ATV

Author: ATVLive

  • Kurti në koncertin e Shkurte Fejzës: Në ditët e errëta na frymëzuat e ngushëlluat, na dhatë shpresë e forcë

    Kurti në koncertin e Shkurte Fejzës: Në ditët e errëta na frymëzuat e ngushëlluat, na dhatë shpresë e forcë

    Kryeministri Albin Kurti në koncertin “50 vjet zëri i kombit” të këngëtares Shkurte Fejza mbrëmë tha se ajo e ka frymëzuar e ngushëlluar popullin në robëri e i ka dhënë shpresë e forcë

    Në koncertin për 50 vjetorin e karrierës së Shkurte Fejzës, të organizuar dhe mbajtur në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Kurti tha:

    “Me juve Shkurte, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Ky gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë, neve këtu dhe motrat e vëllezërit tonë të mërguar, na keni frymëzuar e ngushëlluar, na keni dhënë shpresë e forcë, që zemra kurrë mos të harroj dashninë për Kosovën dhe kombin”,

    Para shumë të pranishmëve në këtë koncert, kryeministri i tha Shkurte Fejzës se “do ta marrim qarkun edhe sonte si ngahera me këngët tuaja: qarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetën e lirë, të dashurisë së pavdekshme të secilës e të secilit që lindi, deshi, punoi e luftoi, ra e jeton për Kosovën”.

    Fjala e plotë e Kurti:

    I nderuar kryeparlamentar Glauk, e nderuar zëvendëskryeministre Donika,

    Të nderuara ministra, deputetë e përfaqësues të institucioneve, kryetarë të komunave,

    Të nderuar ambasadorë e përfaqësues të shteteve mike,

    I nderuar kompozitor i ”Xhamadani Vija Vija”, Zef Çopa,

    Të dashur pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, trevat e tjera shqiptare e nga mërgata,

    Të nderuar zonja dhe zotërinj, të dashura motra dhe vëllezër,

    Është vështirë ta marrësh fjalën para këngës, dhe dyfish vështirë përballë kremtes së 50- vjetorit të zonjës që mori fjalën për qëndresën dhe sakrificën e popullit shqiptar. Andaj unë i kërkoj faje zonjës Fejza, që po e marr fjalën fare shkurtimisht për t’ju falënderuar asaj nga zemra ime dhe nga zemra e madhe e popullit të Kosovës.

    Me juve Shkurte, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Ky gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë, neve këtu dhe motrat e vëllezërit tonë të mërguar, na keni frymëzuar e ngushëlluar, na keni dhënë shpresë e forcë, që zemra kurrë mos të harroj dashninë për Kosovën dhe kombin.

    Andaj do ta marrim qarkun edhe sonte si ngahera me këngët tuaja: qarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetën e lirë, të dashurisë së pavdekshme të secilës e të secilit që lindi, deshi, punoi e luftoi, ra e jeton për Kosovën.

    Jemi mirënjohës për dhuratën e këngës suaj që na bashkon sot e gjithnjë e përgjithmonë.

    E tash le ta festojmë sonte këtë përvjetor që përkon më 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Për 50 vjet të tjera jetë, të mbushura me muzikë për ju, dhe për një përjetësi në liri për Kosovën dhe shqiptarët.

    Gëzuar!

  • SHKSHMK jep detaje për operacionin e djeshëm në Brezovicë: Shtetasi i huaj kishte mbetur i bllokuar në greminë

    SHKSHMK jep detaje për operacionin e djeshëm në Brezovicë: Shtetasi i huaj kishte mbetur i bllokuar në greminë

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka nisur një operacion të kërkim-shpëtimit në malet e Sharrit dje.

    Pas identifikimit të pozicionin e tij gjeografik anëtarë nga stacioni i Prizrenit dhe i Gjilanit menjëherë janë nisur për kërkimin e tij.

    Pas një kohë të shkurtë është bërë lokalizimi i personit të humbur, i cili kishte mbetur i bllokuar në një greminë ndër majën e Livadheve.

    Gjendja e tij shëndetësore ka qenë stabile, por në mungesë të veshmbathjes adekuate ka patur të ftohtë.

    Të humburit i është dhëna ndihma e parë duke e ngrohur dhe ushqyer, pastaj është evakuar deri te patrulla e policisë në qendrën skitare të Brezovicës.

    Postimi i plotë:

    KOMUNIKATË Në orët e vona të mbrëmjes së datës 08.06.2024 ShKShMK ka pranuar një thirrje emergjente nga një shtetas i huaj.Personi në fjalë gjatë një aktiviteti bjeshkatar në zonën e qendrës skitare të Brezovicës ( luginën e majës së Livadheve) , në llogaritje jo të duhur të kohës dhe mungesë të pajisjeve adekuate, shkaku i erësirës kishte humbur orientimin.

    Një ekip i ShKShMK i përbërë me anëtarë nga stacioni i Prizrenit dhe i Gjilanit menjëhërë kanë identifikuar pozicionin e tij gjeografik dhe janë nisur për kërkimin e tij.Pas një kohë të shkurtë është bërë lokalizimi i personit të humbur, i cili kishte mbetur i bllokuar në një greminë ndër majën e Livadheve.

    Fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore ka qenë stabile, por në mungesë të veshmbathjes adekuate ka patur të ftohtë.Të humburit i është dhëna ndihma e parë duke e ngrohur dhe ushqyer, pastaj është evakuar deri te patrulla e policisë në qendrën skitare të Brezovicës.

    Apelojmë te gjithë bjeshkatarët dhe vizitorët e maleve në RKS dhe rajon që të kenë kujdes në planifikimin e aktiviteteve të tyre dhe të posedojnë pajisje adekuate.E falenderojmë Policinë e Kosovës për bashkëpunim dhe gatishmërinë e treguar.

  • Mësimdhënësit i marrin mjetet që u takojnë nga kontrata kolektive, komunat dëmtohen deri në 70 milionë euro

    Mësimdhënësit i marrin mjetet që u takojnë nga kontrata kolektive, komunat dëmtohen deri në 70 milionë euro

    Mësimdhënësit në Kosovë kanë arritur t’i marrin mjetet e tyre që u takojnë përmes kontratës kolektive, ndërsa dëmi për komunat llogaritet të jetë dhjetëra milionësh.

    Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), kanë thënë për Ekonomia Online se mësimdhënësit kanë filluar t’i marrin mjetet, ndërsa nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, këtë vendim e quajnë të “dëmshëm për komunat”.

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se fajtor për këtë vendim është niveli qendror, ndërsa ndjen keqardhje për komunat që duhet t’i paguajnë këto mjete.

    “Duke e parë që komunat që fatkeqësisht iu bie barra dhe që fatkeqësisht niveli qendror nuk iu ndihmoi për të realizuar obligimet që i kanë me kontratë, atyre iu ka ra barra në buxhetet e tyre por kolegët e mi, punëtorët e çerdhes dhe të arsimit parauniversitar e t[ë universiteteve, të drejtat që iu siguru kontrata kolektive i kanë arrit përmes gjykatave dhe dua të them me plotë përgjegjësi që çdo lëndë deri tani që ka shkuar në Gjykatë, kanë sjellë vendim pozitiv për anëtarët tanë dhe ata i kanë marrë, qoftë shujtat, qoftë tri pagat me rastin e pensionimit, qoftë pagat jubileare. Tash është një risi. Kanë filluar gjykatat të vendosin për dallimin ndërmjet ngritjes profesionale që iu është dhënë dikur por që nuk iu ishte dhënë pjesa tjetër, ngase vendimi dhe kontrata thotë se është me përqindje dhe bazohet në pagën ekzistuese”, ka thënë Jasharaj.

    Krahas marrjes së tri paga me rastin e pensionimit, Jasharaj ka thënë se mësimdhënësit po i marrin mjetet edhe për ndryshimet për ngritje profesionale.

    “Këta (mësimdhënësit) kanë kërkuar përmes avokatëve që ndryshimi për ngritje profesionale të jetë i bazuar në pagën e fundit dhe janë duke i realizuar, që është goxha është një kosto dhe po ju kushton komunave. Ne po ndihemi po ndihemi shumë keq së bashku me komunat, ne me komunat kemi mirëkuptimin e plotë dhe fatkeqësisht po themi se niveli qendror po i dënon komunat sepse ato para ishte dashtë t’ua jap me kohë në mënyrë që komunat t’i realizonin sepse i kanë punëtorë të tyre”, ka thënë tutje Jasharaj, raporton Ekonomia Online.

    Por, nga Asociacionit i Komunave të Kosovës thonë se miliona euro do të mirren nga investimet kapitale të komunave. Andaj, drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka bërë apel tek institucionet që këto mjete të mos i paguajnë komunat.

    “Komunat këtë vit por edhe viteve të kaluara, janë dëmtuar me dhjetëra miliona euro. Asociacioni i Komunave i Kosovës që nga fillimi kur janë nënshkruar kontratat kolektive ka kërkuar Qeveria që ta marrë barrën financiare sepse nënshkruesit e kontratave kolektive është niveli qendror dhe jo komunat, dhe komunat janë duke humbur me dhjetëra miliona euro por këto miliona po merren nga vijat buxhetore në shumicën absolute të rasteve për investime kapitale dhe qytetarët e komunave të Kosovës nuk po mund t’i gëzojnë këto të mira sepse po merren për kontrata kolektive”, ka thënë Ibrahimi.

    Që nga vendimi i vitit 2022, kur Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi në favor të mësimdhënësve, dëmi i shkaktuar ndaj komunave është 35 milionë euro, ndërsa shifra në total që pritet t’i mirren komunave mund të shkojë deri në 70 milionë euro.

    “Asociacioni i Komunave të Kosovës në asnjë rast nuk ka qenë dhe nuk është kundër kontratave kolektive por është kundër marrjes së mjeteve financiare nga komunat sepse komunat nuk janë nënshkruese të kontratave kolektive. Komunat e Kosovës kanë kërkuar edhe përmes Gjykata që këto mjete tu kthehen në buxhetet e tyre sepse niveli qendror është nënshkrues i kontratave kolektive. Deri në vitin 2022 kur komunat kanë kërkuar përmes Gjykatës Themelore të Prishtinës që të rimbursohen, dëmi financiar ka qenë rreth 35 milionë euro, pra para dy viteve. Tani, janë edhe me dhjetëra miliona euro dhe po besojmë që në total shifra e cila do t’i merren komunave, do të jetë mbi 70 milionë euro”, u shpreh Ibrahimi.

  • Zëdhënësja e BE-së: Rusia në Kosovë po tenton të përhap narrativa pro Kremlinit – dezinformatat mund të nxisin tensione

    Zëdhënësja e BE-së: Rusia në Kosovë po tenton të përhap narrativa pro Kremlinit – dezinformatat mund të nxisin tensione

    Zëdhënësja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ioanna Lachana, thotë në një intervistë për The Geopost se në Kosovë, Rusia përpiqet të përhap narrativa pro-Kremlinit dhe të hedh çdo gjë që është pro-perëndimore në një dritë negative.

    “Ajo që po shohim, sidomos në Kosovë, është kjo narrativë ruse anti-perëndimore. Ata po përpiqen të përhapin këto narrativa pro-Kremlinit dhe të hedhin çdo gjë që është pro-perëndimore në një dritë negative”, tha ajo.

    “Pra, ajo që shohim këtu është se Rusia po përpiqet të prishë rrugën e qartë të BE-së të të gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe të ngjall frikë dhe urrejtje në mënyrë që më shumë njerëz të mbështesin rrugën e BE-së ose partnerët e Ballkanit Perëndimor më pak”.

    Po ashtu, ajo ka theksuar se ndikimi i Rusisë po përhapet në të gjithë rajonin, megjithëse në shkallë të ndryshme.

    “Për shembull, ne e dimë shumë mirë që në Beograd kemi RT Balkans dhe Sputnik Serbia. Këto media, natyrisht, përhapin propagandën e Kremlinit dhe e portretizojnë çdo gjë që është perëndimore si negative”, shtoi.

    “Por as Kosova nuk është imune ndaj propagandës ruse. Siç e përmenda më herët, ka disa narrativa, narrativa ruse të bazuara në Kremlin, për shembull për dialogun e sponsorizuar nga BE, se marrëveshja e Ohrit ishte diçka si shantazh, le të themi. Kështu është paraqitur në mediat ruse”.

    Megjithatë, Lachana thekson se në Kosovë ka shumë mbështetje për integrimin në BE dhe natyrisht një popullatë properëndimore.

    Derisa thotë se ndikimi i Rusisë po përhapet në të gjithë rajonin, zëdhënësja e BE-së në Kosovë thekson se e njëjta përdor taktika të ndryshme.

    Ajo tërheq vëmendjen për kujdes, pasi thekson se dezinformatat ruse, sidomos në Kosovë, mund të nxisin tensione.

    “Ata përdorin llogari të rreme, bot, përdorin shumë rrjetet sociale, përdorin shumë inteligjencën artificiale, por edhe përkthimin me makinë, në mënyrë që produkti i tyre të bëhet i disponueshëm për gjithnjë e më shumë audienca. Në momentin që propaganda përsëritet, mund të ketë njerëz që fillojnë të ushqejnë ndjenjat anti-perëndimore propagandë lidhur me tensionet ndëretnike se këtu mund të shpërthejë një luftë e re”.

    Për strategjinë e re të SHBA-së për të luftuar dezinformimin në Evropë, veçanërisht në Ballkan, Lachana potencon se përfshinë mbështetjen e demokracive, mbështetjen e mediave të lira si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut./ap

  • Qeveria skeptike për heqjen e masave nga BE-ja, shkak qasja e Borrel ndaj Kosovës

    Qeveria skeptike për heqjen e masave nga BE-ja, shkak qasja e Borrel ndaj Kosovës

    Qeveria e Kosovës nuk ka pritshmëri të mëdha se javën e ardhshme do të largohen masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, për shkak siç thonë qasjes joparimore të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në ekzekutiv deklarojnë se kryediplomati evropian ka pasur qasje të padrejtë ndaj Kosovës, madje e kualifikojnë si të paefektshme edhe mundësinë që në raportin e Borell të përfshihen edhe zhvillimet e fundit në veri sa i përket dinarit dhe shpronësimeve.

    Sipas tyre, Kosova s’ka arsye që të shqetësohet edhe nëse nuk hiqen masat, por duhet të pres strukturat e reja në BE për t’i parë cilat do të jenë zhvillimet. Mundësinë e vazhdimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës e shohin edhe njohësit e integrimeve evropiane.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, thotë për KosovaPress, se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për deeskalim në veri, andaj para se të zëvendësohen institucionet nga zgjedhjet në BE duhet të hiqen masat ndëshkuese ndaj vendit. Skeptik për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është edhe njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi.

    Sipas tij, BE-ja mund të vazhdojë status-qou e masave për shkak të hapave të fundit të qeverisë në lidhje me ndalimin e dinarit dhe shpronësimet në veri.

    KosovaPress ka pyetur edhe në Bashkimin Evropian se a do të hiqen masat ndaj Kosovës, pas dorëzimit të raportit të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili u paralajmërua se javën e ardhshme do t’i dorëzohet vendeve anëtarë. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

  • Osmani: Zëri i Shkurte Fejzës për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare

    Osmani: Zëri i Shkurte Fejzës për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë pamje nga koncerti për Ditën e Çlirimit, që është mbajtur të shtunën në Prishtinë, teksa ka komentuar edhe prezencën e këngëtares Shkurte Fejza në koncert, duke i uruar edhe për 50 vite karrierë.

    Osmani, ka thënë se zëri i këngëtares së muzikës popullore jeton në çdo cep të hapësirës shqiptare, raporton Ekonomia Online.

    “Në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, ajo i dha gjithë popullit të Kosovës zë nëpërmjet këngës. U shndërrua në zërin e lirisë”, ka thënë presidentja Osmani.

    Postimi i plotë:

    Zëri i Shkurte Fejzës për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare. “Xhamadani vija-vija” dhe “Mora fjalë”, janë himnet tona të përbotshme, të përjetësuara nga zëri magjik i të madhes sonë.

    Në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, ajo i dha gjithë popullit të Kosovës zë nëpërmjet këngës.

    U shndërrua në zërin e lirisë!

    Urime për 50 vite të arta Shkurte Fejza! Të këndoftë zemra përgjithmonë!

  • Suharekë: I mituri lëndohet rëndë, u godit nga vetura teksa ishte në biçikletë

    Suharekë: I mituri lëndohet rëndë, u godit nga vetura teksa ishte në biçikletë

    Një aksident mes një veture dhe një biçiklete ka ndodhur në Dobërdelan të Suharekës mbrëmjen e së shtunës.

    Si pasojë ka pësuar lëndime të rënda i mituri që po ngiste biçikletën, i lindur në vitin 2010.

    Rastin e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

    “Një aksident rreth orës 19:25 ka ndodhur në Dobërdelan të komunës së Suharekës, ku janë përfshirë një veturë dhe një biçikletë. Si pasojë e kësaj ka pësuar lëndime të rënda çiklisti, i lindur në vitin 2010. Me rastin për merret njësia e trafikut rajonal”, tha Gashi.

  • IHMK: I nxehti afrikan vazhdon mbi vendin tonë edhe gjatë javë së ardhshme

    IHMK: I nxehti afrikan vazhdon mbi vendin tonë edhe gjatë javë së ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se di do të jetë moti gjatë pesë ditëve në vazhdim.

    Në njoftimin e IHMK-së thuhet se i nxehti afrikan do të vazhdojë mbi vendin tonë edhe gjatë javë së ardhshme.

    Tutje, ky institut bën thirrje për bartjen e masave mbrojtëse, syze dielli , rroba me ngjyra të lehta, kapelë ose ombrellë.

    Njoftimi i plotë:

    I nxehti afrikan vazhdon mbi vendin tonë edhe gjatë javë së ardhshme.

    E hënë-Mot me diell dhe me vranësira të shpërndara.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-33 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-3m/s.

    E martë –Moti me diell dhe pjeserisht i vranët.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius, Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-4m/s.

    E mërkurë-Mot me diell dhe vranesira të shpërndara.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit me shpejtësi 1-2m/s.

    E enjte-Mot me diell dhe vranësira të nivelit të mesëm të Troposferës, të cilat vende -vende mund të sjellin riga shiu.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.

    E premte – Mot me diell dhe pjesërisht i vranët, kryesisht vranësirat mund të shfaqen rreth relievit malor.Temperauturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-30gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit e lehtë deri mesatare.

    Kushtet biometeorologjike do të jenë të kufizuara për shkak të temperaturave të larta dhe indeksit UV të lartë. Rekomandohet që në intervalin kohorë 10-16 mundësishtë mos të ju ekspozohemi rrezeve direkte të diellit ,sepse ky mot është i papërshtatshëm për një shtresë të popullatës me sëmundje kronike. Të bartim masa mbrojtëse, syze dielli , rroba me ngjyra të lehta, kapelë ose ombrellë.

  • Një burrë është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Gjakovë

    Një burrë është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Gjakovë

    Një burrë është gjetur i vdekur në hapësirën e shtëpisë së tij në Gjakovë.

    Në vendngjarje kanë shkuar njësitet policore dhe ekipi mjekësor, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës.

    “Viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në raportin e policisë.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar.

  • Sadiku: Shërbimi shtëpiak në Prishtinë ofrohet çdo ditë nga 12 orë, mbi 200 shërbime në ditë jepen

    Sadiku: Shërbimi shtëpiak në Prishtinë ofrohet çdo ditë nga 12 orë, mbi 200 shërbime në ditë jepen

    Shërbimi shtëpiak në Prishtinë po konsiderohet si një nga shërbimet më të nevojshme për qytetarët dhe tash në praktikë po e tregon edhe rëndësinë e tij. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.

    Sadiku ka thënë se ky shërbim ka qenë i domosdoshëm për të gjithë qytetarët, një nevojë më të veçantë sipas tij ka qenë për të moshuarit.

    “Shërbimet paliative, janë shërbime për persona që janë në fazën terminare të jetës por që janë të obliguar më i dhënë deri në ditën e fundit të njeriut, më i dhënë shërbim mjekësor për më ia bë jetën më të dinjitetshme”, ka thënë Sadiku.

    Sadiku ka deklaruar se ky shërbim ofrohet në kryeqytet për 12 orë në shtatë ditë të javës dhe punohet çdo ditë të vitit. Sipas tij, ky shërbim për qytetarët ofrohet edhe gjatë festave e vikendeve, ndërsa sa i përket ekipeve mjekësore gjatë javës janë katër ekipe, ndërsa vikendeve rritet deri edhe në një ekip.

    “Prej marsit të vitit 2022, më shumë se dy vjet i ka tash ne kemi bë këtë shërbim 12 orë, në shtatë ditë të javës, çdo ditë 365 ditë të vitit ky shërbim garantohet, shtunë diele festa, vikende punon 12 orë kemi rritje mjekësore dhe gjatë ditëve të javës janë katër ekipe mjekësorë, ndërsa për vikend janë edhe nga një ekip mjekësor ndërsa për vikende janë edhe nga një ekip mjekësor”, tha Sadiku për Ekonomia Online.

    Kurse sa i përket numrit të shërbimeve që ofrohen janë rreth 200 shërbime në ditë që kryhen, ndërsa rreth 6 mijë vizita janë kryer në muajn e fundit.

    “Mbi 200 shërbime në ditë jepen në kryeqytet të qytetarët, në muajin e fundit kemi pas diku mbi 6 mijë vizita të shërbimit mjekësor që janë bërë për një muaj, që i ka ra mbi 211 vizita mjekësore në ditë”, deklaroi për EO drejtori i shëndetësisë.

    Krahas punës së vazhdueshme dhe angazhimit me pacientë, Sadiku ka deklaruar se përballen edhe mungesë të stafit. Llogaritur numrin e rasteve të qytetarëve që kanë nevojë për shërbim shtëpiak, Sadiku ka thënë se duhet shtuar edhe numri i stafit.

    “Mangësia është se duhet me pas staf edhe më shumë duhet me rrit atë staf se po shihet se nga 6 shërbime janë bërë 200 shërbime dhe mendoj se qytetarët duhet më pas ende nevojë për këtë shërbim dhe ne duhet me e rrit stafin dhe përparësi është që ky shërbim iu krijon njerëzve që me u ndi të dinjitetshëm me shërbimin shëndetësor që krijohet në vendin e vetë se ne kemi sot të moshuar të cilët janë mosha e tretë themi ne mbi 65 vjet që ata kanë nevojë me shku me e marr një infuzion ose një injeksion por për ta më problem është me shku në institucion shëndetësor se më marrë shërbimin për shkak të moshës munden me u rrëzu lëndu me pas pasoja më të mëdha për shëndetin së sa vetë shërbimi që marrin për këtë arsye ne edhe atyre iu kemi krijuar mundësi që me shku në shtëpi”, tha Sadiku për EO.

    Mirëpo edhe pse ky shërbim shton nevojën e përballjes me sfida të llojllojshme, ai u shpreh se ky shërbim duhet ta bëjë krenarë profesionistin shëndetësor.

    “Duke ditur për ngarkesën dhe për shqetësimet që atyre iu bëhen çdo ditë presionin që kanë ata sepse përfshijnë banorët e të gjithë territorit të kryeqytetit jo vetëm të qytetit por edhe fshatrat e largëta që janë me 30 40 kilometra nga Prishtina ata japin shërbime dhe realisht kanë presione të vazhdueshme për me dhënë shërbime. Ky shërbim e ka bë me u ndje krenarë punëtorin shëndetësor”, u shpreh Sadiku.