ATV

Author: ATVLive

  • A do të takohet me Ramën, s’përgjigjet Kurti

    A do të takohet me Ramën, s’përgjigjet Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. i pyetur nga EO, Kurti ka përmendur vetëm seancën solemne, ku deputetëve do t’u adresohet ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair.

    “Kemi seancë në ora 10:00”, ka thënë shkurt Kurti.

  • Konjufca pret në takim ish-kryeministrin britanik

    Konjufca pret në takim ish-kryeministrin britanik

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në kuadër të shënimit të 25 vjetorit të çlirimit të vendit, ka pritur në takim ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, raporton EO.

    Blair, më herët u takua me presidenten Osmani, me ç’rast mbajtën një konferencë për media.

  • Mjekë izraelitë nga spitali i njohur botëror vizitojnë Kosovën

    Mjekë izraelitë nga spitali i njohur botëror vizitojnë Kosovën

    Kjo vizitë, siç njofton ambasada e Shtetit të Izraelit në Kosovë, po bëhet “në kuadër të angazhimeve tona për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në fushën e shëndetësisë mes Izraelit dhe Kosovës”.

    Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Kosovë, ka shoqëruar Dr. Yoel Har-Even, Zëvendës-president për Çështje Globale në Divizionin Global të spitalit Sheba Tel HaShomer, dhe znj. Mika Amram, Drejtore e Shërbimeve Globale të Pacientëve në spitalin Sheba Tel HaShomer, gjatë vizitës së tyre të punës në Kosovë.

    Thuhet se në këtë vizitë u diskutuan tema të shumta, me fokus të posaçëm në trajnimin e personelit mjekësor.

    Për mikpritjen e tyre, ambasadorja Ziv ka falënderuar Arben Vitinë, ministër i Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjakun, zëvendësministre e Shëndetësisë, Elvir Azizin, drejtor i përgjithshëm në SHKSKUK, Dr. Dafina Bashollin dhe Dr. Baton Kelmendin, specialistë të mjekësisë emergjente, Dr. Narqize Arenliu-Hoxhajn, drejtore e përgjithshme në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, Dr. Laura Nushin, drejtore e përgjithshme në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, Dr. Gëzim Berishën, drejtor mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, Dr. Valbona Krasniqin, drejtore e Mjekësisë Fizikale, Dr. Teuta Osmani Vllasollin, specialiste e fiziatrisë, dhe specialistët e mjekësisë fizikale, Dr. Ardiana Murtezanin, Dr. Ilirjana Boshnjaku Dallkun dhe Dr. Nerimane Abazin.

    Ambasadorja Ziv ka falënderuar edhe Roy Roznek, Konsullin e Nderit të Kosovës në Izrael, i cili gjithashtu iu bashkua takimeve.

    Siç njofton Ambasada, spitali Sheba është renditur si spitali i 9-të më i miri në botë nga “Newsweek”.

  • Tony Blair në Kosovë, pritet nga presidentja Osmani

    Tony Blair në Kosovë, pritet nga presidentja Osmani

    Për nderë të 25-vjetori të çlirimit të vendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takimi ish-Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, raporton Ekonomia Online.

    Pas këtij takimi, Osmani e Blair mbajnë konferencë për media.

    Në shënim të 25 vjetorit të çlirimit Osmani në orën 16:00, merr pjesë në shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    E po ashtu në orën 18:00, presidentja merr pjesë në Ekspozitën “Reporting House” nga BIRN, në Objektin e Gërmisë, sheshi Skënderbeu në Prishtinë.

  • Tony Blair sot viziton Kosovën

    Tony Blair sot viziton Kosovën

    Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, do të qëndroj sot për vizitë në Kosovë. Në kuadër të kësaj vizite ai do të ketë disa takime të rëndësishme me liderët e vendit.

    Vizita e tij përfshin pjesëmarrjen në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës dhe takime me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

    Sipas agjendës, në ora 09:00, presidentja Osmani do të pret Tony Blair në një takim në objektin e Presidencës. Mediat do të kenë mundësinë të marrin pamje të pritjes para objektit, ndërsa pas takimit, presidentja dhe Blair do të bëjnë deklarata për mediat.

    Pas takimit me Osmanin, ish-kryeministri britanik do t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit, ku pritet të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe të përsërisë mbështetjen e tij për Kosovën.

  • Detajet për rastin që përfundoi tragjikisht në familjen Kokollari në Shtime

    Detajet për rastin që përfundoi tragjikisht në familjen Kokollari në Shtime

    Konflikti në familjen Kokollari në Shtime që ndodhi mbrëmjen e 19 majit ka përfunduar me fatalitet. Si pasojë e rrahjes mes dy anëtarëve të familjes, djalit dhe babait, ky i fundit nuk ka arritur të mbijetojë. Pas trajtimit për disa javë, ai vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Pasi Polici mori informacionin mëngjesin e së shtunës se Dema Kokollari ka humbur jetën në Klinikën Intensive, rasti mori kthesë tjetër dhe djali i tij u arrestua sërish.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, teksa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është intervistuar.

    Sinjali ka mësuar se i dyshuari që u ndalua lidhur me rastin është Shpend Kokollari.

    Ai është intervistuar, ku ka deklaruar se qëndron pas deklaratës që ka dhënë ditën kritike ku ka ndodhur rasti dhe më pas me urdhër të Prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Incidenti në familjen Kokollari që përfundoi tragjikisht

    Siç merr vesh Sinjali, në dosjen e Prokurorisë për këtë rast thuhet se fillimisht Dema Kokollari, tashmë i ndjerë ishte kapur me bashkëshorten e tij.

    Debati verbal mes çiftit në orët e mbrëmjes të 19 majit eskaloi edhe më shumë dhe viktima dyshohej se e kishte kërcënuar gruan se do ta pësojë keq.

    E njëjta, sipas burimeve brenda Prokurorisë, ka kërkuar ndihmën e djalit të saj, i cili pasi ka arritur në dhomë, ka ndërhyrë, duke e larguar nënën e tij nga babai.

    Por, asgjë nuk kishte mbaruar këtu, pasi babë e bir u përleshën mes vete, ashtu që Dema i ndjerë dyshohet se kishte goditur djalin me tavolinë, e më pas ky i fundit e shtynë derisa ai rrëzohet dhe e humb vetëdijen.

    Ka qenë djali, tashmë i dyshuari, Shpendi, i cili kishte kërkuar ndihmën e Policisë, duke e raportuar rastin.

    Palët atë ditë janë dërguar për trajtim mjekësor e më pas kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë, ku kanë dëshmuar për atë që ka ndodhur.

    I ndjeri ishte dërguar më pas në QKUK për trajtim mjekësor, por që nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve.

    Ndryshe, brenda afatit ligjor pritet të ushtrohet edhe kërkesa për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit./sinjali

  • Macron shpërndan Parlamentin francez pas fitores së të djathtës ekstreme

    Macron shpërndan Parlamentin francez pas fitores së të djathtës ekstreme

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka shpërndarë Parlamentin francez dhe ka shpallur zgjedhje të parakohshme, pas fitores së madhe të partisë së të djathtës ekstreme në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

    Sondazhet në Francë kanë treguar që lista e partisë së Marine Le Pen-it, Marshi Kombëtar, e udhëhequr prej Jordan Bardellas, ka dalë e para, me mbi 30 për qind të votave.

    Kjo parti nuk ka shënuar asnjëherë më parë një rezultat kaq të lartë.

    Lista e partisë së Macronit, Rilindja, e udhëhequr prej Valerie Hayer, ka dalë e dyta me 15.2 për qind të votave.

    Dalja në këto zgjedhje në Francë ka qenë rreth 51 për qind, pak më shumë se më 2019 – 50.12 për qind.

    Partitë e së djathtës ekstreme duket se kanë shënuar rritje të konsiderueshme edhe në Gjermani e Austri.

    Kështu, këto vende i bashkohen Holandës, çka jep shenjat e para se kthimi kah e djathta do të ndodhë në këtë institucion të BE-së.

    Partia e qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (EPP) pritet të jetë sërish grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, dhe që kandidatja e tij, Ursula von der Leyen të ketë edhe një mandat në krye të BE-së.

    Megjithatë, asaj do të mund t’i duhet mbështetja e nacionalistëve të krahut të djathtë, sikurse ajo e partisë italiane, Vëllezërit e Italisë, e kryeministres italiane, Giorgia Meloni për të siguruar shumicën në Parlament.

    Votimet për Parlamentin Evropian kanë nisur të enjten në Holandë dhe në disa shtete tjera të premten dhe të shtunën, por pjesa më e madhe e banorëve të BE-së kanë votuar të dielën.

    Parlamenti Evropian voton për legjislacione që janë kyçe për qytetarët dhe bizneset në bllokun me 27 vende anëtare. /REL

  • Kurti në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Kumanovës: Kosova nuk i fal krimet e Serbisë

    Kurti në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Kumanovës: Kosova nuk i fal krimet e Serbisë

    Kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë, në rrafshin ushtarak e teknik dhe në atë juridik e ndërkombëtar.

    “Sot u bënë 25 vite nga dita e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë, në rrafshin ushtarak e teknik dhe në atë juridik e ndërkombëtar. Më 9 qershor 1999, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Tekniko-Ushtarake mes Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe qeverive të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë”, shkroi ai në Facebook.

    Shefi i qeverisë, tha se shteti dhe populli i Kosovës janë mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen ndërkombëtare, teksa nuk harrojnë dhe nuk i falin krimet e Serbisë.

    “Pas shumë vuajtjesh nën regjimet e Serbisë pushtuese, Kosova u çlirua dhe populli i saj nisi ndërtimin e një etape krejt të re historike. Duke i kujtuar ditët e fundit të luftës në Kosovë dhe ditët e para të çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese. Sepse populli dhe shteti i Kosovës janë mirënjohës e falënderues për ndihmën dhe mbështetjen ndërkombëtare teksa nuk harrojnë dhe nuk falin krimet e Serbisë!”, u shpreh Kurti.

  • Pak interesim për blerje në tregun e veturave në Prishtinë

    Pak interesim për blerje në tregun e veturave në Prishtinë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Edhe këtë të diel në tregun e veturave erdhën me shpresën se dikush nga qytetarët do tua blejë veturat.

    Por një gjë e tillë nuk ndodhi ngase qytetarët, sidomos çmimet e veturave po i cilësojnë të pa përballueshme.

    “Kam ardhur të shikoj për një veturë…Një “Pasat” desha ta shikoj…Gjeta dy, por shumë shtrenjtë janë”, thotë një qytetar.

    Qytetarë të tjerë thonë se po vërejnë po ashtu numër të ulët të shitësve.

    “Mirëpo ka më pak shitës, kerret shtrenjtë shumë… Tash me telefon dhe në sallone të veturave po blejnë krejt. Mirëpo ka më pak shitës, kerret shtrenjtë shumë… Tash me telefon dhe në sallone të veturave po blejnë krejt”, thotë një tjetër qytetar.

    Por ata shitës që ishin, çmimet po i konsiderojnë normale.

    “Unë kam dalë të shes makinën, i kemi tre “Golf”-a…Më së shumti ka interesim për ta, pak më të lirë me çmim, këto tjerat është mungesë e lekëve…Ka blerës më pak…Pak ka ndikuar liberalizmi i vizave”, tha një shitës.

    Rënie të interesimit për blerje nuk pati vetëm për shitësit e automjeteve. Për interesim të ulët u ankuan edhe ata që ekspozuan mallra të tjera të ndryshme.

  • OSHP-ja pa IT që katër muaj, kishte dështuar edhe konkursi

    OSHP-ja pa IT që katër muaj, kishte dështuar edhe konkursi

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Organi Shqyrtues i Prokurimit, tash e 4 muaj është pa zyrtar të teknologjisë informative. Madje, edhe konkursi i hapur për këtë pozitë dështoi meqë asnjëri nga kandidatët e paktë nuk i kishte marrë pikët e nevojshme.

    Mungesa e IT-së në një organ kaq të rëndësishëm, sipas atyre që e monitorojnë OSHP-në, krijon shumë problematika.

    “Mungesa e një specialisti të IT-së në këtë organ po shkakton probleme, në theks të veçantë ndikon direkt në transparencën e punës së këtij organi. Vendimet në uebfaqe tanimë në disa raste publikohen me vonesë, disa nga ekspertizat e ekspertëve nuk ngarkohen, mungojnë linqet e seancave dëgjimore dhe ka gabime në datat e publikimeve që shkaktojnë konfuzion te palët e interesit”, tha Dardan Gashi nga Demokraci Plus.

    Me këtë problematikë, po përballen edhe disa institucione të tjera publike. Sipas njohësve të kësaj fushe, sektori i IT-së preferon më shumë kompanitë private, kryesisht për shkaqe financiare.

    “Sektori privat ka avancuar tepër shumë krahas atij publik. Kjo nënkupton avancimin në karrierë, pra mundësi për me u zhvillu ma tutje kompensime financiare që institucionet qeveritare nuk kanë mujtë me e ndjekë këtë temp”, tha Çelik Nimani, drejtor menaxhues për Evropë Juglindore për KIN+CARTA.

    “Arsyeja më e madhe është ajo financiare. Tregu privat dhe ai shtetëror kanë dallim shumë të madh në paga. Nëse i krahasojmë atëherë raporti në rastin më të mirë është 1 me 3”, tha Kastriot Fetahaj, inxhinier i sigurisë kibernetike.

    Njohësit bëjnë thirrje që specialistët e teknologjisë informative të trajtohen me koeficient të veçantë.

    “Një prej hapave më urgjent që duhet të ndërmarrë Qeveria është trajtimi me një koeficient të veçantë për këtë sektor shumë të rëndësishëm për vendin”, tha Nimani.

    “Mendoj që një prej gjërave që duhet të bëhen është që sektori i IT-së të ketë kontrata specifike, duhet të ketë pagesa specifike”, tha Fetahaj.

    Koeficienti i pagës për zyrtarët e teknologjisë informative është 5.2, ku me vlerën aktuale të koeficientit prej 110 eurove, ata paguhen 572 euro në muaj.