ATV

Author: ATVLive

  • Nga viti i ardhshëm Kosova forcon kapacitete ajrore ushtarake

    Nga viti i ardhshëm Kosova forcon kapacitete ajrore ushtarake

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Më 2025, Forca e Sigurisë së Kosovës hyn në fazën e tretë të planit dhjetëvjeçar gjithëpërfshirës të tranzicionit, e cila parasheh investime prej qindra miliona eurosh në pajisje ushtarake ajrore dhe tokësore.

    Deri në përmbyllje të transformimit, fazë që do të zgjasë së paku pesë vjet, parashihet blerja e helikopterëve të lehtë ushtarak dhe atyre të mesëm transportues, si dhe autoblindave e tankeve.

    Pa dhënë detaje për armët dhe pajisjet, të cilat i parasheh plani, Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se do të fokusohen në ngritjen e kapaciteteve ajrore.

    “Dronët Bajraktar e sistemi OMTASH janë vetëm disa nga pajisjet, të cilat FSK-ja tashmë i ka në dispozicion, përderisa jemi duke vazhduar procesin për blerjen e sistemit Javelin dhe sistemeve të tjera. Pas përfundimit të fazës së dytë të PGJT-së, në vitin 2025 do të fokusohemi në ngritjen e kapaciteteve ajrore, duke përmbyllur kësisoj planin dhjetëvjeçar për të vazhduar pastaj në vazhdimësi investimet konform planeve operacionale të FSK-së, si një Forcë profesionale dhe multietnike”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Mbrojtjes.

    Pasi përmendi rëndësinë e koordinimit me SHBA-në, që nga hartimi dhe miratimi i ligjit dhe planit, profesori Mensut Ademi theksoi se, fillimisht, FSK-ja ka ngritur kapacitetet humane.

    “Së pari djemtë dhe vajzat tona, të rinj, kanë arritur shkëlqyeshëm të kenë trajnime adekuate për përdorimin e armatimit… Ata janë duke mbajtur dhe arritur trajnime adekuate qoftë në SHBA, Turqi, Britani apo shtete të tjera mike”, tha Ademi.

    Armatimi në të cilin do të investojë Kosova, sipas ekspertëve, do të jetë kryesisht për qëllime mbrojtje.

    “Armatim për parandalim, paralizim, pengim të pajisjeve apo armatimit që na rrezikon neve, në këtë rast nga Republika e Serbisë. P.sh. ne kemi parë ‘iron-dome’ në Izrael dhe ne kemi shumë mundësi të kemi një të tillë, sepse për momentin rrezikun më të madh nga Serbia, përpos aspektit tokësor, e shohim në atë ajror, e cila është ajo – jo aviacioni, por dronët, sidomos ata kamikazë”, tha Ademi.

    “Janë helikopterët, sistemi i dronëve të ndryshëm, sistemi anti-raketor. Janë tri komponentët kryesorë, me të cilët sipas të gjitha gjasave FSK-ja do të përmbyllë në fazën e tretë sa më parë… edhe sistemi anti-dron sipas të gjitha gjasave në fazat në vijim do të jetë në shfrytëzim të strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes të Republikës së Kosovës, meqenëse Serbia ka avancuar me sistemet e dronëve”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në tri vjetët e fundit janë investuar rreth 200 milionë euro.

    Muajin e kaluar, presidentja Vjosa Osmani vizitoi kompaninë e helikopterëve Bell në SHBA, ndërsa kryeministri Albin Kurti fabrikën e dronëve Bajraktar në Turqi.

  • Mesatarisht 13 minuta llogaritet koha e reagimit të Policisë

    Mesatarisht 13 minuta llogaritet koha e reagimit të Policisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Thirrje të tilla, policia pranon me mijëra gjatë ditës.

    Ata janë të parët që u përgjigjen qytetarëve kur janë në telashe.

    Posa pranojnë thirrjen, menjëherë e nisin patrullën më të afërt të policisë për në vendngjarje.

    “Pasi ta pranojmë informatën, varësisht nga lokacioni i incidentit caktohet stacioni përgjegjës për atë rast, p.sh nëse është në Prishtinë, Prishtina i ka tri stacione dhe varet nga rasti ku ka ndodhë, ai stacion angazhohet dhe e angazhon njësinë përkatëse për intervenim”, tha Rreshter Ramë Kryeziu, U.D. i udhëheqësit të “Qor Alfa Kontroll”.

    E atyre iu duhen mesatarisht 13 minuta prej kur marrin detyrën për të mbërritur në destinacion, megjithëse për këtë ndikojnë disa faktorë.

    “Për kohën e reagimit ndikojnë shumë faktorë, varet se kur ka ndodhur rasti, p.sh. a ka ndodhur ditën, periudha kur është fluksi më i madh”, tha Kryeziu.

    Mesatarja prej 13 minutave vlerësohet si reagim i shpejtë edhe nga njohës të çështjeve të sigurisë.

    “Duke e ditur faktin se në rrugët e Kosovës, sidomos në kryeqytet ka kolona të vazhdueshme, arritja në vendin e ngjarjes si mesatare për 13 minuta tregon një performancë cilësore, një shkathtësi, gatishmëri dhe një përgjegjësi të policisë që ti përgjigjet thirrjeve, denoncimeve të qytetarëve”, tha Fatmir Qollakaj, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Në nivel vendi, policia ka 8 qendra të thirrjeve 192, që mbulojnë të gjitha regjionet.

  • Më shumë vizitorë se sa blerës në “Panairin e Librit 2024”

    Më shumë vizitorë se sa blerës në “Panairin e Librit 2024”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Tituj librash të ndryshëm u ekspozuan edhe këtë të diel, në ditën e fundit të edicionit të 24-të të Panairit të Librit. Por libradashësit thonë se nuk po mund të blejnë aq sa dush.

    Sipas tyre, çmimet e librave janë të larta, ndërsa as ofertat nuk janë aq joshëse.

    “Sa herë mbahet vij dhe nuk shpëtoj pa ble ndonjë libër, por çmimet çdo vit po rriten nga pak”, tha Edon Mustafa, vizitor.

    “Librat e mirë po çmimet kanë qenë tek disa libra që mendoj që janë më të mirë pak sa të shtrenjta”, tha Fahri Avdiu, vizitor.

    Edhe shtëpitë botuese pohojnë se nuk pati interesim sa pritej.

    “Pritjet ishin më të mëdha por këtë vit ka pas ndryshime, ka pas vizitor më pak e po ashtu edhe blerës”, tha Urim Sallauka nga Shtëpia Botuese AAB.

    “Viteve të fundit është vërejtur një rënie graduale e vizitorëve t panairit të librit”, tha Ylli Mollaj nga Shtëpia Botuese “Bot Art”.

    Megjithatë për numrin e vogël të vizitorëve, organizatorët kanë një arsyetim.

    “Vërehet një rënie, e kjo na shpie në bindje se formati i arritjes së librit deri te lexuesi ka ndryshuar, por kjo nuk do të thotë se ka lexues më pak”, tha Edon Zeneli, organizator.

    Në ditën e fundit të panairit, u organizua edhe ceremonia e ndarjeve të çmimeve.

    Çmimin për veprimtarinë e jetësore e mori autori Rexhep Qosja, ani pse u desh pak insistim nga ana e jurisë, meqë ai këmbëngulte se një çmim të tillë duhet të jepej për një autor të ri.

    Ndërkaq çmime pati edhe për autorin e vitit, romanin më të mirë, poezinë si dhe për letërsinë e fëmijëve.

  • Liqeni i Batllavës, atraksion pa investime e me mbeturina

    Liqeni i Batllavës, atraksion pa investime e me mbeturina

    Përgatiti: Armand Hoti

    Edhe këtë verë, Nuh Ibishi po lundron me varkën e tij në ujin e kthjellët të Liqenit të Batllavës.

    Për 15 vjet me radhë, Ibishi priti e përcolli shumë pushues në mjetet e tij të lundrimit, që ditët e nxehta, i kalojnë në njërin nga liqenet më të mëdhenj të Kosovës.

    Me këtë punë, thotë se e siguron bukën e gojës.

    “Biznes i mirë është, por mundë edhe të mos jetë i mirë, por kur nuk ke zgjidhje tjetër, duhet të merrem me këtë. E dua këtë punë”, tha Ibishi.

    Sipas tij, viteve të fundit ka rënë numri i pushuesve. Prandaj, ai kërkon më shumë investime këtu.

    “Po të kishte qeveri siç duhet, këtu krejt do mbushej rërë, nga atje deri tek plepat aty, në mënyrë që të mos shkojmë as në Shqipëri as në Mal të Zi, këtu do kishim punë, s’do kishte nevojë të shkonim atje”, tha Ibishi.

    Të dielën vendosi ta kalojë këtu edhe Isa Ramadani. Por ky shprehet i zhgënjyer me pushuesit që, sipas tij, po e ndotin ambientin.

    “Kisha lut që këta të cilët vijnë këtu dhe pushojnë këto mbeturina mos t’i hedhin por le t’i dërgojnë në vend të caktuar”, tha Ramadani.

    Mirëpo, buzë liqenit, nuk ka kontejnerë.

    “I kisha lut këta kush e ka përgjegjësinë, t’i sjellin kontejnerët sa më shpejtë, t’i vendosin që mbeturinat të shkojnë aty aty dhe jo në këtë vend aq të bukur”, tha Ramadani.

    Madje, këtu nuk ka as banjo publike.

    Liqeni i Batllavës përdoret në raste edhe për gara sportive.

  • Kuvendi gjithëserb, mesazh i rrezikshëm për Kosovën

    Kuvendi gjithëserb, mesazh i rrezikshëm për Kosovën

    Përgatiti: Haris Ademi

    Unifikimi i politikës, akademisë dhe kishës serbe, në Kuvendin Mbarëserb të shtunën në Beograd, po shihet si një nga mesazhet më të rrezikshme në drejtim të shtetit Kosovës.

    Në deklaratën e përbashkët shkruhet se Kosova e Metohia është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, ndërsa përkrah Serbinë në përpjekjen e ruajtjes së integritetit territorial.

    Ndërsa thuhet që serbët e Kosovës dhe qytetarët tjerë besnik të Serbisë, duhet t’i mbrojnë me të gjitha mjetet manastiret, kishat, pronat privat dhe varrezat.

    “Kjo paraqet një rrezik serioz për Kosovën, meqë fjala është për një zotim institucional të cilin po ashtu”, tha Jusuf Buxhovi, historian.

    Historiani Jusuf Buxhovi vlerëson se qeveria Serbisë dhe e Republika Srpskas në Bosnje e Hercegovinë, e kanë bërë qëllimshëm këtë organizim, që t’i deponojë kartat më ekstreme anti-Kosovë.

    “Serbia e din se me këtë nuk mund të luftohet shteti i Kosovës, sepse është i pranuar ndërkombëtarisht, dhe është fryt i aleancës veriatlantike me amerikanët dhe interes i tyre gjeostrategjik, por dëshiron që sa më shumë ta defunksionalizojë”, tha Buxhovi.

    Buxhovi thotë se institucionet kosovare duhet të insistojnë të ndërkombëtarët që diskursi qortues të drejtohet tashmë kah Beogradi. Përndryshe, propozon që Kosova të vendos njëanshëm në dy çështje me shumë rëndësi.

    “Kosova në mënyrë të njëanshme t’i zgjidh problemet që dalin prej zotimeve të Ahtisaarit, si Asociacioni i Komunave Serbe, por pa obligime ekzekutive, dhe në të njëjtën kohë, ta aprovojë Ligjin për Bashkësitë Fetare në Kosovë, sepse e detyron Kishën Ortodokse Serbe, me gjithë ato privilegje të Pakos Ahtisaarit, ta fus në kornizën e bashkësive fetare të Kosovës”, tha Buxhovi.

    Për Kuvendin Gjithëserb ka alarmuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

    “Alarmi i djeshëm në Beograd, për ne që i njohim shpërthimet e tyre fashiste në vazhdimësi, është kurdisje e një bombe që mund të shpërthejë në çdo çast!”, thuhet në reagimin e LDK-së.

    Deklarata e përbashkët pritet të miratohet brenda 90 ditëve në Kuvendin e Serbisë dhe të Republika Srpskas.

  • Rreziku kërcënon: Plani i ri i Gjermanisë në rast të luftës së madhe në Evropë

    Rreziku kërcënon: Plani i ri i Gjermanisë në rast të luftës së madhe në Evropë

    Për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, Gjermania ka përditësuar planet e saj në rast lufte në Evropë.

    Ministrat federalë shohin një kërcënim në Rusi dhe në përputhje me rrethanat ndryshuan udhëzimet në dokumentin 67 faqesh, i njohur si Direktiva Kuadër për Mbrojtjen Totale. Versioni i fundit u publikua javën e kaluar dhe parashikon një transformim të plotë të jetës së qytetarëve gjermanë në rast lufte.

    Tashmë është e qartë se Gjermania, e cila ka mbajtur një qëndrim antimilitarist qe nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, është detyruar nga një kombinim rrethanash të rregullojë politikën e sigurisë dhe ushtarake në dritën e konfliktit rus në Ukrainë.

    Në kushte lufte do të rivendosej rekrutimi i detyrueshëm në ushtri dhe do të merrnin pjesë punëtorë të kualifikuar mbi 18-vjeç duke bërë punë të ndryshme. Ekspertiza profesionale e mjekëve, psikologëve, infermierëve dhe veterinerëve mund të ridrejtohet në shërbimin ushtarak.

    Dokumenti përmend gjithashtu racionalizimin e burimeve dhe ushqimit si një nga hapat në rast të një gjendje lufte.

    Në rast të mungesës së ushqimit, qeveria do të siguronte furnizime për t’i siguruar çdo qytetari një vakt të ngrohtë në ditë për një periudhë të pacaktuar.

    Burimet kryesore si nafta dhe benzina do të racionalizoheshin me kuponë dhe masat e mbrojtjes civile përfshijnë kthimin e metrosë në bunkerë dhe përgatitjen e spitaleve për një fluks pacientësh, shkruan CNN.

  • Punimet në magjistralen Prishtinë – Podujevë shkaktojnë dëme tek bizneset, u bie puna 50%

    Punimet në magjistralen Prishtinë – Podujevë shkaktojnë dëme tek bizneset, u bie puna 50%

    Magjistralja Podujevë – Prishtinë është ngarkuar shumë kohëve të fundit, sidomos pasi që kanë filluar punimet në disa pjesë të kësaj magjistrale në të njëjtën kohë. Përveç ngarkesave të shumta, pluhuri dhe vonesat janë bërë të padurueshme për bizneset në këtë magjistrale.

    EO ka biseduar me disa pronarë të bizneseve ngjitur kësaj rruge, të cilët shprehen të zhgënjyer me vonesat.

    Disa prej tyre apelojnë tek institucionet që punimet të kryhen sa më shpejt.

    Sami Azemi, banor i fshatit Shakovicë të Podujevës, ka thënë se shkak i pluhurit nga punimet, ka rënë puna e bizneseve.

    Ndonëse është i kënaqur me nisjen e punimeve, ankesat i ka ndaj kompanisë për shkak të pluhurit.

    “Siç po e shihni për momentin është tmerr i zotit. Po shpresoj që kjo bahet për të mirën e krejt këtij nacionaliteti dhe besoj që do jetë shumë më mirë, edhe pse fluksi i punës siç duke veç ka rënë pak nuk jemi shumë të kënaqur me punën, por besoj që mirë është prapë, pluhur ka shumë sidomos pas orarit të punës se këta punojnë deri diku në ora 17 mbrëmje dhe nuk po i rrinë gati me këtë pompën me e largu pluhurin, ajo është koha më e keqe për neve, siç po e shihni shtëpitë janë shumë afër rrugës, pluhuri është ekstrem i madh, besoj që po, ka me përfundua ka me qenë për të mirën tonë, sidomos këta që udhëtojnë Podujevë-Prishtinë”.

    “Ka me qenë shpëtim për ta, veç dashtë Zoti behet sa me shpejt. Këto punimet në rrugë tash për tash shumë po i pengojnë bizneset edhe pse edhe në të ardhmen kanë me i pengu sepse do behet me barrikadën në mes shembull, ka me qenë shumë problem për bizneset, për momentin s’po flasim hiç, puna ka rënë më shumë se 50 për qind nëpër secilin biznes e kafiteri, po kurrgjë mos të bëfshin ujë kemi me shpenzu tri herë më shumë se zakonisht, duhet me ujit këndej përpara edhe pse është shumë pa efekt sepse pluhuri bartet prej pjesës tjetër na gjuhet këtu prapë veç do Zoti i dhënë zor më shumë dhe e kryejnë në afat të caktuar”, u shpreh ai.

    Por ndryshe nga Azemi mendon qytetari tjetër, Safedin Elezi, i cili ngjitur në këtë rrugë ka një biznes familjar.

    Ai ka thënë se punimet po e pengojnë në të bërit biznes, teksa apelon që këto punime të kryhen sa më shpejt.

    “Sa i përket rrugës, mirë është duke shkuar shumë. Një herë për një herë, edhe janë duke punuar shpejt edhe mirë, për biznes po na pengon po s’kemi çka të bëjmë. Më mirë të rregullohet njëherë e përgjithmonë se çdo vjet me mbet duke pas probleme me rrugë e aksidente. Po ujisin si e dhe e patë por në biznes na ka pengue fort, shumë sivjet, s’mundesh me mbajt kurrë e as asgjë prej pluhurit, nuk kanë faj nuk është problemi i tyre por i zgjerimit të rrugës që po bëhet ka shumë pluhur, kishim bërë apel tek Qeveria edhe pse mirë është duke punuar shumë por kishim thënë që sa të është e mundur me punu më shpejt që me i liru bizneset, por ajo nuk varet prej neve, varet prej tyre, varet prej kushteve klimatike prej të gjithave, se firma është duke punuar mirë”, u shpreh ai.

  • Biden në Francë: E gjithë Europa është e kërcënuar nga Rusia

    Biden në Francë: E gjithë Europa është e kërcënuar nga Rusia

    E gjithë Europa është e kërcënuar nga Rusia, aksionet janë shumë të larta. Joe Biden e tha këtë në një konferencë shtypi në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron, duke falënderuar “aleatët evropianë” për punën e bërë deri më tani dhe mbështetjen për Ukrainën.

    “Putini nuk do të ndalet në Ukrainë. E gjithë Europa do të kërcënohet, ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë. Shtetet e Bashkuara po qëndrojnë fort me Ukrainën. Ne nuk do të largohemi”, u tha Biden gazetarëve gjatë vizitës së tij shtetërore në Francë .

    Nga ana e tij presidenti francez e falënderoi homologun amerikan për besnikërinë dhe respektin ndaj europianëve.

    “Unë ju falënderoj zoti President, që jeni presidenti i fuqisë numër një në botë, por që e bëni këtë me besnikërinë e një partneri që i pëlqen dhe respekton evropianët”.

    Të dy liderët Biden dhe Macron të premten u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Paris, duke u zotuar për mbështetje për kauzën ukrainase.

    Franca dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të dyfishojnë përpjekjet e tyre të përbashkëta për të shmangur rritjen e mëtejshme të tensioneve në Lindjen e Mesme , veçanërisht për të ulur tensionet midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, u tha Macron gazetarëve.

    Macron tha se Parisi dhe Uashingtoni kishin parë përshkallëzim nga Irani në rajon dhe se të dy vendet ishin të vendosura për të ushtruar presionin e nevojshëm për të ndaluar këtë prirje.

    Presidenti amerikan ndodhet në Francë që nga e mërkura dhe mori pjesë në përkujtimet e kësaj jave që shënuan 80-vjetorin e zbarkimit të Ditës D që ndryshuan rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore .

    Të premten, Biden paralajmëroi për nevojën për të ruajtur demokracinë amerikane dhe tërhoqi paralele midis Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit rus të Ukrainës.

  • Republika Sërpska do ta ratifikojë Deklaratën e “Kuvendit gjithëserb” në korrik

    Republika Sërpska do ta ratifikojë Deklaratën e “Kuvendit gjithëserb” në korrik

    Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Sërpska, do të mbajë një seancë në fillim të korrikut, për të ratifikuar Deklaratën e “Kuvendit gjithëserb”, të nënshkruar më 8 qershor.

    Kështu ka thënë kryetari i Asamblesë, Nenad Stevandiq.

    “Kuvendi gjithëserb” është mbajtur më 8 qershor në Beograd.

    Përgjatë takimit, Qeveria e Serbisë dhe ajo e Republikës Sërpska, e kanë nënshkruar Deklaratën për mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dokumenti i referohet Marrëveshjes së Dejtonit – që i ka dhënë fund luftës në Bosnje – dhe nuk përmend përçarjet aty.

    Ky dokument duhet të miratohet nga parlamentet e dy palëve brenda 90 ditëve.

    Stevandiq i ka thënë Radiotelevizionit të Serbisë, më 9 qershor, se dokumenti i miratuar nuk ka të bëjë me ndonjë “Serbi të madhe”, por për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në të gjitha vendet.

    Në organizimin e 8 qershorit kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.

    “E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.

    Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija” – si referencë për shtetin e Kosovës.

    Çfarë thuhet për Kosovën?

    Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.

    Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.

    Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.

    Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

    Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

    Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. /REL

  • Djali i legjendës Fadil Vokrri e kujton babain me fotografi të përbashkëta

    Djali i legjendës Fadil Vokrri e kujton babain me fotografi të përbashkëta

    Sot bëhen gjashtë vjet nga vdekja e legjendës së futbollit dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit.

    Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, por vlerësohet se në kohën sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vënë themelet e forta të futbollit kosovar.

    E djali i tij, Gramoz Vokrri e ka kujtuar me disa fotografi nga fëmijëria babain e tij.