ATV

Author: ATVLive

  • Abdixhiku, Haziri e Kica-Xhelili ndalen e bisedojnë pas dështimit të seancës

    Abdixhiku, Haziri e Kica-Xhelili ndalen e bisedojnë pas dështimit të seancës

    Kryetari Lumir Abdixhiku e deputetët e LDK-së, Lutfi Haziri dhe Doarsa Kica-Xhelili janë ndalur e kanë biseduar pas dështimit të 12-të të seancës konstituive.

    Kujtojmë se në votimin për formimin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, u regjistruan vetëm 56 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim – numër ky i pamjaftueshëm për të ecur përpara me procesin.

    Seanca u ndërpre sërish. Kryesuesi njoftoi se tentativa e radhës për konstituim do të zhvillohet të enjten, më 9 maj, me fillim nga ora 11:00. /atvlive.tv

  • Dështon për herë të 12-të konstituimi i Kuvendit

    Dështon për herë të 12-të konstituimi i Kuvendit

    Për të 12-tën herë me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Në votimin për formimin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, u regjistruan vetëm 56 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim – numër ky i pamjaftueshëm për të ecur përpara me procesin.

    Seanca u ndërpre sërish. Kryesuesi njoftoi se tentativa e radhës për konstituim do të zhvillohet të enjten, më 9 maj, me fillim nga ora 11:00. /ATV/

  • ​Haradinaj thotë se nuk merr pjesë në një takim ku është pjesëmarrës Albin Kurti

    ​Haradinaj thotë se nuk merr pjesë në një takim ku është pjesëmarrës Albin Kurti

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se e mirëpret ftesën për konsultë nga i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai deklaroi se “nuk ka asgjë të keqe” një ftesë e tillë, por përsëriti qëndrimin e tij se do angazhohet për “qeveri të opozitës”.

    Kur u pyet se a merr pjesë në një takim ku është pjesëmarrës edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ai u përgjigj shkurt me “Jo”.

    “Unë e mirëpres mundësinë e konsultave, tani qëndrimet ndryshojnë. Ju e dini unë angazhohem për qeveri të opozitës, vazhdoj të mbes në këtë qëndrim për qeverinë e opozitës. Ndërsa, jam i hapur për konsulta, në këtë rast me LDK-në, me PDK-në, me partitë parlamentare të opozitës”, deklaroi Haradinaj.

    Ai tha se e kanë autorizuar nënkryetaren e partisë, Time Kadrijaj për konsulta me bashkëkryesuesin e seancës, Avni Dehari për të gjetur zgjidhje.

    “Ftesa për konsultë nuk ka gjë të keqe, që të konsultohem, mund të konsultohem bilateral, Aleancë me LDK-në, me PDK-në. Pra nuk e shoh të keqe një ftesë për konsultë apo një qeveri. Pa të keqe, unë personalisht angazhohem për qeverinë e opozitës. Nuk na pengon propozimi i LDK-së për konsulta, për opsionin qeverisës në të ardhmen. Personalisht angazhohem për qeverinë e opozitës”, shtoi ai.

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj këto deklarata i bëri para vazhdimit të seancës konstituive./KP

  • Berisha: Abdixhiku nuk po guxon të shkojë i vetëm në koalicion me LVV-në

    Berisha: Abdixhiku nuk po guxon të shkojë i vetëm në koalicion me LVV-në

    Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka kundërshtuar propozimin e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për krijimin e një qeverie të tranzicionit.

    Para mediave, Berisha tha se Abdixhiku nuk po guxon të shkojë i vetëm në koalicion me LVV-në, transmeton Telegrafi.

    “Unë mendoj që Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku janë dy anët e të njëjtës medalje. Ky po na fton neve, sepse nuk po guxon me shku vet, e me nda fajin për asociacion e po na thotë hajdeni krejt bashkë e ta marrim përgjegjësin bashkë. Unë nuk jam i interesuar ta marrë fajin, edhe nuk ka nevojë me na thirr ta bëjmë qeverinë me ta”, pohoi ai.

    Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit pritet të fillojë në ora 10:00.

  • SHBA-ja dhe Kina do të nisin bisedimet për luftën tregtare këtë javë

    SHBA-ja dhe Kina do të nisin bisedimet për luftën tregtare këtë javë

    Zyrtarët amerikanë dhe kinezë do të fillojnë bisedimet këtë javë për të provuar të ulin tensionet në një luftë tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

    Zëvendëskryeministri kinez He Lifeng do të marrë pjesë në bisedimet në Zvicër nga 9 deri më 12 maj, njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës, shkruan BBC, transmeton KP.

    Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, dhe Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së (USTR) Jamieson Greer do të përfaqësojnë Uashingtonin në takim, njoftuan zyrat e tyre.

    Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump ka vendosur taksa të reja importi për mallrat kineze deri në 145%. Pekini është kundërpërgjigjur me taksa për disa mallra nga SHBA-ja prej 125%.

    Por ekspertët e tregtisë globale i kanë thënë BBC-së se presin që negociatat të zgjasin disa muaj.

    Do të jetë ndërveprimi i parë i nivelit të lartë midis dy vendeve që kur Zëvendëspresidenti Kinez Han Zheng mori pjesë në inaugurimin e Trump në janar.

    Bessent tha se mezi priste të ribalanconte sistemin ekonomik ndërkombëtar për t’i shërbyer më mirë interesave të SHBA-së.

    “Ndjesia ime është se kjo do të ketë të bëjë me uljen e tensioneve, jo me marrëveshjen e madhe tregtare, por duhet të ulim tensionet përpara se të mund të ecim përpara”, tha ai në një intervistë me Fox News.

    “Nëse Shtetet e Bashkuara duan ta zgjidhin çështjen përmes negociatave, ato duhet të përballen me ndikimin serioz negativ të masave të njëanshme tarifore mbi veten dhe botën”, tha një zëdhënës i ministrisë kineze të tregtisë të mërkurën në mëngjes.

    Media shtetërore kineze raportoi se Pekini kishte vendosur të angazhohej me SHBA-në pasi kishte marrë në konsideratë plotësisht pritjet globale, interesat e vendit dhe thirrjet nga bizneset amerikane.

    Raporti shtoi se Kina është e hapur për bisedime, por përsëriti se nëse vendi vendos të vazhdojë të luftojë këtë luftë tregtare – do të luftojë deri në fund.

    Lufta tregtare ka shkaktuar trazira në tregjet financiare dhe ka dërguar valë tronditëse në të gjithë tregtinë globale.

  • Osmani nderohet me urdhrin më të lartë shtetëror në Brunei, “Datin Laila Utama”

    Osmani nderohet me urdhrin më të lartë shtetëror në Brunei, “Datin Laila Utama”

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Urdhrin e Familjes Mbretërore “Datin Laila Utama”, gjatë vizitës shtetërore në Sulltanatin e Bruneit Darussalam, ka njoftuar Presidenca të mërkurën.

    Ky është nderimi më i lartë shtetëror që u jepet liderëve të huaj nga familja mbretërore e Bruneit dhe shoqërohet me titullin honorifik “Datin Laila Utama”, i cili ka peshë të veçantë në protokollin zyrtar të këtij shteti.

    Gjatë ceremonisë solemne të ndarjes së titullit, Osmani theksoi se ky nder është shenjë e thellë respekti dhe miqësie mes dy popujve.

    “Ky Urdhër dhe ky titull nuk janë vetëm një vlerësim për mua si Presidente, por mbi të gjitha një nder për popullin e Kosovës. Jam thellësisht mirënjohëse për mikpritjen dhe respektin e treguar nga Sulltani dhe populli i Bruneit”, deklaroi ajo.

    Ky nderim, që më herët i është dhënë edhe Mbretëreshës Elizabeth II të Mbretërisë së Bashkuar, “vlerësohet si dëshmi e përkushtimit të Osmanit për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën globale”.

  • Arrestohen tre të dyshuar për katër vepra të ndryshme penale në Gjilan

    Arrestohen tre të dyshuar për katër vepra të ndryshme penale në Gjilan

    Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar tre të dyshuar për katër vepra të ndryshme penale, ndër to edhe për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve.

    Siç njofton policia, pas veprimeve hetimore, me mbështetjen edhe nga njësitë tjera relevante policore, ka zhvilluar kontroll në tri lokacione të ndryshme në Gjilan, me ç’rast janë arrestuar tre persona të dyshuar, raporton KP.

    “Të dyshuarit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, dhe në grup edhe me persona të tjerë, dyshohet se kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm kryesisht shtetas të huaj, duke i joshur përmes thirrjeve telefonike, përdorimit të identiteteve të rrejshme dhe metodave të sofistikuara dhe kanë arritur t’i bindin që të investojnë në bursa fiktive dhe kriptovaluta”, thuhet në njoftim.

    Sipas policisë, këtë veprimtari kriminale të dyshuarit dyshohet se e kanë ushtruar nga një lokacion (zyrë) e modifikuar si qendër e thirrjeve e cila ka qenë e kundërligjshme.

    Në cilësi të provave materiale lidhur me rastin janë sekuestruar: tri vetura, tri kompjuterë, nëntë telefona mobile, 10044 euro (para të gatshme), 100 franga zvicerane (para të gatshme), 1100 dollarë amerikanë (para të gatshme), 50 copë municion, DVR, Router-a, Kufje, Monitorë kompjuteri dhe dokumente të ndryshme.

    “Me vendim të prokurorit, tre të arrestuarit meshkuj kosovarë ndalohen për 48 orë, derisa rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor”, thuhet në njoftim.

  • ​Flick: Eliminimi i Barcelonës i pamerituar

    ​Flick: Eliminimi i Barcelonës i pamerituar

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, shprehu zhgënjimin e tij pas eliminimit nga Liga e Kampionëve kundër Interit, duke shprehur zhgënjimin e tij me atë që e konsideroi një rezultat të padrejtë dhe disa vendime të gjyqtarëve që, sipas tij, ishin në favor të “Nerazzurrëve”.

    “Jemi të gjithë të zhgënjyer, pasi kemi dhënë kaq shumë në këtë ndeshje”, tha Flick në një konferencë për shtyp

    “Disa vendime 50-50 shkuan të gjitha në favor të Interit, por kështu shkojnë gjërat. Jam krenar për ekipin, mendoj se rezultati është i padrejtë dhe se disa nga vendimet e gjyqtarit ishin shumë të mira, por jo në favorin tonë. Ky është futbolli, ata e meritonin dhe tifozët e tyre ishin të shkëlqyer, por ne do të kthehemi sezonin e ardhshëm”, shtoi ai.

    Flick u pyet se me çfarë problemi kishte konkretisht në lidhje me gjykimin e gjyqtarit polak Szymon Marciniak.

    “Nuk dua të flas shumë për këtë, nuk do të ishte e drejtë ndaj ekipit tim, i cili pati një performancë të shkëlqyer. Nuk dua të flas për gjyqtarin. I thashë atij atë që duhej të thoja”

    Megjithatë, Flick shfrytëzoi gjithashtu rastin për t’i dhënë meritat lojtarëve të Simone Inzaghit si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

    “Sot, sulmuesit e Interit ishin shumë të mirë, e mbajtën topin mirë dhe janë lojtarë shumë të fortë, por edhe me përvojë. Ne kemi një ekip të ri dhe duhet të përmirësohemi; detyra jonë do të jetë të përmirësohemi. Nga çdo këndvështrim, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, tha ai.

  • Kardinalë nga e gjithë bota mblidhen për të votuar për Papën e ardhshëm

    Kardinalë nga e gjithë bota mblidhen për të votuar për Papën e ardhshëm

    Kardinalë nga e gjithë bota po mblidhen në Romë për të zgjedhur Papën e ardhshëm pas vdekjes së Papa Françeskut, të hënën e Pashkëve.

    Nuk e dihet se sa do të zgjasë ky proces – konklavat e mëparshme kanë zgjatur vetëm disa ditë, megjithëse në shekujt e mëparshëm mosmarrëveshjet ndonjëherë kanë bërë që takimet të zgjaten me muaj.

    Kardinalët do të marrin pjesë në një meshë në Bazilikën e Shën Pjetrit këtë mëngjes dhe më vonë do të ecin në Kapelën Sistine, për të hedhur votat e tyre nën afresket e Michelangelo-s.

    Sapo të hyjnë në kapelë, ata nuk do të kenë komunikim me botën e jashtme derisa të zgjidhet një Papë i ri.

    Pritet dalja e tymit nga oxhaku i kapelës. Nëse është i zi, do të ketë më shumë raunde votimi nesër. Tymi i bardhë sinjalizon se është zgjedhur një Papë i ri.

  • U kthye në politikë pas 12 vitesh, kush është Friedrich Merz, kancelari i ri i Gjermanisë

    U kthye në politikë pas 12 vitesh, kush është Friedrich Merz, kancelari i ri i Gjermanisë

    Friedrich Merz u zgjodh më në fund kancelar i Gjermanisë. Kryetari i CDU-së mori 325 vota – ndërsa për shumicën e nevojshme për kancelar nevojiteshin 316 vota. Në raundin e parë, Merz kishte dështuar.

    Kryetari i partisë konservatore gjermane Unioni Kristian-Demokrat (CDU), Friedrich Merz, nuk e pati të lehtë fillimin në detyrën e re. Në raundin e parë të votimit në Bundestag më 6 maj 2025, Merz nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej 316 votash. Por në raundin e dytë ai mori 9 vota më shumë se ç’i nevojiteshin për t’u zgjedhur kancelar. Ishte hera e parë në historinë e Gjermanisë që një kandidat për kancelar refuzohet në votimin e parë – një tjetër pengesë në një karrierë politike me ulje-ngritje.

    Kthim pas 12 vjetësh në politikë

    Merz, ish-kryetar i grupit parlamentar të Unionit, u rikthye në Bundestag në vitin 2021, pas një mungese 12-vjeçare nga politika. Në moshën 69-vjeçare ai bëhet kancelari më i moshuar i Gjermanisë që nga Konrad Adenauer, i cili mori detyrën në moshën 73-vjeçare.

    Karriera politike e Merz-it ndahet në dy faza: përpara dhe pas epokës Merkel. Në vitin 2002, kur Angela Merkel mori drejtimin e grupit parlamentar të CDU-së dhe më vonë u bë kancelare, Merz u tërhoq nga skena politike. Ai kishte ambicie për postin e kancelarit që herët, por CDU/CSU zgjodhi si kandidat Edmund Stoiberin, i cili humbi përballë Gerhard Schröderit. Më pas Merz u përqendrua në karrierën si jurist dhe nuk kandidoi më për Bundestagun në 2009.

    Jurist, menaxher, orator

    Me origjinë nga rajoni Sauerland në perëndim të Gjermanisë, Merz është katolik dhe jurist, si babai i tij. Në vitin 1989 u zgjodh deputet në Parlamentin Europian, ndërsa në vitin 1994 kaloi në Bundestag. Dallohej për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe oratorinë e fuqishme.

    Gjatë periudhës larg politikës Merz u bë figurë qendrore në sektorin financiar. Nga 2016 deri më 2020, ai ishte kryetar i bordit mbikëqyrës të BlackRock në Gjermani – një fakt që për disa është avantazh, por për kritikët mbetet pikë e dobët për shkak të mungesës së përvojës qeveritare.​​

    Angela Merkel,dhe Friedrich Merz, kryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU, duke biseduar dhe qeshurAngela Merkel,dhe Friedrich Merz, kryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU, duke biseduar dhe qeshur

    Kurs më konservator

    Merz përfaqëson një krah më konservator brenda CDU-së. Ai nuk e mbështeti kriminalizimin e përdhunimit brenda martesës në vitin 1997 dhe ka qenë mbrojtës i fortë i energjisë bërthamore. Po ashtu, ai bën thirrje për më pak burokraci dhe më shumë përgjegjësi individuale.

    Në vitin 2023 ai shkaktoi debat me kritikat ndaj integrimit të refugjatëve: “Ka njerëz që nuk kanë ç’kërkojnë në Gjermani… që i tolerojmë prej kohësh duke mos i deportuar, dhe pastaj habitemi kur shohim se si baballarët u mohojnë mësuesve – sidomos mësueseve – çdo autoritet mbi fëmijët e tyre, që sillen sikur të ishin ‘pashallarë të vegjël’.”

    Rënie e besueshmërisë

    Edhe pse fitoi zgjedhjet në shkurt 2025, popullariteti personal i Merz-it ka rënë. Vetëm 21% e gjermanëve e konsiderojnë të besueshëm, sipas një sondazhi të muajit prill. Vetëm 40% e shohin si lider të fortë dhe 27% mendojnë se ai “e kupton çfarë i shqetëson njerëzit”.

    Rënia e besueshmërisë lidhet edhe me manovrat e tij politike: në janar 2025 CDU miratoi një mocion në Bundestag me votat e ekstremit të djathtë AfD – diçka që Merz e kishte përjashtuar më parë. “Ne nuk do të bashkëpunojmë me partinë që e quan veten Alternativa për Gjermaninë,” deklaroi ai më 3 shkurt. Po ashtu, në mars ra dakord me SPD dhe Të Gjelbrit për të zbutur frenën e borxhit, duke hapur rrugë për 1 trilion euro kredi – një kthesë që i zemëroi votuesit konservatorë.

    Mesazh për Donald Trumpin

    Në politikën e jashtme Merz është pro dërgimit të raketave Taurus në Ukrainë – duke kaluar vijën e kuqe të paraardhësit Olaf Scholz. “Nuk jemi palë në këtë luftë dhe nuk duam të bëhemi të tillë. Por as nuk jemi spektatorë të painteresuar,” tha ai në një intervistë për ARD më 28 prill.

    Merz kërkon që Gjermania të marrë rol udhëheqës në Evropë dhe NATO. “Mesazhi im për Donald Trump është: Gjermania është kthyer në rrugën e duhur,” deklaroi ai më 9 prill. “Ne do të përmbushim detyrimet për mbrojtjen dhe do të forcojmë aftësinë tonë konkurruese – jo vetëm për Gjermaninë, por për gjithë BE-në.”

    Udhëtimet e tij të para si kancelar janë simbolike: Paris, Varshavë. Dhe, shumë shpejt, ndoshta edhe Tirana, ku më 16 maj mbahet takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian./DW