ATV

Author: ATVLive

  • Merz zgjedhet kancelar i Gjermanisë, Haradinaj: Suksese në detyrën e re dhe në drejtimin e vendit tuaj mik

    Merz zgjedhet kancelar i Gjermanisë, Haradinaj: Suksese në detyrën e re dhe në drejtimin e vendit tuaj mik

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka uruar Friederich Merz, për zgjedhjen si Kancelar i Gjermanisë.

    ”Urime Friedrich Merz për zgjedhjen si Kancelar i Gjermanisë. Suksese në detyrën e re dhe në drejtimin e vendit tuaj mik. Me respekt dhe shpresë për bashkëpunim të mëtejmë.” ka shkruar Haradinaj.

    Postimi:

  • Krasniqi pret Ali Ahmetin: PDK mbetet e përkushtuar për të forcuar lidhjet ndërshqiptare

    Krasniqi pret Ali Ahmetin: PDK mbetet e përkushtuar për të forcuar lidhjet ndërshqiptare

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur në takim liderin e BDI-së, Ali Ahmetin.

    Krasniqi ka njoftuar në Facebook se me Ahmetin ka pasur një diskutim vëllazëror e tejet të frytshëm.

    Poashtu, ai bën të ditur se kanë diskutuar mbi sfidat dhe përpjekjet e vazhdueshme për të avancuar të drejtat dhe pozicionin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

    “PDK mbetet e përkushtuar për të forcuar lidhjet ndërshqiptare dhe për të mbështetur fuqizimin politik dhe institucional të shqiptarëve kudo që janë – jo vetëm në funksion të interesit kombëtar, por edhe si kontribuues të stabilitetit dhe integrimit euroatlantik në Ballkan”, ka thënë Krasniqi.

  • Merz zgjidhet kancelar i Gjermanisë në raundin e dytë

    Merz zgjidhet kancelar i Gjermanisë në raundin e dytë

    Friedrich Merz i Gjermanisë ka fituar votën në Parlament për t’u bërë kancelar në përpjekjen e tij të dytë, vetëm disa orë pasi një disfatë e paprecedentë shpërfaqi pakënaqësi të thellë brenda koalicionit të tij, shkruan CNN.

    Në një seancë të organizuar me ngut të martën pasdite, 325 deputetë votuan pro — më shumë se 316 sa i duheshin.

    Merz, i cili fitoi zgjedhjet në shkurt dhe shpalli një koalicion qeverisës muajin e kaluar, kishte dështuar më herët gjatë ditës me gjashtë vota më pak, një goditje befasuese që shënoi një tjetër kthesë në një periudhë të stërzgjatur pasigurie për vendin.

    Tani pritet të bëhet zyrtarisht kancelar pasi të miratohet nga Presidenti i Gjermanisë. Por mandati i tij do të nisë mbi një terren të paqëndrueshëm: votimet e së martës zbuluan hezitim brenda koalicionit të tij dhe i dhanë partisë së ekstremit të djathtë, AfD, një mundësi të re për të trazuar skenën politike.

  • Rexhaj ironizon me idenë e LDK-së për “Qeveri tranzicionale”

    Rexhaj ironizon me idenë e LDK-së për “Qeveri tranzicionale”

    Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas refuzimit që Lidhja Demokratike e Kosovës i bëri ofertës së tretë të VV-së për koalicion qeverisës, përcjell ATV.

    Rexhaj ka ironizuar idenë e LDK-së për një qeveri tranzicionale, duke shkruar:

    “Po, LDK mund të bëjë qeveri të tranzicionit, por vetëm deri në vjeshtë 2025, jo deri në pranverë 2026; dhe, jo në Republikën e Kosovës, por vetëm në komunën e Pejës; kurrsesi me LVV, por me AAK dhe Porfirijen.”

    Reagimi i tij vjen menjëherë pas përgjigjes zyrtare të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili refuzoi koalicionin me Vetëvendosjen dhe propozoi një qeveri gjithëpërfshirëse tranzicionale. /atvlive.tv/

  • ​Agjencia për Bujqësi dhe Pylltari rikthen objektin e uzurpuar në veri

    ​Agjencia për Bujqësi dhe Pylltari rikthen objektin e uzurpuar në veri

    Përfaqësues të Agjencisë së Kosovës për Bujqësi dhe Pylltari nën asistencën e Policisë së Kosovës, kanë larguar kompaninë serbe “SrbijaŠuma”, në Leposaviq, pasi ato objekti ishte uzurpuar nga kjo kompani.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani i tha KosovaPress-it, se zyrtarët policor kanë asistuar Ministrinë e Bujqësisë për me hy në pronën e tyre në Leposaviç, e cila ishte duke u shfrytëzuar nga Srbija Šuma.

    “Çdo gjë ka kaluar mirë”, tha ai.

  • VV insiston: Nuk do të ndryshojmë emrin e propozuar për kryeparlamentare

    VV insiston: Nuk do të ndryshojmë emrin e propozuar për kryeparlamentare

    Lëvizja Vetëvendosje do të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht se në gjashtë tentime e njëjta nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post. Në partinë e Albin Kurtit kërkojnë “reflektim nga partitë të tjera parlamentare”, derisa thonë se edhe në seancën e nesërme do të këmbëngulin që votimi për të parin e legjislativit të bëhet në mënyrë të fshehtë.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në njëmbëdhjetë tentime kanë dështuar të konstituojnë legjislaturën e nëntë.

    Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, thotë për KosovaPress se janë të interesuar për zhbllokim të krizës politike në Kosovë, andaj sipas tij edhe e kanë ftuar për koalicion qeverisës LDK-në.

    Pavarësisht ftesës për koalicion qeverisës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të martën refuzoi LVV-në, derisa propozoi formimin e një qeverie nacionale tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit në vitin 2026.

    “Kryeministri [Albin Kurti] ka bërë ftesë haptas të drejtpërdrejtë, publike dhe pa i lënë hapësirë imagjinatës për një bashkëpunim ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Konsiderojmë se kjo mund të jetë një nga format e zhbllokimit të kësaj situate dhe tash presim përgjigje nga ta. Edhe një herë, është jetike që Kosova të konstituojë Kuvendin dhe të vazhdohet me formim të qeverisë, pasi kjo situatë nuk i shërben askujt dhe është në dëm të qytetarëve”, thekson ai.

    Ai thotë se “pas refuzimeve të njëpasnjëshme për zgjidhje politike në Kuvend, qytetarët duhet të shohin se kush është problemi dhe shkaku i bllokadës politike”.

    “Urojmë që të reflektohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, sidomos kur vjen puna te votimi i kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Jemi duke bërë maksimumin që është në dorën tonë për të dal nga kjo situatë. Tashmë qytetarët po e shohin se ku është problemi dhe shkaku i bllokadës”, shton ai.

    Sipas tij, partitë e tjera nuk e kanë problem emrin e Haxhiut për kryeparlamentare, mirëpo “thjesht duan të bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.

    “Nuk besoj e kanë problem ata [opozita] emrin e përveçëm. Thjesht është një veprim bllokues dhe për të cilin besoj se këdo që do të vendosim do të vepronin njëjtë, pa marrë parasysh se deklaratat janë ndryshe. E propozuara jonë për kryetare të Kuvendit mbetet Albulena Haxhiu”, deklaron Abrashi.

    Sipas tij, LVV-ja i ka votat për formim të qeverisë edhe pa marrëveshje me LDK-në, raporton KosovaPress.

    “Së pari Kuvendi, pastaj qeveria. Të zgjedhim njëherë kryesinë e Kuvendit, kryetaren dhe nënkryetarët dhe pastaj vijmë tek kjo temë. Pastaj e shohim a janë apo jo numrat. Kjo bllokadë nuk e di se pse po bëhet dhe nuk i shkon në favor askujt”, thotë ai.

    Madje, Abrashi insiston se edhe në seancën e nesërme do të vazhdohet procedura e njëjtë që përmes votimit të komisionit verifikues, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet në formë të fshehur.

    Ky veprim, sipas tij, do të krijonte një rehati për një votim të pandikuar të deputetëve.

    “Votimi i fshehtë është propozuar si një mundësi që deputetëve të cilët janë nën presion partiak t’iu krijohet një komoditet për një votim të pavarur dhe të pandikuar. Edhe kjo po iu pengon. Kemi menduar që nuk do të vijë puna të bllokohet Kuvendi pa arsye. Është e njëmbëdhjeta herë që po mblidhemi dhe kemi mbetur këtu ku jemi”, thekson Abrashi.

    Sipas tij, nëse është e pamundur dalja nga kriza aktuale, zgjedhjet mbesin e vetmja mundësi.

    “Kosova sapo e përmbylli një cikël zgjedhor, të cilat ishin zgjedhje të rregullta. Për herë të parë ishim në afate kushtetuese dhe doli ky rezultat. Unë nuk mendoj që vendi ka nevojë për zgjedhje. Por nëse është e pamundshme me dal nga kjo situatë, atëherë zgjedhjet mbeten e vetmja mundësi ku ne i rikthehemi sovranit dhe kërkojmë një rikonfirmim politik”, përfundon Abrashi.

    Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës po ndodh për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.

    Kundër propozimit të LVV-së po votojnë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë, shkruan KosovaPress.

    Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk po marrin pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e ka bërë deri tani edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

  • Reagon Avdullah Hoti pasi LDK refuzoi koalicionin me VV-në

    Reagon Avdullah Hoti pasi LDK refuzoi koalicionin me VV-në

    Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, për dallim nga kryetari i kësaj Lumir Abdixhiku, që tha se është i gatshëm për një marrëveshje për qeveri tranzicionale të unitetit me partitë shqiptare, ka thnë se LDK-ja nuk do të bëjë asnjë marrëveshje me askënd që ka synim shkatërrimin e LDK-së.

    E plotë:

    JO!

    LDK e ka të qartë vullnetin e elektoratit të vet. Nuk mund askush të flasë për vullnetin e elektoratit tonë.

    Nuk duhet të ketë dhe nuk do të ketë marrëveshje me askënd që ka synim shkatërimin e LDK-së dhe shkatërrimin e vendit.

    Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!

  • Parakalim festiv në 620-vjetorin e lindjes së Skënderbeut

    Parakalim festiv në 620-vjetorin e lindjes së Skënderbeut

    Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në Prishtinë u mbajt parakalim festiv, ku morën pjesë grupe të ndryshme artistike dhe shoqata kulturore nga trojet shqiptare, raporton EO.

    Pjesëmarrësit, të veshur me kostume tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare, sjellën përmes paraqitjeve të tyre një mozaik të pasur të trashëgimisë kulturore shqiptare.

    Ngjarja u organizua si pjesë e aktiviteteve përkujtimore për figurën e Skënderbeut, simbol i rezistencës dhe unitetit kombëtar.

    Parakalimi filloi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe vazhdoi drejt sheshit “Nëna Terezë”.

  • Shtim i vaksinimit, efektiv për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse

    Shtim i vaksinimit, efektiv për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse

    Java Botërore e Imunizimit në Kosovë u përmbyll me aktivitete dhe mesazhe vetëdijesuese me moton “Imunizimi është i mundshëm për të gjithë”, raporton Ekonomia Online.

    Institucionet shëndetësore dhe partnerët ndërkombëtarë theksuan përparimin e Kosovës në zgjerimin dhe përmirësimin e mbulueshmërisë me vaksina.

    Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se falë përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në mbrojtjen e fëmijëve dhe komuniteteve nga sëmundjet ngjitëse.

    “Në Kosovë përmes përkrahjes së partnerëve tanë, kemi arritur që t’i mbrojmë fëmijët tanë dhe komunitet nga shumë sëmundje ngjitëse. Zbatimi i programit të zgjeruar të imunizimi është një nga prioritetet e qeverisë së Kosovës, duke synuar përfshirjen e plotë të të gjitha komuniteteve. Gjatë viteve 2023-2024 është pesëfishuar buxheti për vaksinim dhe kalendarit të rregullt i janë shtuar edhe tri vaksina. Vetëm gjatë vitit të parë të zbatimit të planit në vitin 2023 janë vaksinuar kundër HPV 10 mijë vajza. Këtë vit janë mbi 13 mijë vajza dhe djem”, tha ajo.

    Drejtoresha e Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ardita Baraku, theksoi rëndësinë e vazhdimit të vaksinimit si mjet efektiv për parandalimin e sëmundjeve infektive.

    “E para: vaksinat janë mjete shumë efektive për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse. Falë vaksinave është arritur që të eliminohen disa sëmundje ngjitëse. Ka raste kur prindërit hezitojnë që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Falë punës sonë të madhe numri i tyre është i vogël”, tha ajo.

    Edita Goranci-Haxhiu, përgjegjëse për imunizim nga zyra e OBSH-së në Prishtinë tha se Kosova është shembull i mirë për mbulueshmërinë e lartë krahasuar me vendet e rajonit.

  • Vetëvendosja reagon ndaj propozimit të Abdixhikut për qeveri tranzicionale

    Vetëvendosja reagon ndaj propozimit të Abdixhikut për qeveri tranzicionale

    Blerim Sallahu nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar duke thënë se është jokushtetuese që të propozohet një qeveri tranzicionale nga një parti që doli e treta në zgjedhjet e fundit parlamentare.

    Duke reaguar ndaj deklarimit të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që i ftoi partitë për një qeveri tranzicionale, Sallahu tha se kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjetër.

    “Është jokushtetuese të propozosh nga pozicioni i tretë qeveri tranzicionale! Kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjetër”, ka shkruar Sallahu në Facebook.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media ka bërë të ditur se partia e tij nuk e pranon ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion.

    Ai ka propozuar qeveri të transicionit deri në kohën e zgjedhjes së presidentit.