ATV

Author: ATVLive

  • ​Murati pas reagimit të DASh-it për aksionin në veri: Institucionet vepruan në bazë të ligjit

    ​Murati pas reagimit të DASh-it për aksionin në veri: Institucionet vepruan në bazë të ligjit

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se mbyllja e gjashtë njësive të Bankës Postare Kursimore në veri është bërë pasi të njëjtat kanë operuar në kundërshtim me ligjin dhe pa licencën përkatëse. I pyetur për reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ai nënvizoi se secili veprim i institucioneve është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit.

    Murati në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, tha se tashmë është në dorën e sistemit të drejtësisë sesi do të veprojnë tutje, sa i përket konfiskimit të 1.6 milionë eurove e mbi 74 milionë dinarëve.

    “Në lidhje me aksionin e djeshëm është dyshimi i bazuar se aktivitete të tilla janë zhvilluar pa pasur licencën përkatëse financiare, e cila është e kundërligjshme ka pasoja ligjore me këtë. Sa i përket shumave që janë sekuestruar gjatë bastisjes ato i takojnë një procesi gjyqësor pasi prokurori ka dhënë urdhër për bastisjes. Ato përfundojnë si prova dhe pastaj duhet të derivojnë sesi të veprohet tutje nga një proces i mirëfilltë gjyqësor. Tani më prokurori është vënë në lëvizje dhe gjyqësori duhet ta trajtojë si lëndë dhe t’i jep epilog përkatës për shkeljet e ligjit që janë gjetur…Aktivitet financiar mund të jetë çfarëdo aktiviteti pa licencën e nevojshëm pavarësisht desitinimin e mjeteve. Destinimi i mjeteve pastaj është hapi i dytë për të cilin organet e rendit dhe prokuroria duhet të siguronin prova të mjaftueshme për ku kanë qenë mjetet e dedikuara. Edhe po të kishte licencë do të duhej të sigurohemi se kush janë përfituesit dhe mjetet përdoren për qëllime të ligjshme. Të gjitha këto i takojnë organeve të rendit”, tha Murati.

    Duke folur për reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilin thuhej se veprime të tilla të pakoordinuara përshkallëzojnë tensionet në veri, Murati tha se çdo veprim i institucioneve të Kosovës është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit.

    Ai tha hapja e këtyre njësive postare në vitin 2018 ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm.

    “Sa i përket reagimit nuk jam në dijeni për detajet. Megjithatë, çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit. Nuk është se ka ndodhur dje ai aktivitet. Me sa pash nga një reagim i përfaqësuesit të Beogradit në dialog ishte se këto zyra kanë filluar aktivitetin në vitin 2018. Pra nuk është diçka që është trashëguar nga paslufta, por gati 6 vite më herët dhe kanë filluar të zhvillojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme”, shtoi ai.

    Ndërkaq, potencoi se për Rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë kanë ofruar disa propozime në Bruksel, mirëpo Serbia nuk ishte e gatshme për të pranuar pasi s’ka synim lehtësimin e qytetarëve serbë në Kosovë.

    “Ne si qeveri kemi ofruar konstruktivet me disa propozime, por që mesa duket pala serbe nuk ka qenë të gatshme. Ata kanë pasur synime të tjera, jo të lehtësohet jeta për qytetarët dhe të mundësohen transferet për ata qytetarë”, theksoi Murati.

    Në anën tjetër, në konferencë për medie ishte edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se janë duke marrë hapa konkret për parandalimin e degradimit të natyrës.

    Krahas kësaj, ai tha se janë në fazën finale të hartimit të planit për hartën e rrezikshmërisë nga vërshimet.

    “Jemi duke marrë hapa konkret për parandalimin e degradimit të natyrës, qoftë në lumenjtë apo parqe nacionale. Dua t’iu përkujtojë se gjatë këtyre ditëve kemi pas aksione të vazhdueshme nëpër lumenjtë për eksploatimin e zhavorrit. Ky aksion do të vazhdojë me këtë intensitet”, tha ai.

    Policia e Kosovës gjatë aksionit në veri të vendit ka mbyllur gjashtë filiale të Bankës Postare Kursimore. Në njoftimin e lëshuar nga policia bëhet e ditur se janë konfiskuar 1.6 milion euro e mbi 74 milion dinarë. /KP

  • Kurti: Arsimi dhe Aftësimi Profesional, themelor për zhvillimin ekonomik

    Kurti: Arsimi dhe Aftësimi Profesional, themelor për zhvillimin ekonomik

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me grupin punues dhe përfaqësuesit e donatorëve në zbatimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë.

    Kurti cilësoi se gjatë tre viteve të qeverisjes është theksuar vazhdimisht rëndësia lidhjes së arsimit me ekonomi dhe të arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës. Ai ka bërë të ditur se tashmë, në vitin e dytë akademik të zbatimit të arsimit dual, janë gjithsej 12 profile në 23 shkolla profesionale në 14 komuna të Kosovës në të cilat janë të përfshirë 920 nxënës.

    “Arsimi dhe Aftësimi Profesional janë themelor për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pajisja e fuqisë punëtore me aftësi praktike dhe të përshtatshme na lejon të adresojmë drejtpërdrejt hendekun e aftësive në industritë kyçe, duke çuar në rritjen e produktivitetit, inovacionit dhe të konkurrencës në tregjet lokale dhe globale” u shpreh ai.

    Në kuadër të zbatimit të sistemit dual, kryeministri njoftoi se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë punuar me përkushtim për të bërë reformat e nevojshme për të lidhur arsimin me nevojat aktuale dhe ato të ardhshme të tregut. Po ashtu në bashkëpunim me donatorë sikurse GIZ, ADA, SDC, USAID, LuxDev, KfW dhe BE, janë kryer sondazhe dhe hulumtime për të identifikuar nevojat dhe për të përcaktuar mënyrat më të mira se si t’i plotësojmë ato.

    Një nga çështjet kryesore për t’u diskutuar dhe zhvilluar ishte dhe ajo mbi provimet gjatë aftësimit profesional dhe certifikimi në fund të procesit.

  • Aliu: Në qershor përfundon harta e menaxhimit të rrezikut nga vërshimet

    Aliu: Në qershor përfundon harta e menaxhimit të rrezikut nga vërshimet

    Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu, ka thënë se në qershor përfundon harta e menaxhimit të rrezikut nga vërshimet bashkë me planin për reagim, raporton EO.

    Aliu në një konferencë për media, ka thënë se me kapacitetet aktuale e me ndryshimet klimatike, nuk po arrijnë t’i menaxhojnë lumenjtë.

    “Kosova i ka katër pellgje lumore dhe pellgu i Drinit të Bardhë është pellgu me i madh. Janë draftuar ligjet për menaxhimin e këtyre pellgjeve. Çka është një plan për menaxhimin e pellgjeve. Kosova është një vend që ka kapacitete të limituara të ujit, jemi në një krizë. 75 për qind të këtij uji e përben vetëm liqeni i Ujmanit, në të ardhmen duhet që t’i rrisim këto kapacitete sepse keni ndryshime që shpesh herë nuk mund t’i menaxhojmë mirë, për shkak të mungesës së planeve. Jemi në qershor dhe e përfundojmë hartën e menaxhimit të rrezikut nga vërshimet bashkë me planin për reagim”.

    “Duke pasur parasysh që një vendim i tilli si ky sot ne e kemi themeluar edhe task-forcën e gjelbër, jemi duke ndërmarr hapa konkret për mbrojtjen e ambientit. Gjatë këtyre ditëve kemi pasur aksion të vazhdueshëm, për eksploatime e zhavorrit në lumenj dhe është bërë konfiskime të pajisjeve dhe ky aksion do të vazhdoj”, ka thënë ai.

  • Bullgaria nis në Kosovë trupa shtesë për të mbështetur misionin e NATO-s

    Bullgaria nis në Kosovë trupa shtesë për të mbështetur misionin e NATO-s

    Zëvendësministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Radostin Iliev dhe shefi i Mbrojtjes, Admirali Emil Eftimov, marrin pjesë sot, në një ceremoni zyrtare për dërgimin e një njësie ushtarake për dislokim në Forcën Rezervë Operacionale të forcave të NATO-s (KFOR).

    “Mbi 100 pjesëtarë të shërbimit, kryesisht nga Komanda e Brigadës së 3-të në Blagoevgrad, do të dislokohen për operacione me Forcën e Stabilizimit të NATO-s në Kosovë (KFOR). Kontingjenti bullgar do të angazhohet në aktivitete që synojnë të mbështesin përpjekjet për rivendosjen dhe ruajtjen e sigurisë në Kosovë”, raporton agjencisë bullgare të lajmeve “Novinite”.

    Drejtues i Batalionit të 2-të shumëkombësh të Forcave Rezervë Operacionale të Forcës Stabilizuese të NATO-s në Kosovë është majori Krasimir Damyanov, me kapiten Ferdo Ferdinandov që shërben si komandant i kompanisë.

  • Murati: Marrëveshja me Bankën Botërore siguron 90.3 milionë euro kredi, pa interes për 12 vite

    Murati: Marrëveshja me Bankën Botërore siguron 90.3 milionë euro kredi, pa interes për 12 vite

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë për media, ka thënë se nga marrëveshja me Bankën Botërore, Kosova ka përfituar 90.3 milionë euro kredi me kushte të “buta”, raporton EO.

    Ai ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes, procedimi i Projektligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshje është miratuar.

    Murati shtoi se Kosova do të përfitojë shumë nga kjo marrëveshje, sepse nuk do të paguajë interes fare 12 vite përgjatë kohës që këto mjete, 90.3 milionë euro, do të shfrytëzohen.

    “Sot në mbledhjen e Qeverisë kemi pasur disa vendime që ndihmojnë qytetarët dhe që forcojnë edhe themelet dhe duke rritur bashkëpunimin me shtet e tjera. Kishim miratimin e nismës për nisjen e negociatave për lidhje të Marrëveshjes me Turqinë”.

    “Kishim edhe miratimin dhe procedimin e Projektligjit për ratifikim të Marrëveshjes që sapo kemi nënshkruar në Washington. Kjo është një marrëveshje që është nënshkruar me Bankën Botërore. Kosova ka përfituar nga një marrëveshje që siguron 90.3 milionë euro kredi me kushte të buta. Nuk ka nevojë që të paguajë fare interes për 12 vite përgjatë kohës që këto mjete do të shfrytëzohen. Kishim edhe një marrëveshje ndërkombëtare. Kjo marrëveshje është në kuadër të marrëveshjes që kemi pasur me Bankën Botërore. Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen”, ka thënë Murati.

  • Në ditën e dytë të PITF 2024 zhvillohet masterclass me regjisoren e njohur Ana Vukotić nga Mali i Zi

    Në ditën e dytë të PITF 2024 zhvillohet masterclass me regjisoren e njohur Ana Vukotić nga Mali i Zi

    Në ditën e dytë të Prishtina International Theater Festival, është mbajtur masterclass me studentët e Fakultetit të Gazetarisë dhe Produksionit të Kolegjit AAB, nga regjisorja e njohur malazeze Ana Vukotić njëherazi drejtoreshë e festivalit “FIAT” në këtë shtet.

    Ajo së pari ndau përshtypjet për organizimin e PITF 2024, ku është pjesë e jurisë kryesore, duke thënë se është tejet e impresionuar dhe se çdo gjë ishte e menduar mirë deri në detaje, mbi të gjitha veçoi jurinë e studentëve.

    “Jam shumë e kënaqur pasi mbrëmë teatri ishte plot njerëz të rinj, organizimi ishte perfekt dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Ajo që ishte më e bukura e festivalit ishte juria e studentëve, sepse mendimi juaj është shumë i rëndësishëm për ta planifikuar të ardhmen e teatrit”, u shpreh Vukotić.

    Tutje Vukotić zgjeroi temën në mënyrën si funksionojnë teatrot dhe festivalet në Mal të Zi, përzgjedhjen e shfaqjeve, teksteve etj.

    Në panel me Vukotić ishin edhe drejtori i festivalit Zijad Mehic, drejtoresha artistike Doruntina Alshiqi dhe koordinatorja Valentina Cenaj.

  • ​FFK cakton gjyqtarin e finales së Kupës së Kosovës

    ​FFK cakton gjyqtarin e finales së Kupës së Kosovës

    Nesër zhvillohet ndeshja finale e Kupës së Kosovës, ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës. Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, në orën 15:00.

    Komisioni i Gjyqtarëve brenda Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur për gjyqtarët që do ta ndajnë drejtësinë në këtë finale, me Genc Nuzën kryesor, e të cilit do t’i asistojnë Granit Hyseni dhe Arbnor Bullatofci, derisa gjyqtar i katërt do të jetë Ilir Mehmeti. Në VAR do të jetë Alban Shala, kurse AVAR, Besnik Morina.

  • Haradinaj kujton të rënët e 21 majit, 1998: Me gjakun e tyre shkruan historinë tonë më të re

    Haradinaj kujton të rënët e 21 majit, 1998: Me gjakun e tyre shkruan historinë tonë më të re

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 21 majit të vitit 1998.

    Haradinaj ka kujtuar heroin Myrtë Zeneli me bashkëluftëtarët Faruk Elezi, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina.

    “Më 21 maj 1998, gjatë betejës treditore në Grabanicë, Qeskovë, Dollovë, Kpuz e Bokshiq, do të përjetësohej Heroi Myrtë Zeneli, ndër luftëtarët e parë të Shqiponjës dhe dëshmori i saj i parë, me bashkëluftëtarët Faruk Elezi, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj po ashtu ka kujtuar edhe heroin Arben Haliti dhe tre vëllëzërit; Mehmet, Ajet dhe Hetem Rexha.

    “Po të njëjtën ditë u përjetësua edhe Heroi Arben Haliti. Kujtojmë tre vëllezërit; Mehmet, Ajet dhe Hetem Rexha, që ranë të pandarë, për ta shkruar me gjakun e tyre historinë tonë më të re, si porosi brezave për sakrificën madhore për këtë tokë. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!”, është shprehur Haradinaj.

  • Miratohet marrëveshja për sigurime sociale ndërmjet Kosovës dhe Turqisë

    Miratohet marrëveshja për sigurime sociale ndërmjet Kosovës dhe Turqisë

    Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është miratuar shqyrtimi i nismës për lidhjen e marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të të dyja vendeve, për shfrytëzim të së drejtës së tyre për pensione familjare dhe ato invalidore të punës.

    Duke shtuar, se kjo marrëveshje mundëson edhe eksportimin e pensionit, siç tha ai nëse një qytetar vendos të jetojë në njërin nga këto shtete mund t`a përfitojë pensionin.

    “Kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse u mundëson qytetarëve të dyja shteteve, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në pensione kontribut- pagues ato familjare dhe si ato invalidore të punës. Kjo njëkohësisht mundëson edhe eksportimin e pensionit, pra nëse një qytetar vendos të jetojë në njërin nga këto të dy shtetet, mund ta përfitojë pensionin pavarësisht në cilin shtet vendoset ai, të jetojë apo të banojë, por gjithsesi kjo në anën tjetër kjo marrëveshje siguron edhe shkëmbimin e të dhënave, pra që nënkupton përmes komunikimit të dyja shtetet mund të sigurohen që një qytetar merr pension nga të dyja shtetet, duke mos e deklaruar të tillë, pra në këtë aspekt bëhet edhe mirë menaxhimi i të dyjave shteteve që ka siguri dhe shkëmbim të informacionit” ka deklaruar Murati.

  • Irani nis ceremonitë e varrimit për presidentin dhe ministrin e Jashtëm

    Irani nis ceremonitë e varrimit për presidentin dhe ministrin e Jashtëm

    Disa ceremoni varrimi janë duke u zhvilluar në Iran më 21 maj, për vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe të tjerëve që humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri në fundjavë.

    Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i shpalli pesë ditë zie të hënën.

    Në Tabriz, kryeqytetin e Provincës Azerbajxhani Lindor të Iranit, ku u rrëzua helikopteri më 19 maj, mijëra njerëz morën pjesë në një ceremoni në kujtim të të vdekurve.

    Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, e postoi në rrjetin social X fotografinë e parë që shfaq arkivolet e Raisit dhe Amir-Abdollahianit.

    Autoritetet iraniane i kanë caktuar edhe disa ceremoni të tjera për Raisin. Një e tillë është caktuar për të martën pasdite në qytetin Qom.

    Ceremoni të tjera do të mbahen në Teheran dhe Birjand më 22 dhe 23 maj, kur Raisi do të varroset në faltoren Imam Reza në qytetin e shenjtë Mashhad, raportuan mediat iraniane.

    Khamenei e emëroi Mohammad Mokhberin, i cili shërbeu si zëvendëspresident i Raisit, në detyrën e presidentit të përkohshëm.

    Koha e tij si president do të jetë e shkurtër, pasi autoritetet kanë caktuar 22 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale.

    Mokhber, së bashku me kryetarin e Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe kryetari i Gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei, do t’i organizojnë zgjedhjet e reja.

    Zëvendësministri i Jashtëm, Ali Baqeri Kani, u emërua ministër i Jashtëm në detyrë, sipas mediave iraniane.

    Pasi televizioni shtetëror iranian raportoi më 20 maj se helikopteri ishte rrëzuar për shkak të motit të lig, ekipet për kërkim dhe shpëtim i gjetën trupat e Raisit dhe Amir-Abdollahian në vendin e ngjarjes në veriperëndim të Iranit.

    Komunikimi kishte humbur derisa helikopteri po kthehej në Tabriz, pasi Raisi kishte marrë pjesë në përurimin e një dige me homologun e vet azerbajxhanas, Ilham Aliyev, në kufirin e tyre të përbashkët.

    IRNA raportoi se të gjithë tetë njerëzit në bordin e helikopterit, të cilin Irani e kishte blerë në fillim të viteve 2000, humbën jetën.

    Ndërkaq, Uashingtoni tha se për herë të parë Teherani ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për incidentin me helikopter, por e kishte të pamundur t’i ofronte ndihmë për arsye logjistike.

    Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, nuk specifikoi se si ishte bërë kërkesa apo e çfarë natyre ishte. SHBA-ja dhe Irani nuk kanë raporte diplomatike.

    Qeveritë e huaja, më 20 maj, shprehën ngushëllime dhe solidarizim. Libani shpalli tri ditë zie për të nderuar Raisin. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Raisi dhe Amir-Abdollahian ishin të dy “miq të vërtetë dhe të besueshëm të vendit tonë”.

    Hamasi, i cili është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, lëshoi një telegram ngushëllimi dhe falënderoi Raisin për “përpjekjet e tij të palodhura për t’u solidarizuar” me popullin palestinez.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, lëshoi një deklaratë me “ngushëllime të sinqerta”, duke shtuar “mendimet tona janë me familjet”. /REL