ATV

Author: ATVLive

  • Komercialja refuzoi kërkesën e KEDS-it, kompensimi nis nga 1 qershori

    Komercialja refuzoi kërkesën e KEDS-it, kompensimi nis nga 1 qershori

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Me gjithë rezistencën dhe përpjekjet kundërshtuese, KEDS-i është i detyruar që nga muaji i ardhshëm ta nisë kompensimin e konsumatorëve për faturat e fryra, si mbulesë për katër komunat në veri në periudhën 2012-2017.

    Gjykata Komerciale refuzoi kërkesën e kësaj kompanie për masë të përkohshme ndaj vendimit të ZRRE-së, për zbatim të aktgjykimit të Kushtetueses.

    “Departamenti për Çështje Administrative, më 17.05.2024 me aktvendim e ka refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesën e paditësit Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike Sh.A (KEDS) me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të datës 05.04.2024 deri në marrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar me padi”, tuhhet në përgjigjen nga Gjykata Komerciale.

    Aktvendimi i Komerciales mundëson nisjen e procesit të shpagimit.

    “KEDS është i obliguar ta zbatojë vendimin e Bordit të ZRRE-së [V_1929_2024], për kompensimin e konsumatorëve në baza mujore, për periudhën nga 1 Qershori 2024 – 28 Shkurt 2030”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

    Padinë e Kompanisë për Distribuim të Energjisë, me kërkesë anulimin e vendimit të ZRRE-së për zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, gazetari Zekirja Shabani e vlerësoi absurde dhe me qëllim zvarritjen e procesit.

    Më 11 Mars, Gjykata Kushtetuese konfirmoi aktgjykimin e Supremes, i cili e obligon Rregullatorin të detyrojë KEDS-in t’i kompensojë konsumatorët nga 34 komuna për dëmin në vlerë të përgjithshme 40.8 milionë euro.

    Më 7 Maj, kompania, e cila sipas aktgjykimit të vërtetuar në të gjitha shkallët u pasurua jashtëligjshëm për pesë vjet, parashtroi padi në Gjykatën Komerciale kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji.

  • Kryeministri “përdor” Sekiraqën për sulm ndaj sistemit të drejtësisë

    Kryeministri “përdor” Sekiraqën për sulm ndaj sistemit të drejtësisë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në adresimin e parë nga mbledhja e Qeverisë, pas dështimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kryeministri Albin Kurti cak i pati institucionet e drejtësisë.

    Arratisja e Enver Sekiraqës u bë shkak që kryeministri të mos i përmbahet zotimit në letrën e 22 Marsit, se do të respektojë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit dhe se do të përmbahet nga kritikat.

    “Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor, që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia”, tha Kurti.

    Këshilli i Evropës dhe çështjet aktuale politike nuk u përmendën në fjalimin e kreut të Qeverisë.

    Pa komentuar rastin e Sekiraqës, në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se deklarata e kryeministrit përbën sulm ndaj pushtetit gjyqësor.

    “[Sistemi i drejtësisë] ka vetë mekanizmat e saj, të cilët mund të kërkojnë llogari nga gjyqtarët dhe prokurorët, siç janë KGJK dhe KPK. Jo qeveria, e as legjislativi. Për shkak se këto të fundit mund, që përmes hartimit të politikave, të bëjnë ndryshimet për të mirë apo në një mënyrë të kryejnë edhe vetingun, i cili tashmë është proces i dështuar”, tha Lavdim Makshana, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

    Pasi iu referua letër-zotimit të kryeministrit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe vërejtjeve nga raportet ndërkombëtare, juristi Valdet Hoxha vlerësoi se komentet e tilla nuk i përkasin pushtetit ekzekutiv.

    “Për çdo rast individual mund të ketë dyshime nëse gjithçka është ndërmarrë në pajtim me kodin e procedurës, por ato duhet të verifikohen dhe të ketë një epilog të qartë dhe ligjor. Por, është e papranueshme që të sulmohet në tërësi sistemi i drejtësisë nga Qeveria apo kryeministri, sepse kjo e dëmton rëndë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Pra, një pushtet siç është gjyqësori është i cenueshëm karshi një qeverie që ka një shumicë të cilësuar në parlament”, tha Hoxha.

    Dhjetë muaj nga fundi zyrtar i mandatit, Qeveria ende nuk ka përmbushur zotimin programor për veting në sistemin e drejtësisë.

  • Ndahen mjete për OJQ-të e komunitetit serb në komunat veriore

    Ndahen mjete për OJQ-të e komunitetit serb në komunat veriore

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    300 mijë euro ia ka ndarë Ministria e Financave asaj për Komunitete dhe Kthim, për një projekt mbështetës për organizatat joqeveritare të komunitetit serb në komunat veriore.

    Projekti, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, deri tash është zvarritur për shkak të masave nga Bashkimi Evropian.

    “Kjo ndarje vjen si rezultat i ngecjes së projektit që kanë në raport me mbështetjen e komuniteteve pakicë. Dhe kjo ngecje e projektit ka ndodhë pikërisht për shkak të masave të Bashkimit Evropian dhe kufizimeve të tyre. D.m.th, një veprim i Bashkimit Evropian që ka qenë gjoja për shkak të shtensionimit të situatës në vendbanimet që banohen nga komunitetet joshumicë, ka rezultuar pikërisht në dëmtim të interesave të komunitetit joshumicë”, tha Murati.

    Vetëm disa ditë pasi dështoi të ratifikohet në Kuvend, qeveria e miratoi sërish një marrëveshje ndërkombëtare me Fondin Zhvillimor Opec, për të marrë kredi në vlerë prej 40 milionë euro, me 0% interes.

    “Konsideroj se është e rëndësishme që të përmbyllet cikli i reformave që ka qenë dhe mjetet të disbursohen. Përveç se ka përfitime financiare, me kushte 20 vjet kthimi, bëhet fjalë edhe për rritjen dhe përforcimin e bashkëpunimit të Kosovës me të gjitha shtetet”, tha Murati.

    Qeveria po ashtu mori vendim për shpërbërjen e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës, me kërkesë të menaxhmentit të saj. Vetëm gjatë vitit 2022, ndërmarrja që nuk kryen asnjë funksion, kishte shpenzuar 70 mijë euro për 7 anëtarët e saj.

    “Tani kanë pushuar edhe shkaqet juridike për ekzistimin e ndërmarrjes, ndër të tjera, procedura e arbitrazhit lidhur me projektin e termocentralit Kosova e Re”, tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Buxheti i shtetit synohet të kursehet edhe më tej, përmes lidhjes së marrëveshjes për sigurime sociale me qeverinë e Turqisë, e cila do t’ua pamundësojë qytetarëve me dy nënshtetësitë, të marrin pensione në të dy shtetet njëkohësisht.

  • Përgatitjet për provimin e maturës, maturantët nuk dinë si të zgjedhin lënden zgjedhore

    Përgatitjet për provimin e maturës, maturantët nuk dinë si të zgjedhin lënden zgjedhore

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Mësimin e përfunduan të premten e javës së kaluar, por maturantët ende nuk e dinë se si do ta përzgjedhin lëndën zgjedhore, në të cilën do t’i testojnë njohuritë e tyre.

    Ata nuk u pyetën për këtë njësoj si gjeneratat e kaluara.

    “Deri më tani nxënësit ende nuk kanë arritë me u regjistruar. Ende nuk është hapë platforma, momentin që hapet besoj që do të jetë edhe e drejta e aplikimit në lëndën zgjedhore për lëndën që ata duan të testohen”, tha drejtoresha e Gjimnazit Matematikor, Fahrije Retkoceri.

    Për këtë çështje, por edhe për mënyrën se si do të aplikohet dhe të paraqitet testi i maturës, sipas Ministrisë së Arsimit, shkollat do të njoftohen këtë javë.
    “Nesër kemi takim me koordinator të DKA-ve, e gjatë javës do të takohemi edhe me koordinatorët e shkollave. Platforma është në finalizim dhe të hënën do të bëhet aktive”, tha Fatmir Elezi, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim.

    Udhëheqësi i divizionit për vlerësim, standarde dhe monitorim të këtij procesi, Fatmir Elezi, tha se me qëllim të shmangies së kopjimit nxënësit e të njëjtës klasë do të shpërndahen në klasë të ndryshme.

    Por, shpërndarja, sipas njohësit të arsimit, Argjend Osmani, nuk është mënyra më e mirë për t’iu shmangur kopjimit.

    “Kopjimi nuk lidhet me aplikimin, por me vetëmenaxhimin brenda klasës. Të rinjtë tanë janë mjaft të përgatitur për përdorim të aplikimit, por problemi qëndron te sistemi dhe vonshmëria që po shkaktohet në platformën e-Kosova”, tha Osmani.

    Edhe këtë vit testimi i njohurive të nxënësve do të jetë i ndarë në dy faza. Faza e parë do të mbahet më 25 qershor, ndërsa e dyta më 28.

    Këtë vit testit të maturës do t’i nënshtrohen 25 mijë maturantë, 23 mijë të rregullt e afër 2 mijë të viteve paraprake.

  • Qan drejtoresha: ARRU-ja rrezikon të mbetet pa staf profesional

    Qan drejtoresha: ARRU-ja rrezikon të mbetet pa staf profesional

    Përgatiti: Armand Hoti

    Drejtoreshës së Autoritetit Rregullativ të Ujërave, Hajrije Morina, i mbushen sytë me lot kur tregon për problemet me mungesë të stafit profesional.

    “Tash ka filluar edhe kërkesat me ardhë për pushime pa pagesë, njëvjeçare, që është shumë problem për ARRU-në. Nuk e di si do t’ia dalim”, tha Morina.

    Por anëtarët e Komisionit parlamentar për Ekonomi, kujdesen që ajo të ndihet më komode në pjesën e mbetur të raportimit të saj.

    Pasi e merr veten, drejtoresha tregon se pranuan mbi 400 ankesa ndaj Kompanive Rajonale të Ujësjellësit, vitin e kaluar.

    “Kryesisht këto ankesa janë për moslexim të ujëmatësit, ose faturim paushall ose për faturim enorm, për një periudhë të gjatë që nuk është lexuar rregullisht ujëmatësi, ose për parashkrim të borxhit, sepse kompanitë e ujësjellësit nuk i kërkojnë borxhet e tyre me kohë”, tha Morina.

    Ndërsa, pranon se ende nuk kanë qasje në shërbimet e ujit në komunat veriore të vendit, gjë që e konsideron çështje politike.

    “Ne jemi për t’i mbështetur institucionet aty ku ka nevojë, mirëpo ndoshta të iniciohet nga rregullatori diçka, nuk e di sa është ligjore sepse ne jemi kryesisht për pjesën që kompanitë e ujësjellësit kanë licencë”, tha Morina.

    Referuar të dhënave të ARRU-së, në vitin 2023 janë prodhuar mbi 130 milionë litra ujë.

  • Qeveria ndryshon formën, por nuk e rrit ndihmën sociale

    Qeveria ndryshon formën, por nuk e rrit ndihmën sociale

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Qeveria e ndryshoi formën e përfitimit, por nuk e rriti vlerën e ndihmës për familjet me asistencë sociale.

    Me reformën në skemën sociale, jo të gjitha familjet që kanë fëmijë nën moshën 5 vjeçare do të jenë përfituese, njashtu edhe jo të gjithë ata që janë në marrëdhënie pune do të penalizohen nga kjo ndihmë.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmendi vetëm herët e kaluara, kur janë marrë vendime të tilla.

    “Sa i përket shumës si të tillë ne gjatë viteve të kaluara kemi ndryshuar formulën e përllogaritjes, pastaj edhe kemi rritur mesatarisht shumën, ka qenë për 30 për qind, normalisht që në vazhdimësi shohim sipas nevojës dhe përshtatim, mirëpo aktualisht jemi në fazën e pilotimit dhe me informatat që mbledhim nga ky pilotim do të shohim si të vazhdojmë tutje”, tha Murati.

    Pika e parë për të qenë përfitues të ndihmës sociale është që familja të ketë të ardhura nën 100 euro për kokë anëtari.

    Sipas ministrit Murati, kjo është bërë me qëllim të heqjes së diskriminimit dhe rritjes së punësimit.

    Por, ndryshe mendojnë ekonomistët, teksa thonë se qeveria duhet të përkrahë sektorin privat e jo të merret me skema sociale.

    “Orientimi qeveritar në një politikë shumë më tepër sociale sesa zhvillimore është dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës. Vërehet që viteve të fundit shumë më tepër kemi qenë të orientuar në këtë drejtim që të mbështetet aspekti social përmes ndihmave afatshkurtra sesa të mbështetet sektori privat për zhvillim ekonomik dhe derisa nuk kemi zhvillim ekonomik të qëndrueshëm barra sociale do të jetë shumë më tepër pengesë dhe ngarkesë për shtet se sa zhvillim”, tha Safet Gërxhaliu, ekonomist.

    Gërxhaliu vlerëson se reformat në skemën sociale mund t’i shtojnë familjet me asistencë sociale, teksa aktualisht llogaritet që rreth 25 mijë familje janë përfitues të socialit në nivel vendit.

    Aktualisht pensionet variojnë nga 70 deri në 250 euro, varësisht nga gjendja e familjes përfituese.

  • Berisha për Sekiraqën: Nuk është arratisur, po trajtohet në një spital jashtë vendit

    Berisha për Sekiraqën: Nuk është arratisur, po trajtohet në një spital jashtë vendit

    Avokati i Enver Sekiraqës, Besnik Berisha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Enver Sekiraqa nuk është arratisur, por është duke u trajtuar në një institucion shëndetësor.

    “Nuk është arratisë as nata, nuk është arratisë as i maskuar, as i kamufluar, thjesht edhe vetëm si qytetar i lirë i është drejtu institucioneve të shëndetësisë për t’i trajtu problemet e tij të akumuluara me dy dekada”, tha Berisha.

    Ai tha se problemet e tij shëndetësore kanë qenë të evidentuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni ën videon më poshtë:

  • Breshëri i madh mbulon rrugët në Han të Elezit, ende nuk dihen dëmet që mund të ketë shkaktuar

    Breshëri i madh mbulon rrugët në Han të Elezit, ende nuk dihen dëmet që mund të ketë shkaktuar

    Ndonëse pati temperatura të larta sot, meteorologët parashikuan se mund të ketë mot dramatik sot pasdite, raporton Gazeta Sinjali.

    Kështu ndodhi edhe në Han të Elezit, ku ka rënë breshër i madh.

    E gjithë rruga është mbuluar nga breshëri.

  • Erërat e forta në Prishtinë, bien skelet e një ndërtese te “Qafa”

    Erërat e forta në Prishtinë, bien skelet e një ndërtese te “Qafa”

    Skelet e një ndërtese në lagjen “Te Qafa” kanë rënë mbi disa vetura pas erërave të forta në Prishtinë të shtunën.

    Ende nuk dihet për dëmet që janë shkaktuar, ose nëse ka të lënduar, por shihet se ato kanë rënë mbi disa vetura të parkuara.

  • KFOR kërkon që të njoftohet me kohë për aksionet e Policisë apo FSK’së

    KFOR kërkon që të njoftohet me kohë për aksionet e Policisë apo FSK’së

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka lëshuar një komunikatë për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës që përfundoi me mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit.

    KFOR thotë se ishte informuar pak para se të niste operacioni, ndërsa tha se s’ka pasë personel të përfshirë në aksion. KFOR tha se pret konsultime me kohë nga Policia e Kosovës për aksione të tilla.

    “KFOR-i është njoftuar pak para fillimit të operacioneve të liK-së kundër degëve të Bankës Postanska Stedionica të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potok. Personeli i KFOR-it nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve. KFOR-i pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”.

    KFOR-i thtoë se vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme që diplomacia të ecë përpara.

    “Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, përfundon KFOR.

    Aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës e kanë cilësuar veprime të njëanshëm që mund të çojë në tensione edhe SHBA, Bashkimi Evropian dhe Mbrerëria e Bashkuar.