ATV

Author: ATVLive

  • Dy supersfidat e Euro 2024 që zhvillohen sot

    Dy supersfidat e Euro 2024 që zhvillohen sot

    Kampionati Evropian i futbollit do t’i mësojë sot edhe dy çerekfinalistë të tjerë që do të dalin nga dy ballafaqime jashtëzakonisht interesante.

    Nga ora 18:00 në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” në Düsseldorf do të ballafaqohen Franca me Belgjikën, dy kombëtare këto që synojnë t’i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni, raporton KosovaPress.

    Ndeshje tjetër interesante do të jetë edhe ajo e orës 21:00 ndërmjet Portugalisë dhe Sllovenisë. Portugezët hyjnë në këtë ndeshje si favorit, por ky kampionat ka ditur të ofrojë befasi, andaj mbetet për t’u parë edhe epilogiu i kësaj sfide.

  • ​Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë

    ​Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot pret në takim kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq.

    Sipas njoftimit, takimi nis në orën 12:30, dhe mediat mund të marrin pamje tek pritja në hyrje të Presidencës dhe në fillim të takimit.

    Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë pritet të ketë takime edhe me përfaqësues tjerë të institucioneve.

  • ​Ja kur Anglia ndaloi pirjen e duhanit në hapësirat e brendshme publike

    ​Ja kur Anglia ndaloi pirjen e duhanit në hapësirat e brendshme publike

    Më 1 korrik 2007 pirja e duhanit në Angli ndalohet në të gjitha hapësirat e brendshme publike.

    Qe nga ai moment, pirja e duhanit në këto vende i takoi historisë dhe ishte në kundërvajtje me ligjin.

    Mendohej se ligji do të ndihmojë shpëtimin e mijëra jetëve njerëzore gjatë dekadës së ardhshme, si dhe të krijojë objekte më të shëndetshme dhe të pastra argëtimi dhe pune.

    Megjithëkëtë, çdokush që shkel ligjin e ri të ndalimit të duhanit bën vepër penale dhe mund të gjobitet deri me 200 euro për pirjen e duhanit në një vend të ndaluar.

    Tymi i duhanit pasiv që hyn në organizmin tuaj përmban mbi 4.000 kimikate, mbi 50 prej të cilave shkaktojnë kancer.

    Ekspozimi për një kohë të gjatë mund të shtojë rrezikun për sëmundje të rëndë, duke përfshirë kancerin e mushkërive, sëmundje të zemrës ose atakun e astmës.

    Ai po ashtu rrezikon fëmijët të marrin sëmundje të rënda të rrugëve të frymëmarrjes, si dhe sindromën e vdekjes së menjëhershme të foshnjave (SIDS).

  • ​Nga sot fillon subvencionimi i policës kufitare për mërgatën

    ​Nga sot fillon subvencionimi i policës kufitare për mërgatën

    Duke filluar nga sot, datë 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.

    Ministri i Financave Hekuran Murati ka bërë të ditur se polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri një muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.

    Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij një mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj.

    Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.

    Ndryshe, marrëveshja e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët është nënshkruar më 28 qershor.

  • ​Kim Philby – njëri nga spiunët më dinakë të shekullit 20

    ​Kim Philby – njëri nga spiunët më dinakë të shekullit 20

    Qeveria britanike më 1 korrik 1963 pranon se ish-diplomati i saj Harold Adrian Russell “Kim” Philby kishte vepruar si agjent sovjetik.

    Dezertimi i tij në Bashkimin Sovjetik në janar 1963 ishte një prej momenteve më dramatike të Luftës së Ftohtë.

    Philby ishte përjashtuar vite më parë nga shërbimi i zbulimit britanik MI6 – ai dyshohej si spiun e tradhtar. Në rrezik për t’u arrestuar, Philby kërkoi ndihmën e qendrës në Moskë. Në janar 1963, ndërsa punonte si gazetar për Observer dhe Economist dhe ndodhej në Bejrut, Liban, Philby i hipi një anije ruse me destinacion Odesën.

    Larg nga të priturit si hero, Philby u mënjanua nga KGB-ja sovjetike, e cila frikësohej se ai mund të ishte agjent afatgjatë i dyfishtë i perëndimit. I vetmuar, Philby gjeti shishen si ngushëllim duke u dhënë pas pijes.

    Por në aspekte të tjera, ai u trajtua mjaft mirë, thonë biografët, më mirë sesa qeveria sovjetike trajtonte popullin e vet; atij iu dha një makinë, një vilë e mobiluar, furnizime rregullisht me ushqime të përzgjedhura, edhe nga jashtë shtetit, me të gjitha ato që nuk i kishin munguar në Londër, madje edhe grua, Philby u martua, me gruan e tij të katërt, Rufina Pukhova, e cila në kujtimet e saj shkruan se Philby kurrë nuk shprehu keqardhje që u arratis, por mbeti i zhgënjyer, i tronditur kur pa njerëz të varfër të rreckosur dhe kuptoi se “ne po ndërtojmë komunizmin” nuk kishte ndodhur. Ai gjithashtu tentoi vetëvrasje, por kurrë nuk foli për t’u kthyer në Angli.

    Harold Adrian Russell “Kim” Philby vdiq në Moskë në vitin 1988, në moshën 76-vjeçare. Ai është cilësuar si një prej spiunëve më dinakë të shekullit të 20-të.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të dalin përsëri para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre.

    Seanca e ish-krerëve të UÇK-së pritet të nisë në orën 10:00.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

  • Mot me diell e vranësira, temperaturat deri në 33 gradë

    Mot me diell e vranësira, temperaturat deri në 33 gradë

    Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperaturat në ditën e sotme do të lëvizin ndërmjet 15-18, kurse ato maksimale ndërmjet 27-33 gradë Celsius.

    Sipas IHMK-së, sot do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-7 metër për sekondë.

  • Ndahet nga jeta shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare

    Ndahet nga jeta shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare

    Ka ndërruar jetë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare.

    Sipas mediave në Shqipëri, Kadare ka vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm.

    Ismail Kadare ishte shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.

    Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).

    Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

  • Vazhdojnë hetimet për lëvizjen nga Deçani me motive për shqiptarizmin

    Vazhdojnë hetimet për lëvizjen nga Deçani me motive për shqiptarizmin

    Përgatiti: Nora Luta

    Veprimet e disa qytetarëve nga Deçani, që publikisht bënë thirrje për braktisje të fesë islame, po hetohen nën dyshimet për cenim të sigurisë kombëtare dhe nxitje të urrejtjes apo përçarjes e mosdurimit fetar.

    Prokuroria e Pejës, rezultatet e hetimeve që i kishte filluar në tetor të vitit të kaluar, kur edhe ishte mbajtur tubimi publik me thirrjet për braktisje të fesë, ia ka dorëzuar Prokurorisë Speciale.

    Rasti aktualisht po vlerësohet nga Prokuroria Speciale.

    Lëvizja, e cila kishte tubuar disa qytetarë në një ndërtesë në Deçan, duke thënë se është formuar me motive për shqiptarizmin, kishte nxitur reagimi në publik, përfshirë të përfaqësuesve të Bashkësisë Islame dhe drejtuesve komunalë.

    Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në fund të muajit maj ndaj dy priftërinjve ortodoksë nga Shqipëria, Nikolla Xhufka dhe Lejdi Zagalli, nën akuzën për nxitje të urrejtjes kombëtare, fetare dhe etnike.

    Ata e kishin dëmtuar një kishë ortodokse serbe të pashfrytëzuar, në nëntor të vitit të kaluar, në rajonin e Prizrenit.

    Nga Gjykata e Prishtinës e kanë konfirmuar pranimin e aktakuzës, dhe se deri tash nuk është mbajtur asnjë seancë, por shqyrtimi gjyqësor pritet të fillojë në Departamentin Special.

  • Suhareka me dy ekipe futbolli, por vetëm me një stadium

    Suhareka me dy ekipe futbolli, por vetëm me një stadium

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Klubi i Suharekës do të jetë për herë të parë pjesë e Supërligës së Kosovës, pasi u shpall kampion në Ligën e Parë.

    Por, ende pa filluar kampionati, problemet për këtë skuadër kanë filluar. Klubi i cili u themelua vetëm para një viti nuk ka qasje të plotë në stadiumin e qytetit, meqë komuna ia kishte dhënë në shfrytëzim për 10 vjet, skuadrës tjetër po ashtu kampione, Ballkanit.

    Zyrtarë nga klubi i Suharekës nuk folën para kamerës, megjithatë televizioni pati qasje në kërkesën drejtuar komunës.

    “Pasi kemi arritur të njëjtin status ligjor dhe sportiv me FC Ballkanin, kërkojmë që të trajtohemi me të njëjtat kritere dhe mundësi si ata. Kjo do të thotë qasje të papenguar në stadiumin e qytetit për stërvitje dhe ndeshje, si dhe përfshirje në vendimmarrjet që ndikojnë në përdorimin e tij”, thuhet në kërkesën e Ballkanit.

    Teksa tha se po bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar klubet e qytetit, kryetari Bali Muharremaj tregoi për një zgjidhje alternative që mund ta ofrojë komuna për këtë problematikë.

    “Ai është një vendim i asamblesë komunale. Ne iu kemi thënë të drejtohen me një kërkesë, sepse po mundohemi ta përgatisim një fushë tjetër që e kemi”, tha Muharremaj.

    Ndërkaq, zyrtarë nga Ballkani, përmes telefonit, thanë se pagesa për shfrytëzimin e stadiumit është simbolike. Në lidhje me kërkesën e skuadrës tjetër për qasje në stadium, shtuan se është kompetencë e komunës.