ATV

Author: E.R.

  • Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut, e gjuajnë me ve objektin

    Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut, e gjuajnë me ve objektin

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Dhjetëra punëtorë të shërbimit të sigurimit fizik të Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë protestuar sot. Ata kërkuan që sërish të kthehen nën menaxhimin e KEK-ut, ashtu siç iu ishte premtuar nga ekzekutivi.

    Pakënaqësinë për mosrealizimin e premtimeve të ekzekutivit, punëtorët e sigurimit fizik e shfaqën duke gjuajtur me ve, në drejtim të zyrave të Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Duke kërkuar që menaxhimi i kësaj kategorie të kthehet te KEK-u, ata protestuan për disa orë.

    “Kërkesa jonë është të kthehemi nën menaxhimin e KEK-ut. S’jemi të kënaqur aspak. Neve as me tesha s’po na rrinë gati, qe 5 vjet të njëjtat i kam.”  

    “Unë nuk po e kuptoj as këtë qeveri, s’po e kuptoj se kur thoshte se neve po na bëhet padrejtësi dhe dilte përmes mediave dhe bisedonin dhe jepnin deklarata shumë të mira dhe ndihmëse. Por tash çka është bërë, andaj ne kërkojmë një takim urgjent me kryeministrin e vendit ku do t’ia shpjegojmë gjërat në detaje edhe pse ne besojmë se ai është i informuar shumë mirë, pasi kemi më së paku 30 e-maile zyrtare që i kemi dërguar.”

    Në vitin 2004, një kompani private kishte bërë marrëveshje me Korporatën Energjetike të Kosovës, që punëtorët e sigurimit fizik të kalojnë nën menaxhimin e tyre. Por me të përfunduar marrëveshja trevjeçare, sipas kryetarit të sindikatës së punëtorëve ata u kontraktuan jashtëligjshëm.

    Këta punëtorë në vitin 2004 janë huazuar. Pas kësaj huazimi që ka qenë 2 vite + 1, në vitin 2007 janë tenderuar jashtëligjshëm, dhe nuk kanë marrë asnjë aksion nga Korporata Energjetike e Kosovës. Nuk janë shkëputur kontratat me KEK-un. Pra ky departament padrejtësisht është tenderuar deri më tani. Me sinqeritet i lutem Qeverisë së Kosovës të ndërhyjë në bordin e KEK-ut, në menaxhmentin dhe zyrën e prokurimit, që të mos tenderohen ky departament më tutje, sepse janë duke u tenderuar jashtëligjshëm”.

    Për t’i ruajtur objektet e korporatës energjetike të Kosovës janë të angazhuar rreth 375 punëtorë, të cilët në muaj marrin pagë 350 euro, që për një vit i bie 1 milion e 575 mijë. Mirëpo, KEK-u ndan 2 milionë e 700 mijë euro ndaj kompanisë që menaxhon punëtorët e sigurimit fizik, që i bie se kompania në fjalë përfiton gati 1 milion euro më shumë.

    Kjo është protesta e dytë brenda muajit gusht, ku punëtorët e sigurimit fizik protestojnë për të shprehur pakënaqësitë e tyre që kanë për kushtet e punës.

     

     

  • Prindërit ankohen për mosfunksionimin e platformës E-KOSOVA

    Prindërit ankohen për mosfunksionimin e platformës E-KOSOVA

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU

    Rreth 51.200 aplikime janë bërë për 3 ditë në platformën E-Kosova, për subvencionimin e teksteve shkollore. Mirëpo, mosfunksionalizimi i kësaj platforme po del të jetë problem për prindërit. Derisa, sipas kryetarit të SBASHK-ut, mosshpërndarja e teksteve shkollore është sfidë e madhe për nxënësit dhe mësimdhënësit.

    Tri ditë i janë dashur Ganimete Muharremit, që të arrijë të aplikojë për subvencionim për blerjen e teksteve shkollore për vajzat e saj.

    “Problem në platformën E-Kosova, po kemi shumë, ka 3 ditë që kam provuar me apliku për subvencionim, por sistemi nuk ka funksionuar dhe nuk po mundem me u kyç në sistem, nuk po e pranon as email-in, as kurrgjë dhe po kemi shumë problem.”

    Ankesa si të Muharremit kanë edhe shumë prindër të tjerë. Kjo është konfirmuar edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.

    “Ka pasë ankesa se prindërit kanë aplikuar shumë në të njëjtën kohë dhe se linku në platformën E-Kosova ka qenë i bllokuar, por sa po e shoh tash prindërit po aplikojnë pa problem.”

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj, tha se mosshpërndarja e teksteve shkollore do të jetë një sfidë e madhe për nxënësit dhe mësimdhënësit.

    “Mësimdhënësit do të jenë të sfiduar ngase një pjesë e nxënësve do të fillojnë e do të vazhdojnë po tekste shkollore, e mësimdhënësit do të jenë në sfidë ngase me plan-program duhet të fillojnë, sidomos javën e dytë për të zhvilluar njësi nga ky vit shkollor, por do ta kenë vështirë sepse do të ndihen keq ngaqë disa fëmijë nuk kanë tekste shkollore dhe fatkeqësisht në vend që qeveria Kurti të sigurojë mjete për teknologji bashkëkohore, për loptop e projektor, që t’i ngjasojnë shkollat e Kosovës shekullit 21, ja që këtë vit shkollor po e fillojmë edhe më keq.”

    Për 3 ditë sa është hapur aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore, në platformën E-Kosova, janë pranuar 51.200 aplikime. Për nxënësit e arsimit në nivelin e ulët, klasat 1 deri 5, do të ndahen nga 80 euro për tekstet shkollore, derisa për nxënësit e arsimit në nivelin e mesëm të ulët, klasat 6 deri 9, të cilët i kanë librat të siguruar nga viti paraprak, do të ndahen nga 30 euro për mjetet mësimore.

     

     

  • Për dy muaj, 240 vatra zjarri fushor janë shuar nga zjarrfikësit

    Për dy muaj, 240 vatra zjarri fushor janë shuar nga zjarrfikësit

    PËRGATITI: JETA SELMANAJ

    Edhe këtë vit, numri i zjarreve fushore që konsiderohet se shkaktohen kryesisht nga faktori njeri, është i lartë. Zyrtarë të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë tregojnë për ATV-në se gjatë muajve korrik dhe gusht ata kanë shuar 240 vatra zjarri. Derisa u apelojnë qytetarëve të mos i djegin fushat, ankohen se kanë mungesë stafi.

    Për më pak se dy muaj, 240 zjarre fushore janë shuar nga zjarrfikësit e Rajonit të Prishtinës.

    Sipas përfaqësuesit të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtine, zjarret në Fushë-Kosovë, Obiliq por edhe pjesë të tjera të Prishtinës, po dyshohet se po shkaktohen nga faktori njeri.

    Pavarësisht numrit të vogël të zjarrfikësve, sipas Shkodres, po arrihet që çdo vatër zjarri të shuhet.

    Edhe pasditen e kësaj të hëne zjarrfikësit intervenuan në shuarjen e zjarrit në një pjesë të gjelbëruar në Zonën Industriale të Autostradës “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

    Në Zonën Industriale, në zonën fushore të autostradës Ibrahim Rrugova, është vetëm një nga pjesët që u përfshi nga zjarri këtë të hënë, por zjarri u shua nga zjarrfikësit.

    Gjatë stinës së verës dhe në fillim të vjeshtës, regjistrohen më shumë vatra zjarri nëpër fusha e male.

     

  • Macron paralajmëron masa nëse Kosova e Serbia nuk sillen me përgjegjësi

    Macron paralajmëron masa nëse Kosova e Serbia nuk sillen me përgjegjësi

    PËRGATITI: FITIM MAJKOVCI

    Masa ndaj Kosovës dhe Serbisë ka paralajmëruar presidenti francez, Emmanuel Macron, nëse Kosova dhe Serbia s’e gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës. Në një adresim nga Parisi, Macron tha se Franca dhe Gjermania janë të gatshme t’i rishikojnë zotimet e tyre për çështje ekonomike dhe vizat, për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës e Serbisë, nëse dy vendet “nuk sillen me përgjegjësi” për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës.

    Sipas Macronit, nëse palët dështojnë ta bëjnë këtë, Franca e Gjermania do t’i rishikojnë zotimet e tyre për çështje ekonomike dhe politikat të vizave për Kosovën e Serbinë.

    “Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa u përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.”

    Në fjalimin e tij të përvitshëm para ambasadorëve, nga Parisi, Macron bëri thirrje që palët të riangazhohen edhe për organizim të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

    Presidenti francez tha se marrëveshja e Brukselit, e njohur ndryshe edhe si ‘’plani francezo-gjerman’’ është rruga e duhur për situatën aktuale.

    “Sa i përket dallimeve mes Kosovës dhe Serbisë edhe unë besoj që ky është një udhërrëfyes i mirë. Është përkrahur nga negociatorët evropianë dhe përfaqësuesit tanë, kështu që ne kërkojmë angazhim të plotë nga të dy palët. Çdo angazhim për organizim të zgjedhjeve të reja lokale, riangazhimi i serbëve në institucionet e Kosovës, njohja e komunave në Veri të Serbisë, në emër të autoriteteve të Kosovës, është i mirëseardhur. Ne presim që paqja të kthehet në këtë pjesë”.

    Këto komente të Macronit vijnë në kohën kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht të kthehet në dialog me Serbinë dhe t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri të vendit.

     

  • Largimi i institucioneve serbe nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut mund të përcillet kështu

    Largimi i institucioneve serbe nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut mund të përcillet kështu

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Ultimatumi 2-javor për largimin e institucioneve të Serbisë nga ndërtesa komunale në Mitrovicë të Veriut, po shihet si i rrezikshëm nga njohës të çështjeve të sigurisë, pasi fare lehtë mund të ketë tensione në veri. Megjithatë, vlerësohet se vendimet nuk duhet të merren pa koordinim me ndërkombëtarët.

    Rreth 10 ditë u kanë mbetur institucioneve ilegale serbe në Mitrovicë të Veriut që t’i lirojnë zyrat në objektet që i takojnë komunës.

    Por, largimi i tyre, sipas njohësve të sigurisë, lë përsëri hapësirë për deeskalim të situatës në Veri.

    “Probabiliteti është mjaft i lartë që do të kemi tensione, do të kemi rezistencë të grupeve kriminale të mbështetura nga Beogradi zyrtar, përmes strukturave të sigurisë së tyre, e që është edhe qëllimi që të mos kemi institucione të republikës së Kosovës në veri të vendit, qoftë të nivelit lokal apo qendror”.

    Ani pse kërkesa për lirimin e objektit vlerësohet të jetë legjitime, sipas politologut Fidan Ukaj, nuk do duhej të bëhet në këtë momentum.

    “N’momentumin e caktuar ose në momentumin më të volitshëm që vlerësohet se mund të jetë për lirimin e këtij objekti në bashkëveprim me ndërkombëtarët edhe ky objekt komunal të lirohet dhe të shfrytëzohet për nevoja komunale”.

    Por çfarëdo që të ngjajë atje, sipas njohësve të fushës, Policia është e gatshme dhe ka kapacitete të reagojë, veçse vendime të tilla thonë se nuk duhet të merren pa koordinim me ndërkombëtarët.

    Në vazhdën e takimeve në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, Kryeministri Albin Kurti e presidenti serb Aleksandër Vuqiq, pritet të takohen gjatë muajit shtator.

  • Kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për verfikimin e “dëshimitarëve katolikë”

    Kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për verfikimin e “dëshimitarëve katolikë”

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim për verifikimin e pretendimeve rreth dëshmitarëve të krishterë kundër Hashim Thaçit. Avokati i tij, Gregory Kehoe, sipas ZPS-së, ende nuk ka paraqitur asnjë parashtresë me shkrim. Por kjo, sipas juristëve të licencuar nga Gjykata Speciale, nuk duhet të paraqet pengesë për ndërmarrjen e veprimeve nga ZPS-ja në drejtim të verifikimit të dyshimeve të ngritura nga raportimet në media, se kishte persona që kërkonin dëshmitarë të krishterë kundër Thaçit me arsyetimin se mund të jenë më të besueshëm.

    Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ende nuk ka paraqitur kërkesë me shkrim në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, rreth pretendimeve për dëshmitarët e krishterë.

    Avokati Gregory Keohe para dy javësh paraqiti shqetësimet e tij në seancë publike, pretendimet e paraqitura në media lidhur me kërkimet për të siguruar dëshmitarë katolikë kundër Hashim Thaçit, por Prokuroria i tha mbrojtjes që ankesën ta parashtrojë me shkrim.

    Por të hënën, ZPS-ja nuk komentoi nëse do të nisë procedura hetimore për t’i vërtetuar këto pretendime.

    Aktualisht, nuk ka asnjë parashtresë publike me shkrim nga avokati mbrojtës i ish-presidentit Thaçi.

    Megjithatë, avokati i licencuar nga Dhomat e Specializuara thotë se në këtë rast duhet të veprojë Zyra e Prokurorit të Specializuar, pasi, sipas tij, nëse vërtetohen pretendimet, ato paraqesin vepër penale. 

    Sipas tij, besueshmëria e dëshmitarëve është thelbësore për të pasur një proces të drejtë gjyqësor.

    Gjykimi për krime lufte ndaj Thaçit e të tjerëve nisi në prill të këtij viti, ndërsa deri tash janë dëgjuar më shumë se 10 dëshmitarë të ZPS-së, shumica e të cilëve në seanca të mbyllura për publikun.

     

  • “Kosova s’ është shtet”, përplasen Kurti e Brnabic në Bled

    “Kosova s’ është shtet”, përplasen Kurti e Brnabic në Bled

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ndaj deklaratës së homologes së tij serbe, Ana Brnabiq, e cila në panelin e mbajtur në Forumin Strategjik të Bledit, ka thënë se ekziston vetëm një shtet dhe jo dy, pasi, sipas saj, Kosova nuk është e njohur ndërkombëtarisht. Veç polemikave të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në këtë forum është diskutuar edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe integrimin e shteteve, me ç’rast liderët e Shqipërisë dhe Malit të Zi patën kritika në BE-në.

    Gjatë punimeve të Forumit Strategjik të Bledit, të mbajtur në Slloveni, në një pjesë të fjalimit të tij, kryeministri Albin Kurti foli për hapat që ka ndërmarrë Kosova për deeskalimin e situatës në Veri.

    “Ne kemi nevojë për deeskalim, duhet t’i zbusim tensionet, janë bërë diku dy muaj tani që në veri të Kosovës nuk ka pasur protesta të dhunshme, apo incidente. Ne e kemi ulur dy herë nga 25% prezencën e Policisë së Kosovës në objektet komunale dhe po shikojmë të kemi zgjedhje të parakohshme në komunat veriore.”

    Mirëpo, fraza “normalizimi i raporteve mes dy shteteve”, nuk u prit fare mirë nga kryeministrja serbe, Ana Brnabic. Sipas saj, nuk bëhet fjalë për dy shtete, por vetëm një, atë të Serbisë.

    “Për mua është një shtet, nuk janë dy shtete. Kosova nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Dyshoj të jetë pjesë e BE-së, derisa ka pesë vende që nuk e njohin. Normalizimi është në interes të serbëve e shqiptarëve. Normalizimi fillon me marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar në prill të 2013-ës, si marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. E vetmja gjë që Prishtina duhet të bënte bazuar në atë marrëveshje është themelimi i Asociacionit. Zotëri Kurti thotë se për të, ajo marrëveshje nuk ekziston.”

    Por ndaj deklaratës së Brnabiq ka reaguar menjëherë kryeministri kosovar.

    Ndonëse, moderatori ia dha vetëm dhjetë sekonda kohë për replikë, Kurti gjatë kundërpërgjigjes ia përmendi homologes së tij realitetin e fantazinë, deklaratë kjo e cila edhe u duartrokit në sallë.

    “Mbështetja e Kosovës për BE-në është 95 për qind, në Serbi është 45 për qind. Ne kemi vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, Serbia nuk është duke menduar për këtë. Ata nuk e kanë distancuar veten e tyre as nga Millosheviqi, as nga Putini. Nuk është e lehtë për ne. Unë dua që t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe do ta bëja këtë menjëherë, p.sh., nëse fqinji im do të ishte Republika Çeke. Mund të ndodhë, por, normalizimi në psikologji do të thotë mungesa e konfuzionit mes realitetit dhe fantazisë dhe ky është një regjistër tjetër ku unë nuk mund të kontribuoj, për fat të keq.”

    Përveç situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në panelin e diskutimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, është folur edhe për integrimin në Bashkimin Evropian të shteteve të rajonit. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.

    Megjithatë, liderët e vendeve të Ballkanit patën kritika sa i takon procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Jam shumë i kënaqur të shoh liderë, politikanë që flasin njësoj, si në darkë si para forumit. Jo që do jemi pjesë e BE-së në 2030, por së paku në disa prej hapave, kjo do ishte e mirë derisa flasim për konvergjencën e BE-së. Që prej momentit që këto shtete kanë hyrë në rrugëtimin evropian, e derisa të bëhen anëtare, duhet të ketë gjëra të ndërmjetme. Jo vetëm reforma dhe kritika që janë po aq të rëndësishme, por edhe një mbështetje më konsistente dhe nuk po them vetëm financiarisht, por në kuptimin e qasjes së vendit tonë në tregun e përbashkët dhe një hapësirë më të lirë për ndërmarrjet tona.”

    “Ne jemi shteti i diellit dhe i qejfit, nuk kemi problem me askënd dhe lufta kundër korrupsionit e krimit po shkon mirë. Ndonjëherë liderët e BE-së nuk e dinë se çfarë po kërkojnë. Ne e dimë se çfarë po kërkojmë: ne duam të bëhemi pjesë e BE-së, sa më shpejt që është e mundur. Unë nuk jam shumë i sigurt se ndonjëherë udhëheqësia e BE-së e di çfarë po kërkon.”

    Qëllimi i Forumit Strategjik të Bledit është të inkurajojë pjesëmarrësit, që vijnë nga fusha e diplomacisë, politikës, ekonomisë të diskutojnë dhe të shkëmbejnë mendime për të gjetur zgjidhje për sfidat rajonale dhe globale.

  • Nisin adoptimet e para të qenve endacakë në Prishtinë

    Nisin adoptimet e para të qenve endacakë në Prishtinë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Janë bërë publike adoptimet e para të qenve endacakë dhe kontrata për adoptimin e këtyre kafshëve. Nga 25 qen endacakë të gatshëm për adoptim, dy prej tyre kanë shprehur gatishmëri t’i adaptojnë dy qytetarë. Mirëpo, sipas qytetarëve, vendimi i Komunës nuk është zgjidhje e mirë.

    Vetëm dy qytetarë kanë nënshkruar kontratë me Komunën e Prishtinës, për adoptimin e qenve endacakë.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me këtë rast ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të kujdesen për kafshët.

    “Jemi me dy adoptues të qenve endacakë që janë ofruar. Kontratën e kemi të gatshme, kontrata ka përgjegjësi edhe nga ana e kryeqytetit, por edhe për ata që adoptojnë qentë endacakë. Është kontratë e dyanshme me përgjegjësi të dyanshme”.

    Mirëpo, pavarësisht që ky është vendim i Komunës së Prishtinës, për qytetarët nuk është zgjidhje.

    “Kategorikisht jam kundër kësaj, duhet diçka ma humane për qentë jo në këtë mënyrë”.

    “Problemi nuk zgjidhet duke bo kontraktime me kompani të palicencuara, pa transparencë, duke e shkelë ligjin, hapësirat po krijohen duke i keqpërdorur fondet e duke i keqtrajtuar qentë”.

    Edhe avokati Arianit Koci, i cili njihet si aktivist për mbrojtjen e qenve endacakë, ka thënë se zyrtarët komunalë në bashkëpunim me AUV-in, nuk kanë bërë zgjidhje të duhur.

    “Kam biseduar edhe me zyrtarë komunalë, edhe me AUV-in, po luajnë pingpong sa i përket përgjegjësisë, nuk është zgjidhje e duhur”.

    Mirëpo, për këtë vendim vazhdon të arsyetohet Komuna e Prishtinës. Sipas drejtorit të sigurisë dhe emergjencave, kjo është e vetmja zgjidhje aktualisht.

    “Problemi me qentë nuk mund të themi se po zgjidhet plotësisht, mirëpo zgjidhje tjetër nuk kemi në krahasim me numrin e madh te tyre”.

    Qendra për Trajtimin e kafshëve aktualisht ka kapacitet për trajtimin dhe mbajtjen e 25 qenve, mirëpo sipas të dhënave të organizatave që merren me të drejtat e kafshëve, vetëm në Komunën e Prishtinës janë mbi 3 mijë qen endacakë.

     

     

  • Edhe cigaret elektronike ndalohen në ambiente të mbyllura

    Edhe cigaret elektronike ndalohen në ambiente të mbyllura

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Pas ndryshim-plotësimit të Ligjit për kontrollin e duhanit në të është përfshirë edhe ndalimi i konsumimit të cigareve elektronike të ambiente të mbyllura. Si rrjedhojë inspektorati sanitar në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kishte shqiptuar numër të madh gjobash.

    Pavarësisht se ndalohet me ligj, duhanpirja lejohet pothuajse në çdo hapësirë të brendshme të lokaleve në Kosovë.

    Por muaj më parë me plotësim-ndryshimin e ligjit në të është përfshirë edhe ndalesa për konsum të cigareve elektronike në ambiente të mbyllura.

    Rrjedhimisht, inspektorati sanitar në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe veterinarisë në vetëm gjashtëmujorin e parë të këtij viti kishte shqiptuar numër të madh gjobash.

    Me numrin më të madh të dënimeve prinë Komuna e Prishtinës me 149 gjoba.

     

  • Komuna e Lipjanit nuk po ua mbulon udhëtimin nxënësve

    Komuna e Lipjanit nuk po ua mbulon udhëtimin nxënësve

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Njëri prej premtimeve tw kryetarit të komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti qysh gjatë fushatës parazgjedhore, ishte edhe mbulimi shpenzimeve të udhëtimit për nxënësit e shkollave të mesme të larta. Por, ndonëse viti shkollor po afrohet, komuna nuk e ka në plan ta jetësojë këtë premtim, pasi nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

    Isuf Fazliu nga Gumnasella e Lipjanit, këtë vit pret që ta regjistroi të birin në shkollë të mesme.

    Por ai thotë se do të ishte më e lehtë për të nëse shpenzimet e udhëtimit të nxënësve deri në shkollë do ua paguante komuna, ashtu siç kishte premtuar në fushatë parazgjedhore kryetari i tanishëm, Imri Ahmeti.

    “Kryetari Ahmeti këtë premtim e ka bërë dhe është lehtësim i madh për prindërit, nuk është mirë mos me realizu premtimin”.

    Por sido të jetë, ky premtim mbetet i parealizuar, madje edhe për një kohë.

    “Akoma nuk kemi hy në këtë agjendë, mendojë që është një shpenzim goxha i madh edhe buxhetin nuk e kemi të mjaftueshëm për të bërë këtë shpenzim”.

    Sidoqoftë, paratë e planifikuara për këtë, ka një tjetër plan se ku do i investoj.

    “Duket që këto mjete që janë të planifikuara për transport për nxënësit e shkollave të mesme do ti dedikojmë vitin e ardhshëm për blerjen e teksteve shkollore meqenëse qeveria është e pa zonja me iu ble fëmijëve tanë libra, ne do t’i blejmë vetë si komunë vitin e ardhshëm”.

    Sipas organizatave që monitorojnë qeverisjen lokale, kryetari Ahmeti në fushatë zgjedhore kishte bërë 61 premtime, nga të cilat gjysma ende nuk kanë filluar së realizuari.