ATV

Author: ATVLive

  • Ku mbetën të moshuarit pas mbylljes së qendrës në Pejë?

    Ku mbetën të moshuarit pas mbylljes së qendrës në Pejë?

    Dhjetëra të moshuar nuk dinin se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre pasi institucioni ku ata po qëndronin u mbyll nga shteti. Autoritetet në Kosovë nuk u bënë vend të moshuarve, ndërsa familjarët ankohen se patën vështirësi për sistemimin e tyre, pasi që në vendimin për qendrën “Orenda”, në Pejë, thuhej se e njëjta duhet të mbyllet për 24 orë.

    Gati dy vjet më parë, autoritetet në Kosovë kësaj qendre ia morën licencën pas publikimit të një videoje që tregonte se si keqtrajtohej një e moshuar nga infermieret.

    Valter Gjeloshi, i cili jeton në Amerikë e kishte vendosur babain e tij në këtë qendër për të moshuar. Ai ishte një nga 29 të moshuarit që qëndronin në këtë institucion deri në fund të vitit 2022.

    Gjeloshi tregon për KosovaPress, se asnjë qendër nuk ka qenë e hapur atë kohë për sisteminin e babait të tij.

    “Ka qëndruar këtu në Amerikë për gjashtë muaj derisa kemi gjetur një vend tjetër për ta dërguar, por gjashtë muaj ka zgjatur derisa kemi gjetur një vend tjetër për ta dërguar….Nuk kemi pasur asnjë kontakt me institucionet, as me shtet, as me askënd, nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Vetëm kemi qenë të informuar brenda dy ditëve që të tërheqim nga ‘Orenda’”, tregon ai.

    Prindi i tij tashmë po qëndron në një qendër për të moshuar në Istog, por Valteri shprehet i pakënaqur me mënyrën se si ishte detyruar ta tërheq babain nga qendra paraprake.

    “Që ta tërheqësh plakun brenda dy ditëve nuk ndodhë askund në botë pa e bërë një zgjidhje ose se çka duhet të veprohet me të moshuarit. Natyrisht ka qenë një gjë që unë kam qenë aty, por nëse nuk do të isha aty, plaku ynë do të kishte mbetur në rrugë, sepse nuk ka pasur askush që të shkojë ta marrë, e gjithë familja jetojmë jashtë”, shton ai.

    KosovaPress ka tentuar të mësojë nga Ministria e Financave, Punës dhe Trasfereve për hapat që kishin ndërmarrë pas mbylljes dhe nëse kanë informacione lidhur me të moshuarit, por kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

    Informacione zyrtare nuk ka as Komuna e Pejës, meqë zëdhënësi, Faik Zekaj thotë se nuk është kompetencë e tyre.

    “Informacione të sakta nuk kemi që të na njoftojnë zyrtarisht, për shkak se ai e ka procedurën me Ministrinë e Financave, nuk e ka me Komunën e Pejës. Në komunë e ka marrë vetëm objektin në shfrytëzim, në ankand publik e ka rinovuar, e ka rregulluar dhe e ka bërë si shtëpi të pleqve. Tash sipas informatave, një pjesë i kanë marrë familjarët e tyre, një pjesë është një shtëpi e pleqve në Zahaq, komplet një shtëpi private, kemi informata por jo zyrtare, kështu që saktësisht se çfarë ka ndodhur ne si komunë nuk kemi saktë informacione. Kemi si drejtori e Mirëqenies Sociale, por tash për këtë kohë nuk kemi informata se ku janë”, deklaron ai.

    Pas mbylljes së Orendës, Qendra për Kujdesin ndaj të Moshuarve në Zahaq të Pejës, kishte marrë shumë kërkesa nga familjarët për vendosjen e të moshuarve. Pronari Liridon Kastrati thotë se kapacitetet kanë qenë vetëm për dy të moshuar.

    “Në momentin kur ka ndodhur rasti i Orendës, ne nuk kemi pasur hapësirë shumë, dy vende të lira i kemi pasur dhe kërkesat në atë moment kur ka ndodhur rasti, kanë qenë shumë të mëdha, mirëpo nuk kemi pasur mundësi që t’i pranojmë për shkak të vendit. Dy banorë të cilët janë pranuar nga qendra ‘Orenda’, kanë ardhur dhe me pranim të rregullt si të gjithë banorët që pranohen me kërkesa të familjarëve….Ka qenë dy-tri ditë pas rastit që ka ndodhur, kanë qenë kërkesa më intensive më të mëdha, por edhe gjatë kohës pas një muaji por janë edhe sot kërkesa në rritje për regjistrimin e tyre (për banorë të rinj)”, thekson ai.

    Pronari i qendrës për të moshuarit “Orenda”, në Pejë, Anton Rasaj e konsideron të padrejtë mbylljen e institucionit që ai e drejtonte.

    “Pas vendimit për mbylljen e Orendës për 24 orëve e kanë marrë të premten në orën 16:00, ku kërkohet që brenda 24 orëve të gjithë banuesit janë të detyruar të dalin nga Orenda, këtu ndodhë krimi i dytë njerëzor ndaj të drejtave të njeriut nga qeveria jonë e tanishme apo nga personat përgjegjës në Ministrinë e Financave, sepse në asnjë institucion nuk ekziston mundësia që brenda 24 orëve banuesit të jenë të detyruar të lëshojnë vendstrehimin apo institucionin tonë ‘Orenda’. Unë i kam informuar familjarët, familjarët kanë qenë kategorisht kundër tërheqjes së familjarëve nga ‘Orenda’. Na kanë përkrahur tërë kohën, i kam edhe faktet, edhe shkresat, kemi edhe peticione të familjarëve të cilët janë kundër tërheqjes së familjarëve të tyre nga ‘Orenda’”, shprehet ai.

    Ai beson se do ta rikthejë licencën e punës, meqë konsideron se në këtë rast është bërë “komplot shtetëror”.

    “Ky është një vendim arbitrar, i gjithë rasti çfarë ka ndodhur, pa marrë parasysh që dhuna është dhunë dhe duhet të vlerësohet dhe kritikohet nga të gjithë njerëzit normal, ky është një komplot shtetëror. Ky është krim ndaj një institucioni që është bërë me marrjen e licencave. Licencat nuk merren për veprime vetanake, personale. Hetuesia e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, ndaj tri infermiereve për veprën e tyre të pahijshme, që duhet të kritikohet nga të gjithë ne edhe nga Orenda. Ne masat i kemi marrë atë ditë kur kemi dëgjuar që ekziston një video dhe ka ndodhur një dhunë. Ato janë suspenduar nga puna dhe ne përgjegjësinë tonë dhe detyrën tonë morale dhe institucionale e kemi kryer. Ato akuzohen për sulm të organizuar, institucioni nuk ka të bëjë me dhunën e një individi”, deklaron ai për KosovaPress.

    Rasaj tregon se ka bërë katër padi ndaj institucioneve dhe njerezve të përfshirë në këtë rast, por që nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi thotë se provat tregojnë për fajësinë e tre personave, të cilat brenda disa sekondave kanë goditur disa herë të moshuarën.

    “Ky rast fillimisht është hetuar në mënyrë intensive nga Prokuroria Themelore në Pejë, ku në afatin optimal është ngritur aktakuza ndaj tre personave të pandehur, të cilët në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘sulmi’ ndaj të moshuarës tani të ndjerë. Për këtë çështje është mbajtur shqyrtimi fillestar, ndërkaq jemi në pritje të thirrjes së gjykatës për të vazhduar shqyrtimi gjyqësor, ku këtë shqyrtim Prokurori i Shtetit do të paraqes provat, do të propozojë dëshmitarë…Ku me deklarimet e tyre dhe me provat që ka Prokurori i Shtetit, do të argumentohet fajësia e kryerjes së kësaj vepre penale ndaj tre personave të pandehur, ku do të bindet edhe trupi gjykues që të njëjtit kanë kryer këtë vepër penale dhe duhet të shpallin fajtor sipas ligjit”, shprehet ai.

    Në vendimin e marrjes së licencës së qendrës “Orenda”, ndër të tjera përmenden këto arsye: menaxhmenti ka dështuar në menaxhimin dhe monitorimin e ofrimit të shërbimeve për rezidentët e vendosur në këtë shtëpi, menaxhmenti nuk është kujdesur për zbatimin e plotë të standardeve minimale gjatë ofrimit të shërbimeve brenda kësaj shtëpie, sipas publikimeve në mediat e shkruara dhe elektronike, përveç abuzimit dhe dhunës së ushtruar ndaj rezidentës M.N, infermieret e involvuara në këtë rast, kanë bërë shkelje ligjore në ofrimin e shërbimeve sociale dhe shkelje të Kodit të Etikës për Shërbime Sociale dhe Familjare.

  • “Ne ndikojmë në zhvillimin e vendit”, bizneset kërkojnë përkrahje nga shteti

    “Ne ndikojmë në zhvillimin e vendit”, bizneset kërkojnë përkrahje nga shteti

    Në mungesë të përkrahjes nga shteti, bizneset e vogla në Kosovë po i shfrytëzojnë panairet për të promovuar produktet e tyre. Ata thonë se ndikimi i këtyre bizneseve është i madh në zhvillimin ekonomik të vendit, derisa paraqesin nevojën për mbështetje institucionale.

    Këto biznese tregojnë se interesimi i qytetarëve për produktet e tyre është i kënaqshëm, derisa shtojnë se edhe çmimet janë të arsyeshme.

    Në panairin “Ekspos Deçani”, morën pjesë disa biznese nga vende të ndryshe të Kosovës, por edhe nga rajoni.

    Përfaqësuesja e ëmbëltores “Cakes by Darina” nga Istogu, Kaltrina Arifaj tregoi se në këtë panair po marrin pjesë e disa lloje të ëmbëlsirave, por theksin e vë tek çokollata e Dubait. Për blerjen e këtij produkti, ajo potencoi se kërkesat po shënojnë rritje.

    Përmes ekspozimit të artikujve në panair, Arfiaj pret që të rritet numri i klientëve, si dhe bashkëpunimi me biznese të tjera.

    Ajo tha se duhet të ketë përkrahje nga shteti për bizneset e vogla, pasi sipas saj, ato kanë ndikim kyç në zhvillimin e vendit.

    Ndërkaq, Besnik Tahirukaj në “Ekspos Deçani”, mori pjesë me disa lloje të mjaltit. Ai i tregoi edhe çmimet e tyre, derisa u shpreh se nuk është e mjaftueshme mbështetja e shtetit për zhvillimin e biznesit të tij.

    Përveç bizneseve nga Kosova, në këtë panair morën pjesë edhe ato nga komuna e Pukës, Lezhës dhe Ulqinit.

    Ardina Nikaj, asistente në një nga shoqatat për zbutje të varfërisë në qytetin e Pukës, mori pjesë në panair me disa produkte reçeli, bimë medicinale dhe pije alkoolike.

    Ajo potencoi se çmimet i produkteve të ekspozuara janë të arsyeshme për vlerën që kanë. Nikaj tregoi se reçelet me bimë të buta kushtojnë 2 euro, ndërsa ata me bimë të egra 3 euro.

    Nikaj theksoi se panairet janë frytdhënëse për bizneset, ngase u mundësohet reklamimi i produkteve.

    Panairi tradicional veror “Ekspos Deçani” u mbajt për herë të 13-të dhe ishte i hapur dy ditë.

  • Serwer: Nevojitet riformatimi i dialogut, Lajçak ka dështuar

    Serwer: Nevojitet riformatimi i dialogut, Lajçak ka dështuar

    Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer, thotë për KosovaPress, se është i nevojshëm riformatimi i dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka dështuar pasi palët s’po e zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit dhe si të tilla janë jo efektive. Ai kritikon në veçanti Serbinë që s’po pranon të nënshkruajë marrëveshjen dhe po e mohon vazhdimisht të njëjtën.

    Analisti amerikan kërkon nga Bashkimi Evropian largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa thekson nevojën që sa me shpejtë përgjegjësit e sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit të vihen para drejtësisë. Krahas këtyre, ai deklaron se raportet Kosovë-ShBA janë në një kohë të vështirë, mirëpo shton s’ka ndryshuar asgjë sa i përket qëllimeve për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

    Njohësi amerikan i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor thotë për KosovaPress, se në kuadër të riformatimit të dialogut duhet të shkohet më shumë drejt përafrimeve në çështje praktike në teren, sesa drejt normalizimit politik.

    Megjithëse deklaron se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e njeh Ballkanin Perëndimor më shumë se çdo diplomatë që ka shërbyer në rajon, sipas tij i njëjti ka dështuar në dialog.

    Profesori amerikan e konsideron të domosdoshme largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Duke folur për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, Serveri thotë se përgjegjësi i këtij sulmi, Milan Radoiçiq duhet të dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë.

    Sa i përket raporteve Kosovë-ShBA, analisti amerikan thotë se rrethanat kanë qenë pak të vështira në këtë kohë, mirëpo siç deklaron ai s’ka ndryshuar asgjë nga objektivat amerikane për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

    Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar gjatë kësaj jave në Bruksel, në kuadër të dialogut, mirëpo ai ka zhvilluar takim vetëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nuk është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    Kurti para se të takohet me Vuçiq ka kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, tërheqjen e letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq ndaj vendeve të BE-së se nuk zbatojnë nene të caktuara të marrëveshjes dhe dorëzimin e Radoiçiq organeve të drejtësisë në Kosovë.

  • Lëndohen dy punëtorë në Ferizaj, policia jep detaje

    Lëndohen dy punëtorë në Ferizaj, policia jep detaje

    Dy punëtorë janë lënduar dje (e shtunë) në Ferizaj derisa ishin duke punuar në një banesë në ndërtim e sipër. Policia e Kosovës njofton se viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Rr. Gzim Sahiti, Ferizaj 29.06.2024 – 11:00. Raportohet se dy viktima meshkuj kosovarë, kanë pësuar lëndime trupore derisa kanë qenë duke punuar në një banesë në ndërtim e sipër. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Kosova me shkallë të lartë të varfërisë, Sadiku: Rritja ekonomike e pamjaftueshme

    Kosova me shkallë të lartë të varfërisë, Sadiku: Rritja ekonomike e pamjaftueshme

    Varfëria, mungesa e fuqizimit të sektorit prodhues, mospërkrahja e bizneseve, ngadalësimi i rritjes ekonomike në vend, janë disa nga problemet që po ballafaqohet Kosova 25 vjet pas çlirimit. Profesori universitar, Muhamet Sadiku derisa kërkon nga qeveria më shumë reforma në çështjet që ndikojnë në ekonominë, thotë se Kosova vazhdon për vite të tëra të përballet me probleme të njëjta.

    Në një intervistë për KosovaPress, profesori Sadiku thotë se derisa të gjitha vendet kanë bërë indeksimin e shpenzimeve sociale, e të pensioneve, Qeveria e Kosovës nuk ka lëvizur në këtë aspekt, për çfarë thotë se kjo ka ndikuar që të mos zhvillohet ekonomia e vendit.

    Sipas Sadikut, në vend mungon ndjesia për zhvillim social, i cili thotë, se Kosova vazhdon të ketë problemet e njëjta edhe në shëndetësi, arsim dhe në sektorë të tjerë.

    Derisa flet për ngecjet ekonomike, Sadiku rendit problemet që po ballafaqohet vendi në aspektin ekonomik, dhe shton se sfidë mbetet edhe bilanci tregtar negativ. Në këtë drejtim vlerëson se Kosova duhet të fuqizojë sektorin eksportues.

    Ai mes tjerash, nënvizon se Kosova vazhdon të përballet me problemn e varferisë, për cfarë thotë se shteti duhet të përmirësojë qeverisjen me rritje ekonomike.

    Në anën tjetër, ai thotë se shqetësuese mbetet edhe rënia e investimeve të huaja.

    Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rritje ekonomike për Kosovën në 3.8 për qind në vitin 2024. Sipas FMN-së, kjo normë e rritjes në vitin 2023 ishte 3.3 për qind.

  • Autostrada Thumanë-Kashar hapet sot, Rama: Na shërben të gjithëve dhe turizmit

    Autostrada Thumanë-Kashar hapet sot, Rama: Na shërben të gjithëve dhe turizmit

    Prej orës 19:00 të ditës së sotme (e diel), aksi rrugor Thumanë-Kashar në Shqipëri do të jetë i hapur për të gjithë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama teksa ka ndarë pamjet me dron nga rruga e përfunduar, shkruan në Facebook se ky aks rrugor do t’u shërbejë të gjithëve dhe turizmit.

    “…dhe me këtë fluturim mbi Thumanë-Kashar për të shijuar atë që është ndërtuar në tokë, një aks rrugor që na shërben të gjithëve dhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit duke qenë i aksesueshëm për të gjithë nga sot prej orës 19:00, ju uroj të diel të mbarë”, ka shkruar Rama në Facebook.

  • Intervistohen dy persona nga policia pasi u kacafytën në Gazimestan

    Intervistohen dy persona nga policia pasi u kacafytën në Gazimestan

    Dy persona janë intervistuar të shtunën, më 29 qershor, nga policia pasi dyshohet se janë kacafytur me njëri-tjetrin në Gazimestan, më 28 qershor.

    Në raportin 24 orësh thuhet se personat në fjalë janë parë duke u kacafytur në një video të publikuar në rrjete sociale.

    Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

  • Fluks i lartë udhëtarësh nga Kosova drejt bregdetit

    Fluks i lartë udhëtarësh nga Kosova drejt bregdetit

    Fluks i lartë pushuesish nga Kosova, të cilët këtë fundjavë kanë zgjedhur bregdetin.

    ABC News raporton se vargu i gjatë i automjeve, kryesisht pushues ditor nga Kosova në këtë ditë të fundit të qershorit janë drejtuar zonave bregdetare.

    Pas udhëtimit në Rrugën e Kombit, vargu i gjatë i automjeteve pranë kryqëzimit në Fushë Milot përballen me një trafik të renduar. Pushuesit më pas i drejtohen zonave të preferuara të bregdetit për të kaluar fundjavën.

    Me hapjen e rrugës Thumanë-Kashar pasditen e së dielës për turistët vendas dhe të huaj, pritet një përmirësim i ndjeshëm i lëvizjes së pushuesve që preferojnë të vizitojnë bukuritë e natyrës shqiptare gjatë këtij sezoni turistik.

  • Nga janari deri më sot, AUV asgjësoi 400 mijë kilogram produkte

    Nga janari deri më sot, AUV asgjësoi 400 mijë kilogram produkte

    400 mijë kilogram produkte të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum, janë asgjësuar me vendim nga Agjencia Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë institucion.

    Thaçi ka thënë se krahas mungesës së kushteve për konsum, janë larguar edhe për shkak të mungesës së dokumentacionin e origjinës.

    “Në planet nacionale, ne fokusin e kontrollit me inspektim e kemi në sezonën e verës e kemi në produktet që kërkojmë kushte të ruajtjes. Kemi pasur raste ku në produktet e caktuara të cilat janë hasur duke u ruajtur në kushte jo adekuate, menjëherë janë largu nga tregu dhe janë asgjësuar dhe ndaj palës është iniciuar fletëparaqitje për gjykatë. Edhe këtë vit kemi pasur produktet që janë larguar në disa raste arsyeja ka qenë ruajtje jo adekuate dhe sasia e përgjithshme e asgjësimit për këtë vit e kalon rreth 400 mijë kilogram. Nuk është vetëm për shkak të kushteve të ruajtjes por ka me lajmërimin e vet bizneseve për arsye të ndryshme, mungesë dokumentacioni, origjine të cilat kanë rezultuar analizave që nuk është për konsumim”, ka thënë Thaçi.

    Thaçi në këto temperatura të larta, ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes permanent në produktet ushqimore. Ai ka deklaruar se të gjithë produktet që janë në treg janë të inspektuara dhe janë të sigurta për konsumim.

    “Të gjithë konsumatorët sigurisht duhet të ushtrojnë kujdes sidomos në produkte që i blejnë, sidomos në atë që kërkojnë kushte adekuate të ruajtjes apo regjim frigoriferik. Secili produkt e ka të shkruar në deklaracionin e vet edhe elementin e kushteve të ruajtjes që gjithmonë përveç ne si autoritet në kontrollin zyrtar e kemi gjithmonë në fokus qendror gjatë verës për kontroll, njëjtë duhet të veprojnë edhe konsumatorët, sepse nga momentin që ata blejnë produktin gjithmonë është në përgjegjësinë e tyre për ta ruajtur produktin deri në momentin që ata konsumojnë. Produktet që kërkojnë kushte apo regjim të ruajtjes që janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta. Në secilin rast në kushte mund të vije deri tek kontaminimi i tyre”, deklaroi Thaçi.

    Tutje, Thaçi ka thënë se nuk ka ndonjë kategori të caktuar se çka duhet eliminuar në stinën e verës, mirëpo ai tha se të gjitha produktet që janë të ndjeshme duhet të ruhen në temperatura adekuate.

    “Nuk mund të jap një kategori të gjitha ato që kërkojnë kushte të ruajtjes ato duhet të ruhen përderisa i kanë të shkruar kushtet e ruajtjes, nënkupton se jetëgjatësia e tyre është e vlefshme dhe i sigurt me atë jetëgjatësi që është shkruar nëse ai është ruajtur në kushte adekuate. Përderisa jemi autoritet qendror secili produkt që është në treg është i sigurt sepse nëse s’do të ishte ai produkt i sigurt ne do ta largonim nga tregu, por gjithmonë gjatë regjimit apo dietës së ushqyerit gjithmonë konsumatorët duhet të ushtrojnë kujdes. Sepse produkte pa marrë parasysh kategorinë e tyre dhe sezonën e tyre në momentin që janë në treg janë të kontrolluara dhe janë të sigurt për konsumatorët”, ka thënë ai.

    Krahas temperaturave të larta, inspektimi nga AUV nuk mungon, sipas Thaçit gjithmonë dalin në inspektim për të parë gjendjen faktike në terren dhe çdo parregullsi është vepër penale.

    “Në secilin inspektim gjithmonë e shkruan gjendjen faktike në terren. Kushdo që vendos produktet të dyshimta edhe në kodin penal edhe me ligje të tjera përcaktohet që të ketë ndjekje penale ndaj tij apo të shqiptohet gjobë mandatore. Kjo është sipas vlerësimit të inspektonit në terren, në rastin kur është vlerësuar se në terren është vendosur një produkt në treg që është i dyshimte ai e inicion fletë paraqitjen në gjykatë. Pastaj Gjykata është ajo që e peshon fajin dhe ndëshkimin”, shtoi ai.

  • Franca mban zgjedhjet parlamentare

    Franca mban zgjedhjet parlamentare

    Në Francë janë hapur qendrat e votimit për rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat mund ta sjellin në pushtet partinë e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, për herë të parë në histori.

    Me luftën e Rusisë kundër Ukrainës që është në muajin e tretë dhe me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimit, mbështetja për partinë Tubimi Kombëtar – që është kundër migrantëve dhe është euroskeptike – është rritur, pavarësisht zotimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, se do të parandalojë ngritjen e kësaj partie.

    Qendrat e votimit në mbarë Francën u hapën në ora 08:00 dhe do të mbyllen 12 orë më vonë. Pas mbylljes së votimeve do të nisë publikimi i projeksioneve, që rëndom parashikojnë rezultatin me një shkallë të saktësisë.

    Votuesit në territoret e tjera franceze në mbarë botën votuan më herët gjatë fundjavës. Rreth 49 milionë persona kanë të drejtë vote.

    Zgjedhjet për 577 ulëset e Asamblesë Kombëtare janë një proces me dy runde. Përbërja e Parlamentit të ri do të bëhet e qartë vetëm pas rundit të dytë që do të mbahet më 7 korrik.

    Shumica e sondazheve thonë se Tubimi Kombëtar i Le Pen është në rrugën drejt fitimit të më së shumti ulëseve në Asamblenë Kombëtare – Dhomës së Ulët të Parlamentit – edhe pse ende mbetet e paqartë nëse kjo parti do të fitojë një shumicë të plotë.

    Parashihet që dalja në zgjedhje të jetë e lartë dhe sondazhet e fundit kanë thënë se partia e Le Pen do të fitojë në mes të 35 për qind deri në 37 për qind të votave, aleanca e Frontit të Ri Popullor e krahut të majtë parashihet të marrë 27.5-29 për qind, dhe kampi centrist e Macronit 20 deri në 21 për qind.

    Nëse Tubimi Popullor fiton një shumicë absolute, kryetari i partisë, Jordan Bardella, 28 vjeç, mund të bëhet kryeministër i ri i shtetit, në një “bashkëjetesë” të tensionuar me Macronin.

    Vendimi i Macronit për të thirrur zgjedhje të parakohshme erdhi pasi Tubimi Kombëtar doli mirë në zgjedhjet Parlamentare që u mbajtën këtë muaj, duke habitur miqtë dhe armiqtë dhe nxitur paqartësi në ekonominë e dytë më të madhe të Evropës.

    Gjatë fushatës zgjedhore ka pasur rritje të gjuhës së urrejtjes, jotolerancës, dhe racizmit. Madje, në një tubim të partisë së Le Pen, mbështetësit kanë sulmuar verbalilisht një grua me ngjyrë.

    Macron, ndërkaq ka dënuar “racizmin apo antisemitizmin”. Por, mbështetja për kampin centrist të Macronit ka rënë dhe partitë e krahut të majtë tejkaluan mosmarrëveshjet e tyre dhe u bashkuan për të garuar në kuadër të Frontit të Ri Popullor.

    Analistët kanë thënë se përpjekjet shumëvjeçare të Le Pen për të përmirësuar imazhin e partisë së saj, të bashkëthemeluar nga një ish-anëtar i një grupi nazist, janë shpaguar.

    Kjo parti ka premtuar se nëse fiton pushtetin do të forcojë fuqinë blerëse, do të frenojë emigrimin dhe do të forcojë sundimin e ligjit.

    Macron ka paralajmëruar votuesit se një fitore nga ekstremi i djathtë apo nga e majta e fortë, mund të nxisë një “luftë civile”.

    Ai ka insistuar se do të çojë deri në fund mandatin e tij të dytë presidencial – që përfundon më 2027 – pavarësisht se cila parti fiton zgjedhjet. /REL/