ATV

Author: ATVLive

  • Policia shqiptoi 1905 tiketa trafiku në 24 orët e fundit

    Policia shqiptoi 1905 tiketa trafiku në 24 orët e fundit

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1905 tiketa për pjesëmarrësit e trafikut për shkak të shkeljeve të rregullave të komunikacionit.

    Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 3 aksidente trafiku me fatalitet, 21 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 51 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 24 persona, ndërkaq 14 të tjerë janë dërguar në mbajtje, kurse një person është dërguar në vuajtje të dënimit.

  • Policia gjermane: I dyshuari për sulmin në festival u dorëzua dhe e pranoi krimin

    Policia gjermane: I dyshuari për sulmin në festival u dorëzua dhe e pranoi krimin

    Policia gjermane tha mëngjesin e së dielës se një burrë 26-vjeçar është dorëzuar në polici dhe e ka pranuar se është dorasi i sulmit vdekjeprurës me thikë në një festival për shënimin e 650-vjetorit të qytetit Solingen në perëndim të vendit.

    I dyshuari për vrasjen e tre njerëzve dhe plagosjen e tetë të tjerëve të premten, u dorëzua dhe e pranoi krimin, thanë policia dhe prokuroria e Dyseldorfit në një komunikatë të përbashkët.

    “Përfshirja e këtij personi është duke u hetuar intensivisht”, thuhet në komunikatë.

    Sulmi, për të cilin e mori përgjegjësinë Shteti Islamik, ndodhi të premten në mbrëmje në festivalin ku po shënohej 659-vjetori i qytetit.

    I dyshuari është i lidhur me një shtëpi të refugjatëve në Solingen, e cila u bastis nga policia të shtunën, thanë autoritetet.

    Shteti Islamik (IS)e përshkroi e përshkroi burrin që e kreu sulmin si një “ushtar i Shtetit Islamik” në një komunikatë të publikuar të shtunën në Telegram.

    IS nuk dha dëshmi për ta mbështetur pretendimin e vet. Nuk është e qartë se çfarë lidhjesh mund të ketë pasur sulmuesi me Shtetin Islamik.

    Të shtunën, autoritetet e arrestuan një 15-vjeçar nën dyshimin se ai ishte në dijeni për sulmin e planifikuar dhe nuk i kishte njoftuar autoritetet. Policia tha se 15-vjeçari nuk është dorasi.

    Markus Caspers, prokuror nga zyra e prokurorisë publike në Dyseldorf, tha të shtunën pasdite në një konferencë se “terrorizmi” nuk mund të përjashtohet nga ky rast, sepse nuk ka motive të tjera dhe sepse viktimat nuk kanë lidhje mes vete.

    Sulmi ndodhi të premten pas orës 21:00 kur sulmuesi i theri me thikë disa persona në një shesh në qendër të qytetit.

    “Festivali i Shumëllojshmërisë”, i cili shënon përvjetorin e 650-të të qytetit, nisi të premten dhe duhej të mbahej deri të dielën.

    Solingeni i ka rreth 160.000 banorë dhe ndodhet afër qyteteve të mëdha Këln dhe Dyseldorf. /REL/

  • Vdiq në QKUK një fëmijë që u godit nga një veturë derisa ishte në biçikletë

    Vdiq në QKUK një fëmijë që u godit nga një veturë derisa ishte në biçikletë

    Një fëmijë ka vdekur në orët e para të së dielës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi të shtunën pasdite ishte goditur nga një veturë, në fshatin Korishë të Prizrenit.

    Sipas njoftimit të policisë të dielën, deri te aksidenti ka ardhur kur vetura ka goditur një biçikletë në të cilën ndodheshin dy fëmijë, dhe njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

    “Ka ndodhur një aksident trafiku ku të përfshirë kanë qenë një automjet me targa vendore me drejtues mashkull kosovar dhe një biçiklete me drejtues një fëmijë i cili ka qenë i shoqëruar me një fëmijë tjetër në cilësinë e pasagjerit. Si pasojë e aksidentit të dy fëmijët-viktimat meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre është hospitalizuar në Repartin Ortopedik në Prizren, ndërsa tjetri është transferuar në QKUK . Më datë 25.08.2024-01:28 viktima e cila ka qenë në trajtim mjekësor në QKUK ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

    I dyshuari për aksidentin është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit kujdestar, ndërsa trupi i pa jetë është dërguar në IML për autopsi.

  • Demaskohen statistikat dhe grafikonet imagjinare të Institucioneve Qeveritare nga World Statistics

    Demaskohen statistikat dhe grafikonet imagjinare të Institucioneve Qeveritare nga World Statistics

    World Statistics ka publikuar renditjen e vendeve më të varfra në Evropë, dhe në krye të listës është Ukraina, e cila është në luftë me Rusinë, ndërsa Kosova, pavarësisht statistikave të shpallura dhe grafikoneve optimiste nga Institucionet Qeveritare për rritje ekonomike, është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Ukrainës.

    Kosova qëndron si vendi më i varfër në Ballkan, duke u krahasuar me fqinjët e saj që janë në pozicione shumë më të mira. Kjo situatë është alarmante dhe shqetësuese.

    Ndersa, krahasimi me vendet fqinje është ky:

    • Shqipëria: 8 vende më lartë?

    • Maqedonia Veriore: 7 vende më lartë

    • Serbia: 9 vende më lartë?

    • Bosnja dhe Hercegovina: 4 vende më lartë,

    • Mali i Zi: 10 vende më lartë.

    Gjendja e rëndë ekonomike e Kosovës është pasqyruar në raportet ndërkombëtare, duke treguar jo vetëm varfëri të madhe, por edhe një tendencë përkeqësimi të mëtejshëm. Institucionet Qeveritare vazhdojnë të shpallin statistika që duken si ëndrra të bukura, por realiteti është shumë më i hidhur.

    Duhet ngritur pyetja se sa është lehtësuar vërtet jeta e qytetarëve me rritjen e proklamuar nga institucionet qeveritare? !

    Në teren, qytetarët ankohen për inflacionin dhe rritjen e çmimeve, duke përballuar me vështirësi të mëdha për të mbyllur muajin. Kjo situatë po përkeqësohet edhe më shumë nga ngulfatja e sektorit privat, ku shumë kompani po mendojnë të mbyllen ose të zhvendosin kapitalin e tyre në vendet e rajonit.

    Nga Kosova po largohen qytetarët por edhe kapitali vendor falë mungesës së stabilitetit politik, mungesës së dialogut publiko – privat, burokracis dhe nepotizmit , tentativa Qeveritare për barazi në varfëri, sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe raporteve shqetësuese me SHBA-të.

    Për investime të huaja mund të flasin Institucionet dhe Banka Qendrore e Kosovës por ato janë për të u dëshiruar sepse përveq investimeve në patundshmëri nga diaspora të tjera pothuajse nuk ka.

    Le të kuptohet se përballë të vërtetes qëndron vetēm e vërteta dhe se nuk ka gjysëm të vërtetë!

    Indikatori më preciz i matjes së realitetit ekonomik dhe social nē një vend është jeta dhe niveli i standardit të jetesës së qytetarëve.

    Ky raport është një sinjal SOS për marrjen e hapave konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Nëse nuk veprohet tani, pasojat do të jenë të pariparueshme.

  • 70 raste mund të dërgohen në Prokurori nga APK-ja për mosdeklarim të pasurisë

    70 raste mund të dërgohen në Prokurori nga APK-ja për mosdeklarim të pasurisë

    Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se agjencia të cilën ai drejton është në fazën finale të verifikimit të 4 mijë zyrtarëve që kanë deklaruar pasurinë. Nga këto raste, rreth 70 prej tyre janë në fazën finale për të verifikuar se a i plotësojnë të gjitha kriteret për t’u dërguar në Prokurori si formë e kallëzimit penal, për shkak të shkeljeve të identifikuara.

    Ai ka thënë se janë në fazën finale që të shqiptojnë edhe 98 gjoba për zyrtarët që nuk e kanë deklaruar fare apo nuk e kanë deklaruar me kohë pasurinë.

    Buleshkaj ka thënë se brenda këtij muaji do të përfundoj verifikimi dhe do ta dihet saktë numri i rasteve që do të dërgohen në Prokurori, ku sipas tij, duke marr parasysh numrin e madh të deklarimit të zyrtarëve, numri prej 70 që mund të dërgohen në Prokurori nuk është i madh.

    “Po Agjencia është në fazën finale të përfundimit të plotë të deklarimit të pasurisë, ku kemi verifikuar rreth 4 mijë persona, nga ta janë afër 2 mijë zyrtarë publik dhe familjar të tyre, i kemi kryer verifikimin. Nga këto raste janë diku rreth 70 të cilët janë në fazën finale për të verifikuar se a plotësojnë të gjitha kriteret për të dërguar në Prokurori si formë e kallëzimit penal, për shkak të shkeljeve që janë identifikuar gjatë verifikimit që ka kryer Agjencia. Shumë shpejt po besoj brenda këtij muaji do të përfundoj dhe do ta dimë numrin e saktë të rasteve. Si përqindje nuk është numër i keq, nëse kemi pasur po them rreth 2000 zyrtarë publikë në qoftë se vetëm kemi pasur më pak se 100 nga ta kemi identifikuar lëshime, atëherë kjo është një sasi e mirë në procesin e deklarimit të pasurisë dhe jemi të kënaqur në atë aspekt, duke pasur parasysh që për herë të parë është vënë në funksion deklarimi elektorinik i pasurisë, ku ndoshta për shkak të kësaj risie ka mund të lëshohen edhe gabime të tjera”, ka thënë ai.

    Buleshkaj ka deklaruar se nga mjekët dhe profesorët, që këtë vit për herë të është dashur që të deklarojnë pasurinë, 8 nga ta nuk e kanë deklaruara, e po ashtu janë edhe 90 zyrtarë të tjerë që nuk e kanë kryer deklarimin e pasurisë në kohë, për të cilët do të shqiptohen gjoba sipas ligjit.

    “Po kanë qenë 8 nga ta të cilët nuk e kanë deklaruara, nga mjeket dhe profesorët, përveç 8 kemi pasur edhe 90 të tjerë nga grupi tjetër i zyrtarëve publik të cilët nuk e kryer deklarimin e pasurisë në kohë. Një numër i tyre ka deklaruar pas afatit, po ne jemi në fazën finale edhe për këta 98 zyrtar për ti shqiptuar gjobat ashtu siç i parasheh ligji. E shuma e gjobave është 30 për qind e pagës së tyre mujore, për të gjithë këta që nuk e kanë deklaruar në kohë apo nuk e kanë deklaruar fare do të marrin një gjobë mandatorë fillestare, e pastaj për ata që nuk e kanë deklaruar fare do të përgatitim shumë shpejt edhe kallëzimet penale”, ka thënë ai.

    Drejtori i APK-së ka thënë se këta zyrtarë do të gjobiten në bazë të pagës, ku sipas tij, në bazë të ligjit, gjoba nuk mund të tejkaloj shumën 500 euro.

    Ai ka thënë se pjesa me e madhe e zyrtarëve që do të gjobiten i takojnë institucioneve siç janë nga radhët e Policisë së Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) si dhe nga doganat.

    “Edhe këtu jemi në fazën finale, zyrtarët janë duke punuar tash, duke marr informatat sepse në duhet ta konfirmojë se sa kanë qenë paga bazike e zyrtarëve ne muajin kur është deklaruar pasuria, ashtu siç e parasheh ligji, se sa ka qenë paga në muajin mars për ata që kanë qenë të obliguar për deklarim në mars, apo për mjekët dhe profesorët që ka qenë në muajin shkurt. Duhet të dimë saktë sa ka qenë paga pastaj të llogaritim edhe shumën të cilën duhet të paguhet në formë të gjobës. E mira për ta është se kjo shumë nuk mund të tejkaloj 500 euro, në as një rast, nëse dikush ka një pagë ku 30 për qindëshi është më shumë se sa 500 euro, ligji ka limituar gjobën në 500. Vitin e kaluar kemi shqiptuar 30 gjoba, shumica nga to janë shlyer. Vitin e kaluar e kemi parë nevojën që të kryhet verifikim më i mirë se sa ka qenë paga mujore. Jemi duke i kontaktuar të gjitha institucionet një për një ku këta zyrtarë punojnë. Ajo që kam thënë përpara po edhe tash është një numër i madh i këtyre nga 90 të cilët janë kryesisht nga dy tri institucione kryesore, janë nga policia e Kosovës një numër i madh, nga ATK një numër, kanë qenë disa nga doganat e të tjera të cilët nuk e kanë kryer për arsye te ndryshme këtë obligim në kohë”, ka thënë ai.

    Buleshkaj ka shtuar se me mjekët dhe profesorët përmbyllet kategoria e subjekteve deklaruese, ku me këto dy kategori tashmë janë 12 mijë subjekte deklaruese të cilët kryejnë deklarimin në formë të rregullt.

    “Me mjekët dhe profesorët përmbyllet si ta themi mozaiku i subjekteve deklaruese, pra më këto dy kategori ne tashmë i kemi 12 mijë subjekte deklaruese të cilëve kryejnë deklarimin në formë të rregullt. Ndërsa nga viti i ardhshëm nuk do të ketë kategori të reja që do të shtohen, tashmë jemi stabilizuar. Ky numër pritet që të jetë numër i qëndrueshëm deri sa të ndryshohet eventualisht ligji në të ardhmen”, ka thënë ai.

  • Ndalohet për 48 orë shoferja që dyshohet se e goditi për vdekje këmbësoren në rrugën Prishtinë- Fushë Kosovë

    Ndalohet për 48 orë shoferja që dyshohet se e goditi për vdekje këmbësoren në rrugën Prishtinë- Fushë Kosovë

    Policia, përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar për aksidentin e mbrëmshëm në rrugën Prishtinë- Fushë Kosovë, ku një këmbësore u godit për vdekje.

    E dyshuara është ndaluar për 48 orë.

    “AKSIDENT KOMUNIKACIONI RRUGOR ME FATALITET- Rruga Prishtinë-Fushë Kosovë,24.08.2024-20:39. Ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet dhe me lëndime trupore, ku janë përfshirë një veturë me targa vendore me drejtues femër kosovare dhe një këmbësore femër kosovare. Si pasojë e lëndime të marra nga aksidenti, këmbësorja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Ndërsa lëndime trupore ka pësuar drejtuesja e automjetit e cila është dërguar në QKUK-së për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit kujdestar trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa të dyshuarës- drejtueses së automjetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.”

  • Arrestohet në Paris shefi i Telegramit, Pavel Durov

    Arrestohet në Paris shefi i Telegramit, Pavel Durov

    Shefi ekzekutiv i Telegramit, Pavel Durov është arrestuar nga policia franceze në një aeroport në veri të Parisit.

    Durov është arrestuar pasi avioni i tij privat ishte ulur në aeroportin Le Bourget, raportuan mediat franceze.

    Sipas zyrtarëve, 39-vjeçari u arrestua nën një urdhër për shkelje, të lidhura me aplikacionin popullor të mesazheve.

    Ambasada ruse në Francë ka bërë të ditur se po ndërmerr “hapa të menjëhershëm” për të sqaruar situatën, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

    Telegrami është veçanërisht i popullarizuar në Rusi, Ukrainë dhe shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.

    Aplikacioni u ndalua në Rusi në vitin 2018, pas një refuzimi nga Durov për të dorëzuar të dhënat e përdoruesit.

    Por ndalimi u anulua në vitin 2021.

    Telegrami renditet si një nga platformat kryesore të mediave sociale pas Facebook, YouTube, WhatsApp, Instagram, TikTok dhe Wechat.

    Durov themeloi Telegramin në vitin 2013 dhe u largua nga Rusia në vitin 2014 pasi refuzoi të përmbushte kërkesat e qeverisë për të mbyllur komunitetet e opozitës në platformën e tij të mediave sociale VKontakte, të cilën ai e shiti.

  • Rama: Qeveria s’po e trajton Prishtinën si të sajën, po bën pengesa politike për disa projekte madhore

    Rama: Qeveria s’po e trajton Prishtinën si të sajën, po bën pengesa politike për disa projekte madhore

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Qeveria Kurti nuk po e trajton kryeqytetit si të sajin.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Rama ka akuzuar nivelin qendror për pengim të disa projekteve madhore, siç është Unaza e Kryeqytetit dhe ndërtimi i rrugës “Agim Ramadani”.

    Ai, tutje ka theksuar se edhe projektit të ish-objektit “Gërmia”, ku është planifikuar të ndërtohen salla koncentrale dhe muzeu, i janë pamundësuar punimet si shkak i masave të BE-së ndaj Kosovës, ku si pasoja shuma e destinuar prej 20 milionë eurosh është bllokuar.

    Mirëpo, përkundër “pengesave” dhe kritikave të shumta nga opozita në Kryeqytet, Rama është shprehur i bindur se projektet e planifikuara do të përfundojnë, shumica e të cilave, siç tha ai, janë të bashkëfinancuara nga sektori privat.

    Ai ka thënë se dhjetëra prej tyre tashmë janë publikuar dhe kanë filluar, ndërsa edhe për vonesat në fillimin e disa projekteve, ai e ka akuzuar nivelin qendror.

    Për projektin e “Tregut të Gjelbër”, i publikuar vitin e kaluar në vlerë 5.7 milionë euro, Rama ka thënë se do të fillojë këtë vit dhe se kanë dy mundësi për të.

    “Projekti i Tregut të Gjelbër është i përfunduar edhe i kemi dy procese tash në tavolinë. Ne e kemi përcaktuar një fond i cili e përmbush mundësinë për ta zhvilluar fazën e parë, mirëpo kur e kemi bërë konferencën për investitorë, në janar të këtij viti, e kemi paraqitur edhe tregun si një investim potencial, kështu që kemi pasur disa investitorë që janë të interesuar bashkë për investim. Pra, komuna me tokë, ata me investim. Edhe këtë do ta shtyjmë përpara. E kemi në proces për me ngritë në asamble, për me dërgua si bashkë-investimin edhe kjo do të ndodhë menjëherë sivjet, do të fillojë në njërën apo tjetrën anë. Pra, i kemi edhe fondet e buxhetuara, por e kemi edhe mundësinë që ta kryejmë të gjithë investimin prej 5.7 milion nga sektori privat. Ne si kryeqytet vetëm se i kemi ndarë 1.2 milionë që ta kryejmë fazën e brendshme. Njëra apo tjetra do të fillojë sivjet”, ka thënë ai.

    Kryetari i Prishtinës ka thënë se projekti madhor i ndërtimit të rrugës “Agim Ramadani”, edhe pse është tenderuar, është ndalur nga institucionet e nivelit qendror me arsyetimin se në atë pjesë mund të ketë gjetje parahistorike, ku kjo sipas tij, kjo është një bllokadë politike.

    “Kemi shumë projekte që janë publikuar dhe shumë kanë filluar. Kemi një numër të madh të projekteve që i sheh nëpër të gjitha pikat e kryeqytetit. Mirëpo, projekte madhore, ato vetëm se i kemi tenderuar, kemi tenderuar rrugën ‘Agim Ramadani’. Projektet e mëdha kërkojnë një dizajnim. Rruga ‘Agim Ramadani’, që është madhore për kryeqytet, ka dalë në tender, për momentin është e bllokuar nga Instituti për Mbrojtje të Monumenteve, për arsye që supozohet që mund të ketë gjetje parahistorike. Është pak abstrakte arsyeja pse na ka ndalur procesin, është i gjithi i gatshëm, mundet me fillu menjëherë, mirëpo tash po ballafaqohemi me institucione qendror për me shty çështjen përpara. Nëse ka aty gjetje parahistorike ne duhet të fillojmë gërmimin, por nuk mund të themi që nuk mund të fillojmë projektin për arsye se mund të ketë gjetje parahistorike. Zona nuk është e mbrojtur në aspektin arkeologjik, nuk ka arsye që të na ndalin aty, mendoj që është vetëm çështje, bllokadë politike, asgjë tjetër”, ka thënë ai.

    Rama ka theksuar se projekti madhor i ish-objektit Gërmia, ku do të ndërtohen salla koncentrale dhe muzeu, i janë pamundësuar punimet si shkak i masave të BE-së ndaj Kosovës, ku një shumë prej 20 milionë eurosh ka qenë e destinuar nga BE-ja për këtë projekt.

    Por sipas tij, komuna nuk është ndalur dhe ka ndarë një fond prej 2 milionë eurosh që të shtyjë përpara projektin e muzeut, ndërsa për pjesën tjetër janë duke pritur deri sa vendit t’i largohen masat nga BE-ja.

    “Tenderin për rrugën ‘Xhorxh Bush’ e kemi hapur. Tenderin për platformën e cila e ndërlidh Arbërinë me Pallatin, po ashtu e kemi hapur. Unaza e Brendshme tash jemi në përfundim e sipër, Rruga A po vazhdon me intensitet të lartë. Rruga B po vazhdon me intensitet të lartë. Të dyja deri në fund të këtij viti do të lidhen njëra me tjetrën, që do të jetë një ndihmesë super e madhe për kryeqytet. Gërminë, salla koncertale edhe muzeu i artit e dini që projektin e kemi të gatshëm për me fillu të gjithën. I kemi pasur fondet nga komuniteti evropian të ndara, prej 15 deri në 20 milionë, mirëpo për arsye që vendi ynë është në sanksione apo nën masa tash nuk i kemi. Ne nuk jemi ndalur, fondet të cilat ne i kemi ndarë si kryeqytet i kemi shty përpara dhe tash vetëm se kemi hapur një pjesë ku aty ish-shtëpia e mallrave kemi ekspozitën e cila e tregon historinë nëpër të cilën ka kaluar shoqëria jonë. E kemi edhe një fond prej 2 milionësh që do ta shtyjmë përpara që ta transferojmë të gjithë këtë pjesën ekzistuese që muzën me fondet tona ta funksionalizojmë deri sa vendi ynë të del nga masat që pastaj mundemi me vazhdua edhe me sallën koncertale”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se qeveria është duke refuzuar që të investojë edhe në Unazën e Kryeqytetit, dhe se këtë komunë nuk është duke e trajtuar si të vetën.

    Rama ka theksuar se në shtator dy kompani nga Zvicra do të prezantojnë në Prishtinë projekte të tyre prej miliarda euro, që do të investohet në zonën e Stacionit të Autobusëve.

    “E kemi Tulltoren, projekti tani vetëm se po përfundon, po ashtu kemi edhe në mbledhjen e radhës të Asamblenë propozimin për bashkë-investim me sektorin privat që janë të gatshëm që të futen edhe të investojnë 20 milionë, ta transformojnë këtë hapësirë. Kemi edhe kompani nga Zvicra, dy kompani të mëdha që do të prezantojnë në shtator projekte bilionëshe, në zonën te Stacioni i Autobusëve, ku ne e kërkojmë që të na ndërtojnë Stacionin e Autobusëve, kërkojmë që me bashkë-investim që të na ndërtojnë edhe Unazën e Kryeqytetit, pasi qeveria po refuzon të investojë. Dëshiron të investojë jashtë Prishtinës por jo në Prishtinë, nuk e trajton Prishtinë si të veten, por për fat të keq si me qenë ne në një shtet tjetër. Mirëpo, kjo nuk do të na ndalë. Kemi Fshatin Sportiv, i cili me bashkë-investim do të zhvillohet. Kemi numër të madh të projekteve që janë duke ndodhur paralelisht”, ka thënë Rama për EO.

  • Moti sot në Kosovë

    Moti sot në Kosovë

    Gjatë ditës së diele, në Kosovë pritet të mbajë me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-34 gradë celsius

    “Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3m/s. Indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj këshillohet respektimi i udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, thuhet në njoftim.

  • “Termokosi” pret mbi 10 milionë euro të hyra, sivjet faturimi bëhet në bazë të konsumit

    “Termokosi” pret mbi 10 milionë euro të hyra, sivjet faturimi bëhet në bazë të konsumit

    Sezonin e ri, Ngrohtorja e Kryeqytetit “Termokos” do të fillojë me një epokë të re të matjes se energjisë termike, pasi nga tetori i këtij viti afër 17 mijë njësi banimi do të faturohen në bazë të konsumit.

    Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryeshefi Ekzekutiv i “Termokos”, Fisnik Osmani, i cili ka theksuar për këtë vit presin që të kenë të hyra mbi 10 milionë euro.

    Osmani ka thënë se pjesa më e madhe e njësive të banimit janë pajisur me matës, por që janë duke punuar që brenda dy viteve të ardhshëm të bëhet mbulushmëria 100 për qind e konsumatorëve.

    “Sezona në të cilën po hymë është sezona të themi kritike për ngrohtoren, jo kritike në aspektin negativë, mirëpo kritike në aspektin e përgatitjeve të cila ne duhet ti bëjmë që të kemi një fillim të mbarë të faturimit me konsum. Deri tani ngrohtorja ka faturuar në bazë të metrave katrorë dhe nga ky vit do të filloj ndryshimin e faturimit ose ndryshimin e metodologjisë së matjes. Siç e dini ne përgjatë këtyre 20 muajsh kemi zhvilluar projektin e instalimeve të matësve të energjisë, alukatorëve dhe matësve të ngrohjes. Kjo është zhvilluar në bazë të projektit në 17 mijë e 500 njësi të banimit, prej të cilave më tepër se 16 mijë e 500 janë aktive dhe mund të startojmë këtë vit me këtë matje. Po punojmë që edhe në vitin e ardhshëm pjesa tjetër e konsumatorëve të ngrohtores të cilët nuk e kanë këtë sistem të ndajnë mjetet tona vetanake, të kërkojmë ndihmën nga komuna, qeveria, donatorët që potencialisht për dy vite të ardhshëm të kemi mbulueshmërin 100 për qind të gjithë konsumatorëve tanë”, ka thënë ai.

    Ai ka theksuar se sezonë që kanë lënë pas kanë testuar këtë metodë të faturimit dhe se rezultatet kanë dalur që në njësit e banimit ku ka patur kursim të energjisë edhe fatura ka shkuar më e vogël.

    Ai ka thënë se me këtë metodë presin që të kenë reduktime të shpenzimeve të ngrohtores.

    “Ajo çka unë do ti kisha lutur qytetarët e Prishtinës është që ta mirëkuptojnë menaxhemtin e ngrohtores për shkak se po fillojmë një proces të ri i cili po behet për herë të parë në Kosovë, natyrisht edhe mund të ketë problem teknike, mund të ketë paqartësi për të cilat ne jemi kujdesur në kontinentet që ti zgjidhim. Tre muaj rresht ne kemi dërguar faturat testuese me matje dhe faturën të cilën e kanë pagur me metër katror që të shohim krahasimin e konsumit në bazë të metrit katrorë edhe në bazë të konsumit me matje. Analizat që i kemi bërë kanë dalur ashtu siç i kemi pritur, për shkak se në njësit e banimit ku ka patur kursim të energjisë atëherë edhe fatura ka shkuar më e vogël. Në sezonën që po hyjmë presim reduktim të shpenzimeve të ngrohjes edhe qytetaret më në fund marrin atë që e kanë kërkuar nga ngrohtorja. Adresimi ose minimizimi i ngrohjes së tepërte në banesat e tyre”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se “Termokos” në shtatë muajt e këtij viti ka pasur inkasim 22 për qind më tepër se sa periudhën e njëjte të viti paraprak.

    Ai ka thënë se në projeksionit e tyre presin që brenda këtij viti të kenë mbi 10 milion euro të hyra, që sipas tij, janë të mjaftueshëm për operim normal të ngrohtores, por janë të pa mjaftueshëm për investim ne projekte kapitale.

    “Në periudhën në të cilën po e lëmë pas nëse e bëjmë krahasimin me periudhën e njëjtë të viti paraprak, ne kemi inkasim diku 22 për qind me tepër që nënkupton që qytetarët janë përgjigjur pozitivisht ngrohtores për shkak se në këtë periudhë ka pasur edhe përmirësim të shërbimit. Ky është një indikator i qartë që në momentin që qytetari e merr shërbimin atëherë nuk e ka telashe edhe me e bërë pagesën e këtij shërbimi. I vetmi burim të cilin ngrohtorja e ka është pagesa e faturave, përmes pagesë së faturave ‘Termokos’ e mbanë vetën, mbërrin me gjeneruar të hyrat të mjaftueshëm për zgjerim të rrjetit. Ne e kemi një projeksion që dikun të kemi të hyra brenda këtij viti mbi 10 milion euro, dhe mund të siguroj që e kemi tejkaluar pritshmërinë më tepër se gjysma e inkasimit dhe presim që deri në fund të viti ta kalojmë edhe këtë shumë. Është shumë e cila i mbulon mjaftueshëm pritjet të cilat i kemi pasur për operim normal të ngrohtores, por është e pa mjaftueshëm për investime ne projekte kapitale”, ka thënë ai.

    Kryeshefi i “Termokosit” ka thënë se kjo ndërmarrje ka punuar shumë në ketë periudhe që të mbledh borxhet, por pavarësisht kësaj janë mbi 18 milion euro borxhe që qytetaret kanë ndaj saj.

    “Ne kemi punuar në këtë periudhë që të mbledhim borxhet e ‘Termokosit’, qytetaret janë përgjigjur pozitivisht dhe borxhet tona mbeten të larta, po tentojmë me i adresuar me dy mekanizma tonë në ngrohtore, Bordin e Drejtoreve dhe Komisionin Komunal të aksionarëve. Fatkeqësisht është mbi 18 milion euro shuma e borxheve totale të cilat i kemi. Nëse e marrim parasysh që në vitin e fundit, ose dy vitet e fundit kemi pasur një zgjerim masiv të rrjetit natyrisht është rritur baza e konsumatorëve, nëse flasim për adresa mbi 8 mijë adresa më tepër i kemi të cilat po i furnizojmë. nëse flasim më numër të qytetareve janë mbi 40 mijë më tepër që kanë marr shërbime prej nesh në sezone që po e lëmë pas, natyrisht se edhe baza e borxhit është e pritshme”, ka thënë ai për EO.