ATV

Author: ATVLive

  • ​Tahiri: Tri ligjet e sotme do të godasin demokracinë dhe zërin e lirë

    ​Tahiri: Tri ligjet e sotme do të godasin demokracinë dhe zërin e lirë

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se me modelin e përbërjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës është cenohet pavarësia institucionale që i delegohet nga Kushtetuta e Kosovës.

    Tahiri ka thënë se tri ligjet e sotme në Kuvend e godasin demokracinë dhe zërin e lirë.

    “Tri ligjet e sotme do të godasin demokracinë dhe zërin e lirë, duke shkaktuar dëme afatgjate për institucionet e pavarura kushtetuese, duke goditur në themel administratën shtetërore duke krijuar pasiguri juridike dhe duke e lënduar fuqishëm shtetin e së drejtës”, ka thënë Tahiri.

    Reagimi i plotë:

    Të ndalet shkatërrimi i shtetit

    Tri ligjet e sotme do të godasin demokracinë dhe zërin e lirë, duke shkaktuar dëme afatgjate për institucionet e pavarura kushtetuese, duke goditur në themel administratën shtetërore duke krijuar pasiguri juridike dhe duke e lënduar fuqishëm shtetin e së drejtës.

    Cilat janë disa nga problemet e tri Ligjeve:

    1. Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës:

    – Problemi kryesor në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës është përbërja. Me këtë model të përbërjes së KPK-së është ka cenohet pavarësia institucionale që i delegohet nga Kushtetuta e Kosovës.

    – Kjo përbërje mundëson ndikim të drejtpërdrejtë politik nga qeveria.

    – Thjesht, qëllimi është që vendimmarrja dhe ndikimi politik në vendimmarrje të ndodhë përmes anëtarëve, jo prokurorë.

    2. Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM):

    – Me projektligj ndryshon procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së, duke ia mundësuar VV-së kapjen e institucionit për gati 10 vjet dhe t’i shkarkojë lehtësisht, nëse nuk i binden partisë.

    – Mediat online po tenton t’i regjistrojë, që të mund t’i dënojë me pare, kur nuk iu pëlqen ndonjë media, dhe kështu t’i mbyllë.

    – 3. Ligji ka shpik definicione që nuk ekzistojnë (BE-ja ka thënë kështu).

    3. Ligji për Zyrtarët Publikë:

    – 1 mijë e 600 pozita udhëheqëse në Administratën Shtetërore më këtë ligj u rrezikohet siguria juridike.

    – Dmth ky ligj, në vend se të bëjë një reformë, e kthen prapa, ose me saktë, e shkatërron administratën tonë shtetërore.

    – Propozimini i këtij ligji është në kundërshtim me një aktgjykim, që tashmë e ka marrë Gjykata Kushtetuese, është një moment i ri dhe negativ në praktikën e ligjbërjes në Kosovë.

    – Politizimi dhe ndikimi partiak po shndërrohet në normë që pastaj vështirë se do të mundet të përmirësohet.

    – Kjo duhet të ndalet, me këto tri Ligje vdes demokracia dhe shteti i së drejtës.

  • Auditori publikon rezultatet e auditimit për institucionet publike, në nivelin lokal janë përfshirë edhe komunat në veri

    Auditori publikon rezultatet e auditimit për institucionet publike, në nivelin lokal janë përfshirë edhe komunat në veri

    Për herë të parë Zyra Kombëtare e Audtimit ka dhënë konkluzion të kundërt tek organizatat buxhetore për Komunën e Prishtinës dhe të Vushtrrisë, për faktin se këto dy komuna gjatë vitit 2023 nuk janë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me ligjin. Kështu ka bërë të ditur, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, e cila ka shpalosur rezultatet e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të institucioneve publike të nivelit qendror, atyre të nivelit lokal dhe ndërmarrjeve publike për vitin 2023.

    Spanca në një konferencë për media ka theksuar se kanë kryer 115 raporte gjithsej, prej tyre 85 raporte të auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të organizatave buxhetore, 13 të ndërmarrjeve publike dhe 8 auditime të performancës dhe teknologjisë së informacionit.

    “Kemi kryer auditimin dhe publikuar gjithsejtë 115 raporte të auditimit. Prej tyre, 85 raporte të auditimit për PVF-të Organizatave Buxhetore (OB), 13 të ndërmarrjeve publike dhe 8 auditime të performancës dhe teknologjisë së informacionit. Gjithashtu në kuadër të planit janë audituar edhe 9 projekte të donatorëve. Nga këto auditime janë dhënë 40 opinione të kualifikuara, 63 të pamodifikuar, dhe 4 opinione të kundërta. Prej 47 Organizatave Buxhetore të nivelit qendror kemi dhënë 36 opinione pozitive dhe 11 opinione të kualifikuara që do të thotë që cilësia e raportimit financiar në disa aspekte nuk ka qenë e drejtë dhe e vërtet”, tha Spanca.

    Mes tjerash, Spanca ka thënë se për 32 komunat e audituara, përfshirë edhe katër komunat në pjesën veriore të vendit, kanë dhënë 15 opinione pozitive dhe 23 opinione të kualifikuara.

    “Sa i përket auditimeve të kryera në nivelin lokal, ju njoftojmë se për 38 e komunat e audituara, përfshirë këtu edhe katër komunat në pjesën veriore të Kosovës kemi dhënë 15 opinione pozitive dhe 23 opinione të kualifikuara… Përderisa, sa i përket mendimit nëse komunat kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi, për 3 komuna kemi dhënë konkluzion pozitiv, për 33 të tjera kemi dhënë konkluzion të kualifikuar që do të thotë se jo të gjitha aktivitetet e komunave ishin udhëhequr dhe kryer në pjatueshmëri me kornizën ligjore. Ndërsa, ajo çka duhet ta theksoj për komunën e Prishtinës dhe Vushtrrisë kemi dhënë konkluzion të kundërt. Është hera e parë që ZKA-ja jep konkluzion të kundërt tek organizatat buxhetore dhe kjo për faktin se këto dy komuna gjatë vitit 2023 nuk kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me ligjin. Mangësitë e identifikuara ishin materiale dhe të përhapura në secilën kategori të shpenzimeve”, shtoi Spanca.

    Ndërkaq, Spanca ka thënë se këtë vit kanë audituar edhe tri ndërmarrjet publike, si Trepça Sh.A, KOSTT SH.A. dhe K.R.U. “Hidrodrini” SH.A.

    “Duhet theksuar se këtë vit janë tri ndërmarrje publike që auditohen për herë të parë nga ZKA, si Trepça Sh.A, KOSTT SH.A. dhe K.R.U. “Hidrodrini” SH.A. Bazuar në rezultatet e auditimit, ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për gjashtë NP, për katër të tjera kemi dhënë opinione të kundërta, si dhe për tri të tjera opinion pozitiv pra të pamodifikuara. Gjetjet kryesore me ndikim në opinion të auditimit tek ndërmarrjet janë: mos rivlerësimi i pasurive, mangësi në regjistrin e pasurive, mos provizionim i llogarive të arkëtueshme tregtare, mbivlerësim i llogarive të arkëtueshme, mungesë e të dhënave të plota për grantet, mos prezantim i saktë i pasqyrës së rrjedhës së parasë dhe nënvlerësimi i të hyrave nga shitja”, ka përfunduar Spanca.

    Ndërkaq, sa i përket planit të auditimit për sezonin 2023-2024 gjatë konferencës është bërë e ditur se do të përfundoj më 31 gusht të këtij viti./kp

  • ​“Do të hyjmë me dhunë në zyrat e KEK-ut”, protestojnë banorët e Shipitullës për shpronësimet

    ​“Do të hyjmë me dhunë në zyrat e KEK-ut”, protestojnë banorët e Shipitullës për shpronësimet

    Dhjetëra banorë nga fshati Shipitullë të Obiliqit kanë protestuar sot para zyrës së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë si dhe para objektit të qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që shpronësimet në këtë rrethinë të kthehen në pikën zero.

    Tash e disa herë ata po shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me shpronësimet, për çka po kërkojnë që ato të bëhen nga fillimi.

    Banori i fshatit Shipitullë, Musli Mjeku tha se kanë mbetur të bllokuar dhe se detyrohesh që të dalin me qira nëpër qytete të tjera, ngase sipas tij nuk kanë pasur zgjidhje tjetër.

    Ai tha se kanë mbajtur takim me zyrtarë të KEK-ut dhe kryetarin e Obiliqit, porse ende nuk është ndërmarrë diçka lidhur me këtë situatë.

    “Prej 2004-ës kur është sjellur ligji që në fshatin Shipitullë mos të ndërtohet asgjë. Ne kemi mbetur të bllokuar prej atëherë që sot është 2024…Ne kërkojmë që shpronësimi të kthehet në pikën zero. Të fillojë si është informuar atëherë që duhet të shpronësohet fshati Shipitullë…Edhe rrugën na e kanë ndërprerë nëpër të cilën kemi pasur mundësi të shkojmë në fshat dhe të dalim prej fshati…Ne si fshat, si qytetarë të këtij fshati që jemi mbledhur, kemi mbetur të bllokuar, kërkojmë një zgjidhje. Ne kemi pasur takim, sot është i 27 më duket, me 24 maj kemi pasur edhe një takim, na kanë premtuar se do të na dhënë përgjigje këta të KEK-ut. Por, kurrfarë përgjigje më s’kemi marrë. Kemi pasur takim edhe në nivel të komunës. Kryetari na ka premtuar se do ta bëjë një komision që ta bëjë incizimin, por as atje ende nuk ka ndonjë lëvizje. Në atë fshat kemi mbetur diku 47 familje, në mos gabohem, ka familje që janë detyruar që fëmijët t’i lënë diku me qira në Obiliq apo në Fushë Kosovë, sepse nuk ka pasur zgjidhje”, tha Mjeku.

    Ndërkaq, përfaqësuesi i banorëve të fshatit Shipitullë, Arsim Mjeku tha se nëse nuk marrin ndonjë përgjigje nga KEK-u, nga e hëna do të hyjnë në mënyrë të dhunshme brenda zyreve të KEK-ut.

    “Ne kërkojmë prej KEK-ut të dalë dikush të na sqarojë ose prej të hënës ne do të vijmë në mënyrë të dhunshme, do të hyjmë në katin e tretë…Na ka ardhur tek hunda, boll kemi duruar me paqe, me letra, këta nuk po marrin vesh, iu tregojmë ne. Sot kemi ardhur 50, të hënën do vijmë 150 me gra e me fëmijë me pleq e të gjithë. Më mirë është të rrinë banorët e fshatit Shipitullë këtu, sesa të rrinë në Shipitullë, pluhur, tym, bërllog, aromë, zhurmë. Zhurmat që bëhen në fshatin Shipitullë, vetëm NATO kur ka gjuajtur në 99-tën. Por, ka qenë mirë NATO-ja t’ua gjuajë tash këtyre t’i rehatojë dhe disa në qeveri”, u shpreh Mjeku.

    Pas protestës para zyreve të KEK-ut, banorët vazhduan deri para objektit të Qeverisë së Kosovës, e ç’ rast vendosën edhe një baner me mbishkrimin “Krejt dhe drejt nuk është kryeministër”.

    Ata thanë se nuk do të shpërndahen dhe do të vazhdojnë me protesta nëse nuk marrin përgjigje rreth kërkesave të tyre. /kp

  • ​Rrustemi i VV-së: Vonim po, shpëtim jo nga konfiskimi i pasurisë të pajustifikueshme

    ​Rrustemi i VV-së: Vonim po, shpëtim jo nga konfiskimi i pasurisë të pajustifikueshme

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi deklaroi se Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohet. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të pavlefshëm këtë ligj, Rrustemi theksoi se është goditje e madhe për reformën dhe sistemin e drejtësisë. Sipas tij, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme ka vonim, por jo edhe shpëtim.

    Në seancë plenare, deputeti Rrustemi tha se gjyqtarët nxorën një vendim që nuk arritën të bindin as kolegët e tyre.

    “Ata që po besojnë që përmes Gjykatës Kushtetuese do të pamundësojnë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme e kanë shumë gabim. Po e mashtrojnë vetën se mund të gëzojnë pasurinë e paligjshme. Vonim mund të ketë por shpëtim nga konfiskimi i pasurisë së paligjshme nuk ka. Kundër kësaj nisme të rëndësishme kanë votuar pesë gjyqtarë të kësaj gjykate nga gjithsej nëntë të tillë, përderisa katër të tjerë menduar se nisma ligjore ishte në përputhje me standardet kushtetuese dhe profesionale. Pra këta gjyqtarë nxorën një vendim që nuk arritën të bindin as kolegët e tyre gjyqtarë”, deklaroi Rrustemi.

    Deputeti i LVV-së shtoi se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është goditje ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    “Pas vonesës së pashembullt, njoftimi i djeshëm është padyshim goditje e madhe për reformën dhe sistemin e drejtësisë fillimisht dhe për qytetarët që presin jetësimin e reformës në anën tjetër. Kjo nismë ka për qëllim luftimin e pa kompromis të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ka për synim themelimin e një organi siç është Byroja e cila do të verifikojë pasurinë e zyrtarëve publik të fituar në mënyrë të paligjshme nga taksat e qytetarëve. Qëllimi i hartimit të këtij ligji ka të bëjë me çrrënjosjen e korrupsionit, të cilën e kanë rrënjosur për vite me radhë akterë dhe faktor që kanë qeverisur me institucionet publike të vendit”, tha ai.

    Ai tha se ky ligj ka për qëllim edhe kthimin e taksave të qytetarëve të cilat janë përvetësuar nga zyrtarët publik në mënyrë antiligjore. Rrustemi shtoi se sado që vonesa e dëmton drejtësinë, askush që ka përfituar jashtëligjshëm nuk mund të fshihet pas Gjykatës Kushtetuese.

    “Reforma e tillë dhe ky prioritet i yni do të bëhet. Jemi të vendosur më shumë se kurrë që të tejkalojmë secilin obstruksion me qëllim që sundimi i ligjit të gjej hapësirë në vendin tonë. Një gjë që duhet pranuar është fakti se Gjykata Kushtetuese po shfrytëzohet si instrument i vonimit apo pamundësimit të reformave të nevojshme. Konkretisht qëllimi i vetëm i dërgimit të Ligjit për Byronë ka të bëjë me ruajtjen e pasurisë së pajustifikueshme, të përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme nga zyrtarët e lartë publik e politikanë, të cilët po mundohen të mbrojnë pasuritë e tyre. Kjo tentativë e tyre do të dështojë pa dyshim dhe kthimi i pasurisë së tillë publike në buxhetin e shtetit do të ndodhë”, shtoi Rrustemi. /kp

  • ​LDK kërkon që të tërhiqet projektligji për KPK-në, KPM-në dhe Zyrtarët Publik, LVV nuk e përkrah

    ​LDK kërkon që të tërhiqet projektligji për KPK-në, KPM-në dhe Zyrtarët Publik, LVV nuk e përkrah

    Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik është kërkuar që të tërhiqet dhe të kthehet në komisionet përkatëse. Kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk mori përkrahjen e deputetëve të pushtetit, ndërkohë që partitë opozitare kanë deklaruar se të tri këto projektligje janë kundër standardeve ndërkombëtare.

    Propozimi i LDK-së për tërheqjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës është kundërshtuar nga 47 deputetë, është përkrahur nga 27 deputetë dhe katër kanë abstenuar. Për këtë propozim ka abstenuar kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj kërkoi që tri projektligje t’i kthehen komisioneve përkatëse për shqyrtim.

    “Ne kemi propozim që tri ligje të tjera, projektligje të tjera t’i kthehen ose komisioneve ose propozuesit. E para është Ligji për Këshillin Prokurorial, e dyta është Ligji për KPM-në dhe e treta është Ligji për Zyrtarët Publik. Për të tri këto projektligje, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Këshilli i Evropës kanë reaguar që materia në të cilën kanë punuar komisioneve parlamentare janë kundër standardeve ndërkombëtare. Ligjin për KPK-në dhe Ligjin për KPM-në kemi pasur edhe vendime të Gjykatës Kushtetuese, që ato janë kundër kushtetuese. Kemi menduar edhe pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias që ka pasur një keq lexim dhe nuk është kuptuar drejt Komisioni i Venecias dhe është bërë gabim nga komisioni parlamentar por me ripërtëritjen dhe me punën e sërishme që është bërë kemi parë që nuk është gabim por është punë e qëllimshme për kapjen e tre segmenteve më të rëndësishme të shoqërisë, që është organi i akuzës, mediat dhe administrata e shtetit”, shtoi ai.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi kundërshtoi propozimin e deputetit Selmanaj. Ai tha se opozita po përpiqet të vonojë dhe të pengojë zbatimin e reformës.

    “Ne nuk pajtohemi me propozimin që të tërhiqet si pikë e rendit të ditës, sikurse nuk pajtohemi dhe po jap argumentet shkurtimisht që duhet të dërgohet apo ridërgohet në Komisionin e Venecias. E para, si Kuvend i Kosovës natyrisht që kemi dërguar projektligje Komisionin e Venecias dhe kemi marrë të gjitha rekomandimet dhe vlerësimet, si Komision për Legjislacion dhe grupi punues ka trajtuar secilin rekomandim me pjesëmarrjen e akterëve të ndryshëm institucional, të shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë dhe natyrisht që kanë pasur mundësinë dhe deputetët e opozitës për të kontribuar. Zotëri Selmanaj shprehimisht e në veçanti në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion ka refuzuar të përfshihet në grupin punues për të trajtuar këtë projektligj me argumentin që ky është kundër që në idenë apo konceptin e këtij projektligj”, deklaroi ai.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa tha se është luajtur ping-pong me projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    “Konsiderojmë që ky ligj si e tillë siç është sot në rend dite prapë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk duhet të shkojmë më tutje. Sepse vetëm humbim kohën e kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, andaj ne si PDK e përkrahim propozimin. Është edhe propozim i PDK-së që ky ligj të kthehet te sponzorizuesi dhe të punohet vërtetë në ligj dhe të shikohet se çfarë duan të arrijnë me këtë ligj”, u shpreh ai.

    Edhe për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, deputeti Driton Selmanaj tha se nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare.

    “Ju rekomandojmë fuqishëm që ta rikonsultoni Komisionin e Venecias, nëse komentet e Komisionit të Venecias janë marrë parasysh nga komisioni apo jo. Sepse thotë ne kemi dilemat tona që kjo nuk është bërë. Ju po votoni kundër standardeve të BE-së, unë jam duke folur për Zyrën e BE-së në Kosovë dhe jam duke folur për deklaratën publike të ambasadorit gjerman. Dikush këtu po gënjen, ose Adnan Rrustemi ose Zyra e BE-së. Zyra e BE-së thotë nuk e keni reflektuar komisionin”, u shpreh ai.

    Kryetari i Komisionit Parlamentar për Media, Valon Ramadani tha se ky projektligj nuk cenon pavarësinë e mediave.

    “Nuk është e vërtetë që me këtë projektligj, e që në momentin që votohet bëhet ligj, cenohet pavarësia e mediave. Absolutisht nuk ka cenim të mediave, ka përafrim të direktivës së Bashkimit Evropian e cila e vitit 2018, e ne Ligjin në fuqi të KPM-së e kemi nga viti 2018”, theksoi ai.

    Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga partia në pushtet që të adresohen shqetësimet e Bashkimit Evropian.

    As ky propozim nuk ka kaluar, meqë 25 deputetë kanë votuar për, 50 kanë qenë kundër dhe tri kanë qenë abstenime.

    Në seancë plenare, deputeti Selmanaj ka kërkuar nga deputetët që të tërhiqet edhe projektligji për Zyrtarët Publik, për çka tha se në të kundërtën do të largohen nga salla plenare. Ky propozim i LDK-së është përkrahur nga 25 deputetë, 50 kanë qenë kundër dhe tri abstenime. /kp

  • LDK thërret konferencë për media

    LDK thërret konferencë për media

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media.

    Konferenca do të mbahet nga ora 13:00, në objektin e Kuvendit të Kosovës.

    Nuk është bërë e ditur tema e konferencës.

  • ZKA-ja shpalos rezultatet e auditimit të institucioneve, në nivelin lokal përfshihen edhe komunat në veri

    ZKA-ja shpalos rezultatet e auditimit të institucioneve, në nivelin lokal përfshihen edhe komunat në veri

    Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në një konferencë për medie, ka shpalosur rezultatet e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) të institucioneve publike të nivelit qendror, atyre të nivelit lokal dhe ndërmarrjeve publike për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.

    Spanca ka deklaruar se nga 115 raporte të auditimit, 85 prej tyre janë të Organizatave Buxhetore, 13 të ndërmarrjeve publike dhe 8 auditime të performancës dhe teknologjisë së informacionit.

    “Kemi kryer auditimin dhe publikuar gjithsejt 115 raporte të auditimit. Prej tyre, 85 raporte të auditimit për PVF-të Organizatave Buxhetore (OB), 13 të ndërmarrjeve publike dhe 8 auditime të performancës dhe teknologjisë së informacionit. Gjithashtu në kuadër të planit janë audituar edhe 9 projekte të donatorëve. Nga këto auditime janë dhënë 40 opinione të kualifikuara, 63 të pamodifikuar, dhe 4 opinione të kundërta. Prej 47 Organizatave Buxhetore të nivelit qendror kemi dhënë 36 opinione pozitive dhe 11 opinione të kualifikuara që do të thotë që cilësia e raportimit financiar në disa aspekte nuk ka qenë e drejtë dhe e vërtet”, tha Spanca.

    Ajo foli edhe për auditimin në nivelin lokal, përfshirë komunat në veri.

    “Sa i përket auditimeve të kryera në nivelin lokal, ju njoftojmë se për 38 komunat e audituara, përfshirë këtu edhe katër komunat në pjesën veriore të Kosovës kemi dhënë 15 opinione pozitive dhe 23 opinione të kualifikuara. Për Komunën e Prishtinës dhe Vushtrrisë kemi dhënë konkluzion të kundërt”, shtoi Spanca.

    Po ashtu, në vazhdën e përmbushjes së planit, Spanca tha se kanë kryer auditime dhe publikuar raporte edhe për 12 ndërmarrje publike dhe RTK-në si medium publik.

    “Këtë vit janë tri ndërmarrje publike që auditohen për herë të parë nga ZKA, si Trepça Sh.A, KOSTT SH.A. dhe K.R.U. “Hidrodrini” SH.A. Bazuar në rezultatet e auditimit, ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për gjashtë NP, për katër të tjera kemi dhënë opinione të kundërta, si dhe për tri të tjera opinion pozitiv pra të pamodifikuara. Gjetjet kryesore me ndikim në opinion të auditimit tek ndërmarrjet janë: mosrivlerësimi i pasurive, mangësi në regjistrin e pasurive, mosprovizionim i llogarive të arkëtueshme tregtare, mbivlerësim i llogarive të arkëtueshme, mungesë e të dhënave të plota për grantet, mosprezantim i saktë i pasqyrës së rrjedhës së parasë dhe nënvlerësimi i të hyrave nga shitja”, tha Spanca.

    Plani i auditimit për sezonin 2023-2024 u tha se do të përfundojë më 31 gusht të këtij viti.

  • Demi: VV-ja premtonte llogaridhënie, qytetarët tani nuk dinë si po votojnë deputetët

    Demi: VV-ja premtonte llogaridhënie, qytetarët tani nuk dinë si po votojnë deputetët

    Ish-drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Agron Demi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të zotimeve.

    Për këtë, ai përmendi premtimet e VV-së para ardhjes në pushtet, e cila thashmë po e përfundon mandatin pa e funksionalizuar sistemin e votimit elektronik, e që një gjë të tillë ua pamundëson qytetarëve të shohin se si kanë votuar përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

    “Kjo i bjen me gjujtë gurin e me fsheh dorën”, tha Demi.

  • Opozita lëshon sallën në shenjë proteste, kjo është arsyeja

    Opozita lëshon sallën në shenjë proteste, kjo është arsyeja

    Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë lëshuar sallën ku po mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk kaluar porozitet e tyre që të heqin nga rendi i ditës dhe të kthehen në komisione tri projektligjet e kontestuara nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e mediave.

    Bëhet fjalë për projektligjin për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe atë për Këshillin Prokurorial.

    Bashkimi Evropian ka shprehur zhgënjimin për tre projektligje që janë planifikuar për leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës të enjten, duke deklaruar se draftet nuk kanë përfshirë rekomandimet që synojnë përputhjen e tyre me standardet evropiane dhe praktikat më të mira.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kundër propozimit të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj për heqjen nga pika e rendit të ditës të projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili theksoi se është kundër rekomandimeve të Bashkimit Evropian.

    Pas këtij votimi kundër të 50 deputetëve, Selmanaj tha se LDK e sheh të paarsyeshme që të jetë pjesë e një seance ku votohet kundër rrugës integruese të Kosovës në BE.

    “LDK e sheh të panevojshme që të jetë e kësaj katrahure për vendin që dikush voton kundër standardeve të BE-së”, tha ai.

  • ​Deputetët e Listës Serbe largohen nga seanca, Selmanaj: Kjo sallë do të mbahet mend për vazhdimin e mandateve të tyre

    ​Deputetët e Listës Serbe largohen nga seanca, Selmanaj: Kjo sallë do të mbahet mend për vazhdimin e mandateve të tyre

    Deputetët e Listës Serbe pak minuta pas fillimit të seancës plenare, kanë lëshuar sërish sallën plenare. Deputeti nga LDK-ja, Driton Selmanaj deklaroi se salla alternative ku po mbahet sot seanca ‘do të mbahet mend që është shfrytëzuar për dy raste të veçanta’.

    Sipas tij, një herë ka qenë kur është përdorur gaz lotsjellës dhe sot për vazhdimin e mandatave të Listës Serbe. Pas deklarimit të tij, dhjetë deputetët e Listës Serbe janë larguar nga salla ku po vijon seanca në kushte të jashtëzakonshme.

    Deputeti Driton Selmanaj tha se shfrytëzimi i kësaj salle do të mbahet mend për dy raste.

    “Në historinë e parlamentarizmit tonë do të mbahet mend që dy herë kjo sallë është shfrytëzuar për të mbajtur seancë plenare. Rasti i parë është gazi lotsjellës dhe rasti i dytë është për t’iu vazhduar Listës Serbe mandatet, sepse rrezikonin që të humbnin mandatet”, deklaroi ai.