ATV

Author: ATVLive

  • ​Spanja dhe Portugalia përballen me ndërprerje të gjerë të rrymës

    ​Spanja dhe Portugalia përballen me ndërprerje të gjerë të rrymës

    Një ndërprerje e gjerë e rrymës goditi Spanjën dhe Portugalinë rreth mesditës së hënës, ndërsa shkaqet mbeten ende të panjohura, shkruan agjencia turke e lajmeve Anadolu.

    E përditshmja spanjolle El Pais raportoi për ndërprerje të mëdha të udhëtimeve, me aeroporte, trena, metro dhe semaforë të prekur nga ndërprerja e energjisë.

    Edhe bizneset janë goditur rëndë dhe të paktën disa rafineri nafte janë mbyllur.

    Autoritetet po hetojnë shkaqet e ndërprerjes. Instituti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike i Spanjës po shqyrton gjithashtu nëse një sulm kibernetik mund të jetë përgjegjës.

    Furnizuesi kombëtar i energjisë elektrike në Spanjë tha se po punon për të rikthyer shërbimin.

    Më shumë se 40 minuta pas ndërprerjes fillestare, pjesë të mëdha të Spanjës mbeten ende pa energji elektrike.

    Edhe komunikimi është ndërprerë, me shërbimet telefonike që raportohet se kanë rënë, megjithëse rrjetet 5G funksionojnë në mënyrë të ndërprerë.

  • ​Basketbollistja kosovare nis aventurën në SHBA

    ​Basketbollistja kosovare nis aventurën në SHBA

    Basketbollistja premtuese Yllza Ukaj, pas shumë viteve me Junior 06 Moni Bau, ka vendosur të vazhdojë rrugëtimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo rrëfen se ëndrra për të luajtur në SHBA nisi vite më parë, ndërsa falë mbështetjes së familjes dhe trajnerëve, arriti ta realizojë.

    Yllza tregon se largimi nga Kosova dhe shoqet e fëmijërisë ishte i vështirë, por përvoja e re i dha edhe më shumë motivim. Ajo thekson ndryshimet e mëdha mes dy sistemeve, sidomos në kushtet dhe zhvillimin e sportistëve.

    Përkundër mallëngjimit për familjen dhe miqtë, Yllza mbetet e vendosur të ndërtojë një karrierë të suksesshme në Evropë dhe të përfaqësojë Kosovën me krenari. Ajo u dërgon një mesazh të gjitha vajzave të reja: “Mos ndalni kurrë së ndjekuri ëndrrën tuaj, pavarësisht pengesave.”

  • Lansohen 8 shërbime të reja në e-Kosova, në mesin e tyre edhe certifikata e bashkësisë familjare

    Lansohen 8 shërbime të reja në e-Kosova, në mesin e tyre edhe certifikata e bashkësisë familjare

    Përditësime të reja janë bërë në kuadër të administratës në Kosovë.
    Tetë shërbime të reja janë lansuar në kuadër ët platformës e-Kosova.

    Në njoftim thuhet se në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrit Civil ( ARC), në platformën e-Kosova u lansuan këto tetë shërbime në kuadër të kategorisë “gjendja civile, transmeton lajmi.net.

    1.Certifikata e vendbanimit

    http://ekosova.rks-gov.net/623;

    2.Cerifikata e shtetësisë

    http://ekosova.rks-gov.net/624;

    3.Certifikata mbi statusin martesor

    http://ekosova.rks-gov.net/625;

    4.Certifikata e bashkësisë familjare

    http://ekosova.rks-gov.net/626;

    5.Certifikata e vendbanimit për anëtarë të familjes

    http://ekosova.rks-gov.net/627;

    6.Certifikata e shtetësisë për anëtarë të familjes

    http://ekosova.rks-gov.net/628;

    7.Certifikata mbi statusin martesor për anëtarë të familjes

    http://ekosova.rks-gov.net/629;

    8.Certifikata e bashkësisë familjare për anëtarë të familjes

    http://ekosova.rks-gov.net/630;

    Platforma e shërbimeve elektronike eKosova

  • ​Myslimanët francezë në protesta, ndërsa arrestohet i dyshuari për vrasjen në xhami

    ​Myslimanët francezë në protesta, ndërsa arrestohet i dyshuari për vrasjen në xhami

    Liderët myslimanë të Francës kanë thënë se duhet të bëhet më shumë për të kundërshtuar urrejtjen anti-myslimane në Francë, pas arrestimit të një burri të dyshuar për therje dhe vrasje të një besimtari të ri brenda një xhamie në një fshat në jug të vendit, shkruan The Guardian.

    Olivier A, 21 vjeç, një shtetas francez i lindur në Lion, iu dorëzua policisë në Itali të dielën pas tre ditësh në arrati, njoftuan prokurorët francezë të hënën në mëngjes.

    Ai dyshohet për vrasjen e Aboubakar Cissé, 22 vjeç, një burrë malian që ishte duke u trajnuar në Francë si zdrukthar dhe punonte si vullnetar në xhaminë e La Grand-Combe në juglindje të Francës.

    Olivier A dyshohet se ka hyrë në xhami të premten në mëngjes dhe ka therur Cissé-n disa herë. Ai dyshohet se ka filmuar viktimën e tij në agoni me një telefon mobil. Në pamjet, një burrë mund të dëgjohet duke e përgëzuar veten, duke thënë: “E bëra” dhe duke sharë Allahun, përcjell KosovaPress.

    Cissé kishte shkuar në xhami vetëm herët të premten në mëngjes për të lutur. Trupi i tij u gjet kur besimtarët filluan të vinin më vonë atë mëngjes për lutjet. Ngjarja në këtë fshat të provincës franceze ka shkaktuar tronditje, duke e bërë presidentin Emmanuel Macron të thotë se nuk ka vend për urrejtjen fetare në shoqërinë franceze dhe kryeministrin François Bayrou të dënojë një krim “islamofobik”.

    Mohammed Moussaoui, kreu i Këshillit Mysliman të Francës, i tha radios France Info: “Një shumicë e madhe myslimanësh në Francë ndihen se urrejtja anti-myslimane nuk merret aq seriozisht sa urrejtjet e tjera”. Ai tha se myslimanët janë “të shqetësuar dhe të brengosur” për klimën aktuale dhe pyeti pse nuk ishte hapur një hetim për terrorizmin në këtë rast.

    Abdelkrim Grini, prokurori shtetëror në qytetin e jugut të Alès, i tha BFMTV-së të hënën se sulmuesi i dyshuar ishte drejtuar në një stacion policie italian afër Firences rreth orës 11:30 të së dielës në mbrëmje.

    Ai tha: “E dinim që ai kishte lënë Francën… Ishte vetëm çështje kohe që ta kapnim. Dyshuari nuk kishte mundësi tjetër përveçse të dorëzohej.”

    Grini tha se një “motiv anti-mysliman ose islamofobik” ishte pista kryesore në hetim, duke pasur parasysh natyrën e krimit dhe faktin se një besimtar ishte bërë shënjestër gjatë lutjes brenda një xhamie.

    Ai tha se kishte gjithashtu elemente të tjera në hetim që mund të sugjeronin se dyshuari kishte një “fascinim me vdekjen” dhe kishte dashur të vriste dhe “të njihej si një vrasës serial”.

    Ibrahim Cissé, kushëriri i Aboubakar Cissé, i tha Le Parisien të dielën: “Kushëriri im u bë shënjestër sepse ishte mysliman”. Ai tha se e konsideronte krimin si një akt terrorizmi: “Ishte i parapërgatitur, personi e dinte se shkoi për të vrarë dikë në një xhami… Për ne, Aboubakar është viktima e një sulmi terrorist”.

    I dyshuari mendohet të ketë qenë i papunë dhe të ketë jetuar në La Grande-Combe. Grini tha: “Ai ishte dikush që ka mbetur jashtë radarëve të sistemit të drejtësisë dhe policisë”.

    Në La Grand-Combe, më shumë se 1,000 njerëz u mblodhën të dielën për një marshim të heshtur në kujtim të viktimës, duke u nisur nga xhamia Khadidja, ku ndodhi therja, deri në bashkinë e qytetit.

    Abdallah Zekri, rektori i një xhamie në Nîmes, dënoi klimën islamofobike në Francë. Disa qindra njerëz gjithashtu u mblodhën në Paris të dielën për të protestuar kundër islamofobisë.

    Macron shkroi në rrjetet sociale të dielën për të shprehur mbështetje për familjen dhe “për shokët tanë myslimanë”. Ai postoi në X: “Racizmi dhe urrejtja bazuar në fenë nuk do të kenë kurrë vend në Francë”.

    Qeveria franceze ka urdhëruar policinë të forcojë sigurinë në xhami në të gjithë vendin.

  • Arabia Saudite thotë se organizimi i shkuarjes në haxh për besimtarët myslimanë të Kosovës i takon vetëm BIK-ut

    Arabia Saudite thotë se organizimi i shkuarjes në haxh për besimtarët myslimanë të Kosovës i takon vetëm BIK-ut

    Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se Myftiut Naim Tërnava ka marrë një letër nga Ministri i Ministrisë së Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite, Teufik bin Feuzan bin Rebiah, i cili ka njoftuar se organizimi i shkuarjes në haxh i takon vetëm BIK-ut.

    Në njoftim thuhet se nëse një gjë e tillë nuk zbatohet, atëherë do të ketë gjoba dhe ndalim hyrje në Arabinë Saudite.

    “Në këtë letër thuhet se Këshilli i Lartë i Dijetarëve të Mbretërisë së Arabisë Saudite, ka nxjerrë një fetva drejtuar të gjithë myslimanëve për ndalesën e kryerjes së haxhit pa leje, kjo me qëllim të realizimit të objektivave të së mirës së përgjithshme dhe të mos dëmtimit të haxhilerëve të rregullt”.

    “Ai ka njoftuar se në rast të mos zbatimit të kësaj fetvaje, do të ketë pasoja me gjobë për të gjithë ata që tentojnë të kryejnë haxhin pa leje, si dhe ndalim të hyrjes në Mbretërinë e Arabisë Saudite për një afat të pacaktuar”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

  • ​Përmes muralit “7 të rënët” kërkohet të jetë prioritet shëndeti dhe siguria në punë

    ​Përmes muralit “7 të rënët” kërkohet të jetë prioritet shëndeti dhe siguria në punë

    Në Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Prishtinë afër hapësirave të stacionit të trenit është shpalosur murali “7 të rënët”. Ky mural është përpjekje për të nderuar shtatë punëtorët e rënë në vendin e punës vitin e kaluar, dhe për të ngritur vetëdijen për rëndësinë e kushteve të sigurta dhe të shëndetshme në punë, raporton KosovaPress.

    Murali është realizuar në kuadër të projektit “përtej punësimit” nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) dhe mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Kosovë dhe Frederich Elbert Stiftung.

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund tha se ky mural është rikujtim për institucionet, punëdhënësit dhe punëtorët se shëndeti në punë është prioritet.

    Ai tha se edhe shteti suedez ka dhënë kontributin e tij për sigurinë në punë në Kosovë.

    “Edhe pse në Kosovë numri i të vdekurve në vendin e punës ka rënë çdo jetë e humbur tregon se jeta është vlefshme. Ky mural prapa meje nuk është vetëm një atribut po ashtu edhe një rikujtim për institucionet, punëdhënësit, punëtorët që shëndeti në punë është prioritet…. Ky mural në një vend publik është pjesë për një të bërë një vëmendje më të madhe sigurisë së shëndetit në punë. Ne shpresojmë që ky mural do të jetë një kujtim për gjithë Kosovën që punojnë drejt të drejtave të barabarta për të gjithë”, tha ai.

    Drejtori i Qendrës për Politika dhe Avokim (QPA), Milaim Morina tha se referuar shifrave të këtij fillim viti gjendja është shqetësuese.

    Sipas tij vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025 në vendin e punës kanë vdekur 3 punëtorë, ndërsa janë lënduar afër 90.

    “Edhe këtë vit gjendja është po ashtu shqetësuese kemi afër 90 aksidente në vendin e punës, 3 punëtorë kanë humbur jetën në këta tre muajt e parë të këtij vit. Ne u bëjmë thirrje institucioneve publike, gjithë punëdhënësve që të kenë dialog sa më konstrukitv”, tha ai.

    Menaxheri i programit në Frederich Elbert Stiftung, Egzon Osmani theksoi se ky mural është thirrje për reagim dhe ofrim të sigurisë në vendin e punës.

    “Murali ‘7 të rënët’ është një akt kujtese dhe revolte për shkak se 7 punëtorët që kanë dhënë jetën vitin e kaluar në vendin e punës do të duhej të ishin të sigurt… bëjmë thirrje që ky mural të jetë një kujtesë e përhershme dhe e përditshme se siguria në punë nuk është luks, por është një e drejtë themelore. Punëtorët nuk duhet të rrezikojnë për ta siguruar jetën dhe bukën e gojës”, tha ai.

    Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë mbahet çdo vit më 28 prill.

    Kjo ditë u iniciua për të promovuar dhe diskutuar rëndësinë e të pasurit një mjedis pune të sigurt dhe të shëndetshëm, raporton KosovaPress.

    Të dhënat tregojnë se vdekjet që kanë ndodhur si pasojë e aksidenteve në punë janë 19% globalisht./kp

  • ​“Koha po e rëndon dhimbjen”, sfidat e familjarëve që kërkojnë të zhdukurit

    ​“Koha po e rëndon dhimbjen”, sfidat e familjarëve që kërkojnë të zhdukurit

    Si simbol i qëndresës por edhe i luftës për të vërtetën, u kujtua të hënën Bajram Çerkinaj i cili ishte kryetar i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur. Ai vdiq këtë vit, pa ditur asgjë për fatin e djalit të tij të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se po përballen me sfida për identifikimin e personave të zhdukur.

    Në shënimin e Ditës Kombëtare për Personat e Zhdukur, u bë e ditur se gjatë këtij viti u janë dorëzuar familjeve mbi 20 mbetje mortore për rivarrim.

    Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se po përballen me sfida për identifikimin e personave të zhdukur me forcë.

    “E para, mungesa e informacioneve të besueshme apo informacioneve kredibile që për ne si Komisioni Qeveritar, nënkupton një mungesë të gatishmërisë për bashkëpunim nga pala serbe nga institucionet e Beogradit. Sidomos me mungesën e gatishmërisë për të vënë në funksion ose për të ofruar qasje në dokumentet kyçe. Rrjedhimisht kjo pengon thellësisht zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Krahas të parës, sfidë që mbetet po ashtu edhe sfida e madhe e që rëndon çdo ditë mbi shpresën është faktori kohë. Siç e thoshte baca Bajram: plakja si proces nuk po e shuan dhimbjen për ata që na mungojnë”, deklaroi Gara.

    Ai tha se që nga paslufta, brenda territorit të Kosovës janë gërmuar më shumë se dy mijë lokacione.

    “Vetëm gjatë këtij viti, përkundër kushteve të papërshtatshme të cilat nuk preferoheshin që të jenë ditë të angazhimit por kemi katër lokacione të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues. Duke filluar me një lokacion në komunën e Malishevës, një lokacion në komunën e Podujevës në të cilën ka rezultuar me mbetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore minimumi të një personi apo indidividi, duke rezultuar pastaj me një lokacion në komunën e Prishtinës dhe një në komunë të Klinës… Vetëm gjatë këtyre katër muajve, familjeve u janë dorëzuar për rivarrim mbetjet mortore, kufomat apo eshtrat e 25 viktimave”, shtoi ai.

    Baki Svirca nga Ministria e Drejtësisë tha se strategjia për drejtësi tranzicionale i ka në fokus personat e pagjetur.

    “Pas shumë diskutimeve, konsultimeve, debateve edhe analizave që janë bërë, në qershor të vitit të kaluar ne kemi arritur ta miratojmë strategjinë, më 13 qershor. Dhe në këtë dokument, një prej fokuseve themelore apo baza ose vëmendja janë edhe personat e pagjetur. Mbi këtë bazë unë do t’i përshkruaj disa aktivitetet, veprimet ose nevojat që strategjia i parasheh në raport me të drejtat e personave të pagjetur. Fillimisht, strategjia është edhe platformë dhe dokument strategjik i cili ka identifikuar nevojat duke u bashkërenduar me institucionet që merren me këtë fushë”, përfundoi ai.

    Mërgim Memoviq nga Qendra Burimore për personat e zhdukur tha se koha po e rëndon dhimbjen.

    “Për neve si qendër burimore kjo datë sot është edhe më e vështirë për ta përkujtuar sepse sot nuk e kemi shtyllën e organizatës tonë, por jo vetëm nuk e kemi figurën që e ka nisur këtë çështje në vitin 1998 e tutje e që fatkeqësisht nuk gjendet më në mesin tonë, po flasim për bacën Bajram Çerkinaj. Një figurë e cila u bë simbol i qëndresës por edhe i luftës për të vërtetën, baca Bajram bashkë me urtësinë e tij por edhe vendosmërinë e tij gjithmonë ishte në ballë të kësaj beteje duke mos u ndalur asnjëherë edhe për shkak të moshës së shtyrë deri në frymën e fundit. Baca Bajram nuk e jetoi jetën vetëm me dhimbjen e tij personale, që ka shkuar edhe pa ditur fatin e djalit të tij, por edhe me dhimbjen e mijëra familjeve”, tha ai.

    Në adresimin e familjarëve, Negovan Mavriq tha se nga institucionet duhet të kërkohet që fati i të zhdukurve të zbardhet.

    “Një njeri i cili nuk ka luftuar vetëm për djalin e vet, jo vetëm për shqiptarët por nuk i ka ndarë njerëzit me përkatësi etnike. Dhe jemi falënderues që ka ndërtuar një qendër burimore ku lirshëm mund të kërkojnë të gjithë për personat e zhdukur…. 1600 familje i kemi të cilët kërkojnë për më të dashurit e tyre dhe nuk e dinë për fatin e tyre dhe për këtë arsye jemi këtu që të kërkojmë nga institucionet edhe këtu edhe në Beograd dhe gjithkund që fati i të zhdukurve të zbulohet. Prindërit janë duke vdekur, familjet janë duke vdekur dhe nuk e dinë fatin e më të dashurve”, u shpreh ai.

    Gordana Dikanoviq nga organizata “Viktimat e Kosovës”, theksoi se vitet po kalojnë por pa zgjidhje për personat e zhdukur me forcë.

    “Familjet e 1600 personave të zhdukur këtu në Kosovë nga komunitete të ndryshme etnike, nuk mund të flas në emrin e të gjithëve por e ndajmë një dhimbje… shumë vite po kalojnë, nuk ka zgjidhje. Prindërit po shkojnë, bashkëshortet po shkojnë pa e kuptuar për fatin e tyre… Kur flisni për personat e zhdukur, kur mendoni për personat e zhdukur të mendoni për të gjitha viktimat”, shtoi ajo.

    Në Kosovë mungojnë mbi 1.600 persona të zhdukur me dhunë nga focat serbe gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.

  • Punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, reagon Policia

    Punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, reagon Policia

    Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë bëri të ditur se prezenca e zyrtarëve policorë në sheshin “Xhorxh Bush” sot ishte në asistim të Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, për aktivitete të planifikuara në kuadër të punës sekondare, aktivitete këto që nuk ndërlidhen me asistimin e kryerjes se punimeve në atë zonë.

    “Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera.

    Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga Policia e Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin.​

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje institucionale në përputhje me ligjin dhe për të garantuar sigurinë publike, duke respektuar gjithmonë kufijtë e kompetencave të saj”, thuhet në reagimin e Policisë.

  • ​Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të ngadalësohet në vitin 2025

    ​Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të ngadalësohet në vitin 2025

    Banka Botërore ka parashikuar se norma e përbashkët e rritjes ekonomike e Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të arrijë në 3.2% në vitin 2025, që paraqet një ndryshim me 0.5 pikë përqindje më pak nga parashikimi i mëparshëm.

    Derisa rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.5% në vitin 2026, raporton KosovaPress.

    Kështu vlerëson Raporti i Rregullt Ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, duke bërë me dije se rritja ekonomike në Ballkan parashikohet të ngadalësohet me ritëm të moderuar në vitin 2025, për shkak të kërkesës së jashtme më të ulët si dhe pasigurisë ekonomike të krijuar si rezultat i ndryshimeve që po ndodhin në politikat tregtare globale, të cilat mund të ndikojnë në besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve.

    “Ne po vërejmë disa tendenca pozitive ekonomike në Ballkanin Perëndimor, të cilat nxjerrin në pah qëndrueshmërinë e rajonit dhe mund të mbështesin rritjen solide të tij. Inflacioni më i ulët dhe rritja e pagave mbështesin konsumin, ndërsa investimet publike po rriten”, ka thënë Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor duke shtuar se nga ana tjetër, po vërejnë rritje të pasigurisë së brendshme në disa nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

    “Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian dhe pasiguritë në rritje në tregtinë globale gjithashtu mund të ndikojnë negativisht perspektivën e rritjes ekonomike të rajonit”, tha tutje Xiaoqing Yu.

    Sipas këtij raporti pasiguria në tregtinë globale ka gjasë të prekë Ballkanin Perëndimor, kryesisht si rrjedhojë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në zonën e euros. Ky ngadalësim sipas raportit mund të zvogëlojë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe investimet dhe dërgesat.

    “Raporti sugjeron se strategjitë më efikase për ruajtjen e stabilitetit ekonomik gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike janë diversifikimi i burimeve të rritjes dhe rinovimi i agjendës së reformave strukturore. Masat kryesore përfshijnë eliminimin e barrierave në tregun e punës – përfshirë ato që prekin gratë – forcimin e integrimit ekonomik rajonal, përmirësimin e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e konkurrencës në treg për të nxitur produktivitetin dhe mbështetur rritjen ekonomike afatgjatë”, thuhet tutje.

    Veç kësaj, në raport thuhet se përshpejtimi i zbatimit të reformave të anëtarësimit në BE nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor – siç janë anëtarësimi në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe vendosja e “korsive të gjelbra” për të përmirësuar tregtinë ndërkufitare – mund të nxisin rritjen e mëtejshme të besimit të biznesit, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës.

    “Raporti thekson gjithashtu, se si rritja e temperaturave dhe ngjarjet ekstreme të motit, shoqëruar me kalimin drejt një ekonomie me nivele të ulëta karboni, po riformësojnë modelet sektoriale të punësimit në rajon, që kërkon përshtatje të konsiderueshme të forcës së punës. Reformimi i sistemeve të mbrojtjes sociale dhe shërbimeve të punësimit duhet të jetë prioritet për të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Kjo do t’i ndihmonte forcat e punës në këto vende të përballojnë ndikimet negative të shkaktuara nga ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet, thatësirat dhe zjarret, si dhe për të qenë të përgatitura për mundësi të reja punësimi si rezultat i tranzicionit të gjelbër”, thuhet në raport.

    Forcimi i sistemeve të mbrojtjes së të ardhurave nga puna për t’iu përgjigjur goditjeve ndaj punësimit dhe përmirësimi i fleksibilitetit të sistemeve të mbrojtjes sociale sipas këtij raporti do të ndihmonte në parandalimin e rënies së individëve në varfëri.

    Gjithashtu, raportoi bënë me dije se rikualifikimi i punëtorëve për punë të gjelbra do të ndihmonte për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje për aftësi, duke nxitur produktivitetin dhe rritjen ekonomike.

  • ​Italia mban rekordin më të lartë në BE për viktimat e asbestit

    ​Italia mban rekordin më të lartë në BE për viktimat e asbestit

    Rreth 7 mijë viktima të asbestit janë shënuar vitin e kaluar në Itali, ndërkaq 60 mijë në 10 vjet, raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA.

    Italia, duke e kaluar Gjermaninë dhe Francën, ka rekordin evropian për vdekjet nga mezotelioma, sëmundja e padukshme.

    Më shumë se 200 mijë janë vdekjet nga sëmundjet e lidhura në botë – të dhëna të zbuluara me shqetësim nga Kombet e Bashkuara, që sipas Observatorit Kombëtar të Asbestit mund të jenë nënvlerësuar, sepse nuk përfshijnë shtetet “të paafta” që nuk raportojnë dhe regjistrojnë rastet e sëmundjeve dhe vdekjeve nga asbesti, si dhe vdekjet nga ekspozimi mjedisor.

    Sot është dita për të kujtuar viktimat e kësaj substance dhe Ezio Bonanni, president i Observatorit Kombëtar të Asbestit tha “kemi pasur 7 mijë vdekje vetëm në vendin tonë vitin e kaluar, dhe ndalimi global i asbestit që mbjell vdekje është ende një utopi”.

    “Këto janë shifra që nuk i takojnë të kaluarës. Janë fytyra, histori, familje të thyer sot. Shumë nuk e dinin, të tjerë u injoruan. Shumë janë sakrifikuar në emër të fitimit. Nuk është më e pranueshme që të drejtohemi nga lobet e prodhuesve të mineralit vrasës dhe që pastrimi është i ngadaltë, pavarësisht pranimit të qartë nga të gjitha institucionet”, tha ai.

    Mezotelioma malinje është një tumor i rrallë që preku kryesisht burrat.

    Në Itali, ajo përfaqëson 0.8 përqind të të gjitha tumoreve të diagnostikuara tek burrat dhe 0.3 përqind të atyre të diagnostikuara tek gratë.

    Nëntëdhjetë përqind e mezoteliomave janë shkaktuar nga ekspozimi ndaj asbestit, një material që përdorej kryesisht në vitet 1970 dhe 1980.

    Duke qenë se kalojnë disa dekada ndërmjet ekspozimit dhe mundësisë së shfaqjes së mezoteliomës, pritet që numri i diagnozave të vazhdojë të rritet në vitet në vijim, duke arritur një kulm mes dekadës së dytë dhe të tretë të viteve 2000.

    Të gjitha rastet e mezoteliomës raportohet në Regjistrin Kombëtar të Mezoteliomës. Italia ndaloi asbestin në vitin 1992.

    “Por asbesti ende nuk është ndaluar në Itali – shtoi Bonanni.

    “Kjo ditë kombëtare nuk është vetëm një kujtim. Është një thirrje. Një thirrje për përgjegjësi, për pastrim, për drejtësi për viktimat dhe për mbrojtjen e atyre që sot jetojnë, punojnë, studiojnë në vende të kontaminuara. Në këtë ditë, ne kujtojmë viktimat e padukshme të asbestit. Dhe riafirmojmë një angazhim: asnjë fitim më në kurriz të njerëzve. Asnjë heshtje më. Asnjë viktimë më”.

    Shkalla e vdekshmërisë është rreth 93% e rasteve. Çdo vit ka 10 mijë diagnoza të reja, kryesisht burra, për arsye profesionale, punëtorë në fabrika ose zona ushtarake dhe në veçanti në rajonet me rrezikun më të madh. Lombardia, Piemonte, Liguria dhe Lazio përfaqësojnë më shumë se 56% të rasteve të raportuara.

    Sipas statistikave të OBSH-së, ka rreth 125 milionë punëtorë në mbarë botën që ende ekspozohen ndaj substancës kancerogjene, dhe më shumë se 107 mijë që vdesin çdo vit për shkak të asbestit.

    Sa i përket Italisë, në vitin 2024 do të ketë “40 milionë tonë asbest në një milion vende dhe mikrovende, prej të cilave 50 mijë janë industri, dhe 42 me interes kombëtar.

    Situata është edhe më dramatike – shton Observatori – pasi kancerogjeni i rrezikshëm është gjithashtu i pranishëm në ndërtesat e 2,500 shkollave (të vlerësuara për vitin 2023), brenda të cilave ekspozohen më shumë se 352,000 studentë dhe 50,000 nga stafi.

    Për më tepër, 1.500 biblioteka dhe ndërtesa kulturore përfshirë të paktën 500 spitale (të nënvlerësuara sepse hartimi i planit Ona është ende në proces), kanë komponente asbesti në strukturat e tyre dhe sistemet teknike, veçanërisht ato të ngrohjes, energjisë dhe termo-hidraulikës”.