ATV

Author: ATVLive

  • Shtyhet afati për vendosjen e fotografive në pakot e cigareve

    Shtyhet afati për vendosjen e fotografive në pakot e cigareve

    Përgatiti: Armand Hoti

    Vetëm forma e shkruar vazhdon t’ua tërheqë vërejtjen konsumuesve të duhanit.

    Ministria e Shëndetësisë e ka shtyrë afatin që pakot e cigareve të kenë patjetër fotografitë me dëmet shëndetësore nga duhanpirja.

    Udhëzimi Administrativ që e rregullon dizajnin e ri kishte hyrë në fuqi në shtator të 2023-ës, ndërsa nga muaji mars i vitit aktual, të gjitha produktet e duhanit që importohen në Kosovë, do të duhej t’i kishin të stampuara vërejtjet e kombinuara.

    Por tash Ministria u dha kohë shtesë importuesve deri në shtator të këtij viti.

    “Të gjitha produktet e duhanit të cilat importohen apo prodhohen për tregun e Republikës së Kosovës, nga 1 shtatori 2024, duhet të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara në këtë Udhëzim Administrativ”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë.

    Ndërsa, nga shtatori, pakot me dizajn të vjetër që kanë mbetur në stoqet brenda Kosovës, do të mund të shiten për gjashtë muaj.

    “Të gjitha produktet e duhanit të cilat qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, nga 1 marsi 2025, duhet të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara në këtë Udhëzim Administrativ, thuhet më tej në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë.

    Nga Dogana e Kosovës thonë se afati u shty, meqë industria e duhanit ende nuk është gati t’i aplikojë udhëzimet e Ministrisë.

    “Duke qenë se shumica e prodhuesve nuk kanë qenë në mundësi të përgatisin linjat e prodhimit për të përmbushur kërkesat e udhëzimit në fjalë, Ministria e Shëndetësisë me UA Nr. 02/2024 për plotësim-ndryshim të UA të lartcekur (Shëndetësisë) Nr. 05/2023 për Vërejtjet e Kombinuara, i cili ka hyrë në fuqi me datën 25.04.2024, e ka shtyrë zbatimin e Udhëzimit”, thuhet në përgjigjen nga Dogana E Kosovës.

    Shkumbin Spahiu nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë, thotë se shtyrja e afatit u bë pas lobimit të prodhuesve të duhanit.

    “Megjithatë, është një lajm i mirë se ky do të hyjë në fuqi, në shtator të vitit 2024, dhe është një lajm i mirë që popullata në Kosovë, veçanërisht fëmijët mund të njoftohen për dëmet që shkaktojnë këto produkte”, tha Spahiu.

    Sipas Udhëzimit Administrativ, vërejtja e kombinuar duhet të mbulojë 65% të sipërfaqes së dukshme të anës së përparme dhe po aq në pjesën e pasme të paketimit.

    Nëpër pako do të vendosen 10 fotografi të ndryshme, me pasojat që mund t’i sjellë pirja e duhanit në shëndetin e njeriut.

  • Qeveria paguan 27 mijë euro për kontratën e pranverës për pastrim të borës

    Qeveria paguan 27 mijë euro për kontratën e pranverës për pastrim të borës

    Përgatiti: Arton Hamiti

    26 mijë e 677 euro është totali i faturës që e ka paguar Ministria e Infrastrukturës, për mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale, në katër komunat veriore të Kosovës.

    Vlera totale e kontratës ishte 138 mijë euro, por ministria nuk kishte arritur ta nënshkruajë atë me kohë.

    Ndonëse, pjesa kryesore kishte të bënte me pastrimin e borës, kontrata ishte nënshkruar kah fundi i dimrit, më 28 shkurt, ndërsa filloi zbatimin në mars.

    Në faturën të cilën e ka siguruar televizioni, ani pse pati vetëm një herë reshje të vogla bore, për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja dimërore” figuron se janë paguar pak mbi 12 mijë euro.
    Pjesa më e madhe prej 7800 euro është paguar për pozicionin “Koha e kujdestarisë”, e cila ishte ofertuar me 65 euro për 24 orë, për çka janë llogaritur 120 ditë.

    Në dokument nuk është dhënë ndonjë sqarim se pse është paguar kujdestari për 120 ditë edhe pse deri në mes të prillit kishin kaluar më pak se 50 ditë nga zbatimi të kontratës.

    Ministria kishte paguar edhe rreth 3500 euro për 50.350 kilogramë kripë, nga 7 cent për kilogram. Ndërkaq, 9 mijë e 350 u ekzekutuan për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja verore”.
    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pohoi se gjatë këtyre muajve nuk kishte shumë reshje të borës në katër komunat veriore. Megjithatë, ai tha se për këtë çështje duhet pyetur Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve.

    AUDIO: HYSEN DURMISHI, ZV.MINISTËR I INFRASTRUKTURËS
    “Po, po atje ka pasë shumë pak reshje prej kohës kur është nënshkruar kontrata, por nëse ju i keni dërgu pyetjet duhet Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve me ju përgjigj”, tha Durmishi.

    Ndërsa, Agron Beshiri, menaxher i kontratës nga Autoriteti Kontraktues, dërgoi raportin e punës në kuadër të kësaj kontrate. Ai tha se kontrata me kompaninë “Shkoza F007” ka filluar zbatimin në fillim të muajit mars.

    “Meqenëse në muajin mars temperatura ka shënuar mbi 0°, aktivitetet e intervenimit ku përfshihen: pastrimi i borës, hedhjes së kripës dhe rërës, kanë qenë thuajse të panevojshme me përjashtim të datës 30 mars 2023. Vlera financiare për punët e kryera gjatë muajit mars ka qenë 26.677 euro. Përqindja e realizimit del të jetë 19,26%”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Infrastrukturës.

    Beshiri, mes tjerash siguroi se, përveç kësaj pagese, nuk do të ekzekutohet asnjë tjetër.

    Për të marrë përgjigje rreth zbatimit të kësaj kontrate, ATV-ja kishte kontaktuar dy herë edhe kompaninë “SHKOZA F007”, por personi përgjegjës e kishte bllokuar numrin, posa kuptoi që po thirrej nga një gazetar. Kompania nuk është përgjigjur as në rrjetet sociale.

  • Një vit me “masën e sigurisë”, importi nga Serbia bie për 68%

    Një vit me “masën e sigurisë”, importi nga Serbia bie për 68%

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në 12 muaj të plotë, qëkur Kosova vendosi masën e sigurisë – si reagim pas rrëmbimit nga Serbia të tre policëve kufitarë – importi nga ky shtet shënoi rënie për 68% në raport me vitin 2022.

    Vlera e përgjithshme e mallrave serbe që hynë në vend, nga Qershori i vitit të kaluar deri në fund të Majit, është rreth 117 milionë euro.

    Ndërsa, më 2022, bazuar në raportet publike të Doganës, vlera e përgjithshme e importit nga Serbia ishte rreth 370 milionë euro.

    Pa dhënë shifra konkrete, në një përgjigje për ATV-në, Dogana njoftoi se Turqia është shteti nga i cili Kosova importoi më së shumti vitin e kaluar, pasuar nga Gjermania, Kina, Greqia dhe Shqipëria.

    Ndër vite, Serbia ishte në krye të listës ose në mesin e pesë shteteve që sillnin më së shumti mallra në Kosovë.

    Pa dhënë detaje, Qeveria njoftoi se masa e sigurisë nuk ka ndryshuar.

    Muajin e kaluar, ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, teksa përmendi lirinë e lëvizjes së mallrave në kontest të parimeve bazë të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, inkurajoi Kosovën që “të heqë ndalesën” për importin nga Serbia.

    Por, ekzekutivi njoftoi se nuk ka asnjë kërkesë si kushtëzim, për këtë masë, që ndërlidhet me përfitimet eventuale nga plani në vlerë totale, 6 miliardë euro.

    Në periudhën Nëntor 2018 – Nëntor 2019, apo 12 muajt e parë të aplikimit të taksës 100% ndaj mallrave serbe, importi nga ky shtet ishte 8 milionë euro, një rënie për 98% krahasuar me vitin paraprak – kur totali ishte 440 milionë euro.

  • MPJD synon funksionalizimin e inspektorit diplomatik

    MPJD synon funksionalizimin e inspektorit diplomatik

    Përgatiti: Armand Hoti

    Misioneve diplomatike të Kosovës, mund t’u shtohet një mekanizëm i ri inspektues.

    Ministria e Punëve të Jashtme, synon ta funksionalizojë postin e inspektorit diplomatik.

    “Misionet diplomatike dhe postet konsullore kanë për obligim t’i përgjigjen inspektorit diplomatik gjatë gjithë procesit të inspektimit, duke i ofruar qasje të papenguar në të gjitha hapësirat e përfaqësisë diplomatike dhe/ose konsullore, si dhe dokumentacionin e nevojshëm”, thuhet në Projekt-Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.

    Referuar projekt-ligjit për Shërbimin e Jashtëm, inspektori diplomatik, mes tjerash, ka kompetencë edhe ta intervistojë personelin e misionit të jashtëm.

    Ndërkaq, në rast të evidentimit të ndonjë shkeljeje ligjore, inspektori i rekomandon Ministrit apo Sekretarit të Përgjithshëm, marrjen e masave ndaj diplomatëve.

    Por profesori i diplomacisë, Valon Murtezaj, thotë se llupa inspektuese e misioneve të jashtme, nuk duhet të lihet në kompetencën e një zyrtari.

    “Më shumë se të grumbullohet pushteti në një individ, në raste të caktuara, vlerësimet e ambasadave të caktuara, nëse është e nevojshme, bëhen nga task-forca apo nga ekipe vlerësuese”, tha Murtezaj.

    Projekt-ligji parasheh që specifikat për procedurat e funksionimit të inspektorit, emërimin dhe shkarkimin e tij, të përcaktohen me një rregullore të brendshme të Ministrisë.

    Sipas ish-zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, këto çështje duhet të sqaroheshin në ligj, meqë ka rrezik të instrumentalizimit politik të inspektorit.

    “Duhet të rregullohen me ligj dhe të mos lihen për faza të mëtejshme të rregullimit me akte nënligjore, sepse gjithnjë ka mundësi të keqpërdorimit pastaj të këtyre individëve dhe këtyre procedurave”, tha Murtezaj.

    Edhe njohësi i politikës së jashtme, Emir Abrashi thotë se ekziston potenciali për keqpërdorime me këtë post, meqenëse është nismë pozitive.

    “Projekt-ligji që është në konsultim publik, i lë shumë hapësirë që sa i përket funksioneve të inspektorit diplomatik, të përcaktohen me Udhëzim Administrativ, dhe këtu ka mundësi edhe për abuzim. Prandaj, në këtë aspekt mendoj që është shumë e rëndësishme që te çështja e inspektorit diplomatik, të përcaktohen detyrat më konkretisht në projekt-ligj”, tha Abrashi.

    Përpjekje për ta jetësuar këtë pozitë, pati edhe në kohën kur Hashim Thaçi ishte ministër i Punëve të Jashtme.

  • Kritikohet agjenda legjislative, fajësohet pushteti

    Kritikohet agjenda legjislative, fajësohet pushteti

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Prej 54 projektligje ta parapara për 6 mujorin e parë të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, vetëm 11 për qind prej tyre janë miratuar. 4 prej tyre janë në procedurë, kurse 44 nuk kanë filluar fare.

    Kjo statistikë tregon dështim, sipas shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, të cilin ky po ia faturon pushtetit.

    Në konferencën e së dielës, Tahiri tha se shumë projektligje të rëndësishme, kanë mbetur vetëm premtime të parealizuara.

    “Projektligji për diasporën, skemat pensionale, kush i ka penguar të punojnë për to…”, tha Tahiri.

    Në mesin e tyre projektligjeve të pa miratuara ka disa që kanë të bëjnë me shëndetësinë. Megjithatë, Tahiri vlerësoi se Kosova qëndron dobët në aspektin e zhvillimit të këtij sektor, pasi është shteti i vetëm në rajon pa sigurime shëndetësore.

    “Më e keqja është të shëndetësia, as pas 3 vjet e gjysmë s’ka asnjë hap tutje për sigurimet….”, tha Tahiri.

    Ndër tjera, Tahiri pati kritika edhe për rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë, punimet në të cilën nuk kanë përfunduar tërësisht as pas rreth 8 vjetëve.

  • Bastoret online, shteti nuk fiton asgjë

    Bastoret online, shteti nuk fiton asgjë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Së pari, përzgjidhet ndeshja. Më pas kuota më e përshtatshme.

    Krejt në fund, caktohet vlera e pagesës dhe vendoset basti.

    Në këtë formë online, po ushtrohet aktiviteti i bastoreve dhe lojërave tjera të fatit, që nga 2019-ta, kur në Kosovë u ndalua kjo industri.

    Gjatë vitit të kaluar, policia thotë se i evidentoi 42 raste, të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të jashtëligjshëm. Kurse në tre muajt e parë të këtij viti, u evidentuan edhe 12 raste të tjera.

    “Vetëm numri i rasteve për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 i KPRK-së, për periudhën kohore 2023-2024-tremujori i parë, të cilat janë nxjerrë nga SIPK: 2023 – 42 raste, TM1 2024 – 12 raste”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

    Policia nuk sqaron nëse po i referohet ndonjë rasti të organizimit të basteve online.

    Sociologu Vehbi Mujku thotë se lojërat e fatit nuk sjellin dobi.

    “Përveç problemeve familjare, ku ka pasur dhunë në familje, ku ka pasur probleme me fëmijë, ka pasur edhe persona të cilët kanë humbur shtëpi, lokale, troje, banesa, janë futur në fajde, në kredi, vetëm për t’i mbuluar këto shpenzime”, tha Mujku.

    Gjatë 2017-ës dhe 2018-ës, Administrata Tatimore e Kosovës gjeneroi mbi 1.6 milion euro nga tatimet e bizneseve të lojërave të fatit.

    Ekonomisti Fidan Qerimi thotë se tash, shteti nuk fiton asgjë nga kjo fushë, edhe pse po përdoren mënyrat alternative për të luajtur.

    “Çdo aktivitet biznesor që nuk është i rregulluar me ligj, do të thotë se ka vjelje të tatimit dhe kjo është një humbje, sidomos në këtë biznesin e lojërave të fatit, është një qarkullim jashtëzakonisht i lartë, dhe ka miliona që janë në humbje besoj nga ky biznes”, tha Qerimi.

    Meqë nuk ekziston mundësia të ndalohen plotësisht, Qerimi propozon që të kthehet ligjshmëria e lojërave të fatit në Kosovë, mirëpo me kritere më të ashpra.

    “Për mendimin tim, fillimisht ne duhet ta ndryshojmë ligjin dhe t’i lejojmë këto biznese të operojnë edhe në aspektin fizik. Shteti duhet ta rrisë kontrollin në këto pika biznesore”, tha Qerimi.

    Në vitin 2019, në dy kazino të ndryshme, brenda një jave u vranë dy persona.

    Kjo nxiti Kuvendin e Kosovës, ta miratojë ligjin që ndalon lojërat e fatit, në mbarë territorin e vendit.

    Mirëpo, kjo bëri që të shtohen bizneset e këtij lloji në shtetet fqinje, në afërsi të kufijve me Kosovën.

  • Termperaturat arrijnë në 44 gradë Celsius, shpërthen një zjarr i madh në Greqi

    Termperaturat arrijnë në 44 gradë Celsius, shpërthen një zjarr i madh në Greqi

    Një zjarr i madh ka shpërthyer në juglindje të Athinës të dielën, më 30 qershor, teksa autoritetet presin që situata të përkeqësohet edhe më shumë gjatë valëve të të nxehtit më vonë gjatë verës.

    E mësuar me vera përvëluese, Greqia po përballet me një sezon të rëndë të zjarreve, teksa ka përjetuar valën e parë të të nxehtit me temperatura që kanë arritur në 44 gradë Celsius.

    Sipas mediave lokale, zjarri nisi në qarkun Keratea mëngjesin e së dielës dhe flakët iu afruan shtëpive të banimit, përderisa kjo zonë e Athinës po përballet edhe me erëra të fuqishme.

    Mediat në Greqi kanë raportuar se tri shtëpi janë djegur krejtësisht nga zjarri.

    Afër 140 zjarrfikës dhe ekipe të tjera të shpëtimit, tetë helikopterë dhe nëntë avionë janë angazhuar për të shuar flakët.

    Autoritetet kanë aktivizuar alarmin për evakuim, duke u bërë thirrje banorëve që të evakuohen nga gjashtë zona afër kryeqytetit grek, Athinës.

    Zjarri në Athinë shpërtheu një ditë pasi një zjarr tjetër kishte shpërthyer në zonën e njëjtë, por që u vu nën kontroll nga zjarrfikësit.

    Po ashtu, një zjarr shpërtheu në ishullin Serifos pasditen e së shtunës, por autoritetet arritën që ta vinin nën kontroll mëngjesin e së dielës.

    “E gjithë pjesa jugperëndimore e Serifosit është djegur. Zjarri u ndal kur arriti në bregdet”, tha kryetari i Serifosit, Konstantinos Revintis.

    Zjarri shkaktoi dëme nëpër shtëpi, depo dhe objekte të kultit, tha ai.

    Ministria e Mbrojtjes Civile tha se pret zjarre me rrezik të lartë në Atika, Peloponez, Kretë, rajone që gjenden në veri dhe jug të Egjeut.

    Sipas autoriteteve, më 29 qershor në mbarë Greqinë shpërthyen mbi 40 zjarre dhe shteti u përball me erëra që tejkaluan 100 kilometra në orë.

    Më 30 qershor kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u bëri thirrje grekëve që të përgatiten për një sezon të vështirë të zjarreve.

    “Kohë të vështira po na presin. Përpjekjet tona janë të vazhdueshme”, tha ai. /REL

  • Sveçla paralajmëron Vuçiqin se do të burgoset nëse hyn pa leje në Kosovë

    Sveçla paralajmëron Vuçiqin se do të burgoset nëse hyn pa leje në Kosovë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi në komunat veriore janë vendosur posterë me fotografi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me mbishkrimin “Komandati suprem, po të presim”.

    Sveçla përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se “nëse Vuçiqi është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”.

    “I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla.

    Posterë me fotografi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me mbishkrimin “Komandati suprem, po të presim”, janë vendosur në disa objekte në katër komunat veriore.

    Lidhur me këtë zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani, ka thënë se është iniciuar rast “Nxitje e urrejtjes”.

    “Në disa lokacione të 4 komunat e Veriut të Vendit janë shpërndarë pamflete me foton e Kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorinë e Shtetit është hap rasti “Nxitje e Urrejtjes”. Nuk kemi të dyshimtë, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, tha Elshani.

  • Ministrja Gërvalla në takim bilateral me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë në Forumin e Dubrovnikut

    Ministrja Gërvalla në takim bilateral me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë në Forumin e Dubrovnikut

    Fuqizimi i bashkëpunimit në proceset e integrimit euroatlantik të Kosovës, iniciativat e përbashkëta rajonale, bashkëpunimi në siguri, mbrojtje dhe shkëmbime tregtare, ishin temat në fokus të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pati me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman.

    Në takimin bilateral të mbajtur në Forumin e Dubrovnikut, Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen ndaj Kroacisë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke deklaruar që ky proces duhet të finalizohet sa më shpejtë me anëtarësimin e plotë në KiE.

    Ministrja Gërvalla në takim me Ministrin Radman foli edhe rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë në rajon dhe nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes shteteve pro perëndimore të Ballkanit Perëndimor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

  • Pse nuk duhet t’i ekspozohemi diellit shumë?

    Pse nuk duhet t’i ekspozohemi diellit shumë?

    Ekspozimi në diell na mundëson plotësimin e nevojës për vitaminën D e cila është shumë e rëndësishme për shëndetin.

    Megjithatë, kur qëndrojmë në diell për një kohë shumë të gjatë, rreziqet janë të shumta.

    Djersitje e Mangët

    Djersitja është mënyra më e mirë e trupit për të rregulluar temperaturën e brendshme. Nëse vëreni që trupi juaj nuk ka djersirë dhe se lëkura është e thatë dhe e nxehtë, atëherë me siguri ju keni pësuar një goditje të fortë nga vapa. Kjo e fundit mund të shkaktojë dëmtim të shumë organeve përfshirë trurin.

    Rrudhat

    Rrudhat normalisht janë një shenjë e plakjes por edhe shpërbërjes së kolagjenit dhe fibrës si pasojë e rrezeve ultravjollcë. Kufizoni ekspozimin në diell dhe mos harroni të lyheni gjithmonë me krem mbrojtës.

    Dhimbje Muskulare

    Dehidratimi si pasojë e ekspozimit të gjatë në diell mund të shkaktojë kontraktime të muskujve dhe dhimbje të forta. Nëse përballeni me ngërce të tilla, zhvendosuni në hije dhe pini sa më shumë lëngje. Nëse dhimbjet nuk largohen brenda orës kërkoni ndihmë mjekësore.

    Marramendje

    Marramendja dhe konfuzioni janë shenja të goditjes nga vapa. Nëse vëreni diçka të tillë mos prisni që simptomat të largohen vetë dhe kërkoni ndihmë mjekësore.