Pritjet e mërgimtarëve për të dalë nga Kosova po vazhdojnë ende të jenë të gjata edhe këtë fundjavë.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për të dalë nga Kosova përmes pikë-kalimit kufitar në Merdar mëngjesin e hershëm të së shtunës shkojnë deri në dy orë.
Sipas këtyre raportimeve bëhet e ditur se bashkatdhetarët po presin në një kolonë prej 1000 metrash.
Pritje për të dalë nga Kosova ka edhe në pikë-kalimin kufitar Dheu i Bardhë deri në 70 minuta, e që kolona shkon deri në 300 metra.
Në pikë-kalimin tjetër kufitar me Serbinë, Mutivodë pritjet për të dalë nga Kosovë shkojnë deri në një orë derisa radhët shkojnë deri në 200 metra.
Në pikat tjera kufitare nuk raportohet për kolona e pritje të gjata, por procedurave të zakonshme administrative.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të lartë atmosferik.
Sipas institutit, kjo situatë barike do të mundësoj që gjatë këtyre dy ditëve të vikendit të mbajë mot kryesisht me diell me pak vranësira të lehta të cilat mund të kenë shtrirje për gjatë relievit malor.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius , ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-34 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”, këto janë fjalët e Shën Nënë Terezës që i kujtojmë në përvjetorin e ditëlindjes së saj.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.
Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.
Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, që sivjet koincidon me 7-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku (2016), Dioqeza Prizren-Prishtinë, organizon akademi solemne, ditën e sotme, në orën 19:00, në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Më 26 gusht të vitit 1998, artileritë serbe, vranë 11 anëtarë të familjes Asllani në fshatin Rancë të Shtimes, prej të cilëve 8 ishin fëmijë të moshave të ndryshme dhe tri gra.
Në këtë ngjarje të dhimbshme, kanë humbur jetën: Jalldyze Asllani (1934), Halide Asllani (1963), Ajshe Asllani (1971), Burim Asllani (1985), Lumnije Asllani (1986), Ejup Asllani (1988), Luljeta Asllani (1991), Shpend Asllani (1993), Xhafer Asllani, (1995), Antigona Asllani (1997) dhe Albiona Asllani (1998). Atë ditë të kobshme në këtë fshat nga forcat serbe u ekzekutua edhe plaku 96-vjeçar Zeqir Asllani.
Pas hiteve të një pas njëshme, Florian Tufallari vjen edhe me një tjetër hitë të titulluar M‘kalle, ku si bashkëpunëtorët e tij janë: Music: Sardi Mneri Lyrics: Saia Arrangement: Deyzoh & Sardi Solo: Alsked Rrënja Video: Dardha Studio.
Floriani në boten e muzikës ka hy fuqishëm gjatë viteve të fundit, i cili me muzikë ka filluar të merret që nga fëmijëria dhe është çun nga Tirana.
Gjatë karrierës dhjetëvjeçare ka sjell shumë bashkëpunime me këngëtar të skenës muzikore si: Ramadan Krasniqi ,Bardhi, Aida Doçi Landi Roko etj, me këngë ritmike dhe balada të bukura.
Florian Tufallari është i angazhuar nëpër mbrëmje rinore dhe ahengje të shumta familjare. Ai premton se do të sjellë edhe shumë këngë te reja dhe bashkëpunime.
Kujtojmë disa nga hitet e fundit te cilat titullohet ‘Ti ke lind për qejf’ në bashkëpunim me Landi Roko dhe Altin Tirona, ku numëron 12 milion klikime, Dilema me 14 milion klikime, Katile me 11 milion klikime etj., ku ende vazhdojnë të dëgjohen këngët e tij gjithë andej ku ka Shqiptar.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka bërë të ditur se do të ndahen mjete për prindërit e nxënësve në mënyrë që ato të shpenzohen për blerjen e librave. Ministrja Arbërie Nagavci, tha se kanë arritur në këtë përfundim për shkak të keqpërdorimeve me çmime nga shtëpitë botuese.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës po e shqyrton mundësinë t’ua transferojë paratë prindërve në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.
Kështu ka njoftuar nëpërmjet një konference për media ministrja Arbërie Nagavci, 10 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.
“Sivjet po shqyrtojmë mundësinë që transfermimin e mjeteve për tekste shkollore të bëhet në llogari të prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Mënyra si është menduar që të bëhet rimbursimi i mjeteve ka të bëjë me mjetet në llogari të prindërve. Është dizajnuar faqja në e-Kosova. Pjesa më e madhe e prindërve i kanë të hapura llogarit dhe është proces i lehtë. Prindi në momentin që e identifikon veten, automatikisht dalin emrat e fëmijëve dhe do të sigurohemi që çdo gjë të shkojë në rregull. Pagesa do të bëhet paraprakisht dhe mjetet të shfrytëzohen për blerjen e librave që nuk do të ketë nevojë të ofrohen faturave”.
Të bindur se procesi mësimor do të fillojë më 1 shtator, udhëheqës të kësaj ministrie thanë se në të kaluarën ka pasur keqpërdorime lidhur me kontratat me shtëpitë botuese.
“Kemi pas jo veten dallim nga viti në vit por edhe dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpitë e ndryshme botuese me çmime”
“Kemi zgjedhur një negociues nga MASHT-i që brenda afateve ligjore ka negociuar çmimin për secilin libër, edhe pas shumë tentimeve për çmim të përballueshëm, shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin. Dhe së fundmi kanë dërguar letra se çmimet e tyre janë të panegociueshme. Kjo situatë është e papërballueshme për MASHT-in. Kjo është më e ndjeshme kur bëhet fjalë për tekstet shkollore të nxënësve tanë. Libri Shoqëria dhe Mjedisi i klasës së 3 bashkë me fletoren e punës është 27 euro. Një libër i gjuhës boshnjake kap vlerën 30 euro. Këto janë të papranueshme dhe të papërballueshme për buxhetin e shtetit. Kemi shumë raste të tilla, kur çmimet janë 25 euro. Vetëm 5 vitet e fundit për libri janë shpenzuar mbi 51 milionë euro.”.
Rastet që kanë hasur tek shtëpitë botuese, u tha se i kanë adresuar tek organet kompetente, mirëpo deri më tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Nagavci, poashtu tha se së fundmi MASHT-i ka filluar rishikimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe të matematikës nga klasa e parë deri në të nëntën.
Njohësit e arsimit, planin e Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore, e cilësojnë si jo diçka të re. Sipas tyre, edhe disa vite më parë, prindërit i kanë blerë vet teksteve shkollore për fëmijët e tyre. Teksa njohësit e fushës ftojnë institucionet që të përkujdesen për nivelizimin e çmimeve të librave, prindërit shpresojnë që ky plan të sjell efekte pozitive.
Pas disa vite, përsëri këtë vit prindërit do të përkujdesen vet për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre, por kësaj radhe përmes subvencionimit të Qeverisë së Kosovës.
Ky ndryshim pritet të ndodhë në bazë të një plani që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Megjithatë, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se ky është një hap që ka ndodhur më herët në një formë tjetër.
“Kjo praktike për blerjen e librave nuk është ndonjë risi, pasi që edhe para se të jepeshin fal librat, prindërit kanë blerë domethënë libra vet për fëmijët e tyre. Pra e njëjta veçse është kthyer në një format tjetër”.
Mes tjerash, Qehaja, është skeptik nëse ministria e arsimit ka kapacitete të mjaftueshme për të realizuar këtë plan në një kohë kaq të shkurtër.
“Kjo është një ide që kërkon shumë debat, kërkon një përfshirje të madhe të institucioneve, shtëpive botuese, prindërve, domethënë kërkon tejet përkushtim të madh. Edhe çka duhet me bo Ministria është që të përkujdeset sa më shumë për çmimet e teksteve shkollore, mos me u tejkalu shuma që kanë me nda Ministria e arsimit për prindërit që do t’i blejnë tekstet shkollore”.
Për këtë vendim të Ministrisë së Arsimit, reagime ka pasur edhe nga deputetët opozitarë, të cilët e kundërshtuan atë.
“Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre. Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë”.
“Paramendoni, Shtëpitë Botuese e kanë vet në dorë të vendosin çmimin e librave. Ato nuk do t’i shesin librat me çmimin me lirim që do të ia ofronin Qeverisë, por çmimi do të jetë deri 20% më i shtrenjtë. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të avulloj së paku 2 milion euro nga buxheti i Kosovës, nën petkun e kursimit të parave për tekste shkollore”.
Ndërkohë, prindërit e nxënësve edhe pse nuk ishin të informuar, shpresojnë që ky plan të ketë efektet e veta.
“Është një ide e qëlluar, mendoj se është më e mirë, dhe shpresoj se nuk do të ketë keqpërdorime me para nga shtëpitë botuese”.
“Po mendoj se është një plan i mirë që t’i blejmë ne në bashkëpunim me Ministrinë”.
Deri tani, Ministria i ka blerë librat direkt nëpër shtëpi botuese, nga ku ato u janë shpërndarë nxënësve nëpër shkolla.
Që nga janari e deri sot, 21 gra janë përfituese të pakos që po e ndanë komuna e Prishtinës, në mbështetje të viktimave të dhunës në familje. Shuma e kësaj pakoje është nga 500 euro për dy vjet, ku në të përfshihet pagesa për banim e ushqimi.
Që nga janari i këtij viti viktimat e dhunës në familje, në komunën e Prishtinës, e kanë një pagë e një ambient për të jetuar të sigurta, kjo falë një vendimi që komuna e morri që nga dhjetori i 2022-ës.
Aktualisht janë 21 gra përfituese nga ky projekt mbështetës.
“Vendimin e kemi marrë në nëntor, deri më tani kemi mbështetur, 21 gra që kanë qenë viktima të dhunës në familje, ne kemi dhënë 40 mij euro, që ato te kenë një ambient sigurt. Kjo shumë është e ndarë në 3 komponente, kemi raste kur kanë kërkuar, mbështetje vetëm për banim e ushqim e disa të tjera vetëm për banim”.
Sahiti thotë se përveç ndihmës financiare që do të sigurohet për 2 vjet, viktimave u ofrohen edhe kurse profesionale.
“Përveç mbështetjes financiare që do të jetë për dy vite, kemi ndarë edhe 300 mije euro për organizatat jo qeveritare, për t’i ndihmuar në zanate të ndryshme që ato të bëhen të pavarura ekonomikisht pas dy viteve”.
Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se gratë janë më të informuara për të drejtat e tyre dhe si rrjedhojë edhe raportimet janë më të shpeshta.
“Kohëve të fundit ka më shumë raportim të dhunës në baza gjinore por edhe të dhunës në përgjithësi në organet kompetente, por padyshim që krejt këto raportim i adresohen organizatave të grave që po punojnë ne këtë aspekt. Krejt këto raportime të dhunës tregojnë që grat edhe vajzat, pra tash janë më të informuara për të drejtat e tyre”.
Po ashtu, me qëllim që t’iu dalë në ndihmë nënave lehona, të cilat janë pjesë e skemës sociale, që nga janari Komuna e Prishtinës ka filluar t’i subvencionojë ato me nga 500 euro.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, panë nga afër punimet që nisën sot për zgjerimin e segmentit rrugor “Ura e Tabakut” deri tek “Ura e Ahmet Efendisë”, rrugë kjo do të lidh qytetin e Gjakovës me Rekën e Keqe dhe me dy pika kufitare me Shqipërinë. Derisa u theksua rëndësia e këtij projekti, aty u tha se i njëjti do të përfundojë këtë vit.
Qytetarët që përdorin pikat kufitare qafë prush dhe qafë morinë për të dalë në Shqipëri, së shpejti mund ta kenë më të lehtë qarkullimin.
Punimet në zgjerimin e kësaj rruge që nisën sot, u përcollën nga afër edhe nga i pari i Gjakovës dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Ky projekt në fjalë jo vetëm që ka një rëndësi të veçantë për Gjakovën, mirëpo rëndësia e tij po kalon edhe kufirin për shkak se lidh Gjakovën me Shqipërinë. Si ministër jam i lumtur dhe krenar që si qeveri kemi arritur që gjatë mandatit tonë edhe të rrisim grantin e performancës, mirëpo edhe të institucionalizojmë ligjin për raportimin e komunave për performancën komunale edhe mandej një grant qe del prej kësaj. Unë jam i bindur që si qeveri do të përkushtohemi që viteve të ardhshme që të rritet buxheti”
Punimet sipas kryetarit të Gjakovës Ardian Gjinit do përfundojnë brenda këtij viti.
“Jam shumë i lumtur që sot i nisim punët edhe që do të kryhet këtë vit. Financimi i këtij projekti bëhet prej grantit të performancës, diku në 950 mijë euro. 57 mijë euro janë të komunës. Granti i perfomancës është një skemë jashtëzakonisht e rëndësishme për komunat, ka filluar nga donatorë, të cilën janë quajtur në një ombrellë “Demos”. Ka vazhduar më pas të mbështetet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, nga Qeveria e Kosovës”
Ndërkaq vlera totale e projektit, arrin shifrën e 1 milion eurove.
Qëndrimin në Athinë sot për të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Kosovës e filloi me një takim me homologun e tij nga Kroacia, Andrej Plenkoviq.
Në takim ata folën për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe potencialin që dy vendet kanë për thellim e konkretizim të mëtejmë të tyre, thuhet në komunikatën për media.
“Folën edhe për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ku kryeministri theksoi nevojën për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër”, thuhet po aty.
Bëhet e ditur se “Kurti e njoftoi kryeministrin kroat për progresin dhe arritjet e vendit në rrafshin ekonomik dhe demokratik, me theks qeverisjen dyvjeçare”.
Ai e uroi homologun e tij dhe Kroacinë që së fundmi u bë anëtarja e 20-të e Eurozonës dhe anëtarja e 27-të e zonës Schengen, teksa e cilësoi këtë si një arritje të madhe të Kroacisë dhe Kroacinë si një model për t’u ndjekur.
Të dy ndanë këndvështrimet e tyre mbi zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni, duke mbetur të përkushtuar për bashkëpunim të afërt, në shërbim të interesave të përbashkëta dhe në linjë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.