ATV

Author: ATVLive

  • ​Parashikimi i motit për ditën e sotme

    ​Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-33 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.

  • ​26 vjet nga vrasja e 11 anëtarëve të familjes Asllani

    ​26 vjet nga vrasja e 11 anëtarëve të familjes Asllani

    Më 26 gusht të vitit 1998, artileritë serbe, vranë 11 anëtarë të familjes Asllani në fshatin Rancë të Shtimes, prej të cilëve 8 ishin fëmijë të moshave të ndryshme dhe tri gra.

    Në këtë ngjarje të dhimbshme, kanë humbur jetën: Jalldyze Asllani (1934), Halide Asllani (1963), Ajshe Asllani (1971), Burim Asllani (1985), Lumnije Asllani (1986), Ejup Asllani (1988), Luljeta Asllani (1991), Shpend Asllani (1993), Xhafer Asllani, (1995), Antigona Asllani (1997) dhe Albiona Asllani (1998). Atë ditë të kobshme në këtë fshat nga forcat serbe u ekzekutua edhe plaku 96-vjeçar Zeqir Asllani./KP

  • ​Përvjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës

    ​Përvjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës

    “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”, këto janë fjalët e Shën Nënë Terezës që i kujtojmë në përvjetorin e ditëlindjes së saj.

    Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

    Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.

    Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

    Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.

    Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, që sivjet koincidon me 8-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku (2016), Dioqeza Prizren-Prishtinë, organizon akademi solemne, ditën e sotme, në orën 19:00, në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

  • Një i moshuar humb jetën në një qendër “masazhi” në Arbëri

    Një i moshuar humb jetën në një qendër “masazhi” në Arbëri

    Një person është gjetur pa shenja jete në njërën nga qendrat e masazhit, në lagjen Arbëria të Prishtinës.

    Bëhet fjalë për një burrë rreth të 60-ve. Por, identiteti i tij nuk është konfirmuar pasi ai nuk kishte dokumente me vete, më momentin kritik.

    Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend të ngjarjes dhe trupi më pas është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

    Pasdite, qendra e masazhit ku ndodhi rasti tragjik qëndronte e mbyllur, raporton EO.

  • Në 7 vende nis testimi i vaksinës së parë në botë mRNA kundër kancerit të mushkërive

    Në 7 vende nis testimi i vaksinës së parë në botë mRNA kundër kancerit të mushkërive

    Mjekët kanë nisur provën e vaksinës së parë mRNA në botë kundër kancerit të mushkërive në shtatë vende, përfshirë Turqine, në një përpjekje novatore që mund të revolucionarizojë trajtimin e kancerit, transmeton Anadolu.

    Vaksina, e njohur si BNT116 dhe e zhvilluar nga BioNTech, është krijuar për të synuar kancerin e mushkërive me qeliza jo të vogla (NSCLC), lloji më i zakonshëm i kancerit të mushkërive.

    Ai synon të eliminojë qelizat e kancerit dhe të parandalojë përsëritjen e tyre duke trajnuar sistemin imunitar për të njohur dhe sulmuar markerët e tumorit specifik për NSCLC.

    Testimi, që zhvillohet në Britani, SHBA, Gjermani, Spanjë dhe Turqia, ndër të tjera, konsiderohet si një hap i rëndësishëm në trajtimin e kancerit të mushkërive.

    Kanceri i mushkërive mbetet shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri në mbarë botën, përgjegjës për rreth 1,8 milion vdekje në vit, me norma veçanërisht të ulëta të mbijetesës te rastet e avancuara.

    Prova klinike e fazës 1 po kryhet në 34 lokacione kërkimore, duke përfshirë gjashtë në Britani. Pacienti i parë në Mbretërinë e Bashkuar mori vaksinën të martën, duke shënuar një moment historik kritik në studim, tha gazeta Guardian.

    Rreth 130 pacientë me stade të ndryshme të kancerit të mushkërive, nga faza e hershme në të avancuar ose të përsëritur, do të marrin pjesë në provë, duke marrë vaksinën së bashku me imunoterapinë.

    Teknologjia mRNA e përdorur në BNT116 është e ngjashme me atë në vaksinat kundër COVID-19, duke punuar duke nxitur sistemin imunitar të sulmojë qelizat e kancerit dhe duke i kursyer ato të shëndetshme, ndryshe nga kimioterapia tradicionale.

    Siç raportohet nga Guardian, ekspertët, duke përfshirë Siow Ming Lee nga Spitalet e Universitetit College London, e shohin këtë provë si fillimin e një “epoke të re shumë emocionuese” në kërkimet mbi kancerin.

    Një nga pjesëmarrësit e parë, shkencëtari 67-vjeçar Janusz Racz nga Londra, iu bashkua testimit për shkak të besimit të tij në përparimin e shkencës.

    I diagnostikuar në maj, Racz shpreson se trajtimi i ri do të ndihmojë në eliminimin e kancerit të tij dhe do të kontribuojë në përpjekjet globale për të zhvilluar terapi efektive të kancerit. Ai do t’i nënshtrohet një regjimi rigoroz të trajtimit, duke përfshirë injeksione të shumta çdo javë, të ndjekur nga doza periodike gjatë një viti.

    Ndërsa prova përparon, studiuesit synojnë të demonstrojnë efektivitetin e vaksinës në parandalimin e përsëritjes së kancerit të mushkërive, duke e bërë atë një trajtim standard në mbarë botën.

    Kjo iniciativë është pjesë e një skeme më të gjerë të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit (NHS) për të përshpejtuar pacientët në provat klinike për trajtime inovative të kancerit, e cila është përshëndetur si një ndryshim potencial i rrjedhës në luftën kundër kancerit të mushkërive.

    Ministri i Shkencës i Mbretërisë së Bashkuar, Lord Vallance, ka shprehur optimizëm për këtë testim, duke theksuar potencialin e vaksinës për të shpëtuar mijëra jetë, tha Guardian.

    Ndërkohë, Racz mbetet me shpresë se pas përfundimit të trajtimit, ai mund t’i rikthehet vrapimit dhe të arrijë qëllimin e tij për të përfunduar Maratonën e Londrës.

    Ky test përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në kërkimin e kancerit të mushkërive, me potencialin për të transformuar rezultatet e trajtimit dhe për të ofruar shpresë të re për pacientët në mbarë botën.

  • Nga 10 nëntori rregulla të reja për hyrje në BE

    Nga 10 nëntori rregulla të reja për hyrje në BE

    Sistemi i ri i hyrjes dhe daljes (EES) në Bashkimin Evropian (BE) do të hyjë në fuqi më 10 nëntor të këtij viti.

    Të gjithë udhëtarët nga vendet jo anëtare të BE-së do të duhet të regjistrojnë hyrjen dhe daljen e tyre nga vendet e BE-së, si dhe nga zonat Shengen duke lënë të dhënat e tyre biometrike, duke përfshirë gjurmët e gishtërinjve, skanimet e fytyrës dhe të dhënat e pasaportave, kur hyjnë në territorin e BE-së. Rregullat e reja do të zbatohen gjithashtu për shtetasit e Kosovës.

    Sistemi i vulosjes së pasaportave do të zëvendësohet së shpejti me futjen e kontrolleve digjitale për të gjithë pasagjerët që vijnë nga vendet jashtë BE-së. Kështu ka bërë të ditur Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Ylva Johansson.

    “Kam vendosur që sistemi i hyrje-daljeve të fillojë të funksionojë më 10 nëntor”, tha Johansson ndërsa theksoi se kërkohen hapa ligjore përpara se Komisioni Evropian të marrë një vendim zyrtar për këtë çështje.

    Bëhet fjalë për kalimin në sistemin digjital më modern të menaxhimit të kufijve në botë, i cili sipas saj do ta bëjë udhëtimin më të lehtë dhe Evropën më të sigurt, shkruan theguardian.

    “Në çdo vendkalim kufitar, çdo aeroport, çdo port, çdo rrugë të vetme që të çon në Evropë, ne do të kemi të gjitha kontrollet kufitare digjitale të lidhura, të gjitha të ndezura në të njëjtën kohë”, tha Johansson.

    Sistemi përbëhet nga dy pjesë dhe pjesa e parë e tij, e njohur më mirë si EES, do të fillojë të funksionojë më 10 nëntor dhe do të përdoret për t’u regjistruar për udhëtim. Është një sistem i automatizuar për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve nga BE-ja.

    Prandaj, duke shkuar në faqen e internetit të EES ose aplikacionin celular, do t’iu kërkohen dokumente udhëtimi dhe të dhëna biometrike.

    Hapi i dytë njihet më shumë si ETIAS dhe zbatimi i tij pritet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, por jo menjëherë, por me një periudhë kalimtare gjashtë plus gjashtë muaj.

    Cili është ndryshimi midis ETIAS dhe EES?

    Sistemi Evropian i Informacioneve dhe Autorizimeve për Udhëtime (ETIAS) i referohet 63 vendeve që, edhe pse nuk janë anëtare, nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë. Ndërsa Sistemi i Regjistrimit të Udhëtarëve (EES) mbulon të gjitha kufijtë e jashtëm të Bashkimi Evropian dhe i referohet të gjithë udhëtarëve nga vendet e treta, pavarësisht nëse u nevojitet vizë apo jo.

    Vendet e treta përfshijnë të gjitha vendet që nuk i përkasin Bashkimit Evropian ose Zonës Ekonomike Evropiane.

    Në thelb, të gjithë qytetarët jashtë zonës Shengen do të duhet të plotësojnë formularin ETIAS, të paguajnë një taksë prej shtatë eurosh dhe të marrin një miratim për tre vjet, por udhëtarët do të mund të qëndrojnë në zonën Shengen për 90 ditë në një periudhë prej gjashtë muajsh.

    Nga ana tjetër, EES është vetëm një sistem monitorimi, me të cilin do të merret policia kufitare. Në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian mund të monitorojë më lehtë nëse udhëtari ka qëndruar më shumë se qëndrimi i lejuar – 90 ditë.

    Faza përfundimtare e testimit është duke u zhvilluar dhe testet përfundimtare po kryhen nga agjencia eu-Lisa si dhe nga vendet anëtare të BE-së.

  • Jovanoviq: Qeveria serbe s’guxon të bëjë referendum për Kosovën, i ka humbur kompetencat atje

    Jovanoviq: Qeveria serbe s’guxon të bëjë referendum për Kosovën, i ka humbur kompetencat atje

    Gazetarja dhe redaktorja e revistës javore serbe “Novi Magazin”, Jelena jovanoviq tha se Serbia “i ka humbur kompetencat” që i ka pasur në Kosovë dhe se asnjë qeveri në Beograd, përfshirë të tanishmen, nuk do ta ketë guximin të organizojë referendum me pyetjen “A jeni pro që Kosova të mos jetë pjesë integrale e Serbisë?”.

    Lidhur me një referendum të tillë, ajo tha se do të ishte vendimtare se si do të formulohej pyetja.

    Ajo tha për agjencinë serbe të lajmeve, FoNet se Serbia e ka të vështirë të hyjë në Bashkimin Europian me këtë politikë ndaj Kosovës.

    “Një ditë, nëse integrimi europian vazhdon, edhe Kosova edhe Serbia do të jenë pjesë e Bashkimit Europian, kështu që nuk ka zgjidhje”, beson Jovanoviq.

    “Kosova, pavarësisht nëse dëshiron ta pranojë apo jo Serbia, tashmë është në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke mbetur pak pas Serbisë, por në atë rrugë do ta arrijë lehtësisht hapin me Serbinë”, tha ajo.

    Jovanoviq parashikon se Kosova, do apo nuk dëshiron Serbia, përfundimisht do të bëhet anëtare e plotë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe shpjegon se kushtet për këtë do të plotësohen në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare detyruese.

    Ajo tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjithnjë e më shumë po e humbet rëndësinë e saj dhe në momentin që do të formohet “nuk do ta ketë as peshën që duhet ta kishte sipas Marrëveshjes së Brukselit”.

    “Fakti është se Prishtina nuk e përmbushi kushtin bazë për vazhdimin e dialogut, që është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Është gjithashtu e vërtetë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por edhe Kushtetuta e Kosovës nuk është në përputhje me Rezolutën 1244, kështu që këto janë gjëra që duhet të korrigjohen menjëherë”, tha Jovanoviq.

    Ajo mendon se është e nevojshme të organizohet një konferencë ndërkombëtare, por asaj t’i paraprijë një dialog i brendshëm, në të cilin do të merrte pjesë edhe komuniteti serb nga veriu i Kosovës.

  • Kurti u bën thirrje mergimtarëve të regjistrohen në e-Diaspora: Bëhuni pjesë e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës

    Kurti u bën thirrje mergimtarëve të regjistrohen në e-Diaspora: Bëhuni pjesë e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës

    Kryeministri Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve jorezident të Kosovës, për të regjistruar përmes platformës online e-Diaspora.

    Ai gjatë thirrjes së tij përmes një video në Facebook, mërgatën e cilësoi si pjesë të pandashme të Kosovës.

    I pari i qeverisë kosovare, tha se duke u regjistruar si qytetar jorezident është mundësi për të “forcuar lidhjen” me atdheun.

    “Procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia juaj për të forcuar lidhjen me atdheun. Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës. Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024”, u shpreh 49-vjeçari.

    Njeriu që mbi supe e ka udhëheqjen e qeverisë, thotë se regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh.

    “E krahas platformës e-diaspora, ju mund të informoheni dhe sipas nevojës edhe të ndihmoheni për t’u regjistruar, në objektet e komunave rajonale të Kosovës, nga zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh. Të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun”, deklaroi Kurti.

  • Zvogëlohet koha e pritjeve në pikat kufitare

    Zvogëlohet koha e pritjeve në pikat kufitare

    Është zvogëluar koha e pritjeve të mërgimtarëve në pikat kufitare për të dalë nga Kosova.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, te Dheu i Bardhë ato arrijnë deri në 25 minuta.

    Sa i përket pikës tjetër kufitare, asaj në Merdarë ato janë regjistruar nga 10 deri në 20 minuta, njofton Klankosova.tv.

    Gjendje e njëjtë sikurse në Merdarë është edhe në Jarinjë ku pritjet arrijnë deri në 20 minuta.

  • Hoti: Të bëhen bashkë sindikatat për të parandaluar emërimin e anëtarit të Bordit të Trustit pa pëlqimin e BSPK-së

    Hoti: Të bëhen bashkë sindikatat për të parandaluar emërimin e anëtarit të Bordit të Trustit pa pëlqimin e BSPK-së

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se është e papranueshme që në zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Trustit Pensional që përfaqëson punëtorët, të përzgjidhet një person që sipas evidencës së ofruar nga BSPK-ja nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë përfaqësues i punëtorëve në Bordin e Trustit Pensional.

    Në një postim në Facebook, ai ka ftuar të gjitha sindikatat të bëhen bashkë “për të parandaluar këtë shkelje”.

    “Shihni letrën e BSPK-së dërguar Kuvendit të Kosovës dhe anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Në fakt, kjo sjellje e qeverisë nuk është asgjë e re tanimë. Gjatë mandatit të kësaj qeverie është mbytur dialogu social. Qeveria ka luftuar sindikatat me të gjitha mjetet. Puna e Këshillit Ekonomik-Social është paralizuar”.

    “Pagesat simbolike që punëtorët kanë bërë si kontribut i anëtarësisë në sindikata tani kontrollohen nga Qeveria dhe tani këto lloj pagesa janë përgjysmuar. Secili sindikalist që ka kundërshtuar qeverinë është linçuar nga zyrtarë e militantë të partisë në pushtet, të cilat linçime janë pasuar me veprime të tjera në organizatën përkatëse. Këta mashtrues që bëjnë thirrje për fuqizim të sindikatave në sektorin privat po e pengojnë me çdo formë organizimin sindikal në sektorin publik”, ka thënë Hoti.