ATV

Author: ATVLive

  • Microsoft e mbyll zyrtarisht Skype-n pas më shumë se dy dekadash

    Microsoft e mbyll zyrtarisht Skype-n pas më shumë se dy dekadash

    Shërbimi i njohur i thirrjeve video, Skype, është mbyllur zyrtarisht më 5 maj nga Microsoft, duke shënuar fundin e një epoke për komunikimin në internet, përcjell ATV.

    Skype, i themeluar në vitin 2003 në Estoni, revolucionarizoi mënyrën se si njerëzit bisedonin përmes teknologjisë VOIP, duke mundësuar thirrje audio dhe video përmes internetit. Pas blerjes nga Microsoft në vitin 2011 për 8.5 miliardë dollarë, Skype pati një sukses të madh global, me rreth 170 milionë përdorues në atë kohë.

    Microsoft vendosi ta mbyllë Skype për të fokusuar përpjekjet në platformën Teams, e cila është bërë aplikacioni kryesor i komunikimit dhe bashkëpunimit në kompani. Llogaritë ekzistuese të Skype tani mund të përdoren në Teams.

    Ekspertët thonë se Skype ndryshoi mënyrën e lidhjes së njerëzve në distancë, duke e bërë komunikimin ndërkombëtar më të lirë dhe të qasshëm për të gjithë – jo vetëm për bizneset e mëdha.

    Pavarësisht rënies së popullaritetit pas rritjes së platformave si Zoom, Slack dhe vetë Teams gjatë pandemisë, Skype mbetet një pararendës i rëndësishëm në historinë e punës dhe komunikimit virtual. /atvlive.tv

  • Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

    Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

    Lideri konservator gjerman Friedrich Merz nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare për t’u zgjedhur kancelar të martën, duke shënuar një pengesë të papritur për koalicionin e tij të ri me Socialdemokratët (SPD).

    Merz, 69 vjeç, i cili udhëhoqi CDU/CSU-në drejt fitores në zgjedhjet federale të shkurtit, mori vetëm 310 vota në Bundestag, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316 votash, njoftoi presidentja e Bundestagut, Julia Kloeckner.

    Pas votimit, Kloeckner ndërpreu seancën parlamentare për t’u dhënë grupeve mundësinë të konsultohen mbi hapat e ardhshëm.

    Parlamenti gjerman ka tani 14 ditë kohë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër me shumicë absolute, me një votim të mundshëm që mund të zhvillohet sërish edhe gjatë së martës, raporton Reuters.

    Edhe pse konservatorët fituan zgjedhjet me 28.5 për qind të votave, ata kishin nevojë për një partner për të formuar qeveri shumice.

    Të hënën, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni me SPD-në, e cila kishte dalë me rezultatin më të dobët në historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 16.4 për qind.

    Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

    Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

    AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

    Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë”.

    “Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit”, tha ai. /REL

  • ​Xhiros e 33-të e Superligës nis me përballjen direkte për Evropë

    ​Xhiros e 33-të e Superligës nis me përballjen direkte për Evropë

    Ndeshja ndërmjet SC Gjilanit dhe FC Malishevës do ta hap xhiron e 33-të në Superligësn e Kosovës në futboll. Kjo sfidë do të zhvillohet në stadiumin e Qytetit në Gjilan dhe nis nga ora 15:00, shkruan KosovaPress.

    Këto dy skuadra po bëjnë luftë direkte për pozitën e tretë ë cila momentalisht mbahet nga Malisheva dhe e cila siguron pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës për sezonin e ardhshëm.

    Aktualisht, FC Malisheva mban vendin e tretë në tabelë me 48 pikë, ndërsa SC Gjilani renditet në vendin e pestë me 45 pikë.

  • ​Sonte mësohet finalisti i parë i Ligës së Kampionëve

    ​Sonte mësohet finalisti i parë i Ligës së Kampionëve

    Ndeshja kthyese e gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve ndërmjet Interit dhe Barcelonës do të zhvillohet sonte në stadiumin “Giuseppe Meazza” në Milano, me fillim në orën 21:00, shkruan KosovaPress.

    Takimi i parë në “Camp Nou” përfundoi me barazim 3-3, duke e lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Te Barcelona, sulmuesi Robert Lewandowski është rikuperuar nga lëndimi në kofshë dhe është në dispozicion për ndeshjen, por pritet të fillojë nga stoli.

    Mungesa të rëndësishme për Barcelonën përfshijnë mbrojtësit Jules Koundé dhe Alejandro Balde.

    Mbrojtësi i Interir Alessandro Bastoni ka vlerësuar lartë talentin e ri të Barcelonës, Lamine Yamal, duke e quajtur “lojtari më i mirë kundër të cilit kam luajtur”

    Sulmuesi Lautaro Martínez është në dyshim për shkak të një lëndimi të pësuar në ndeshjen e fundit të kampionatit.

    Fituesi i kësaj përballjeje do të sigurojë një vend në finalen e Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet më 31 maj 2025 në “Allianz Arena”në Mynih, derisa finalisti tjetër do të dal nga ballafaqimi PSG-Arsenal që zhvillohet të mërkurën.

  • Sot mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Bosnjë dhe Hercegovinë

    Sot mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Bosnjë dhe Hercegovinë

    Sot në Nju Jork do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohet për situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë, transmeton Paparaci.

    Në seancën e sotme do të raportojë Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.

    Qeveria e entitetit serb të Bosnjës dhe Hercegovinës e quajtur Republika Serbe tashmë ka dërguar “raportin” e saj, në të cilin pretendohet se udhëheqja e RS-së “vepron me qëllim të ruajtjes së Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, të cilën Republika Serbe e respekton plotësisht, si dhe Kushtetutën e BeH, e cila është pjesë përbërëse e saj”.

    Në raportin e kësaj qeverie të Dodikut, në mes tjerash pretendohet se “në vend që të respektohet Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, fryma e saj u interpretua në mënyrë arbitrare, me imponimin e vendimeve nga të huajt, veçanërisht nga Christian Schmidt”, të cilin e quajnë “të paligjshëm”.

    Aty gjithashtu pretendohet se “procedurat dhe vendimet e miratuara në Kuvend me qëllim të kthimit të kompetencave që i takojnë Republikës Serbe sipas Kushtetutës ishin përgjigje ndaj përpjekjes së “paligjshme” për dënimin me burg të kryetarit të RS Milorad Dodik dhe për rrënimin e institucioneve të Republikës Serbe”.

  • 620-vjetori i lindjes së Skënderbeut – “Të edukojmë brezat me frymën e krenarisë kombëtare”

    620-vjetori i lindjes së Skënderbeut – “Të edukojmë brezat me frymën e krenarisë kombëtare”

    Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, së bashku me stafin e ambasadës, kanë vendosur kurora me lule pranë monumentit të Skënderbeut në qendër të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

    Ambasadori Malaj theksoi rëndësinë e kësaj dite për shqiptarët kudo që ndodhen.

    Malaj shtoi se sot shqiptarët ndihen krenarë në Prishtinë, në Tiranë dhe në çdo vend ku jetojnë, falë figurave si Skënderbeu, i cili, siç tha, ishte jo vetëm mburojë për Shqipërinë, por edhe për Evropën.

    “Kjo është një ditë e rëndësishme për kombin shqiptar. Figura madhështore e kombit tonë, një figurë para së cilës ne përkulemi me respekt dhe mirënjohje. Ajo që na mbetet është që brezat tanë të rinj të edukohen me frymën e krenarisë dhe me gjithçka që na la heroi ynë kombëtar. E sot ndihemi mirë këtu në Prishtinë, në Tiranë dhe kudo ku ka shqiptarë, pikërisht falë figurave të tilla, por sidomos falë figurës së Skënderbeut, që ishte një mburojë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën,” tha ai.

  • Ndahet nga jeta politikania Kaqusha Jashari

    Ndahet nga jeta politikania Kaqusha Jashari

    U nda nga jeta Kaqusha Jashari, funksionare e lartë e Kosovës në vitet ’80, pikërisht në periudhën kur udhëheqja e atëhershme të Kosovës iu kundërvu në mënyrë të hapur politikës antishqiptare të Serbisë, të drejtuar nga Sllobodan Millosheviq.

    Kaqusha Jashari pas luftës së viteve 1998-1999 ishte një nga themelueset e PSD-së.

  • Abdixhiku deklarohet sërish për letrën e Kurtit

    Abdixhiku deklarohet sërish për letrën e Kurtit

    “Qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë ju i dini”, tha shkurt para gazetarëve, Lumir Abdixhiku duke u larguar nga zyrat e LDK-së.

    Abdixhiku është pyetur nga gazetarët për ftesën për koalicion që i dërgoi Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të hënën.

    “Pritni keni durim, do të jem transparent si çdoherë tjetër. Qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”, tha shkurt Abdixhiku, raporton KP.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën thuhej se janë të interesuar për koalicion qeverisës.

    Kurti në këtë letër e pranon se 61 vota përveç formimit të qeverisë, duhet t’i ketë edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    “Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, thuhet në letrën e Kurtit.

    Sot, për herën e 11-të ka dështuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

  • Investitorët e huaj përballë burokracisë dhe mungesës së punëtorëve të kualifikuar

    Investitorët e huaj përballë burokracisë dhe mungesës së punëtorëve të kualifikuar

    Që nga viti 2020, kompania Simtex, me bazë në Zvicër, punëson dhjetëra punëtorë në Kosovë. Por, edhe pas rreth 17 milionë eurosh investime, pronarët e Simtex shprehin pakënaqësi me pengesat në biznesbërje në Kosovë.

    Menaxheri i kompanisë, Reshad Cej, thotë se institucionet shtetërore në Kosovë nuk kanë ofruar ndonjë ndihmë apo lehtësim për kompaninë. Ai madje thotë se çdo kërkesë apo procedurë has në vonesa të gjata nga institucionet.

    “Po ua jap vetëm një shembull: Kur kemi aplikuar për lejen e tensionit të lartë të energjisë elektrike, kemi pritur nëntë muaj për ta marrë. Kjo është një sfidë jashtëzakonisht e madhe dhe humbje për kompaninë”, thekson ai për Radion Evropa e Lirë.

    Aktualisht me 150 punëtorë, kjo kompani eksporton prodhimet e saj të tekstilit në vendet e Bashkimit Evropian.

    Problemet, sipas Cejit, janë shtuar edhe më shumë pas liberalizimit të vizave, në janar të vitit 2024, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe ekspertëve të tekstilit.

    “Jemi të varur nga inxhinierë të huaj. Aktualisht, kemi 25 inxhinierë të tekstilit nga Turqia”, shprehet ai.

    Ai ankohet se punëtorët që i merr kompania dhe i trajnon për tre deri në gjashtë muaj, në fund e lënë kompaninë për të emigruar jashtë vendit.

    Ceji nuk është i vetmi që përballet me probleme të tilla. Ish-ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ismet Mulaj, thotë se procedurat burokratike vazhdojnë të mbeten pengesë për investitorët edhe 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

    Për të zgjidhur këtë problem dhe për të tërhequr më shumë investime të huaja, Mulaj propozon krijimin e një zyre të veçantë që do të përshpejtonte të gjitha shërbimet për bizneset e huaja.

    Një zyrë e tillë, sipas tij, do ta zvogëlonte burokracinë dhe do përmirësonte imazhin e Kosovës si vend i sigurt dhe fitimprurës për investime.

    “Kërkesat e investitorëve të huaj kalojnë nëpër procedura të shumta administrative, të cilat mund të zgjasin mbi dy vjet. Investitorët seriozë nuk kanë kohë të presin kaq gjatë. Për shembull, për të tërhequr një investitor të huaj në fushën e energjisë së ripërtëritshme, duhet të kalohen 28 procedura, dhe vetëm afati kohor minimal është dy vjet”, thotë Mulaj për Radion Evropa e Lirë.

    Investimet e huaja në rritje, të përqendruara në patundshmëri

    Pavarësisht këtyre sfidave, investimet e huaja në Kosovë janë shtuar në vitet e fundit. Sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), këto investime arritën në mbi 856 milionë euro vitin e kaluar, nga 840 milionë euro sa ishin në vitin paraprak.

    Nga të gjithë sektorët, më së shumti investime të huaja janë bërë në sektorin e patundshmërisë, sipas të dhënave të KIESA-s.

    Fokusi në patundshmëri nuk është gjë pozitive, sipas Mulajt. Ai beson se më e dobishme do të kishte qenë nëse investimet do të bëheshin në sektorë që krijojnë vende të reja pune apo nxisin zhvillim ekonomik.

    “Investitorët nga diaspora kryesisht po investojnë në blerjen e banesave, shtëpive dhe tokave”, thotë ai.

    Me të pajtohet Kushtrim Ahmeti, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, i cili beson se investimet në patundshmëri nga diaspora ndodhin kryesisht për shkak të mungesës politikave lehtësuese për biznesbërje ose mosinformimit të investitorëve mbi sektorët potencialë për investim.

    Sipas Ahmetit, pasiguria e furnizimit me energji elektrike, situata e paqëndrueshme politike, trazirat e herëpashershme në veriun e Kosovës, procedurat burokratike dhe sundimi i paqartë i ligjit e bëjnë vendin më pak tërheqës për investime në prodhim apo aktivitete që do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike.

    “Përmirësimi i mjedisit për investimet e huaja mund të ndihmojë në uljen e shkallës së papunësisë, rritjen e prodhimit dhe eksporteve, si dhe reduktimin e numrit të punëtorëve të pakualifikuar në tregun e punës”, shprehet Ahmeti.

    Shumica e investimeve të huaja në Kosovë vijnë nga shtetet ku është e përqendruar diaspora kosovare. Në vitin 2024, nga Gjermania janë investuar rreth 200 milionë euro, ndërsa nga Zvicra rreth 190 milionë euro.

    Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në Kosovë janë 13.388 biznese të regjistruara më pronarë të huaj. Prej tyre, 7.245 janë aktive.

    Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 167 biznese të reja, që sipas Ministrisë, tregon një trend pozitiv dhe interes të vazhdueshëm nga investitorët e huaj për sektorë të ndryshëm.

    Si sektorë të mirë për investime të huaja në Kosovë, eksperët e ekonomisë theksojnë ato të energjisë së ripërtëritshme, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), agrokulturën dhe turizmin./REL/

  • Si duhet të përgjigjet LDK-ja ndaj ftesës së Kurtit?

    Si duhet të përgjigjet LDK-ja ndaj ftesës së Kurtit?

    Shkruan: Fadil Maloku

    A duhet Lumiri të përgjigjet në mënyrë (i)racionale ndaj letrës publike të Kurtit!? Ja një përgjigje hipotetike e (Kryetarit Lumir Abdixhikut) LDK-së ndaj ftesës publike (Kryetarit Albin Kurtit) të VV-sjes , për mendimin tim, në rast sa ka interesime për ruajtjen e substancës dhe interesit të shtetit të Kosovës, po edhe rrezikut që është duke e kërcënuar si sigurinë dhe stabilitetin e vendit e të rajonit, do duhej me qetësi e elokuencë të ndërthurej në tri rrafshe interesash; atë të interesit shtetëror, atë diplomatik (të /mirë/ besimit) dhe atë politik.

    1. Rrafshi i interesit shtetëror:

    Duke qenë të vetëdijshëm se Kosova në këto momente historike po kalon përmes një kalvari situatash të pa qarta dhe të pasigurta, si në sfondin e brendshëm ashtu edhe atë rajonal dhe me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit institucional, LDK-ja në përgjigjen e saj do duhej të reflektonte vullnet të pa kushtëzuar për një zgjidhje kompromisi për ta shmangur bllokimin e procesit të formimit të institucioneve të Kuvendit dhe për të garantuar një bashkëqeverisje funksionale. Jam i bindur që me një qasje të këtillë bashkëpunuese, ku imperativ nuk janë më kapricet, e as smira e inati kanunor, LDK-ja: 1. do i zbuste, stigmatizimet dhe paragjykimet e mëhershme, që pa asnjë dyshim e quan në rënien e saj drastike; 2. Do dërgonte mesazhin e qartë në publik, se edhe më tej mbetet një subjekt puro institucionalist (që aq shumë është “promovuar” në gjitha zgjedhjet) dhe një “gardian” i vërtetë i kushtetutshmërisë dhe sundimit të ligjit; 3) do e ruante substancën elektorale, të cilën e riktheu me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    2. Rrafshi (diplomatik) i ndërtimit të (mirë) besimit:

    Ldk-ja, në këtë rrafsh, do fitonte shumë në sferën e etikës institucionale dhe në moralin e ri politik, që u vërejt edhe në fushatën elektorale. Përpjekja e saj për një moral e etikë të re substanciale, me letrën që do ia kthej Albin Kurtit, ka shanse reale ta “promovoj” idenë dhe konceptin e ri të dialogimit dhe marrëveshjeve te mundshme politike, gjë që gjatë gjithë këtyre tre muajve ishte ai “fajtori” kryesor i bllokadës dhe ngërçit të panevojshëm, shmangien e përplasjes së drejtpërdrejtë. Gatishmëria e saj për të kuptuar rëndësinë dhe peshën e dialogut, por, njëkohësisht duke i vendosur edhe limitet apo kufij qasjes së njëanshme, do e bënte me te shëndetshme edhe ne sytë e publikut qe ka vetëdije shtet formuese. LDK-ja, pra po ashtu përmes përgjigjes eventuale (sepse, ende nuk e dimë nëse do ketë përgjigje!?) do të mund ta zhvendoste komunikim ndërpartiak nga forma publike në një platformë të qartë negociuese…

    3. Rrafshi politik: pavarësi dhe kushtëzim:

    LDK-ja, në rrafshin politik, me një përgjigje racionale dhe argumentuese, por edhe e gatshme për të negociuar tejkalimin e bllokadës absurde, do e ruante e padyshim edhe do mbronte “peshën specifike” të fituar me mund e elokuencë institucionale, si për pavarësinë e vetë politike, ashtu edhe interesin shtetërorë të Kosovës, ku ajo ishte hisedare e pa kontestueshme e procesit të sendërtimit te Kosoves. Nuk mendoj që Ldk-ja e sotme me këtë lidership të ri do duhej në ftesën e Kurtit të përgjigjej me “odisejadat” e përbuzjeve, denigrimeve dhe stigmatizimeve që ndodhën në të kaluarën, po që u ri përsëritën (pa)qëllimshëm edhe në fushatën e fundit. Thënë më troç; LDK-ja, si partia me një histori të bujshme dhe gurëvënëse e themeleve të shteti të sotëm të Kosovës, do duhet të dëshmoj lidership të gatshëm që ta vazhdoj pjesëmarrjen e saj aktive në finalizimin e procesit të sendërtimit, në këto orë të liga jo vetëm për Kosovën, po edhe gjithë kombin shqiptar; P.S. Ldk-ja, për gjykimin dhe bindjen time sociologjike do duhej të ofroj; Një përgjigje të mençur dhe tejet racionale, por, që njëkohësisht shprehë edhe një gatishmëri për të bashkëpunuar për interesin e shtetit dhe të kombit. E gjithë kjo përgjigje, nuk mendoj se do duhej të ishte pompoze, e as e natyrës së një spektaklit mediatik, por e një dialogut urtak të heshtur institucional e dobiprurës për te gjithë…