ATV

Author: ATVLive

  • IKShPK: Kujdes nga pickimi i mushkonjave, rrezik infektimi nga Virusi i Nilit Perëndimor

    IKShPK: Kujdes nga pickimi i mushkonjave, rrezik infektimi nga Virusi i Nilit Perëndimor

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës paralajmëroi qytetarët që të bëhet kujdes nga pickimi i mushkonjave në verë për shkak të një sëmundjeje që u mund të transmetojnë.

    “Virusi i Nilit Perëndimor, i cili është sëmundje sezonale e muajve të verës, ka bërë që ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të shtojnë gatishmërinë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjes.

    Në Kosovë nuk ka raste të raportuara të Virusit të Nilit Perëndimor, por duke pasur parasysh se raste të këtij virusi janë regjistruar në disa vende të Evropës si në Spanjë, Itali, Greqi dhe në rajon gjithashtu, IKSHPK bën thirrje për kujdes të qytetarëve dhe parandalim të infeksioni që tek njerëzit kryesisht është rezultat i pickimit nga mushkonjat e infektuara.

    IKSHPK ndan përmes infografikave në vijim për qytetarët informacionet dhe rekomandimet lidhur me Virusin e Nilit Perëndimor (WNV).”

  • Autori i përgatitur, u informua për vrasjen e Kenedit para atentatit ndaj Trump! Drejtori i FBI-së zbulon detajet

    Autori i përgatitur, u informua për vrasjen e Kenedit para atentatit ndaj Trump! Drejtori i FBI-së zbulon detajet

    Autori i atentatit ndaj ish Presidentit Donald Trump besohet të ketë kërkuar në internet një javë para sulmit të dhëna mbi vrasjen e presidentit amerikan John Kennedy, tha gjatë dëshmisë së tij të mërkurën drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

    Por drejtori Wray shtoi se ndonëse atentatori kishte treguar interesim të shtuar rreth figurave publike, ai nuk ka lënë prapa gjurmë të qarta rreth motiveve ideologjike.

    Sipas zotit Wray, autori i sulmit Thomas Matthew Crooks kërkoi në internet përgjigje për pyetjen se “sa ishte distanca ndërmjet Oswaldit dhe Kennedy-t?”, duke iu referuar Lee Harvey Oswald-it, i cili vrau me snajper Presidentin Kennedy në vitin 1963, në Dallas.

    Drejtori Wray i zbuloi këto detaje para ligjvënësve të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve si pjesë e informacioneve të reja të ofruara nga ai rreth sulmit të 13 korrikut në tubimin zgjedhor të zotit Trump në Batllër të Pensilvanisë.

    Hetimet e FBI-së e kanë vënë agjencinë në mes të stuhisë politike pak muaj para zgjedhjeve presidenciale, me ligjvënësit dhe publikun që kërkojnë me ngulm detaje për motivet që nxitën autorin e sulmit, përpjekja më serioze për të vrarë një president apo kandidat presidencial që nga atentati ndaj Presidentit Ronald Reagan në vitin 1981.

    FBI-ja ka ndërtuar një orar të detajuar të lëvizjeve dhe aktiviteteve në internet të autorit të sulmit, por motivi i saktë – ose arsyeja se përse zoti Trump ishte objektivi i tij – mbesin të panjohura, deklaroi zoti Wray.

    “Shumë nga burimet e zakonshme të informacionit ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat që ia vlen të përmendet sa i përket motivit apo ideologjisë,” tha ai. Zoti Wray theksoi se autori i sulmit kishte treguar interesim të shtuar ndaj figurave publike. Krahas zotit Trump, Crooks kishte në telefonin e tij fotografi të Presidentit Joe Biden dhe figurave tjera kryesore – dhe se në ditët para sulmit ai dukej i interesuar në veçanti për zotin Trump.

    Sipas zotit Wray, dy orë para sulmit, Crooks përdori një dron rreth 180 metra nga skena e tubimit ku zoti Trump qëndroi më vonë. Crooks i kishte transmetuar drejtpërdrejt inçizimet nga vendi i ngjarjes dhe i kishte riparë regjistrimet më vonë. Përdorimi i dronit në afërsi të tubimit vetëm disa orë para se zoti Trump të qëndronte në skenë, nxiti pyetje shtesë rreth mangësive të masave sigurisë para ngjarjes.

    Wray u tha ligjvënësve amerikanë të mërkurën se institucioni i tij “do të bëjë të gjitha përpjekjet” për të zbuluar se çfarë e shkaktoi dështimin e autoriteteve për të parandaluar atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

    “Prej kohësh kam thënë se jetojmë në një ambient me kërcënime të shtuara. Dhe atentati ishte një shembull tragjik dhe veçanërisht i neveritshëm i një ambjenti të tillë”, tha drejtori Wray në dëshminë e tij. “Do të bëjmë çmos. Vrasësi ka vdekur, por hetimet e FBI-së po vazhdojnë.”

    Drejtori Wray, po dëshmon në një seancë në Kongres mbi hetimin e byrosë lidhur me atentatin ndaj ish-presidentit Donald Trump. Ligjvënësit pritet t’i kërkojnë atij detaje të reja mbi motivin dhe të kaluarën e autorit të sulmit.

    Seanca në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve është hera e parë që zoti Wray flet në detaje mbi ngjarjen, ndërsa agjentët vazhdojnë të kryejnë hetime mbi 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks.

    Por seanca mbi atentatin ndaj zotit Trump u mbajt nën hijen e përçarjeve partiake brenda komisionit.

    Seanca ishte planifikuar shumë përpara sulmit ndaj ish-Presidentit Trump më 13 korrik, në kuadër të mbikëqyrjes rutinë mbi FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë nga Komisioni, por pyetjet rreth atentatit po dominojnë.

    Në fillim të seancës, kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan Jim Jordan tha se ai pret që drejtori Wray t’u përgjigjet pyetjeve rreth ngjarjeve që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas incidentit, por shprehu dyshimet se do të marrë përgjigje edhe para se të fillonin pyetjet.

    “Jam i sigurt se e kuptoni që një pjesë e konsiderueshme e vendit është skeptike rreth aftësisë së FBI-së për të zhvilluar një hetim të drejtë, të sinqertë, të hapur dhe transparent,” deklaroi ai.

    Ligjvënësi demokrat Jerrold Nadler e dënoi sulmin ndaj ish Presidentit Trump “pa mëdyshje dhe me forcë”, por në komentet e tij vuri theksin tek kërcënimet dhe dhuna politike ndër vite si dhe tek retorika e dhunshme, siç tha ai, nga ana e republikanëve, përfshirë nga vetë zoti Trump.

    “Nëse mendoni që ky plumb i atentatorit ishte i befasishëm dhe jo pjesë e një vale të dhunës që po kërcënon vendin tonë me vite, atëherë nuk e keni kuptuar thelbin,” deklaroi ai.

    Deri më tani ndaj FBI-së nuk janë ngritur të njejtat shqetësime si ato me të cilat u përball Shërbimi Sekret, që çoi në dorëheqjen e drejtores Kimberly Cheatle.

    FBI ka thënë se po e heton ngjarjen në Batlër të Pensilvanisë, nga e cila gjeti vdekjen një pjesëmarrës në tubim dhe dy të tjerë u plagosën rëndë, si një akt terrorizmi të brendshëm dhe tentativë për vrasje./ VOA

  • A mund të hapet ura në Mitrovicë pa pajtimin e KFOR-it?

    A mund të hapet ura në Mitrovicë pa pajtimin e KFOR-it?

    Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi në mes të korrikut se Qeveria e tij synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, KFOR-i tha se NATO-ja e mbështet këtë dialog dhe se ai është aty për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës – në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    “Kjo përfshin praninë e vazhdueshme në urën në Mitrovicë dhe patrullime të rregullta në zonën përreth”, tha KFOR-i.

    Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse dikush nga Qeveria e Kosovës e ka kontaktuar në lidhje me këtë çështje.

    Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Prandaj, nga sektori civil në Kosovë thonë se faktor kyç në hapjen e urës është, në fakt, KFOR-i, sepse ai duhet t’i lëvizë ushtarët e tij, gjegjësisht ta japë pëlqimin.

    Kjo urë e ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore, ku komunitet shumicë janë serbët.

    Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.

    Derisa Qeveria e Kosovës beson se hapja e urës do të siguronte liri të lëvizjes për të gjithë, Serbia e sheh këtë çështje si “provokim”.

    Më 17 korrik, kryeministri i Kosovës e ngriti çështjen e hapjes së saj në një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, pas të cilit tha se “askush nuk mund të thotë se kjo nuk është një gjë e mirë dhe korrekte”.

    Vendet e QUINT-it përfshijnë: Shtetet e Bashkuara, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Britaninë e Madhe.

    “Duam që ligji të zbatohet, të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të ketë paqe dhe siguri për të gjithë”, u tha Kurti gazetarëve më 18 korrik, duke folur për hapjen e urës në Mitrovicë.

    Çfarë thotë QUINT-i?

    Ambasada britanike në Kosovë i tha Radios Evropa e Lirë se qëndrim i vendit të saj është që ura në Mitrovicë të hapet në përputhje me marrëveshjet përkatëse, të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne jemi të hapur për diskutime me Qeverinë e Kosovës, se si mund të arrihet kjo”, thuhet në përgjigje.

    REL-i iu drejtua edhe ambasadave të tjera të shteteve të QUINT-it për t’i pyetur se cili është qëndrimi i tyre për hapjen e urës në Mitrovicë dhe nëse e përkrahin synimin e Qeverisë së Kosovës për ta hapur atë për qarkullim, por nuk mori përgjigje.

    Ngjashëm nuk u përgjigj as Bashkimi Evropian, por më herët ai rikujtoi se kjo çështje ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe se, për këtë arsye, të gjitha vendimet duhet të merren në kuadër të dialogut, me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Prishtinës dhe Beogradit.

    BE-ja, po ashtu, u bëri thirrje palëve që t’i zbatojnë pa vonesë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë Marrëveshjen për urën, por të mos e rrezikojnë stabilitetin në terren.

    Si të hapet ura pa rrezikuar stabilitetin në terren?

    Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se si mund të hapet ura mbi Ibër pa e rrezikuar stabilitetin në terren – ashtu siç kërkon bashkësia ndërkombëtare.

    Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare Çohu, beson se ura kryesore në Mitrovicë duhet të hapet për lëvizje më të lehtë të të gjithë qytetarëve, por thekson se kjo duhet të bëhet në koordinim të plotë me KFOR-in dhe me vendet e QUINT-it.

    “Çdo veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar, i cili mund të shoqërohet me përshkallëzim ndëretnik të situatës, mund të ketë efekt të kundërt”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se Qeveria e Kosovës, bashkë me KFOR-in dhe QUINT-in, duhet të bisedojnë me qytetarët e Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut për rëndësinë e hapjes së urës.

    “Ura duhet të hapet [për trafik] kur të arrihet një marrëveshje”, thotë Demhasaj.

    Qytetarët në jug dhe në veri të urës e shohin ndryshe-ndryshe hapjen e saj.

    Nga radhët e komunitetit shqiptar i thanë më herët REL-it se ura duhet të hapet, sepse do të kontribuonte në bashkëpunim dhe liri të lëvizjes, ndërsa në mesin e serbëve besojnë se kjo çështje mund t’i ngrejë tensionet etnike.

    Miodrag Marinkoviq, nga Qendra joqeveritare për Veprime Afirmative Sociale, thotë se mandat i KFOR-it është sigurimi i paqes dhe stabilitetit në tërë territorin e Kosovës dhe se prania e tij në urë në vitet e fundit ishte garanci për këtë.

    Ai thotë se “rezervimi” i KFOR-it, kur bëhet fjalë për hapjen e urës, mund të bëjë që autoritetet e Kosovës sërish të mos konsultohen me komunitetin që e prek vendimi i tyre.

    “E vetmja mënyrë për ta hapur urën pa shkaktuar tensione, është që kjo të bëhet në një hapësirë simbolike, ku do të merrnin pjesë përfaqësuesit legjitimë të të dyja komuniteteve dhe ku do të arrihej një marrëveshje se si do të dukej gjithçka”, thotë Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – u shpreh më herët kundër hapjes së urës mbi Ibër.

    Sipas saj, një veprim i tillë synon “destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

    Lista Serbe, po ashtu, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që “t’i thotë Kurtit se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”.

    Marinkoviq beson, gjithashtu, se hapja e urës mbi Ibër është një “akt simbolik i autoriteteve të Kosovës, për të treguar se kanë marrë kontrollin e veriut”.

    Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – popullata shumicë është serbe dhe ajo, prej vitesh, refuzon të integrohet në sistemin e Kosovës.

    “Janë tri-katër ura që njerëzit i shfrytëzojnë për të lëvizur nga jugu në veri. Ka rrugë, njerëzit lëvizin. Ura kryesore ka më shumë vlerë simbolike, sepse ka qenë pikë qendrore e konfliktit mes serbëve dhe shqiptarëve. Prandaj, është mbyllur. Për të arritur stabilitet. Nëse në hapjen e saj tani nuk përfshihen të dyja palët, ekziston mundësia që ky stabilitet të dëmtohet”, thotë Marinkoviq.

    Kush është përgjegjës për hapjen e urës?

    Në prill të vitit të kaluar, deputetët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut miratuan një vendim për hapjen e urës mbi Ibër, i cili më pas iu përcoll Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    REL-i i pyeti të dyja këto ministri nëse dhe në çfarë mënyre po shqyrtohet hapja e urës mbi Ibër, por nuk mori përgjigje.

    Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, tha në fund të majit se përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi janë tani institucionet qendrore, KFOR-i dhe Bashkimi Evropian.

    Ai tha se me këtë vendim duhet të pajtohen edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Jugut. /REL

  • Policia me plan operativ për festivalin “Sunny Hill”

    Policia me plan operativ për festivalin “Sunny Hill”

    Policia e rajonit të Prishtinës për të siguruar mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill”, ka hartuar planin operativ në të cilin parashihen detyra konkrete për zyrtarët policorë të angazhuar në këtë operacion.

    Festivali do të mbahet nga data 25.07.2024 deri më 28.07.2024, në fshatin Bërrnicë të Prishtinës.

    Transporti i pjesmarrësve është i organizuar nga komuna e Prishtinës, ndërsa për pjesëmarrësit që kanë lejen përkatëse (hyrja do të jetë në rrugën Prishtinë-Mitrovicë e dalja në autostradë).

    Për mbarëvajtje dhe evitim të ngarrkesave në trafik, nga policia do të bëhen ri-drejtime të automjeteve, bllokime të plota dhe të pjesshme të rrugëve që qojnë në atë zonë.

    Përjashtimisht do të lejohen automjetet e policisë, ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve si dhe mjetet e akredituara në shërbim të festivalit.

    Policia falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe kërkon që gjatë kohës kur mbahet festivali të shfrytëzohen rrugët tjera alternative nga qytetarët që të shmangin ngarrkesën në trafik.

  • Festivalet sjellin 900 milion funte në ekonominë perëndimore

    Festivalet sjellin 900 milion funte në ekonominë perëndimore

    Koncertet dhe festivalet si Glastonbury vlejnë deri në 900 milionë funte (rreth 1.067 miliardë euro) për ekonominë e gjerë perëndimore, duke krijuar dy milionë vizita në zonë.

    Organizata e arteve Umbrella UK Music tha se industria punësoi pothuajse nëntë mijë njerëz për të punuar në koncerte në Perëndim në vitin 2023.

    Numri i përgjithshëm i turistëve të muzikës që ndiqnin ngjarjet e muzikës live në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në 2023 ishte 19.2 milion – një rritje prej 33% në vitin 2022 kur shifra ishte 14.4 milion.

    Por pavarësisht rritjes së turizmit muzikor, ngjarjet e pavarura dhe vendet e muzikës bazë thonë se janë ende në vështirësi.

    Glastonbury është një nga festivalet më të mëdha, më të famshme të muzikës në botë.

    Rreth 200,000 njerëz morën pjesë në 2023 dhe rregullatori i transmetimit Ofcom raporton se rreth 210,000 njerëz morën pjesë në vitin 2024.

    UK Music, një organizatë britanike që përfaqëson industrinë e muzikës në Mbretërinë e Bashkuar, tha se turizmi muzikor është një pjesë në rritje e industrisë muzikore.

    Organizata shtoi se jugperëndimi ka parë një rritje prej 86% në turizmin muzikor, duke u rritur nga një milion në 2022 në dy milion në 2023./BBC

  • Shënohet rekordi i parë në Lojërat Olimpike

    Shënohet rekordi i parë në Lojërat Olimpike

    Lojërat Olimpike Verore të Parisit 2024 nisën me gjuajtje me hark dhe tashmë ka mbërritur rekordi i parë botëror. Sihyeon Lim e mbylli raundin e renditjes për femra me 694 pikë, duke vendosur kështu një rekord të ri botëror në specialitet dhe duke u vendosur si favoritja kryesore në garën me pesë rrathë. Koreania e Jugut përmirësoi me dy pikë rekordin e mëparshëm që mbante bashkatdhetarja e saj Chaeyoung Kang, duke distancuar kolegen e saj Suhyeon Nam dhe kinezen Xiaolei Yang, të cilët u ndalën përkatësisht 688 dhe 673 pikë.

    Testi ishte i dobishëm në hartimin e tabelës së rezultateve drejt finales, ku protagoniste ishte edhe Chiara Rebagliati, italianja e parë që doli në fushë në këtë edicion të lojërave. 27-vjeçarja nga Savona e mbylli raundin kualifikues në pozitën e pesëmbëdhjetë me 663 pikë pas një pjese të parë të shkëlqyer të ndeshjes, ku mori 336 pikë në 36 shigjeta dhe tri goditje perfekte. Edhe përfaqësuesja e Fiamme Oro e nisi shkëlqyeshëm pjesën e dytë të ndeshjes (gjashtë dhjetëshe dhe dy qendra në tre setet e para), me përjashtim të disa gabimeve të shumta në 18 shigjetat e fundit (gjashtë 8 dhe 7) të cilat e penguan atë nga shkuarja përtej, përcjellë KosovaPress.

    Tashmë italianja do të përballet në raundin e parë me malajzianen Dania Mohamed Zairi përpara se të përballet ndoshta me fituesen mes izraelites Michaela Moshe dhe rumunes Madalina Amaistroaie në raundin e dytë.

  • ​Argjentina ankohet në FIFA për ndeshjen kaotike ndaj Marokut

    ​Argjentina ankohet në FIFA për ndeshjen kaotike ndaj Marokut

    Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) ka paraqitur një ankesë të mërkurën në FIFA për atë që ndodhi në debutimin e ekipit U-23 në Lojërat Olimpike të Parisit, i cili përfundoi me humbjen 1-2 ndaj Marokut pas një pezullimi prej gati dy orësh.

    Argjentina barazoi rezultatin në minutën e 15 shtesë me golin e Cristian Medina. Lojtarët e “Albiceleste” festuan golin duke u përballur me një tribunë plot me tifozë marokenë, gjë që shkaktoi zemërimin e tyre dhe ata pushtuan fushën dhe hodhën gjësende të forta në fushë duke bërë që ndeshja të ndërpitej nga gjyqtari kryesor, përcjellë KosovaPress.

    Pothuajse dy orë më vonë, të dyja skuadrat u rikthyen në fushë për të përfunduar ndeshjen me një risi të rëndësishme, pasi VAR-i e anuloi golin e Medinës për pozicion jashtë loje. U luajtën vetëm tre minuta dhe Argjentina nuk mundi të barazonte rezultatin.

    “Nga Federata Argjentinase e Futbollit ne kemi ngritur tashmë kërkesën në Komisionin Disiplinor të FIFA-s, në mënyrë që të merren masat përkatëse rregullatore dhe të vendoset një sanksion ndaj kujtdo ose kujtdo që korrespondon ”, shkroi presidenti Klaudio Tapia. përmes llogarisë së tij në rrjetin social të AFA-s.

    Ky njoftim vjen pas një liste të gjatë ankesash në Argjentinë – përfshirë edhe nga Lionel Messi – për rifillimin e ndeshjes dhe anulimin e një goli të mundimshëm pas një ndërprerjeje të madhe të lojës për shkak të pushtimit të fushës nga tifozët marokenë dhe hedhjes së shisheve. dhe të paktën një fishekzjarri kundër ekipit të Amerikës së Jugut ndërsa festonte rezultatin 2-2.

  • Anëtari i ekipit kanadez të futbollit dënohet me tetë muaj burg për skandalin e spiunazhit olimpik

    Anëtari i ekipit kanadez të futbollit dënohet me tetë muaj burg për skandalin e spiunazhit olimpik

    Një anëtar i stafit stërvitor të ekipit kanadez të futbollit të femrave është dënuar me tetë muaj burg me kusht pasi përdori një dron për të spiunuar një seancë stërvitore në Zelandën e Re .

    Joseph Lombardi u dënua vetëm dy ditë pasi u zbulua se ai kishte përdorur një dron për të regjistruar një ekip kundërshtar në dy raste, përcjellë KosovaPress.

    Shtetasi kanadez 43-vjeçar u “gjykua të mërkurën pasdite si pjesë e një seance paraprake për pranimin e fajit (CRPC), dhe pranoi dënimin e tij” sipas zyrës së prokurorit të Saint-Étienne.

    Komiteti Olimpik Kanadez (COC) lëshoi ​​më parë një deklaratë duke pranuar se “një anëtar i paakredituar i ekipit mbështetës të Canada Soccer u arrestua nga autoritetet franceze” pas një ankese nga drejtuesit e Futbollit të Zelandës së Re.

    Shefi i Futbollit të Zelandës së Re, Andreë Pragnell, i kishte bërë thirrje FIFA-s që të ndërmarrë veprime urgjente lidhur me skandalin e spiunazhit që përfshin kampionët olimpik në fuqi të Kanadasë dhe tha se dështimi për ta bërë këtë mund të dëmtojë integritetin sportiv të të gjithë turneut.

    “Nuk ka vend për këtë lloj veprimi në futboll dhe është kritike që të ndërmerren veprime urgjente për të adresuar këtë shkelje të integritetit”, tha Pragnell në një deklaratë të enjten.

  • Kastrati: Oferta e re e shpërndarjes së teksteve shkollore me miliona më e shtrenjtë

    Kastrati: Oferta e re e shpërndarjes së teksteve shkollore me miliona më e shtrenjtë

    Kryetarja e Komisionit për negocimin e teksteve shkollore në Ministrinë e Arismit, Merita Januzaj ka thënë se për rreth një milion kanë ulur çmimin e teksteve shkollore nga mbi 5 milion sa ishte.

    Gjatë intervistimit të saj për gati dy orë në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, Januzaj ka thënë se janë munduar në maksimum të bëjnë punën e tyre duke lidhur me tekstet shkollore duke negociuar me shtëpitë botuese.

    Ndërkaq, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ardian Kastrati ka thënë se shumë më mirë do të ishte për 500 mijë euro të vazhdohej me metodën e vjetër se sa të shkohet me një ofertë me miliona më shtrenjtë.

    “Shumë më mirë do të ishte për 500 mijë të vazhdohej me metodën e vjetër të subvencionimit se sa të shkohet me një ofertë me miliona më shtrenjtë. Për 500 mijë euro e kanë prish pazarin”, tha ai.

  • Refuzohet oferta e Barcelonës për yllin spanjoll

    Refuzohet oferta e Barcelonës për yllin spanjoll

    Nënshkrimi i Dani Olmos për Barçën mund të bëhet një nga telenovelat e verës. Barça dërgoi ofertën e parë në Leipzig disa ditë më parë për të konfirmuar interesin dhe për të arritur një marrëveshje në parim, por klubi gjerman e refuzoi kategorikisht propozimin e parë.

    Sipas ‘Sky Germany’, Leipzig konsideron se oferta nuk arrin minimumin që duan ta lirojnë lojtarin, ndonëse nuk ia kanë mbyllur derën negociatave pasi janë të gatshëm të ndahen me lojtarin në këtë merkato verore. Të dy palët do të vazhdojnë negociatat në javët në vijim, përcjellë KP.

    Leipzig konsideron se vlerësimi i lojtarit është i njëjtë me klauzolën e largimit që kishte deri pak ditë më parë dhe që kishte një vlerë prej 60 milionë eurosh. Klubi gjerman është i gatshëm të flasë për formulat e pagesave me këste dhe të përfshijë një shumë fikse me objektiva, por për aq kohë sa të arrijnë në 60 milionë që duan të depozitojnë për të adresuar planifikimin e tyre sportiv.

    Propozimi i bërë nga Barça raportohet se ishte shumë më i ulët. Klubi blaugran ka mbështetjen e lojtarit, i cili dëshiron të luajë në “Camp Nou”, kështu që ky aset mund të përfundojë disi duke ulur çmimin e përcaktuar nga Leipzig, megjithëse është e qartë se ai do të duhet të përmirësojë propozimin për të pasur mundësi reale për të. Për momentin, Olmo mbetet i palëkundur në dëshirën e tij për të luajtur për Barçën dhe kjo do të ndihmojë edhe pse Barça do të duhet të afrohet shumë afër atyre 60 milionëve të kërkuara.

    Leipzig ka disa klube të interesuara për Dani Olmo dhe një prej tyre do të ishte Chelsea, që dëshiron të hapë negociatat.