ATV

Author: ATVLive

  • Putini shpall armëpushim të njëanshëm treditor në Ukrainë duke filluar nga 8 maji

    Putini shpall armëpushim të njëanshëm treditor në Ukrainë duke filluar nga 8 maji

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur armëpushim të njëanshëm treditor në Ukrainë duke filluar nga 8 maji e deri më 11 maj.

    Kreu i Kremlinit i bëri thirrje Ukrainës që ta bëjë të njëjtën gjë, raporton televizioni CNN.

    Kremlini tha se vendimi për armëpushim treditore është mbështetur në “elementet humanitare” dhe se armëpushimi do të fillojë në mesnatën mes 7 e 8 majit dhe do të zgjasë deri në mesnatën mes 10 e 11 majit për ta shënuar 80-vjetorin e Ditës së Fitores dhe mposhtjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

  • Pa gradime, zyrtarë policorë mbajnë pozita në të cilat s’janë emëruar

    Pa gradime, zyrtarë policorë mbajnë pozita në të cilat s’janë emëruar

    Prej më shumë se pesë vjetësh, procesi i gradimeve në Policinë e Kosovës është bllokuar. Edhe pse ka vende të lira në pozita kyç, ato aktualisht mbulohen nga zyrtarë që nuk e kanë gradën që parashihet për atë pozitë.

    Kjo gjë ndikon drejtpërdrejt në zbatimin e hierarkisë dhe në qartësinë komanduese brenda institucionit, sipas ish-drejtorit të këtij institucioni, Reshat Maliqi.

    “Atje janë disa këshilltarë kolonelë të cilët mbajnë pozitë pa u emëruar, e më herët kanë qenë drejtorë rajonalë apo diçka e ngjashme. E tash [mbajnë pozitën e] këshilltarit dhe askush nuk interesohet as se a vijnë në punë, a punojnë. Janë pa asnjë përgjegjësi, e nuk e këshillojnë askënd”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Reshat Maliqi, i cili sapo është pensionuar.

    Raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) konstaton se 185 zyrtarë policorë janë sistemuar në pozita për të cilat nuk e kanë gradën përkatëse. Një vit më parë kishin qenë 39 sosh.

    Por, Policia e Kosovës insiston se kjo situatë nuk ka ndikuar në punën e këtij institucioni.

    “Këto pozita janë mbuluar me zyrtarë me nga një gradë më të ulët, konform Udhëzimit Administrativ të marrëdhënies së punës në PK”, thotë zyra për media e Policisë së Kosovës.

    Vetë ky institucion thotë se një nga arsyet kryesore të mungesës së gradimeve ka qenë situata e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Megjithatë, në një përgjigje për REL-in, Policia e Kosovës thotë se është e gatshme të rifillojë procesin e gradimit, por shton se “pas rekomandimit të dhënë nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, ne jemi në pritje të miratimit të Udhëzimit Administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarët policorë”.

    Megjithatë, kjo situatë nuk sqarohet kaq thjesht nga të gjithë. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, që kërkoi të mbetet anonim, thotë se procesi është i padrejtë dhe me ndikime politike.

    “Më është bërë shumë e padrejtë, pasi atëherë konkurrova për gradën ‘major’. Nuk e di pse nuk jam zgjedhur, më duket se nuk i kam pëlqyer ndoshta dikujt”, thotë ai për REL-in, duke treguar se për këtë çështje është në proces gjyqësor.

    Ai shton se e njëjta gjë u ka ndodhur edhe disa kolegëve të tij.

    “Dikujt i shkelen të drejtat, e dikush ndoshta po avancohet e nuk e meriton”, thotë ai.

    Me situatë të ngjashme thotë se është përballur edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.

    “Unë kam qenë bartës i pozitës së drejtorit. Por, kur kam qenë drejtor nuk ka qenë askush i politikës, mirëpo edhe në atë kohë nuk iu ka pëlqyer qëndrimi im dhe për një periudhë të shkurtë më kanë thënë që nuk je më aty. Më kanë shkarkuar brenda natës”, thotë Maliqi.

    Edhe ish-drejtori tjetër i Policisë, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, shprehet kritik për vonesat në gradime.

    “Kjo situatë na sjell te pyetja pse dështoi [konkursi]? Kush e kërkoi? Pse nuk u ndëshkua askush? Kjo situatë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Dhe mendoj se kjo ka ndodhur për shkak të ndikimeve që ka bërë ministri [në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla]”, thotë ai.

    Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës i mohon këto pretendime, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për asnjë lloj ndikimi nga politika, por se qëllimi është që gradimet të zhvillohen mbi bazën e meritës dhe në përputhje me nevojat operative.

    Konkursi për të cilin aludon Qalaj, ishte hapur në fillim të vitit të kaluar për 355 vende të lira për gradën “rreshter”.

    Por, ky proces u anulua, pasi që sipas një raporti të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), gjatë konkursit ishin bërë lëshime.

    Raporti i IPK-së konstatonte se nuk janë bërë verifikimet e nevojshme mbi të kaluarën e kandidatëve, për të garantuar që ata përmbushnin kriteret lidhur me historikun disiplinor e penal.

    Për më tepër, në raport u evidentuan edhe mospërputhje të tjera me udhëzimet administrative, si lejimi i aplikimit nga pjesëtarë të gjeneratës së 54-të të cilët nuk kishin përmbushur kriterin e qëndrimit dyvjeçar në gradën “polic i lartë”.

    Sipas burimeve të REL-it brenda Policisë së Kosovës, kërkesa më e madhe është pikërisht për gradën e rreshterit, për të cilën ekzistojnë mbi 300 pozita të lira.

    Herën e fundit kur janë bërë gradime ishte në vitin 2020, kur ishin emëruar 131 togerë. Një vit më parë, më 2019, ishin graduar nëntë majorë dhe 64 kapitenë.

    Policia e Kosovës aktualisht ka mbi 10.000 punonjës aktivë, duke përfshirë zyrtarët policorë dhe personelin mbështetës.

    Në gusht të vitit 2024, 448 kadetë të gjeneratës së 60-të përfunduan trajnimin dhe iu bashkuan këtij institucioni. /REL

  • ​Kaq mallra të falsifikuara ka konfiskuar Dogana e Kosovës gjatë vitit 2024

    ​Kaq mallra të falsifikuara ka konfiskuar Dogana e Kosovës gjatë vitit 2024

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Pronësi Industriale ka shënuar Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale.

    Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se qeveria e ka kuptuar rëndësinë e pronësisë intelektuale, andaj atë e ka shndërruar në politikë publike konkrete.

    Sipas saj, përmes markave tregtare kanë avancuar në ruajtjen e pronësisë intelektuale, derisa përmendi se janë zgjidhur 741 raste të shkeljeve ndër vite të markave tregtare.

    Ajo theksoi se pronësia intelektuale është e rëndësishme në shekullin e teknologjisë dhe revolucionit industrial.

    Përkitazi me këtë tha se pronësia intelektuale është shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe kulturor të Kosovës.

    “Përmes regjistrimit të markave tregtare mbrojmë jo vetëm identitetin e artistëve tanë por edhe pasurinë kulturore të kombit tonë. Ky është një akt i vetëdijshëm politik dhe institucional për të garantuar se puna dhe kontributi i artistëve të mos cenohet dhe të vlerësohet nga shoqëria dhe tregu. Në epokën e teknologjisë dhe globalizimit, ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbejnë rreth 90 për qind të pronësisë globale, rëndësia e pronësisë intelektuale është më e madhe se kurrë. Qeveria jonë e ka kuptuar këtë realitet dhe ka shndërruar atë në politikë publike konkrete. Tashmë po e dina se pasuria fizike e cila ka qenë përcaktuese për vlerën e një biznesi është zëvendësuar me pasurinë intelektuale në shekullin e teknologjisë….Janë zgjidhur 741 raste të shkeljeve të markave tregtare që ishin në pritje prej vitesh, një dekadë dhe më shumë duke bërë të qartë se vonesat dhe padrejtësitë nuk janë pjesë e sistemit tonë qeverisës”, tha ajo.

    Në anën tjetër,përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Driton Azemi, tha se vitin 2024 kanë pasur 148 kërkesa për veprim doganor në fushën e pronësisë intelektuale.

    Po ashtu ai tha se në vitin e kaluar kanë konfiskuar mbi 272 mijë artikuj si mallra të falsifikuara me një vlerë të përgjithshme 12.5 milionë euro.

    “Dogana e Kosovës që nga fillimi ka marrë përgjegjësitë dhe rolin e saj me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe i ka kryer të gjitha detyrat e saj. Këtu po e veçoj se vetëm gjatë vitit 2024 ne kemi shqyrtuar 148 kërkesa për veprim doganor në fushën e të drejtave pronësisë intelektuale, ndërkaq 601 kërkesa që kanë të bëjnë me marka tregtare si dhe 40 kërkesa për të drejtat e autorit. Si rezultat i këtij angazhimi dhe falë bashkërendimit të ngushtë me të gjithë akterët të tjerë relevant gjatë vitit 2024 Dogana e Kosovës ka iniciuar 805 raste për verifikimin e mallrave me dyshim për shkelje të pronësisë intelektuale. Ka arritur të konfiskojë mbi 272 mijë artikuj të cilët pas verifikimit janë konstatuar si mallra të falsifikuara me një vlerë të përgjithshme prej 12.5 milionë euro”, theksoi ai.

    Krahas kësaj në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, u diskutua edhe për “Muzika dhe Pronësia Intelektuale: Krijimtaria, Institucionet dhe Mbrojtja Ligjore”./KP/

  • Spiunia ruse Dragana Trifkoviq dëbohet nga Austria – AKI i kishte ndaluar qasjen e saj në Kosovë për veprimtari të dyshimta

    Spiunia ruse Dragana Trifkoviq dëbohet nga Austria – AKI i kishte ndaluar qasjen e saj në Kosovë për veprimtari të dyshimta

    Dragana Trifkoviq është dëbuar nga Austria dhe i është ndaluar hyrja në zonën Schengen, ka bërë të ditur avokati serb, Cedomir Stojkoviq në profilin e tij në Facebook.

    Stojkoviq ka thënë se e njëjta ka lidhje me Shërbimin e Sigurisë Ruse (FSB).

    Kush është spiunja serbe Dragana Trifkoviq që shoqërohet me sadistin që dhunonte ukrainasit e zënë robër?

    Trifkoviqit i është ndaluar hyrja në Kosovë që nga viti 2016, ku Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) e ka kategorizuar atë si agjente me ndikim të FSB-së, përmes një operacioni kibernetik, kur u publikua fotografia e saj me një letër ku ishin dhënë meritat nga shërbimi rus.

    Ajo ishte deputete e Kuvendit të Serbisë para se të kalonte në partinë ekstremiste “Dveri”.

    Gjithashtu, institucionet e sigurisë së Ukrainës dhe mediat e këtij vendi e kanë akuzuar Trifkoviqin se ka marrë pjesë si vëzhguese e rreme e zgjedhjeve në Krimenë e pushtuar nga rusët.

    Trifkoviq shoqërohej me Oleksiy Yuriyovych Milchakov, sadist dhe dhunues i ushtarëve ukrainas të zënë rob. Po ashtu Milchakov ishte instruktor në kampet serbe në Serbi, në përgatitje të ‘’luftërave serbe” për të luftuar përkrah rusëve në Ukrainë.

    Milchakov ishte i dhunshëm edhe në fëmijëri ku në një video shihej duke e bërë copë-copë një qen.

    Në vitin 2019 në kampet e trajnimit të të rinjve në Serbi dhe Rusi, adoleshentëve u mësohen vlerat “patriotike” pro-ruse dhe u jepen udhëzime ushtarake nga ekstremistët e krahut të djathtë me lidhje me konfliktin në Ukrainën lindore.

    Një kamp i ashtuquajtur ‘ushtarako-patriotik’ ishte krijuar për të rinjtë në zonën malore Zlatibor të Serbisë. Kampi u bashkëorganizua nga një organizatë ruse me lidhje me luftëtarët separatistë në konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainën lindore. Disa nga trajnerët në kurset e mëparshme e kanë deklaruar hapur veten si neonazistë.

    Në kampe të këtij lloji, fëmijët mësuan për teknikat e mbijetesës në natyrë – dhe për mbajtjen e armëve. Faqja e disa pjesëtarëve në Facebook ishte plot me fotografi me uniformë, dhe përmbajtjet që kishin shpërndarë fokusohet kryesisht në dashurinë për Rusinë, Kosovën dhe organizatat ekstremiste serbe dhe pro-ruse.

    Aleksei Milchakov, të cilin Bashkimi Evropian e vendosi në listën e sanksioneve në vitin 2015 për përfshirjen e tij në një grup të armatosur separatist që luftonte në Ukrainën lindore, ishte një anëtar dhe instruktor i shquar i ENOT Corp.

    Ai u bë i njohur në qarqet e krahut të djathtë pasi u qarkulluan foto të tij duke prerë kokën e një qeni dhe duke veshur simbole neo-naziste.

    Përpara se të shkonte për të luftuar në Donbas në vitin 2014, Milchakov ngarkoi përmbajtje që lavdëronte Zeljko Raznatovic, komandantin serb të njohur si Arkan, në faqen e tij në rrjetin social të njohur rus VK (VKontatke). Më vonë, fotografitë e tij në frontin e betejës në Ukrainë filluan të shfaqen gjithashtu. Në ato fotografi ai ka pozuar, me buzëqeshje, pranë trupave të ushtarëve të vdekur ukrainas.

    Ndërsa ishte në Donbas, Milchakov drejtoi njësinë Rusich, anëtarët e së cilës deklaruan publikisht mbështetjen e tyre për ideologjinë neo-naziste. Një video incizim i marrë gjatë një seance stërvitore të mbajtur në Rusi në shtator 2017, ku Shoqata Serbe e Pjesëmarrësve në Konfliktet e Armatosura çoi fëmijë, përshkruan një instruktor rus duke shpjeguar, me ndihmën e një përkthyesi, se si të përdorin armët. Në krahun e tij të majtë është logoja e njësisë Rusich. /The Geopost

  • ​Kujtohet Bajram Çerkinaj në Ditën Kombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë

    ​Kujtohet Bajram Çerkinaj në Ditën Kombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë

    Në Ditën Kombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me forcë, u kujtua Bajram Çerkinaj i cili vdiq pa ditur se ku ndodhet djali i tij. Aty u mbajt një minutë heshtje në kujtim të jetës dhe angazhimit të tij.

    Mërgim Memoviq nga Qendra Burimore për personat e zhdukur tha se koha po e rëndon dhimbjen, raporton KP.

    “Për neve si qendër kjo datë sot është edhe më e vështirë për ta përkujtuar sepse sot nuk e kemi shtyllën e organizatës sonë, nuk e kemi figurën që e ka nisur këtë çështje, nuk ndodhet baca Bajram Çerkinaj. Një figurë e cila u bë simbol për të vërtetën, baca Bajram bashkë me urtësinë e tij ishte ballë deri në frymën e fundit. Baca Bajram nuk e jetoi jetën vetëm me dhimbjen e tij, por me dhimbjen e mijëra familjeve”, u shpreh ai.

  • ​Hapet zyra e re e Postës së Kosovës në Leposaviq

    ​Hapet zyra e re e Postës së Kosovës në Leposaviq

    Në qendër të qytetit, në Komunën e Leposaviqit, sot u hap pika e re, e katërta në këtë komunë, e Postës së Kosovës, në objektin e rikthyer nën menaxhim të Postës së Kosovës.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se të pranishëm në këtë përurim zyrtar ishin kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Gëzim Paci dhe kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci, raporton KosovaPress.

    Kryeministri Kurti përgëzoi dhe falënderoi Postën, Ministrinë e Ekonomisë dhe Komunën e Leposaviqit për punën. Ai tha se hapja e zyrës së re në pronën e rikthyer, është bashkëdyzim i ligjshmërisë dhe cilësisë.

    “Ata operatorët e pa licencuar që kanë funksionuar më herët janë mbyllur dhe tash e kemi Postën e Kosovës ku përveç dërgesave të zakonshme të postës mund të pranohen edhe mjete financiare në euro për qytetarët e Leposaviqit. Ky është një lajm i mirë edhe për banorët e komunës, por edhe për shërbimin postar publik të Republikës së Kosovës”, u shpreh kryeministri.

    Më tej, ai theksoi se dikur Posta e Kosovës ka operuar me humbje, kurse tash me kryeshefen e re, Nora Rracin, ajo operon me fitim, dhe përveç kësaj ka shtrirje territoriale gjithandej, anekënd komunave të Kosovës dhe përbrenda komunave, përfshirë edhe në zonat të cilat janë më larg qyteteve dhe qytezave.

    “Posta e Kosovës nuk e shikon se ku ka fitim që të ketë zyre, por ka ku qytetarë që të ketë shërbim”, tha kryeministri.

    Kryetari i Komunës, Lulzim Hetemi, falënderoi dhe përgëzoi qeverinë dhe postën për përurimin e sotëm dhe e ftoj këtë të fundit që të hapë edhe pika tjera në komunën që ai drejton.

    Ndërkaq, kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci foli për planet e ndërmarrjes që udhëheq, për të qenë sa më të pranishëm aty ku qytetarët kanë nevojë për shërbimet e operatorit publik, por edhe për rezultatet e zgjerimit të rrjetit të pikave të postës.

    “Nëse flasim në krahasim me vitin e kaluar, kemi pasur një rritje prej 11% të numrin të zyrave postare gjithandej Kosovës. Nëse flasim për katër komunat veriore të Kosovës, para dy vjetëve kemi pasur vetëm dy zyra në pikat kufitare, ndërsa po festojmë pikën 13-të, që besoj që është një rezultat shumë i madh duke qenë se e kemi arritur brenda dy vjetëve”, tha ajo.

    Derisa Rizvanolli, u shpreh e lumtur me hapjen e kësaj pike sot, duke thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë të mbështesë Postën në zgjerimin e rrjetit të saj dhe avancimin e shërbimeve që ofron.

    Ndryshe në njoftimin e lëshuar për media thuhet se Posta e Kosovës, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, po zbaton program e zgjerimit dhe modernizimit të rrjetit të saj.

    Si rezultat i kësaj sipas komunikatës thuhet se: Janë arritur 157 zyra postare aktive në gjithë Kosovën, duke shënuar një rritje prej 11%, në katër komunat veriore operojnë tashmë 13 zyra postare, është investuar në mjete të reja transporti, infrastrukturë IT dhe shërbime të reja postare dhe financiare.

    Posta e Kosovës poashtu ka njoftuar se ofron shërbime moderne për qytetarët, përfshirë transfere ndërkombëtare të parave, shpërndarjen e dokumenteve shtetërore dhe mbështetjen e zhvillimit të e-commerce.

    Posta e Kosovës poashtu ka njoftuar se ofron shërbime moderne për qytetarët, përfshirë transfere ndërkombëtare të parave, shpërndarjen e dokumenteve shtetërore dhe mbështetjen e zhvillimit të e-commerce.

  • Kosova lëshon urdhër arrest për krime lufte ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 serbëve: Vranë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë, keqtrajtuan 300 tjerë

    Kosova lëshon urdhër arrest për krime lufte ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 serbëve: Vranë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë, keqtrajtuan 300 tjerë

    Reporteri ka siguruar vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake Lutfi Shala, në të cilën URDHËROHET shoqërimi me forcë MENJËHERË ndaj të pandehurve.

    Trupat e civilëve shqiptarë që dyshohen se u vranë nga ky grup, sipas urdhër-arrestit, ishin gjetur në një varrezë masive në Batajnicë. Derisa vrasja dhe keqtrajtimi i tyre ka ndodhë në vendin e quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë, gjatë periudhës kohore 7 maj deri më 10 maj 1999.

    Urdhër arresti është lëshuar më datë 15 prill 2025, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të datës 27 mars 2025.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pranë kësaj gjykate ka parashtruar kërkesën për lëshimin e urdhër arrestit PPS.nr.25/2025 te datës25.03.2025, ndaj tê pandehurve Milovan Kovacevic, Radomir Colió, Milos Đ osan, Milos Dosan, Predrag Ristié, Srdan Krstió, Ljubisa Obradovió, Zivko Sarié, Spaso Sarió, Lazar Draskovió, Zvonko Ristió, Darko Gligorijevié, Cedomir Bozovié, Vladimir Bozovic, Robert Dobrunaj, Radomir Rakovió, Ljubisa Rakovié, Milos Scepanovié, Milan Radoidió, Svetislav Gligorijevié, Tomica Avramovié, për shkak të veprës penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 te Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative te Jugosllavisë, ligi ne fugi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht e sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës se Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ne kërkesë ka cituar se me date 18.03.2025 ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve nën shenjën PPS.nr. 20/2025 ndaj të pandehurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë nga data 7 maj e deri me date 10 maj te vitit 1999 pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, në mesin e tyre edhe të pandehurit e lartcekur filluan te hyni shtëpi për shtëpi, ku me force dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë te gjithë personat që ishin prezent duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civil të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjeten në një varrezë masive në Batajnice të Serbisë.”, thuhet në arsyetimin e urdhër-arrestit.

  • Komuna e Prishtinës rifilloi punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, me gjithë ndalimin nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore

    Komuna e Prishtinës rifilloi punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, me gjithë ndalimin nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore

    Komuna e Prishtinës rifilloi sot punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, me gjithë ndalimin dy herë të punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, duke i kërkuar Komunës që lënda për pajisje me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) të plotësohet, raporton EO.

    Me rastin e rifillimit të punëve në Sheshin “Xhorxh Bush”, i pranishëm ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se punimet në sheshin “Xhorxh Bush” janë duke vazhduar pasi, sipas tij, ato janë brenda kornizave ligjore në çdo aspekt.

    Ai ka theksuar se nëse Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore tenton ndalimin e tyre, atëherë do të intervenojë Policia.

    “E kemi Policinë dhe e çon Inspektoratin te shtëpia. Ne punimet do t’i vazhdojmë”, tha Rama.

    U panë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

    Para disa ditësh, Rama, ka thënë se ndalimi i punimeve është i paligjshëm e se “arsyetimet për këtë ndërhyrje janë të pabazuara nga institucionet që duhet të jenë të pavarura e që po përdoren për qëllime politike”.

    Sipas tij, ky veprim është ndërhyrje e qëllimshme, e cila cenon të drejtën e Prishtinës për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe kulturor.

    Projekti i Komunës së Prishtinës është në vlerë 18.4 milionë euro.

  • Ambasada e SHBA-së: Familjet e të zhdukurve meritojnë informacion të plotë për fatin e më të dashurve të tyre

    Ambasada e SHBA-së: Familjet e të zhdukurve meritojnë informacion të plotë për fatin e më të dashurve të tyre

    E ngarkuara me Punë në ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, bëri homazhe te memoriali kushtuar personave të zhdukur.

    “Ambasada amerikane është e përkushtuar të mbështesë të vërtetën, drejtësinë dhe përpjekjet për pajtim”, thuhet në postimin e ambasadës.

    Më tutje, ambasada thekson se familjet meritojnë informacion të plotë për fatin e më të dashurve të tyre.

  • ​Shënohet Dita e Pronësia Intelektuale, institucionet flasin për rëndësinë

    ​Shënohet Dita e Pronësia Intelektuale, institucionet flasin për rëndësinë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Pronësi Industriale ka shënuar Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, raporton KP.

    Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha përmes markave tregtare kanë avancuar në ruajtjen e pronësisë intelektuale.

    Ajo tha se pronësia intelektuale është e rëndësishme në shekullin e teknologjisë dhe revulucionit industrial.

    Ndërkaq, përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Driton Azemi, tha se vitin 2024 kanë pasur 148 kërkesa për veprim doganor në fushën e pronësisë intelektuale.