ATV

Author: ATVLive

  • Foda kërkon paraqitje të mirë të Dardanëve ndaj Norvegjisë

    Foda kërkon paraqitje të mirë të Dardanëve ndaj Norvegjisë

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, të enjten në konferencën për media, ka folur për miqësoren me Norvegjinë.

    Norvegjia dhe Kosova do të ndeshen më 5 qershor në Oslo, në një ndeshje miqësore e cilat pritet të sjellë një sfidë interesante.

    Tekniku gjerman thotë skuadra e tij është e kompletuar dhe se në duel me norvegjezët ‘Dardanët’ do të bëjnë paraqitje të mirë.

    “Në dy ndeshjet e marsit treguam pikat tona të forta. Ne duhet të punojmë edhe më shumë në ndërtimin e skuadrës sonë”, ka thënë Foda.

    “Do të punojmë edhe më shumë në mënyrë që të paraqitemi sa më mirë ndaj Norvegjisë”, ka theksuar Foda.

    Strategu gjerman pret nga lojtarët që ta tregojnë veten në testin e fundit para fillimit të Ligës së Kombeve.

    Ai ka sqaruar edhe mungesën e disa lojtarëve.

    “Aro Muric është i sëmurë dhe do të na bashkangjitet në stërvitje pas dy ditësh. Muslija, Kryeziu dhe Rrudhani janë jashtë grumbullimeve shkaku i lëndimit”, ka pohuar Foda.

  • Dita e Dëshmorëve dhe Martirëve të Deçanit, Haradinaj: Ky vend është burim i shumë patriotëve ndër

    Dita e Dëshmorëve dhe Martirëve të Deçanit, Haradinaj: Ky vend është burim i shumë patriotëve ndër

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët me rastin e Ditës së Dëshmorëve dhe Martirëve të Deçanit.

    Haradinaj ka thënë se Deçani është burim i shumë patriotëve ndër breza.

    “Dje në Lloqan, Carrabreg të Ulët e të Epërm dhe në Lumbardh, në nderim të dëshmorëve u organizua aksioni tradicional për dhurimin e gjakut, me moton “N’Carrabreg dhurohet gjak”, ndërsa sot në Ditën e Dëshmorëve dhe Martirëve të Deçanit, nderuam sakrificën e tyre sublime për liri. Deçani ishte historikisht në ballë të shumë proceve për lirinë e Atdheut, burim i shumë patriotëve ndër breza. Sot, i ringritur dhe duke u zhvilluar vazhdimisht, pavarësisht sfidave”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se liria do të jetojë deri sa të kujtojmë ata që u sakrifikuan në themelet e saj.

    “Liria do të jetojë deri sa të kujtojmë ata që u sakrifikuan në themelet e saj. Kujtimi i tyre është fryma që e mbartë lirinë përpara. Nderimi që i bëjmë ndaj tyre është një detyrë që nuk duhet të harrohet kurrë e duhet të përcillet tek secila gjeneratë”, është shprehur Haradinaj.

  • Parlamenti spanjoll miratoi Ligjin për amnisti për separatistët katalonas

    Parlamenti spanjoll miratoi Ligjin për amnisti për separatistët katalonas

    Parlamenti i Spanjës i dha miratimin përfundimtar ligjit kundërthënës që amniston qindra separatistë katalonas, që ishin përfshirë në përpjekjen për shkëputje të Katalonjës më 2017.

    Ligji u mbështetet nga Qeveria e koalicionit të krahut të majtë të Spanjës, dy parti separatiste katalonase dhe parti të tjera të vogla politike. Ligji mori 177 vota për, ndërkaq 172 deputetë nga Partia konservatore Popullore dhe ajo e ekstremit të djathtë, Vox, votuan kundër.

    Nga amnistia mund të përfitojë ish-presidenti i rajonit të Katalonjës, Carles Puigdemont, i cili u largua në Belgjikë pas një përpjekjeje të dështuar për shkëputjen e Katalonjës nga Spanja, raporton Evropa e Lirë.

    Nga ligji i ri mund të përfitojnë gjithashtu qindra njerëz të tjerë, duke përfshirë ish-zyrtarë të Qeverisë rajonale të Barcelonës, qytetarë të thjeshtë që morën pjesë në protesta dhe oficerë policie që u përfshin në parandalimin e referendumit të paligjshëm për pavarësi që u mbajt nga Qeveria e Puigdemontit.

    Megjithatë, miratimi i këtij ligji nuk nënkupton që problemet ligjore të separatistëve, që evokuan për pavarësi, do të zgjidhen menjëherë.

    Ligji ka të ngjarë të përballet me sfida ligjore dhe të shqyrtohet nga gjykatat më të larta, të cilat do ta zbatojnë atë rast pas rasti.

    Ka ekspertë që vënë në dyshim kushtetutshmërinë e tij, sepse thonë se ligji do të krijonte pabarazi mes qytetarëve spanjollë, duke favorizuar një grup.

    Që nga marrja e pushtetit në vitin 2018, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, është fokusuar në uljen e tensioneve në Katalonjën verilindore dhe ka argumentuar se amnistia është thelbësore për këtë proces.

    Megjithatë, amnistia ishte gjithashtu një domosdoshmëri politike për Sanchez, i cili pranoi të miratonte faljen për separatistë, pasi kishte nevojë për mbështetjen e ligjvënësve separatistë për miratimin e Qeverisë së re kombëtare në nëntor.

    Ligji u miratua fillimisht nga Dhoma e Ulët e Parlamentit në mars.

    Senati, në të cilin partitë e krahut të djathtë kanë shumicën, në fillim të këtij muaji vendosi veto, por Dhoma e Ulët e shtyu përpara ligjin.

    Edhe pse amnistia është një temë që ka mbështetje në Katalonjë, Partia Popullore dhe Vox kanë organizuar protesta kundër ligjit në Madrid dhe qytete të tjera në mbarë Spanjën.

    Ndërkaq, kritikë të amnistisë ka edhe në partinë e kryeministrit Sanchez.

    Referendumi i pavarësisë u shpall i paligjshëm nga gjykatat në Spanjë dhe rezultoi në krizën më të rëdnë politike të Spanjës në dekada.

    Kjo do të jetë amnistia më e madhe në Spanjë, që nga amnistia e përgjithshme krimet e kryera gjatë diktaturës së Francisco Francos më 1977.

    Ky është gjithashtu ligji i parë i amnistisë i miratuar në Bashkimin Evropian që nga viti 1991, sipas këshillit kërkimor spanjoll, CSIC.

  • ​Gjykimi kundër Thaçit dhe të tjerëve, edhe 104 dëshmitarë do të ftohen për intervistim

    ​Gjykimi kundër Thaçit dhe të tjerëve, edhe 104 dëshmitarë do të ftohen për intervistim

    Në rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të ftohen edhe 104 dëshmitarë për intervistim, thotë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle. Sipas tij, procesi i gjykimit është në mes dhe se nuk dihet kur do të përfundojë. Lidhur me ankesat për zvarritje të procesit, ai konsideron se gjyqtarët janë të përkushtuar për të siguruar që procedurat të jenë të shpejta.

    Michael Doyle ka qëndruar të mërkurën në Prishtinë, ku ka informuar gazetarët për proceset gjyqësore në Hagë.

    Në intervistën për KosovaPress, ai flet për ecurinë e gjykimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Më 6 maj, kryetari i trupit gjykues dha një përditësim për numrin e dëshmitarëve që kanë dëshmuar deri më tani. Pra, atëherë ishin 60 dëshmitarë, tani janë 68 dëshmitarë që sot kanë dëshmuar drejtpërdrejt në gjykatë, dhe 45 dëshmitarë të tjerë dëshmitë e të cilëve janë dorëzuar me shkrim dhe janë pranuar në prova nga gjykata. Gjyqtarët në këtë rast kanë pyetur gjithashtu palët për mënyrat për të përshpejtuar më tej procedurat për t’u siguruar se ato nuk janë vetëm të drejta, por edhe të shpejta. Prokuroria ka vlerësuar se do të thërrasë dëshmitarët e saj për të dëshmuar deri në prill të vitit 2025 dhe një pjesë e madhe e aktiviteteve në sallën e gjyqit së fundmi kanë qenë edhe diskutimet për ritmin e dhënies së dëshmisë nga dëshmitarët, sa dëshmitarë kanë mbetur”, deklaron ai.

    Zëdhënësi i Speciales thotë se nuk dihet numri i saktë i dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim, veçse përmend se prokuroria së fundmi ka thënë se planifikojnë të intervistojnë edhe mbi 100 dëshmitarë.

    “Në fillim të kësaj jave, prokuroria tha se ata synojnë të thërrasin edhe 104 dëshmitarë të tjerë dhe gjithashtu në dosjet e fundit kanë thënë se do të ofrojnë ndryshime të mundshme në listën e tyre të dëshmitarëve në tetor të këtij viti. Pra, ne kemi 13 muaj në proces dhe jemi në mes të procesit të prokurorisë duke paraqitur dëshmitarët e saj…Është e vështirë të thuhet saktësisht. Në fillim të rastit, prokurorisë iu kërkua të jepte një vlerësim të numrit të dëshmitarëve. Vlerësimi fillestar ishte mbi 300, që më pas u reduktua në rreth 190 në total që është thënë në gjykatë, dhe tani informacionet më të fundit janë sërish se rreth 68 dëshmitarë kanë dëshmuar live, 45 dëshmitarë kanë dhënë dëshminë e tyre me shkrim dhe prokuroria së fundmi ka thënë se planifikojnë të thërrasin edhe 104 dëshmitarë të tjerë për të dëshmuar në gjykatë”, shton ai për KosovaPress.

    Në intervistën për KosovaPress, Doyle thekson se vështirë është të përcaktohet edhe kur do të përfundojë gjykimi në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Është shumë e vështirë të vlerësohet koha e përgjithshme e gjykimit sepse pasi prokuroria të përfundojë me rastin e tyre, atëherë ekipet mbrojtëse do të kenë mundësinë të kërkojnë lirimin nga akuzat dhe të presin ndonjë rezultati të kësaj. Atëherë ekipet e mbrojtjes do të fillonin të thërrisnin dëshmitarët e tyre për të dëshmuar në emër të të akuzuarve, dhe ne ende nuk e dimë se sa dëshmitarë do të thërrasë mbrojtja”, thekson ai.

    Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar që procesi të jetë i drejtë. Në njërën nga seancat e Dhomave të Specializuara në Hagë, ai ka thënë se gjykimi duhet të bëhet në kohë të arsyeshme dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Megjithatë, zëdhënësi Michael Doyle thotë se gjyqtarët janë të përkushtuar për të siguruar procedura të shpejta.

    “Ajo që mund të them është se gjatë vitit të kaluar gjyqtarët e trupit gjykues kanë ndërmarrë hapa, duke përfshirë organizimin e seancave të veçanta, nxjerrjen e urdhrave ose miratimin e masave të caktuara me synimin për të siguruar që gjykimi të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kështu, në shkurt, gjyqtarët thirrën një seancë të posaçme për të dëgjuar se si në thelb mund të përshpejtohej prezantimi i çështjes së SPO-së përmes veprimeve nga të dyja palët. Pra, ajo që unë do të thoja është se gjyqtarët janë shumë të përkushtuar për të siguruar që procedurat të jenë sa më të shpejta të jetë e mundur”, përfundon ai.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020./kp

  • Osmani: Mosndëshkimi të marrë fund, ua kemi borxh ushtarëve të KFOR-it që humbën gjymtyrët

    Osmani: Mosndëshkimi të marrë fund, ua kemi borxh ushtarëve të KFOR-it që humbën gjymtyrët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një vjetorin e sulmit të 29 majit ndaj ushtarëve të NATO-s në veri të Kosovës, ka thënë se mosndëshkimi i grupeve serbe të krimit vetëm i ka inkurajuar ata të përsërisin sulmet, siç tregohet qartë përmes aktit të agresionit të 24 shtatorit nga Serbia.

    Osmani ka shkruar në X, se siç dëshmohet qartë nga pamjet me video dhe hetimet kriminale të kryera nga agjencitë e zbatimit të ligjit, 93 ushtarë u plagosën, disa me lëndime të rënda, nga sulmet e grupeve serbe të krimit të organizuar me urdhra të qarta politike nga regjimi i Vuçiqit dhe krerët e bandës së tij.

    “Autorët, të cilët ende vrapojnë të lirë nëpër Serbi dhe të mbrojtur nga regjimi i Vuçiqit, duhet të mbajnë përgjegjësi. Mosndëshkimi vetëm i ka inkurajuar ata të përsërisin sulmet, siç tregohet qartë përmes aktit të agresionit të 24 shtatorit nga Serbia. Ky ishte një sulm kundër NATO-s dhe ata që e urdhëruan dhe e ekzekutuan dihen qartë. Mosndëshkimi duhet të marrë fund! Të gjithë u jemi borxh ushtarëve të rinj që humbën gjymtyrët dhe jeta e të cilëve u ndryshua përgjithmonë, sepse ata vendosën jetën e tyre në vijën e paqes, mbrojtjes dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve”, ka shkruar ai.

  • “Kapja e jo liria e mediave” – PDK-ja akuzon pushtetin rreth Projektligjit për KPM-në

    “Kapja e jo liria e mediave” – PDK-ja akuzon pushtetin rreth Projektligjit për KPM-në

    Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ka qenë sërish shkak i përplasjes ndërmjet deputetëve të opozitës dhe mazhorancës në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, raporton EO.

    Pakënaqësia ka nisur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, i cili tha se në projektligj nuk janë marrë parasysh rekomandimet e ekspertes së Këshillit të Evropës.

    Sipas tij, në përmbajtjen e tanishme është kapja e jo liria e mediave.

    “Mund të them që ky projektligj nuk është i dëshirueshmi. Edhe në memorandumin që na është dërguar thuhet që ligji do të përafrohet me standardet e Këshillit të Europës, por rekomandimet e ekspertes nuk janë marrë parasysh. Edhe shoqëria civile ka ngritur shumë shqetësime. Nuk e di nëse në Kuvendin e Kosovës ka pasë më shumë komente për një projektligj se ky”, ka thënë ai.

    “Qëllimi nuk është që të ketë liri të mediave por është qëllimi i kapjes. Unë nuk do të marrë pjesë në votimin e këtij projektligji”, ka shtuar tutje deputeti Shabani.

    Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti përmendi nenin 42, rreth pronësisë së mediave që sipas ndërkombëtare tregon për ofrimin e transparencës për media.

    “Mendojmë se tri elemente duhet t’i kushtohet vëmendje këtij neni: obligimet qe kanë të licencuarit, kemi kërkuar qe brenda ligjit të ketë transparencë për të licencuarit në lidhje me emrat e pronareve të drejtpërdrejtë”.

    Lidhur me propozimet e KPM-së, deputeti i pushtetit, Besim Muzaqi tha se duhet shtuar edhe diçka e re në amendamentin e projektligjit.

    “Mendoj se është një çështje që duhet të përfshihet në ketë amendament, me qellim qe pronaret përfitues të mos jenë kushdo që fondet e tyre tu kalojnë përmes arkave fiskale, sepse dihet qe këto i ‘shpërlajnë’ mjetet e disa kompanive të cilat i shfrytëzojnë mediat, andaj propozoj e kam një paragraf t’i shtohet këtij amendamenti, pasi mendoj se kjo e plotëson atë: Në shërbim te pluralizmit medial pronarët përfitues nuk bëjnë te jenë ata qe financat e tyre kapërcen përmes të ashtuquajturave parajsës fiskale”, tha Muzaqi.

  • Delfin Pllana emërohet ambasador i Kosovës në Hungari

    Delfin Pllana emërohet ambasador i Kosovës në Hungari

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Delfin Pllana është emëruar si ambasador i Kosovës në Hungari.

    Osmani u shpreh e bindur se Pllana do të vazhdojë t’i forcojë lidhjet mes Kosovës dhe Hungarisë.

    “I shprehi urimet e mia të mira ambasadorit të emëruar Delfin Pllana, teksa mori detyrën e tij të re si Ambasador i Republikës së Kosovës në Hungari”.

    “Unë jam e bindur se ai do të vazhdojë të forcojë lidhjet midis vendeve tona dhe të thellojë lidhjet midis popujve tanë”, shkroi Osmani.

  • Rigjykimi i Dardan Krivaqës, prindërit e Marigona Osmanit largohen nga Kosova për shkaqe sigurie

    Rigjykimi i Dardan Krivaqës, prindërit e Marigona Osmanit largohen nga Kosova për shkaqe sigurie

    Valdete dhe Muhabi Osmani prindërit e të ndjerës, Marigona Osmani janë duke qëndruar jashtë Kosovës për shkaqe sigurie. Pas nisjes së rigjykimit ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut, me 24 maj, prindërit e Marigonës po ndihen të rrezikuar në Kosovë.

    Për këtë arsye ata janë zhvendosur përkohësisht jashtë shtetit deri të përfundon procesi gjyqsor.

    Të premten e 24 majit në Gjykatën Themelore në Ferizaj është mbajtur seanca e rigjykimit ku të akuzuarit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu janë deklaruar të pafajshëm për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

    Në këtë seancë, Avokati i Dardan Krivaqës, Skender Musa ka kërkuar të bëhet zbatimi psikiatrik i të akuzuarit Krivaqa dhe atë; para kryerjes së veprës penale, duke përfshirë periudhën qysh nga klasa e 5-të fillore, kohën e qëndrimit të tij në paraburgim, në Qendrën e Paraburgimit për të Mitur dhe kohën e kaluar në Burgun e Dubravës.

    Kërkesa e tij ende nuk është miratuar nga trupi gjykues.

    Avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi tha për Insajderin se e sheh si të panevojshme pasi ndaj të akuzuarit janë kryer ekzaminimet psikiatrike e psikologjike më herët.

    “Është krejtësisht e panevojshme, aty është bërë një ekspertizë, është bërë ekspertizë psikiatrike e psikologjike e të gjitha. 21 ditë i pandehuri ka qendru në Institutin e Faranikes dhe Psikiatrisë. I janë kryer të gjitha analizat. Këto janë tendenca për me zvarrit procedurën dhe ka për qëllim kinse atë (Krivaqen) mos me e qitë mirë a realisht çdo tendencë e tillë është për me ju shmang burgimit të përjetshëm”, tha ai.

    Sipas avokatit Rexhepi, kërkesa e mbrojtjes është tendencë për t’iu shmang burgimit të përjetshëm.

    “Personi 133 herë është ballafaqu me drejtësinë dhe çdo herë ka dal mirë në aspektin psikiatrik e qetash s’koka mirë. Kjo është një tendencë e mbrojtjes dhe të akuzuar vetëm për t’ju shmangur burgimit të përjetshëm”, deklaroi ai për Insajderin.

    Tutje, avokati konfirmoi po ashtu se edhe prindërit e Marigonës ndodhen jashtë shtetit për shkaqe sigurie.

    Ai, thotë se pasi rasti është kryer në rigjykim, prindërit po ndihen shumë të pasigurtë.

    “Rasti që është kryer në rigjykim, prindërit janë duke e ni vetën shumë të pasigurtë me ardh këtu në Kosovë. Po ndihen të pasigurrë për shkak se kanë dyshimet e veta me u kthy. Ata kanë pas kanosje edhe pas kryerjes së aktit që e kanë pas dhe kanë dyshime” tha tutje ai.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por,Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

  • Kurti uron Genc Nimanbegun: Gëzuar për suksesin tuaj të merituar

    Kurti uron Genc Nimanbegun: Gëzuar për suksesin tuaj të merituar

    Kryeministri Albin Kurti ka uruar kryetarin e ri të Ulqinit, Genci Nimanbegu me rastin e zgjedhjes së tij në krye të kësaj komune.

    Kurti ka shprehur kënaqësi dhe besim të plotë tek ai si kryetar i ri i Ulqinit deri sa e uroi për një mandat të frytshëm demokratik e progresist.

    “Urim për kryetarin e ri të Ulqinit, z. Genci Nimanbegu

    Ulqini ka zgjedhur mbrëmë një kryetar të ri për ta drejtuar e përshpejtuar komunën kah rruga e përparimit qytetar e kombëtar dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror.

    Kryetari i ri, z. Nimanbegu më parë ka qenë deputet dhe nënkryetar i Kuvendit në Mal të Zi. Ai ka një përvojë të gjatë në politikë që do t’i shërbejë shumë në detyrën e re për arritje dhe rezultate të mëtejme.

    Me kënaqësi dhe besim të plotë tek ai si kryetar i ri i Ulqinit, e uroj Gencin për një mandat të frytshëm demokratik e progresist!

    Gëzuar për suksesin tuaj të merituar z. Nimanbegu.”, ka shkruar Kurti.

  • Një grua raporton në polici se u ngacmua seksualisht nga një i moshuar

    Një grua raporton në polici se u ngacmua seksualisht nga një i moshuar

    Një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se është ngacmuar seksualisht nga një i moshuar në Lipjan. Sipas policisë, i dyshuari është larguar me veturë të panjohur.

    “Ankuesja femër kosovare ka raportuar se është ngacmuar seksualisht nga një person i moshuar, i cili më pas është larguar me një veturë në drejtim të panjohur” – thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

    Rasti është regjistruar më 29.05.2024, rreth orës 12:25 dhe i njëjti është në procedurë hetimore.