ATV

Author: ATVLive

  • Dështon konstituimi i Komisionit hetimor për tekstet shkollore, s’ka kuorum

    Dështon konstituimi i Komisionit hetimor për tekstet shkollore, s’ka kuorum

    Në mungesë kuorumi, ka dështuar të bëhet konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 – intervistimi i dëshmitarëve: Fadile Dyla, sekretare e Përgjithshme e MASHTI-t, Avni Rexha, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Arsimit Parauniversitar, Drita Kadriu Drejtoria e Arsimit e Komunës Mitrovicë e Jugut.

    Deputeti i VV-së, Armend Muja ka thënë se ky komision është formuar nga opozita për të vërtetuar fakte të pa baza dhe pa vend, raporton EO.

    “Kërkesa është bërë para një jave nga kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj dhe sot nuk është i pranishëm. Plani ka paraparë që deri në fund të korrikut të intervistohen të gjithë dëshmitarët. Ftesat janë dërguar tek të gjithë dëshmitarët, e shohim që kryesuesi nuk është ardhur dhe as zëvendës kryesuesi. Vështirësitë që i ka opozita për me i vërtetuar faktet e tyre të pa baza. Ne nuk duhet të jemi shkaktar për të propozuar komisione vend pa vend. Komisionet kërkojnë mprehtësi të gjetjeve të fakteve, dhe kërkon shumë punë. Ne kemi dashur që të tregojmë faktet e këtij komisioni hetimor” , tha Muja.

    Në komision ishin të pranishëm vetëm katër deputetë nga radhët e VV-së, Armend Muja, Mefail Bajqinovci, Arjeta Fejza dhe Arbër Rexha.

  • D+ prezanton shkeljet e ligjit të prokurimit publik në kontratën 12 milionëshe për shërbimin “Arkitekti i Qytetit”

    D+ prezanton shkeljet e ligjit të prokurimit publik në kontratën 12 milionëshe për shërbimin “Arkitekti i Qytetit”

    Komuna e Prishtinës ka shkelur ligjin në kontratën 12 milionëshe për “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, duke caktuar në komision të vlerësimit të ofertave një person i cili nuk ishte pjesë e Komunës së Prishtinës. Kështu u tha në konferencën për media të organizuar nga Demokraci Plus (D+), raporton Ekonomia online.

    Sipas tyre, anëtari i komisionit për vlerësimin e tenderëve, Kreshnik Ferizi, nuk ishte pjesë e komunës së Prishtinës, duke qenë se kontrata e tij me komunën kishte përfunduar më datë 31 dhjetor të vitit 2022.

    Ardit Dragusha, hulumtues në Demokracy Plus, ka paraqitur siç tha prova që dëshmojnë shkelje të procedurave të tenderimit.

    “Rregullorja e Prokurimit Publik përcakton se autoritetet kontraktuese kanë të drejtë të angazhojnë ekspertë të jashtëm, në rastet kur kërkohet njohuri dhe ekspertizë e veçantë teknike dhe që ekspertët e tillë nuk janë në dispozicion brenda autoritetit kontraktues. Mirëpo, Kreshnik Ferizi, nuk ishte as i angazhuar as si ekspert i jashtëm në kohën kur mori pjesë në komisionin për vlerësimin e ofertave për këtë tender. Përveç pjesëmarrjes së paligjshme në komision, ekziston dyshimi i bazuar për konflikt të interesit, duke qenë se grupi i operatorëve ekonomik ‘Shërbimi i Akitetktit të Kryeqytetit’, të cilët u shpallën fitues nga komisioni e ku anëtar ishte Kreshnik Ferizi, ofertuan me dokumentacion ku vetë Kreshnik Ferizi figuronte si bashkëpunëtor i Kompanisë ‘Anarch Sh.P.K’”, tha Dragusha.

  • Një grua është sulmuar fizikisht nga burri dhe vjehrri i saj në Vushtrri

    Një grua është sulmuar fizikisht nga burri dhe vjehrri i saj në Vushtrri

    Një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se është sulmuar fizikisht nga burri dhe vjehrri i saj në Vushtrri.

    Sipas Policisë së Kosovës, viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë intervistuar.

    Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar 11 fishekë.

    Pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit është liruar ndërsa tjetri është dërguar në mbajtje.

    “Vushtrri 29.07.2024, 18:45. Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë intervistuar. Me vendim të prokurorit është bërë bastisja në shtëpinë e të dyshuarve ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 11 fishekë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit lirohet në procedurë të rregullt, kurse tjetri dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

  • Koci: U dha strishoja e gojës e nënës së Faton Hajrizit, posa të kryhet analiza s’ka asnjë arsye të mos lirohet trupi

    Koci: U dha strishoja e gojës e nënës së Faton Hajrizit, posa të kryhet analiza s’ka asnjë arsye të mos lirohet trupi

    Avokati Arianit Koci, ka njoftuar se është dhënë strishoja e gojës e nënës së Faton Hajrizit.

    Në një postim në rrjetin social Facebook, Koci ka thënë se bashkë me nënën e Fatonit janë rrugës për në Skenderaj dhe sipas tij tanimë nuk ka asnjë arsye të mos lirohet trupi që po mbahet në Serbi.

    “Strishoja e gojës e nanës së Faton Hajrizit është dhënë. Çdo gjë ka shkuar sipas planit tim. Zonja është me mua, rrugës për në Skenderaj. Tanimë nuk ka asnjë arsye të mos lirohet trupi, posa të kryhet analiza e strishos”, ka shkruar Koci.

  • Ashpërsohet gara presidenciale në SHBA, 100 ditë para zgjedhjeve

    Ashpërsohet gara presidenciale në SHBA, 100 ditë para zgjedhjeve

    Rreth 100 ditë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, kandidati republikan për president, Donald Trump, ashpërsoi sulmet ndaj kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris, gjatë një tubimi në Minesota.

    “Kemi një viktimë të re tani, Kamala. Kemi një viktimë krejtësisht të re. Sinqerisht, ajo është një radikale e çmendur e së majtës”, tha zoti Trump.

    Edhe Nënpresidentja Harris sulmoi zotin Trump, gjatë tubimit zgjedhor në Masaçusets.

    “Ndoshta e keni vënë re se Donald Trumpi ka thënë disa gënjeshtra lidhur me të kaluarën time dhe disa nga gjërat që ai dhe numri dy i tij po thonë janë të çuditshme”, tha zonja Harris.

    Ekipi zgjedhor i zonjës Harris thotë se ajo mblodhi 200 milionë dollarë që nga futja në garë pas tërheqjes së Presidentit Biden dhe se 66 për qind e tyre janë nga donatorë të rinj.

    Guvernatori i Nju Hempshër, republikani Chris Sununu thotë se entuziazmi mbi kandidaturën e zonjës Harris do të shuhet brenda 30 ditësh. Ai këshillon dyshen republikane Trump – Vance të përqëndrohen tek politikat e tyre, në vend të sulmeve personale.

    “Qëndroni tek çështjet që shqetësojnë elektoratin. Njerëzit janë në shqetësuar sepse nuk mund të paguajnë faturat, sepse nuk ndihen të sigurt në shtëpitë, apo komunitetet e tyre. Këto janë çështjet që do t’i bindin ata të votojnë për Trumpin në nëntor”, thotë ai.

    Guvernatori i Merilendit, demokrati Wes Moore, thotë se beson se vizioni i zonjës Harris për të ardhmen do ta ndihmojë atë të fitojë besimin e votuesve të pavendosur në shtetet përcaktuese.

    “Mendoj se njerëzit tani po thonë se më në fund mund të diskutojnë mbi opsionet që kanë në këto zgjedhje. Ata e shohin se kjo nuk është garë vetëm për mbrojtjen e demokracisë, por edhe vlerave bazë, mënyrës se si i mendojmë liritë ekonomike”, thotë ai.

    Nënpresidentja Harris pritet të shpallë numrin dy të kandidaturës së saj para Kuvendit Kombëtar Demokrat që pritet të mbahet në gusht në Çikago.

    Profesorja e Shkencave Politike dhe anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve në shtetin Rod Ajlënd, demokratja June Speakman, thotë se zakonisht përzgjedhja e nënpresidentëve ka për qëllim balancimin e kandidaturës.

    “Në shumë raste përcaktohet nga rajoni. Ajo është nga pjesa perëndimore. Prandaj mund të zgjedhë dikë nga pjesa qendrore, për të siguruar votat që ndryshe nuk mund t’i merrte. Trumpi e balancoi kandidaturën e tij me dikë që është shumë më i ri”, thotë zonja Speakman.

    Zonjën Harris e pret një javë e ngarkuar, me një ndalesë të planifikuar elektorale në Atlanta të Xhorxhias.

    Bazuar në faqen e fushatës së zotit Trump në internet, ditëve në vijim kandidati republikan do të ketë tubime zgjedhore në Pensilvani, Nevada dhe Arizona./VOA

  • Tetë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit

    Tetë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit

    Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Dy raste kanë ndodhur në Prishtinë, ku Policia i ka arrestuar dy persona. Njëri shtetas i Shqipërisë dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, e i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Ndërsa, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga djali i saj. Ai është arrestuar dhe dërguar në mbajtje

    Në Ferizaj, një grua është sulmuar nga bashkëshorti i saj. Palët janë intervistuar dhe më pas i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti është iniciuar si “lëndim i lehtë trupor dhe dhunë në familje”.

    Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Malishevë pasi dyshohet se i ka shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes së tij. Autoritetet thanë se ai vuan nga sëmundje mendore, derisa viktima s’ka pranuar të marrë trajtim mjekësor. Një i dyshuar tjetër është arrestuar në Malishevë, me dyshimin se ka sulmuar bashkëshorten dhe vajzën e tij. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor.

    Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Gjakovë, me dyshimin se e ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij pas një mosmarrëveshjeje.

    Viktima s’ka pranuar trajtim mjekësor, e i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Në Vushtrri Policia njoftoi se kanë raportuar dy raste të dhunës në familje.

    Gruaja është ankuar se është sulmuar nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Ajo ka pranuar trajtim mjekësor, e të dyshuarit janë arrestuar. Shtëpia e të dyshuarve është bastisur dhe janë gjetur 11 fishekë. Me vendim të prokurorit, Policia e ka liruar njërin prej të dyshuarve.

    Ndërsa, pas një mosmarrëveshjeje verbale me bashkëshortin, një grua është larguar te shtëpia e prindërve të saj.

    Palët janë intervistuar.

  • Arrestohet e dyshuara, mashtroi disa persona për terminë për viza pune në Gjermani

    Arrestohet e dyshuara, mashtroi disa persona për terminë për viza pune në Gjermani

    Një femër është arrestuar të hënën në Prishtinë pasi që e njëjta kishte ushtruar aktivitet pa leje pune dhe e njëjta i kishte mashtruar disa persona për sigurim të terminëve për viza pune në Gjermani.

    Në konsultim me prokurorin është verifikuar dokumentacioni në zyrën e të dyshuarës si dhe janë sekuestruar dhjetëra pasaporta me dokumente përcjellëse, dy telefona, një shtëpizë kompjuterike, para të gatshme si dhe dëshmi tjera përmes së cilave dokumentohet aktiviteti i kundërligjshëm.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Azem Jashanica” në Prishtinë ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

    Rasti është hapur për mashtrim ndërsa policia po vazhdon të merret me të.

  • Varhelyi i kërkon Kosovës ta dërgojë në Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit

    Varhelyi i kërkon Kosovës ta dërgojë në Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit

    Komisioneri Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se rrugët evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalojnë nëpërmjet dialogut, derisa i ka bërë thirrje Kosovës që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Në konferencën e Komisioneve Parlamentare për Çështje të BE-së në Budapest, të hënën Varhelyi është shprehur se pret që palët t’i vazhdojnë përpjekjet për depërshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve.

    “Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë nëpërmjet dialogut. Presim që palët t’i vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për depërshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve të tyre, në kuadër të dialogut, duke nisur me dërgimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, citohet ai në njoftimin e Komisionit Evropian.

    Varhelyi ka shtuar se Bashkimi Evropian është i angazhuar për zgjerim dhe përfshirje të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  • Mbappe blen aksione në klubin e njohur francez

    Mbappe blen aksione në klubin e njohur francez

    Lojtari i ri i Real Madridit dhe ylli botëror Kylian Mbappe është gati të bëjë një hap tjetër në karrierën e tij. Së bashku me familjen e tij, sulmuesi ka mbyllur një marrëveshje për të blerë Caen, një ekip francez i kategorisë së dytë. Sipas burimeve të ndryshme, ai do të investojë afër 15 milionë euro për të marrë aksionet e shumicës së një ekipi që ka qenë pjesë e historisë së tij si lojtar.

    Operacioni i blerjes dhe shitjes së aksioneve raportohet se është kryer përmes Coalition Capital, një fond investimi, përcjellë KP.

    Ky operacion u nis pasi Pierre-Antoine Capton, bashkëpronar aktual i Caen, bëri publik synimin e tij për të kërkuar partnerë të rinj për të blerë aksionet e Oaktree, fondi amerikan i investimeve që kishte injektuar para në Caen disa vite më parë. Vitin e kaluar doli në vendin e gjashtë dhe pronësia e entitetit synon të bëjë një kërcim në mënyrë që Caen të mund të kthehet në divizionin e parë. Me këtë qëllim familja Mbappe ka hyrë në klub.

  • Punëtorët e “Prishtina Parkingut” kërkojnë rritje page pas vëllimit të punëve

    Punëtorët e “Prishtina Parkingut” kërkojnë rritje page pas vëllimit të punëve

    Me kërkesë për rritje të pagës dhe pagesa të shujtave ditore, shoqata Sindikale e Punëtorëve të “Prishtina Parking” kanë protestuar të martën para objektit të kësaj ndërmarrje, raporton EO.

    Përveç pagës, punëtorët kanë edhe shqetësime të tjera. Kjo protestë sipas tyre vjen si shprehje e pakënaqësisë së rritjes së vëllimit të punës, zgjatjes së orarit të punës në departamente të caktuara, premtimeve të pa plotësuara.

    Valon Sojeva, kryetar i shoqatës sindikale të kësaj ndërmarrjeje, tha se kërkesat e tyre janë minimale dhe nëse nuk ndërmerren do të pasojnë me forma tjera sindikale.

    “‘Prishtina Parking’ ka pasur shumë vështirësi në fillimin e punës, ka kontroller që ka punuar pa pagë vetëm që me hy në sistem në Komunën e Prishtinës. Kemi pasur kërcënime, rrahje gjatë procesit të punës, por që nuk e kemi ndalë asnjëherë punën. ‘Prishtina Parking’ ka pasur të kontraktuar një kompani për nënkontroller, puna jonë është kontroller nëse qytetari nuk paguan brenda 10 minuta ajo veturë bllokohet”.

    “Gjatë bllokimit vendosim një hekur, ajo kompania e kontraktuar ka qenë vetëm me vendos hekurin. Ajo kompani e ka pasur tenderin 350 mijë euro dhe është ndërprerë ajo. Përgjegjësia e tyre ka kaluar në dorën tonë në mënyrë të drejtë. Kemi kërkuar vetura me katër ulëse që me pasur asistencë edhe nga policia. Krejt këto na janë bërë dhe rritja e pagave është zero. Nga gjashtë orë na është rrit në tetë orë, pa ujë pa asgjë nuk mundemi me ia dal. Protesta jonë është për të rritur pagat dhe shujtën për pesë euro. Presim një takim që do të flasim për rritje të pagave dhe shujtës”.