ATV

Author: ATVLive

  • Schmidt në OKB: Bosnja është në krizën më të thellë që nga Marrëveshja e Dejtonit

    Schmidt në OKB: Bosnja është në krizën më të thellë që nga Marrëveshja e Dejtonit

    Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, duke paraqitur raportin gjashtëmujor para Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi situatën në Bosnje, theksoi se vendi ndodhet në një “krizë politike, por jo edhe të sigurisë”, dhe se “nuk ka rrezik për luftë”.

    Megjithatë, ai theksoi se situata në lidhje me Marrëveshjen e Dejtonit nuk ka qenë kurrë më e keqe dhe se gjithçka nisi pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodikut, çka u përdor nga autoritetet e Republikës Sërpska si justifikim për hapa drejt “de facto shkëputjes”, përfshirë nismën për hartimin e një Kushtetute të re për entitetin serb.

    “Kjo është kulmimi i politikave që janë zbatuar prej kohësh, për të cilat kam paralajmëruar edhe në raportet e mia të mëparshme”, tha Schmidt.

    Ai shtoi se situata ekonomike po përmirësohet lehtësisht, por se vendi ndodhet në një krizë të thellë demografike. Marrëveshja e paqes e Dejtonit, sipas tij, mbetet themeli mbi të cilin mund të ndërtohet e ardhmja e Bosnje e Hercegovinës.

    Megjithatë, ai nënvizoi se kjo nuk nënkupton se nuk mund të diskutohen amendamente dhe ndryshime të nevojshme në Kushtetutën shtetërore (e cila është pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit).

    Schmidt shtoi se, para 30 vjetësh kur përfundoi lufta në Bosnje, “askush nuk e kishte menduar se bashkësia ndërkombëtare do të ishte ende kaq e nevojshme edhe sot”.

    Duke e përmbyllur fjalimin, ai u bëri thirrje liderëve të vendit të vazhdojnë rrugën drejt integrimeve evropiane, ndërsa bashkësinë ndërkombëtare e ftoi të vazhdojë mbështetjen për vendin dhe qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, në mënyrë që ata “të mos harrohen”.

    Nga ana tjetër, kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, deklaroi se Republika Sërpska nuk po e minon Marrëveshjen e Dejtonit, por po e mbështet atë.

    Ajo theksoi se po i drejtohej Këshillit të Sigurimit si përfaqësuese e zgjedhur me vota nga Republika Sërpska dhe përsëriti qëndrimin e njohur të këtij entiteti se dëshirojnë rikthimin te “versioni origjinal” i Marrëveshjes së Dejtonit.

    Cvijanoviq mbrojti ligjet e miratuara në mënyrë antikushtetuese në entitetin serb, duke i quajtur “jo provokime, por përgjigje legjitime ndaj shkeljeve të vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare”.

    Ajo tha se “rivendosja” e Bosnjës është hapi i ardhshëm logjik për të shmangur krizat, dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të votojë zyrtarisht për Schmidtin – dhe, nëse ai nuk ka mbështetje, të caktohet një kandidat tjetër për përfaqësues të Lart.

    Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB, John Kelley, deklaroi se SHBA-të mbeten të përkushtuara ndaj stabilitetit në Bosnje dhe ndaj Marrëveshjes së Dejtonit.

    “U bëjmë thirrje liderëve të shtrensionojnë situatën dhe të shmangin veprime që mund të nxisin paqëndrueshmëri apo dhunë në vend”, tha Kelley.

    Ai shtoi se SHBA “kundërshton çdo përpjekje për shkëputje apo retorikë destabilizuese, dhe si shumica në këtë tryezë, mbështesim sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnje e Hercegovinës”.

    Në fund, ai përshëndeti rolin e misionit EUFOR Althea dhe theksoi rëndësinë e përfaqësuesit të Lartë në mbështetjen e komponentit civil të Marrëveshjes së Dejtonit.

    Përfaqësuesi rus në OKB, Vasily Nebenzya, në fjalën e tij akuzoi bashkësinë ndërkombëtare se po përpiqet të ndryshojë arkitekturën e brendshme të vendit dhe të krijojë një shtet unitar.

    Ai i cilësoi përpjekjet për ta arrestuar Dodikun si “provokim”, duke përdorur një retorikë të ngjashme me atë të autoriteteve në Republikën Sërpska, megjithëse bëhet fjalë për një vendim të gjykatës shtetërore në procedurë të rregullt.

    Karen Pierce, e dërguara e posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, paralajmëroi në Këshillin e Sigurimit se Dodik përbën kërcënimin më të madh për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.

  • Pakistani thotë se ka rrëzuar pesë aeroplanë luftarakë të Indisë

    Pakistani thotë se ka rrëzuar pesë aeroplanë luftarakë të Indisë

    Pakistani ka thënë se ka rrëzuar pesë aeroplanë luftarakë të Indisë në luftimet më të rënda në më shumë se dy dekada mes dy armiqve që kanë armë bërthamore.

    Pakistani tha se raketat indiane goditën tri lokalicone, ndërsa një zëdhënës ushtarak i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se pesë aeroplanë indianë janë rrëzuar nga forcat pakistaneze, pretendim që nuk u konfirmua nga India.

    Megjithatë, katër burime lokale qeveritare në Kashmirin Indian i thanë agjencisë “Reuters” se tre aeroplanë luftarakë ishin rrëzuar në zona të ndryshme të rajonit në Himalaje gjatë natës.

    Burimet shtuan se të tre pilotët janë dërguar në spital. Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes të Indisë nuk ishin menjëherë të qasshëm për ta konfirmuar raportin.

    Në fotografi që po qarkullojnë në rrjete sociale shihej një pjesë e madhe metalike me ngjyrë argjendi e me formë cilindrike që kishte rënë në një fushë në njërën nga zonat e rrëzimit. Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte menjëherë autenticitetin e fotografisë.

    Pakistani tha se sulmi i forcave indiane ishte “akt flagrant i luftës” dhe se e ka njoftuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se Pakistani e rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur në mënyrën e përshtatshme ndaj agresionit indian.

    “Të gjitha këto përfshirje janë bërë si masë mbrojtëse” – tha zëdhënësi ushtarak pakistanez, Ahmed Sharif Chaudhry. “Pakistani mbetet shtet shumë i përgjegjshëm. Megjithatë, ne do t’i ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e nderit, integritetit dhe sovranitetit të Pakistanit, me çfarëdo çmimi” – paralajmëroi ai.

    Policia dhe dëshmitarët i thanë agjencisë “Reuters” se forcat indiane dhe pakistaneze shkëmbyen edhe sulme intensive me predha e të shtëna armësh përgjatë një pjese të madhe të kufirit de fakto në rajonin e Kashmirit në Himalaje.

    India dhe Pakistani i kanë zhvilluar dy prej tri luftërave të tyre që nga pavarësia më 1947 për Kashmirin që ka popullsi shumicë myslimane. Të dyja vendet pretendojnë se tërë rajoni u takon atyre, por e kanë nën kontroll vetëm pjesërisht./Nacionale

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Mot i vranët dhe me intervale me diell pritet të mbajë sot në Kosovë, shkruan KP.

    Vranësirat gjatë ditës parashihen të dendësohen duke krijuar kushte për riga shiu dhe shkarkime rrufesh.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-10gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-22 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

  • Kuvendi tenton sërish të konstituohet mes bllokadës politike

    Kuvendi tenton sërish të konstituohet mes bllokadës politike

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në ora 10:00, në përpjekjen e dymbëdhjetë për konstituimin e institucionit ligjvënës, shkruan KP.

    Derisa partitë politike nuk po arrijnë marrëveshje, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes partisë qw doli e para nw zgjedhje (koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa) dhe opozitës (PDK, LDK dhe AAK), lidhur me emrin e kryetarit të Kuvendit. Kjo situatë ka bërë që 11 seanca të mëparshme të dështojnë.

    Koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa vazhdon të këmbëngulë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit — një emër që partitë opozitare e kundërshtojnë fuqishëm, duke e cilësuar si “përçarëse”.

    Në tri seancat e fundit, koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa ka tentuar të ndryshojë procedurën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar që ai të bëhet me votim të fshehtë. Megjithatë, ky propozim është kundërshtuar ashpër nga PDK, LDK dhe AAK.

    Për të zhbllokuar situatën, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i ‘shtrirë dorën’ për bashkëpunim dhe duke propozuar hyrjen në një koalicion qeverisës.

    Ndërkaq, Abdixhiku i është përgjigjur Kurtit gjatë ditës së djeshme përmes një letre, në të cilën propozon formimin e një qeverie tradicionale me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në vend.

    Mbetet të shihet sot nëse Kuvendi do të konstituohet në seancën e sotme.

  • India sulmon Pakistanin, tetë të vdekur dhe 35 të plagosur

    India sulmon Pakistanin, tetë të vdekur dhe 35 të plagosur

    India ka sulmuar Pakistanin me raketa pasi marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë në kulmin e tensioneve javët e fundit, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Të paktën tetë persona janë vrarë, 35 të tjerë janë plagosur dhe dy rezultojnë të zhdukur, pas një sulmi me raketa të kryer nga India brenda territorit të Pakistanit, deklaroi të mërkurën një zëdhënës i Ushtrisë pakistaneze.

    Gjenerallejtënant Ahmed Sharif Chaudhry tha në një konferencë për media para agimit, në qytetin garnizon të Raëalpindit, se ushtria indiane “duke përdorur armë të ndryshme, shënjestroi gjashtë vende.”

    Sipas tij, vendet e goditura, përfshijnë një xhami, si dhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani.

    Forcat e armatosura indiane kanë konfirmuar se kanë shënjestruar nëntë vende në Pakistan dhe Xhamu dhe Kashmir të pushtuar nga Pakistani, si pjesë e “Operacionit Sindoor”.

    Në një deklaratë thuhet se është goditur infrastruktura terroriste në Pakistan, nga ku janë planifikuar dhe drejtuar sulme terroriste kundër Indisë.

    Përshkallëzimi mes dy fqinjëve të armatosur bërthamorë vjen pas një sulmi më 22 prill në Pahalgam të Kashmirit të administruar nga India, ku 26 persona u vranë.

    India e ka fajësuar Pakistanin për këtë sulm, duke pretenduar se kishte lidhje përtej kufirit. Pakistani ka mohuar çdo përfshirje në vrasje.

  • “Kemi punuar më mirë dhe më seriozisht se në të kaluarën”, Nagavci flet për testin PISA që do të mbahet këtë muaj

    “Kemi punuar më mirë dhe më seriozisht se në të kaluarën”, Nagavci flet për testin PISA që do të mbahet këtë muaj

    Ministrja e dorëhequr e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin CONTEXT në ATV, ka konfirmuar se testi ndërkombëtar PISA do të mbahet këtë muaj, duke thënë se përgatitjet janë bërë me seriozitet të shtuar dhe në bashkëpunim të ngushtë me OECD-në.

    Ajo tha se janë ndarë materiale udhëzuese për nxënësit dhe janë mbajtur takime me drejtorët e shkollave dhe koordinatorët për të rritur përgatitjen.

    “Kemi përgatitur materiale të mjaftueshme, kemi nxjerrë të dhënat bashkë me OECD-në, kemi pasur takime me drejtorët e shkollave dhe kemi shpërndarë modele të pyetjeve. Organizimi teknik është dukshëm më i mirë sesa në të kaluarën”, deklaroi Nagavci.

    Sipas saj, sivjet është bërë edhe një hap i ri – rezultatet e PISA-s janë ndarë me shkollat, në mënyrë që ato të kenë pasqyrë për përmirësim.

    “Ne i dimë saktë rezultatet e çdo shkolle dhe i kemi ndarë ato me to. Nuk janë bërë publike, sepse nuk lejohet, por secila shkollë tashmë i di rezultatet e veta”, theksoi Nagavci.

    Deklaratën e plotë të Arbërie Nagavcit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Nagavci flet për doracakët seksualë, thotë se janë tërhequr për rishikim

    Nagavci flet për doracakët seksualë, thotë se janë tërhequr për rishikim

    Ministrja e dorëhequr e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin CONTEXT në ATV, sqaroi se doracakët që u kontestuan si përmbajtje “seksuale” janë tërhequr për rishikim dhe se debati për to u përdor politikisht gjatë fushatës zgjedhore.

    Ajo tha se doracakët ishin pjesë e një përmbledhjeje të bazuar në fakte dhe argumente, por që u shfrytëzuan për sulme politike.

    “Ato janë tërheqë për rishikim dhe janë përdorur gjatë kohës së fushatës për të na sulmuar. Më nuk ka folur askush për ato tekste. Kanë qenë tema të hapura artificialisht”, deklaroi Nagavci.

    Sipas saj, procesi i rishikimit të teksteve shkollore është i vazhdueshëm dhe përfshin edhe programet mësimore në të gjitha nivelet.

    “Si ministri jemi duke rishikuar programet lëndore, tashmë është mbyllur cikli i implementimit të kurrikulës. Kemi rishikuar tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës, dhe do të vazhdojmë me tekstet e shkencave natyrore, duke përmirësuar cilësinë e të gjitha materialeve mësimore”, shtoi ajo.

    Deklaratën e plotë të Arbërie Nagavcit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Nagavci: Librat kanë kushtuar më shtrenjtë, por këtë vit kemi subvencionuar edhe mjetet shkollore

    Nagavci: Librat kanë kushtuar më shtrenjtë, por këtë vit kemi subvencionuar edhe mjetet shkollore

    Ministrja e dorëhequr e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin CONTEXT në ATV, konfirmoi se këtë vit shkollor kostoja për libra ka qenë më e lartë krahasuar me vitet e kaluara, por tha se për herë të parë janë subvencionuar edhe mjetet tjera shkollore për prindërit.

    Ajo tha se ministria ka thyer monopolin e mëparshëm të shtëpive botuese, duke futur tekstin alternativ dhe duke u dhënë shkollave të drejtën të zgjedhin vetë librat.

    “Ka qenë sekret publik që një shtëpi botuese ka pasur mbi 60% të tregut. Ne kemi lejuar tekstin alternativ dhe kemi furnizuar shkollat me librat që kanë zgjedhur vetë mësuesit, në bazë të listës së miratuar. Kjo ka rritur konkurrencën dhe cilësinë”, deklaroi Nagavci.

    Në lidhje me koston, ajo tha se është më e lartë për shkak se këtë vit, përveç librave, janë përfshirë edhe mjetet shkollore në ndihmën financiare për prindërit.

    “Po, kanë kushtuar më shtrenjtë. Por këtë vit kemi subvencionuar prindërit jo vetëm për libra, por edhe për mjetet shkollore. Dhe kjo është arsyeja pse vlera është më e madhe. Nuk kemi blerë libra që të mbesin stok në shkolla, siç kanë gjetur auditorët në të kaluarën”, sqaroi ajo.

    Deklaratën e plotë të Arbërie Nagavcit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Nagavci: Janë blerë vende pune, kemi dorëzuar dhjetëra lëndë në Prokurori

    Nagavci: Janë blerë vende pune, kemi dorëzuar dhjetëra lëndë në Prokurori

    Ministrja e dorëhequr e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se gjatë mandatit të saj janë zbuluar dhe luftuar praktika të rënda si blerja e vendeve të punës, diplomave dhe avancimeve të jashtëligjshme në institucione arsimore.

    Ajo tha se është përballur me shumë sulme politike për shkak të reformave që kanë prekur interesa të fuqishme në sektorin e arsimit.

    “Jam e vetëdijshme që këto sulme kanë qenë pikërisht për shkak të gjithë punëve të mira e reformave që janë bërë. Jam e vetëdijshme që kemi prishë shumë interesa. Ka qenë sekret publik që ka pasë diskutime për blerje të diplomave, për blerje të vendeve të punës, për favorizime, për avansime ndoshta edhe të jashtëligjshme të stafit akademik”, deklaroi Nagavci.

    Sipas saj, janë ndërmarrë masa konkrete ndaj institucioneve abuzuese dhe janë mbyllur shumë kolegje që nuk përmbushnin standardet.

    “Prej më shumë se tridhjetë kolegjeve private që kanë qenë, ku publikisht është ditur se në shumë raste janë shpërndarë diploma, sot kemi më pak se dhjetë që i plotësojnë standardet. Kemi dorëzuar me dhjetëra lëndë në Prokurori dhe pres që të shqyrtohen. Nuk flasim vetëm për diploma, por për dhjetëra miliona euro të keqpërdorura”, theksoi ajo.

    Deklaratën e plotë të Arbërie Nagavcit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Nagavci për letrën e LDK-së: Po tentojnë të marrin me manovra atë që qytetarët nuk ua dhanë me votë

    Nagavci për letrën e LDK-së: Po tentojnë të marrin me manovra atë që qytetarët nuk ua dhanë me votë

    Ministrja e dorëhequr e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin CONTEXT në ATV, komentoi letrën publike të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, drejtuar Albin Kurtit, duke e cilësuar si përpjekje për ta fituar me manovra politike atë që nuk e kanë arritur në zgjedhje.

    Sipas saj, LDK po mundohet të pengojë konstituimin e Kuvendit për të fituar pozita që nuk i ka fituar në mënyrë demokratike.

    “Edhe me letrën e fundit të zotit Abdixhiku, përveç të tjerash, u shpërfaq edhe e vërteta që atë që qytetarët nuk ju kanë dhënë, pra besimin për të qeverisur, ata po mundohen ta arrijnë në një rrugë tjetër, duke blloku konstituimin e Kuvendit”, deklaroi Nagavci.

    Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese bindshëm në zgjedhje dhe ka marrë më shumë vota se çdo subjekt tjetër.

    “Qytetarët ua kanë dhënë më së shumti besim. 42.5 për qind të votave. Ka qenë e qartë që Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka fituar më së shumti vota, më shumë sesa partia e dytë dhe e tretë së bashku. Kryeministri Kurti është kandidati që ka fituar më së shumti vota në historinë e zgjedhjeve në Kosovë”, theksoi ajo.

    Deklaratën e plotë të Arbërie Nagavcit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: