ATV

Author: ATVLive

  • Ndikimi i tatuazheve në sistemin imunitar

    Ndikimi i tatuazheve në sistemin imunitar

    Kristofer Lin ka udhëtuar në Samoa për të studiuar kulturën e tatuazheve, dhe ndikimin që kanë në sistemin imunitar.

    Më shumë se 30% e amerikanëve janë me tatuazhe sot, megjithatë pak studime janë përqendruar te ndikimi biologjik që kanë ato, përveç rrezikut për kancer dhe për infeksione.

    Trupi reagon ndaj tatuazhit siç do të reagonte ndaj një plage, duke e bërë sistemin imunitar të dërgojë qeliza të bardha gjaku, makrofage, që të hanë pushtuesit duke sakrifikuar veten, duke mbrojtur kështu trupin gna infeksionet.

    Proteinat në gjak do të përpiqen të luftojnë lëndët pushtuese që i shohin si probleme. Antitrupat, ose imunoglobulinat, do të vazhdojnë të qarkullojnë nëpër gjak për të qenë në gatishmëri në rast se futen qeliza të tjera pushtuese.

    Aftësia përshtatëse e sistemit imunitar do të thotë që imunoglobulinat në pështymë mund të shihen si vlera të shkaktuar nga tatuazhet.

    Lin bëri matje të shumta të pështymës së personave që bënin tatuazhe, dhe duke krahasuar nivelet e shënjuesve biologjikë arriti në përfundimin se imuniglobulina A mbtet e lartë në gjak edhe pasi plagët e tatuazheve janë shëruar.

    Njerëzit që kalonin më shumë kohë nën shiringën e tatuazhit, prodhoni më shumë imuniglobulinë A në pështymë, që tregon se sistemi i tyre imunitar ishte më i përmirësuar se i atyre pa tatuazhe. Këto përmirësime mund të ndihmojmë njerëz me dëmtime në lëkurë por dhe për shëndetin në përgjithësi.

  • Bislimi: Serbia vazhdimisht provokon me ushtrime rreth kufirit të shtetit tonë

    Bislimi: Serbia vazhdimisht provokon me ushtrime rreth kufirit të shtetit tonë

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim, Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenča, raporton Ekonomia Online.

    Ndihmës Sekretari Jenča po zhvillon një tur ballkanik, ndalesë e radhës e së cilës është vendi ynë, ku do të qëndrojë në një vizitë dy ditore.

    Përgjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi atë me situatën në vend e rajon, objektivat e Qeverisë dhe të arriturat në tri vitet e fundit.

    Ai theksoi se vendi po avancon e zhvillohet me ritëm të shpejtë, pavarësisht barrierave me të cilat po përballemi.

    “Sipas të dhënave më të fundit dhe nga ASK-ja, tremujori i parë i këtij viti ka shënuar rritje ekonomike në nivelin 5.62%. Edhe projeksionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitet e ardhshme, si dhe rankimet ndërkombëtare të Kosovës në shumë fusha, qëndrojnë si dëshmi e progresit të vendit tonë”, ka thënë Bislimi.

    Zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se rritja e BPV-së, rritja e punësimit, sundimi i ligjit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, janë synime qenësore për Qeverinë.

    Në vijim, u diskutua dhe mbi procesin e dialogut, ku zëvendëskryeministri e njoftoi Ndihmës Sekretarin Jenča me zhvillimet e fundit, duke shprehur konstruktivitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të palës sonë në këtë proces, i cili fatkeqësisht është përballur me destruktivitetin dhe mungesën e vullnetit e gatishmërisë për hapa tutje e zbatim të marrëveshjeve nga ana e palës tjetër.

    “Mbi qasjen destruktive dhe kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën, zëvendëskryeministri rikujtoi se, fqinji ynë verior ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, në vazhdimësi mban ushtrime e stërvitje të mëdha ushtarake pak kilometra larg kufirit me shtetin tonë dhe fluturon avionët luftarakë MIG 29 përreth kufirit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Në përfundim të takimit, zëvendëskryeministri e falënderoi z. Jenča për bisedën e zhvilluar, si dhe i dëshiroi qëndrim produktiv e të frytshëm në Kosovë.

  • Vucic kërkon mbështetje nga Macron për themelimin e Asociacionit

    Vucic kërkon mbështetje nga Macron për themelimin e Asociacionit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ku ka theksuar rëndësinë e vazhdimësisë në zgjidhjen e çështjeve në dialog me Kosovën.

    Në një postim në rrjetin social, Facebook, Vuçiq i ka kërkuar Macron-it një angazhim të fortë diplomatik për realizimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Ai e ka konsideruar këtë si bazë për paqe të qëndrueshme dhe garantimi i sigurisë për popullin serb.

    “E ritheksova se kjo çështje duhet të vazhdojë të zërë një vend të lartë në agjendën e BE-së, me angazhim të fortë diplomatik që synon realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garantimin e sigurisë për popullin serb”, ka shkruar Vuçiq.

    Vuçiq i ka bërë thirrje presidentit Macron që të qëndrojë pranë Serbisë “në rrugën e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.

  • Murati: Rritja ekonomike 5.62% demanton zërat që heqjen e vizave e lidhnin me skenarë apokaliptike

    Murati: Rritja ekonomike 5.62% demanton zërat që heqjen e vizave e lidhnin me skenarë apokaliptike

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thën se liberalizimi i vizave është një prej gjërave më të mria që ka ndodhur së fundmi në ekonominë e Kosovës.

    Duke iu referuar ASK’së, Murati ka thënë se rritja ekonomike në tre mujorin e parë të këtij viti ka përshpejtuar edhe më tutje ritmin duke shënuar nivelin 5.62%, që thotë se është dukshëm më e lartë se tremujori i fundit i vitit 2023, ku ishte 3.96%.

    “Pas tejkalimit të stuhisë së krizave globale, dhe stabilizimit të çmimeve, tani gradualisht po i kthehemi potencialit dhe rritjes së synuar. Kjo demanton të gjithë zërat skeptikë dhe prognozat e zymta që me çdo kusht mundoheshin ta lidhnin liberalizimin e vizave me skenare apokaliptike në fillim të vitit”, ka shkruar Murati.

    Tutje, Murati ka thënë se përveç lehtësimit të udhëtimit për të vizituar familjarët në mërgatë, tani edhe bizneset e ndërmarrësit e kanë shumë më të lehtë të gjejnë tregje të reja e të rrisin aktivitetin bzinesor.

    “Në një nga udhëtimet që kisha së fundmi, kisha rastin të takoj dy të rinj që punonin në fushën e marketingut dhe dizajnit digjital, të cilët po ktheheshin nga një takim që kishin pasur me një klient në Valencia të Spanjës. Diçka vështirë e imanginueshme para se të hiqeshin vizat”, ka shkruar Murati.

  • Procedohet në seancë projektligji për KPM-në, opozita kërkon të dërgohet në Komisionin e Venecias

    Procedohet në seancë projektligji për KPM-në, opozita kërkon të dërgohet në Komisionin e Venecias

    Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal me 6 vota për ka proceduar për seancën e Kuvendit për votim në lexim të dytë, raportin me amendamente të Komisioneve të përhershme lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

    Deputet e opozitës në këtë mbledhje propozuan që ky projektligj të dërgohet për shqyrtim edhe në Komisionin e Venecias, pasi sipas tyre, ka pasur reagime nga shoqëria civile dhe mediat që ky projektligj cenon lirin e mediave.

    Kryetari i Komisionit, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, tha se amendamentet e këtij projektligji janë shqyrtuar në komisionet e përhershme.

    “Raporti përmban 93 amendamente. Konstatoj se 6 vota për procedohet raporti me amendamente për në seancë plenare për në lexim të dytë”, ka thënë ai.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka propozuar që ky projektligj të dërgohet në Komisionin e Venecias, që të japë një pasqyrë më të mirë të tij.

    “Ka pasur shumë ndryshime ky projektligj. Shihet se ka mbështetje. Kisha kërkuar që të dërgojmë për shqyrtim edhe në Komisionin e Venecias pasi është një projektligj i rëndësisë së veçantë që ka të bëjë me demokracinë dhe shprehjen e lirë dhe harmonizimin e medias së lirë. Që t’ia jap një pasqyrë më të mirë këtij projektligji. Ta dërgojmë si komision jo si parti politike”, ka thënë ai.

    Kryetari i Komisionit, ka thënë se ky ligj është diskutuar më shumë se çdo projektligj tjetër dhe se për këtë janë marr parasysh edhe dy çështje që janë ngritur nga ekspertja prej Këshillit të Evropës.

    “Nuk di a ka nja ligj që është diskutuar më shumë. Në këtë fazë nuk kemi mundësi që të shkojmë në Komision të Venecias, kjo mund të vendoset në instanca të tjera. Ky ligj është dashtë 6 vite më parë të plotësohet e ndryshohet, më mirë vone se kurrë”, ka thënë ai.

    E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se e përkrah që ky ligj të shqyrtohet në Komisionin e Venecias, ai tha se në këtë formë që është ky ligj nuk do ti marr votat e LDK-së.

    “Ka pasur dëgjime publike por mendoj me pak përfshirje. Në komunën e Prishtinës nuk ka ardhur as një njeri. Me që gjatë gjithë fazave të trajtimit të projektligjit si opozitë kemi bërë shumë propozime që nuk janë marr parasysh. Është mirë që mu gjete një mekanizëm që ky projektligj i plotëson standarde e në këtë rast e përkrahi edhe mendimi e deputeti Lushtaku që të shkoj në komisionin e Venecias, sepse në bazë të reagimeve të shoqërisë civile dhe mediave ky projektligj prek pak a shumë lirin e shprehej e punës së mediave në përgjithësi. Në këtë formë si është votat e LDK-së nuk do t’i ketë”, ka thënë ai.

  • 25-vjetori i rikthimit në institucionet shëndetësore, marshojnë mantelbardhët

    25-vjetori i rikthimit në institucionet shëndetësore, marshojnë mantelbardhët

    Punëtorët shëndetësor të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe të Urgjencës, parakaluan të premten në sheshet kryesore të Prishtinës, për nderë të 25-vjetori të hyrjes në institucionet shëndetësore, raporton EO.

    25 vjet më parë, ata ishin rikthyer në vendet e punës pas largimit me dhunë në kohën e regjimit të Millosheviqit.

    Të veshur me uniformë, stafi shëndetësor i prirë nga udhëheqësit e shëndetësisë në Prishtinë, u mirëpritën nga fëmijët me buqeta me lule në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë ndër vite.

    21 Qershorin e konsideron festë për Prishtinën, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi. Ai për Ekonomia Online, tha se 25 vjet më parë, këta profesionistë ishin dëbuar me dhunë.

    “Data 21 qershori është dita primare e Komunës së Prishtinës. Duke marrë parasysh se ka filluar përmirësimet e infrastrukturës, rritjen e cilësisë së shërbimeve, rritjen e ndryshimeve të cilësisë kanë ndryshuar prej vitit në vit dhe prej kohës në kohë fillimet kanë qenë të vështira. Janë 25 vite që kanë dhënë kontribut të madh për mjekësinë në Kosovë. Këtë ditë ta shënojmë si ditë feste pas dëbimit me dhunë. Në vazhdimësi ka pasur përmirësime në institucione”, tha Gashi.

  • Trajneri i Spanjës për duelin ndaj Shqipërisë: Do t’u jap mundësi disa prej lojtarëve që kemi në stol për ta freskuar ekipin

    Trajneri i Spanjës për duelin ndaj Shqipërisë: Do t’u jap mundësi disa prej lojtarëve që kemi në stol për ta freskuar ekipin

    Shqipëria ka ende gjasa për ta kaluar grupin e vdekjes në Euro 2024.

    Momentalisht, kuqezinjtë kanë një pikë në vendin e tretë dhe në ndeshjen e fundit përballen me Spanjën, e cila tashmë e ka siguruar kualifikimin tutje nga pozita e parënë grup pas fitores ndaj Italisë.

    E kjo mund të jetë arsyeja që përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente të pushojë disa prej futbollistëve kryesorë dhe të paraqitet me lojtarët rezervë, që potencialisht do t’i jepte më shumë gjasa Shqipërisë për kualifikim.

    “Ndeshja e fundit na jep mundësinë për të freskuar ekipin dhe për t’u dhënë një mundësi disa prej lojtarëve të tjerë të mëdhenj që kemi në pankinë,” tha De la Fuente.

    Me fitore eventuale, Shqipëria do të mund ta siguronte kualifikimin në 1/8 e finales në Kampionatin Evropian.

  • Fondi për Efiçiencë të Energjisë ka një njoftim të rëndësishëm për aplikuesit për subvencionim të energjisë

    Fondi për Efiçiencë të Energjisë ka një njoftim të rëndësishëm për aplikuesit për subvencionim të energjisë

    ondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka njoftuar të gjithë aplikantët në listë të pritjes për subvencionim të masave të efiçiencës së energjisë në shtëpi individuale, që duhet të konfirmojnë interesimin e tyre për të përfituar nga kjo masë, deri më 23.06.2024.

    “Aplikantët, gjithsej 1010, kanë pranuar email nga ana e FKEE-së të premten (14.06.2024), në të cilin është i bashkëngjitur linku me formularin për shprehje të interesit. Të gjithë aplikantët që nuk plotësojnë këtë formular, humbasin të drejtën për të vazhduar tutje me procedurat drejt përfitimit të subvencionimit të masave të efiçiencës në shtëpitë e tyre”.

    “Rikujtojmë se thirrja fillestare për përfitim nga subvencionimi i mundësuar nga Bashkimi Evopian dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ka qenë aktive nga data 8 gusht 2023 dhe në bazë të kushteve të thirrjes, konkretisht të pikës 2.1 “Aplikimi pa Raport të Auditimit të Energjisë”, është thënë se: Në rast se aplikanti, për çfarëdo arsye, nuk ka gjetur një auditor të çertifikuar të energjisë për të bërë auditimin e thjeshtëzuar të energjisë (ëalk-through audit), ai aplikacion do të vendoset në listë të pritjes, ndërsa shqyrtimi i tij i mëvonshëm do të merret parasysh nëse plotësohen dy kushtet e mëposhtme: Buxheti i destinuar për thirrjen ende nuk është shpenzuar; dhe Kontraktimi i Auditorëve të Energjisë bëhet nga ana e FKEE-së”, thuhet në njoftimin e Fondit.

    Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka kërkuar nga të gjithë të interesuar që për informacione të tjera të kontaktoni FKEE-në përmes email adresës [email protected].

  • Llogaritje të reja për kualifikimin, kështu e kalon grupin Shqipëria

    Llogaritje të reja për kualifikimin, kështu e kalon grupin Shqipëria

    Pas përfundimit të ndeshjes mes Spanjës dhe Italisë, Kombëtarja shqiptare ka pak më të qartë atë që duhet të ndodhë, në mënyrë që të bëjë ëndrrën realitet, pra kualifikimin për në fazën me eliminim direkt të “Euro 2024”.

    Dhe rrugët që janë përpara saj, tashmë kanë një të përbashkët të qartë, por edhe të vështirë, fitoren ndaj Spanjës. Spanjollët kanë siguruar kreun e grupit, çfarëdo që të ndodhë në ndeshjen e fundit dhe për Shqipërinë, suksesi ndaj tyre në ndeshjen e të hënës është kyçi i kualifikimit. Shqipëria kualifikohet si e dyta në grup: nëse mund Spanjën dhe paralelisht Italia mundet nga Kroacia, por me këtë të fundit që nuk siguron një golavarazh më të mirë të përgjithshëm se kuqezinjtë.

    Aktualisht golavarazhi është -1 për Shqipërinë dhe -3 për Kroacinë. Shqipëria del e treta: nëse mund Spanjën, por Kroacia fiton me një golavarazh më të thellë duke kapërcyer atë të kuqezinjve, nëse Italia fiton ose barazon ndeshjen. Në këtë variant, me 4 pikë, Shqipëria do të kishte thuajse të sigurtë kualifikimin, por si mes të tretave më të mira në Europian. Shqipëria mund të dalë e treta në grup edhe duke barazuar apo humbur ndeshjen, për sa kohë që Kroacia nuk regjistron një rezultat më të mirë.

    Por pastaj kualifikimi si e treta më e mirë do të ishte shumë i komplikuar dhe do varej nga situata e grupeve të tjera, duke marrë si faktor pikët apo edhe golavarazhin e përgjithshëm.

  • ​Biblioteka Kombëtare ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara

    ​Biblioteka Kombëtare ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara

    Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” nga sot ka filluar të ofrojë qasje infrastrukturore për persona me aftësi të kufizuara, me organizatën “HANDIKOS” që ka përuruar hapësirat ku është ofruar qasja.

    Tashmë kjo kategori do të ketë mundësi të qaset në zyre, në hapësirat ekspozuese, në amfiteatrin kryesor dhe në dy salla të leximit.

    Drejtori i organizatës joqeveritare “HANDIKOS”, Afrim Maliqi tha se një ndër sfidat kryesore e personave me aftësi të kufizuara është qasja.

    Maliqi theksoi se edhe pse objekti i Bibliotekës Kombëtare është i vjetër, ka mundur të rregullohet kohë më parë në mënyrë që të krijohet ambient i përshtatshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë.

    Duke folur për Udhëzimin Administrativ për qasje, Maliqi theksoi po të respektohej me kohë ky udhëzim, sot Kosova do të kishte ambient të qasshëm për të gjithë.

    “Një ndër sfidat kryesore me të cilën ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara është qasja apo qasshmëria. Kjo bazohet edhe në hulumtimet që kemi bërë ne por edhe organizatat tjera partnere. Në këtë rast është zgjedhur Biblioteka Kombëtare që të krijojë kushte dhe të krijojë hapësira të qasshme për të gjithë që nënkupton edhe për studentët me aftësi të kufizuara. Një gjë që është me rëndësi është se edhe pse është objekt i vjetër që sa dekada, ka mundur të rregullohet dhe ka mundur t’i përshtatet nevojave me çfarëdo kufizimi që kanë ata dhe të krijohet ambient i përshtatshëm si për të gjithë të tjerët. E them kështu se sa herë që bisedojë me institucionet, shumica arsyetohen se është objekti i vjetër dhe nuk ka mundësi apo krijohet buxhet, mirëpo ky është një shembull se mund të rregullohet edhe në objekt të vjetër. Nëse flasim për objekt të ri, qysh në vitin 2007 kur ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për qasje, po të ishte respektuar ky udhëzim administrativ sot Kosova në përgjithësi do të ishte ndryshe, do të kishte një ambient të qasshëm për të gjithë”, deklaroi ai.

    Krijimit të qasjes për persona me aftësi të kufizuara në Bibliotekën Kombëtare i është gëzuar edhe studenti Eldin Gashi.

    Ai tha se edhe pse nuk është përdorues i karrocës, pjerrinat e vendosura do t’i mundësojnë atij qasje më të lehtë në bibliotekë.

    “Gjatë këtij viti jam bërë edhe student dhe ndoshta do të më bie më shpesh të vizitojë Bibliotekën Kombëtare e shumë më të lehtë do ta kem të qasem në objekt. Ndoshta nuk jam përdorues i karrocës por eci me vështirësi edhe në të njëjtën kohë pjerrinat do të ma bëjnë shumë të lehtë qasjen në objekt”, tha ai.

    Kurse, Alban Morina nga organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” theksoi se në Bibliotekën Kombëtare tanimë është ofruar qasje në hapësirat administrative dhe se ky projekt është financuar nga Ministria e Kulturës.

    “Projekti është financuar prej Ministrisë së Kulturës dhe ka pasur për qëllim qe të krijojë qasje të personave me aftësi të kufizuara në objektet e trashëgimisë kulturore. Gjitha këto punime që i keni parë sot në Bibliotekën Kombëtare janë vetëm një pjesë e vogël e projektit dhe projekti ka filluar me takime, me vizita në objektet e trashëgimisë kulturore edhe çfarë është më e rëndësishmja ka kulmuar me publikimin e këtij doracaku që do të shërbejë të gjitha OJQ-ve ose kompanive private që të bëjnë ndërhyrje në saje të trashëgimisë kulturore”, tha ai.