ATV

Author: ATVLive

  • ​25 vjet nga rënia e dëshmorit Xhemajl Fetahaj

    ​25 vjet nga rënia e dëshmorit Xhemajl Fetahaj

    Sot mbushen 25 vjet nga rënia heroike e dëshmorit Xhemajl Fetahaj.

    Fetahaj u lind më 1963 në Raushiq të Pejës dhe ra heroikisht për të mos vdekur kurrë më 31 maj 1999, në luftimet në kufirin shqiptaro-shqiptar në Koshare.

    Ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, luftëtar i radhëve të UÇK-së dhe është shpallur hero i Kosovës./kp

  • ​Sot Dita botërore pa duhan

    ​Sot Dita botërore pa duhan

    Çdo vit më 31 maj Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët e saj organizojnë Ditën botërore pa duhan me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit nga rreziku që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.

    Me rastin e kësaj dite, Organizata Botërore e Shëndetësisë tërheq vëmendjen ndaj efekteve të dëmshme të duhan-pirjes dhe ekspozimit ndaj tymosjes pasive, si dhe këshillon kundër përdorimit të duhanit në çfarëdo lloj forme.

    Duhani është një faktor kryesor risku për sëmundjet jo-ngjitëse, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabeti.

    Përfitimet e lënies së duhanit janë pothuajse të menjëhershme. Pas vetëm 20 minutash pa duhan, ulen rrahjet e zemrës, brenda 12 orësh bie në nivel normal monoksidi i karbonit në gjak, brenda 2-12 javësh, përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe rritet funksioni i mushkërive.

    Brenda 1-9 muajve zvogëlohen kollitja dhe gulçimi. Brenda 5-15 vjetësh, risku i goditjes në tru bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin. Brenda 10 vjetësh, shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive përgjysmohet krahasuar me atë të duhanpirësve. Brenda 15 vjetësh, risku i sëmundjeve së zemrës bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin.

    Ndryshe, shanset që duhanpirësit ta lënë duhanin me sukses janë 84% më të mëdha kur marrin këshillim intensiv nga mjeku.

    Për t’u ndihmuar duhanpirësve që ta lënë duhanin, OBSH-ja dhe partnerët e saj kanë zhvilluar mjete të reja digjitale, siç janë chatbot-i i Sfidës së Lënies së Duhanit (Quit Challenge) dhe punëtorja digjitale shëndetësore me Inteligjencë Artificiale Florence që simulon një punëtor të kujdesit shëndetësor për t’i luftuar dezinformatat rreth COVID-19 dhe duhanit, ofron këshilla të shkurtra për duhanpirësit rreth lënies së duhanit, si dhe i referon duhanpirësit në shërbimet digjitale për lënien e duhanit.

    Sfida e Lënies së Duhanit jep këshilla të përditshme dhe inkurajim deri në gjashtë muaj për t’i ndihmuar kujtdo të qëndrojë larg duhanit. Aplikacioni është në dispozicion falas në WhatsApp, Viber, Facebook Messenger dhe WeChat.

    Në nivel botëror, rreth 39% e burrave dhe 9% e grave janë duhanpirës. Normat më të larta të duhan-pirjes gjenden aktualisht në Evropë, në nivel prej 26%, ndërkohë që parashikimet tregojnë një rënie prej vetëm 2% deri në vitin 2025 nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime urgjente.

  • Donald Trump shpallet fajtor në gjykimin historik

    Donald Trump shpallet fajtor në gjykimin historik

    Një juri në Manhattan e shpalli fajtor ish presidentin amerikan Donald Trump për të gjitha 34 akuzat për falsifikimin e të dhënave të biznesit me të cilin u përball në gjyqin e tij penal në Nju Jork.

    Trump është presidenti i parë në historinë e SHBA që dënohet për një krim.

    Prokurorët e akuzuan Trump se mori pjesë në një komplot të paligjshëm për të minuar integritetin e zgjedhjeve të vitit 2016 dhe një plan të paligjshëm për të shtypur informacionin negativ, i cili përfshinte fshehjen e një pagese të heshtur për yllin e filmave për të rritur, Stormy Daniels.

    Gjykatësi Juan Merchan caktoi një seancë dëgjimore për 11 korrik. /CNN

  • Gjendet personi i zhdukur në Pejë

    Gjendet personi i zhdukur në Pejë

    Gёzim Shaban Trakaniqi, i shpallur në kërkim pas largimit nga shtëpia më 22 maj 2024, është gjetur sot në Gjakovё.

    Trakaniqi ishte shpallur i zhdukur nga familjarët e tij më 23 maj të këtij viti.

    Policia menjёherё ka ndёrmarrё masat e nevojshme pёr gjetjen e personit tё zhdukur.

    Policia, pas identifikimit të personit të zhdukur, e ka shoqëruar nё Stacionin Policor nё Gjakovё, e mё pas i njëjti ёshtё sjellë nё Sektorin Rajonal pёr Hetime DRP – Pejё pёr intervistim.

    Pas kontrollit mjekësor nё koordinim tё plotё me Prokurorin e shtetit, personi u është dorëzuar familjarëve, njofton Policia e Kosovës.

  • “Dardafoni” ia merr 5.8 milionët Telekom-it

    “Dardafoni” ia merr 5.8 milionët Telekom-it

    Përgatiti: Armand Hoti

    Për Telekomin, lajmi i keq është se 5,8 milion Euro i janë tërhequr nga xhirollogaria nga përmbaruesi.

    Lajmi i mirë ndërkaq, është se tashmë xhirollogaritë janë zhbllokuar dhe punëtorët ka gjasë që nesër marrin paga.

    Përmbaruesi privat, Irfan Kërqagu, në emër të vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, tashmë ka tërhequr totalin e shumës që parashihej në urdhër përmbarimor.

    “Në të njëjtën ditë që komisioni disiplinor ka hequr masën e suspendimit, përmbaruesi menjëherë ka vazhduar përmbarimin e shumës me vlerë mbi 5,8 milion euro”, tha Feim Kelmendi, drejtor financiar në “Telekom”.

    Drejtori financiar i “Telekomit”, Feim Kelmendi, thotë se ekspertiza financiare e caktuar nga shkalla e dytë e komerciales, përcakton se ndërmarrja publike i detyrohet më pak “Dardafonit”.

    “Shuma e re që kanë caktuar ekspertët është rreth 5,5 milionë euro, 300 mijë euro më pak se sa shuma që ka përmbaruar përmbaruesi. Sigurisht që ne kemi kontest edhe në këtë shumë, në procesin që është në zhvillim e sipër ne presim që kjo shumë të zbresë akoma, edhe nëse nuk përfshihet kërkesa jonë 10 milionëshi, kjo shumë sipas llogaritjeve tona duhet të bie nën 4,7 milion”, tha Kelmendi.

    Minusi 5,8 milionësh, mundë t’i afektojë për të keq edhe projektet e së ardhmes, të planifikuara nga menaxhmenti i ndërmarrjes.

    “Problematika kryesor që na lë keq, është se projektet që janë në investim e sipër, një pjesë të atyre projekteve kemi planifikuar t’i financojmë përmes kredisë që e kemi marrë nga aksionari, ndërsa një pjesë tjetër kemi planifikuar ta financojmë me mjete tona”, tha Kelmendi.

    Me ekzekutimin e urdhrit përmbarimor, xhirollogaritë e ndërmarrjes u zhbllokuan pas tre muajsh. Tash, rreth 1800 punëtor të “Telekomit”, presin që pagat t’i marrin me kohë.

    Janë zhbllokuar llogaritë, po presim që sot ose nesër të dalin edhe pagat e punëtorëve…tre muaj kanë qenë muajt më të rëndë që i ka pasur ndonjëherë “Telekomi””, tha Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të “Telekomit”.

    Kontesti përmbarimor mes “Dardafonit” dhe “Telekomit”, derivon nga vendimi i arbitrazhit i vitit 2016, që obligonte ndërmarrjen publike t’i paguante “Dardafonit” 27 milionë euro.

    Sipas zyrtarëve të Telekomit, ata I kanë paguar kësaj kompanie mbi 40 milion Euro deri më tani.

  • “Telefon” politika e jashtme, “joserioze dhe e pasuksesshme”

    “Telefon” politika e jashtme, “joserioze dhe e pasuksesshme”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional, në fushën e politikës së jashtme, kanë qenë pikërisht përmes telefonit, sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit”.

    Kjo deklaratë e presidentes Vjosa Osmani, e cila shpërfaqi mungesën e bashkërendimit të veprimeve me Kuvendin dhe Qeverinë, nga politologë e opinionistë vlerësohet si dëshmi e joseriozitetit në politikën e jashtme.

    Këtë praktikë, politologu Fidan Ukaj e cilësoi mungesë kujdesi dhe vëmendjeje ndaj çështjeve dhe detyrave shtetërore.

    “Nëse ndalemi dhe analizojmë këto koordinime të institucioneve, nëpërmjet telefonit, atëherë rezultatet veçse i kemi prezente: nuk kemi asnjë njohje të re, e po ashtu nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Përpjekja e fundit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, dështoi. Dhe, nga deklarimi i presidentes tregohet qartë se nuk ka pasur një seriozitet, e po ashtu ka pasur një neglizhencë, në koordinimin e veprimeve ndërinstitucionale”, tha Ukaj.

    As bashkërendimi i derivonshëm, në çfarëdo forme të komunikimit, në vlerësimin e gazetarit Bekim Kabashi nuk i solli suksese diplomatike Kosovës.

    “Bërja e politikës së jashtme ose koordinimi përmes telefonit, siç tha presidentja, nuk e di – në aspektin e sigurisë nuk mund të flas, janë njerëzit tjerë që mund të thonë – por, shihet që edhe nëse vlerësohet prej tyre që ka pasur koordinim, ky koordinim nuk ka qenë i duhuri, pra nuk është që kanë ndjekur një politikë të jashtme të duhur, sepse rezultatet po e tregojnë të kundërtën”, tha Kabashi.

    Veprimet e pakoordinuara nga Qeveria, përkatësisht letra e ministres Donika Gërvalla, sipas presidentes Vjosa Osmani, ndryshoi zotimin e krerëve të shtetit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në raport me përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

  • Dështon të nisë gjykimi për krime lufte në Vushtrri

    Dështon të nisë gjykimi për krime lufte në Vushtrri

    Përgatiti: Nora Luta

    Këtë vit u shënua 25-vjetori i masakrës së 22 majit në Vushtrri, gjatë së cilës mbi 50 civilë shqiptarë mbetën të vrarë, e mijëra të tjerë u dëbuan me forcë.

    Një javë pas, në cilësinë e të akuzuarve për pjesëmarrje në këtë masakër dhe krime lufte në territorin e kësaj komune, Zoran Kostiq dhe Dragan Milovic në pranga u sollën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Por mbrojtja e Kostiqit tha se nuk u pajis fare me shkresat e lëndës, e ajo e Milloviqit vetëm pjesërisht, çka bëri që shqyrtimi fillestar të shtyhet për një ditë tjetër.

    “Sipas ligjit, PSRK-ja e ka obligim që të na dorëzojë, aktakuzën e kam pranuar tani para disa çastesh, s’e kam lexuar unë, e as i akuzuari”, tha Predrag Milkoviq, avokat i Zoran Kostiqit.

    Sipas aktakuzës, Kostic si pjesëtar i forcave serbe është përgjegjës edhe për masakrën ndaj familjes Ujkani.

    “Në mesin e pjesëtarëve të tjerë të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë ishte edhe Zoran Kostic, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpitë të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik, si: Imer Ujkani, Muhamet Ujkani me bashkëshorte, Behxhet Ujkani, Fehmi Ujkani, Sofije Ujkani, Faik Ujkani, po ashtu, në ditën kritike vriten edhe Tefik Ujkani me bashkëshorten Halide Ujkani, dhe me qëllim për t’i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani”, thuhet në Aktakuzë.

    Ndërsa, Dragan Milovic, sipas aktakuzës, kishte marrë pjesë në dëbimin me forcë të rreth 20 mijë civilëve.

    “Në periudhën e luftës në Kosovë, me forcë i kanë dërguar diku 20.000
    banorë civilë të Vushtrrisë te varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë
    maltretuar, rrahur, torturuar civilë, të cilët gjendeshin të grumbulluar të varrezat e qytetit. Në mesin e kësaj popullate shqiptare ishte edhe Kadri Shaqiri, i cili e njihte tani të akuzuarin Dragan Milovic dhe e lut të akuzuarin që ta shpëtojë, por ai i thotë “skam çka me të ba””, thuhet më tej në Aktakuzë.

    Kostiq e Milovic u arrestuan në shtatorin e vitit të kaluar, bashkë edhe me Ilija Elezoviqin, i cili dyshohej ndër të tjera se në fshatin Nadakoc kishte plagosur një person.

    Por, Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij, pasi ai ka vdekur si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ai ishte liruar nga paraburgimi me dorëzani.

  • Drenasi, Ferizaj, Prizreni e Lipjani, komunat më transparente

    Drenasi, Ferizaj, Prizreni e Lipjani, komunat më transparente

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Prizreni, Ferizaj, Lipjani dhe Drenasi janë komunat më transparente për vitin 2023. Këto katër komuna, nga Instituti Demokratik i Kosovës janë vlerësuar me më së shumti pikë.

    “Komunat e Drenasit, Prizrenit, Lipjanit dhe Ferizajt i kanë marrë 94 pikë. Pastaj e kemi Komunën e Klinës që ka shënua një progres të madh me 93 pikë. Ndërkohë, Komuna e Rahovecit dhe ajo e Skenderaj i kanë nga 92 pikë”, tha Selvije Kurti, menaxhere e projekteve në KDI.

    Ndonëse, katër komunat veriore tashmë udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, vazhdojnë të mos qëndrojnë mirë në renditje sa i përket llogaridhënies ndaj qytetarëve. Përveç Mitrovicës së Veriut që është vlerësuar me 13 pikë, tri komunat e tjera renditen të fundit.

    “Mitrovica e Veriut ka 13 pikë, Parteshi ka 12, ndërkohë, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku i kanë 2 pikë”, tha Kurti.

    Sidoqoftë, kryetaret e komunave që kryesuan në vlerësimin e KDI-së, u shprehën të lumtur. Megjithatë, thanë që për qeverisjet lokale, situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

    “Kjo tregon që jemi të përkushtuar të bashkëjetojmë më ta në punët dhe angazhimet. Sot ne jemi të atakuar shumë me çështjet financiare, me ngarkesat financiare që janë si rezultat i kontratës kolektive dhe çështje të tjera që janë shndërruar në një barrë të rëndë, madje të papërballueshme të komunave dhe se viti 2024 dhe 2025 janë një lloj viti garues se si të jenë vitet më të këqija të komunave”, tha Agim Aliu, kryetar i Ferizajt.

    “E marrim për të mirëqenë një raport të tillë analitik në 48 indikator, por mbetet detyrë e përkushtim i yni i përbashkët që këto rezultate të jenë të qëndrueshme. Po e theksoj vetëm një çështje, të gjitha komunat e Kosovës kanë rrjete sociale dhe besoni ose jo për krejt këto rrjete sociale kurrkush nuk ka një normë që e rregullon këtë standard”, tha Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit.

    Me sfida të mëdha po përballen edhe zyrtarë komunalë për komunikim me publikun.

    “Mirëpo, sfidat e zyrtarëve të komunikimit me publikun kaë qenë jashtëzakonisht të mëdha gjatë viteve 2022-2023-2024, për shkak se ueb-faqet zyrtare ku bëhet edhe matja kryesore, kanë qenë jashtëzakonisht të vështira për t’u qasur, për t’u publikuar dhe për të marrë informata për to”, tha Bekim Dobra, zëdhënës i komunës së Drenasit.

    Raporti i Instituti Demokratik, që ndryshe njihet si “Transparometri Komunal”, synon ta rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtat e tyre për qasje në informacion, mbikëqyrjen e autoriteteve komunale dhe të inkurajojë pjesëmarrjen në vendimmarrje.

  • Procesi i avancimit të statusit të Kosovës në asamblenë e NATO-s

    Procesi i avancimit të statusit të Kosovës në asamblenë e NATO-s

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me shumicë votash, Asambleja Parlamentare e NATO-s, të hënën, avancoi statusin e Kosovës, nga anëtare vëzhguese në të asociuar.

    Sipas kryesuesit të delegacionit kosovar, Driton Hyseni, që ishte pjesë e punimeve në Sofje të Bullgarisë, për shtetin ky është moment i rëndësisë së veçantë.

    “Një hap i rëndësishëm drejt prezencës në kuadër të asamblesë së NATO-s, por edhe për faktin se do të kemi një delegacion më të gjerë në punimet e asamblesë. Një mundësi që zëri i Kosovës të dëgjohet në asamble”, tha Hyseni.

    Megjithatë, për delegacionin kosovar pjesë e të cilit është edhe Xhavit Haliti, sigurimi i votave nuk ishte punë e lehtë.

    “Kemi takuar veç e veç të gjitha delegacionet, edhe ato të shteteve mosnjohëse”, tha Hyseni.

    Bindja e shteteve anëtare për votë pro avancimit, bëhej edhe më e vështirë nga lobi i Serbisë.

    “Delegacioni serb ishte mjaft i madh në kuadër të punimeve, duke tentuar t’i takojë të gjithë delegatët, me qëllim që të pengohet avancimi i Kosovës. Por fatmirësisht dështuan”, tha Hyseni.

    “Delegacionin e Serbisë e kishim shumë afër. Dhe, normalisht që kishim përplasje, sa u përket argumenteve për zhvillimet në Kosovë, dhe qasjen tonë ndaj komunitetit serb. Ky delegacion shërbehej me të pavërteta. Kosovën e quanin “Kosova dhe Metohija””, tha Hyseni.

    Por, angazhimi kundër Kosovës, palës serbe i shkoi huq.

    “Vendimin pozitiv për Kosovën, pala serbe e ka pritur me fytyra të ngrysura. Menjëherë janë ngritur të dalin nga asambleja. Sepse ka qenë e paparashikueshme për ta që të kemi epilog të tillë. Vetëm një deputet të Bullgarisë nuk e di si e kanë bindur të mos votojë pro avancimit të Kosovës”, tha Hyseni.

    Tani mbi statusin e anëtarit të asociuar, mbetet veç anëtarësimi në NATO.

    “Statusi i asociuar është stadi më i lartë. Tani na pret veç anëtarësimi në NATO”, tha Hyseni.

    Para se ta merrte statusin e vëzhguesit në asamblenë e NATO-s, në vitin 2014, Kosova mbante statusin e mysafirit.

  • Policia hap tender për blerje të pizhameve e çorapeve

    Policia hap tender për blerje të pizhameve e çorapeve

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Policët me shumë gjasë do ta kenë më të lehtë dimrin e ardhshëm. Institucioni në të cilin punojnë planifikon t’i pajisë me pizhame e çorapë, disa edhe termike.

    Për furnizim me këto rroba, Policia shpalli tender në vlerë prej 465 mijë eurosh.

    Tenderi parashihet të ndahet në katër pjesë. E para kap vlerën e 258 mijë eurove dhe parasheh blerjen e 17.200 palë pizhameve për zyrtarët policorë.

    Pjesa e dytë e ndarë për furnizim me çorapë, parasheh blerjen 39.000 palë çorapeve, në vlerë prej 39 mijë eurosh. Ndërkaq, për pjesën 3 dhe 4, parashihet të blihen nga 4200 palë çorapë e pizhame termike, në vlerë totale prej 168 mijë eurove.

    Ky investim për policët konsiderohet i nevojshëm, meqë edhe performanca e policisë varet nga kushtet që institucioni ua ofron.

    “Ky institucion bart mbi vete barrën më të madhe të sigurisë në vend dhe natyrisht secili investim, qoftë në logjistikë apo burime njerëzore, është i mirëseardhur, kështu që duke pasur parasysh që kërkesat janë bukur të mëdha rreth logjistikës, pra ky është një lajm i mirë, ngaqë Policia e Kosovës do të pajiset me çorape e gjëra të tjera dhe përkujdesja shëndetësore do të jetë më e mirë ndaj tyre”, tha Avni Islami, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Por policët ende përballen me mungesë të pajisjeve bazike, siç janë uniformat.

    Përkundër nevojës së madhe për to, tenderi për pajisje me uniforma u pezullua muajin e kaluar.