ATV

Author: ATVLive

  • Atalanta e fiton Ligën e Evropës, ia shkakton humbjen e parë sezonale Leverkusenit

    Atalanta e fiton Ligën e Evropës, ia shkakton humbjen e parë sezonale Leverkusenit

    Atalanta është fituese e Ligës së Evropës për edicionin 2023/24.

    Klubi italian triumfoi në finale bindshëm 3:0 ndaj Bayer Leverkusenit, klub të cilit ia shkaktoi humbjen e parë sezonale dhe të parën pas 51 ndeshjeve.

    Ishte nata e Lookman, i cili shënoi të tre golat e ndeshjes final.

    Goli i parë i tij erdhi në minutën e 12-të, kurse i dyti në të 26-tën.

    Me rezultatin 2:0 u mbyll edhe pjesa e parë e kësaj finaleje.

    Në të dytën ishte Bayer Leverkuseni që mori iniciativën, megjithatë Atalanta nuk linte korridore prapa vetes.

    E me anë të një kundërsulmi, Lookman shënoi golin e tretë dhe kompletoi hat-trikun e tij.

    Bayer Leverkuseni tani e ka edhe një finale për ta luajtur, atë të Kupës së Gjermanisë ndaj Kaiserslauternit.

  • “Arratisja e Sekiraqës” vë në pah problemet e institucioneve

    “Arratisja e Sekiraqës” vë në pah problemet e institucioneve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Institucionet ende nuk i kanë konfirmuar e as hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes së Enver Sekiraqës, se ai ka dalë jashtë vendit në mënyrë të rregullt nëpërmjet njërës nga pikat kufitare, në kohën sa ndaj tij nuk kishte masë sigurie.

    Nuk ka sqarime përtej kumtesës fillestare të Policisë, javën e kaluar, se i dënuari në shkallën e parë, nuk ishte gjetur në shtëpi për t’u dërguar në paraburgim dhe se njoftimi për ndalimin e tij i është përcjellë zyrave rajonale dhe kufitare.

    Konfuzioni i krijuar për vendndodhjen dhe rrethanat, sipas ekspertit të sigurisë Drizan Shala, do të eliminohej nëse do të kishte komunikim brenda dhe ndër-institucional, në kohë reale.

    “Data-bazat nuk janë të sinkronizuara, kërkesat mbesin në sirtarët dhe çështjet administrative nuk kalojnë fare në pjesën e ekzekutimit dhe mbikëqyrjes së tyre nga mekanizmat e tjerë relevant, që janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Pra, janë çështje shumë teknike, të cilat nuk do të duhej të përbënin shqetësim, por që në Kosovë po ndikojnë dhe po krijojnë momente të pa-lakmueshme”, tha Shala.

    Pasi tha deklarimet e mbrojtjes duhet të shihen me rezerva, juristi Arbër Jashari përmendi nevojën që institucionet të dalin me informacione të konfirmuara.
    “Do të duhej të ketë transparencë në trajtimin e këtij rasti, të mos lihen shumë mjegull që pastaj i hapin mundësi njerëzve të manipulojnë dhe të japin versione të ndryshme. Policia, Prokuroria, Gjykata, secila nga këndi i vet është dashur të jenë transparente dhe të japin informata lidhur me atë që ka ndodhur, në mënyrë që t’u mbyllet dera spekulimeve”, tha Arbër Jashari, jurist.

    Zbardhja e rrethanave, sipas Jasharit, është domosdoshmëri.

    “Është një situatë që është dashur të sqarohet. Ajo që mund të themi me bindje të plotë është që, pavarësisht se si mund të emërohet apo titullohet: ikje, arratisje, ndoshta më e mira është të thuhet ai nuk është paraqitur ose lajmëruar për ta mbajtur paraburgimin… Pastaj, mënyra se si ka dalë, a ka dalë në mënyrë të ligjshme? A ka dalë në mënyrë të rregullt? Ku ka shkuar? Ku ka qëndruar?, është çështje që institucionet që duhet të hetojnë dhe pastaj të arrijnë në konukluzione”, tha Jashari.

    Më 3 Maj, Gjykata Themelore e dënoi Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës, por i ndërpreu masën e arrestit shtëpiak, duke e lënë të lirë deri në konfirmimin e plotfuqishmërisë së vendimit.

  • Dështon të nisë gjykimi në rastin “Transportuesi”, aktakuza u ngrit në 2016

    Dështon të nisë gjykimi në rastin “Transportuesi”, aktakuza u ngrit në 2016

    Përgatiti: Nora Luta

    Për aktakuzën e ngritur në vitin 2016 për kontrabandimin e rreth 650 mijë litrave naftë e vajra të ndryshëm para dhjetë vjetësh në veri të vendit nuk ka ende një epilog.

    Një nga rastet e mëdha të krimit të organizuar i njohur si “Transportuesi”, që u hetua nga prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, mbeti pa u trajtuar nga Gjykata e Mitrovicës.

    Tek në vitin 2024, rasti u bart për gjykim në atë të Prishtinës, megjithatë as këtë të mërkurë nuk filloi gjykimi, në mungesë të një të akuzuari nga 18 sa janë gjithsej.

    Ata akuzohen se si grup kriminal kontrabanduan 650 mijë litrave naftë e vajra të ndryshëm nga Serbia në pjesë të tjera të Kosovës, gjatë periudhës qershor-dhjetor 2014.

    Sipas aktakuzës Milan Radisavjeviq dhe Aleksandër Rakiqeviq, të cilët gjenden në arrati janë personat të cilët kanë siguruar derivatet e naftës nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut, dhe kanë qenë kryesor të grupit bashkë me Besim dhe Ismet Zeqirin.

    “Përmes rrugëve anësore, kamionë, cisterna e mjete të tjera, në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe nga Mitrovica e Veriut, Zveçani e Zubin-Potoku, kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara si: derivate të naftës, vajra motorikë e të tjera. Ky grup kriminal më pastaj i shpërndan nëpër qytete të ndryshme, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore apo tarifave të tjera, duke e bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, që tejkalon shumën prej 30 mijë eurosh”, thuhet në aktakuzë.

    Aktakuza thotë se në atë kohë, të pandehurit veprimet kriminale i kryenin lehtësisht pasi kishin bashkëpunim me pjesëtarë të Policisë.

    “Shumë mirë i njohin policët edhe nga Stacioni Policor në Veri të Mitrovicës si dhe të Jugut. Andaj me të vërejtur policët në rrugë, të pandehurit e dinë shumë mirë se a kanë gjasa të kalojnë rrugën apo jo, duke iu dhënë ryshfet. Këto vetura kalojnë. Nga veriu në jug, kryesisht përmes urës lindore (Lagja e boshnjakëve) dhe atë kryesisht në kohën kur në detyrë, në pikën statike të urës lindore, gjenden pjesëtarët e policisë, të cilët kanë lidhje me të pandehurit”, thuhet më tej në aktakuzë.

    Fillimisht në këtë rast akuzoheshin 21 persona, për kryerjen e veprave penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Kontrabandim i mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, por ndaj treve është veçuar procedura.

  • Lladrovci kritikon ASK-në: Po verifikojnë, nuk po regjistrojnë

    Lladrovci kritikon ASK-në: Po verifikojnë, nuk po regjistrojnë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Drenasi ishte komuna e parë që kërkoi të zgjatet koha e regjistrimit të popullsisë.

    Por, kryetari Ramiz Lladrovci nuk është i kënaqur me punën e Agjencisë së Statistikave, në afatin shtesë prej një jave në këtë proces.

    Ai thotë se ASK-ja aktualisht është duke bërë vetëm verifikim përmes ekipeve mobile.

    “E kanë miratua shtyrjen edhe për 1 javë të ekipeve mobile jo të regjistruesve që shkon në shtëpitë e qytetarëve 2 herë e 3 herë. Këtë që e ka bë ASK-ja ka pasë me ba ashtu kështu, sepse ajo e bën verifikimin edhe e sheh nëse dikush nuk ka mujtë me u regjistrua, kjo është një rregull e së kaluarës”, tha Lladrovci.
    Por zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriqi, thotë se edhe kjo formë ka pasur efekt.

    Regjistrimi i popullsisë përfundon të premten e 24 majit. Ndërsa, Lladrovci thotë se nuk do të kërkojë më kohë shtesë.

    Megjithatë, ai shpreh një lloj brenge se Drenasi mund të ketë më pak banorë, këtë herë.

    “Na gjithë jena tu tutë për rënie të popullsisë. Edhe komuna jonë do të ketë numër më të vogël të regjistruesve, unë pres me kalu mbi 50 mijë qytetarë”, tha Lladrovci.

    Deri tash, nuk ka kërkesa nga komunat që sërish të zgjatet afati për regjistrim. Por edhe nëse vijnë ditëve në vazhdim, ASK-ja thotë se nuk do t’i aprovojë.

    “Shtyrja më nuk ka kuptim, nuk ka arsye, ne si ASK bashkë me komunat e kemi arritur 98 për qind të gjitha pikave ku janë planifikuar që të regjistrohen, do të thotë arsye nuk kemi më”, tha zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriqi.

    Deri më tani, sipas ASK-së, janë regjistruar 1.5 milionë qytetarë.

  • PDK-ja kërkon shpërndarjen e kuvendit, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtojnë

    PDK-ja kërkon shpërndarjen e kuvendit, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtojnë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Zgjedhje të parakohshme po duan të gjitha partitë opozitare, por për mënyrën e shkuarjes deri te to, nuk janë të një mendimi.

    Partia Demokratike e Kosovës insiston se për zgjedhje të parakohshme duhet të shpërndahet Kuvendi, përmes mocionit.

    “Kemi kërkuar votat nga partitë opozitare që të jemi të gjitha bashkë, drejt, pra, votës për shpërndarjen e Kuvendit. Duke marrë parasysh faktin që dy partitë opozitare me qëndrimet e tyre LDK-ja dhe AAK-ja janë kundër një vendimi të tillë, atëherë nuk jam e sigurt se a i kemi votat, sepse e dimë që kërkohen 80 vota që të bëhet shpërndarja e Kuvendit”, tha deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi.

    Mirëpo, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë kundër këtij propozimi. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti duhet të japë dorëheqje, e më pas të organizohen zgjedhjet.

    “Nuk e përkrahim mocionin. LDK-ja nuk ndryshon qëndrim, ne vazhdojmë të kemi të njëjtin mendim, që Kurti duhet të japë dorëheqje”, tha deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

    “AAK nuk e mbështet shpërbërjen, kërkon shkarkimin ose dorëheqjen e kryeministrit. AAK nuk e bën këtë se kjo është një taktikë me shku në zgjedhje në mes të korrikut, kur mendon se e ka diasporën këtu dhe kur mendon të ikë nga përgjegjësia e dështimit që e ka bërë. Ai duhet të ballafaqohet me të gjitha grupet parlamentare për të gjitha dështimet që i ka pasë”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.

    Ndërkaq nga partia në pushtet, thonë se do të ndihmojnë opozitën që të shpërndahet Kuvendi, nëse ajo koordinohet për një datë të caktuar.

    “Është opozita ajo që po kërkon zgjedhje dhe nëse opozita po kërkon zgjedhje të reja, ne jemi në gatshëm të shkojmë në zgjedhje të reja e nëse ata dështojnë të koordinohen për një datë të caktuar, ne jemi të gatshëm të shkojmë deri në fund të mandatit”, tha deputetja e LV-së, Fitore Pacolli.

    Ndërkaq, deputetët do të mbajnë seancë të enjten ku në rend dite janë votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe projektligjeve, derisa të premten do të ketë seancë për Shqyrtimin e Projekt-Rezolutës të AAK-së për tri vjet qeverisje.

  • Për pesë ditë, në Dubravë u vranë 117 persona e u plagosën mbi 200 të tjerë

    Për pesë ditë, në Dubravë u vranë 117 persona e u plagosën mbi 200 të tjerë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Zymrete Berishën, oficerët serbë të burgut nuk e kishin lënë asnjëherë ta vizitojë bashkëshortin, Bajram Berishën, në Dubravë.

    Madje, nuk pati fat ta takojë asnjëherë më. Bajrami nuk doli i gjallë nga aty, pasi ishte një nga 117 viktimat e masakrës së majit 1999.

    “Bajram Berishën ma kanë vra, gjithë jena ardhë me pa, po kurrë brenda s’na kanë lanë, s’kena mujtë me pa kurrë, shkoi!”, tha Zymrete Berisha, gruaja e Bajram Berishës.

    Mallin për Berishën e ndjen ende edhe i biri, Januzi.

    “Me prindin s’jam takuar afër 10 vite kështu që veç kur kom ardhur ne varrim pastaj. Kemi dhimbje të gjithë, por krenaria është e madhe”, tha Januz Berisha, i biri i Bajram Berishës.

    Në 25-vjetorin e masakrës së Dubravës, familjarë të viktimave vijnë në vendin ku u krye krimi. Ata thonë se dhimbja është e madhe, por edhe krenaria gjithashtu.

    “Prindin e kam këtu të vranë, kujtimet për ta nuk do të ndalemi kurrë sa të jetë njeriu, do t’i kujtojmë gjithmonë sa të jemi gjallë”, tha Naim Leku, i biri i Dan Lekut.

    Për krimin që ndodhi brenda këtyre mureve, më së miri tregojnë ata që arritën të shpëtojnë.

    “Radha e parë janë vra më shumë, ata që kanë mbetë në dytën e tretën janë mbete gjallë, tash ymri është send i madh. Akti i parë ka qenë të parët nga fusha sportive me u fsheh nëpër puseta e jo në objekte po edhe në puseta lëshonin granata që me thanë nesër kinse janë vra prej NATO-S, se ka qenë skenar i përgatitur”, tha Ukë Thaqi, ish-i burgosur.

    Në Dubravë, të mërkurën, erdhi kryeministri Albin Kurti, si edhe politikanë të tjerë.

    Në këtë masakër për 5 ditë u vranë 117 persona e u plagosën mbi 200 të tjerë. Për këtë krim ende nuk është dënuar askush.

    Në fund të vitit të kaluar, ndërkaq, nisi gjykimi ndaj Gavrilo Miloslavljeviqit, për pjesëmarrje në këtë masakër.

  • Poetit Agim Vinca i ndahet çmimi “Profesor Honoris Causa”

    Poetit Agim Vinca i ndahet çmimi “Profesor Honoris Causa”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Himni i Universiteteve ngriti në këmbë të gjithë në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB.

    Për poetin Agim Vinca, i cili të mërkurën mbushi 77 vjet, Kolegji AAB vendosi ta ndajë çmimin “Profesor Honoris Causa”.

    Para ceremonisë, u recituan poezi të autorit.

    Rektori i kolegjit AAB, Blerim Olluri, tregon se profesori Vinca është ndër të rrallët që Akademia e Arteve të Bukura, e kurorëzoi me çmimin “Profesor Honoris Causa”.

    Shoku e kolegu i Vincës, poeti Lulzim Tafa, tregon se si i ndikoi ai në karrierë.

    “Ai këtu e 31 vite më parë, u bë recensent i librit tim të parë, i gëzimit tim të parë, ishte lexuesi profesionist i parë, i vargjeve të mia. Tani më lejoni ta përgëzoj edhe veten për guximin tim në atë kohë që me një tubë poezisë të shkruara me makina shkrimi, t’i drejtohem studiuesit më të njohur të poezisë”, tha Tafa.

    Në fund të ceremonisë, erdhi momenti që Agim Vinca ta marrë çmimin e madh.

    Vetë shkrimtari përgëzon Kolegjin AAB për punën e bërë për më shumë se dy dekada. Madje, ai tregon se ka hise në themelimin e gjigantit universitar.

    “Realiteti i ri në Kosovë e shtonte si nevojë një profil të tillë kuadrosh, dhe atë Iliri e Bekimi e kishin hetuar këtë me intuitë. Kërkuan nga unë ndihmën time dhe unë natyrisht iu gjeta pranë”, tha Vinca.

    Agim Vinca është autor i më shumë se 40 veprave origjinale, përfshirë poezi, ese, kritikë, studime dhe monografi historiko-letrare.

  • Duhej të përfundonte në maj, por ura te liqeni i Badovcit as që ka filluar së ndërtuari

    Duhej të përfundonte në maj, por ura te liqeni i Badovcit as që ka filluar së ndërtuari

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Qytetarët që shfrytëzojnë rrugën nacionale Prishtinë – Gjilan, do të përdorin këtë rrugë alternative edhe për një kohë.

    Ura në afërsi të Liqenit të Badovcit, rreth 15 kilometra në dalje të Prishtinës, vazhdon të jetë jashtë funksionit tash e një vit.

    Pavarësisht se procedurat e tenderimit kanë përfunduar dhe kompania për ndërtimin e urës është kontraktuar, shenja të punimeve nuk ka.

    Devijimi që detyrohen ta bëjnë çdo ditë, po i pengon ngasësit.

    “Çdo ditë vijmë këndej, po na pengon boll. Qysh po shihet këta s’po marrin masa me e rregullu këtë pjesë”, thotë një qytetar.

    “2-3 ditë në javë vijmë prej Gjilani në Prishtinë, po na pengon po s’kemi çka me bo” , thotë një tjetër qytetar.

    Por, ka edhe nga ata që u mjafton rruga alternative.

    “Na pengon pak, por prapë jemi të kënaqur që e kemi këtë rrugën tjetër”, tha një qytetar.

    Sidoqoftë, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, fajin për mosfillimin e punimeve ua la kushteve klimatike.

    “Jemi në revidim të planit, për shkak të gjendjes së ujit. Pra nuk mundet aktualisht të fillohet puna për shkak të sasisë së madhe të ujit. Aktualisht nuk mund të vendosen shtyllat e urës, andaj jemi duke e modifikuar projektin në mënyrë që të bëhet me mbështetje anësore. Sidoqoftë e kemi ndërtuar rrugën alternative”, tha Aliu.

    Vlera e kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” është 468 mijë euro. Ura e re pritet të jetë 38 metra e gjatë dhe 7 metra e gjysmë e gjerë.

  • Harta për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, gati në qershor

    Harta për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, gati në qershor

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Pasditen e 20 janarit të vitit 2023, Ministri i infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, kishte vizituar komunat që u përmbytën nga reshjet e shiut.

    Nga Tushila e Skënderajt, pas bisedës me banorët që kishin mbetur pa shtëpi, ministri tha se do të angazhohen që ta krijojnë plan, që t’i menaxhojnë më mirë këto raste.

    Gati një vit e gjysmë pas kësaj deklarate, ministri Aliu jep informacionin se janë fare pranë përpilimit të Hartës së Menaxhimit të Rrezikut nga Vërshimet, që i kushton buxhetit të shtetit 2.5 milionë euro.

    “Jemi në draftim e sipër. E kemi përmbyllë draftin, në qershor pritet ta përfundojmë, por shoqërohet edhe me planin e veprimit”, tha Aliu.
    Harta si e tillë, konsiderohet shumë e nevojshme.

    “Është një hartë e rëndësishme, e cila synon t’i identifikojë rreziqet e vërshimeve me të cilat po ballafaqohemi. Megjithëse ato janë të befasishme, hartat e tilla janë të nevojshme që të merren masa paraprake që të zvogëlohen rreziqet”, tha Aliu.

    Nëse zbatohet edhe plani i veprimit, njohës të fushës së mjedisit vlerësojnë se komunat do të jenë më të gatshme.

    “Krijimi i një harte të tillë është një lajm i mirë. Shpresoj që të ketë bashkëpunim të mirë mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore, në këtë rast Ministria e Infrastrukturës”, tha Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova”.

    Nga përmbytjet e qershorit të vitit 2023, një grua dhe djali i saj 5 vjeç, kishin humbur jetën në qytetin e Pejës.

    Ndërsa, dëme nga përmbytjet, në vlerë milionëshe, viteve të fundit ishin shkaktuar edhe në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Istog e Klinë.

  • Hetime për shpëlarje parash pas mbylljes së filialeve bankare në veri

    Hetime për shpëlarje parash pas mbylljes së filialeve bankare në veri

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Shiritat kanë mbetur edhe të martën, në hyrje të Bankës Postare Kursimore në Mitrovicën e Veriut. Këtu nuk pati asnjë lëvizje, për aq kohë sa qëndroi televizioni.

    Një ditë më parë, policia e mbylli këtë dhe pesë filiale tjera në komunat me shumicë serbe, ku u konfiskuan para në vlerë rreth 2.5 milionë euro, në valuta të ndryshme.

    Institucionet tashmë kanë nisur hetimet nën dyshimet për veprën penale shpëlarje e parave, për çka u intervistuan drejtori dhe punëtorë të bankës.

    Mbyllja e bankave i ka shqetësuar qytetarët serbë të cilët thonë se tash nuk kanë ku të kryejnë shërbime bankare.

    “Është një vendim i pahijshëm, shumë i vështirë, na shkakton vështirësi të gjithë neve që jemi në veri, nuk ishte dashur të vijë deri te kjo. Z. Kurti këtë e ka bërë brenda natës plus e ka konfiskuar krejt materialin, nuk është mirë të uzurpohen lokalet. Unë jam invalidit nuk shoh me syrin e majtë si mund të qarkulloj unë dhe për çfarë me del ai pension nuk më mjaftojnë ato para”, thotë një qytetare.

    Por Banka Postare Kursimore tha të martën se mjetet e të gjithë klientëve janë të sigurta dhe nuk do të dëmtohen.

    Aksionin e së hënës e kanë kritikuar ndërkombëtarët.

    Bashkimi Evropian, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ambasadorët e QUINT-it në Kosovë kanë shprehur shqetësim, duke thënë se aksioni u bë pa koordinim me ta dhe se veprime të tilla mund të ngrenë tensione.

    Mirëpo, sipas Ministrit të Financave, Hekuran Murati, kjo është vetëm çështje e ligjshmërisë.

    Nënkryetari i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Skënder Sadiku, nuk beson se mbyllja e filialeve të kësaj banke, do të nxisë reagim të serbëve lokalë.

    KFOR-i ka konfirmuar se është informuar pak para operacionit të Policisë të së hënës, mirëpo ka kërkuar konsultime paraprake për aksionet e Policisë dhe të FSK-së.