ATV

Author: ATVLive

  • Tentimi i 11-të për konstituimin e Kuvendit, gazetari i ATV-së zbulon detajet e fundit

    Tentimi i 11-të për konstituimin e Kuvendit, gazetari i ATV-së zbulon detajet e fundit

    Gazetari i ATV-së, Driton Sadiku, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Kuvendi i Kosovës në STUDIO E HAPUR të ATV-së, raportoi se edhe në tentimin e 11-të për konstituimin e Kuvendit, mungesa e deputetëve dhe vullnetit politik po paralajmëron një tjetër dështim.

    Ai tha se një numër i madh i deputetëve ende nuk kanë hyrë në sallën plenare, ndërsa zhurma e zilës ka nisur për t’i thirrur ata.

    “Është një pjesë e madhe e deputetëve që ende nuk janë prezentë në sallë plenare. Pak më herët erdhën deputetët e partisë fituese, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, dhe veçse ka filluar të bie edhe zila për t’i thirrur deputetët që të vijnë,” raportoi Sadiku.

    Sipas tij, edhe sot, Albulena Haxhiu mbetet kandidatja e vetme e LVV-së për kryetare të Kuvendit, por pa mbështetje të mjaftueshme.

    “Sipas një deputeti të Vetëvendosjes, kjo mënyrë e votimit të fshehtë po përdoret pasi dihet që nuk i kanë numrat për ta kaluar vetë. Mbase ndonjë deputet do të donte të votonte ndryshe, por nuk lejohet nga partia, megjithatë vullneti i deputetëve është edhe vullneti i qytetarëve që duan ta zhbllokojnë Kuvendin,” raportoi Driton Sadiku.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • VV s’heq dorë as nga Albulena Haxhiu, as nga votimi i fshehtë “me shpresë se ndonjë deputet i opozitës e voton”

    VV s’heq dorë as nga Albulena Haxhiu, as nga votimi i fshehtë “me shpresë se ndonjë deputet i opozitës e voton”

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se, meqenëse janë këtoa numra aktualë në Kuvend, VV do të rikthehet sërish me propozimin për votim të fshehtë për Albulena Haxhiun, me shpresën se ndonjë deputet nga partitë tjera do ta mbështesë atë, raporton EO.

    “Nuk ka ndonjë ndryshim – sërish do të propozohet Albulena Haxhiu. Sigurisht që votimi i fshehtë nuk është as shkelje ligjore, as procedurale, dhe besoj se do të vazhdojmë në të njëjtën formë. Subjektet politike tashmë i kanë qëndrimet e veta, por nuk e kuptoj pse nuk pranojnë të hyjnë në votim të fshehtë. Ndoshta kjo na çon në idenë se ata mund të kenë frikë nga deputetët e tyre, megjithatë, nuk e besoj këtë.”

    “Le të shkojmë me votim të fshehtë, vullneti i deputetit është vullnet i qytetarëve, prandaj duhet ta zhbllokojmë këtë pjesë për të kaluar në çështjet tjera të qeverisjes”.

  • Berisha thotë se do ta votonte Fitore Pacollin

    Berisha thotë se do ta votonte Fitore Pacollin

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha deklaroi edhe një herë se do të ishte pro Fitore Pacollit për kryeparlamentare.

    Para fillimit të seancës, përpjekje kjo e njëmbëdhjetë për konstitutim të kuvendit, ai foli shkurt para mediave.

    “Fitore Pacollin e kisha votuar, edhe përkundër atyre problemeve me megja e me hajni e asi subvencione”, deklaroi Berisha.

    Për herë të njëmbëdhjetë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të arrijnë në objektin e legjislativit për të vazhduar seancën konstituive, e cila ka nisur që nga 15 prilli. /kp

  • ​Kusari-Lila: Ditë e re fat i ri, Haxhiu është kandidate për kryeparlamentare

    ​Kusari-Lila: Ditë e re fat i ri, Haxhiu është kandidate për kryeparlamentare

    Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila thotë se vazhdimi i seancës së sotme konstituive do të vazhdojë aty ku ka mbetur procedura.

    Ajo thotë se është fakti i ditur që Albulena Haxhiu është kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

    “Procedura duhet të vazhdoj aty ku ka mbetur ta shohim…Është fakt i ditur që Albulena Haxhiu është kandidate. Ditë e re fat i ri”, theksoi ajo.

    Sot është tentimi i 11-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Tashmë partia e parë e cila doli në zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje po tenton që kryeparlamentarin ta zgjedh me votim të fshehtë, por kjo mënyrë e votimit nuk po përkrahet nga partitë opozitare.

    Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiu për kryeparlamenetare./kp

  • ​Vazhdimi i seancës konstituive, deputetët fillojnë të mblidhen në Kuvend

    ​Vazhdimi i seancës konstituive, deputetët fillojnë të mblidhen në Kuvend

    Për herë të 11-të, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të arrijnë në objektin e legjislativit për të vazhduar seancën konstituive, e cila ka nisur që nga 15 prilli, raporton KP.

    Në Kuvend kanë ardhur deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe deputetë nga parti të tjera parlamentare.

    Deputetët assesi nuk mundet të zgjedhin trupat e organit kryesor legjislativ, pasi Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë në zgjedhje e 9 shkurtit nuk po mundet të zgjedh kryeparlamentarin, gjë e cila i takon sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

    Kundër Albulena Haxhiut, si e propozuar e LVV-së për kryeparlamentare janë nga PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe, AAK-ja, ndërkaq tre deputetët e Nisma-s po abstenojnë.

  • Vaksinimi kundër HPV-së: Mbi 13 mijë fëmijë të imunizuar në Kosovë

    Vaksinimi kundër HPV-së: Mbi 13 mijë fëmijë të imunizuar në Kosovë

    Gjatë katër muajve të parë të vitit 2025, mbi 13 mijë vajza dhe djem rreth moshës 12-vjeçare janë vaksinuar në Kosovë kundër Human Papilloma Virusit (HPV), virusit që lidhet me disa lloje të kancerit, përfshirë atë të qafës së mitrës.

    Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) konfirmojnë se vaksinimi është duke u zbatuar në të gjitha komunat, megjithëse me sfida të theksuara në Rahovec. Ndërkohë, prindërit e fëmijëve po përballen me vendime të vështira për shkak të dezinformatave, dyshimeve dhe ndikimeve sociale.

    Human Papilloma Virus (HPV) është një grup virusesh shumë i përhapur që mund t’i infektojë lëkurën dhe mukozat në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë gojën, fytin, organet gjenitale dhe anusin. Disa lloje të tij shkaktojnë infeksione të transmetueshme seksualisht, ndërsa të tjerë mund të çojnë në zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës, anusit, penisit, apo edhe të fytit, gjuhës dhe bajameve.

    Përfshirja e djemve dhe zbatimi i vaksinës me bazë ligjore

    Dr. Fetije Fetaj, drejtoreshë e Programit të Imunizimit në IKSHPK, thotë se vaksinimi i fëmijëve ka nisur që nga fillimi i shkurtit edhe për djemtë. Ajo nënvizon për Radion Evropa e Lirë se procesi është i detyrueshëm dhe i paraparë në kalendarin zyrtar të imunizimit.

    “Nga data 2 shkurt kemi filluar edhe me vaksinimin e djemve me vaksinën e HPV-së. Deri me tani diku deri 45 për qind e nxënësve të kësaj grupmoshe janë vaksinuar”, thotë ajo.

    “Kjo vaksinë ka rëndësi më të madhe se sa që është e obliguar. Ne e dimë se shumë lehtë mund të lexohen informata jo të sakta në rrjetet sociale, por informata e saktë merret nga profesionisti shëndetësor. Është një barrë e madhe që një prind t’i thotë jo vaksinës kundër Human Papilloma Virusit”, thekson Fetaj.

    Çfarë është papilloma virusi (HPV)?

    Papilloma virusi (HPV) është një infektim që transmetohet seksualisht. Pothuajse të gjithë personat që janë seksualisht aktivë, në një moment të caktuar të jetës infektohen me këtë virus, por në shumicën e rasteve nuk shfaqin simptoma.

    Në grupin e HPV-së hyjnë më shumë se 200 lloje të viruseve. Në shumicën e rasteve, ky virus nuk shkakton shqetësim, por infektimi me disa lloje të tij mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe kancer.

    HPV-ja mund të prek lëkurën, zonën gjenitale dhe fytin.

    Prezervativët mund të ndihmojnë në mbrojtjen kundër infektimit me HPV, por nuk ofrojnë mbrojtje të plotë.

    Më 2019, HPV-ja vlerësohet se ka shkaktuar 620.000 raste të kancerit te gratë dhe 70.000 raste të kancerit te burrat, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Rastet e kancerit me HPV mund të parandalohen përmes vaksinimit të hershëm.

    Për shumë prindër, vendimi për t’i vaksinuar fëmijët nuk ka qenë i lehtë. Disa janë ndikuar nga informacione të pasakta në rrjete sociale, ndërsa të tjerë kanë kërkuar konsultime të drejtpërdrejta me profesionistë shëndetësorë për ta marrë vendimin e duhur.

    Blerta, një nënë nga Prishtina, rrëfen për REL-in se fillimisht ka qenë kundër vaksinës, por pas takimeve me mjekët dhe pas hulumtimit personal, ajo ndryshoi qëndrim.

    “Fillimisht nuk kam dashur t’ia jap vaksinën fare. Kam menduar se nuk e ka atë efektin që po thuhet dhe kam menduar që mund të ketë pasoja tjera në shëndetin e vajzës. Kam pasur mendim krejt të kundërt, por jam bindur shpejt pas takimit me profesionistët. Pastaj edhe vetë kam hulumtuar për vaksinën”, shpjegon Blerta.

    Rahoveci, komuna ku ekzistojnë ende refuzime për vaksinim

    Në komunën e Rahovecit, procesi i vaksinimit nuk po ec me të njëjtin ritëm si në komunat e tjera. Drejtori i QKMF-së, Elbunit Kryeziu, thekson se ekziston një hezitim i madh nga ana e prindërve.

    “Disa nga ata vazhdojnë të kenë hezitim dhe e mbajnë atë qëndrim. Te disa nga ta ka ndikuar edhe aspekti fetar, ata persona kanë refuzuar çdo lloj vaksinimi dhe jo vetëm këtë [HPV]. Kemi pasur dhe kemi ende vështirësi në vaksinim”, thotë Kryeziu.

    N. Bajraktari, 18 vjeç, nxënës i shkollës së mesme “Shtjefan Xheçovi” në Prishtinë, thotë se nuk e ka ndër mend të vaksinohet, përveç nëse ajo bëhet e detyrueshme.

    “Nëse është e domosdoshme, e detyrueshme, po, do të vaksinohesha, përndryshe jo. Derisa nuk kam ndonjë problem shëndetësor pse të vaksinohem”, thotë Bajraktari.

    Ai e pranon se nuk e ka diskutuar këtë çështje me prindërit dhe se informacionin për vaksinën e ka marrë kryesisht në media.

    Zgjedhja për të vaksinuar fëmijët në moshën 12-vjeçare bazohet në të dhëna mjekësore. Studimet tregojnë se organizmi i fëmijëve të moshës 11–13 vjeç reagon më fuqishëm ndaj vaksinës duke prodhuar një nivel më të lartë dhe më afatgjatë të antitrupave.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë e rekomandon vaksinimin në moshën 9–14 vjeç, me fokus të veçantë në grupmoshën 11–12 vjeç, për të siguruar mbrojtje maksimale kundër infeksioneve të HPV-së.

    Në mungesë të vaksinës në vitet e kaluara, disa prindër në Prishtinë kishin zgjedhur ta vaksinonin fëmijën e tyre në sektorin privat, duke paguar deri në 300 euro për dozë.

    Drejtoresha ekzekutive e IKSHPK-së, Ardita Baraku, thekson rëndësinë e barazisë gjinore në procesin e imunizimit, duke nënvizuar se përfshirja e djemve është një hap drejt qasjes së barabartë në mbrojtjen shëndetësore.

    “Implementimi i HPV vaksinës për të dyja gjinitë, përveç rolit parandalues, mundëson dhe garanton edhe barazinë në qasjen ndaj parandalimit të sëmundjeve të shkaktuara nga HPV. IKSHPK, përmes menaxhimit të procesit, bashkë me QKMF-të dhe profesionistët e njësive të vaksinimit në çdo komunë, do të japin maksimumin për të siguruar që ky proces të jetë sa më i lehtë dhe i qasshëm për secilin prind dhe fëmijë”, thekson Baraku.

    Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të japë një vlerësim të përgjithshëm mbi procesin e vaksinimit dhe për të bërë të ditur sasinë aktuale të vaksinave në dispozicion.

    Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk është marrë një përgjigje zyrtare./REL/

  • Trump rihap burgun e Alcatrazit, kriminelët më të rrezikshëm do të dërgohen atje

    Trump rihap burgun e Alcatrazit, kriminelët më të rrezikshëm do të dërgohen atje

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi dje, të dielën, se i ka urdhëruar administratës së tij dhe agjencive përkatëse shtetërore të rindërtojnë dhe rihapin burgun famëkeq të Alcatrazit, në Gjirin e San Franciskos, në mënyrë që kriminelët më “të dhunshëm” dhe “recidivistë” të mund të dërgohen atje.

    “Për një kohë shumë të gjatë, Amerika është përballur me një plagë kriminelësh, të egër, të dhunshëm, recidivistësh, llumin e shoqërisë që nuk sjellin asgjë tjetër përveç mjerimit dhe vuajtjes”, tha republikani nëpërmjet Truth Social.

    “Kjo është arsyeja pse sot kam urdhëruar Byronë e Burgjeve, si dhe Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare, që të rihapin, zgjerojnë ndjeshëm dhe rindërtojnë Alcatrazin për të strehuar kriminelët më të rrezikshëm dhe të dhunshëm të Amerikës”, vazhdoi ai.

    Ai deklaroi gjithashtu në të njëjtin postim se qeveria e tij nuk do të mbahet “peng” nga gjyqtarët që e pengojnë atë të deportojë “kriminelë” dhe “banditë” që “erdhën në vendin tonë ilegalisht” – pa shpjeguar nëse, apo çfarë, urdhri i tij për të rihapur këtë burg ka të bëjë me politikën e tij anti-imigracion.

    Sipas Presidentit Trump, rihapja e burgut, i cili u mbyll në mars të vitit 1963, do të jetë një “simbol i ligjit, rendit dhe drejtësisë”.

    Burgu i Alkatrazit, ku dikur mbaheshin bosët e mafias, më i njohuri Al Capone, u mbyll vetëm 29 vjet pasi u hap, për shkak të kostove të tepërta të funksionimit të tij, sipas Byrosë së Burgjeve të SHBA-së.

    Dy kilometra larg bregdetit, ish-burgu tani është një atraksion turistik në Gjirin e San Franciskos, Kaliforni.

    Republikani e ka bërë luftën kundër krimit një element kyç të mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

  • Sulm me dron nga Ukraina kundër Moskës, mbyllet aeroporti Damadiyeva

    Sulm me dron nga Ukraina kundër Moskës, mbyllet aeroporti Damadiyeva

    Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan katër mjete ajrore pa pilot ukrainase që po shkonin drejt Moskës, njoftoi kryebashkiaku i kryeqytetit rus Sergei Sabyanin nëpërmjet Telegramit në orët e para të mëngjesit.

    Sipas informacionit fillestar, ende paraprak, nuk pati të lënduar nga mbeturinat që binin nga dronët, shtoi kryebashkiaku.

    Agjencia ruse e aviacionit civil Rosaviatsia njoftoi nëpërmjet Telegramit se kishte pezulluar përkohësisht operacionet në Aeroportin Damaturydava, një nga më të mëdhenjtë e Moskës, rreth orës 02:38 (ora lokale dhe ajo greke), për të garantuar sigurinë e transportit ajror.

  • Kandiq skeptike për ndryshimin e Serbisë ndaj Kosovës edhe nëse vijnë studentët në pushtet

    Kandiq skeptike për ndryshimin e Serbisë ndaj Kosovës edhe nëse vijnë studentët në pushtet

    Në episodin e fundit të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi zhvilloi bisedë me themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, mbi mundësinë e një ndryshimi rrënjësor në qasjen e Serbisë ndaj së kaluarës, nëse studentët do të vinin në pushtet.

    Surroi ngriti një skenar hipotetik ku presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, largohet nga pushteti dhe vendin e tij e zënë studentët që po protestojnë qe një kohë të gjatë. Ai pyeti nëse një ndryshim i tillë do të sillte edhe një përballje të vërtetë me krimet e së kaluarës, përfshirë çështje të hapura si kamionët frigoriferë me kufoma, rasti i vëllezërve Bytyqi apo ai i familjes Berisha.

    Kandiqi u përgjigj me skepticizëm, duke theksuar se ende ka dilema të mëdha nëse një gjë e tillë është e mundur. Ajo solli shembuj konkretë nga një takim me studentë nga ish-Jugosllavia, që nuk ishin në dijeni për Ditën e të Zhdukurve në Kosovë apo për masakrat si ajo e Mejës. Megjithatë, ajo pranoi se një shpresë e vogël ekziston, e nxitur nga kontaktet e reja ndërstudentore që tejkalojnë ndarjet etnike dhe historike.

    Një rast i veçantë që përmendi ishte kalimi i studentëve protestues serbë në Kroaci, ku, pavarësisht mungesës së dijes për të kaluarën e dhimbshme të qyteteve si Osijek apo Viroviticë, ata u mirëpritën nga bashkëmoshatarët e tyre kroatë dhe madje edhe nga zyrtarë lokalë. Ky komunikim i ri, siç e quajti ajo, është një dritë shprese për një gjeneratë që mund të ndërtojë marrëdhënie të reja në rajon, larg trashëgimisë së konfliktit.

    “Kam frikë të flas për këtë shpresë të vogël, por ajo ekziston”, shtoi Kandiq. /Koha/

  • Rama prezanton “Kutinë e Verdhë” në rrugën Agim Ramadani: Gjobë deri 80 euro për shkelësit e rregullit

    Rama prezanton “Kutinë e Verdhë” në rrugën Agim Ramadani: Gjobë deri 80 euro për shkelësit e rregullit

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka filluar aplikimi i shenjëzimit të njohur si “Kutia e Verdhë”.

    Këto shenjëzime tashmë ndodhen në rrugën “Agim Ramadani”, e cila pritet të hapet për qarkullim këtë të hënë.

    Në njoftimin e lëshuar nga Rama në Facebook me detaje rreth këtij rregulli, thuhet se shkelja e tij pason me gjobë prej 80 eurosh.

    “Të gjithë shoferët janë të obliguar që të mos hyjnë në këtë zonë nëse nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për të përfunduar kalimin e udhëkryqit! Të shmangin çdo ndalim brenda kësaj zone, me qëllim të mos bllokohet trafiku! Shkelësit e këtij rregulli do të ndëshkohen me gjoba deri në 80 euro”, ka thënë ai.

    Për dy ditë rruga “Agim Ramadani” ka qenë e mbyllur për qarkullim për shkak të punimeve.