ATV

Author: ATVLive

  • Trup i pajetë i një gruaje gjendet në Liqenin e Batllavës, nis hetimi nga Prokuroria

    Trup i pajetë i një gruaje gjendet në Liqenin e Batllavës, nis hetimi nga Prokuroria

    Një trup i pajetë i një gruaje është gjetur në orët e fundit në Liqenin e Batllavës. Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke bërë të ditur se rasti është cilësuar si “Hetim mbi vdekje”.

    Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur se Prokurori kujdestar ka urdhëruar që trupi të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të sqaruar rrethanat e vdekjes.

    “Prokurori i shtetit ka hapur rastin “Hetim mbi vdekje” dhe po ashtu në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme lidhur me këtë çështje”, tha ajo.

    Ndërkohë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

  • Përleshja fizike në Emergjencë, SHSKUK reagon pasi mjeku tha se u rrezikuan

    Përleshja fizike në Emergjencë, SHSKUK reagon pasi mjeku tha se u rrezikuan

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës mohoi se dje janë rrezikuar pacientët dhe stafi mjekësor nga një përleshje mes dfisa personave në Klinikën Emergjente në QKUK.

    SHSKUK tha në një deklaratë se për sigurinë në Klinikën Emergjente përkujdesen policë e punëtorë të sigurimit.

    “Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me disa deklarata të bëra së fundmi, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin në institucionin tonë. Theksojmë qartë se mjekët, stafi mjekësor dhe ai mbështetës nuk janë të rrezikuar në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në QKUK. Në Klinikën Emergjente janë të kontraktuar 24 orë policë dhe punëtorë sigurimi, të cilët kujdesen për sigurinë e stafit dhe pacientëve”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.

    Mjeku kujdestar Avdush Bajgora, tha më herët se pacientët dhe stafi mjekësor ishin të rrezikuar pasi që miq të viktimave – njëri i therur në shpinë e tjetri i lënduar në kokë nga mjete të forta – u përleshën fizikisht në QKUK.

    Shërbimi Spitalor Klinik thotë se për rastin në fjalë, Policia ka ndërhyrë menjëherë.

    “Është e vërtetë që stafi ynë trajton raste të ndryshme, përfshirë edhe ato të ndjeshme apo me të dyshuar për vepra kriminale, por asnjëherë nuk ka pasur rrezikim të drejtpërdrejtë të stafit mjekësor. Në rastet kur ka pasur situata që kërkonin ndërhyrje, sigurimi dhe policia kanë reaguar menjëherë dhe me profesionalizëm – siç e pranon edhe vetë mjeku në deklaratën për të cilën po reagojmë”, thotë SHSKUK.

    “Prandaj, konsiderojmë se deklarata të tilla janë të pamatura dhe të pabazuara, dhe nuk ndihmojnë në ndërtimin e një klime të mirëbesimit dhe bashkëpunimit në sistemin shëndetësor. QKUK mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime të sigurta dhe cilësore për qytetarët, duke garantuar një ambient të mbrojtur për të gjithë punonjësit e saj”, thuhet në reagim.

  • Putin: Shpresoj që të mos ketë nevojë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë

    Putin: Shpresoj që të mos ketë nevojë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë

    Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se nuk ka pasur nevojë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë dhe shpreson që të mos ketë.

    Në një pjesë të shkëputur të intervistës me televizionin rus – që do të transmetohet e plotë më vonë – që u publikua të dielën në Telegram, Putin tha se Rusia ka fuqinë dhe mjetet për ta çuar konfliktin në Ukrainë në një “përfundim logjik”.

    Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me sulmet ukrainase në territorin rus, Putin tha: “Nuk ka pasur nevojë për përdorimin e këtyre armëve [bërthamore]… dhe shpresoj që të mos ketë nevojë”.

    “Ne kemi mjaftueshëm fuqi dhe mjete për të sjellë, atë që nisi më 2022, në një përfundim logjik, me rezultatin që Rusia kërkon”, tha ai.

    Në nëntor të vitit 2024, Putin nënshkroi versionin e rishikuar të doktrinës bërthamore të Rusisë, ku përcaktohen rrethanat që i lejojnë atij të përdorë arsenalin bërthamor të Moskës – më të madhin në botë.

    Ky version i përditësuar i doktrinës, uli kriteret, duke i dhënë atij mundësinë që të përdorë armët bërthamore edhe si përgjigje ndaj një sulmi konvencional, të mbështetur nga një fuqi bërthamore.

    Deklaratat e Putinit vijnë në kohën kur pushtimi rus i Ukrainës është në vitin e tretë dhe kur dyja palët kanë mosmarrëveshje lidhur me propozimet për një armëpushim.

    Të shtunën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se njoftimi i Moskës për një armëpushim 72-orësh javën e ardhshme në Ukrainë për të shënuar Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore ishte një “shfaqje teatrale”, teksa Rusia planifikon që 9 majin ta festojë me një sërë ngjarjesh, përfshirë një paradë ushtarake në Moskë.

    Ai ka kërkuar një pauzë 30-ditore, që fillimisht ishte propozuar nga Shtetet e Bashkuara, por që nuk ishte pranuar nga Rusia. /REL

  • Kroaci: Raportohet për dy të vdekur dhe 31 të lënduar në një aksident mes autobusit dhe veturës

    Kroaci: Raportohet për dy të vdekur dhe 31 të lënduar në një aksident mes autobusit dhe veturës

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, në autostradën A3 Bregana–Zagreb–Lipovac.

    Sipas mediave kroate, në aksident janë përfshirë një autobus dhe një automjet, të dy me targa të Bosnjë dhe Hercegovinës.

    Dy persona kanë vdekur dhe 31 të tjerë janë lënduar, si pasojë e këtij aksidenti.

    Ministri i Shëndetësisë i Kroacisë ka deklaruar se një e treta e të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë, shkruan Index.Hr.

    Tutje, bëhet e ditur se të lënduarit janë dërguar për trajtim në spitalet e Zagrebit, Siskut dhe Pakracit.

    Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa trafiku në të dy drejtimet e autostradës është bllokuar për disa orë, duke shkaktuar kolona të gjata automjetesh.

    Sipas informacioneve paraprake nga shefi i zjarrfikësve të rajonit Sisacko-Moslavacka, aksidenti u shkaktua kur një automjet Volkswagen goditi një kaproll që kishte dalë në rrugë.

    Shoferi i automjetit ndaloi për të paralajmëruar automjetet e tjera, por një autobus që po afrohej nuk arriti të ndalonte në kohë dhe u përplas me makinën, duke thyer barrierën mbrojtëse dhe duke kaluar në korsinë e kundërt.

    Hetimet për shkaqet e sakta të aksidentit duke u zhvilluar.

  • Muharremi: Rënia e Trustit është pasojë e tregjeve globale, jo e institucioneve vendore

    Muharremi: Rënia e Trustit është pasojë e tregjeve globale, jo e institucioneve vendore

    Trusti Pensional i Kosovës ka shënuar një rënie të konsiderueshme në vlerën e investimeve gjatë katër muajve të fundit, shkruan Ekonomia Online.

    Sipas analistit Shenoll Muharremi, kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet në bursat ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA, dhe nuk është pasojë e ndonjë vendimi të gabuar nga institucionet vendore.

    Muharremi thekson se fondet e Trustit janë të investuara në mënyrë konservative dhe të qëndrueshme, larg rreziqeve të larta si kriptovalutat apo asetet spekulative. Ai shton se rëniet e tilla janë të zakonshme dhe zakonisht pasohen nga rikuperime në afat të gjatë.

    Rënia e fundit, sipas tij, mund të lidhet me performancën negative të ekonomisë amerikane në tremujorin e fundit dhe pasigurinë e krijuar nga tarifat tregtare të vendosura në të kaluarën.

    Ndryshe, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në intervistë për Ekonomia Online, njoftoi se vetëm për katër muaj, mjetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trustit) kanë shënuar një rënie drastike mbi 103 milionë euro, duke ngjallur shqetësime për mënyrën se si menaxhohen fondet e pensionistëve të ardhshëm.

  • Kryediplomti i ri gjerman i kishte bërë vërejtje Scholz-it që ia kishte kërkuar në sy Vuçiqit njohjen e Kosovës

    Kryediplomti i ri gjerman i kishte bërë vërejtje Scholz-it që ia kishte kërkuar në sy Vuçiqit njohjen e Kosovës

    CDU e CSU të hënën kanë njoftuar për emrat e qeverisë së re. Johann Wadephul është Ministri i ri i Jashtëm – i pari kristjandemokrat në këtë post në pothuajse 60 vjet.

    Deutsche Welle raporton se Wadephul është njohës i mirë i Ballkanit.

    Ai ka qenë drejtues i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor në grupin parlamentar CDU/CSU në Bundestag.

    Cka mund të pritet nga Wadephul si njohës i Ballkanit, si do të sillet ai ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor?

    DW ka kthyer një deklaratë të Wadephul në vitin 2022 gjatë vizitës së kancelarit Olaf Scholz në Beograd. Ai e kishte quajtuar “amatoreske” qasjen e kancelarit.

    “T’i thuash presidentit serb në një konferencë të madhe për media se parakusht për gjithçka është njohja e Kosovës sipas të drejtës ndërkombëtare- çka do të ishte e dëshirueshme kjo dihet- por kjo duhet të jetë në fund të procesit. Tani për Serbinë procesi është vështirësuar për shkak të kësaj mënyrë amatoreske”, tha ai.

    DW raporton se me Wadephul ministër të jashtëm ka mundësi për “një kthim te politika më e balancuar mes Kosovës dhe Serbisë”.

    Deputeti i partisë së Gjelbër, Boris Mijatoviç, tha për DW, se pret që Wadelphul të angazhohet për demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe që Gjermania të mos i hapë rrugë regjimeve autoritare drejt BE’së.

  • Trainkos reagon pas lëndimit të pasagjerës nga goditja e trenit me gur: Ndaloni vandalizmin

    Trainkos reagon pas lëndimit të pasagjerës nga goditja e trenit me gur: Ndaloni vandalizmin

    Kompani hekurudhore Trainkos, ka reaguar pas incidentit ku një pasagjere në trenin Prishtinë Pejë është goditur me gurë. Trainkos e ka quajtur incidentin akt “të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm” që përbënë kërcënim serioz për jetën e udhëtarëve.

    Trainkos njofton se pasagjerja ka marrë ndihmën e parë mjekësore në vendin e ngjarjes dhe më pas është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas.

    Reagimi i plotë:

    APEL URGJENT PUBLIK

    NDALO MENJËHERË! Hedhja e gurëve ndaj trenave RREZIKON JETË!

    Trainkos shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për incidentin e ndodhur më 3 maj 2025 në afërsi të fshatit Grabovc, ku një pasagjere 26-vjeçare u lëndua në kokë si pasojë e goditjes me gurë nga jashtë trenit në lëvizje.

    Ky akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pasagjerëve dhe stafit tonë, si dhe për integritetin e shërbimeve tona hekurudhore.

    Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe viktima ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga mjekët emergjentë, duke u transferuar më pas për trajtim të mëtejshëm në QKMF në Drenas.

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të implikuarve në këtë incident.

    Trainkos dënon fuqishëm çdo akt dhune dhe vandalizmi ndaj trenave dhe pasagjerëve tanë.

    Siguria e udhëtarëve dhe e stafit është prioriteti ynë kryesor, dhe ne jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet për të siguruar që autorët e këtij akti të vihen përpara drejtësisë.

    U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo veprim të dyshimtë apo të rrezikshëm në afërsi të linjave hekurudhore.

    Bashkëpunimi i komunitetit është thelbësor për të parandaluar incidente të tilla dhe për të ruajtur sigurinë e transportit publik.

    Trainkos mbetet i përkushtuar për të ofruar shërbime të sigurta dhe të besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Thirrje për ndalimin e akteve të rrezikshme dhe vandalizmit ndaj trenave

    Trainkos bën thirrje publike dhe të fuqishme për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të tilla të rrezikshme si hedhja e gurëve apo çfarëdo objekti tjetër në drejtim të trenave në lëvizje.

    Këto veprime nuk janë vetëm të papërgjegjshme dhe të paligjshme, por përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e pasagjerëve, stafit hekurudhor dhe gjithë pjesëmarrësve në këtë shërbim publik.

    Ne u bëjmë thirrje prindërve, edukatorëve dhe komunitetit në tërësi që të edukojnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tilla. Vandalizmi ndaj trenave nuk është lojë — është krim që mund të marrë jetë njerëzish.

    Gjithashtu, ftojmë çdo qytetar që sheh ose ka dijeni për persona që kryejnë këso aktesh, të lajmërojnë menjëherë organet kompetente ose Trainkos-in, në mënyrë që të ndërhyhet sa më shpejt dhe të parandalohet ndonjë tragjedi e mundshme.

    Siguria është përgjegjësi e të gjithëve. Le të bashkohemi për ta mbrojtur atë.

  • Prishtina shënon Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, Rama: Po investojmë për mirëqenien e tyre

    Prishtina shënon Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, Rama: Po investojmë për mirëqenien e tyre

    Komuna e Prishtinës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve me një aktivitet të veçantë, ku kryetari Përparim Rama vlerësoi përkushtimin e zjarrfikësve dhe njoftoi për investimet e fundit në pajisje dhe mirëqenie të tyre, raporton Ekonomia Online.

    Rama bëri të ditur se Komuna ka ndërmarrë hapa konkretë, përfshirë sigurimin e shujtave ditore dhe organizimin e fizioterapisë si mbështetje për mirëqenien fizike të zjarrfikësve.

    “Zjarrfikësit tanë janë 24 orë në dite 365 ditë në vite janë të gatshëm qe ti ndihmojnë qytetit tonë, qytetarëve, vendit tonë. Ne si kryeqytet kemi bërë investime të shumta tash, psh mendojmë që zjarrfikësit tanë që të jenë sa të më gatshëm duhet edhe ne duhet të mbrojmë mirëqenin e tyre. Për herë të parë keni organizo fizioterapisë dhe shujta ditore që me pasur një pikë ndihmëse për ta. Në buxhetin tonë kemi buxhetor edhe për pajisje të reja si kampin sulmues dhe pajisje të tjera për të mirën e tyre. Kërkoj që të kemi iniciativë shtresë nga niveli qendror, për zjarrfikës të ri, të cilëve u ka munguar zjarrfikës të ri, janë 26 të ri shtesë por mungojnë edhe 44 tjerë”,, theksoi Rama.

    Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë tha se kjo ditë është një moment për të nderuar jo vetëm ata që humbën jetën në krye të detyrës, por edhe për të vlerësuar sakrificën e përditshme të zjarrfikësve kudo në botë.

    “Është ditë për të përkujtuar dhe për të nderuar të gjithë zjarrfikësit anembanë botës që kanë humbur jetën në kryerjen e detyrave mirëpo kjo nuk është për të nderuar vetëm ata është për të nderuar sakrificën e përditshme qe e japin zjarrëëfiksat kudo që janë ata. Sot kjo ditë ka të bëjë me çështjen e senzibilimzimt të qytetarëve për të parë edhe qytetarët të gjitha kapacitetet tona, dhe të jemi të gatshëm për të gjitha situatat. Mund të bëhet më shumë por ky shërbim do ta arrijë vendin e vet, investimi në këtë shërbim ka të bëjë për ruajtjen e njerëzve”, ka thënë Gashi.

  • Osmani në Brunei: Vizita e parë zyrtare ndonjëherë nga Kosova në këtë shtet të Azisë Juglindore

    Osmani në Brunei: Vizita e parë zyrtare ndonjëherë nga Kosova në këtë shtet të Azisë Juglindore

    Presidentja Vjosa Osmani është pritur me “nderimet më të larta shtetërore” në aeroportin Brunei Darussalam.

    Ajo tha se u ftua të shkonte atje nga Sulltani.

    “Pritja me nderimet më të larta shtetërore ushtarake në aeroportin e Brunei Darussalam, e ftuar nga Sulltani i Bruneit për vizitë shtetërore. Kjo është vizita e parë ndonjëherë e kreut të shtetit të Kosovës në këtë shtet mik të Azisë Juglindore. Faleminderit për mikpritjen! Terima Kasih! “, shkroi Osmani në Facebook, duke ndarë pamje nga pritja.

  • Kërkohet që Mali i Zi të dëmshpërblejë familjarët e të gjithë viktimave civile të luftërave

    Kërkohet që Mali i Zi të dëmshpërblejë familjarët e të gjithë viktimave civile të luftërave

    Vendimi i Qeverisë së Malit të Zi për ndarjen e ndihmës financiare për familjet e viktimave civile të luftërave të viteve ’90 është historik dhe me rëndësi të madhe për përballjen me të kaluarën, por nuk i ka përfshirë familjet e të gjitha viktimave.

    Ky është vlerësimi i përbashkët i organizatës Aksioni për të Drejtat e Njeriut (HRA), Komitetit të Juristëve të Malit të Zi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Shoqatës “Shtërpcë – Kundër Harresës”.

    Shoqëria civile thotë se shteti ka një detyrim moral edhe ndaj viktimave të krimeve të luftës në Kalugjerski Laz, ku Ushtria e Jugosllavisë qëlloi mbi një kolonë refugjatësh nga Kosova dhe vrau 21 persona.

    Qeveria e Malit të Zi ka vendosur që ndihma të ndahet për gjithsej 16 familje të viktimave të rasteve të deportimit të refugjatëve nga Bosnja dhe Hercegovina në vitin 1992, të rrëmbimit në Shtërpcë (në Bosnje) në vitin 1993, si dhe të bombardimeve të NATO-s në Murinë dhe Tuz në vitin 1999.

    Familjeve do t’u ndahen nga 100 mijë euro, duke korrigjuar kështu një padrejtësi disadekadëshe dhe duke konfirmuar përkushtimin e Malit të Zi për njohjen e të drejtave të të gjitha viktimave të luftës, thuhet në vendimin e Qeverisë.

    Dëmshpërblim për të gjitha viktimat civile të luftës

    Megjithatë, sektori civil thotë se nuk është e qartë pse Qeveria ka lënë jashtë familjet e viktimave të tjera civile të luftës.

    Duhet të dëmshpërblehen edhe viktimat e zhdukjeve me dhunë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë, si dhe rastet e vrasjeve dhe dëbimeve në Bukovicë, thotë Tea Gorjanc Prelleviq nga HRA.

    “Ato janë gjithashtu familje të viktimave civile të luftës, statusi i të cilave është njohur me ndryshimet e fundit ligjore, dhe që kanë pasur ose ende kanë shtetësinë e Malit të Zi”, thotë Gorjanc Prelleviq për Radion Evropa e Lirë.

    Miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës në shkurt të këtij viti ka mundësuar që familjet e viktimave civile të luftës të kërkojnë dëmshpërblim.

    Sipas ligjit, viktimë civile e luftës konsiderohet një person civil i vrarë apo i zhdukur gjatë konflikteve të armatosura në territorin e ish-Jugosllavisë pas 17 gushtit 1990, që kishte shtetësinë e ish-RSFJ-së.

    Dëmshpërblimet janë të parashikuara për anëtarët e familjeve të viktimave që kanë shtetësi malazeze.

    Sipas të dhënave të HRA-së, Mali i Zi duhet të dëmshpërblejë së paku edhe nëntë familje të tjera.

    Gorjanc Preleviq shton se shteti ka një detyrim moral edhe ndaj viktimave të krimeve të luftës në Kallugjerski Laz, ku Ushtria e RFJ-së qëlloi mbi një kolonë refugjatësh nga Kosova dhe vrau 21 persona.

    Për shkak të mangësive në hetime dhe procedurat penale, gjatë të cilave nuk u përcaktua përgjegjësia për këtë krim, gjykatat i hodhën poshtë të gjitha kërkesat për dëmshpërblim si të parashkruara.

    Edhe sipas evidencës së Komitetit të Juristëve për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka ende disa familje që duhet të dëmshpërblehen, thotë kryetari i këtij komiteti, Velija Muriq.

    Ai përmend rastin e familjes Ibrahimaj nga Peja, e cila vitet e fundit jeton në Rozhajë.

    Në Kallugjerski Laz humbën jetën katër anëtarë të kësaj familjeje, të cilët në atë kohë kishin shtetësi të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi, thotë Muriq për Radion Evropa e Lirë.

    Ai përmend edhe rastin e djaloshit Senad Daciq, i cili humbi jetën nga shpërthimi i bombave kasetore në fshatin Besnik afër Rozhajës, të hedhura nga avionët e ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi në prill të vitit 1999.

    “Kjo familje nuk ndryshon në asgjë nga viktimat në Murinë. I vetmi dallim është se viktimat në Murinë u vranë nga avionët e NATO-s, ndërsa këtu kemi të bëjmë me ushtrinë e Serbisë dhe Malit të Zi”, thotë Muriq.

    Në Murinë humbën jetën gjashtë civilë, përfshirë tre fëmijë, ndërsa katër të tjerë u plagosën. Familjet e tyre janë përfshirë në vendimin për dëmshpërblim.

    “Vendim edhe pozitiv, edhe zhgënjyes i Qeverisë”

    Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga familjet që nuk janë përfshirë në vendimin e Qeverisë.

    Ellsana Nurkoviq, e bija e një të zhdukuri në Kosovë, thotë se këtë vendim e sheh njëkohësisht si pozitiv dhe zhgënjyes.

    “Ligji që njeh disa persona si viktima të luftës nga ana e shtetit është një hap shumë i madh dhe pozitiv. Por nga ana tjetër, fakti që jo të gjithë janë përfshirë dhe që dikush duhet të provojë se është apo jo viktimë – është poshtërues dhe degradues”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

    Ajo është njëra nga gjashtë vajzat e Halit Nurkoviq nga Rozhaja, i cili në korrik 1999, pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, nisi një udhëtim drejt Kosovës me kolegun e tij Dervish Muriq për të transportuar një pasagjere.

    Ata u panë për herë të fundit afër Pejës, pas së cilës humbi çdo gjurmë e tyre. Dy dekada e gjysmë më vonë, familja ende nuk di asgjë për fatin e Halitit.

    Përpjekjet për të gjetur të vërtetën përmes institucioneve të Malit të Zi, Kosovës dhe ndërkombëtarëve, kanë qenë kryesisht pa përgjigje.

    “Tani duhet të luftosh për të dëshmuar që i përket asaj kategorie [të personave që marrin dëmshpërblim] dhe kjo e bën gjithë procesin shumë të vështirë”, thotë Elsana.

    Sllavica Silanoska, bashkëshortja e një të rrëmbyeri në Kosovë, beson se me këtë vendim Qeveria ka përfshirë fillimisht viktimat që kanë humbur jetën në territorin e Malit të Zi.

    “Besoj se do të ketë dëmshpërblim për të gjitha viktimat, se do të vijë radha edhe për ne, sepse nëse fillojnë të ndajnë viktimat, atëherë gjithçka e humb kuptimin”, thotë Silanoska për Radion Evropa e Lirë.

    Bashkëshorti i saj, Slavolub Ristiq, një serb nga Kosova, u rrëmbye në Gjilan në korrik të vitit 1999. Pasi kishin ikur përkohësisht në Mal të Zi, ai ishte kthyer në Kosovë për të aplikuar për një vend pune.

    Për gjashtë vjet nuk dihej asgjë për fatin e tij, deri kur më 2005 u konfirmua se kishte vdekur, dhe një vit më pas u varros në Vranjë, thotë ajo.

    Ajo dhe i biri, i lindur në Kotor në vitin 1997, jetojnë në Mal të Zi dhe kanë shtetësi malazeze.

    Organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga ministria përgjegjëse që të përfshijë në vendim edhe familjet e tjera të viktimave civile të luftës.

    “Shpresojmë që respektimi i të drejtave të tyre në Mal të Zi të bëhet shembull për vendet e tjera të rajonit, për vendime të ngjashme që do të përfshijnë të gjitha familjet e viktimave të krimeve të luftës”, thuhet në fund të deklaratës së përbashkët të HRA-së, Komitetit të Juristëve dhe Shoqatës “Shtërpcë”.