bashkimi Evropian mund që të vendos sanksione ndaj Kosovës në të ardhmen nëse nuk formohet Asociacionin i komunave me shumicë serbe, po vlerësojnë analistë politik në vend.

    Sipas tyre, ndonëse Asociacionin serbët e kanë vendosur si kushte që të kthehen në institucionet e Kosovës, ky mekanizëm nuk prezanton vlerë të shtuar institucional dhe ligjor të vendit.

    Njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku, ka thënë se Kosova e ka Kushtetutën më të mirë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë sa i përket kapacitetit integrues për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, si në mekanizma shoqërorë, institucional dhe shtetërorë.

    Sipas tij, pas marrëveshjes së viti 2013-1015 për formimin e Asociacionit, ky mekanizëm është parë si moment i integrimit përfundimtarë të serbeve në mekanizmin shtetëror të Kosovës, të shoqërisë.

    “Republika e Kosovës ka Kushtetutën më të mirën jo vetëm në rajon por edhe më gjerë sa i përket kapacitetit integrues për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë së vetë në mekanizma shoqërorë e institucional dhe shtetërorë. Në këtë rrafsh dihet mirëfilli se si pasoj e specifikave të veta dhe rrethanave politike, ndodhi siç ndodhi decentralizimi në kohën e vetë i komunave të reja që u krijuan, më pastaj si rrjedh e kësaj erdhëm edhe tek marrëveshja e 2013-2015 me të cilën bëhej fjalë për themelimin e një Asociacioni. Ky ishte paraparë që të jetë momenti i integrimit përfundimtarë në një formë ose tjetër në mekanizmin shtetëror të Kosovës, të shoqërisë dhe të angazhuarve serb në institucionet e Kosovës”, tha ai.

    “Si e tillë a mund të bëhet që qytetarët serb duke mos e pasur Asociacioni si mundësi integrimit, Kushtetuat e vendit e lejon gjithsesi është model. Mirëpo çështja e Asociacionit është krejtësisht politike dhe ka ambicie politike dhe si e tillë bëhet parakusht i vendosur nga pala serbe për çështjen e integrimit tyre ose ngjashëm”.

    “Edhe pse Asociacioni është bërë një mundësi integrimit të serbeve brenda vetës dhe me lidhje institucionale me Republikën e Kosovës, kjo është paramendimi serb. Në këtë rrafsh Asociacioni si i tillë është një mekanizëm politikë dhe si i tillë nuk është që prezanton vlerë të shtuar në mekanizmin institucional dhe ligjorë të Kosovës, mirëpo është politik dhe si i tillë duhet pranuar si fakt politik që është Asociacioni. Ky është një parakusht nga ana e serbeve për të qenë pjesë e integrimit institucional të Kosovës”, tha ai për EO.

    Arbnor Sadiku, analist politik, tha se pasi që të implementohet në tersi marrëveshja e Bratislavës, bashkësia ndërkombëtare do të kërkojnë nga Kosova që të bëjë edhe formimin e Asociacionit.

    Sadiku shtoi se ekziston rreziku që në rast se Kosova nuk e formon Asociacionin t’i vendosen masa vendit nga BE-ja, ku sipas tij, me këtë rast Kosova do të gjendet në një paralizë ekonomike nga këto masa.

    “Pasi që këto zgjedhje do të bëheshin sigurisht që do të kërkohej nga bashkësia ndërkombëtare që të krijohet ky Asociacioni dhe rreziku më i madh është që Kosovës në të ardhmen të mos i hiqen fare masat dhe sanksionet por vetëm t’i shtohen ato duke e kushtëzuar Kosovën. Që jo vetëm t’i zbatoj të gjitha masat për de-eskalimin e situatës në veriun e Kosovës, që janë tërheqja e Policisë, futja në zgjedhje lokale, sa ma shpejt zgjedhja e kryetarëve legjitim e kështu me radhë, po mund të kushtëzohet në të ardhmen edhe me krijim e Asociacionit”.

    “Do të thotë që në rast se Kosova nuk e krijojnë Asociacioni e komunave me shumicë serbe, përveç këtyre masave më herët që i ka kërkuar BE-ja të shtohen edhe masa të tjera dhe kësisoj praktikisht Kosova gjendet në një situatë të pa lakmuar qoftë në aspektin politikë, ekonomik e kështu me radhë. Shumica e këtyre fondeve të BE-së që janë fonde të IPA janë të bllokuar për Kosovën dhe natyrisht që mos aplikimi për to në vitin 2025 është një lloj paralize ekonomike për Kosovën”, tha ai për EO.

  • Fundjava vranët dhe me diell, temperaturat deri në 31 gradë

    Fundjava vranët dhe me diell, temperaturat deri në 31 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se të shtunën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    IHK njofton se vranësirat gjatë ditës vende-vende mund të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-31 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes.

    Instituti për të dielën parashikon të mbajë mot kryesisht me diell.

    Temperaturat  minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-31-gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare.

  • Statovci: “Rruga e re” që mbrapa kodrës, bashkohet me rrugën e moçme

    Statovci: “Rruga e re” që mbrapa kodrës, bashkohet me rrugën e moçme

    Deputetja e Listës Guxo. Jeta Statovci ka reaguar pas kritikave të opozitës për rrugët nacionale që kanë mbetur ende të pa përfunduara.

    Ajo ka thënë se të gjitha këto projekte kanë mbetur në gjysmë nga qeveritë e kaluara janë shqyrtuar nga qeveria Kurti.

    Ky është postimi i saj në Facebook:

    “RRUGA E RE” QË MRAPA KODRËS, BASHKOHET ME RRUGËN E MOÇME.

    Lideri që synon rrugë të re ani pse vjen nga kthinat e rrugëve të vjetra, po të ishte i vërtetë, do t’i shkonte ndërmend të thoshte pak fjalë, për vitet nga 2009 (Mitrovicë, Pejë etj) kur partnerët e tyre i nisën këto rrugë, apo nga vitet 2015 e 2016 (kur rruga e Podujevës filloi) kur prindi i tij politik i nisi ato rrugë, pa shpronësim, pa projekt, pa buxhet, si mos më keq. Por nuk thotë asgjë nga ato sepse ai është thjeshtë një fasadë që mbulon të vjetren brenda për t’u bashkuar me të moçmen, në kërkim të lumturisë me marrëveshjet ndajmë 50:50.

    Qeverisja aktuale të gjitha projektet e lëna gjysmë, i rishikoi, revidoi, korrektoi e i bëri gati për ekzekutim. Rruga për Podujevë ka progres për 2 muaj më shumë se 6 vitet e tyre. Rruga e Gjilanit po përfundon ndërkohë që rrugët që lidhin Gjakovën, rruga Prizren – Prevallë, Dragash- Brod, Gjilan Kllokot po vazhdojnë me ritme të papara ndonjëherë.

    Rruga Prishtinë – Pejë ka filluar ne vitin 2008 dhe më vonë në 2013 pjesa tjetër, Rruga Dollc – Gjakovë ka filluar në vitin 2018, Rruga Prishtinë – Mitrovicë ka filluar në vitin 2008 dhe dy llotet tjera në vitin 2018, Rruga Prishtinë – Podujevë ka filluar në vitin 2016 dhe tash pjesa tjetër në vitin 2023, Autostrada e Gjilanit ka filluar në vitin 2018. Kurse, për rrugën A, cka të themi tjetër, pos që mu në fillim, alarmoi dhe prokurorinë e shtetit për keqpërdorimet.

    Pra, kjo siç duke është rruga e re, që të dërgon te zanati i vjetër.

  • Viktimat e dhunës seksuale nuk i gëzojnë benefitet që iu takojnë

    Viktimat e dhunës seksuale nuk i gëzojnë benefitet që iu takojnë

    PËRGATITI: JETA SELMANAJ

    Viktimat e dhunës seksuale në Kosovë nuk gëzojnë benefite siç ndodhë me kategoritë e tjera të dala nga lufta. Nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thonë se të drejtat të cilat janë përcaktuar me ligj, nuk po realizohen në mungesë të procedurave që e sigurojnë konfidencialitetin e viktimave.

    Përveç pensionit prej 230 eurosh, gratë e burrat e dhunuar gjatë luftës e kanë pothuajse të pamundur të realizojnë të drejtat e tjera të përcaktuara me ligj, për shkak të mungesës së procedurave që sigurojnë konfidencialitetin.

    Sipas drejtoreshës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, këta persona duhet të posedojnë një ID, përmës së cilës do të identifikoheshin si viktima civile.

    Në mungesë të kartelizimit, Rushiti shton se kjo kategori e viktimave të luftës nuk mund të përfitojnë shërbimeve falas pranë institucioneve apo strukturave lokale, për shkak të frikës se do të identifikohen.

    Drejtoresha e QKRMT-së thotë se janë duke punuar që të krijojnë një plan avokues për të drejtat e tjera që u takojnë viktimave të dhunës seksuale.

    Gjatë luftës së fundit në Kosovë, konsiderohet se janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra. Por deri më tani komisioni qeveritar ia ka njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale vetëm rreth 1400 personave. Muajin e kaluar Kuvendi i Kosovës ka vazhduar deri me 15 maj 2025 afatin për aplikim për njohjen e statutit të viktimave të dhunës seksuale.

  • Rrugët e papërfunduara brenda dhe “prioritizimi i lidhjes jashtë”

    Rrugët e papërfunduara brenda dhe “prioritizimi i lidhjes jashtë”

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti e prezantoi si prioritet ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, projekt në vlerë rreth 200 milionë euro. Por, ekspertë të infrastrukturës dhe ekonomisë vlerësojnë se para këtij projekti, Qeveria duhet të punojë në përfundimin e pesë projekteve për rrugët kryesore që lidhin kryeqytetin me Mitrovicën, Pejën, Gjilanin, Gjakovën dhe Podujevën.

    Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Gjakovë dhe Prishtinë-Podujevë janë disa prej projekteve kryesore të papërfunduara në rrjetin e brendshëm tw rrugëve nacionale dhe autostradave.

    Në këtë mes, rekordin më negativ për nga kohëzgjatja e mban projekti për rrugën dyshiritore nga kryeqyteti në drejtim të Mitrovicës – i ngecur në gjysmë.

    Larg nga përfundimi mbetet projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, ndonëse punimet në të nisën para plot 14 vjetësh.

    Në faza e kohëzgjatje të ndryshme, me zvarritje janë përballur edhe punimet në relacionet tjera të lartpërmendura.

    Për këto pesë rrugë, Qeveria këtë vit ka ndarë më pak se 50 milionë euro.

    Megjithëkëtë, kryeministri Albin Kurti prezantoi si prioritet ndërtimin e një rruge të re Prizren-Tetovë, projekt në vlerë 200 milionë euro.

    Edhe pse këtë rrugë e vlerëson të nevojshme, inxhinieri Driton Tafallari thotë se prioritet duhet të jetë përfundimi i rrugëve që qytetarët i përdorin çdo ditë.

    “Këto rrjetet kanë mbetur jo me vite por me dekada papërfunduar. Unë e kuptoj se ka probleme serioze sidomos me shpronësim të një numri të madhe të tokave, mirëpo ajo që mua më duket e paarsyeshme është se pse Qeveria nuk e jep një plan ose afat kohor, me u tregu qytetarët se cila rrugë kur pritet me u kry dhe me iu mbajtë këtij plani”.

    Pa mohuar rëndësinë e rrugës Prizren-Tetovë, Safet Gërxhaliu nga EK Consulting theksoi se ky projekt nuk mund të nis pa përfundimin e rrugëve kryesore brenda, të cilat i përshkroi në gjendje të mjerueshme.

    “Të gjitha këto rrugë të filluara, qoftë nga Prishtina në Mitrovicë, qoftë në drejtim të Pejës, qoftë në drejtim të Merdares, apo edhe Shkupit, se sa kanë rëndësi gjeo-strategjike dhe politike, kanë rëndësi edhe ekonomike dhe integruese, prandaj duhet të jetë prioritet përfundimi i këtyre rrugëve dhe tek më vonë të mendohet në investime 200 milionëshe në rrugën Prizren-Tetovë. Nuk e konteston askush arsyeshmërinë kombëtare dhe nacionale, por të mendohet në mënyrë racionale, pa emocione dhe pa nacionalizëm politik”.

    Gërxhaliu beson se deklaratat dhe veprimet e kryeministrit Kurti lidhen me ambiciet e tij politike.

    “Shumë më tepër janë deklarata populiste dhe politike, që paralajmërojnë themelimin, si duket, të Vetëvendosjes në Maqedoni sesa që është prioritet për t’u implementuar. Në këtë drejtim duhet kuptuar fare mirë se me Maqedoninë nuk ka lojë dhe eksperimente, sepse është një shtet në rrugëtim shumë të shpejtë në familjen evropiane, është anëtare e NATO-s, prandaj besoj që duhet të tregojmë maturi politike, ekonomike dhe mbi të gjitha ndëretnike”.

    Në Shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshje për rrugën Prizren-Tetovë, por ende nuk është finalizuar marrëveshja financiare – që përfshin ndërtimin e një tuneli prej 6.4 km.