ATV

Author: ATVLive

  • Nga 30 qershori, të gjitha faturat dërgohen me zarf ose në formë digjitale

    Nga 30 qershori, të gjitha faturat dërgohen me zarf ose në formë digjitale

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Por, nga 1 korriku, sipas kërkesës së Agjencisë Për Informim dhe Privatësi, ndërmarrjet do ta ndryshojnë formën e shpërndarjes së tyre.

    Të gatshëm për ta zbatuar Ligjin për Mbrojtën e të Dhënave, shprehen nga kompania që faturon shpenzimin e energjisë elektrike. KESCO-ja ka përzgjedhur dy forma, megjithëse për njërën ka dyshime nëse mund të realizohet plotësisht.

    “Po tentojmë ta bëjmë shpërndarjen e faturave në formë digjitale, por ne jemi të përkushtuar për me i mbrojtë të dhënat personale… Në kemi filluar t’i zarfojmë, nuk është edhe e lehtë, mungesa e kutive postare është problem në vete, ka vështirësi logjistike… ne jemi ndërmarrje dhe nëse kemi shpenzime duhet t’u barten edhe konsumatorëve”, tha zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti.

    Por, nga Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk pranojnë assesi që kostot shtesë të alternativave t’u faturohen qytetarëve. Sipas drejtoreshës, Lumnije Demi, kjo është çështje e ndërmarrjeve.

    “Ne kemi zhvilluar takime, në shkurt e kemi adresuar kërkesën, tashmë ndërmarrjet e dinë se çfarë rëndësie ka ruajtja e të dhënave të konsumatorit… Qëllimi i agjencisë nuk është të ndërmarrë veprime sanksionuese, por vetëm t’i mbrojë të dhënat e personale… meqë jemi në përfundim të afatit, po presim që shpërndarjen e faturave, ndërmarrjet ta bëjnë komfort ligji… barrierat nuk mund t’u faturohen qytetarëve, kutitë postare janë çështje e ndërmarrjeve”, tha Demi.

    Ndërmarrja “Termokos” thotë se do të bëhet gati vetëm për sezonin e ardhshëm, meqë ka mënyrë tjetër të faturimit.

    VOX: Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokos-it
    “Ne kemi përkrah menjëherë këtë rekomandim, prej sezonit të ardhshëm faturat do t’i shpërndajmë me zarfe…”, tha Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokos-it.

    Njësoj do të veprojë edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

    “KRU “Prishtina” ka lansuar tashmë aplikacionin ku të gjithë konsumatorët mund të regjistrohen, të monitorojnë faturat e tyre, po ashtu edhe pagesën ta kryejnë online. Madje, muajt në vazhdim ne do ta bëjmë shpërndarjen e faturave me zarf, ashtu siç ka rekomanduar Agjencia për Privatësi”, thuhet në përgjigjen nga KRU “Prishtina”.

    Kërkesën e agjencisë ndërkaq e mirëpresin qytetarët.

    “Nuk kam asnjë vërejtje, kjo është në të mirën e popullatës, pse ta dinë kojshitë ose dikush i treti se sa më ka ardhë rryma mu”, thotë Kolë Ramaj, qytetar.

    “Për neve është ma mirë a për ata që e vjedhin jo, tash pe shfrytëzojnë shumë jon tu e vjedhë, inshalla ndalën”, tha Ali Latifi, qytetar.

    Kërkesa e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përfshin ndërmarrjet publike qendrore dhe ato lokale. Nëse pas datës 1 korrik, ka shkelje në zbatimin e vendimit konform Ligjit për mbrojtjen e privatësisë, ndërmarrjet do të gjobiten deri në 50 mijë euro.

  • Shtëpia e Xhafer Devës ende në renovim

    Shtëpia e Xhafer Devës ende në renovim

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Aktualisht shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë ka këtë pamje.

    Restaurimet ende nuk kanë përfunduar, por gjatë tyre një pjesë e shtëpisë është bërë e dukshme.

    Në fotografitë që krahasojnë shtëpinë se si ishte më parë dhe tani pjesa e prapme e shtëpisë që duket e fasaduar, nëpër rrjete sociale ndryshimi u vlerësua i papranueshëm.

    Megjithatë, po konsiderohet se ende është herët për ta gjykuar nëse projekti është bërë si duhet.

    Lulzim Hoti drejtor i organizatës “7Arte” në Mitrovicë, reagimet i quajti të hershme.

    “Me aq sa po shihet objekti, i është vënë fasadë sepse deri tash njerëzit janë mësuar ta shohin me tulla dhe mendojnë që si i tillë duhet të ruhet, mirëpo nuk është objekt i kohërave antike, ky është objekt i vonshëm i arkitekturës së Kosovës, gjë që nuk mund të jetë ndryshe përveçse një objekt bashkëkohor modern, nuk mund të rrijë pa fasadë dhe të duken tullat siç kanë qenë viteve të fundit”, tha Hoti.

    Edhe profesori, Nexhmedin Spahiu vlerëson se komentet janë të hershme pasi ende janë duke vazhduar punimet, derisa shton se shtëpia e Xhafer Devës në kohën kur ishte ndërtuar, kishte qenë me fasadë.

    “Shtëpia e Xhafer Devës ka qenë me fasadë, është një fotografi e vjetër në kohën kur është ndërtuar. Nuk e dimë a është e njëjta ngjyrë apo është ndryshuar ngjyra…”, tha Spahiu.

    Megjithatë, Spahiu thotë se është e pritshme që të bëhen ndryshime të mëdha në krahasim me atë se si ishte më parë.

    “Nuk do të më çudiste sepse në Kosovën tonë shumëçka ndodhin gjëra të tilla që e shëmtojnë traditën dhe trashëgiminë kulturore”, tha Spahiu.
    Ndryshimet i komentuan edhe qytetarët.

    “Ajo e ka pasë estetikën e vet si ma përpara pak e ka një ndryshim. Me pas kanë gjallë edhe ai e kish përmirësuar pak”, tha Nazif Mziu, qytetar.

    Deri më 2023, për këtë projekt janë shpenzuar 142 mijë euro, ndërkohë sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë projekt, në këtë vit janë paraparë 200 mijë euro dhe për vitin e ardhshëm 300 mijë.

  • Vrasja e Oliver Ivanovicit, gjykata i dënon katër persona me burgim

    Vrasja e Oliver Ivanovicit, gjykata i dënon katër persona me burgim

    Përgatiti: Nora Luta

    Aktgjykim fajësues për katër nga gjashtë të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanovic, ka shpallur Gjykata Themelore e Prishtinës të premten.

    Ndaj të akuzuarit të parë Nedelko Spasojeviq, ish-hetues policor, e ka ricilësuar veprën penale nga krim i organizuar në keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke i shqiptuar dënim prej katër vjet e gjysmë burgim, dhe 4500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

    Marko Roshiq, qytetar, është dënuar me 10 vjet burgim për veprën penale krim i organizuar, lidhur me veprën penale të vrasjes së rëndë.

    Me nga katër vjet burgim janë dënuar ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare Dragisha Markovic dhe Zharko Jovanoviq. Markoviq u lirua nga akuza për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa Jovanoviq u dënua edhe me 10 mijë euro gjobë për posedim të paautorizuar të armëve.

    E nga të gjitha akuzat u liruan Rade Basara dhe Silvana Arsoviq.

    Ndërkohë, Gjykata shqiptoi dënim plotësues ndaj Nedelko Spasjovecit dhe Zharko Jovanoviqit.

    Vendimin e komentuan disa nga avokatët mbrojtës.

    “Fakti që është dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare është bërë pa prova që ta vërtetojnë. Do të përpiqemi ta kundërshtojmë vendimin në Gjykatën e Apelit, ku jam i sigurt se Dragisha do të shpallet i pafajshëm”, tha DEK: Dejan Vasic, avokat i Dragisa Markovicit.

    “Silvana Arsoviq deri në fund të procedurës tregoi se është një grua e ndershme, e cila nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur. Ajo është në fakt më e dëmtuara nga humbja e Oliverit”, tha Jovana Filipovic, avokate e Silvana Arsovicit.

    Asnjëri prej të akuzuarve në këtë rast nuk ishin të pranishëm në shpalljen e aktgjykimit.

    Oliver Ivanovic ishte gjetur i vrarë më 16 janar të 2018-s para selisë së partisë që e udhëhiqte në Mitrovicë të Veriut. Aktakuza ishte ngritur një vit pas nga ish-prokurori Sylë Hoxha, e në shkurt të 2020-s kishte nisur gjykimi.

    Për vrasjen e ish-politikanit serb, Prokuroria Speciale i bën përgjegjës edhe Milan Radiocicn, Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq, të cilët ndodhen në arrati.

    Sipas aktakuzës, ata, bashkë me gjashtë të akuzuarit, vepronin si grup i organizuar kriminal, dhe ndër të tjera kishin qëllim shtrirjen e ndikimit dhe kontrollin në Mitrovicë të Veriut.

  • Apeli liroi nga akuzat për korrupsion ish-ministrin Nenad Rikalo

    Apeli liroi nga akuzat për korrupsion ish-ministrin Nenad Rikalo

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Më një qershor të vitit 2023, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar ish-ministrin e Bujqësisë, Nead Rikalon, me tri vjet burgim, nën akuzat për korrupsion.

    Mirëpo, një vit më vonë, Gjykata e Apelit e liroi atë dhe të dënuarin tjetër, ish-sekretarin Kapllan Halimi, i cili ishte dënuar me 2 vjet e gjashtë muaj.

    ATV-ja ka siguruar vendimin e Apelit në të cilin konstatohet se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk ishte paraqitur asnjë provë konkrete që do të provonte fajësinë e tyre.

    “Sipas aktakuzës dhe aktgjykimit, i akuzuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tij. Të gjitha këto në pajtim me të Akuzuarin Nenar Rikalo, me qëllim për t’iu mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të lartpërmendura. Kolegji arrin në përfundim se nga provat e ofruara nuk rezulton e provuar se të akuzuarit kanë vepruar me synimin për t’iu siguruar kompanive përfitim të kundërligjshëm, për këtë nuk ekziston ndonjë dëshmi apo provë konkrete që vërteton këtë fakt”, thuhet në vendimin e kolegjit të Apelit, të cilën e ka siguruar ATV.

    Në vazhdim të dokumentit 25-faqësh, kolegji konstaton se nuk ka mjaftuar vetëm fakti që të akuzuarit kishin pozita zyrtare, teksa për Rikalon Apeli thotë se nuk e kishte keqpërdorur pozitën e tij si ministër.

    “Kolegji vlerëson se nuk mjafton vetëm fakti se të akuzuarit ishin në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë përkatëse i përhershëm. Zbatimi i programit të veçantë bujqësor, se do të bëhet vetëm përmes këtyre dy funksioneve është jokontestues, pasi kjo është një rrugë dhe procedurë institucionale, e bazuar në hierarkinë e organizimit dhe funksionimit të ministrisë, mirëpo nuk mund të nxirret konkludimi për bashkëkryerjen e mbështetur vetëm në faktin se të akuzuarit mbanin dhe i shtronin këto funksione”, thuhet më tej në vendimin e kolegjit të Apelit.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, u kishin mundësuar përfitim të kundërligjshëm gjashtë kompanive.

    Të akuzuar ishin edhe Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Leon Thaçi dhe Albana Zeqiri. Por, ata ishin liruar edhe nga Gjykata Themelore.

  • Gjykimi për krime lufte në Istog kundër Ekrem Bajrovicit

    Gjykimi për krime lufte në Istog kundër Ekrem Bajrovicit

    Përgatiti: Nora Luta

    Daut Elshani nga komuna e Istogut është në kërkim të drejtësisë për familjarët e tij, që thotë se iu vranë në maj të 1999-s gjatë masakrës së Staradranit të Istogut.

    Për ditën kritike pas 25 vjetësh, Elshani e ka vazhduar rrëfimin e tij si dëshmitar në gjykimin ndaj Ekrem Bajroviqit, i cili akuzohet për pjesëmarrje në këtë masakër.

    Sipas 86-vjeçarit, në ditën kur iu vranë tre djemtë në oborrin e Demë Zeqirit, Bajroviqi ishte aty dhe i armatosur.

    “Pritsha mos po m’i lëshojnë djemtë dhe unë jom hi në oborr të zeqir demës dhe aty u ni krisma tak tak dhe u ni viktima prej toke në qiell brima e piskama e tyne, edhe kom nejtë edhe njo 40 min e kom dhezë traktorin edhe jom nis drejt për shqipni me robë”, tha dëshmitari Elshani.

    Elshani pretendon se Bajroviq e di se kush janë fajtorët për vrasjen e djemve, vëllait dhe axhës së tij, duke mos e përjashtuar përgjegjësinë që, sipas tij, mund ta ketë i akuzuari.

    “Qiky burrë (Ekrem Bajrovic) munet me tregu kush mi vrau 3 djemtë dhe vëllaznitë nëse nuk kallxon ky kush i ka vra, atëherë ky i ka vra”, tha Elshani.

    Gjatë seancës të enjten për procesin e varrosjes së kufomave të viktimave të masakrës dëshmuan edhe Ismet Kikaj e Bajram Dautaj.

    Teksa treguan se si u detyruan të marrin pjesë me urdhër të Millosh Stojkoviqit, në pyetjet e trupit gjykues dhanë arsyetime se pse pranuan.

    Dëshmitarët u ballafaquan me pyetje edhe nga mbrojtja e Bajrovicit.

    “A është e vërtetë që emri i Bajrovicit i është kujtuar vetëm pas pyetjes së prokurorit. Pse nuk e përmendët në polici emrin e tij?”, tha Ljubomir Pantovic, avokat i Ekrem Bajrovicit.

    Sipas aktakuzës, Bajroviq, gjykimi ndaj të cilit nisi në tetor të vitit të kaluar, individualisht dhe me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe vranë, dëbuan e keqtrajtuan civilë gjatë viteve 1998-1999, në komunën e Istogut dhe në fshatrat përreth.

  • Deputetët e Listës Serbe erdhën në seancën e sotme për ta vazhduar mandatin

    Deputetët e Listës Serbe erdhën në seancën e sotme për ta vazhduar mandatin

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas një muaji, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën për seancë, por jo në sallën e zakonshme.

    Meqë salla plenare është ende në rinovim, u improvizua kjo sallë alternative.

    Këtu erdhën edhe deputetët e Listës Serbe, vetëm sa për ta vazhduar mandatin, dhe më pas dolën jashtë pa marrë pjesë në asnjë diskutim.

    Kjo nxiti reagimin e opozitës.

    Kuvendi më pas sqaroi se organizimi i seancës me këso kushte nuk u bë për shkak të Listës Serbe, sepse ata edhe ashtu do të kishin mandat deri në fund të gushtit.

    Sallën të enjten, e lëshuan edhe partitë opozitare, meqë nuk kaloi propozimi i tyre që të tërhiqen nga rendi i ditës tri projektligje, ai për KPK-në, KPM-në, si dhe ai për Zyrtarët Publikë.

    Ky veprim e pamundësoi punën, në mungesë kuorumi, pasi në sallë mbetën vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Prandaj dita u mbyll me vetëm një propozim të miratuar, kërkesën që Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës të kthehet për plotësim në Komision.

    Deputeti nga AAK-ja, Bekë Berisha, hodhi akuza në drejtim të deputetit të pushtetit, Enver Dugolli, që, sipas tij, ka propozuar amendamente që nuk janë rezultat i grupit punues.

    “Ky projektligj me ato amendamente nuk duhet të miratohet, sepse do ta cenojë sigurinë kombëtare, do të cenojë bashkëpunimin në këtë fushë edhe me partnerët tanë”, tha Berisha.

    Njësoj u tha edhe nga PDK-ja.

    “Qëndrojnë ato që tha Bekë Berisha, është një konflikt mes dy institucioneve të vendit. Me këto amendamente është mënjanuar nga përgjegjësia, qoftë për emrin e drejtorit, i largohet kompetenca institucionit të Presidenti të vendit”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

    Akuzat u mohuan nga partia në pushtet.

    “Nuk qëndrojnë të gjitha ato pretendime që Berisha i përmendi. Pajtohemi që sot ky projektligj të kalohet në Komision dhe në kuadër të Komisionit të trajtohet me tutje për ndjeshmërinë dhe rëndësinë që ka”, tha shefja e GP të LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Meqë ishin prezent, fjala iu dha edhe deputetëve të listës serbe, por që nuk e shfrytëzuan atë.

    Kështu, me 69 vota për, 4 kundër, asnjë abstenim u vendos që të kthehet për plotësim në Komision ky projektligj.

  • Pa rezultat takimi i parë për ndërmjetësim për rrahjen në Kuvend

    Pa rezultat takimi i parë për ndërmjetësim për rrahjen në Kuvend

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Incidenti me grushtet që i ranë njëri-tjetrit, gjatë një seance të Kuvendit nuk deshën të zgjidhet me proces gjyqësor. Andaj, deputetët Bekim Haxhiu, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, që ishte viktimë e dhunës, u pajtuan që këtë çështje ta zgjidhin me procedurën e ndërmjetësimit. Mirëpo, takimi i parë mes palëve përfundoi pa rezultat.

    “Në seancën e parë nuk është arritur ndërmjetësimi, sepse nuk janë sqaruar disa pika, dhe kanë mbetur të sqarohen disa pika, dhe palët të përafrohen”, tha Besiana Ismaili, avokate e Mërgim Lushtakut.

    Për ta arritur ndërmjetësimin, kodi i procedurës penale ua garanton tre muaj kohë.

    “Palët kanë 90 ditë kohë për t’u dakorduar, pastaj ndërmjetësuesi e çon rezultatin e takimit tek kryetari i trupit gjykues”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat.

    E sipas avokates së deputetit Lushtaku, ka optimizëm që ujdia të arrihet.

    Palët kanë shprehur gatishmërinë, besoj se në seancën e radhës do të arrihet rezultat…”, tha avokatja Ismaili.

    “Nëse nuk arrihet ndërmjetësimi brenda 90 ditëve. Lënda kthehet në gjykim. Megjithatë, ka optimizëm për arritjen e ndërmjetësimit”, tha avokati Smakiqi.

    Rrahja mes deputetëve ndodhi më 13 korrik të vitit 2023. Aktakuza ndaj tyre u ngrit në muajin tetor të po atij viti.

  • Përmbytjet në Dragash shkaktojnë dëme në rrjetin energjetik

    Përmbytjet në Dragash shkaktojnë dëme në rrjetin energjetik

    Përgatiti: Donita Bytyqi

    Që nga pasdita e së mërkurës, banorët e fshatit Kuk të Dragashit, mbetën pa rrymë.

    Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut, që i dëmtuan dhjetëra shtëpi, e rrëzuan edhe një shtyllë elektrike.

    Për shkak të kësaj, banorët thonë se iu dogjën edhe pajisjet shtëpiake.

    Ata ankohen që ekipet kompetente nuk kanë intervenuar me kohë për ta rregulluar problemin.

    Ndërkaq, KEDS-i, përmes një përgjigje me shkrim, kanë thënë se, me të marrë lajmin janë mobilizuar për t’i sanuar dëmet.

    “Falë mobilizimit paraprak dhe intervenimit të menjëhershëm të ekipeve të KEDS-it, të cilat kanë punuar edhe gjatë natës, për të vazhduar edhe paraditen e sotme, gjendja me furnizim me energji elektrike është kthyer në normalitet, për këtë zonë të prekur”, thuhet në përgjigjen nga KEDS-i.

    Deri pasditen e së enjtes, një pjese të shtëpive në këtë fshat ende nuk iu është kthyer energjia elektrike.

  • Reshjet në Dragash, dhjetëra shtëpi bëhen të pabanueshme

    Reshjet në Dragash, dhjetëra shtëpi bëhen të pabanueshme

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Çdo gjë që pati brenda, ia dëmtoi uji.

    Myrtezan Imeri nga fshati Kuk i Dragashit, thotë se niveli i ujit nga përmbytjet e së mërkurës, brenda shtëpisë i shkoi rreth 2 metra.

    Brenda dhomave tash ka shumë baltë dhe hyrja brenda bëhet me vështirësi.

    Imeri thotë se shqetësimin më të madh në ato momente e kishte nxjerrjen e fëmijëve dhe bashkëshortes që ishin brenda.

    Tash, halli i tij është se ku do të qëndrojnë.

    Shtëpia iu bë e pabanueshme edhe Vesel Avdullahut.

    Nga presioni i ujit, Hanz Ymerit iu thyen xhamat e bodrumit dhe iu dëmtuan shumë pajisje.

    Dëmet e mëdha të shkaktuara nga reshjet, nga afër erdhi për t’i parë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se është fat që nuk ka të vdekur, e për dëme materiale tha se qeveria do t’u dalë në ndihmë.

    Kryetari i komunës tha se një gjë e tillë nuk ishte mundur të parandalohet, por pati kritika edhe për banorët e këtij fshati.

    Vlera e dëmeve të shkaktuara të mërkurën, pritet të kuptohet pas vlerësimeve të komisionit përkatës, që u themelua nga komuna.

  • Seancat në salla alternative, deri në sesionin tjetër

    Seancat në salla alternative, deri në sesionin tjetër

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kështu sikur të enjten, në sallë alternative, deputetët e kabineti qeveritar, seancat në Kuvend do t’i mbajnë deri në fund të këtij sesioni.

    Salla plenare që është në rinovim e sipër, do të jetë e gatshme tek në sesionin vjeshtor.

    Punimet për renovimin e saj, që nisën para një muaji, nuk kanë përfunduar ende. Kështu vendosja e pajisjeve të reja pritet të kryhet gjatë pushimit midis dy sesioneve.

    “Punimet për instalimin e pajisjeve në sallën e seancave të Kuvendit janë duke vijuar sipas planifikimit dhe pritet të përfundojnë para fillimit të sesionit vjeshtor të Kuvendit”, thuhet në njoftimin nga Kuvendi i Kosovës.

    Por, mbajtja e seancave në këso kushte, nuk po vlerësohet e duhur nga opozita.

    Deputeti i Partisë Demokratike, Rashit Qalaj, konsideron se renovimet në këtë kohë nuk kanë qenë të rastësishme.

    Renovimi i sallës plenare do të përfshijë ndërhyrjet në inventar, zërim, kamera e mikrofona, ndërsa do të rikthehet edhe votimi elektronik.