ATV

Author: ATVLive

  • Kontrata e pranverës për pastrim të borës

    Kontrata e pranverës për pastrim të borës

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ka arritur të nënshkruajë me kohë kontratën për mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale në katër komunat veriore të Kosovës.

    Edhe pse pjesa kryesore e kontratës kishte të bënte me pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës nëpër rrugë, kjo ministri e kishte nënshkruar kontratën vetëm më 28.02.2024.

    Në tenderin me procedurë të negociuar “Mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale – Mitrovica 2a1.”, që ishte iniciuar më 19.12.2023, kishte ankesa dhe pretendime për shkelje të Ligjit të Prokurimit.

    Sipas kësaj ministrie, ky aktivitet i prokurimit ishte nisur gjatë sezonit dimëror dhe është rezultat i një memorandumi bashkëpunimi me komunat respektive.

    “Inicimi i procedurave të prokurimit për projektin: “Mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale – Mitrovica 2a1.” është rezultat i Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të MMPHI dhe Komunave Mitrovice e V., Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok nënshkruar me date 19.12.2023 dhe se ky inicim është filluar me datë 20 dhjetor të vitit 2023”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

    Megjithatë, bazuar në dokumentet e publikuara në E-prokurim, Ministria e Infrastrukturës e ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës vetëm më 21.02.2024, apo 2 muaj pas inicimit të tenderit.

    Ministria nuk ka publikuar ndonjë sqarim pse është vonuar procesi për dy muaj përkundër faktit që ishte zgjedhur procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

    Për të parë punët që janë kryer bazuar në këtë kontratë, më 14 maj 2024 është kërkuar qasje në faturat e paguara në kuadër të kësaj kontrate.

    Ministria na ka dhënë qasje në një faturë të muajit prill në vlerë prej 26 mijë e 677 euro.

    Në këtë faturë nga 26 mijë euro, ani pse nuk pati reshje të borës, për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja dimërore” janë paguar 12 mijë e 183 euro.

    Pjesa më e madhe e këtij situacioni kishte shkuar për pozicionin “Koha e kujdestarisë 24 orë, e cila ishte ofertuar me 65 euro për 24 orë.

    Në këtë faturë janë faturuar 120 ditë me nga 65 euro dhe totali i pagesës ishte 7,800 euro. Në dokumentin nuk është dhënë ndonjë sqarim se pse është paguar kujdestari për 120 ditë edhe pse deri në mes të muajit prill kishin kaluar më pakë se 50 ditë nga dita e fillimit të zbatimit të kontratës.

    Ministria kishte paguar edhe 50,350 kilogram krypë, të cilat ishin paguar me një çmim prej 0.07 euro, që në total pagesa ishte 3,524 euro.

    Ndërkaq, 9 mijë e 350 u ekzekutuan për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja verore”.

    Sipas paramasës së nënshkruar, të cilën e posedon televizioni, 64 mijë euro ishin paraparë të shpenzoheshin për furnizim dhe shpërndarje të kripës, kurse 5 mijë e 880 euro për furnizim me rërë dhe shpërndarje të saj. Ndërkaq, pjesa tjetër e mjeteve ishte paraparë të shpenzohet për automjete dhe sinjalizim të trafikut.

    Zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi, pohoi se gjatë këtyre muajve nuk kishte shumë reshje të borës në katër komunat veriore.

    Megjithatë, ai nuk u përgjigj në gjitha pyetjet duke thënë se në pyetjet e dërguara më datën 3 qershor 2024 do të përgjigjet Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve.

    “Po po atje ka pas shumë pak reshje prej kohës kur është nënshkruar kontrata por nëse ju i keni dergu pyetjet duhet Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve me ju përgjigj”- është përgjigjur zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në pyetjen se sa është shpenzuar nga kontrata e nënshkruar për mirëmbajtjen e rrugëve në katër komunat veriore.

    Ndërsa, Agron Beshiri, menaxher i projektit nga ana e Autoritetit Kontraktuese e ka dërguar tek televizioni një raport të punës së këtij projekti.

    Ai ka thënë se kontrata me kompaninë “Shkoza F007” ka filluar zbatimin në fillim të muajit mars.

    “Meqenëse në muajin mars temperatura ka shënuar mbi 0°, aktivitetet e intervenimit ku përfshihen: pastrimi i borës, hedhjes së kripës dhe rërës, kanë qenë thuajse të panevojshme me përjashtim të datës 30 mars 2023”- thuhet në raportin e Beshirit.

    Përkundër motit të mirë, Operatori Ekonomik siç parashihet në kontratë ka bërë kujdestari.

    “Gatishmëria e kujdestarisë ka qenë prezente gjatë gjithë muajit mars me ndërrim 24/7. Gjatë kësaj periudhë ka pasur inspektime të rregullta ditore të rrugëve lokale”- thuhet në këtë raport të menaxherit të kontratës, Agron Beshiri.

    Tutje, në raport janë listuar punët e realizuara bazuar në këtë kontratë, që përputhen me faturën e dërguar nga Ministria e Infrastrukturës, në vlerë 26,677 euro.

    “Vlera financiare për punët e kryera gjatë muajit mars ka qenë 26,677 euro. Përqindja e realizimit del të jetë 19.26%”- thuhet në raport, në të cilin nuk ka asnjë detaj nëse gjatë muajit prill e maj është bërë ndonjë shpenzim tjetër bazuar në këtë kontratë.

    Për të marrë përgjigje rreth zbatimit të kësaj kontrate dy herë ishte kontaktuar edhe kompania “SHKOZA F007”. Herën e parë ishte kontaktuar më 13 prill 2024, por kur personi kontaktues kishte kuptuar se po kontaktohej nga një gazetar, e kishte bllokuar numrin. Në të njëjtën datë, televizoni kishte tentuar të marrë

    përgjigje edhe përmes platformës sociale FACEBOOK, por i njëjti kishte bllokuar llogarinë kontaktuese.

    Kurse, herën e dytë është kontaktuar më 18.06.2024 dhe personi që është lajmëruar në telefon ka thënë se është nga kompania “SHKOZA F007” pasi e ka dëgjuar pyetjen ka thënë se është shofer dhe e ka mbyllur telefonin.

    Ankesat në tender

    Mes tjerash, ky aktivitet i prokurimit ishte përcjellë edhe me pretendime për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik nga ana e një operatori ekonomik, që ishte në garë. Fillimisht më 9 shkurt 2024, pas kërkesës për rishqyrtim të një operatori ekonomik, zyrtari përgjegjës i prokurimit në këtë dikaster qeveritar kishte nxjerrë vendim për pezullim të këtij aktiviteti të prokurimit.

    Megjithatë në të njëjtën ditë, Autoriteti Kontraktues e kishte refuzuar kërkesën për rishqyrtim të “B CORP SH.P.K.”.

    Kompania ankuese kishte pretenduar se Operatori Ekonomik i propozuar për kontratë ishte i papërgjegjshëm meqë nuk kishte përmbushur kërkesat e përshtatshmërisë: Vërtetim nga një Gjykatë kompetente ku vërteton se drejtuesit, menaxheret e saj gjatë dhjetë viteve të kaluara nuk janë shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazhe ose aktivitetet e ngjashme.

    Në këtë përfundim “B CORP SH.P.K.” kishte ardhur pasi ishte qasur në dosjen e Operatorit Ekonomik ankues.

    Ky pretendim ishte hedhur poshtë, meqë sipas Ministrisë së Infrastrukturës, Operatori Ekonomik fitues i kishte sjellë dokumentet para Njoftimit mbi vendim e Autoritetit Kontraktues dhe ishin të ngarkuara te dëshmitë e pranueshmërisë në platformën e-prokurimi.

    Ky artikull është përgatitur përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara apo BIRN.

  • ​Paraburgoset shtetasi i Serbisë për sulm ndaj KFOR-it e policisë në Zveçan

    ​Paraburgoset shtetasi i Serbisë për sulm ndaj KFOR-it e policisë në Zveçan

    Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit një muaj ndaj të pandehurit me nënshtetësi të Serbisë L.D., nën dyshimet se ka kryer veprat penale bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi si dhe sulm ndaj personit zyrtar.

    Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 29.05.2023, në intervalin kohor prej orës 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri L.D. së bashku me të pandehur tjerë kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave, me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Kosovës në komunat veriore të vendit.

    Përkundër urdhrave të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kanë nxitur dhe filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga predhat e armëve të zjarrit.

    Po ashtu, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe veturat e gazetarëve që kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtim fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të lartë për jetën e shumë njerëzve dhe pasurisë.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • ​Këshilli i BE-së miraton hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë

    ​Këshilli i BE-së miraton hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë

    Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot zyrtarisht mandatin për negociatat e anëtarësimit në BE me Ukrainën dhe Moldavinë, për të cilin ishte rënë dakord më parë në nivel ambasadorësh, duke i hapur rrugën konferencës së parë ndërqeveritare që do të mbahet të martën e ardhshme.

    Këtë e ka bërë të ditur Presidenca belge në Këshillin e Bashkimit Evropian, transmeton Ukrinform.

    “Këshilli i BE-së miratoi qëndrimet e përgjithshme të BE-së, përfshirë kornizat negociuese, për negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Kjo hap rrugën për nisjen e negociatave të martën më 25 qershor në Luksemburg. 15:30 – IGC me Ukrainën. 18:00 – IGC me Moldavinë”, thuhet në postim.

    Siç është raportuar, më 14 dhjetor 2023, Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, Bosnje-Hercegovinën dhe i dha statusin e kandidatit Gjeorgjisë.

    Të premten e kaluar, më 14 qershor, përfaqësuesit e përhershëm të BE-së ranë dakord në parim për kornizat e negociatave për negociatat e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë.

  • ​Itali: 8 të lënduar nga shpërthimi në një fabrikë

    ​Itali: 8 të lënduar nga shpërthimi në një fabrikë

    Tetë punëtorë u plagosën, pesë në gjendje kritike, në një shpërthim në një fabrikë alumini në Bolzano të Italisë gjatë natës, thanë burimet të premten.

    Pesë rastet më të rënda u dërguan me helikopter në qendra të rëndësishme të djegieve – dy u dërguan në Verona, një në Padova, një në Milano dhe tjetri në Murnau në Bavari, thanë burimet.

    Punëtorët më pak të lënduar po marrin trajtim në Bolzano.

    Ky është shpërthimi i fundit në një seri të gjatë aksidentesh të rënda në vendin e punës në Itali.

    Sipas të dhënave zyrtare ka pasur mbi 1000 aksidente fatale në punë vitin e kaluar.

  • ​Presidenti i Bullgarisë merr pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington

    ​Presidenti i Bullgarisë merr pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington

    Presidenti dhe njëherësh komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Bullgarisë Rumen Radev do të merr pjesë në Samitin e ardhshëm të NATO-s më 9-11 korrik në Uashington, njoftoi sot Këshilli i Ministrave.

    Në takim do të merr pjesë edhe kryeministri në detyrë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Dimitar Glavchev.

    Forumi është niveli më i lartë i vendimmarrjes në Aleancë dhe do të shënojë 75-vjetorin e Traktatit të Atlantikut të Veriut, të nënshkruar në Uashington. Vendimet që do të merren në takim përfshijnë zbatimin e angazhimeve afatgjata nga aleatët, me një fokus të veçantë në investimet në mbrojtjen e çdo vendi anëtar të NATO-s dhe mbështetjen afatgjatë për Ukrainën dhe mbështetjen e saj financiare.

    Të enjten, kryeministri Glavchev i dërgoi një letër kryetarit të Asamblesë Kombëtare Raya Nazaryan dhe grupeve parlamentare duke u kërkuar atyre të vendosin se kush do të përfaqësojë Bullgarinë në samit.

    Partitë MRF dhe CC-DB kundërshtuan që Radev të përfaqësonte Bullgarinë në forum, duke i kërkuar kryeministrit ta bënte këtë, ndërsa BSP donte që vendi të përfaqësohej nga presidenti. Partia Velichie tha se vendimi duhet të merret nga Këshilli i Ministrave. /BTA

  • Materiali nga NASA dhe çmimi marramendës – maska speciale që do ta mbrojë hundën e Mbappes

    Materiali nga NASA dhe çmimi marramendës – maska speciale që do ta mbrojë hundën e Mbappes

    Kylian Mbappe bëri debutimin e tij në Euro 2024 pa shënuar gol dhe me hundë të thyer, diçka që do i sjellë atij nevojën që të luajë me një maskë për ta mbrojtur hundën në vazhdim të garës, diçka për të cilën padyshim do të nevojitet sa më parë operimi.

    Por kjo do të jetë një histori tjetër, pasi francezi ushtroi dje pa ndonjë maskë, duke evituar çdo duel dhe sapo të krijohet maska e tij personale, ai do të jetë në gjendje të rikthehet të luajë normalisht.

    “Është material i NASA-s, për të ndërtuar raketa”

    Maskat nuk janë diçka e re për ortopedin e njohur spanjoll Juan Bravo, i cili merret me këtë profesion që nga viti 1994.

    Ai kishte ndërtuar një maskë të njëjtë për Raul Albiol në 2011 pasi theu nofullën ndërsa vëmendjen e merr materiali që përdoret për ndërtimin e saj.

    Ka dy opsione të materialeve: termoplastike (një plastikë e ngurtë e cila bëhet e formueshme në temperatura të larta) dhe me fibër karboni.

    Opsioni i dytë është padyshim më i miri, por gjithashtu më i shtrenjti. Ofron rezistencë të fortë dhe mbrojtje e cila i pamundëson atij kontaktin me hundën.

    “Është një material që përdoret në industrinë ajrore, një nga ato që NASA përdor për ndërtimin e raketave”, ka thënë Pedro Munoz, i cili e konsideron fibrin e karbonit ideal për futbollin.

    “Në sportet tjera nuk është i përshtatshëm, për shkak se nuk është i pathyeshëm, por në futboll, gjëja më e vështirë me të cilën mund të përballeni është topi, kështu që është perfekte”.

    Klinika funksionon me procesin CAD/CAM (Computer Aided Design/Computer Aided Manufacturing), kështu që gjithçka fillon me një hartë 3D të fytyrës, nga e cila merret fotografia e palëvizshme me të cilën bëhet kallëpi dhe eventualisht krijimi i maskës.

    Maska krijohet me fibër karboni dhe më pas modelohet, prehet dhe lëmohet, madje edhe dekorohet nëse klienti dëshiron. Dizajni merr parasysh lëndimin: maska ​​mbështetet në zonat e shëndetshme të fytyrës, ndërsa në zonën e dëmtuar lihet një zbrazëti në mënyrë që të mos i nënshtrohet goditjeve.

    Një proces i mekanizuar, por në të njëjtën kohë shumë artizanal, në të cilin ka ndikim të madh Pablo Cortés Escobar, teknik ortopedik prej gati 40 vitesh. Nëse ka nevojë të kryhet shpejtë, mund të jetë gati për 24 orë, megjithëse çmimi është i nivelit elitar: 1200 euro.

  • 7 persona nën pranga për fajde dhe haraç, Sveçla publikon pamjet e arrestimit nga policia speciale

    7 persona nën pranga për fajde dhe haraç, Sveçla publikon pamjet e arrestimit nga policia speciale

    Kreu i Minsitrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamjet nga aksioni që ka nisur dje dhe që ka vazhduar edhe sot kundër aktiviteteve kriminale të fajdes dhe detyrimit.

    Sveçla ka bërë të ditur se deri më tani janë arrestuar shtatë persona, të cilat dyshohet se kan përfituar vlera milionëshe përmes frikësimit dhe detyrimit fizik.

    “Në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit, Policia e Kosovës ka realizuar dje dhe sot operacione në luftimin e aktiviteteve kriminale të fajdes dhe detyrimit. Deri më tash janë arrestuar 7 persona, të cilët përmes aktiviteteve kriminale kanë përfituar vlera milionëshe nga qytetarët tanë përmes frikësimit dhe detyrimit fizik.Toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë tonë ka përfunduar. Do ta vazhdojmë pa u ndalur dhe pa kompromis luftën ndaj çdo ilegaliteti në Republikën tonë.I lus dhe inkurajoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë që askush të mos jetë viktimë e individëve apo organizimeve kriminale”, ka shkruar Sveçla.

  • ​Begaj në Kosovë, pritet të shpallet “Qytetar Nderi” nga Drenasi e Deçani

    ​Begaj në Kosovë, pritet të shpallet “Qytetar Nderi” nga Drenasi e Deçani

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, pritet të shpallet “Qytetar Nderi” nga dy komuna të Kosovës, ajo e Drenasit dhe e Deçanit.

    Në njoftimin për media nga Komuna e Deçanit bëhet e ditur se presidenti Begaj do ta vizitojë këtë komunë të dielën, teksa ai në ora 11:00 pritet të bëj homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.

    Ndërsa në ora 12:00 Presidenti Begaj do të shpallet “Qytetar Nderi” i kësaj komune, në sallën e Kuvendit Komunal, në një seancë solemne.

    Kurse, të nesërmen, i pari i shtetit shqiptar do të nderohet edhe nga Komuna e Drenasit.

    Në njoftim thuhet se Begaj do të shpallet “Qytetar Nderi” në një seancë solemne që do të fillojë nga ora 11:00, teksa ai pritet të ketë edhe aktivitete të tjera gjatë ditës në këtë komunë.

  • Haxhiu takohet me ambasadoren e Holandës, theksohet kontributi që dha për Kosovën

    Haxhiu takohet me ambasadoren e Holandës, theksohet kontributi që dha për Kosovën

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Carin Lobezzo.

    Haxhiu gjatë takimit shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Lobezzoz.

    “Angazhimi i ambasadores në forcimin e marrëdhënieve në mes Mbretërisë së Holandës dhe Kosovës ka qenë dhe do të mbetet me një peshë tejet të rëndësishme”.

    “Bashkëpunimi me ministrinë Drejtësisë, veçanërisht në fuqizimin e drejtësisë tranzicionale do të mbetet një nga rezultatet më të mira të arritura në këtë partneritet”, tha Haxhiu.

    Ambasadorja shprehu interesimin për rezultatet e arritura të ministrisë së Drejtësisë për të cilat uroi që të vazhdohet suksesshëm edhe në të ardhmen.

    Ndërsa ambasadorja Lobezzo do të nisë kapitullin e ri të saj, ministrja Haxhiu i uroi përzemërsisht suksese, duke i shprehur miqësinë e përjetshme dhe mikpritjen e përhershme në Kosovë.

  • Ushtarët grekë nisen drejt Kosovës, i bashkohen KFOR-it në Bondsteel në kuadër të Forcës Rezervë

    Ushtarët grekë nisen drejt Kosovës, i bashkohen KFOR-it në Bondsteel në kuadër të Forcës Rezervë

    Një kopmani me ushtarë grekë në kuadër të Batalionit të 2-të shumëkombësh të Forcës Rezervë Operacionale të KFOR-it, janë nisur nga Greqia për në kampin Bondsteel në Kosovë, siç njofton faqja e ushtrisë greke “për të kontribuar në aftësinë e reagimit të menjëhershëm të NATO-s në rajonin e Kosovës”, shkruan Express.

    “Batalioni i II-të Shumëkombësh i Rezervave Operacionale përbëhet nga Komanda Shumëkombëshe me një staf përkatës, e cila përbëhet nga personel nga Greqia, Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania dhe komanda e së cilës deri në dhjetor 2024 mbahet nga vendi ynë”, thuhet në njoftim.

    Tutje theksohet se kjo është hera e dytë që forcat e ushtrisë greke dislokohen në Kosovë, pas dislokimit të parë të ndodhur nga shtatori në dhjetor 2023.

    Athina zyrtare rizgjedhjen e ushtrisë greke për dislokim në Kosovë e shohin si vendim tregon demonstrimin dhe kontributin vendimtar në shfaqejn e Greqisë si shtyllë sigurie dhe stabiliteti në rajonin e “ndjeshëm të Ballkanit”.