ATV

Author: ATVLive

  • Çka po gatuan Amir Rrahmani me maestron e kuzhinës italiane në Prishtinë?

    Çka po gatuan Amir Rrahmani me maestron e kuzhinës italiane në Prishtinë?

    Ylli i futbollit italian dhe kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani në rrjetin e tij social Instagram ka publikuar një video mjaftë interesante, duke dhënë edhe një lajm të rëndësishëm.

    Ai shihet brenda një kuzhine duke asistuar kuzhinierin e famshëm, maestron Vincenzo Capuano në përgatitjen e një pice.

    Me këtë rast Rrahmani ka treguar se shumë shpejtë në Prishtinë, do hapet piceria me 13 pica speciale, prej të cilave një e zgjedhur si kampione e botës.

    Pizzeria mban emrin “CAPVIN 13” dhe do të jetë në Rrugën B në kryeqytet.

  • Aksident mes autobusit dhe veturës në Prishtinë: Një i vdekur dhe 14 të lënduar

    Aksident mes autobusit dhe veturës në Prishtinë: Një i vdekur dhe 14 të lënduar

    Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në fshatin Keqekollë të Prishtinës, ku një person ka vdekur dhe 14 të tjerë janë lënduar.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    Në aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë.

    “Rreth orës 14:30, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në fshatin Keqekollë të Prishtinës. Deri më tani bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë. Për pasojë një person ka humbur jetën ndërkaq katërmbëdhjetë të tjerë kanë kërkuar ndihmën mjekësore. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.”/GE

  • ​Kushtetuesja merr vendim për Ligjin për KPMSHCK

    ​Kushtetuesja merr vendim për Ligjin për KPMSHCK

    Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim lidhur me kërkesat e deputetit të PDK-së Abelard Tahiri dhe 10 deputetëve të tjerë, si dhe të Besian Mustafës dhe 10 deputetëve të tjerë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Gjykata ka vendosur që ligji t’i dërgohet presidentes për shpallje, pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11, të cilat janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe si të tilla janë shpallur të pavlefshme.

    Gjykata ka vendosur që njëzëri të deklarojë kërkesën e pranueshme dhe të konstatojë njëzëri, që nenet 2, 7 dhe 8 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme.

    Gjykata me shtatë vota për dhe dy kundër ka vendosur që neni 6 i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtin të pavlefshëm.

    Po ashtu, gjykata ka vendosur njëzëri që nenet 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; dhe njëzëri, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, të shpallë që Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, t’i dërgohet presidentes për dekretim sipas modaliteteve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar.

    Aktgjykimi fillimisht sqaron që, Ligji i kontestuar ndryshon dhe plotëson Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në katër aspekte kryesore.

    Së pari, ndryshon përbërjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga 7 në 15 anëtarë, duke ndryshuar dhe/ose plotësuar edhe aspekte që ndërlidhen me kriteret dhe procedurën për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Së dyti, eliminon dispozitën aktuale ligjore që garanton imunitetin në vendimmarrje të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Së treti, zhvesh Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës nga kompetenca për të vendosur lidhur me ankesat e nëpunësve civilë dhe/ose kandidatëve për pranim në shërbimin civil në pozita të larta drejtuese kundër vendimeve të Qeverisë, përkatësisht pamundëson ankesat e të njëjtëve në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës ndaj vendimeve të Qeverisë, por duke u garantuar të drejtën e ankesës në gjykatën kompetente në konflikt administrativ.

    Ndërsa, së katërti, për dallim nga ligji në fuqi për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, statusin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës si të ekzekutueshme, e kushtëzon ose në mungesën e ankesës në gjykatën kompetente ose në rast të ankesës, në nxjerrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë nga gjykata kompetente.

  • Udhëheqësit evropianë zgjedhin drejtuesit e rinj të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian

    Udhëheqësit evropianë zgjedhin drejtuesit e rinj të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian

    Udhëheqësit evropianë pritet që sot të miratojnë kandidaturat për pozitat kryesore drejtuese të institucioneve të Bashkimin Evropian. Kryetarja e tanishme e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të propozohet për një mandat të ri në krye të këtij institucioni, ndërsa ish kryeministri portugez Antonio Costa do të emërohet president i Këshillit Evropian. Ndërkohë, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e njohur për qëndrimin e ashpër ndaj Rusisë, do të propozohet për të zëvendësuar shefin e politikës së jashtme, Josep Borrell.

    Në Bruksel po bëhen përgatitjet e fundit për takimin dy ditor të udhëheqësve evropianë, të cilët pritet të zgjedhin drejtuesit kryesorë të Bashkimit Evropian dhe të diskutojnë për situatën në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

    Udhëheqësit e bllokut më të madh tregtar në botë, të përbërë nga 27 shtete anëtare, pritet të miratojnë edhe për një mandat zonjën Ursula von der Leyen në postin e kryetares së Komisionit Evropian, ish kyrministrin portugez Antonio Costa për të zëvendësuar presidentin aktual të Këshillit Evropian Charles Michel dhe kryeministren estoneze Kaja Kallas për të zëvendësuar Përfaqësuesin e lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell.

    Miratimi i tyre u mundësua pas arritjes së një marrëveshjeje në fillim të javës në mes të tre grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian – partive konservatore, atyre social-demokrate dhe partive liberale, përkundër kritikave të ashpra nga e djathta e skajshme.

    “Jemi të lumtur që propozimi ynë për emërimin e Ursula von der Leyen-it për të vazhduar si kryetare e Komisionit Evropian do të përkrahet në takimin e sotëm të Këshillit Evropian…Ata që duan përkrahjen tonë duhet të kenë qëndrim të qartë për të ndaluar emigracionin e jashtëligjshëm, për procesin e rimëkëmbjes ekonomike të Evropës dhe për sigurinë në nivelin evropian. Këto janë premtimet kryesore që kemi bërë dhe njerëzit presin që t’i realizojmë ato,” deklaroi Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, EPP, Manfred Weber.

    Zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Evropian e bëjnë udhëheqësit e Bashkimit Evropian, ndërsa kandidaturat e zonjës Von der Leyen dhe zonjës Kallas duhet të miratohen nga Parlamentit Evropian.

    Në zgjedhjet e fundit parlamentare evropiane, partitë e djathta shënuan përparim, në veçanti në Gjermani, Francë dhe Itali, por tre grupet kryesore politike në parlamentin evropian vazhdojnë të kenë shumicën. Kundërshtimet e partive të së djathtës ekstreme për kandidaturat nuk u morrën parasysh.

    Në prag të takimit të BE-së, Kryeministrja Meloni kritikoi marrëveshjen për postet e larta të institucioneve evropiane, duke thënë se ajo nuk mori parasysh vullnetin e qytetarëve të BE-së për një “Evropë më konkrete dhe më pak ideologjike.”

    Presidenti i Komisionit Evropian është përgjegjës për hartimin e politikave të Bashkimit Evropian, duke filluar nga menaxhimi i çështjeve klimatike e deri te buxheti i përbashkët i bllokut. Ndërkaq, puna kryesore e presidentit të Këshillit Evropian është të ndërmjetësojë marrëveshjet ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, ndërsa përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri përfaqëson BE-në në skenën globale.

    Takimi i të enjtes fillon me nënshkrimin e një marrëveshje për sigurinë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në shenjë mbështetjeje për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

    Ai u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që të përmbushin premtimet për të siguruar pajisje ushtarake për Ukrainën, vetëm pak ditë pasi blloku nisi negociatat për anëtarësim me qeverinë e tij.

    “Duhet të punojmë për hapat e ardhshëm. Njëra prej çështjeve urgjente është mbrojtja ajrore….Falenderoj shtetet që premtuan pajisje, armë dhe municione, por ato na duhen urgjentisht në fushëbetejë,” tha Presidenti Zelenskyy.

    Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, agjenda e takimit përpos çështjeve të mbrojtjes, përfshinë plane për të forcuar Bashkimin Evropian për t’i bërë ballë trysnive ekonomike nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe përgatitjen e bllokut për një valë të re zgjerimi, që do të përfshinte Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor.

  • Dënohet me 1 vit e 3 muaj burgim gjakovari që kërcënoi me jetë bashkëshorten e tij

    Dënohet me 1 vit e 3 muaj burgim gjakovari që kërcënoi me jetë bashkëshorten e tij

    Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur fajtor të akuzuarin A.Gj. dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënim prej 1 vit e 3 muaj burgim për veprën penale ‘Kanosja’.

    Nëpërmjet një komunikate për media, Gjykata njofton se A.Gj., akuzohej se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij, me të cilën kanë tre fëmijë nga martesa e përbashkët.

    “I pandehuri A.Gj., akuzohet se “më datën 26 maj 2024, rreth orës 18:30 në fshatin O. H., Komuna Gjakovë, brenda marrëdhënies familjare, seriozisht e kanosë të dëmtuarën/bashkëshorten e tij Xh.Gj., me të cilën është i martuar dhe ka 3 fëmijë të përbashkët, në atë mënyrë që pas problemeve të vazhdueshme në mes të dëmtuarës me të pandehurin, ditën kritike, e dëmtuara kishte shkuar tek familja e prindërve të saj për qëndrim, me ç’rast i pandehuri shkon aty, ku me ta takuar të dëmtuarën i drejtohet me fjalët “ hajde se duhet mu marr vesh”, e dëmtuara refuzon duke i thënë se nuk kam çka merrna vesh me ty, me pas i pandehuri e kanosë me fjalët “se kam me të vra” dhe nga brezi nxjerr mjetin armën/shkrepës e duke e mbajtur në drejtimin e të dëmtuarës i drejtohet përsëri me fjalët kanosëse “ kom me të myt ty dhe vëllain tuaj”, për çka tek e njëjta shkakton frikë dhe panik””, thuhet në komunikatë.

    Të akuzuarit i vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

  • ​Zyrtare: Ajet Shosholli, drejtor i përgjithshëm i Trepçës

    ​Zyrtare: Ajet Shosholli, drejtor i përgjithshëm i Trepçës

    Skuadra e Trepçës përmes një komunikate ka njoftuar për emërimin e Ajet Shoshollit si drejtor i përgjithshëm i klubit.

    Shosholli do të jetë përgjegjës për drejtimin dhe menaxhimin e përgjithshëm të klubit, duke u siguruar që të gjitha aspektet e operacioneve të jenë në përputhje me standardet më të larta të profesionalizmit dhe ekselencës, raporton KosovaPress.

    “Një figurë që ka lënë gjurmë të thella në historinë e futbollit kosovar, Shosholli sjell me vete një pasuri të madhe përvoje, vizioni dhe përkushtimi për sportin.

    Ai do të punojë ngushtë me stafin dhe lojtarët për të zhvilluar dhe zbatuar strategji që do të rikthejnë klubin në majat e futbollit kosovar dhe do të sjellin fitore të mëdha për tifozët tanë besnikë”, shkroi Trepça në komunikatën e klubit.

  • ​Pse një luftë Izrael-Hezbollah do të ishte shumë më e rrezikshme sot sesa kohë më parë?

    ​Pse një luftë Izrael-Hezbollah do të ishte shumë më e rrezikshme sot sesa kohë më parë?

    “Ne mund ta zhysim Libanin plotësisht në errësirë dhe të shkatërrojmë fuqinë e Hezbollahut brenda disa ditësh”, deklaroi të martën ish-anëtari i kabinetit të luftës izraelite Benny Gantz në një konferencë në Universitetin Reichman në Herzliya, Izrael.

    Ishte vetëm kërcënimi i fundit nga një figurë e shquar publike izraelite kundër Libanit dhe Hezbollahut teksa tensionet shpërthejnë.

    Nuk do të jetë e vështirë për Izraelin të zhysë Libanin në errësirë. Rrjeti energjetik i vendit, tashmë i gjymtuar nga dekada keqmenaxhimi dhe kolapsi ekonomik i vendit, mezi funksionon siç duhet. Disa sulme ajrore të drejtuara mirë do ta shkatërrojnë atë lehtësisht.

    Megjithatë, ndarja e pushtetit të Hezbollahut brenda disa ditësh është një detyrë shumë më e lartë.

    Që nga lufta e tij jopërfundimtare e vitit 2006 me grupin militant libanez, Izraeli ka planifikuar një ri-ndeshje.

    Edhe Hezbollahu ka kohë që po përgatitet për luftë.

    Arsenali i saj përfshin, sipas vlerësimeve izraelite, të paktën 150,000 predha dhe raketa. Izraeli vlerëson se grupi ka qëlluar tashmë 5,000 që nga tetori, që do të thotë, siç tha udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah në një fjalim javën e kaluar, pjesa më e madhe e arsenalit të tij mbetet e paprekur.

    CNN ka raportuar se zyrtarët izraelitë janë befasuar nga sofistikimi i sulmeve të grupit militant.

    Këto përfshijnë sulme të sakta sistematike në grupin e postave të vëzhgimit të Izraelit përgjatë kufirit, rrëzimin e dronëve të lartë të linjës izraelite dhe goditjet mbi bateritë e Kupolës së Hekurt të Izraelit dhe mbrojtjen kundër dronëve. Ndoshta surpriza më e madhe për Izraelin, megjithatë, ishin nëntë minuta filmime me dron të publikuara në internet nga Hezbollah për infrastrukturën civile dhe ushtarake shumë të ndjeshme në dhe rreth qytetit verior të Haifës. /CNN/

  • Kushtetuesja merr këtë vendim për Ligjin për investime të qëndrueshme

    Kushtetuesja merr këtë vendim për Ligjin për investime të qëndrueshme

    Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të enjten për Ligjin për Investime të Qëndrueshme, i cili është dërguar në gjykatë nga Ferat Shala mbështetur dhe nga nëntë deputetë tjerë të PDK-së.

    Sipas vendimit të gjykatës është konstatuar se ligji në fjalë nuk ka shkelje në nenet 21, 35, 52 dhe 53, të cilat janë kontestuar nga deputetët e PDK-së.

    “Gjykata, ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, njëzëri, që nenet 21 (Këshilli), 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit), 52 (Dispozitat kalimtare) dhe 53 (Shfuqizimi) të Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2 të nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës; dhe (iii) njëzëri, të shpallë që, në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në vendimin e Kushtetueses”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

    Kuvendi i Kosovës, një vit më parë ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për investime të qëndrueshme.

  • ​S’ka kuorum, nuk vazhdon seanca plenare

    ​S’ka kuorum, nuk vazhdon seanca plenare

    Në mungesë kuorumi, nuk është vazhduar seanca plenare. Të pranishëm në sallën alternative ku është mbajtur seanca e sotme, kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Paraprakisht, deputetët e partive opozitare kanë lëshuar sallën plenare meqë nuk është mbështetur kërkesa për tërheqjen e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionit të Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kjo seancë do të vazhdohet javën e ardhshme.

    “Siç duket nuk do ta kemi kuorumin për sot, kështu që këtë seancë e vazhdojmë javën e ardhshme”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.

    Në seancën e sotme plenare ishin paraparë mbi 30 pika të rendit të ditës.

  • ​Arrestimi i spiunit të tretë, Musliu: Vlajiq – pjesë e BIA-s, pati lidhje edhe me Policinë e Kosovës

    ​Arrestimi i spiunit të tretë, Musliu: Vlajiq – pjesë e BIA-s, pati lidhje edhe me Policinë e Kosovës

    Serbi i arrestuar dje, Aleksandar Vlajiq ka pasur lidhje edhe me organizata ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe mediat serbe, ka thënë eksperti i çështjeve të sigurisë Agim Musliu.

    Drejtori i Institutit Octopus, ka nënvizuar se pas arrestimit të spiunit të BIA-s, do të dihet pse një pjesë e shoqërisë serbe në Kosovë kanë raportuar negativisht për jetën multi etnike në Kosovë.

    “Së shpejti do të dihet pse një pjesë e shoqërisë civile serbe në Kosovë ka qenë kaq destruktive, duke raportuar negativisht për jetën multietnike në Kosovë!

    Prisni derisa të vërtetohet kjo, kur do të gjykohet agjenti i shërbimit sekret serb, Aleksandar Vlajiq!

    Vlajiq, si pjesë e BIA-s Serbe, jo vetëm që mori inteligjencë nga disa përfaqësues të OJQ-ve serbe, por këto OJQ gjithashtu shërbyen si agjentë të ndikimit për narrativën e BIA-s.

    Spiuni i BIA-s ka pasur lidhje edhe me organizata ndërkombëtare në veri të Kosovës, me Policinë e Kosovës, mediat serbe etj.”, ka shkruar Musliu.