ATV

Author: ATVLive

  • Dodik jashtë realitetit: Njoftoi se nesër do të dërgojë marrëveshjen për shkëputje

    Dodik jashtë realitetit: Njoftoi se nesër do të dërgojë marrëveshjen për shkëputje

    Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërguan një paralajmërim të drejtpërdrejtë kryetarit të enklavës serbe në Bosnje dhe Hercegovinë e quajtur Republika Serbe, Millorad Dodik se “shkëputja” do të thotë fundi për këtë entitet, kryetari i RS nuk heq dorë.

    Dodik ka paralajmëruar se deri në fund të muajit, që do të thotë sot ose nesër, do t’u dërgojë partnerëve në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës një marrëveshje për shkëputjen e kësaj enklave nga Federata, transmeton Paparaci.

    “Ne do të jemi në organet e Bosnje dhe Hercegovinës, por do të marrim vetëm vendime në interesin tonë. Dhe duke qenë se atje nuk ka vendime në interesin tonë, vështirë se do të marrim vendime”, ka thënë Dodik, duke përkujtuar se Republika Serbe do të dërgojë një marrëveshja për shkëputje deri në fund të muajit, raporton televizioni i Republikës Serbe, RTRS.

    Ai ka thënë se kolegët e tij nga Sarajeva mendojnë se janë të fuqishëm sepse janë të preferuarit e Amerikës.

    “Por ata nuk e dinë që raporti i fuqive ka ndryshuar në botë”, ka thënë ai.

  • ZPS: Dëshmitari i 69-të dhe vëllai i tij u arrestuan dhe keqtrajtuan nga persona që mbanin krah shirita të UÇK-së

    ZPS: Dëshmitari i 69-të dhe vëllai i tij u arrestuan dhe keqtrajtuan nga persona që mbanin krah shirita të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 69-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili është me masa mbrojtëse dhe ka kodin W01336 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar ZPS-ja e përfaqësuar nga prokurori Cezari Mihalçuk, i cili tha se dëshmitar së bashku me vëllain e tij është arrestuar në një vend pranë Prishtinës nga persona të cilët kanë mbajtur fasha krahu të UÇK-së të cilët më pas i keqtrajtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Dëshmitari W01336 bashkë me të vëllain u arrestuan më 14 qershor 1999 në një vend pranë Prishtinës nga një grup personave të armatosur që mbanin disa fasha krahu të UÇK-së. Të dy këta burra i lidhen, ua lidhën sytë, i rrahën dhe i quan në një shtëpi aty pran ku i keqtrajtuan. Më pas, i quan në një shtëpi tjetër që nuk ishte shumë larg nga vendi i mëparshëm dhe i vendosen në bodrumin e asaj shtëpie. Shkurtimisht, më pas atje quan një viktimë të tretë. Të tre burrat i morën në pyetje dhe i rrahën”, tha prokurori gjatë leximit të përmbledhjes.

    Më pas, prokurori tha se dëshmitari së bashku me dy të ndaluarit e tjerë kishte arritur të arratiset dhe kishin kërkuar ndihmë nga KFOR-i.

    “Më 15 qershor 1999, pasi i kishin rrahur për shumë orë, dëshmitari me numër 01336 bashkë me dy të ndaluarit e tjerë arritën të arratiseshin dhe kërkuan ndihmë nga KFOR-i”, tha prokurori duke kaluar më pas për pyetjet e tjera në sesion privat për publikun.

    Përpara kësaj, prokurori kërkoi që të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna pranë autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse të pranohen si prova materiale, gjë e cila është aprovuar nga kryetari i trupit gjykues.

    Vlen të theksohet se kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth katër orë që një prej tyre është e ndarë për ZPS-në, 15 minuta për mbrojtësin e viktimave dhe dy orë e gjysmë për kundërpyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

    Në fillim të seancës, kryegjyqtari njoftoi se Krasniqi ka hequr dorë nga e drejta për të marrë pjesë fizikisht në sallën e gjyqit dhe është duke e ndjekur përmes video-lidhjes, ndërsa tre të akuzuarit tjerë janë të pranishëm.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Arrestohen tre të mitur, dyshohet se vodhën dy shtëpi të mërgimtarëve

    Arrestohen tre të mitur, dyshohet se vodhën dy shtëpi të mërgimtarëve

    Drejtoria rajonale e policisë në Pejë ka bërë të ditur se dje rreth orës 07:30 është njoftuar për një vjedhje në fshatin Raushiq.

    Sipas policisë, persona të dyshuar kanë depërtuar me forcë në dy shtëpi dhe objekte përcjellëse të viktimave të cilët jetojnë jashtë vendit, ku të dyshuarit kanë demoluar shtëpitë dhe kanë vjedhur vegla pune.

    “Pas njё pune intensive tё hetueseve tё Stacionit Policor Pejё, ёshtё arritur tё identifikohen dhe arrestohen tre persona tё dyshuar (tё mitur), tё njëjtit janё intervistuar nga hetuesit nё prezencën e prindërve, zyrtarit tё QPS-sё dhe avokatit mbrojtës”.

    “Policia ka sekuestruar nga tё dyshuarit sendet e vjedhura, tё cilat pas procedurave Policore do te ju kthehen pronarëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Më tej, bëhet e ditur se pas intervistimit, dy të dyshuar me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri nga ta është ndaluar për 24 orë.

  • Gërvalla thotë se një luftë tjetër në Ballkan do të mirëpritej nga Rusia

    Gërvalla thotë se një luftë tjetër në Ballkan do të mirëpritej nga Rusia

    Rusia mund të ndezë tensionet në Ballkan dhe të krijojë luftë të re që Perëndimi të mos e ketë fokusin në Ukrainë, thotë ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

    Gërvalla, në një intervistë të mërkurën për “NatSec Daily”, ka paralajmëruar se ambiciet territoriale të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nuk ndalen në kufirin ukrainas.

    Sipas saj, fitorja e Ukrainës kundër Rusisë do të siguronte stabilitet për një kohë të gjatë edhe në “Ballkanin e trazuar”.

    “Strategjia e Putinit është të mbajë Perëndimin të hutuar me konflikte të ndryshme. Pra, një luftë tjetër në Ballkan do të ishte shumë e mirëpritur nga Rusia”, ka deklaruar Gërvalla.

    Kosova në veçanti është objektiv joshës për Putinin, siç thotë Gërvalla, sepse prosperiteti i vendit minon argumentin e tij se Perëndimi nuk mund të ndihmojë vendet e ish-bllokut lindor.

    “Putini flet çdo javë për Kosovën. Nuk ka të bëjë me rëndësinë gjeopolitike të Kosovës, por ka të bëjë me faktin se Kosova është histori suksesi e Perëndimit, histori suksesi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është histori suksesi e NATO-s, histori suksesi e vendeve evropiane”, ka theksuar Gërvalla.

  • Ushtaraku gjerman: Së fundmi në Kosovë dokumentuam varreza masive, regjistruam informacione që mund të përdoren në gjykatë

    Ushtaraku gjerman: Së fundmi në Kosovë dokumentuam varreza masive, regjistruam informacione që mund të përdoren në gjykatë

    Nënkoloneli Marco Langhorst, zëvendëskomandant i Regjimentit të 3-të të Policisë Ushtarake në Mynih të Gjermanisë ka folur për përgatitjet e fundit të kësaj pjese të Forcave të Armatosura Gjermane.

    Në një intervistë të publikuar në faqen e Bundeswehr (ushtrisë gjermane), ai u pyet për çështjen e dokumentimit të krimeve të luftës në përgjithësi, ndërsa e përmendi Kosovën, ku tha se së fundmi kanë dokumentuar varreza masive dhe kanë regjistruar informacione që mund të përdoren në gjykatë.

    “Dokumentimi i krimeve të luftës kishte rënë në plan të dytë për shkak të situatës aktuale të rendit. Së fundmi, gjatë misionit tonë në Kosovë, na është dashur t’i dokumentojmë varrezat masive dhe të regjistrojmë informacione që mund të përdoren në gjykatë. Që atëherë, hapësira e informacionit është bërë dukshëm më e vështirë dhe më e shpejtë. Dezinformimi dhe propaganda janë të zakonshme. Ne duhet të përshtatemi me këtë. Gjatë trajnimit tonë, ne punojmë shumë intensivisht me Zyrën Federale të Policisë Kriminale, ndër të tjera. Përfaqësues të Gjykatës Ndërkombëtare Penale ishin gjithashtu me ne për t’u përgatitur për skenarë të mundshëm. Lufta në Ukrainë tregon shumë qartë se sa e rëndësishme është të dokumentohen krimet e luftës dhe ta dominosh hapësirën e informacionit”, tha Langhorst, i cili është pjesë e policisë ushtarake gjermane që nga viti 1998.

    Regjimenti i 3-të i Policisë Ushtarake në Mynih, Langhorst tha se është “pika e parë e kontaktit për të gjitha pyetjet e policisë ushtarake nga ushtarët në Gjermani”.

  • INDEP: Duhet të ketë një mobilizim kombëtar për sektorin e energjisë

    INDEP: Duhet të ketë një mobilizim kombëtar për sektorin e energjisë

    Është prezantuar Raportit Tematik: “Licensimi në Sektorin e Energjisë: Sfidat, barrierat dhe rekomandime” nga konzorciumi CorrWatch, raporton Ekonomia Online.

    Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka thënë se ky projekt ka për qëllim që në mënyrë të përmbledhur të shpalos një pasqyrë të sfidave, barrierave dhe mundësive që na presin në sektorin e energjisë veçanërisht në pjesën e licencimit.

    “Ne do t’ju ofrojmë një sërë rekomandimesh institucioneve tona. Ky hulumtim është realizuar përmes metodës së shifrave. Ne tashmë jemi specializuar në sektorin e energjisë. Javë më parë ne si INDEP kemi mbajtur një diskutim të mbyllur me sektorin e energjisë deri sa institucionet dhe bizneset janë ballafaquar dhe kanë shpalosur rekomandimet e tyre. Ne do të vëmë në vëmendje publike se ka probleme të shumta në sektorin e energjisë”, ka thënë Abazi.

    Ndërsa, Liron Gjocaj nga po ky institut ka thënë se konsumatorët të cilët duan të bëjnë një projekt për panele solare deri në 7KË duhet ti bëjnë disa kërkesa për aprovim për pranim teknik, marrëveshje për konsumatorë e disa të tjera.

    “Muajve të fundit kemi pasur një lehtësim të vogël për konsumatorët të cilët aplikojnë për panele solare deri në 7 KW. Konsumatorët të cilët duan të bëjnë një projekt për panele solare deri në 7 KW duhet ti bëjnë disa kërkesa për aprovim për pranim teknik, marrëveshje për konsumatorë e disa të tjera. Kemi edhe projekte megavatëshe të cilat kërkojnë procedura shtesë dhe normalisht fuqia dhe të gjitha janë më të rritura. Ka edhe procedura burokratike të cilat e vështirësojnë këtë proces për investitorët. Si projekte të ndërlikuara kanë edhe rreziqe të tjera siç janë kosto e lartë e investimit pasi që kanë kosto të lartë milionëshe që është e paarritshme për shumë individë. Mungesa e lejes ndërtimore është hasur shpesh te investitorët. Shfrytëzoj rastin që të apeloj që kjo leje të mos kërkohet më.

    Gjocaj ka folur edhe për mungesën e fuqisë punëtore.

    “Mungesa e fuqisë punëtore është evidente po ashtu. Asnjë investitor nuk është i interesuar që të investojë e të hasë në probleme institucionale”, ka thënë ai.

    Dardan Abazi shpalosi rekomandime për çka tha se duhet të ketë një mobilizim kombëtar që ky investim të jetë më i lehtë.

    “Tani më kemi një orientim të vendit për de-karbonizim. Por këta investitorë që ne po i ftojmë ne si shtet duhet të sigurohemi që investitorëve t’ju sigurojmë mundësitë e investimeve. Kemi një thirrje për institucionet që të kenë komunikim të duhur, personat përgjegjës që lëshojnë pëlqimin për investime të mos ketë mungesë të komunikimit. Ka fajësime të dy anshme dhe këtyre pëlqimeve dhe në mes janë investitorët. Të kemi një mobilizim kombëtar që ky investim të jetë më i lehtë. One Stop Shop është rekomandimi i dytë i cili do ti printe këtyre investimeve. Nuk duhet të jetë një zyrë informimi por duhet të ketë zyrtarë që i kryejnë këto punë. Kërkojmë të ketë politikë tatimore të vlefshme e të mos ketë barriera tjera. Duhet të kemi një digjitalizim sepse për një dokument investitorët duhet të shkojnë nëpër komunat ku investojnë që të pajisen me dokumente. Duhet të kemi programe të trajnimit dhe të shohin si janë trendet e zhvillimit”, ka thënë ai.

  • Mbyllet grupi “Albkings”, shtatë të arrestuar, në mesin e tyre edhe një femër

    Mbyllet grupi “Albkings”, shtatë të arrestuar, në mesin e tyre edhe një femër

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore e Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka bërë me dije janë arrestuar të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentitetit dhe kredencialeve që publikoheshin në grupin famëkeq me emrin “Albkings” i cili funksionon në rrjetin social “Telegram”, e ku shpërndahen fotografi e numra të telefonave, me qëllim shqetësimin e shpeshherë ngacmimin seksual.

    Në një konferencë për media, Gashi tha se ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa përket veprave penale që do të ndiqen.

    Përveç administratorit të parë është arrestuar edhe administratorja e grupit femër.

    “Ju njoftoj se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe të arrestojë të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentiteti dhe kredencialeve. Marrë parasysh se jemi duke hetuar ende, kërkojmë që të kurseheni sa i përket pyetjeve, pasi që mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen. Sot i kemi gjithsej 7 personave që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për personat tjerë.

    Ndërkohë, prokurorja e rastit, Erza Bajrami-Kastrati, bëri me dije se grupi është mbyllur përfundimisht.

    “Kemi arritur që kërtë grup ta mbyllim përfundimisht. Kemi arritur t’i arrestojmë shtatë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë Bajrami-Kastrati.

  • Abdixhiku: Përbashkimi rreth LDK-së është përgjigje ndaj arrogancës së pushtetarëve

    Abdixhiku: Përbashkimi rreth LDK-së është përgjigje ndaj arrogancës së pushtetarëve

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në tubimin e Forumit të Gruas në degën e kësaj partie në Obiliq.

    Ai ka bërë me dije se LDK-ja thërret për përbashkim të qytetarëve rreth idesë së saj.

    Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë refuzohet propaganda përçarëse e pushtetit.

    “Lidhja Demokratike thërret në përbashkim në çdo qytet e çdo anë, nga çdo familje, çdo grua e çdo burrë që ndihet i lënë pas gjatë katër viteve të shkuara. Përbashkim ynë është përgjigje ndaj arrogancës së pushtetarëve; është refuzim kategorik i propagandës përçarëse! E ardhmja jonë është e ndritshme. Ajo i takon popullit të Kosovës; nuk i përket popullistëve!”, ka shkruar Abdixhiku.

  • Katër komuna më transparente gjatë 2023-ës, sfidë mbetet mosfunksionimi i webfaqeve komunale

    Katër komuna më transparente gjatë 2023-ës, sfidë mbetet mosfunksionimi i webfaqeve komunale

    Lipjani, Drenasi, Ferizaj dhe Prizreni, janë shpallur komunat më transparente për vitin 2023 nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), të cilat janë vlerësuar me 97 pikë, raporton Ekonomia Online.

    KDI, në kuadër të programit për qeverisje lokale dhe pjesëmarrje qytetare edhe këtë vit ka pasqyruar nivelin e transparencës për 38 komunat e Kosovës për vitin 2023 të dhëna këto që janë paraqitur edhe në një raport të titulluar “Transparometri Komunal”.

    Sipas të gjeturave në këtë raport një nga sfidat kryesore që KDI ka hasur gjatë mbledhjes së të dhënave është mosfunksionimi i webfaqeve komunale, si dhe komunat që kanë përjetuar regres të konsiderueshëm si shkak i përballjes me sfida të ndërlidhura me stabiliteti politik dhe administrativ janë katër komunat veriore, që kanë ndikuar negativisht në transparencë dhe llogaridhënie.

    Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë sipas gjetjeve transparenca komunale në nivel komunash përgjithësisht ka shënuar rënie të lehtë krahasuar me raportin e vitit 2022.

    Ai ka shtuar se nga të dhënat e përgjithshme tregojnë se përfomancë më të mirë kanë Kuvendet Komunale.

    Ai ka theksuar se si shkak i konteksteve specifike politike në katër komunat e veriut është treguar mungesë të transparencës dhe llogaridhënies.

    “Sipas gjetjeve Transparenca komunale në nivel komunash përgjithësisht ka shënuar rënie të lehtë krahasuar me raportin e vitit 2022. Prandaj, është e nevojshme të vazhdohet puna për rritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies, për të ruajtur dhe përmirësuar qëndrueshmërinë e nivelit të transparencës, sidomos në ato komuna që kanë pasur performancë më të dobët sa i përket përmbushjes së standardeve. Në 24 indikatorët, të dhënat e përgjithshme tregojnë se përformancë më të mirë kanë Kuvendte Komunale. Një nga sfidat kryesore që është në qeverisjen lokale me vite të tëra është azhurnimi i dhe mirëmbajtja e webfaqeve të ndryshme. Komunat më veri të Kosovës të cilat janë përballur me kontekstet specifike politike që kanë ndikuar në transparencën dhe llogaridhënien politike”, ka thënë ai.

    Selvije Kurti, menaxhere e projekteve në KDI, ka thënë se qëllimi i publikimit të “Transparometrit Komunal” nga KDI është të promovojë dhe përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien në qeverisjen lokale të Kosovës.

    Ajo ka thënë se ky vlerësim synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtat e tyre për qasje në informacion, mbikëqyrjen e autoriteteve komunale dhe të inkurajojë pjesëmarrjen në vendimmarrje.

    “Transparenca komunale në nivel komunash përgjithësisht ka shënuar rënie të lehtë krahasuar me raportin e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2022. Prandaj, është e nevojshme të vazhdohet puna për rritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies, për të ruajtur dhe përmirësuar qëndrueshmërinë e nivelit të transparencës, sidomos në ato komuna që kanë pasur performancë më të dobët sa i përket përmbushjes së standardeve të transparencës. Transparenca e të gjitha 38 institucioneve lokale për vitin 2023 është vlerësuar në mënyrë retrospektive, pra matjet janë realizuar midis 25 marsit dhe 30 prillit 2024. KDI është bazuar në metodologjinë tashmë të konsoliduar të ‘Transparency International’, që i referohet matjeve në kuadër të 48 indikatorëve por dhe përvojës së saj të gjatë në monitorimin e punës së qeverisjes lokale”.

    “Të gjithë 48 indikatorët janë të fokusuar që të matin transparencën në 2 shtylla qenësore të qeverisjes lokale: Kuvendin Komunal dhe Zyrën e Kryetarit/es. E njëjta metodologji është aplikuar edhe për katër komunat Mitrovica e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Edhe pse është bërë monitorimi i uebfaqeve të tyre, këto komuna kanë qëna pasive gjatë viti 2023, duke ju pamundësuat qytetarëve që të dinë se çfarë po ndodh ne vendet e tyre. Komunën e Ranillugut, webfaqja nuk ka qenë funksionale”,

    Kurti me këtë rast ka prezantuar të gjeturat kryesore nga ky monitorim.

    “Rreth 52 për qind e komunave nuk i publikojnë materialet e seancave të Kuvendit Komunal. Kjo mungesë transparence pengon qytetarët dhe aktorët e tjerë të interesuar të informohen mbi diskutimet dhe vendimet e marra nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Rreth 86 për qind e komunave nuk ofrojnë qasjen në dokumente në gjuhët zyrtare. Kjo përjashton një pjesë të popullsisë së Kosovës nga qasja e barabartë në informacione, duke krijuar barriera gjuhësore që pengojnë transparencën. Rreth 32 për qind e Kuvendeve Komunale nuk kanë mbajtur diskutime brenda afateve ligjore mbi shpenzimet tre-mujore. Kjo mungesë diskutimi ndikon në mbikëqyrjen dhe llogaridhënien financiare të komunave ndaj qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre në nivel lokal”.

    “Rreth 30 për qind e kryetarëve nuk raportojnë para Kuvendeve Komunale. Kjo mungesë transparence dhe llogaridhënie pengon mbikëqyrjen efektive të ekzekutivit lokal nga ana e përfaqësuesve të zgjedhur, si një nga parimet kryesore të demokracisë të paraparë me ligj. Rreth 40 për qind e komunave nuk publikojnë planin e punës të kryetarëve. Kjo mungesë informimi i lë qytetarët pa mundësinë për të parë dhe vlerësuar prioritetet dhe qëllimet e qeverisjes lokale. Rreth 50 për qind e komunave nuk kanë publikuar borxhin komunal. Kjo tregon për një mungesë transparence në menaxhimin e financave publike, duke e bërë të vështirë për qytetarët të kuptojnë gjendjen financiare të komunës së tyre”, u shpreh ajo.

    Ajo ka thënë se rreth 32 për qind e komunave nuk kanë informata për koordinatorin për qasje në dokumente zyrtare dhe nuk kanë raporte të përgjigjeve në kërkesa zyrtare të publikuara. Kjo sipas saj e bën të vështirë për qytetarët të dinë ku të drejtohen për të kërkuar informacione.

    Ndërsa 42 për qind e komunave nuk kanë publikuar listën e pronave të dhëna me qira. Kjo mungesë transparence mund të krijojë dyshime mbi procesin e dhënies me qira të pronave publike dhe të ndikojë në besimin e qytetarëve ndaj qeverisjes lokale.

    “Rreth 50 për qind e komunave nuk kanë bërë konsolidimin e bashkësive lokale dhe nuk kanë informata publike rreth tyre. Kjo tregon për një mungesë angazhimi në ndërtimin e strukturave të qeverisjes lokale që janë të qarta dhe të parapara me ligj si mekanizma për rritjen e përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Rreth 35 për qind e komunave nuk kanë publikuar një listë me shërbimet që ofrojnë për qytetarët, dhe ato që kanë publikuar këtë listë, shumica janë të vështira për tu gjetur në webfaqe. Kjo mungesë informimi pengon qytetarët të marrin informata dhe shërbime të nevojshme në kohë dhe me lehtësi”.

    “Një problem gjithëpërfshirës në nivel komunash është formatet e paqarta, organizimi i dobët, mos emërtimi adekuat i dokumenteve dhe mos hapja e të dhënave (open data) në webfaqe që bëjnë të vështirë qasjen në dokumente. Kjo problematikë pengon qytetarët, shoqërinë civile dhe mediat për të gjetur dhe përdorur informacionet që u duhen”, ka thënë ajo.

  • Lajmet e rreme për skemat pensionale, Ministria e Financave: Mos bini pre e mashtrimeve dhe dezinformatave

    Lajmet e rreme për skemat pensionale, Ministria e Financave: Mos bini pre e mashtrimeve dhe dezinformatave

    Ministria e Financave ka dalë me një njoftim për qytetarët pas disa informatave të rreme që po qarkullojnë këto ditë mbi skemat pensionale.

    Ministria kërkon që qytetarët të kenë kujdes se ku informohen dhe bën thirrje që të mos bien pre e mashtrimeve edhe të atyre rasteve kur iu kërkohen para këmbim të një pagese.

    “Siç ju kemi informuar edhe përmes një njoftimi paraprak, udhëzoheni të jeni të kujdesshëm ndaj informatave të rreme që qarkullojnë këto ditë, të cilat kanë për qëllim keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë dhe mund të përbëjnë skema mashtruese apo edhe tendencë për keqpërdorimin e të dhënave personale. Lidhur me çdo ndryshim eventual, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të shmangin informatat dhe shërbimet e tjera jozyrtare. Ftojmë qytetarët të kenë kujdes e të mos bien pre e mashtrimeve dhe dezinformatave, dhe rastet e tilla kur ju premtohen shuma parash në këmbim të një pagese tani, t’i paraqesin edhe në organet e rendit”.

    Dje Policia e Kosovës tha se “bazuar në autorizim dhe në informacionet e siguruara, njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të RKS-së”.

    “Policia e Kosovës po i trajton të gjitha informacionet relevante, përderisa të gjitha veprimet në vazhdim do t’i ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, andaj njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë qytetarëve/pensionistëve që të mos bien pre e mashtrimeve të mundshme, dhe për çdo rast të dyshuar ta njoftojnë Policinë e Kosovës, në stacionet më të afërta policore apo në (192) dhe [email protected]”.