ATV

Author: ATVLive

  • Kjo është përgjigja zyrtare e LDK-së për Kurtin

    Kjo është përgjigja zyrtare e LDK-së për Kurtin

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar zyrtarisht ftesën e tretë të Albin Kurtit për koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton ATV.

    Në letrën dërguar liderit të VV-së, Albin Kurti, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se partia e tij nuk sheh mundësi bashkëpunimi në rrethana të tilla dhe ka propozuar si alternativë formimin e një Qeverie Kombëtare të Tranzicionit.

    “LDK-ja, për mungesë besimi dhe për shkak të stagnimit 4-vjeçar nën udhëheqjen tuaj, e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me ju”, thuhet në letrën e Abdixhikut.

    LDK propozon nisjen e një procesi të ri politik me përfshirjen e të gjitha partive parlamentare shqiptare dhe përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë, me qëllim formimin e një qeverie tranzicionale që do ta drejtojë vendin deri në zgjedhjen e Presidentit në vitin 2026.

    Sipas letrës, kjo qeveri do të kishte një program të dakorduar dhe një kryeministër e kabinet unifikues, për të garantuar stabilitetin kombëtar dhe tejkalimin e polarizimit politik. /atvlive.tv/

  • Abdixhiku për qeverinë e tranzicionit: Do të zgjasë deri në zgjedhjen e presidentit të ri

    Abdixhiku për qeverinë e tranzicionit: Do të zgjasë deri në zgjedhjen e presidentit të ri

    I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se ideja e tij për qeveri nacionale të tranzicionit është për zgjidhje politike, pasi që Kosova është në krizë të madhe.

    ‘‘Qëndrimi i LDK-së është pa ndryshueshëm, mos e ngritni si temë, nuk do të ndryshojë ky qëndrim pavarësisht se a vjen një letër a sa letra vijnë. Nuk e kam ndërmend as ta tradhtojë votuesin e LDK-së. Votuesit tanë le të qëndrojnë të qetë, unë po flas për një zgjidhje politike në një krizë të madhe në të cilën është Kosova’’, ka thënë ai.

    I njëjti ka thënë se kjo qeveri do të zgjasë deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, dhe se Vv-ja s’ka zgjidhje për këtë krizë.

    ‘‘Deri në zgjedhjen e Presidentit, e kam fjalën për periudhë, presidentit të ri. Jemi në krizë, dhe partia e parë nuk ka zgjidhje për krizë, ka tendencë bllokuese. Zgjedhjet nuk përjashtohen, nëse janë të gatshëm për zgjedhje shkojmë edhe në zgjedhje’’, ka thënë ai.

  • Haradinaj pranon propozimin e Abdixhikut për takim

    Haradinaj pranon propozimin e Abdixhikut për takim

    Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën e tij, raporton EO.

    Abdixhiku doli me propozimin për krijimin e qeverisë së tranzicionit. Këtë qëndrim e paraqiti në konferencë për media pasdite.

  • Abdixhiku refuzon Kurtin – propozon “Qeveri tranzicionale”

    Abdixhiku refuzon Kurtin – propozon “Qeveri tranzicionale”

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar për herë të tretë dhe përfundimisht ofertën e kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim politik.

    Në dritën e krizës së thelluar për konstituimin e Kuvendit, dhe pas pranimit të një tjetër letre nga Kurti që përmbante lutje të përsëritura për bashkëpunim, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ritheksoi prerazi qëndrimin e partisë.

    Duke iu referuar “stagnimit serioz të vendit” në katër vitet e fundit, Abdixhiku tha se LDK “e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Vetëvendosje.”

    Në vend të kësaj, ai tha se LDK propozon një qeveri të tranzicionit me afat të caktuar.

    “Zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK e konsideron të domosdoshme. LDK-ja propozon nisjen e procesit konsultativ me qëllimin e qeverisë nacionale të tranzicionit me afat të caktuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.”

  • ​Homazhe në Gllogjan në 28-vjetorin e rënies së Luan Haradinajt

    ​Homazhe në Gllogjan në 28-vjetorin e rënies së Luan Haradinajt

    Në 28-vjetorin e rënies së heroit të kombit, Luan Haradinaj, janë mbajtur homazhe në kompleksin memorial në Gllogjan.

    Aty morën pjesë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe të tjerë.

    “Gjeneralmajor Luan Haradinaj, brezi i ri i luftëtarëve, ishte ndër të parët në organizimet çlirimtare, duke vënë themelet e UÇK-së, në të cilën u bashkuan mijëra të rinj të frymëzuar nga sakrifica e tij dhe e shumë të tjerëve,” theksoi Haradinaj në fjalën e tij.

    Ai gjithashtu përkujtoi veprimtarin dhe atdhetarin e madh, Smajl Haradinaj, si simbol i përkushtimit dhe qëndresës kombëtare ndër breza.

    “Dhembja dhe malli për të dashurit që humbëm nuk shuhet kurrë, por sakrifica e tyre është çmimi i lirisë sonë – dhe ajo na obligon të jetojmë me dinjitet dhe krenari,” u shpreh Haradinaj.

    Në fund, ai falënderoi të gjithë ata që, me përkushtim, i shërbyen atdheut dhe nderoi kujtimin e përjetshëm të të rënëve për liri.

  • Ceferi kritikon ashpër Italinë: Keni infrastrukturën më të keqe sportive

    Ceferi kritikon ashpër Italinë: Keni infrastrukturën më të keqe sportive

    Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka kritikuar gjendjen e stadiumeve në Itali, duke pretenduar se vendi ka infrastrukturën më të keqe deri më tani nga kombet më të mëdha në Evropë dhe i ka bërë thirrje qeverisë të rregullojë situatën.

    Shefi i UEFA-s foli për “SportMediaset” përpara ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve midis Interit dhe Barcelonës në “San Siro” të martën në mbrëmje, e cila aktualisht është e barabartë 3-3 pas një ndeshjeje emocionuese në ndeshjen e parë të mërkurën e kaluar, transmeton KosovaPress.

    Ndër temat e diskutimit për Ceferin në intervistën e tij ishte stadiumi “Giuseppe Meazza” dhe përpjekja e dështuar për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve në “San Siro”.

    Duke pasur parasysh se ka debate të vazhdueshme rreth të ardhmes së stadiumit në “San Siro”, Ceferin u pyet për pikëpamjet e tij dhe dha një përgjigje të frustruar.

    “Mendoj se infrastruktura italiane e futbollit është për të ardhur keq”, tha presidenti i UEFA-s. “Jeni një nga vendet më të mëdha të futbollit, keni fituar shumë Kupa Bote, Kampionate Evropiane, Liga Kampionësh, por në të njëjtën kohë, midis vendeve të mëdha, keni infrastrukturën më të keqe deri më tani.”

    “Për të qenë i sinqertë, jam pak i lodhur nga këto diskutime rreth infrastrukturës italiane, sepse e tëra çfarë dëgjojmë janë fjalë. Shpresoj që Italia të bëjë diçka. Klubet kanë nevojë për ndihmë nga qeveria, nga bashkitë lokale dhe madje edhe nga investitorët privatë. Është koha për të vepruar, sepse situata është shumë e keqe”, shtoi ai.

    Megjithatë, Ceferin është i bindur se Italia do të jetë në gjendje ta ndryshojë situatën në kohë për EURO 2032, i cili aktualisht pritet të bashkëorganizohet nga Italia dhe Turqia.

    “Nuk jam i shqetësuar ende”, tha Ceferin kur u pyet nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me Italinë që do të organizonte EURO 2032.

    “Mendoj se tani, edhe qeveria e ka kuptuar se duhet të bëjë diçka. Kam shumë besim te Gabriele Gravina, i cili është nënkryetari im i parë. Ai do të bëjë gjithçka që mundet për të ngushtuar hendekun. Jam i sigurt se Italia do të presë Kampionatin Evropian 2032.”

  • Osmani reagon për tragjedinë në Prizren: Zbardhje e plotë dhe ndëshkim maksimal

    Osmani reagon për tragjedinë në Prizren: Zbardhje e plotë dhe ndëshkim maksimal

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas tragjedisë në Prizren ku mëngjesin e së martës një person ka therur për vdekje vajzën e tij 15-vjeçare ndërsa ka lënë të lënduar rëndë vajzën tjetër 10-vjeçare.

    Osmani u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me “forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës”.

    “Shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi”, shkroi Osmani në Facebook, transmeton KosovaPress.

    Osmani tha se ky është akt barbar dhe jo vetëm një krim.

    “Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot, ku njëra vajzë vritet nga dora e babait dhe vajza tjetër mbetet e plagosur së bashku me nënën e saj, nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë. Për secilën shoqëri e secilin shtet”, shkroi Osmani në Facebook.

    Presidentja Osmani kërkoi zbardhje të plotë të rastit e ndëshkim maksimal.

    “Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim! Parandalim për të ndalur dorën që godet, për të shpëtuar jetët që sot janë të pambrojtura. Nuk mundemi kurrsesi të kthejmë kokën anash! Nuk ka më “është punë familjare” kur dhuna gërryen nga brenda zemrën e një shoqërie. Shtëpia nuk guxon të bëhet vend i frikës. Duhet të mbetet strehë e shenjtë”, tha Osmani.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyçi ka bërë të ditur për KosovaPress se në vendin e ngjarjes fillimisht kanë hasur në tre persona të lënduar, e më pas njëra ka ndërruar jetë.

    “Rreth orës 06:00 kemi pranuar informatë se një person është me thikë në dorë në rrugën ‘Shotë Galica’. Policia ka dal në vendin e ngjarjes, ku ka parë tre persona të lënduar, dhe njëra nga të lënduarat ka ndërruar jetë”, ka thënë ai.

    I dyshuari, me shtetësi turke, tashmë është arrestuar.

  • ​Takohen drejtuesit e LDK-së, pritet t’i japin përgjigje Kurtit

    ​Takohen drejtuesit e LDK-së, pritet t’i japin përgjigje Kurtit

    Ende nuk dihet se a po mbahet mbledhja e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ndonëse disa deputetë janë prononcuar për media, nuk kanë bërë të ditur se a po zhvillohet kjo mbledhje.

    Në këtë mbledhje pritet të diskutohet rreth letrës që ka dërguar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për një koalicion të përbashkët.

    Ndërkaq pritet që të prononcohen nga LDK-ja, pas kësaj mbledhjeje.

  • ​Arrestohet një i dyshuar për spiunazh

    ​Arrestohet një i dyshuar për spiunazh

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore, ka arrestuar sot një person H.S. shtetas i Republikës së Kosovës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.

    Sipas njoftimit, aksioni dhe arrestimi është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, raporton KP.

    “Po ashtu, në bazë të urdhëresës së gjykatës kompetente, është kryer edhe bastisje në dy lokacione në Kosovë, ku janë sekuestruar prova materiale, përfshirë edhe disa telefona, që dyshohet se janë përdorur nga i dyshuari gjatë kryerjes së veprës penale. Prokurori i shtetit nga PSRK-ja, ndaj të dyshuarit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

  • ​Siguria në rrugë, Policia e Prishtinës fillon kontrollin e kamionëve

    ​Siguria në rrugë, Policia e Prishtinës fillon kontrollin e kamionëve

    Policia e Trafikut në Prishtinë, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, ka filluar zbatimin e një plani operativ për kontrollin e mjeteve të rënda – kamionëve në rajonin e Prishtinës.

    Sipas një komunikate, ky plan ka për qëllim rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, parandalimin e aksidenteve që përfshijnë mjete të rënda dhe sigurimin e respektimit të kritereve ligjore dhe teknike që rregullojnë këtë kategori të automjeteve.

    “Kontrollet po zhvillohen në pika të përcaktuara me rëndësi, ku po verifikohet gjendja teknike e mjeteve, pesha e ngarkesës, dokumentacioni i nevojshëm, si dhe respektimi i orarit të drejtimit nga ana e shoferëve. Policia e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës kërkojnë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme rrugore”, thuhet në njofitm.