ATV

Author: ATVLive

  • Rama: Prehu në paqe Kadare, zëri yt do të jehojë përjetësisht

    Rama: Prehu në paqe Kadare, zëri yt do të jehojë përjetësisht

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, ka shkruar se fjalët e këtij të fundit i kapërcyen kufijtë gjuhësorë dhe folën me vetë shpirtin e njerëzimit.

    Rama përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se zotësia e pashoq e Kadaresë për t’i ndërthurë historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar në veprat e veta, bënë që bota mbarë ta njohë palcën e njeriut tonë

    “Me hidhërim të thellë shënojmë ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, të këtij kolosi letrar, fjalët e të cilit i kapërcyen kufijtë gjuhësorë dhe folën me vetë shpirtin e njerëzimit. Zotësia e pashoq e Kadaresë për t’i ndërthurë historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar në veprat e veta, bënë që bota mbarë ta njohë palcën e njeriut tonë. Pena e tij na udhëhoqi nëpër kapitujt më të errët të jetës sonë, duke na u bërë jo vetëm pasqyrë e vuajtjeve, por dhe dritë drejt synimit tonë kolektiv”, ka shkruar Rama.

    Sipas Ramës, me vdekjen e Kadaresë sot bota është me zymtë.

    “Ndërsa vajtojmë humbjen e njeriut, njohim trashëgiminë e gjeniut, që do të vazhdojë të na frymëzojë për shumë breza me radhë. Sot, bota është më e zymtë, por ylli i rrëfimeve të Kadaresë do të ndriçojë përgjithmonë në zemrat tona”, ka shkruar ndër të tjera kryetari Rama.

    “Prehu në paqe, i dashur Kadare, zëri yt do të jehojë përjetësisht”, përfundon ai.

  • Stafi i aeroportit të Melburnit akuzohet për kontrabandë droge

    Stafi i aeroportit të Melburnit akuzohet për kontrabandë droge

    Dhjetra punonjës të aeroportit të Melburnit janë akuzuar se kanë punuar për kriminelët e organizuar që përpiqeshin të kontrabandonin drogë në Australi. Punëtorët e aviacionit ishin subjekt i një hetimi të Forcave Kufitare që synonte kriminelët në zinxhirët e furnizimit të aeroportit.

    Hetimi zbuloi se 70 punonjës në aeroportin e Melburnit kishin shkelur kontrollet e sigurisë gjatë 12 muajve të fundit, me disa të dyshuar se punonin brenda krimit të organizuar.

    Sipas Forcave Kufitare, ekuipazhi i linjës ajrore u angazhua në përdorimin e paligjshëm të drogës, si dhe në shpërndarjen e drogave të paligjshme në Australi.

    Anëtarët e ekuipazhit të linjës ajrore ndërkombëtare u zbuluan gjithashtu se kishin fshehur cigare dhe produkte duhani ilegale në valixhe. Kjo dyshohet se është bërë në përpjekje për të shmangur pagesën e shumave të konsiderueshme të tatimit doganor.

    Dy anëtarë të ekuipazhit ndërkombëtar u zbuluan se ishin nën ndikimin e substancave të paligjshme gjatë detyrës./The Guardian

  • ​Presidenti Begaj për vdekjen e Kadaresë: Shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave

    ​Presidenti Begaj për vdekjen e Kadaresë: Shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave

    Sot është ndarë nga jeta shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare.

    Për vdekjen e tij ka shkruar presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Begaj, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Shqipëria dhe shqiptarët sot humbën gjeniun e tyre të letrave, ndërsa bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë modern.

    “Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, ka shkruar Begaj në Facebook.

  • Vushtrria me shërbimet të veçanta për mërgimtarët gjatë verës

    Vushtrria me shërbimet të veçanta për mërgimtarët gjatë verës

    Komuna e Vushtrrisë ka marrë një iniciativë specifike për mërgimtarët.

    Ky institucion sot do të hapë sportele të veçanta që ofrojnë shërbime për bashkatdhetarët gjatë muajve të verës.

    Në këtë organizim pritet të marrin pjesë kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, dhe drejtoresha për Diasporë dhe Integrime Evropiane, Medina Bunjaku.

  • Administrata në Shqipëri nis muajin me paga më të larta, rrogat e reja për 135 mijë punonjës

    Administrata në Shqipëri nis muajin me paga më të larta, rrogat e reja për 135 mijë punonjës

    Rritja e pagave për administratën publike hyn në fuqi këtë të hënë, më 1 korrik.

    Rritja përfshin 135 mijë punonjës të administratës shtetërore, konkretisht punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, punonjësit e sistemit shëndetësor, punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi) si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.

    Lista e sektorëve që përfitojnë nga rritja e pagave:

    Ushtria

    -Për ushtarin bazë, me rritjen e sotme paga e tij shkon në 71 mijë lekë

    -Rreshteri, 80 mijë lekë

    -Majori, 107 mijë lekë

    -Koloneli, 158 mijë e 500 lekë

    -Gjenerali, 190 mijë lekë.

    -Të gjitha këtyre pagave u shtohet një trajtim ushqimor, prej 16 mijë lekësh

    Zjarrfikësit

    -Asistent Zjarri (grada më e ulët) 60 mijë lekë

    -Zjarrfikës 65 mijë lekë

    -Kryezjarrfikës 70 mijë lekë

    -Kryeinspektor zjarrfikës 85 mijë lekë

    -Inspektor zjarrfikës 75 mijë lekë

    -Komisar zjarrfikës 105 mijë lekë

    -Drejtues zjarrfikës 155 mijë lekë

    -Drejtues i parë zjarrfikës 140 mijë lekë

    -Drejtues i lartë zjarrfikës 160 mijë lekë

    Sistemi arsimor

    -Paga e mësuesit në arsimin e mesëm të lartë që ka kualifikimin dhe që ka vjetërsi mbi 15 vite pune eksperiencë do shkojë 98 500 lekë.

    -Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm të ulët me mbi 15 vite vjetërsi shkon nga 75 800 në 96 000 lekë.

    -Mësuesit e ciklit fillor me mbi 15 vite eksperiencë nga 72 mijë Lekë paga shkon në 95 200 lekë.

    -Punonjësit e shërbimit psiko-social, paga mesatare shkon 910 luro.

    -Për oficerët e sigurisë 800 euro në muaj si pagë mesatare.

    Sistemi shëndetësor

    -Të gjithë mjekëve të përgjithshëm u rritet paga me 20 mijë lekë mbi pagën ekzistuese.

    -Të gjithë infermierëve u rritet paga me 15 mijë lekë mbi pagën ekzistuese.

    -Përfitojnë edhe punonjësit e administratës së sistemit shëndetësor, 15 deri në 20 për qind të pagës së tyre aktuale.

    Sektori i burgjeve

    -Rritja e pagave varion nga 13 deri në 27 për qind.

    -Rritja shkon nga 6 mijë lekë, deri në 33 mijë e 600 lekë e përshkallëzuar sipas gradave.

    -Aspirantët, pjesë e strukturës së Policisë së Burgjeve dhe do paguhen me 80 për qind të pagave të inspektorit.

  • Policia realizon 170 urdhëresa të gjykatave gjatë qershorit në Ferizaj

    Policia realizon 170 urdhëresa të gjykatave gjatë qershorit në Ferizaj

    Policia Rajonale e Ferizajt gjatë muajit qershor 2024 ka realizuar 170 urdhëresa të gjykatave kompetente për vepra të ndryshme penale.

    Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me realizimin e urdhëresave ndaj personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës.

    “Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë, nëse kanë informacione për personat që janë të kërkuar nga organet e rendit, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192,0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë.

  • Vdekja e Kadaresë, Jahjaga: I përjetshëm kujtimi për ju mjeshtër i madh

    Vdekja e Kadaresë, Jahjaga: I përjetshëm kujtimi për ju mjeshtër i madh

    Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare vdiq sot në orët e hershme të mëngjesit në moshën 88-vjeçare.

    Pas lajmit për vdekjen e tij, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka postuar një fotografi me të ndjerin në llogarinë e saj në Facebook.

    “Një shpirt i madh na paska lënë sot! Një kandil i çmuar i letërsisë mbarë shqiptare nga sot po vazhdon të ndriçojë dhe në botën e amshueshme. Përjetësisht mirënjohës për të gjitha vlerat që i dhatë letërsisë sonë. I përjetshëm kujtimi për ju mjeshtër i madh! Ismail Kadare, 1936-2024”, shkroi Jahjaga.

    Sipas mediave në Shqipëri, Ismail Kadare vdiq në spitalin e Tiranës.

  • Hungaria nga sot merr kryesimin e BE-së, çfarë pritet nga udhëheqja e saj

    Hungaria nga sot merr kryesimin e BE-së, çfarë pritet nga udhëheqja e saj

    Nga 1 korriku, Hungaria udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian. Gjashtë muajt e ardhshëm mund të jenë të vështirë për lidershipin e BE-së, marrë parasysh se kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka qëndrime kontradiktore me BE-në: nuk është i kënaqur me sanksionet e saj kundër Rusisë, ka penguar ndihma ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe ka vënë në pikëpyetje aspiratat e Kievit për anëtarësim në BE.

    Për më tepër, Hungaria, e vetëquajtur “demokraci joliberale”, është penalizuar nga BE-ja, e cila ia ka ngrirë 6 miliardë euro fonde, të destinuara për të.

    Por, pavarësisht marrëdhënieve të tilla, presidenca gjashtëmujore e Hungarisë në gjysmën e dytë të vitit 2024 mund të mos jetë aq dramatike dhe problematike sa disa mund të kenë frikë.

    Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian – një prej organeve kryesore vendimmarrëse të bllokut, që përbëhet prej ministrave të qeverive të shteteve anëtare – e mban me rotacion secili prej vendeve anëtare për një periudhë prej gjashtë muajsh.

    Me këtë aranzhim, secili shtet anëtar ka mundësi të formojë agjendën e Këshillit.

    Sipas disa burimeve në Bruksel, presidenca hungareze nuk është duke shkaktuar shumë net pa gjumë. Kjo, kryesisht për shkak të dy faktorëve: rolit aktual të presidencës dhe veçorive të kalendarit politik.

    Roli i zvogëluar

    Presidencat e Këshillit të Bashkimit Evropian nuk janë më ato që kanë qenë.

    Ka qenë një kohë kur vendi që ka qenë në krye, ka kontrolluar vërtet agjendën, duke mbajtur samite në kryeqytetin e tij dhe duke udhëhequr politika edhe prapa skenave.

    Kjo ka ndryshuar në vitin 2004, kur është vendosur që të gjitha samitet e rëndësishme, të mbahen në kryeqytetin belg, Bruksel.

    Ndryshimet janë thelluar pastaj në vitin 2009 me Traktatin e Lisbonës – i projektuar për të përmirësuar efikasitetin dhe legjitimitetin demokratik të BE-së – i cili ka krijuar një sërë funksionesh të reja dhe ka bërë që fuqia të përqendrohet në Bruksel.

    Traktati i Lisbonës ka krijuar një president të përhershëm të Këshillit Evropian, i cili u takon kryesisht krerëve të shteteve ose qeverive të vendeve anëtare.

    Postin aktualisht e mban politikani belg, Charles Michel – tashmë në largim. Mandati i tij është pesëvjeçar dhe ai i kryeson të gjitha samitet.

    Këshilli, gjithashtu, ka një sekretariat shumë të zgjeruar dhe të fuqishëm, të përbërë nga zyrtarë të BE-së me ekspertizë në të gjitha fushat e politikave.

    Traktati i Lisbonës ka paraparë edhe një shef të politikës së jashtme të BE-së, në pozitën e të cilit aktualisht është politikani spanjoll, Josep Borrell – edhe ai në largim – si dhe një trup diplomatik, Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, për t’i dhënë peshë pozicionit të politikës së jashtme.

    Atëherë, si ndikon e gjithë kjo në presidencën hungareze? E zvogëlon ndikimin e dy anëtarëve më të sulmuar nga Brukseli të Qeverisë nacional-konservatore të Hungarisë: Orbanit dhe ministrit të tij të Jashtëm, Peter Szijjarto.

    Por, Budapesti natyrisht se do të mund t’i ndikojë ende diskutimet, siç është parë edhe me zbulimin e sloganit të tij për presidencën – “Ta bëjmë Evropën sërish të madhe” – të frymëzuar nga Donald Trump.

    Dy burrat do t’i kryesojnë ende takimet joformale ministrore, e madje edhe një samit në Budapest në nëntor, por roli i tyre do të jetë mjaft sipërfaqësor.

    Ata, gjithashtu, do të duhet të përballen me pyetje në konferenca për shtyp dhe nga mediat e huaja, të cilave zakonisht u shmangen.

    Atëherë, çfarë konkretisht i mbetet Hungarisë për të bërë?

    Ministrat e tjerë të saj, si ata që janë përgjegjës për bujqësinë apo drejtësinë, do t’i kryesojnë mbledhjet e Këshillit në fushat e tyre. Diplomatët hungarezë do ta bëjnë të njëjtën gjë edhe në grupet përgatitore të punës.

    Kush është Kaja Kallas, gruaja që mund të zëvendësojë Borrellin?

    E gjithë ideja e presidencës me rotacion është që zyrtarët në krye të jenë ndërmjetës të ndershëm dhe të kërkojnë konsensus mes shteteve anëtare.

    Në vend se të shkaktojë telashe, Hungaria mund të vendosë të luajë mirë.

    Zyrtarë nga shtete të ndryshme anëtare kanë thënë se zyrtarët hungarezë janë sjellë në mënyrë profesionale në prag të presidencës dhe kanë theksuar se gjithçka do ta bëjnë sipas rregullave.

    Kalendari politik

    Faktori i dytë që mund t’i kufizojë ambiciet hungareze për ta imponuar agjendën e saj, është kalendari politik. Në gjashtë muajt e ardhshëm, pak pritet të ndodhë në Bruksel sa i përket legjislacionit të ri.

    Kjo, për shkak se kryeqyteti i BE-së do të jetë i zënë me emërimin e një Komisioni të ri Evropian, që është krahu ekzekutiv i bllokut dhe propozuesi i ligjeve të reja.

    Ky proces përfshin seanca dëgjimore në Parlamentin Evropian për miratimin e komisionarëve të rinj – një nga secili shtet anëtar. Procesi pritet të zgjasë pothuajse gjithë vjeshtën dhe Hungaria nuk ka asnjë rol për të luajtur.

    Paraprakisht ka pasur edhe një përpjekje të furishme – dhe kryesisht të suksesshme – nga presidenca e deritashme belge për t’i kryer disa punë, përpara se Hungaria ta merrte rolin. Për shembull, një rund i ri sanksionesh kundër Rusisë është miratuar më 24 qershor.

    Drita jeshile i është dhënë gjithashtu Ukrainës dhe Moldavisë, më 25 qershor, për të filluar bisedimet e pranimit në BE. Procesi i shqyrtimit të kapitujve të ndryshëm të politikave të anëtarësimit të dy vendeve kandidate pritet të zgjasë më shumë se gjashtë muaj dhe ka të ngjarë që Budapesti nuk do të merret fare me këtë çështje, por se ajo do t’i kalojë Polonisë, si kryesuese e BE-së nga 1 janari i vitit 2025.

    Ndërsa Hungaria është shprehur kundër ambicieve të tanishme të Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE, një nga prioritetet e saj gjatë presidencës pritet të jetë avancimi i perspektivave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Serbisë, e ndoshta edhe të Bosnje e Hercegovinës dhe Gjeorgjisë.

    Përpara presidencës së Hungarisë, BE-ja ka arritur t’i dërgojë edhe ndihma ushtarake Ukrainës, në vlerë prej 1.4 miliard eurosh, për ta mbështetur në mbrojtjen kundër Rusisë. Këto para kanë ardhur nga asetet e ngrira ruse në BE dhe Brukseli ka arritur ta tejkalojë veton e Budapestit për këtë masë.

    Por, vetoja hungareze qëndron ende mbi shtatë këste të tjera të ndihmës ushtarake për Ukrainën, me vlerë gati 7 miliardë euro.

    Hungaria është mësuar të bëjë pazare me Brukselin. Ajo mund të përpiqet ta lidhë mbështetjen e saj për ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën me 6 miliardë euro fonde të BE-së, që ia ka bllokuar Brukseli.Nëse Budapesti nuk i përmbush kërkesat e BE-së për sundimin e ligjit deri në fund të vitit, ai do t’i humbasë përgjithmonë 1 miliard euro. Kjo është një marrëveshje që hungarezët do të duan ta bëjnë./REL

  • Gërvalla takohet me ministrin turk Hakan Fidan, diksutojnë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

    Gërvalla takohet me ministrin turk Hakan Fidan, diksutojnë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është takuar me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.

    Takimi ka ndodhur në margjinat e Forumit të Dubrovnikut.

    Ndërsa, temë e takimit ishte fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik, mbështetja në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, iniciativat e përbashkëta rajonale, bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje

    “Fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik, mbështetja në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, iniciativat e përbashkëta rajonale, bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje, ishin temat në fokus të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pati me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, të mbajtur në margjinat e Forumit të Dubrovnikut”, bëhet e ditur në komunikatë.

    Ministrja Gërvalla dhe Ministri Fidan vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona, përfshirë përkrahjen unanime nga deputetët e Turqisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Një vlerësim i veçantë u shpreh për angazhimin e Turqisë në kuadër të NATO-s dhe KFOR-it, duke e cilësuar si një përkrahje të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në rajon.

    Ministrja Gërvalla veçanërisht mirëpriti rolin konstruktiv të komandantit turk të KFOR-it në Kosovë.

    Në kontekst të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe aspiratës legjitime të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, Ministrja Gërvalla mirëpriti vazhdimin e përkrahjes turke për realizimin sa më të shpejtë të këtij synimi./kp

  • ​Rice: Jemi me Southgate dhe do të luftojmë për atë

    ​Rice: Jemi me Southgate dhe do të luftojmë për atë

    Mesfushori i Anglisë, Declan Rice, ka insistuar që ai dhe bashkëlojtarët e tij te Anglia janë plotësisht në mbështetje të Gareth Southgate .

    Karriera e Southgate si trajner i “Tre Luanëve” për pak sa nuk përfundoi me një humbje poshtëruese ndaj Sllovakisë në raundin e 16-të në Euro 2024 të dielën mbrëma.

    Megjithatë, një gol fantastik në minutën e 95-të nga Jude Bellingham e shpëtoi atë dhe ndeshja shkoi në vazhdime, pas së cilës Anglia siguroi fitore me rezultat 2-1 duke u kualifikuar në çerekfinale.

    Southgate është përballur me kritika të shumta publike për përzgjedhjen e ekipit të tij dhe ngurtësinë taktike, me skuadrën e tij ende nuk ka bërë paraqitje bindëse pas ndeshjeve kundër Serbisë, Danimarkës, Sllovenisë dhe tani Sllovakisë.

    Megjithatë, Anglia është ende e pamposhtur në Euro, dhe lojtarët e Southgate po i qëndrojnë besnikë shefit të tyre, sipas Rice.

    Duke folur për “BBC Sport” pas fitores dramatike të së dielës, Rice reflektoi: ‘Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën që përfaqësoj Anglinë në raundin e 16-të të Kampionatit Evropian. Ne jemi të bashkuar, do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur këtë trajner. Ne do të vazhdojmë të luftojmë, është nder të jemi pjesë e saj”, ka thënë Rice.