ATV

Author: ATVLive

  • Clark viziton Kosovën, dekorohet nga LDK

    Clark viziton Kosovën, dekorohet nga LDK

    Përgatiti: Armand Hoti

    Te porta e selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të dielën u shtrua tapeti i kuq.

    Pritja e veçantë, po i bëhet ish-gjeneralit amerikan të NATO-s, Ëesley Clark.

    Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, e shoqëron në seli mikun e vjetër të Kosovës, ku edhe diskutojnë pa prezencë të mediave.

    Më pas vijnë në sallën e mbushur plotë me anëtarë të LDK-së, që po presin për adresimin e Clarkut.

    Por, i pari që adresohet, është lideri i partisë, i cili e falënderon gjeneralin për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës.

    “Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit, mbështetjes dhe përkushtimit të palëkundur për drejtësi dhe paqe. Gjatë orëve më të errëta të luftës sonë për liri, vendosmëria dhe veprimet tuaja vendimtare i dhanë shpresë dhe forcë një kombi të etur për liri. Udhëheqja juaj gjatë ndërhyrjes së NATO-s ishte një pikë kthese”, tha Abdixhiku.

    Abdixhiku i dhuron Clarkut edhe dekoratën që mban emrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

    Ish-gjenerali thotë se lidershipi amerikan, e njihte mirë presidentin e parë të Kosovës së pasluftës.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës, ju ishit aty që nga fillimi. Sigurisht që ne e njihnim Zotrin Rugova. E njihmi kur ai drejtonte, e njihmin kur ai ishte në burg. Ne e njihmin kur ai fliste fuqishëm dhe e njihmin kur ai e mbante zërin me urtësi dhe ai ishte një lider shumë, shumë efektiv”, tha Clark.

    Për Clarkun Kosova është një storje suksesi.

    “Sot ka shumë parti në Kosovë, po lulëzon demokracia. Dhe sa herë që kthehem këtu, habitem me përparimin që keni bërë. Dhe kështu nuk përfshihem kurrë, nuk mund të përfshihem në aktivitetet e partive politike. Ky është një nder i madh që më keni bërë, por ky është vendi juaj. Unë jam vetëm një vizitor këtu. Por kur kthehem, më kujtohen vështirësitë dhe më kujtohet se si dukej Kosova, përmes fotografimit nga ajri”, shtoi Clark.

    Të dielën, ish-gjenerali amerikan, takoi edhe kandidatin për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Ai tha se Kosova është mirënjohëse për gjeneralin, ushtarët dhe gjithë popullin amerikan, për kontributin para 25 vjetëve.

    “Në qershorin e vitit 1999, bashkë e fituam lirinë. Në këtë qershor, 25 vjet pas, jemi bashkë e do të jemi gjithmonë, sepse e përjetshme është mirënjohja për gjeneralin, për ushtarët dhe gjithë popullin amerikan. Ne, duke e nderuar të kaluarën e kemi ndërtuar të tashmen dhe po e krijojmë një të ardhme më të mirë për gjithë qytetarët tanë, pa dallime, gjithandej Kosovës. SHBA-ja dhe miqtë ndërkombëtarë, ata që nuk na braktisën kurrë, janë hisedarët kryesorë të sukseseve në 25 vjet liri dhe 16 vjet pavarësi”, ka thënë Hamza.

    Clark ka shkuar edhe në Gjakovë, ku është takuar me kryetarin e komunës, Ardian Gjini, që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    ATV ka pyetur në qeveri, nëse kryeministri Albin Kurti do të takohet me ish-gjeneralin amerikan, por nuk ka marrë përgjigje deri të dielën pasdite.

  • Vërshimet në Prishtinë, këta janë numrat ku mund të kërkoni ndihmë

    Vërshimet në Prishtinë, këta janë numrat ku mund të kërkoni ndihmë

    Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu, ka kërkuar nga qytetarët që të qëdrojnë nëpër shtëpi dhe vende të sigurta pas reshjeve të mëdha të shiut.

    Ajo ka hënë edhe numrat e telefonit të komunës papagesë, ku qytetarët mund të paraqesin çdo problem. Numrat janë 080012233 dhe 080012244.

    “Thirrje për qytetarë Për shkak të shiut të rrëmbyeshëm në Prishtinë, ju bëjmë thirrje të qëndroni në shtëpi dhe në vende të sigurta. Për çdo problem, telefononi në numrat kujdestarë (pa pagesë) 📞 080012233 dhe 080012244”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • Pas të nxehtit përvlues, disa rajone të Kosovës vërshohen nga shiu dhe breshëri

    Pas të nxehtit përvlues, disa rajone të Kosovës vërshohen nga shiu dhe breshëri

    Pas temperaturave tejet të larta ditëve të fundit në Kosovë, sot pasdite në shumë qytete e fshatra kanë nisur reshje shiu dhe breshëri.

    Në fshatin Bresalc të Gjilanit ka rënë edhe breshër i madh.

    Edhe në qytetin e Skenderajt ka pasur reshje të mëdha shiu dhe breshëri.

    Disa foto që ka siguruar Reporteri.net shihet se ka rënë breshër i madh në Skenderaj.

    Shtëngata ka nisur edhe në Prishtinë, vetëtima e bubullima të mëdha.

    Kujtojmë se Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ka njoftuar se javën e ardhshme temeperaturat do të jenë deri 30 gradë do të ketë dhe shkarkime rrufesh ku do të sjellin riga shiu.

    Njoftimi i plotë i IHMK-së:

    E hënë – Mot me diell dhe me vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës parashihen të intensifikohen duke krijuar mundësi për riga shiu, ndërsa në vende të izoluara parashihet reshje breshëri. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27- 33 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-7m/s.

    E martë – Moti me diell dhe pjesërisht i vranët. Vranësirat parashihen te sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-30 gradë Celsius, Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-8m/s.

    E mërkurë – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës do të intensifikohen duke krijuar kushte për riga shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-30 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

    E enjte – Mot me diell dhe vranësira të dendura, të cilat gjatë ditës parashihen të sjellin riga shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26- 29gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-7m/s.

    E premte – Mot me diell dhe pjesërisht i vranët, kryesisht vranësirat mund të shfaqen rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12- 15gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26- 30gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-6m/s.

  • Kurti komunitetit joshumicë: Aplikoni për punësim në institucionet publike të Kosovës

    Kurti komunitetit joshumicë: Aplikoni për punësim në institucionet publike të Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje të rinjve e të rejave të komunitetit joshumicë, që të aplikojnë në thirrjet e hapura për punësim në institucionet publike të vendit tonë.

    Ai ka shpërndarë dhe një video, ku flet më detajisht lidhur me këtë çështje.

    “Para këtij adresimi, keni mund të shihni e dëgjoni përmes fushatës “Shpërndaje barazinë”, shumë tregime frymëzuese të bashkëqytetarëve tanë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjipitian në Kosovë, të cilët kanë shumë vite që janë duke kontribuar për të fuqizuar edhe më tutje të gjitha institucionet tona publike. Por njëherësh, edhe shumë histori sfidash e vështirësish”, thotë Kurti në video.

    “Qeveria e Kosovës bashkë me organizatën “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjipitanëve” enisi këtë fushatë për t’iu bërë thirrje të gjithë të rejave dhe të rinjve nga këto komunitete që të përfshihen aktivisht dhe në jetën publike, përveçëse ato shoqërore”.

    “Takimet, bisedat e ndërveprimet e rregullta me ushtarë të FSK-së, policë të Kosovës, shërbyes civilë, e personel mjekësor nga radhët e komuniteteve joshumicë, çdo ditë e më shumë ma thellojnë bindjen për kontributin qenësor që ata kanë për shtetin, republikën, dhe shoqërinë tonë”.

    “Ne e kemi themeluar ekipin ndëristitucional për promovimin dhe punësimin e komuniteteve të nënpërfaqësuara me synim që të përmbushim dhe të respektojmë kuotën prej 10 për qind, siç parashihet me ligjet tona”, u shpreh i pari i qeverisë.

  • UEFA gjobit sërish FSHF-në për incidentet e shkaktuara nga tifozët shqiptarë gjatë ndeshjes së Euro 2024, Kroaci -Shqipëri

    UEFA gjobit sërish FSHF-në për incidentet e shkaktuara nga tifozët shqiptarë gjatë ndeshjes së Euro 2024, Kroaci -Shqipëri

    Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur të gjobisë sërish Federatën Shqiptare të Futbollit me shumën 47,500 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së raundit të dytë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” ndaj Kroacisë, e luajtur në stadiumin e Hamburgut më 19 qershor 2024.

    Penalizimi financiar ka ardhur sërish nga problematika e shkaktuar nga disa tifozë shqiptarë, të cilët ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, transmetuan mesazhe të papërshtatshme gjatë ndeshjes Kroaci – Shqipëri si edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë zhvillimit të lojës.

    Edhe njëherë tjetër Federata e Futbollit gjen rastin t’u bëjë apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve dhe trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar. Gjithashtu, FSHF bën me dije se gjatë ndeshjeve nuk lejohen mesazhet me natyrë jo sportive (politike, etnike, etj).

    FSHF fton tifozët dhe futbolldashësit të mbështesin deri në fund Kombëtaren shqiptare në këtë rrugëtim magjik dhe historik në EURO 2024, duke treguar qytetari dhe përgjegjshmëri përmes një sjellje korrekte e duke respektuar rregullat dhe kundërshtarët.

    Vendimet e plota të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA:

    Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 2500 euro për ndezjen e fishekzjarreve.

    Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 20.000 euro për pushtimin e fushës.

    Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 25.000 euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive.

  • I nxehti ekstrem mund të shkaktojë dështimin e organeve brenda 15 minutave

    I nxehti ekstrem mund të shkaktojë dështimin e organeve brenda 15 minutave

    Si pasojë e temperaturave të larta, ekspertët kanë paralajmëruar mbi rreziqet vdekjeprurëse të ekspozimit ndaj diellit, të cilat mund të paraqiten pas vetëm 10 minutash qëndrimi jashtë.

    Ekspertët kanë thënë për “DailyMail” se simptomat alarmuese nga të nxehtit ekstrem, mbi 32 gradë Celsius, mund të fillojnë brenda disa sekondave, duke përfshirë djersitjen, rrahjet e shpejta të zemrës dhe dehidrim.

    Në vetëm pesë deri në 10 minuta, si pasojë e të nxehtit, gjaku tërhiqet nga organet vitale si truri, duke shkaktuar konfuzion, marramendje dhe humbje të vetëdijes.

    Sapo dilni jashtë, dielli rrezatohet në lëkurë dhe ka të ngjarë të djersiteni.

    Djersitja, ose prodhimi i djersës, është mënyra që organizmi apo trupi përdor për të ftohur veten. Ndërkohë që trupi ndjen temperaturat e nxehta, hipotalamusi apo pjesa e trurit që rregullon temperaturën sinjalizon gjëndrat në lëkurë që të prodhojnë djersë.

    Ky lëng, i cili përbëhet kryesisht nga uji, por përmban edhe sasi të vogla kripe, largon nxehtësinë nga trupi dhe e ftohë atë derisa avullohet në lëkurë.

    Në rastet e nxehtësisë ekstreme, djersa mund të avullohet nga lëkura në vetëm dy minuta.

    Dhe në përpjekje për të vazhduar ftohjen, trupi fillon një proces të quajtur vazodilim, gjatë të cilit enët e gjakut zgjerohen dhe qarkullimi i gjakut rritet.

    Ky proces mund të zgjasë djersitjen për disa minuta shtesë, pas së cilës djersa zakonisht ndalet.
    “Në pesë minuta zemra fillon të rrahë më shpejtë”, shpjegon Kristy Ziontz, drejtoreshë e Qendrës Mjekësore “Hackensack Meridian Bayshore” në New Jersey.

    Kjo ndodh për shkak se presioni i gjakut bie dhe zemra duhet të pompojë më fort.

    Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të SHBA-së, CDC, rreziku nga i nxehti paraqitet vetëm pas 10 deri në 15 minuta, përveç nëse ndërmerren hapa jetik si konsumi i ujit dhe elektroliteve, kufizimi i ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell dhe shmangia e aktiviteteve siç është stërvitja.

    Uji dhe elektrolitet ndihmojnë trupin që të rifitojë lëngjet e humbura nga djersitja, ndërsa kufizimi i ekspozimit në diell parandalon djegien e lëkurës.

    Në rast të mos konsumit të ujit apo lëngjeve të tjera, gjaku dhe oksigjeni tërhiqen nga organet vitale duke shkaktuar lirimin e toksinave dhe baktereve nga zorra dhe aktivizimin e qelizave të bardha të gjakut.

    Ndërkohë që qelizat e bardha të gjakut sulmojnë këto baktere, në anën tjetër formohen edhe mpiksje gjaku, duke rritur me shpejtësi rrezikun e dështimit të shumë organeve.

    Megjithatë, ekspertët shëndetësorë theksojnë se ky reagim ekstrem i organizmit zakonisht ndodh në situata shumë të rënda, dhe kategoritë më të rrezikuara janë fëmijët dhe të moshuarit.

  • Shqipëria mirëpret më shumë turistë, por me çmime më të larta

    Shqipëria mirëpret më shumë turistë, por me çmime më të larta

    Shifrat e institucioneve në Shqipëri tregojnë rritje të numrit të turistëve në këtë vend.

    Të fundit, të publikuara nga Instituti i Statistikave – Instat, janë për tremujorin e parë të vitit 2024 dhe flasin për 1 milion e 700 mijë turistë, ose 59% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Pushues dhe ekspertë të turizmit e ekonomisë thonë se turizmi në vend është shtrenjtuar dhe arsyet, sipas tyre, janë nga më të ndryshmet.

    Më shtrenjtë njësitë akomoduese, por edhe ushqimet

    Mehdi Olluri, nga Lipjani i Kosovës, zgjodhi që edhe sivjet pushimet t’i bëjë në Shëngjin – pjesa veriperëndimore e Shqipërisë.

    Ai thotë se krahasuar me një vit më parë, çmimet janë më të larta.

    “Ka rritje të [çmimeve të] ushqimeve në dyqane, në restorante, e gjithashtu edhe banesa është më e shtrenjtë se vjet”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Të dhënat e operatorëve turistikë tregojnë se të gjitha produktet turistike janë shtrenjtuar. Kështu, një çadër me dy shezlonë nuk gjenden më me afërsisht 5 euro, por mbi 7 euro, e në disa zona në jug të Shqipërisë arrijnë deri në 50 euro.

    Edhe apartamentet që vjet mund të gjendeshin edhe me 25 euro, sivjet variojnë nga 30 deri në 100 euro për një natë, ndërsa dhomat në hotele nga 100 deri në 500 euro.

    Çmimet, sigurisht, ndryshojnë nga zona dhe periudha – në korrik dhe në gusht janë më të shtrenjta.

    Mirilda Tili, gazetare e ekonomisë në Shqipëri, thotë se turizmi sivjet është më i shtrenjtë se një vit më parë, apo në krejt 5-vjeçarin e fundit.

    Arsyet, thotë ajo, lidhen me investimet në turizëm dhe tregun e punës.

    “Është fakt që në vitin 2024 ka struktura të shtuara akomoduese, sepse edhe lejet e ndërtimit kanë qenë për 30-40 për qind më shumë se një vit më parë. Janë shtuar hotelet që tentojnë të sjellin brende, sepse janë të përjashtuara nga taksat dhe TVSH-në e kanë 5 për qind”.

    “Kjo do të thotë se ka kërkesa për staf të shtuar, por se burimet janë të pakta, ka mungesë punëtorësh. Kështu që, ata pak punëtorë që gjenden, do të paguhen me paga të larta dhe, detyrimisht, kjo është kosto që faturohet te turisti”, thotë Tili për Radion Evropa e Lirë.

    Si një problem të madh, ajo përmend edhe zhvlerësimin e euros.

    “Rënia e euros ka sjellë rritje të çdo produkti turistik. Një vit më parë, euroja këmbehej me 109 lekë, ndërsa aktualisht këmbehet me 100 lekë ose më pak”, thotë gazetarja e ekonomisë.

    Mbiçmimin e lekut e sheh si arsye kryesore të rritjes së çmimeve në turizëm edhe ekspertja e turizmit, Flora Xhemani Baba.

    “Paketat turistike janë rritur për 10-15%. Arsyeja kryesore është luhatja e madhe e euros”, sipas saj.

    “Ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se kjo nuk ndodh për shkak të sezonit turistik dhe kërkesës së lartë, por për arsye të brendshme të qarkullimit joformal të parasë në ekonomi”, thotë Xhemani Baba.

    Sipas saj, një prej arsyeve që ka rritur numrin e turistëve në Shqipëri është edhe shtimi i fluturimeve ‘low cost’, apo me çmime më të volitshme, ashtu si edhe i fluturimeve direkte nga disa qytete të Evropës.

    “Tjetër arsye e rëndësishme është edhe marketingu ndërkombëtar që i është bërë Shqipërisë si nga burime zyrtare, nga vetë kryeministri dhe agjenci të turizmit, por edhe nga ata që njihen si influencues të opinionit”, thotë Xhemani Baba.

    Ajo shton se rritja e numrit të turistëve është një trend në të gjithë botën dhe, në këtë aspekt, turizmi në Ballkan është ndër më të kërkuarit.

    “Rreth 750 milionë njerëz në botë udhëtojnë çdo vit në vendet e Mesdheut dhe Shqipëria është pjesë e kësaj pakete”, thotë Xhemani Baba.

    Ajo, po ashtu, vë re se ka shtim të turistëve individualë, që, siç thotë, udhëtojnë për aventura të ndryshme, e jo për turizëm plazhi, dielli a rëre.

    “… sepse, aktualisht, në plazhe është njësoj si çdo vit tjetër. Jemi në fund të qershorit dhe plazhet gjatë javës janë thuajse boshe, por qytetet turistike janë plot – Tirana, Durrësi, Berati, Kruja, Shkodra, Gjirokastra, Saranda, apo edhe qytetet e vogla si: Gramshi, Belshi, Puka, Dibra, Përmeti, që ofrojnë turizëm të aventurës dhe trashëgimisë kulturore”, thotë Xhemani Baba.

    Më shumë turistë, por shpenzojnë më pak

    Ajo dhe ekspertë të tjerë ngrenë shqetësimin, po ashtu, për mosdeklarimin e të ardhurave nga turizmi. Sipas saj, autoritetet e vendit nuk duhet të përqendrohen te numrat, por te të ardhurat.

    “Nëse kemi të ardhura prej 4.2 milionë eurosh në vitin 2023 me 10 milionë turistë… i bie që një turist vjen për 4-5 ditë dhe shpenzon rreth 350 euro… Ose diçka nuk shkon me shifrat e turistëve, ose evazioni është shumë i lartë”, thotë ajo.

    Sipas Fjerolt Ozunit, ekspert dhe operator turistik në Shqipëri, sektori i turizmit nuk është ende i qëndrueshëm.

    “Ne duhet të mësojmë se si ta bëjmë turistin e huaj të shpenzojë këtu te ne. Duhet të mësojmë t’i shesim paketat në mënyrë të tillë që ata t’i harxhojnë paratë. Ka nga ato grupe që vijnë dhe thonë që nuk kemi se si t’i shpenzojmë… kishim parashikuar të shpenzonim më shumë”, thotë Ozuni për Radion Evropa e Lirë.

    Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat nga turizmi në periudhën janar-mars 2024 arritën në 778 milionë euro nga 624 milionë sa ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë, por, sipas tyre, një turist shpenzoi më pak se një vit më parë. Sivjet, një turist i huaj shpenzoi mesatarisht 513 euro, ndërsa në janar-mars të 2023-ës kjo shifër ishte 582 euro.

    Më 18 qershor, Administrata Tatimore e Shqipërisë u bëri thirrje bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, ta deklarojnë numrin real të punonjësve si dhe pagat reale të tyre. Në letrën sensibilizuese u tha se do të nisin kontrolle fizike dhe se do të ketë edhe masa ndëshkuese.

    Vitin e kaluar, media ndërkombëtare e renditën Shqipërinë si një ndër destinacionet më interesante të atij sezoni veror, qoftë për plazhet, zonat malore, ushqimet apo edhe çmimet e volitshme.

    “Turizmi masiv i ka sjellë vendit shumë të ardhura, por duhet të synojmë majat e industrisë turistike botërore”, tha atëkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Për të përballuar fluksin e turistëve gjatë këtij sezoni, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, firmosi një urdhër për anulimin e lejeve të pushimit për punonjësit që kanë detyrë sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik.

    Sipas këtij urdhri, lejet anulohen nga data 20 qershor deri më 15 shtator.

  • Rusia “mund të zvogëlojë kohën e vendimmarrjes” për përdorim të armëve bërthamore

    Rusia “mund të zvogëlojë kohën e vendimmarrjes” për përdorim të armëve bërthamore

    Rusia, shteti me më së shumti armë bërthamore në botë, mund të zvogëlojë kohën e vendimmarrjes për përdorimin e tyre, nëse Moska beson që kërcënimet po rriten, ka thënë Andrei Kartapolov, udhëheqës i Komitetit parlamentar rus për Mbrojtje.

    Lufta në Ukrainë e ka nxitur konfrontimin më të madh në mes të Rusisë dhe Perëndimit, prej Krizës Kubane të Raketave, më 1962, dhe së fundmi presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia mund të ndryshojë doktrinën e saj bërthamore, duke përcaktuar kushte të reja se kur mund të përdoren ato armë.

    Kartapolov është cituar të ketë thënë – sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA – që nëse kërcënimet rriten, atëherë koha e vendimmarrjes mund të shkurtohet.

    “Nëse shohim që sfidat dhe kërcënimet rriten, kjo nënkupton që mund të përmirësojmë diçka në këtë doktrinë, sa i përket kohës së përdorimit të armëve bërthamore dhe vendimit për t’i përdorur ato”, është cituar të ketë thënë Kartapolov.

    Kartapolov, i cili dikur i ka komanduar forcat ruse në Siri, dhe tani është deputet i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, ka thënë se tani është shumë herët për të folur për ndryshime specifike në doktrinën bërthamore.

    Doktrina bërthamore e Rusisë, e vitit 2020, përcakton se kur mund të konsiderojë presidenti përdorimin e një arme bërthamore: kryesisht si përgjigje ndaj një sulmi që është përdorur armë bërthamore, armë të shkatërrimit në masë, ose “kur ekzistenca e shtetit është nën rrezik”.

    Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë më së shumti armë bërthamore apo 88 për qind të të gjitha armëve të tilla në botë, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë.

    Të dyja vendet janë duke modernizuar arsenalet bërthamore, derisa Kina është duke u forcuar secilën herë e më shumë në këtë drejtim.

    Putin ka thënë këtë muaj se Rusia nuk duhet të përdorë armët bërthamore për të fituar luftën në Ukrainë, sinjali më i qartë i Kremlinit që konflikti më vdekjeprurës në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore, nuk do të përshkallëzohet në luftë bërthamore.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

  • Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” nga komuna e Deçanit

    Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” nga komuna e Deçanit

    Komuna e Deçanit përmes një seance solemne ka ndarë titullin “Qytetar Nderi” për presidentin shqiptar, Bajram Begajn “Qytetar Nderi”.

    Përmes një postimi në Facebook, më parë komuna njoftoi se në mbledhjen e mbledhja e IIl-të të Jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës, është miratuar vendimi për shpalljen “Qytetar Nderi” të Begajt.

    “U mbajt mbledhja e IIl-të e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës. Mbledhja u kryesua nga Kryesuesi, Hajdar Sutaj, i pranishëm ishte Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, Nënkryetari i Komunës, Sami Cacaj, anëtarët e Kuvendit, drejtorë të Drejtorive Komunale, zyrtarë komunal”.

    “Për rend dite ishte propozuar kjo pikë: 1. Shqyrtimi i Propozimit të Kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj dhe marrja e Vendimit për shpalljen “QYTETAR NDERI” i Komunës së Deçanit, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. U miratua Vendimi për shpalljen “QYTETAR NDERI” i Komunës së Deçanit, Bajram Begaj”, thuhet tutje në njoftimin e komunës.

  • Rama njofton për mbajtjen e një festivali të ri në Prishtinë, do mbledh entuziast të Vespa-së nga rajoni

    Rama njofton për mbajtjen e një festivali të ri në Prishtinë, do mbledh entuziast të Vespa-së nga rajoni

    I pari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se më 31 gusht dhe 1 shtator do mbahet festival i kushtuar entuaziastëve të Vespasë.

    Sipas Ramës, ky festival do mbledh në kryeqytet persona nga shumë vende të rajonit.

    “Festival i mrekullueshëm dy ditor me vespa na pret me 31 gusht – 1 shtator. 🚀
    Entuziastë të skuterit Vespa 🛵 nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Greqia dhe Italia do të mblidhen në sheshin “Xhorxh Bush” për të na dhuruar emocione të veçanta. 🎉
    Gjatë dy ditëve, do të ketë shumë aktivitete për promovimin e kulturës së Vespave dhe Kryeqytetit tonë. Këtë na e premtuan gjatë takimit që kishim me Enisin, Aganin, Arbenin, Vetonin e shumë anëtarë tjerë fantastik të klubit Vespa Fanatics Kosova/ Vespa Kosova.
    🌟 Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë bukuritë e Prishtinës përmes shëtitjeve në parkun e Gërmisë dhe malësitë e Gollakut dhe Marevcit. 🌳🚴
    Ejani të gjithë bashkë në sheshin “Xhorxh Bush” për të përjetuar spektakël”, ka shkruar Rama.