ATV

Author: ATVLive

  • Arrestohen persona të dyshimtë për terrorizëm në Paris

    Arrestohen persona të dyshimtë për terrorizëm në Paris

    Kërcënimi i terrorizimit në Francës konsiderohet i lartë gjatë Lojërave Olimpike në Paris. Në kuadër të hetimit antiterror, të martën u arrestua një 18-vjeçar, i cili dyshohet se kishte planifikuar sulme terroriste në Lojërat Olimpike që nisin të premten dhe përfundojnë më 11 gusht.

    Sipas “BFMTV”, i cituar nga “Blick”, një tjetër 18-vjeçar është arrestuar të enjten dhe mësohet se ka lidhje me personin e parë.

    “Siç raporton portali francez, personi i dytë i arrestuar thuhet se ka ideologji xhihadiste. Të dy thuhet se kanë shkëmbyer ide dhe kanë planifikuar akte dhune përmes rrjeteve sociale”, citon Blick sajtin francez.

  • Putin zotohet për “hakmarrje” ndaj atyre që tentojnë “të përçajnë” Rusinë

    Putin zotohet për “hakmarrje” ndaj atyre që tentojnë “të përçajnë” Rusinë

    Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se do të hakmerret ndaj kujtdo që tenton të përçajë shoqërinë ruse, teksa lavdëroi efikasitetin dhe besnikërinë e agjencive të zbatimit të ligjit të shtetit të tij.

    Putin ka përshkallëzuar shtypjen e shoqërisë civile, mediave të pavarura dhe opozitës, teksa po vazhdon ofensivën e tij ushtarake në Ukrainë. Kundërshtarët dhe kritikët e Kremlinit ndiqen penalisht dhe dënohen me burgime të gjata.

    “Ata që përpiqen të frikësojnë njerëzit, të përçajnë shoqërinë tonë, të luajnë me ndjenjat fetare apo kombëtare, nuk do të kenë kurrë sukses”, tha Putin përmes një video-mesazhi të publikuar nga Kremlini më 25 korrik.

    “Ata i pret një hakmarrje e pashmangshme”, shtoi ai.

    Rusia rregullisht përdorë shprehje sikurse “spiunë perëndimorë” dhe “kukulla të Perëndimit” për të përshkruar ata që kundërshtojnë Kremlinin, përfshirë kritikët në vend.

    Kremlini publikoi këtë video të Putinit për të shënuar “Ditën e hetuesve” dhe lideri rus nderoi agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit, përfshirë Komitetin Hetues dhe shërbimin e sigurisë, FSB, që është pasardhës i KGB-së të kohës sovjetike.

    “Hetuesit tregojnë besnikëri pa kushte për Atdheun dhe popullin tonë”, tha Putin.

    Kritikët e Kremlinit thonë se fokusi i Rusisë në hetimin dhe ndjekjen penale të kundërshtarëve politikë brenda vendit e bën shtetin të pambrojtur nga kërcënimet reale të sigurisë.

    Pothuajse të gjithë kundërshtarët kryesorë të Putinit janë në burg apo janë larguar në mërgim.

    Për të shtypur kritikat, Rusia aplikon dënime të ashpra për ata që kritikojnë veprimet ushtarake në Ukrainë, përderisa Putini vazhdimisht ka pretenduar se shoqëria ruse është e bashkuar sa i përket pushtimit rus të Ukrainës, të nisur në shkurt të vitit 2022./rel

  • Hamza: Kosova përjetësisht mirënjohëse për kontributin e Enver Zymberit

    Hamza: Kosova përjetësisht mirënjohëse për kontributin e Enver Zymberit

    Kryetari i Mitrovicës dhe njëherit kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, e ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Enver Zymberin, në 13 vjetorin e rënies në detyrë.

    Hamza tha se Kosova është përjetësisht mirënjohëse për kontributin e Zymerit.

    “Enver Zymeri është hero i integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës së pavarur”, tha ai.

    Enver Zymberi, u vra më 25 korrik 2011-të.

    Atë ditë, forcat speciale ROSU hasën në rezistencën e serbëve, derisa po e zhvillonin aksionin për marrjen në kontroll të pikave kufitare.

    Ai u shpall “Hero i Kosovës”, asokohe nga presidentja Atifete Jahjaga.

  • Nga 1 gushti, KEDS-i aplikon tarifat e rikyçjes për amvisëri me vlerë 17.70 euro

    Nga 1 gushti, KEDS-i aplikon tarifat e rikyçjes për amvisëri me vlerë 17.70 euro

    Nga 1 gushti, do të fillojë aplikimi i një takse të re për rikyçje të konsumatorëve të amvisërisë që nuk e paguajnë borxhin brenda afatit ligjor. Vlera për konsumatorët e amvisërisë është 17.70 euro, përderisa për ata komercialë vlera e ri-kyçjes është 30 euro.

    Kompania e Distribucionit të Energjisë Elektrike (KEDS) nga fillimi i muajit gusht, do të aplikojë një skemë të re taksash e ndëshkimesh për të gjithë ata konsumatorë që neglizhojnë pagesën e faturës elektrike pas afatit 15 ditor.

    Kjo nënkupton që ri-kyçja prej ekipeve të KEDS-it do i kushtojë një familjeje 17:70 euro ndërsa një biznesi deri në 30 euro. Por, disa qytetarë të intervistuar Radio Kosova, thonë se me inflacionin e rritur të viteve të fundit, kjo vetëm sa do ta rëndojë edhe më shumë buxhetin e qytetarëve.

    “Me këtë buxhet të qytetarëve, këto ndëshkime i dëmtojnë edhe më shumë. Çdo plus në faturë të qytetarit, është shumë e dëmshme dhe papërballueshme. Kjo mund t’i vetëdijesojë pak qytetarët që t’i rrinë gati pagesave të faturave, por në anën tjetër është e vështirë e përballueshme, duke pasur parasysh çmimet që janë rritë shumë kohën e fundit…”.

    Zëdhënësi i KEDS-s, Lulëzim Krasniqi, thotë se kjo masë e bazuar në rregulloren e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është më tepër për të siguruar pagesa të rregullta por edhe ri-kyçje profesionale.

    “Nëse konsumatori e ka pranuar një faturë në muajin e kaluar, e ka një afat për pagesë, por nëse nuk e paguan brenda atij afati, atëherë në muajin e dytë e pranon faturën me vërejtje që është në subjektin e shkyçjes, dhe të cilët ngarkohen me një taksë”, tha ai.

    I pyetur nga Radio Kosova për keqpërdorimet elektrike nga ana e konsumatorëve, zëdhënësi Lulëzim Krasniqi thotë se në baza ditore KEDS-i identifikon mesatarisht 25 raste të keqpërdorimeve elektrike.

    “KEDS-i bënë kontrolle të tilla në baza ditore në mbarë Kosovën, kryesisht realizon rreth 400 kontrolle brenda ditës prej të cilave, mesatarisht 20-25 sosh, identifikohen si keqpërdorime të energjisë elektrike”, deklaroi Krasniqi.

    Keqpërdorimi i energjisë elektrike bazuar në Kodin Penal, cilësohet si vjedhje e energjisë elektrike, dhe rastet e tilla janë të dënuara me gjobë dhe me tri vite burg.

  • Trump komenton fjalimin e Biden: Ishte shumë i dobët

    Trump komenton fjalimin e Biden: Ishte shumë i dobët

    Kandidati i Partisë Republikane për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e kritikoi fjalimin e Presidentit Biden.

    Ai u shpreh në rrjetin ‘TruthSocial’ se fjalimi i “Mashtruesit Joe Biden në Zyrën Ovale mezi kuptohej dhe ishte shumë i dobët!”

    Trump tha se, “Mashtruesi Joe Biden dhe gënjeshtarja Harris janë një turp i madh për Amerikën. Kurrë nuk kemi patur një periudhë si kjo”. Donald Trump ka ndjekur fjalimin e Joe Biden nga avioni i tij personal, ndërsa ka ironizuar presidentin amerikan.

    Në foton e parë, të realizuar nga fotografi i New York Times, Doug Mills, ish-presidenti shikon në një ekran televizori me vëmendje, ndërsa Joe Biden flet nga Zyra Ovale.

    Ndërsa në foton e dytë, nga këshilltari i tij Chris LaCivita ka publikuar foton e Trump, i cili ka kthyer shpinën nga Biden, në dukje i pashqetësuar për atë që ka për të thënë. Më pas LaCivita teksa ka publikuar foton, kujton thënien e Trumpit: “Joe, je pushuar nga puna!”.

    Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha herët të mërkurën se çdo aludim për dorëheqjen e Presidentit Biden nga posti i tij përpara zgjedhjeve, që do të mundësonte që zonja Harris të kandidonte si presidente në detyrë, ishte “qesharak”.

    Zëdhënësja Jean-Pierre tha se Presidenti Biden “nuk është penduar” për vendimin e tij për të qëndruar në garë për aq kohë sa qëndroi, apo për vendimin gjatë fundjavës për t’u tërhequr. Ajo tha se vendimi i Presidentit Biden nuk kishte të bënte me shëndetin e tij.

  • Transporti pa pagesë: Ndryshon orari i nisjes së autobusave për SunnyHill Festival

    Transporti pa pagesë: Ndryshon orari i nisjes së autobusave për SunnyHill Festival

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka ndryshuar orari i nisjes së autobusëve për në Bërnicë ku edhe pritet të mbahet festivali SunnyHill.

    Përmes një postimi në Facebook, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se nisja tani do të bëhet në orën 14:00 te parkingu i Pallatit të Rinisë dhe se transport do të ketë deri në orën 05:00 të mëngjesit.

    Derisa vendimi për pagesë nuk ka ndryshuar, transporti vazhdon të jetë pa pagesë për pjesëmarrësit në festivalin SunnyHill përgjatë katër ditëve.

  • UNDP publikon Pulsin Publik: Vetëm 27.3% të kënaqur me drejtimin ekonomik të vendit

    UNDP publikon Pulsin Publik: Vetëm 27.3% të kënaqur me drejtimin ekonomik të vendit

    Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë publikoi edicionin e 26-të të Përmbledhjes të Pulsit Publik në një konferencë për media të mbajtur sot.

    Anketimi i opinionit të Pulsit Publik nxjerr në pah perceptimet e njerëzve për çështjet socio-ekonomike, politike dhe të sigurisë. Të dhënat për këtë përmbledhje janë mbledhur nga 17 prilli deri më 7 maj 2024, duke reflektuar opinionin e mbi 1,300 të anketuarve që mbulojnë të tridhjetë e tetë komunat, duke përfshirë zonat urbane dhe rurale, dhe duke përfshirë të gjitha komunitetet e Kosovës.

    Disa nga gjetjet kryesore të anketës përfshijnë:

    • Të dhënat tregojnë se mesatarisht 50.1% e njerëzve janë të kënaqur me punën e institucioneve kryesore qendrore të Kosovës.

    • Kënaqshmëria me punën e Kabinetit Ekzekutiv u regjistrua në 53.3%, ndërsa me punën e Kryeministrit u regjistrua në 58.3%.

    • Kënaqshmëria me punën e Kuvendit ishte 52.10%, ndërsa kënaqshmëria me Kryetarin e Kuvendit ishte 64.4%.

    • Kënaqshmëria me Presidenten është regjistruar në 69%.

    • Shkalla e kënaqshmërisë me gjykatat ishte 27.1% dhe me Prokurorinë 26.5%

    • Varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%), u regjistruan si tre çështjet kryesore. Shërbimet e kujdesit shëndetësor (7.8%) dhe mjedisi (5.6%) plotësuan pesë problemet kryesore.

    • Për shqiptarët e Kosovës, tri çështjet kryesore ishin papunësia (16.8%), varfëria (16.6%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.8%). Për serbët e Kosovës, varfëria (15.2%), problemet e hapësirës urbane (13.8%) dhe marrëdhëniet ndëretnike (13.3%) ishin tri çështjet kryesore, ndërsa për komunitetet e tjera të Kosovës, çështjet kryesore ishin varfëria (19.5%), furnizimi me energji elektrike. (14.2%) dhe problemet e hapësirës urbane (11.1%).

    • Një total prej 83.2% përqind e të anketuarve raportuan se ndjehen të sigurt nga dhuna dhe krimi kur janë në rrugë. Të dhënat e ndara sipas gjinisë treguan se 83.4% e burrave dhe 82.9% e grave ndjehen të sigurt kur janë në rrugë.

    • Të dhënat e ndara sipas përkatësisë etnike treguan se një numër më i madh i shqiptarëve të Kosovës (85.3%) dhe komuniteteve tjera të Kosovës (83.2%) krahasuar me serbët e Kosovës (31.9%) ndiheshin të sigurt kur ishin jashtë në rrugë.

    • 60% e të anketuarve besojnë se punësimi në sektorin privat fitohet në bazë të meritës, krahasuar me punësimin në sektorin publik, për të cilin vetëm 32% e të anketuarve kanë pohuar të njëjtën gjë.

    • Një rritje si në Indeksin e Demokratizimit (ID-ja) ashtu edhe në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (IBE-ja) u regjistrua në anketën e fundit të opinionit me ID që aktualisht qëndron në 1.62 dhe IBE në 1.21.

    • 27.3% e të anketuarve janë deklaruar se janë shumë të kënaqur apo të kënaqur me drejtimin ekonomik, ndërsa 36.33% e të anketuarve janë deklaruar se janë shumë të kënaqur apo të kënaqur me drejtimin politik drejt të cilit po shkon Kosova aktualisht.

    • Mesatarisht, 19.9% e të anketuarve kanë perceptuar se ekziston korrupsioni në shkallë të gjerë. Policia e Kosovës me 12.40% është perceptuar si institucioni më pak i korruptuar, e ndjekur nga organizatat ndërkombëtare me 13.70%.

    • Për 65.3% të të anketuarve, informacioni nëpërmjet medias është ai që ka formësuar perceptimin e tyre për korrupsionin në shkallë të gjerë. 26.8% e të anketuarve kanë pohuar se biseda me të afërmit është ajo që ka formësuar perceptimin e tyre, ndërsa 6.3% e të anketuarve kanë pohuar se përvojat personale kanë formësuar perceptimin e tyre.

    • Të dhënat e ndara etnikisht treguan se gjithsej 81% e komuniteteve të tjera të Kosovës, 76% e shqiptarëve të Kosovës dhe 54% e serbëve të Kosovës kishin gjasa të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti.

    • Gjithsej 10.9% e të anketuarve besojnë plotësisht dhe 40.9% e tyre besojnë se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të ndikojë pozitivisht në jetën e njerëzve. Të dhënat e ndara sipas përkatësisë etnike treguan se 52.9% e shqiptarëve të Kosovës dhe 51.6% e komuniteteve të tjera të Kosovës kishin një pikëpamje pozitive për Marrëveshjen, krahasuar me 25.7% të serbëve të Kosovës.

    Të dhënat shtesë të marra nga ky sondazh dhe nga sondazhet e mëparshme do të vihen në dispozicion në Platformën e Vizualizimit të të Dhënave të Pulsit Publik dhe ASKData: https://bit.ly/44GqPyi

    Përmbledhja e Pulsit Publik publikohet dy herë në vit dhe që më shumë se njëzet vite ka ndihmuar që institucioneve dhe akterëve të Kosovës t’u ofrohen të dhëna të paanshme dhe të besueshme për treguesit kryesorë në lidhje me perceptimin e qytetarëve për çështjet socioekonomike, politike, të sigurisë dhe ato mjedisore. Të dhënat e Përmbledhjes së Pulsit Publik 26 janë mbledhur nga 17 prilli deri më 7 maj të vitit 2024, duke e pasqyruar opinionin e mbi 1,300 të anketuarve mbi moshën 18 vjeçare. Mostra përfshinte të njëjtin numër të burrave dhe grave nga të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës, duke mbuluar si zonat urbane ashtu edhe ato rurale. Sa i përket përfaqësimit etnik, mostra përfshinte 896 shqiptarë të Kosovës, 210 serbë të Kosovës dhe 200 anëtarë të komuniteteve të tjera të Kosovës (ashkali, boshnjakë, egjiptianë, goranë, romë dhe turq të Kosovës).

    Projekti Pulsit Publik, i cili filloi në vitin 2002, financohet nga USAID-i në Kosovë.

  • Autogol i vitit, mbrojtësi kroat shënoi në portën e Strakoshës

    Autogol i vitit, mbrojtësi kroat shënoi në portën e Strakoshës

    Kapiteni i ekipit grek AEK, kroati Domagoj Vida, shënoi autogol në ndeshjen e parë të xhiros së dytë të fazës kualifikuese në Conference League, kundër Inter Escaldes nga Andorra.

    Po zhvillohej minuta e 65-të, ku mbrojtësi kroat goditi me kokë një top ku nuk kishte kundërshtarë afër, por topi u godit më shumë se sa duhet dhe kaloi Thomas Strakoshën për të përfunduar në rrjetën e AEK-ut.

    Kjo nuk ishte një gajle e madhe për skuadrën greke, pasi po fitonte me rezultat 4:0.

    Portieri shqiptar, Thomas Strakosha, më pas e priti pastaj një penallti, por Inter Escaldes realizoi dy herë të tjera me Sascha Andrea edhe Martinez Viti, për rezultatin përfundimtar prej 4:3.

    Për fat të mirë të AEK-ut, andorrasit nuk arritën të barazojnë, ndërsa ndeshja e kthimit luhet javën tjetër në Andorrë.

  • Mërgimtarët vizitojnë Kuvendin, pritën nga deputetët e VV-së

    Mërgimtarët vizitojnë Kuvendin, pritën nga deputetët e VV-së

    Dyert e Kuvendit të Kosovës janë hapur sot që nga ora 11:00 për mërgimtarët që aktualisht janë me pushime në vendlindje, raporton EO.

    Por interesimi për ta vizituar ishte shumë i vogël nga ana e mërgimtarëve.

    Të pranishëm ishin disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët shpjeguan për punën që bëjnë si ligjvënës.

  • Puna para orës 10:00 e dëmshme për shëndetin

    Puna para orës 10:00 e dëmshme për shëndetin

    A ju ndodh shpesh që kur ju bie zilja e zgjimit, ju e fikni atë, ktheheni nga ana tjetër dhe vazhdoni të flini? Nëse po, nuk keni faj. Nuk jemi të programuar për të filluar të punojmë para orës 10:00 të mëngjesit.

    Të nisësh punën pas orës 10:00 të mëngjesit? Për momentin është utopi, por në të ardhmen duhet të jetë realitet për të rritur produktivitetin dhe mirëqenien. Këtë e bën të ditur një studim i fundit i kryer nga profesori Paul Kelley, kërkues i asociuar i Universitetit të Oksfordit, në Institutin e Neuroshkencës, në lidhje me ritmet kikardianë dhe gjumin.

    Thirrja e tij është e rëndësishme dhe provokuese. Shkollat dhe shumë kompani duhet ta spostojnë orarin e fillimit të punës, për të respektuar dhe për të punuar sipas ritmeve biologjike të studentëve dhe të punonjësve.

    “Kjo është një çështje e privimit të gjumit, kur jemi të detyruar të ngrihemi sipas një alarmi të caktuar dhe jo natyrshëm – shpjegon Kelley në një intervistë për ‘The Guardian’. Humbja e orëve të gjumit ka pasoja edhe tek shëndeti – kërkime të ndryshme tregojnë se privimi nga gjumi lidhet më diabetin, depresionin, obezitetin dhe një sistem imunitar më të dobët.

    Në studimin e tij, ai konstatoi që për fëmijët rreth 10 vjeç, ora biologjike ishte rreth 6:30 të mëngjesit, për adoleshentët rreth 16 vjeç, ora biologjike është rreth 8:00 të mëngjesit, ndërkohë për 18-vjeçarët, të cilët mund t’i mendoni si gjumashë dhe dembelë, në të vërtetë ora e zgjimit biologjik është rreth 9:00 të mëngjesit. Është e lehtë të kuptosh se si orari i fillimit të shkollës funksionon për fëmijët rreth 10 vjeç, por jo për adoleshentët 16 dhe 18 vjeç. Për adoleshentët apo të rriturit do të kishte më shumë kuptim për ta nisur ditën e shkollës në 10:00 ose mbase edhe më vonë.

    “Zilja na orën 7:00 për adoleshentët, nënvizon Kelley, është ekuivalente me fillimin e shkollës në orën 4:30 për një mësues 50 vjeç”.

    Atyre që mbështesin tezën se do të mjaftonte që të shkonit të flisnit më herët në mbrëmje, për t’u ngritur të çlodhur dhe të ripërtërirë ditën tjetër në orën 7:00, Kelley u përgjigjet se nuk është kaq e thjeshtë.

    “Ritmi natyral i trupit kontrollohet nga një lloj drite e veçantë”.

    Kelley thotë që dita jonë e punës duhet të jetë me fleksibël, duke respektuar ritmet tona natyrore. Duke e përshkruar humbjen mesatare të orëve të gjumit për çdo natë sipas moshave të ndryshme, profesor Kelley shpjegon se “mes moshës 14- 24 vjeç, kjo korrespondon më shumë se dy orë. Për persona të moshës mes 24 dhe 35 vjeç, është rreth një orë e gjysmë”.

    Bie menjëherë në sy se orari 9:00-17:00 nuk do t’i këshillohej pjesës më të madhe të njerëzve dhe është vendosur nga drejtues mbi 50 veç. Një zgjidhje do të ishin oraret alternative. Me fjalë të tjera ata që janë më shumë se 50 vjeç do të duhej ta fillonin punën në orën 8:00 të mëngjesit, ata nën moshën 35 vjeç në orën 10:00, ndërsa studentët dhe ata që punojnë dhe studiojnë në të njëjtën kohë, të mund të paraqiteshin në punë në orën 11:00?

    Kelley mendon se oraret e sinkronizuara mund të kenë “më shumë pasoja pozitive, do të sillnin më shumë produktivitet por edhe humor të mirë tek njerëzit. Po ashtu, duke iu referuar pasojave te shëndeti do të kishim më pak njerëz të sëmurë dhe më shumë punonjës të lumtur dhe produktivë”.

    Duke e zgjeruar perspektivën, me shumë gjasa do të kishte më pak aksidente në rrugë dhe drejtuesit e mjeteve do të ishin më të kujdesshëm, dhe mbi të gjitha do të reduktohej trafiku në orët e pikut. Me fjalë të tjera, një mënyrë më e mirë për të nisur ditën e punës “që do t’u shkonte për shtat të gjithëve, veçanërisht familjeve”.