ATV

Author: ATVLive

  • Si e parashikuan shkencëtarët para 6 vjetësh shpërthimin e luftës Indi-Pakistan më 2025

    Si e parashikuan shkencëtarët para 6 vjetësh shpërthimin e luftës Indi-Pakistan më 2025

    Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit janë përshkallëzuar ndjeshëm që nga një sulm terrorist muajin e kaluar në Pahalgam, në pjesën indiane të Kashmirit, në të cilin u vranë 26 persona. Ndërsa frika e luftës rritet, disa zyrtarë politikë dhe ushtarakë pakistanezë kanë kërcënuar se do të përdorin armë bërthamore.

    Në një situatë kaq të paqëndrueshme, një punim shkencor i vitit 2019 i botuar nga Routledge po qarkullon përsëri. Studimi parashikoi një konflikt bërthamor midis Indisë dhe Pakistanit këtë vit, i shkaktuar nga një sulm terrorist me një numër të madh viktimash.

    Autorët e studimit paraqitën një skenar në të cilin një sulm i madh terrorist, i konceptuar fillimisht si një sulm ndaj Parlamentit Indian, e shtyn Indinë të vendosë trupa përgjatë Linjës së Kontrollit (LoC) dhe Pakistani përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Ndërsa tensionet rriten, ka përleshje kufitare dhe vdekje nga të dyja palët, duke çuar në një përshkallëzim të shpejtë.

    “Ashtu si në janar 2002, të dyja palët po mobilizohen dhe po vendosin trupa… Përleshjet po shpërthejnë dhe ka të vdekur nga të dyja palët”, thuhet në tekst.

    Sipas këtij simulimi, kur forcat indiane fillojnë të përparojnë drejt territorit pakistanez, gjeneralët pakistanezë nga frika e humbjes ushtarake vendosin të përdorin armë bërthamore, raporton KosovaPress.

    Dita 1: Pakistani përdor 10 bomba bërthamore taktike (5 kiloton secila) brenda territorit të tij kundër tankeve indiane.

    Dita 2: Pakistani lëshon 15 bomba të tjera taktike. India përgjigjet me 20 shpërthime strategjike bërthamore në ajër mbi instalimet ushtarake të Pakistanit dhe objektet e magazinimit bërthamor.

    Këto sulme shkaktojnë zjarre të mëdha dhe re tymi, të ngjashme me ato pas bombardimit të Hiroshimës ose zjarrit në San Francisko në 1906.

    Në vend që t’i japë fund konfliktit, përshkallëzimi i Indisë çon në një ditë të tretë edhe më vdekjeprurëse: Pakistani përgjigjet me 30 sulme ajrore mbi garnizonet ushtarake indiane, bazat detare dhe fushat ajrore, së bashku me 15 sulme të tjera taktike. Më pas India godet 10 objektiva ushtarake pakistaneze në qytete.

    Studimi përshkruan një reaksion zinxhir katastrofik: zemërim, panik, keqkuptime dhe protokolle të rrepta ushtarake nga të dyja palët që çojnë në një luftë bërthamore në shkallë të plotë.
    Gjatë tri ditëve të ardhshme, Pakistani përdor të gjithë arsenalin e tij strategjik bërthamor prej 120 kokash për të synuar qytetet indiane. India hakmerret me 70 sulme bërthamore ajër-ajër dhe mban rezervë 100 koka të tjera për të penguar Kinën nga sulmi, por ironia është se më parë ajo nuk ka arritur të pengojë Pakistanin.

    Nëse të dyja vendet kanë rreth 250 koka bërthamore secila, autorët paralajmërojnë pasoja të rënda: nga 50 në 125 milionë të vdekur në valën e parë, në varësi të fuqisë së armëve, qytetet kryesore indiane dhe pakistaneze do të shkatërroheshin ose do të bëheshin të pabanueshme dhe do të kishte një kolaps të plotë të infrastrukturës. Kujdesi shëndetësor, transporti, furnizimi me energji dhe financat do të shkatërroheshin.

    Tymi dhe zjarret ekstreme do të shkaktonin ndryshime klimatike që do të preknin të gjithë botën dhe do të çonin në zi buke që mund të prekë miliarda njerëz. “Pasojat do të ishin të mëdha dhe globale në shkallë”, përfundon studimi.

  • Merz paralajmëron SHBA-në të “mos ndërhyjë në politikën e brendshme” të Gjermanisë

    Merz paralajmëron SHBA-në të “mos ndërhyjë në politikën e brendshme” të Gjermanisë

    Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, paralajmëroi të mërkurën SHBA-në të mos ndërhyjë në politikën e brendshme të vendit të tij, raporton Anadolu.

    “Do të doja të inkurajoja dhe përforcoja qeverinë amerikane që të lejojë politikën e brendshme në Gjermani të jetë politikë e brendshme dhe të qëndrojë kryesisht jashtë këtyre konsideratave partiake”, tha Merz në një intervistë për transmetuesin publik ZDF.

    Qeveria amerikane duhet të “qëndrojë jashtë” politikës së brendshme gjermane, theksoi ai, ndërsa shprehu se planifikon të bisedojë me presidentin amerikan Donald Trump të enjten.

    Ai shtoi se ende nuk e njeh Trumpin personalisht, por do të flasë me të “haptazi”.

    Merz theksoi se ai vetë nuk ka “ndërhyrë në fushatën zgjedhore amerikane dhe nuk ka marrë një qëndrim të njëanshëm”.

    Kancelari akuzoi qeverinë amerikane për përhapjen e “pikëpamjeve absurde për Republikën Federale të Gjermanisë”.

    Kur u pyet për mbështetjen e SHBA-së për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), ai tha: “Gjithmonë kam pasur përshtypjen se Amerika mund të bëjë dallimin mes partive ekstremiste dhe partive të qendrës politike”.

    Përfaqësues të qeverisë amerikane kanë mbështetur shpesh dhe me agresivitet AfD-në gjatë fushatës zgjedhore, dhe besniku i Trump-it, Elon Musk, madje ka intervistuar lideren e AfD-së, Alice Weidel.

    Së fundmi, Shtëpia e Bardhë kritikoi ashpër qeverinë gjermane për klasifikimin e AfD-së si parti ekstremiste të djathtë.

  • ​Përurohet “UÇK– Në shënjestër të vazhdueshme” nga autori Bardhyl Mahmuti

    ​Përurohet “UÇK– Në shënjestër të vazhdueshme” nga autori Bardhyl Mahmuti

    Në Bibliotekën Kombëtare është përuruar libri më i ri i Bardhyl Mahmutit – “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”, i cili trajton fushatat e vazhdueshme të dezinformimit dhe përpjekjet për njollosjen e luftës së lavdishme të UÇK-së, duke u mbështetur në dokumente dhe analiza të thelluara.

    Ky libër u cilësua me rëndësi të madhe pasi që ai një trajton një dimension më pak të prekur luftën e UÇK-së e që është diplomacia e saj.

    Ramë Buja, njëri prej protagonistëve të ngjarjeve të lavdishme kohore, tha se libri i Bardhyl Mahmutit është një dëshmi e rrallë për të vërtetën e luftës së UÇK-së dhe kushdo që dëshiron ta njohë atë pa shtrembërime, duhet ta lexojë këtë libër.

    “Kush dëshiron ta mësojë të vërtetën për luftën e UÇK-së, duhet ta lexojë këtë libër, nëse dëshiron ta mësojë të vërtetën. Ky libër i strukturuar në formë bashkëbisedimi në mes të Bardhyl Mahmutit përfaqësues politik dhe diplomatik i UÇK-së, dhe Muhamet Mavraj, kryeredaktor i gazetës Epoka e Re, është një mrekulli vërtetësie për kohën kur u zhvilluan këto ngjarje gjurmëlënëse të një epoke që tundi qarqet më të mëdha politike diplomatike dhe ushtarake të globit”, tha Buja.

    Autori i librit Bardhyl Mahmuti tha se ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngjarjet e trajtuara në libër, por për çerek shekulli kishte zgjedhur të mos fliste.

    Ai theksoi se ka vendosur të publikojë këto përvoja për të ndriçuar të vërtetën dhe për t’i kundërshtuar keqinterpretimet e bëra ndër vite, veçanërisht për takimet e rëndësishme diplomatike të UÇK-së me faktorët ndërkombëtarë.

    “Kam qenë dëshmitar dhe aktor i drejtpërdrejtë i atyre ngjarjeve, sepse e kam parë të domosdoshme të nxjerrë në opinion diçka që kam dashur ta mbajë në vete edhe në botën tjetër. Pse kam dashur të mos flas dhe nuk kam folur një çerek shekulli? Në takimet e para me amerikanët, na thanë, shqiptarët janë bërë në përgjithësi si një shtëpi pa dyer e pa dritare, çdo gjë që thuhet brenda del për jashtë, nuk janë njerëz që mbajnë fjalën. Dikur, shqiptarët kanë qenë njerëz besnikë, ishte përmbysur shumë shpejt ai konceptimi shqiptar si njeri i fjalës, por kishte zënë vend çështja e asaj se shqiptarët janë njerëz që nuk mbajnë fjalën, nxjerrin çdo gjë që kanë. Duke parë interpretime të ndryshme rreth asaj periudhe mbas një çerek shekulli, kam nxjerr një pjesë të atyre takimeve më të rëndësishme që kemi zhvilluar me grupin diplomatik… Diplomacia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të jetë një vepër ku do të përfshihen të gjitha takimet diplomatike qoftë në perëndim, qoftë brenda në Kosovë”, potencoi Mahmuti.

    Ndërsa profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, Mentor Hasani, për KosovaPress, tha se ky libri i Bardhyl Mahmutit ka vlerë të jashtëzakonshme për aspektin diplomatik të UÇK-së, duke ofruar fakte që i shërbejnë së vërtetës historike.

    “Ky është libri i parë autentik nga Bardhyl Mahmuti, i cili ka një vlerë të jashtëzakonshme sa i përket aspektit diplomatik të UÇK-së, për çka tash lexuesi e ka një rrëfim, një bisedë, një sërë intervistash dhe faktografi që i shërbejnë së vërtetës historike. Natyrisht, që janë botuar artikuj dhe vepra tjera, por kjo është një vepër krejt unike, për çka lexuesi e ka një adresë të veçantë”, tha ai.

    Libri i Bardhyl Mahmutit “UÇK– Në shënjestër të vazhdueshme” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e rolit diplomatik të UÇK-së dhe në ndriçimin e së vërtetës historike. Me rrëfime autentike, intervista dhe dokumente, ai sfidon perceptimet e deformuara për luftën çlirimtare të Kosovës. /KP

  • ​Mbahet Parada e Medaljeve të Karabinierëve italianë në Prishtinë

    ​Mbahet Parada e Medaljeve të Karabinierëve italianë në Prishtinë

    Komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të misionit KFOR, kolonel Alberto Santini, kryesoi Paradën e Medaljeve të Karabinierëve italianë në Prishtinë.

    Santini shprehu vlerësimin e tij për personelin e shpërblyer, për kontributet e tyre të rëndësishme në përpjekjet e KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, raporton KP.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë.

    KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet përkatëse si reagues të sigurisë.

  • Këto janë të hyrat tatimore në katërmujorin e parë të vitit 2025

    Këto janë të hyrat tatimore në katërmujorin e parë të vitit 2025

    Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur të mbledhë gjithsej 390.2 milionë euro të hyra tatimore gjatë katër muajve të parë të vitit 2025, duke shënuar një rritje të qëndrueshme prej 33.7 milionë euro apo 9.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton KosovaPress.

    Siç njofton ATK-ja, kjo rritje e të hyrave tatimore është rezultat i drejtpërdrejtë i forcimit të transparencës institucionale, një komponent kyç që është vlerësuar edhe në raportet e fundit ndërkombëtare.

    “Në këto raporte, ATK është përmendur si një nga institucionet që ka shënuar progres të dukshëm në ndërtimin e besimit ndërmjet saj dhe tatimpaguesve. Për më tepër, kjo rritje e të hyrave është e lidhur ngushtë me uljen e evazionit tatimor. Çdo përmirësim në mbledhjen e të hyrave ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e përmbushjes vullnetare dhe në reduktimin e ekonomisë joformale – një nga sfidat kryesore të sistemit tatimor”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, në këtë drejtim, ATK vazhdon të fokusohet në përmirësimin e vazhdueshëm të procedurave tatimore, duke e konsideruar këtë si mjetin më të fuqishëm për të rritur përmbushjen e detyrimeve dhe për të forcuar partneritetin me qytetarët dhe bizneset.

    “Reformat në proceset operative, investimi në teknologji dhe digjitalizimi i shërbimeve tatimore kanë krijuar kushte më të avancuara për deklarimin dhe pagesën e tatimeve, duke e bërë sistemin më të drejtë, më efikas dhe më të qasshëm për të gjithë”, thuhet në komunikatë.

  • Caktohet seanca e rigjykimit në rastin e njohur si “53-milionëshi”

    Caktohet seanca e rigjykimit në rastin e njohur si “53-milionëshi”

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar datën 14 maj 2025 për nisjen e rigjykimit në rastin e njohur si “53-milionëshi” ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”.

    Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Caktimin e seancës së rigjykimit e ka konfirmuar, Mirlinda Gashi- zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve P.L. etj është caktuar të mbahet me datë 14 maj 2025, në ora 09.00”, thuhet në përgjigje.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

    Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

  • Mbi 59 të vrarë nga sulmet në Gaza, Izraeli përgatitet të përshkallëzojë ofensivën

    Mbi 59 të vrarë nga sulmet në Gaza, Izraeli përgatitet të përshkallëzojë ofensivën

    Sulmet izraelite në të gjithë Gazën kanë vrarë të paktën 59 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët e spitalit, ndërsa Izraeli përgatitet të përshkallëzojë fushatën e tij kundër militantëve të Hamasit.

    Sulmet përfshinin një sulm të martën në mbrëmje ndaj një shkolle që strehonte qindra palestinezë të zhvendosur, i cili vrau 27 persona, thanë zyrtarë nga Spitali Al-Aksa, përfshirë nëntë gra dhe tre fëmijë.

    Ishte hera e pestë që nga fillimi i luftës që një shkollë në Gazën qendrore është sulmuar.

    Një sulm në orët e hershme të mëngjesit në një shkollë tjetër të shndërruar në strehë në qytetin e Gazës vrau 16 persona, sipas zyrtarëve në Spitalin Al-Ahli, ndërsa sulmet ndaj objektivave në zona të tjera vranë të paktën 16 të tjerë.

    Gjakderdhja e re vjen disa ditë pasi Izraeli miratoi një plan për të intensifikuar operacionet ushtarake në enklavën palestineze, i cili do të përfshinte pushtimin e Gazës, mbajtjen e territoreve të pushtuara, zhvendosjen me forcë të palestinezëve në Gazën jugore dhe marrjen e kontrollit të shpërndarjes së ndihmave së bashku me kompanitë private të sigurisë.

    Izraeli po thërret gjithashtu dhjetëra mijëra ushtarë rezervë për të zbatuar planin.

    Izraeli thotë se plani do të jetë gradual dhe nuk do të zbatohet deri pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump të përfundojë vizitën e tij në rajon më vonë këtë muaj.

    Çdo përshkallëzim i luftimeve ka të ngjarë të rrisë numrin e të vdekurve në luftën shkatërruese që tani hyn në muajin e saj të 20-të.

    Dhe me Izraelin që tashmë kontrollon rreth 50% të Gazës, rritja e kontrollit të tij në territor, për një kohë të pacaktuar, mund të hapë potencialin për një pushtim ushtarak, gjë që do të ngrinte pyetje se si Izraeli planifikon ta qeverisë territorin, veçanërisht në një kohë kur po shqyrton se si ta zbatojë vizionin e Trump për të marrë kontrollin e Rripit./euronews

  • BE-ja do të ndalojë plotësisht importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027

    BE-ja do të ndalojë plotësisht importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027

    Bashkimi Evropian (BE) do të ndalojë plotësisht importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027, do të minimizojë importet e naftës ruse, do të intensifikojë përpjekjet kundër flotës në hije të Rusisë dhe do të zvogëlojë ndjeshëm varësinë nga Rusia në sektorin bërthamor, duke përfshirë kufizimin e furnizimeve me uranium të pasuruar.

    Kjo është bërë e ditur gjatë një prezantimi nga Komisioneri Evropian për Energjinë, Dan Jorgensen në Strasburg. Ai deklaroi se Bashkimi Evropian synon të ndërpresë plotësisht importin e burimeve energjetike ruse, me plane për të ndaluar blerjen e gazit rus deri në fund të vitit 2027. Ai shtoi se muajin tjetër, në qershor 2025, Komisioni Evropian do të paraqesë propozime përkatëse legjislative bazuar në udhërrëfyes.

    “Rusia përbën kërcënim për të gjithë ne. Në fund të këtij viti, të gjitha shtetet anëtare do të paraqesin plane konkrete se si të ndalojnë importin e energjisë ruse. Kontratat e reja të gazit dhe kontratat ekzistuese të tregut do të ndalohen që këtë vit, duke eliminuar kështu një të tretën e importit të sotëm nga Rusia. Dhe deri në fund të vitit 2027 do të jemi plotësisht të lirë nga gazi rus. Kjo nuk është një gjë e vogël, kjo nuk është pa sfida, por mund të bëhet dhe ne do ta bëjmë këtë në një mënyrë graduale dhe të koordinuar, duke mbështetur shtetet anëtare ku dhe kur është e nevojshme”, tha Dan Jorgensen, Komisioner i BE-së për Energjinë.

  • Milanoviç: Deklarata për bashkëpunim mbrojtës me Kosovën dhe Shqipërinë, nuk është kërcënim për Serbinë

    Milanoviç: Deklarata për bashkëpunim mbrojtës me Kosovën dhe Shqipërinë, nuk është kërcënim për Serbinë

    Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, deklaroi sot në Shkup se Serbia nuk ka arsye të shqetësohet për deklaratën mbi bashkëpunimin mbrojtës mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

    “Nuk kam marrë pjesë në hartimin dhe miratimin e këtij dokumenti, por si president i shtetit dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura e mbështes këtë memorandum. Dhe në një farë mënyre dua t’i qetësoj shtetet fqinje, si për shembull Serbinë, se nuk ka arsye për shqetësim. Maqedonia e Veriut është në NATO, dhe kjo mjafton,” u shpreh Milanoviç në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.

    I pyetur për pritshmëritë nga marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, ku Maqedonia e Veriut është e ftuar të marrë pjesë, Milanoviç theksoi se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare formale.

    “Dokumenti që përmendët nuk është marrëveshje, por një deklaratë, pra një memorandum. Është një dokument që është nënshkruar në formë protokolli nga tre ministra të mbrojtjes. Nga pikëpamja e sistemit kushtetues kroat, ai nuk plotëson kushtet për të qenë marrëveshje ndërkombëtare – është thjesht një deklaratë, pa pasoja juridike ndërkombëtare,” tha Milanoviç.

    Ai theksoi se Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova është një shtet mik, që ende nuk është anëtar i Bashkimit Evropian dhe nuk është pranuar zyrtarisht.

    “Nëse do të përfaqësoja Maqedoninë e Veriut, nuk do të shqetësohesha fare për këtë çështje. Nuk është një marrëveshje ndërkombëtare, por është në linjë me politikën e jashtme të Kroacisë,” shtoi presidenti kroat.

    Gjatë vizitës zyrtare në Shkup, Milanoviç pas takimit me presidenten Siljanovska Davkova, do të takohet edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

  • ​Pse qytetarët vazhdojnë të preferojnë produktet e importuara?

    ​Pse qytetarët vazhdojnë të preferojnë produktet e importuara?

    Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të preferojnë produktet e importuara edhe më 2025, për shkak të perceptimit se ato kanë cilësi më të lartë dhe çmim më të ulët, sipas rezultateve të Anketës mbi perceptimin e konsumatorëve për prodhimet vendore, realizuar nga UBO Consulting për Shoqatën e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve “PePeKo”, mbështetur nga Projekti për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat (PPSE).

    Shkurte Makolli nga UBO Consulting, theksoi se disa produkte vendore si uji, jogurti, dhallë, djathi, gjiza, qumështi, turshitë dhe ajka mbajnë një nivel të qëndrueshëm të preferencës nga konsumatorët.

    Një tjetër produkt që ka ruajtur popullaritetin është kosi, i cili vazhdon të mbetet ndër produktet më të preferuara vendore.

    Nga ana tjetër, çaji ka përjetuar një rënie të ndjeshme në vitet e fundit, me 71% të qytetarëve që preferonin çaj vendorë në vitin 2023, por kjo përqindje ra në 44% në 2024 dhe në 35% në vitin 2025.

    “Produktet vendore që qytetarët i blejnë më së shumti janë, uji, kosi, jogurti, dallë, gjizë, qumësht, turshitë dhe ajka. Këtu i kemi një grup të produkteve që e ruajnë blerjen vendore, është reçeli, që është blerë si produkt vendor në vitin 2023 për 63 për qind, në 2024 është rrit në 75, por sërish në vitin 2025 është kthyer në 63 për qind, që është trendi i njëjte 2025-2023. Kosi, jogurti, dhallë mbetet një ndër produktet që blihen më së shumti si produkt vendor. Djathi dhe gjiza, dhe salcat të tjera janë produkte që kanë ruajtur blerjen vendore. Përpos produkteve të cilat kanë pasur rritje, dhe produktet që kanë mbajtur tregun, janë edhe disa produkte vendore të cilat kanë rënie, tek çaji, në vitin 2023 nga anketa ka dalë që 71% i preferojnë çajin vendor, ndërkohë që kjo përqindje bie në 2024 në 44% dhe vazhdon rënien në 2025 në 35 për qind”, tha Makolli.

    Ndërsa në pyetjen që është zhvilluar në anketë se çfarë ndikon që qytetarë të zgjedhin produktin e importuar, Makolli shtoi se arsyeja kryesore për zgjedhjen e produkteve të importuara është perceptimi se ato kanë cilësi më të lartë dhe çmim më të ulët se produktet vendore.

    Ajo theksoi se ndryshimi i këtij perceptimi mund të arrihet përmes edukimit, marketingut më të mirë dhe ndërtimit të besimit për produktet vendore.

    “Nuk është thjesht çështje e preferencave por edhe perceptimeve. Kjo mund të ndryshohet me edukim, marketing më të mirë dhe ndërtim besimi. Arsyeja kryesore pse të anketuarit edhe në vitin 2025 në vend të produkteve vendore zgjedhin të importuara është se perceptimi i tyre është se produktet e importuara kanë cilësi më të lartë, dhe që produktet e importuara kanë çmim më të barabartë ose më të ulët se produktet vendore. Po ashtu është që e kanë të vështirë t’i identifikojnë produktet vendore”, ka shtuar Makolli./kp