ATV

Author: ATVLive

  • 25-vjetori i Çlirimit të Kosovës, koncert nga Shkurte Fejza: Janë këngë që i di edhe publiku

    25-vjetori i Çlirimit të Kosovës, koncert nga Shkurte Fejza: Janë këngë që i di edhe publiku

    Këngëtarja e muzikës popullore, Shkurte Fejza, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se koncerti për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës po i jep një emocion të veçantë, marrë parasysh 50 vite karrierë.

    Këngëtarja ka treguar se në koncertin që do të mbahet sonte (e shtune), do të këndojë live dhe se këngët e përzgjedhura i di edhe publiku.

    “Sot koncerti është live dhe gjithmonë live e ka emocionin e vetë, kam emocione por po shpresoj shumë se do të kalojmë bukur. Është bërë një përgatitje e gjatë janë këngë të cilat i do dhe i di edhe publiku dhe shpresoj se do këndojmë bashkë dhe do krijohet një atmosferë e mirë”, tha këngëtarja.

    Këngëtarja që frymëzoi shqiptarët me muzikën e saj, tha se ndihet e bekuar nga Zoti për mundësinë që i është dhënë të ketë 50 vite karrierë.

    “Unë mendoj se jam e bekuar, po ndihem e bekuar prej Zotit për këtë mundësi sepse nuk është e lehtë janë 50 vite karrierë, janë 50 vite shumë të vështira gjithmonë me përballje emocionesh lot me gëzim dhe unë e falënderoj Zotin që kam mundësi të këndojë këngët e mija edhe në 50 vjetorin e karrierës time”, tha Shkurte Fejza për EO.

    Një falënderim të veçantë ajo e kishte edhe për publikun që për 50 vite i ka qëndruar pranë duke i dhënë vullnet të vazhdojë të punojë e sot të jetë një nga ikonat e muzikës shqiptare.

    “Është publiku ai që më ka mbajt gjatë është publiku ai që më ka duartrokit janë të gjithë ata simpatizues mbështetës të këngës sime të cilët edhe I kanë dhënë jetën e gjatë karrierës sime po të mos ishte kështu nuk e besoj që do ta zgjasja 50 vite karrierë por është gjithë ajo dashuri gjithë ai respekt është admirimi duartrokitjet që ty të japin vullnet që të vazhdosh jam shumë mirënjohëse i falënderoj nga zemra që gjithmonë kanë qenë të gatshëm i dashtë këngët e mija dhe më me pranu mua si artiste”, ka thënë Shkurte Fejza për Ekonomia Online.

  • Kurti takon Tërstenën: Kampion olimpik, njëri nga sportistët më të mëdhenj shqiptar

    Kurti takon Tërstenën: Kampion olimpik, njëri nga sportistët më të mëdhenj shqiptar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Shaban Tërstenën, një nga sportistët më të mëdhenj shqiptar të të gjitha kohërave.

    Në shkrimin e tij, Kurti e ka vlerësuar lartë figurën e sportistit Tërstena.

    Kurti tha se nga Tërstena sportistët e rinj mund të mësojnë shumë.

    “Mban një rekord mbresëlënës të fitoreve. Nga gjithsej 741 duele, në mbi 96% prej tyre doli fitimtar. Gjeneratat më të vjetra e njohin mirë dhe e mbajnë në mend për stilin e tij të njohur ‘Kobra’. Ndërsa sportistët e rinj kanë shumë se çka të mësojnë nga rruga e kampionit olimpik, siç edhe e ka titulluar librin e tij monografik”, ka shkruar Kurti.

  • Arrestohet një rus në Zveçan, hyri ilegalisht

    Arrestohet një rus në Zveçan, hyri ilegalisht

    Një shtetas i Rusisë është ndaluar në fshatin Grizhan të Zveçanit dhe Policia ka parë se kishte hyrë në Kosovë ilegalisht.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Raportohet se është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Rusisë, pasi që gjatë legjitimimit të dokumenteve dhe verifikimit në sistem hyrje-dalje kufitare, i dyshuari nuk figuron se ka hyrë në RKS në mënyrë të rregullt. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Vodhën 20 mijë euro, arrestohen tre persona

    Vodhën 20 mijë euro, arrestohen tre persona

    Tre persona janë arrestuar në Gjilan për një vjedhje të rëndë.

    Policia në raportin 24-orësh ka njoftuar se të dyshuarit i kishin vjedhur dikujt 20 mijë euro.

    “Raportohet se më 07.06.2024 janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit i kanë vjedhur viktimës mashkull kosovar 20 000 euro. Me vendim të prokurorit pas intervistimit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe një tjetër është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Stano: Përfshirja e Komisionit të Venecias s’është paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 e 2015

    Stano: Përfshirja e Komisionit të Venecias s’është paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 e 2015

    Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se emisari Miroslav Lajçak duhet ta çojë draftin për Asociacionin në Komisionin e Venecias, ndërkaq ai vetë, në Gjykatën Kushtetuese, raporton EO.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Ekonomia Online, është shprehur se përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

    “Përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. BE-ja dhe QUINT-i e kanë bërë shumë të qartë qëndrimin dhe pritjet e tyre për hapin e ardhshëm që Kosova duhet të ndërmarrë në procesin e zbatimit të dy Marrëveshjeve të Brukselit (2013 dhe 2015) në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, përkatësisht referimin e Draft Statuti Evropian në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe për Gjykatën Kushtetuese që ta shpallë kërkesën të pranueshme”, ka thënë Stano.

    Tutje, ai është shprehur se i takon Kosovës të kërkojë këshilla ligjore nga Komisioni i Venecias.

    “Draft Statuti Evropian u shkrua nga ekipi i EUSR-së së bashku me ekspertë të njohur ligjorë ndërkombëtarë, si dhe ekspertë nga Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA-ja, pasi palët nuk ishin në gjendje të angazhoheshin vetë në një proces hartimi. Pas prezantimit të draftit evropian kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në tetor 2023, Kosova duhet të ndërmarrë hapat e ardhshëm në përputhje me Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, siç u theksua më lart. I takon Kosovës si palë në Komisionin e Venecias që të kërkojë këshilla juridike për projektligjet ose legjislacionin tashmë në fuqi, duke përfshirë edhe Projekt Statutin Evropian. Ne presim që Kosova të veprojë për këtë me shpejtësi dhe të ndalojë shtyrjen e mëtejshme të dorëzimit për detyrimin e saj.”, ka thënë tutje Stano.

  • Alarmante tendenca politike për ta shkatërruar sektorin e Transportit dhe Logjistikës në Kosovë

    Alarmante tendenca politike për ta shkatërruar sektorin e Transportit dhe Logjistikës në Kosovë

    Është shqetësues fakti që sektori i Transportit dhe Logjistikës në Kosovë po përballet me një krizë të madhe. Aktualisht, transporti rrugor është mënyra kryesore e transportit të mallrave në vend, duke përfshirë eksportet dhe importet. Megjithatë, ky sektor jetik është në rrezik të madh për shkak të politikave të dëmshme të Ministrisë së Infrastrukturës.

    Ministria ka bllokuar procesin e certifikimit të shoferëve dhe menaxherëve të transportit, të cilat janë thelbësore për operacionet ndërkombëtare. Pa këto dokumente, kompanitë kosovare nuk mund të operojnë në tregun ndërkombëtar, duke penguar eksportin dhe importin e mallrave. Kjo bllokadë thuajse njëvjeçare po ndikon negativisht jo vetëm në operacionet e përditshme, por edhe po rrezikon anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare International Road Union – IRU me bazë në Gjenevë, ku Kosova është një anëtar i barabartë.

    Shumë biznese janë duke u detyruar të kërkojnë zgjidhje në vendet fqinje. Kjo sjellje nga insitutcionet tona tregon një mungesë interesi për të qenë një anëtar i barabartë në arenën ndërkombëtare (IRU) dhe shkakton konfuzion në kufijtë dhe doganat e ndryshme. Një shembull: Një kompani nga Kosova, nga nje qytet me adrese ne Kosove, detyrohet të marrë certifikimin nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, apo vendet tjera. Si rezultat, adresa e saj figuron në atë shtet, ne dokumentin qe do ta marr, duke zhdukur identitetin e Kosovës në dokumentacionin ndërkombëtar. Ky proces jo vetëm që shkakton konfuzion në kufijtë dhe doganat e ndryshme por po shkakton edhe humbje kohe dhe kosto të larta – deri në 2000 euro, por edhe ngarkesa burokratike për t’u pajisur me certifikim në vendet fqinje, ndërsa në Kosovë kjo kosto ishte vetëm 500 euro.

    Pa këto dokumente, bizneset kosovare rrezikojnë gjobitje të larta – mbi 3000 euro dhe ndalime operimi deri në tre muaj nga shtetet fqinje ose ndërkombëtare. Për më tepër, mungesa e këtyre dokumenteve pengon marrjen e licencës si Operator i Transportit dhe Logjistikës në Kosovë, pasi Ministria kërkon këto dokumente për të vazhduar licencën, por nuk jep udhëzime apo adresë se ku mund të merren.

    Është e qartë se ky problem është rezultat i mungesës së përgatitjes dhe përvojës së personave që udhëheqin sektorë kaq të rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Këto politika jo vetëm që rrezikojnë bllokimin total të sektorit të transportit dhe logjistikës, por edhe dëmtojnë rëndësinë dhe rolin e Kosovës në tregun ndërkombëtar.

    Duke hulumtuar në internet, veçanërisht tek institucioni International Road Union me bazë në Gjenevë të Zvicrës, evidentohet se një bllokim dhe politikë të tillë është vetëm nga shtete si Irani dhe Gjeorgjia.

    Kjo tregon gjendjen në të cilën jemi dhe në kategori më cilat shtete po hyjmë .

    Është thelbësore që të kuptohet rëndësia e këtij sektori për ekonominë e Kosovës, veçanërisht kur vendi nuk ka transport detar apo hekurudhor të zhvilluar.

    Zgjidhja e kësaj krize është urgjente për të siguruar vazhdimësinë dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.

    A thua ka mbetur zë lobus në interes të mbrojtjes së sektorit privat në Republikën e Kosovës!

  • Temperatura deri në 35C e rrebeshe shiu, moti për fundjavë dhe javën e ardhshme

    Temperatura deri në 35C e rrebeshe shiu, moti për fundjavë dhe javën e ardhshme

    Mot më i nxehtë dhe kryesisht me diell parashihet të mbajë përgjatë fundjavës në vend. Temperaturat maksimale pritet të shkojnë deri në 34C, sipas “Mendimi për motin”.

    Orëve të pasdites, përreth viseve malore paraqiten mundësi edhe për rrebesh shiu me bubullimë, sidomos gjatë të dielës.

    “Nxehtë me temperatura mbi 30C mbetet edhe në fillim të javës së ardhshme. Të hënën rrebeshe shiu e bubullima mund të zhvillohen në pjesë të vendit, e nga e marta paraqiten kushte të motit më të qëndrueshëm me intervale më të gjata me diell. Nga dita e hënë frynë erë mesatarisht e fuqishme nga jugperëndimi me hove edhe deri në 15m/s”, thuhet në njoftim.

  • Enver Sekiraqa në arrati, s’ka ende kërkesë për fletarrest ndërkombëtar

    Enver Sekiraqa në arrati, s’ka ende kërkesë për fletarrest ndërkombëtar

    Enver Sekiraqa, një ndër emrat më të përmendur nëpër gjykatore në Kosovë, akoma nuk dihet se ku është, ndonëse e ka një dënim për ta vuajtur.

    Ai është dënuar me 25 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit kosovar, Triumf Riza, por pavarësisht kësaj, ai gjendet në arrati.

    Avokati i tij ka thënë që Sekiraqa ka kaluar kufirin e Kosovës dhe ndodhet jashtë për trajtim shëndetësor.

    Por mister në këtë mes janë arsyet pse për të nuk është parashtruar kërkesë për urdhërarrest ndërkombëtar.

    Siç raporton Dukagjini, kjo nuk është bërë nga asnjëri institucion përgjegjës në vend.

    Avokati Asdren Bytyqi sugjeron që një gjë e tillë të bëhet sa më parë.

    “Mendoj që organet e drejtësisë do të duhej që menjëherë të lëshonin një urdhërarrest ndërkombëtar, jo vetëm në këtë rast por edhe në rastet tjera ku parashihet një dënim i lartë për individët dhe kur kërkohet sipas drejtësisë që ndaj të njëjtëve të lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar sepse kemi të bëjnë me një vepër penale me dënueshmëri të lartë dhe me një aktgjykim të shkallës së parë ku personi i apostrofuar i është shqiptuar një dënim mjaftë i lartë”, ka deklaruar Bytyqi.

    Ndërsa avokati Florim Shefqeti bën me dije që urdhërarresti duhet të vijë me kërkesë të Prokurorisë.

    “Gjykata nuk mund të lëshoj urdhërarrest nëse nuk ka kërkesë nga ana e Prokuroririsë, prandaj në secilin rast që mungon një kërkese e tillë, gjykata këtë nuk po e bën sipas detyrës zyrtare por nevojitet kerkesa nga ana e Prokurorisë për të lëshuar urdhër arrestin”, ka deklaruar Shefqeti.

    Gjykata Themelore e kishte lënë në liri të mbrohet Sekiraqa pasi ishte shpallur fajtor dhe dënuar, duke iu dhënë kështu mundësia që ai të arratiset.

    Për këtë vendim është suspenduar kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi dhe ndaj tij është nisur procedurë disiplinore, sepse edhe në raste të tjera kishte marrë vendime për masën e sigurisë ndaj Enver Sekiraqës pa u konsultuar me dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues.

  • Sot mbahet “Parada e Krenarisë” në Prishtinë

    Sot mbahet “Parada e Krenarisë” në Prishtinë

    Sot shënohet aktiviteti më i rëndësishëm i komunitetit LGBTQ+ në Kosovë.

    Ata do të mbajnë “Paradën e Krenarisë”, duke filluar nga ora 17:30. Nisja fillon nga sheshi “Skënderbeu” dhe përfundon tek Biblioteka Kombëtare.

  • ​Messi: Real Madridi është klubi më i mirë në botë

    ​Messi: Real Madridi është klubi më i mirë në botë

    Ikona e Barcelonës, Lionel Messi, e ka cilësuar Real Madridin si “skuadrën më të mirë në botë” gjatë një interviste për “Infobae”.

    Si produkti më i madh i akademisë së famshme të katalanasve, La Masia, Messi luajti rregullisht kundër Realit në disa nga ndeshje më emocionuese të El Clasicos, raporton KosovaPress.

    Messi u largua nga “Camp Nou” në vitin 2021 kur presidenti i Barçës, Joan Laporta nuk arriti të mbështeste një premtim zgjedhor për të rinovuar kontratën e argjentinasit, gjë që u ndikua nga fakti që klubi nuk ishte në gjendje të bënte numrat të funksiononin dhe të qëndronte në anën e djathtë të kufijve të Fair Play Financiar.

    Tetë herë fituesi i Topit të Artë më pas iku në Paris Saint-Germain në një transferim të lirë dhe luajti edhe një herë kundër Real Madridit në 1/16 e fundit të Ligës së Kampionëve, ku pësoi humbje në fazën eliminatore në mars të vitit 2022.

    Dhe me njerëzit e Carlo Ancelottit që kanë ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve për herë të 15-të në “Wembley” fundjavën e kaluar, përmes një fitoreje 2:0 ndaj Borussia Dortmundit në finale, Messi beson se kjo e bën ish-armikun e tij të përbetuar si skuadrën më të fortë në planet.

    “Ekipi më i mirë është Real Madrid. Ata janë kampioni i fundit i Ligës së Kampionëve,” tha Messi, i cili tani luan në Amerikë te Inter Miami.

    “Nëse është për shkak të rezultateve, është Madridi”, shtoi ai, përpara se të thoshte se nëse zgjedhja e tij bazohej në cilësinë e lojës, atëherë “Manchester City i Pep Guardiolës” e merr titullin.