ATV

Author: ATVLive

  • LIVE: Tentimi i tetë për konstituimin e Kuvendit

    LIVE: Tentimi i tetë për konstituimin e Kuvendit

    Deputetët tashmë kanë arritur në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të nisë tentativa e tetë për konstituimin e legjislaturës së re.

    Përkundër përpjekjeve të shumta, gjasat që sot të zgjidhet kryetari i Kuvendit janë minimale.

    E propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka siguruar asnjë votë më shumë sesa 57 që mori në seancat e kaluara – shumë larg 61 të nevojshme për t’u zgjedhur.

    Në mungesë të ndryshimeve në qëndrimet e partive opozitare, sipas informatave të deritashme, edhe ky tentim pritet të përfundojë me ndërprerje të seancës. /ATV/

  • Basha: Do ta votojmë prapë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare

    Basha: Do ta votojmë prapë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare

    Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, rikonfirmoi se sërish do të votojnë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, raporton EO.

    “Pjesa e parë është që ne prapë do të votojmë pro dhe bllokimi vjen nga deputetë që votojnë kundër. E dyta: konstituimi i Kuvendit bëhet me zgjedhjen e kryesisë. Kjo nuk i takon krejt VV-së. Argumenti i opozitës që po thirret se Haxhiu nuk duhet të bëhet kryeparlamentare, për shkak se është përçarëse në thellësi kjo është ofenduese. Haxhiu ka qenë deputete mbi dhjetë vjet, ministre mbi katër vjet dhe nuk e gjeni askund një njollë të vetmë gjatë këtyre viteve”, tha Basha.

  • Si u plagos 31 vjeçari kosovar në Zvicër, policia po e ruan në spital

    Si u plagos 31 vjeçari kosovar në Zvicër, policia po e ruan në spital

    Të shtunën pati rrëmujë dhe zhurmë në Spitalin Kantonal të Badenit. Dhoma e urgjencës atje ruhej nga policia, pasi aty ishte pranuar një person i plagosur, transmeton Inajsderi.

    Në një grindje që shpërtheu të shtunën pasdite në Brugg AG pati të shtëna me armë zjarri dhe për pasojë, një person u plagos. Ndërkohë, Policia është shfaqur edhe në Spitalin Kantonal të Badenit.

    Zona përreth ishte e rrethuar dhe nën mbikëqyrje, transmeton albinfo.ch. Në hyrje të qytetit Brugg AG ka kishte policë me mitralozë.

    Pak më vonë bëhet e qartë: Disa të shtëna u skrepën nga një BMW drejt një makine Skoda në parking, ka shkruar policia kantonale e Aargaut të dielën në mëngjes, shkruan blick.ch. Në Skoda ndodheshin dy persona, njëri prej të cilëve, një kosovar 31-vjeçar, mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital.

    Gjithashtu, të shtunën pati shumë rrëmujë dhe zhurmë në Spitalin Kantonal të Badenit. Dhoma e urgjencës atje ruhej nga policia. Fotot nga një gazetar i Blick tregojnë oficerë policie dhe makina patrullimi.

    Fjala ishte për viktimën e të shtënave në Brugg. Në përgjithësi, për sa kohë që niveli i rrezikut të një krimi nuk është i qartë dhe askush nuk e di se çfarë po ndodh, policia do të mbrojë të sulmuarin. I tillë ishte fillimisht rasti të shtunën, siç tregon hulumtimi i gazetës Blick.

    Sipas policisë kantonale, një zviceran 24-vjeçar është bërë fokusi i hetimit si i dyshuar. Ky dhe një person tjetër nga Kosova u ndaluan nga policia më vonë të shtunën pasdite dhe më pas u arrestuan përkohësisht, përcjell albinfo.ch. Policia nuk ka treguar se sa vjeç ishte i dyshuari i dytë ose nëse të dy ishin në makinën BMW.

    Prokurori publik ka nisur procedimin penal. Hetimet mbi rrjedhën e saktë të ngjarjeve dhe sfondin janë duke vazhduar. Gjithashtu, mbetet për t’u sqaruar se cilat ngjarje lidhen me njëra-tjetrën.

  • Raporti për të drejtat e njeriut, Amnesty International përmend ligjet që s’i kaloi Kuvendi i Kosovës

    Raporti për të drejtat e njeriut, Amnesty International përmend ligjet që s’i kaloi Kuvendi i Kosovës

    Shtypja e mendimeve ndryshe, përshkallëzimet e konflikteve të armatosura, përpjekjet e pamjaftueshme për të adresuar kolapsin klimatik, si dhe reagimi në rritje në mbarë botën kundër të drejtave të migrantëve, refugjatëve, grave, vajzave dhe personave LGBTI, janë çështje që janë ngritur në raportin vjetor për të drejtat e njeriut të organizatës ndërkombëtare, Amnesty International (AI), të publikuar më 29 prill.

    “Secila prej këtyre çështjeve përballet me përkeqësim të mëtejshëm në një vit të trazuar si 2025, nëse nuk arrihet një kthesë globale”, tha AI.

    Raporti vjetor i Amnesty International – që tregon se sa po respektohen të drejtat e njeriut nëpër botë – përmendi mosmiratimin e Ligjit për fertilizimin e asistuar dhe shëndetin riprodhues (IVF) dhe Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës.

    “Qasja në IVF vazhdoi të jetë e qasshme vetëm në klinika private, pas një tjetër tentimi të dështuar në parlament për ta kaluar ligjin për shëndetin riprodhues që do ta mundësonte shërbimin e IVF-it në spitale publike”, thuhet në raportin vjetor të AI.

    Aty gjithashtu thuhet se debati në Parlament është ndjekur me “dezinformata dhe gjuhë të urrejtjes ndaj grave beqare nga disa deputetë”.

    Radio Evropa e Lirë kishte raportuar për deputetët të cilët e kishin kundërshtuar këtë ligj, duke u thirrur në besimin e tyre se kështu e mbrojnë “familjen si institucion” dhe se se IVF-ja duhet të jetë opsion vetëm për çiftet e martuara heteroseksuale.

    Të njëjtit deputetë – bashkë me disa të tjerë – kanë kundërshtuar edhe kalimin e Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës – i cili megjithatë nuk është sjellë për miratim në Kuvend që nga viti 2022.

    Mospajtimet e deputetëve lidheshin me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

    Përpos dështimit të kalimit të Kodit Civil, Amnesty International, në raportin vjetor, theksoi se të mbijetuarit e dhunës në familje që i përkasin komunitetit LGBTI+ (lesbikë, gej, biseksual, transgjinorë, ndërgjinorë, etj) “nuk kanë ende qasje në strehimore të specializuara”.

    REL-i në të kaluarën ka raportuar edhe për këtë problem, që ndër vite ka detyruar të mbijetuarit e dhunës në familje që i përkasin këtij komuniteti të largohen nga Kosova për t’u shtrehuar në Tiranë të Shqipërisë.

    Në pjesën për Kosovën të këtij raporti përmendet edhe dështimi në tentimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, tentimet për të hetuar dhe gjykuar rastet e krimeve të luftës, miratimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave – që megjithatë javën e kaluar u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, dhe marrëveshja me Danimarkën për strehimin e të burgosurve në Kosovë. /REL/

  • Moti sot dhe ditëve në vazhdim

    Moti sot dhe ditëve në vazhdim

    Me kthjellime e diell parashihet dita e martë. Frynë erë e lehtë dhe mesatare nga veriu e verilindja 4-10m/s.

    Mëngjesi do të jetë më i freskët, me minimale që zbresin deri në 2C e 7C. Temperaturat maksimale shkojnë deri në 19C e 21C.

    Mot stabil po parashihet ditëve të ardhshme me kalimin në muajin maj. Do të ketë më gjatë intervale me diell. Të enjten e premtën priten zhvillime të vransirave lokale, por që për momentin, nuk paraqiten gjasa të larta për të reshura. Kushte për ndonjë rrebesh të shkurtër shiu mund të ketë vetëm përreth zonave malore, në perëndim e jug të vendit.

    Temperaturat gradualisht në rritje deri në 22C e 24C, apo më shumë deri në 25C e 26C gjatë fundjave nga Dukagjini. Minimalet luhaten ndërmjet 3C e 8C. Frynë erë veriore e verilindore e lehtë dhe mesatare 4-11m/s, njofton Mendimi për Motin.

  • Sot tentimi i tetë për konsistuimin e Kuvendit

    Sot tentimi i tetë për konsistuimin e Kuvendit

    Sot, me 29 prill, 48-orëshi i radhës do të zhvillohet konsistuimi i Kuvendit. Kjo është tentativa e 8 e radhës për hapat tutje të Kuvendit, e 5 me radhë ku deputetja e Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk po arrin të zgjidhet si kryekuvendare. Haxhiut i mungojnë edhe 4 vota për zgjedhjen e “zgjidhjes së bllokadës politike”.

    Ndryshe, deputetët e opozitës dje deklaruan se nuk presin ndryshim të situatës por as edhe votimin e Haxhiut për kryeparlamentare.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur me 27 prill, të konstituojnë legjislaturën e nëntë, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dështoi të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka propozuar për të pestën herë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, mirëpo ajo sërish mori vetëm 57 vota për, nga 61 vota të nevojshme për të marrë këtë post.

    Kundër saj votuan 41 deputetë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, ndërkaq, tre deputetët e Nismës Socialdemokrate abstenuan sërish.

    Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë fare në votim.

    Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

    Mirëpo paraprakisht, përfaqësuesi i LVV-së, Glauk Konjufca kërkoi nga deputetët që ta mbështesin të nominuarën e tyre për kryeparlamentare.

    “Lëvizja Vetëvendosje sërish e propozon Albulena Haxhiu si kryetare të Kuvendit. I nderuari kryesues kërkoj që ta vendosni në votim këtë propozim, kurse ju të nderuar kolegë kërkoj ta mbështesni me votën e juaj”, tha ai.

    Vazhdimi i seancës konstituive do të jetë të martën më 29 prill në orën 10:00 në tentimin e tetë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

  • Nisin punimet për modernizimin e Termocetralit Kosova B – investim në vlerë prej 56.5 milionë euro nga Korporata Energjetike e Kosovës

    Nisin punimet për modernizimin e Termocetralit Kosova B – investim në vlerë prej 56.5 milionë euro nga Korporata Energjetike e Kosovës

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi sot Termocentralin Kosova B me rastin e fillimit të punimeve në modernizimin e njësisë B2 – investim ky i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Aty u priten nga Ushtruesi i Detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Gramos Hashani.

    Për herë të parë ka filluar riparimi dhe modernizimi në Termocentralet ekzistuese të KEK-ut dhe po bëhet një rritje e kapacitetit për njësi, një prodhim vjetor shtesë prej mbi 600 GWh, si dhe një operim më i sigurt dhe më efikas i njësive të TC Kosova B. Realizimi i projekteve të rehabilitimit bazohet në studimin e fizibilitetit për TC Kosova B. Ky rehabilitim do të kontribuojë në përmbushjen e kërkesave mjedisore, duke reduktuar ndotjen e ajrit dhe duke siguruar përputhjen me standardet e Direktivave të Bashkimit Evropian (BE) për emisionet e pluhurit dhe gazrave.

    “Unë ju përgëzoj shumë për këtë modernizim të turbinave në Termocentralin Kosova B, edhe të njësisë B1 edhe B2, të cilat janë të sekuencura në kohë, në mënyrë që ta kemi maksimumin e prodhimtarisë, po në të njëjtën kohë ta shtojmë edhe prodhimtarinë edhe sigurinë, edhe efikasitetin, e ta ulim ndotjen”, tha kryeministri Kurti gjatë vizitës.

    Ai në veçanti e uroi menaxhmentin dhe punëtorët e KEK-ut, që ky investim prej 56.5 milionë euro po financohet nga vetë KEK-u, prej të cilit do të kemi shtesë prodhimtari të energjisë prej 600 GWh, gjë që përbën lajm të mirë për qytetarët, industrinë dhe ekonominë tonë.

    Ministrja Rizvanolli tha se kur të përfundojnë të gjitha punimet për rehabilitimin e Termocentralit Kosova B, jetëgjatësia e tij do të shtohet edhe për 20 vjet, ndotja nga pluhuri dhe oksidet e azotit do të ulën për 60%, kurse remontet kapitale do të nevojiten që të bëhen një herë në 10 vjet, në vend se çdo pesë vjet. Kjo do të thotë se siguria e furnizimit do të përmirësohet dukshëm për 20 vitet e ardhshme, importi do të ulët për së paku 23 milionë euro, ndërkaq eksporti do të rritet për së paku 20 milionë në vit, shtoi ajo.

  • ​Shteti evropian në të cilin arinjtë lëvizin të lirë

    ​Shteti evropian në të cilin arinjtë lëvizin të lirë

    Ndërsa popullsia e arinjve në Rumani rritet, po rriten edhe mundësitë për udhëtarët që të vijnë përballë këtyre kafshëve grabitqare në një mënyrë të përgjegjshme, shkruan BBC.

    Rumania është shtëpia e popullsisë më të madhe të arinjve të egër të kafshëve në Evropë jashtë Rusisë, me aq shumë sa 13.000 arinj që jetojnë në dhe rreth pyjeve të pacenuara të Maleve të Karpatit. Por, ndërsa shikimi i arinjve ka qenë prej kohësh një atraksion turistik në Rumani, historikisht kjo nuk përfshinte futjen në pyll.

    “Një kohë jo të gjatë më parë ishte zakon të shihje një ari të mbajtur në një kafaz jashtë bizneseve këtu për të tërhequr klientët”, shpjegoi udhëheqësi Reece Parkinson në një episod të fundit të shfaqjes BBC, The Travel Show.

    Kur Rumania u bashkua me Bashkimin Evropian në vitin 2007, vendi filloi të respektojë Direktivën e Kopshteve Zoologjike të BE-së, e cila nxjerr udhëzime për mënyrën se si duhet trajtuar kafshët e kapura. Gjatë 18 viteve të fundit, vendi ka kaluar në mënyra më humane dhe të qëndrueshme për të treguar një nga pjesët më të fundit të vërteta të egra të Evropës dhe arinjtë e shëndetshëm që jetojnë aty.

    Arinjtë e mëdhenj kanë lëvizur në pyjet dhe malet e Evropës për miliona vjet. Megjithatë, numri i tyre u zvogëlua ndjeshëm ndërsa civilizimi njerëzor u shtri. Sot, sipas vlerësimeve, rreth 36.000 arinj jetojnë në pjesën evropiane të Rusisë, por një hulumtim i ri i kryer nga Instituti i Kërkimeve Pyjore të Rumanisë tregon se popullsia e arinjve të mëdhenj në këtë vend është shumë më e lartë se sa ishte vlerësuar më parë – një fakt që ka sjellë mundësi dhe sfida për komunitetet përreth.

    Nga njëra anë, turizmi i qëndrueshëm i arinjve në Rumani është në rritje, sipas BBC News.

    Shumë operatorë turistikë si Outdoor Holidays dhe Much Better Adventures tani ofrojnë vizitorëve ekskursione të udhëhequra për “shikimin e arinjve” në këmbë në pyjet ku jetojnë arinjtë e mëdhenj. Kjo, nga ana tjetër, sjell mundësi ekonomike për komunitetet më rurale të vendit dhe inkurajon vazhdimin e ruajtjes së habitatit të kafshëve.

    “Përshkrimi i këtyre rasteve është që njerëzit të cilët janë të njohur me pyllin, kanë parë një ari dhe nuk ka ndodhur asgjë. Kështu që duhet të ketë diçka speciale që ndodhi një aksident”, tha Lapis.

    “Kur shkon në pyll…është e rëndësishme të bësh zhurmë. Nëse bën zhurmë, kafsha e di që po vjen dhe largohet”.

    Përpjekjet janë duke u përpjekur për të gjetur një mes të lumtur që mbron arinjtë dhe mban sa më të sigurt vizitorët dhe bagëtinë. Kafshët mbrohen nga ligji rumun, dhe janë duke u ndërmarrë përpjekje për ripyllëzimin dhe edukimin për të parandaluar që arinjtë të hyjnë në territore njerëzore për të ngrënë dhe për të mësuar njerëzit se çfarë të bëjnë kur hasin një ari në pyll.

    Pothuajse të gjitha takimet me arinjtë që rrezikojnë jetën ndodhin për shkak të gabimeve njerëzore, zakonisht kur një njeri frikëson një ari ose ndërvepron në mënyrë të papërshtatshme me të vegjlit, duke bërë që arinjtë mëmë të mbrojnë.

    Prandaj, kur bini në një pyll me arinj – pavarësisht në Rumani ose diku tjetër – është e rëndësishme të flisni me zë të lartë ose të duarngrisni për të dhënë kohë që kafshët të largohen nga ju.

    Nëse keni hasur një ari aksidentalisht, bëhuni sa më të mëdhenj dhe largohuni me ngadalë.

    “Nuk mund të jetojmë vetëm [në natyrë]”, tha Lapis.

    “Duhet të mësojmë të ndajmë [me të tjerët]”.

  • ​Rifillojnë punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, reagon Policia në Prishtinë

    ​Rifillojnë punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, reagon Policia në Prishtinë

    Të hënën kanë rinisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, në Prishtinë. Këto punime janë ndaluar dy herë radhazi nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

    Në fillimin e këtyre punimeve ka qenë kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe të Inspektoratit Komunal, raporton KosovaPress.

    Drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë ka reaguar pas fillimit të punimeve, duke thënë se prezenca e tyre në sheshin “Xhorxh Bush” ka qenë në asistim të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës.

    “Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera. Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje institucionale në përputhje me ligjin dhe për të garantuar sigurinë publike, duke respektuar gjithmonë kufijtë e kompetencave të saj”, thuhet në reagimin e Policisë.

    Projekti për rregullimin e sheshit “Xhorxh Bush” e ka vlerën 18.4 milionë euro, ndërkohë që punimet ishin ndaluar duke kërkuar nga komuna që lënda për pajisje me leje të plotësohet.

  • ​Kurti vizitoi banesat sociale në Shipol dhe Desi, po bëhen me efiçiencë të energjisë

    ​Kurti vizitoi banesat sociale në Shipol dhe Desi, po bëhen me efiçiencë të energjisë

    Kryeministri në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vizituar edhe dy banesat sociale në Shipol dhe Desi, në Mitrovicë.

    Sipas një njoftimi, kryeministri pa nga afër intervenimet për kthimin e banesave sociale nga ndërtesa të amortizuara në shtëpi të denja për jetesë të sigurt, të ngrohtë dhe të dinjitetshme.

    “Nuk mjafton vetëm të hyjmë në ndërtesa për banim social e aty të ketë mungesë të sigurisë e të ngrohjes. Tash po realizohet kjo në kuadër të investimit të përbashkët me Bashkimin Evropian. Është diku rreth 6 milionë euro në 25 ndërtesa anembanë Kosovës.” u shpreh Kurti.

    Dy ndërtesat në Shipol dhe Desi që janë të viteve 2003 dhe 2005, kanë mbetur pa izolim të duhur, dritare efikase dhe ngrohje adekuate. Tashmë falë investimit prej 381,622 euro për këto dy objekte, do të përfundojnë para vjeshtës dhe do të ndryshojnë jetën e 39 familjeve dhe 173 banorëve të Mitrovicës.

    Sipas njoftimit, në Shipol përfituese do të jenë 18 familje me sipërfaqe totale të ndërtesës që është pjesë e projektit të përgjithshëm prej 1,130 metrash katrorë, ndërsa në Desi përfituese do të jenë 21 familje me sipërfaqe totale të ndërtesës që është pjesë e projektit të përgjithshëm prej rreth 1,700 metrash katrorë.

    “Këto rinovime po bëhen nga Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё me mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes grantit nga Bashkimi Evropian (me 90%) dhe pjesëmarrje të Komunës së Mitrovicës së Jugut (me 10%). Qeveria vijon angazhimin për të përmirësuar kushtet e jetesës për qindra e mijëra qytetarë dhe ulur kostot e shpenzimeve të energjisë, gjersa deri më tani kemi mbështetur 3,000 familje me izolim të shtëpive e mbi 40,000 familje me pajisje efiçiente dhe panele solare, duke renovuar dhe 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale”, thuhet në njofitm.