ATV

Author: ATVLive

  • Vrasja e Liridona Ademajt, iu vazhdohet edhe nga dy muaj paraburgimi tre të dyshuarve

    Vrasja e Liridona Ademajt, iu vazhdohet edhe nga dy muaj paraburgimi tre të dyshuarve

    Gjykata Themelore në Pristinë ka marrë vendim që t’iu vazhdojë masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës, dhe Granit Plavës të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Lajmin për KosovaPress, e ka konfirmuar bashkëpunëtorja profesionale nga zyra e kryetares së kësaj gjykate, Medina Gashi.

    “Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 23.08.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 26.08.2024 deri me datë 25.10.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK”, ka thënë Gashi.

    Murselit, Kokallës e Plavës, fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

  • ​Napoli në “hall” me Osimhenin

    ​Napoli në “hall” me Osimhenin

    Mediat në Itali raportojnë se skuadra arabe Al-Ahli ka bërë një ofertë për Victor Osimhen me vlerë 70 milionë euro, të cilën Napoli mund të jetë i hapur për ta konsideruar, por lojtari është duke pritur për PSG, Arsenal ose Chelsea.

    Sulmuesi nënshkroi një kontratë të re në dhjetor 2023 me qëllimin e shprehur për t’u larguar këtë verë për klauzolën e lirimit prej 130 milionë euro, por askush nuk i është afruar asaj.

    Prania e tij pra po bllokon strategjinë e transferimeve dhe koha po ikën për të gjetur një zgjidhje pasi afati kalimtar po shkon dreht fundit, përcjellë KosovaPress.

    Sipas Sky Sport Italia dhe Sportitalia, Al-Ahli ka bërë ofertën e parë të vërtetë të fortë për Osimhen, e cila është 70 milionë euro. Është gjysma e klauzolës së lirimit, por ende potencialisht e mjaftueshme që Napoli ta pranojë në këto rrethana.

    Problemi i madh është se reprezebtuesi nigerian nuk dëshiron të kalojë në Ligën Pro Saudite, kështu që ai është i gatshëm të presë për një propozim të vonuar nga Paris Saint-Germain, Arsenal apo edhe Chelsea.

    Preferenca e tij është të luajë në Champions League, kështu që Chelsea është mjaft poshtë në listën e tij të prioriteteve, veçanërisht nëse Napoli është në gjendje të marrë Romelu Lukakun veçmas nga Osimhen.

  • Elezi: Deri më tani asnjë koalicion i deklaruar zyrtarisht, afati përfundon më 30 gusht

    Elezi: Deri më tani asnjë koalicion i deklaruar zyrtarisht, afati përfundon më 30 gusht

    Subjektet politike deri të premten kanë afat t’i deklarojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), koalicionet parazgjedhore për votimet e fillim vitit të ri, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Elezi ka thënë se pas 30 gushtit, secili subjekt politik që s’ka deklaruar koalicion deri më këtë datë do të obligohet të garojë i vetëm në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet në shkurt të viti 2025 përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për regjistrim, certifikim dhe kontrollim financiar të subjekteve politike si duna të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyre. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 gusht pra deri ne këtë kohë të gjitha partitë politike duhet të njoftojnë KQZ-në se në zgjedhjet e 9 shkurtit do të marrin pjesë përmes koalicionit”, ka thënë Elezi.

    Zëdhënësi i KQZ-së ka deklaruar se deri të hënën, nuk kanë pranuar asnjë koalicion.

    “Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër, pra të partive të tjera apo edhe si parti e veçanta në procesin zgjedhor. Deri në këto momente që flasim në KQZ nuk kemi pranuar ndonjë njoftim nga ana e partive politike se do të kërkojnë certifikim në zgjedhje përmes koalicionit. Afati i fundit për të bërë këtë deklarimi është data 30 gusht”, ka thënë ai.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë të zgjedhjeve të përgjithshme. Vendimi vjen pas takimit ku presidentja dëgjoi të gjitha partitë.

  • Sot lansohet projekti për subvencionimin e izolimit të shtëpive dhe pajisjeve efiçente të ngrohjes

    Sot lansohet projekti për subvencionimin e izolimit të shtëpive dhe pajisjeve efiçente të ngrohjes

    Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) do të shpallë sot thirrjen e dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.

    Lansimi i projektit do të bëhet në ora 14:30.

    Ky projekt synon të ofrojë subvencione direkte për familjet që dëshirojnë të investojnë në përmirësimin e efiçiencës së energjisë në shtëpitë e tyre.

  • Mbi 1900 gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    Mbi 1900 gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    Brenda një dite në Kosovë, janë shqiptuar 1 mijë e 905 gjoba trafiku nga ana e Policisë së Kosovës.

    Po në këtë vazhdë kohore, u regjistruan tri aksidente me fatalitet, 21 me të lënduar dhe me dëme materiale 51.

    24 persona u arrestuan për 24 orë, e 14 të tjerë u dërguan në mbajtje.

  • Kosova ngec në legalizimin e armëve, i referohet shifrave të 2015-s

    Kosova ngec në legalizimin e armëve, i referohet shifrave të 2015-s

    Kosova ka ngecur në legalizimin e armëve. Në mars të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme pati filluar vlerësimin e ligjit, por ende nuk dihet se deri ku ka shkuar ky proces sa u takon politikave të reja të legalizimit të armëve. Nga viti 2015 nuk ka pasur hulumtim të ri mbi numrin e armëve ilegale që janë në shtetin e Kosovës, por bazuar në ato të dhëna, në vendin tonë janë rreth 250 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve.

    Draftimi i ndryshimeve ligjore për armët dhe masat ndëshkimore kanë bërë që një fushatë e nisur në vitin 2019 për legalizimin e armëve pa leje në Kosovë të mos japë rezultatet e pritura.

    Në mars të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme pati thënë se ka filluar vlerësimi i ligjit që ka përfshirë një grup të përbërë nga institucionet relevante.

    Ky grup do të dilte me politikat e reja të hartimit dhe legalizimit. Por, nuk dihet se deri ku ka shkuar ky proces. Në Ministri nuk iu përgjigjën pyetjeve të RTK-së për këtë çështje.

    Nga viti 2015 nuk ka pasur hulumtim të ri mbi numrin e armeve ilegale që janë në shtetin e Kosovës. Bazuar në ato të dhëna, në vendin tonë janë 250 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve, të cilat janë shqetësim i madh për institucionet e vendit. Ndërkohë rreth 1 mijë e 500 prej tyre konfiskohen çdo vit nga Policia e Kosovës.

    Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, mendon se qytetarët nuk janë inkurajuar nga institucionet përkatëse që të legalizojnë armët.

    “Kem hile edhe na, institucionet vendore na kanë përkrah, nuk duhet me mohu atë, por vet legalizimi ka shkuar në mënyrë palidhje, pa një konsultë të duhur, pa një qasje të gjerë me qytetarët dhe sistem të shpërblim për qytetarët, siç ka ndodhë në vende të rajonit, ose vendet e ish- Jugosllavisë, pas luftërave të përgjakshme”, tha ai.

    E krejt këta armëmbajtës pa leje, për Ibishin marrin dënime tepër të ulëta për këtë vepër penale.

    “Kur flasim për pasojat, ajo janë minimale në kuptim me veprat, që janë gjegjësisht në nenet e kodit penal për armëmbajtje pa leje, ngase çdo herë ata dënohen me dënim minimal, dhe kjo i bënë të kenë guxim, që lirshëm ta përdorin armen, ta mbajnë me vete, dhe rreziku I përgjithshëm është I madh për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Ibishi për RTK.

    Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës, ku parashihet gjobë deri në 7500 euro. Veç tjerash, parashihet edhe dënimi me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.

    Bazuar në Kodin Penal, parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burgim për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.

  • Gërxhaliu: Rritja e depozitave në banka është indikator i mungesës së sigurisë politike dhe juridike për investime në Kosovë

    Gërxhaliu: Rritja e depozitave në banka është indikator i mungesës së sigurisë politike dhe juridike për investime në Kosovë

    Nga Safet Gërxhaliu

    Sipas raportit të BQK – së të korrikut 2024, depozitat e klientëve në banka kanë arritur një vlerë të paprecedent prej 6.26 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 120.79 milionë euro ose 1.97% krahasuar me muajin paraprak. Këto të dhëna tregojnë qartë se shumë ndërmarrës dhe ekonomi familjare nuk po i përdorin këto mjete për të investuar brenda vendit, por po i mbajnë të bllokuara në depozita bankare, ose po planifikojnë të investojnë jashtë vendit, një trend ky që ka shënuar rritje në vitet e fundit.

    Kosova vazhdon të përballet me një mungesë të theksuar të investimeve të huaja direkte, një trend që ka karakterizuar vendin për shumë vite dhe që, pa ndryshim të qasjes nga institucionet qeveritare, nuk pritet të ndryshojë në të ardhmen e afërt.

    Përtej faktit se Kosova është larg për të tërhequr investitorë të huaj, ajo gjithashtu po bën shumë pak për të nxitur investimet vendore, duke krijuar një ambient të pasigurt politik dhe juridik që nuk është tërheqës për kapitalin vendor.

    Në një mjedis të tillë, qytetarët e Kosovës po tregojnë gjithnjë e më pak besim për të investuar brenda vendit, një fakt që përforcohet nga të dhënat e fundit të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

    Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rritje të depozitave janë të shumtë, por më të theksuarit janë:

    Mungesa e një stabiliteti politik dhe juridik është një nga arsyet kryesore që dekurajon investimet vendore. Qytetarët nuk janë të sigurt se investimet e tyre do të jenë të mbrojtura nga ligji dhe se do të mund të zhvillohen në një ambient të qëndrueshëm politik.

    Mungesa e politikave të favorshme fiskale me qrast bizneset në Kosovë vazhdojnë të përballen me një ambient fiskal të pafavorshëm që nuk mbështet zhvillimin e ndërmarrjeve prodhuese. Kjo ka bërë që shumë ndërmarrës të preferojnë të mbajnë kapitalin e tyre në depozita, sesa të rrezikojnë në investime që nuk janë të mbështetura nga politikat fiskale.

    Mungesa e edukimit dhe promovimit të ndërmarrësisë prodhuese.Shumë pak është bërë për të edukuar dhe inkurajuar ndërmarrësinë prodhuese në vend. Pa një kulturë të fortë sipërmarrëse dhe pa stimuj të mjaftueshëm për të investuar në sektorët prodhues, shumë qytetarë zgjedhin të kursejnë në vend që të investojnë.

    Mungesa e fushatave dhe nxitjeve për investime ku institucionet përkatëse nuk kanë arritur të zhvillojnë fushata të suksesshme për të nxitur investimet vendore. Nxitjet për investime, qoftë përmes subvencioneve, lehtësirave fiskale apo programeve të tjera mbështetëse, janë të pamjaftueshme dhe shpesh të paefektshme.

    Mungesa e aftësive të ministrive të linjës për krijimin e mekanizmave zhvillimi: Institucionet qeveritare nuk kanë treguar aftësi për të krijuar mekanizma efektivë për zhvillimin ekonomik. Mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet ministrive përkatëse ka çuar në një situatë ku sektori privat mbetet i ngulfatur dhe pa mbështetje adekuate.

    Ngulfatja e sektorit privat nga institucionet qeveritare ku sektori privat në Kosovë është ngulfatur nga politikat dhe praktikat burokratike të institucioneve qeveritare. Kjo e bën të vështirë për ndërmarrësit që të operojnë lirshëm dhe të marrin vendime të lira për investime.

    Në këtë kontekst, është e vështirë të pritet që me këtë qasje aktuale nga institucionet, Kosova të mund të tërheqë investitorë të huaj. Mungesa e stabilitetit politik dhe juridik, së bashku me një mjedis të pafavorshëm për investime, i largon investitorët potencialë vendor, duke i bërë ata të zgjedhin vende të tjera në rajon apo më gjerë për të investuar kapitalin e tyre.

    Institucionet qeveritare duhet të hartojnë strategji dhe mekanizma që të mbështesin çdo NVM apo biznes Start-Up që ka një plan investiv të qëndrueshëm. Kjo duhet të bëhet përmes një qasjeje të drejtpërdrejtë, siç është modeli “one-stop-shop”, dhe jo përmes thirrjeve për aplikime burokratike dhe të manipuluara. Qasja e drejtpërdrejtë dhe mbështetja efektive do të nxisë rritjen e prodhimit, eksportit dhe punësimit të të rinjve.

    Përfundimisht, nuk është se Kosova është e varfër, por vendi po preferon të mbetet në këtë gjendje për të qenë në një farë mënyre “i gjithë populli i barabartë në varfëri apo barazi”. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa të guximshëm për të ndryshuar këtë situatë dhe për të krijuar një ambient më tërheqës dhe të sigurt për investime, si për kapitalin vendor ashtu edhe për atë të huaj.

  • Akuzat për rrënimin e “Saraji i Vjetër” në Prizren, sot komuna i përgjigjet qeverisë

    Akuzat për rrënimin e “Saraji i Vjetër” në Prizren, sot komuna i përgjigjet qeverisë

    Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, do të mbajë sot konferencë për media.

    Në këtë konferencë pritet që ai t’u përgjigjet akuzave të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, për rrënimin e objektit “Saraji i Vjetër”.

    Aty do të marrë pjesë edhe zyrtarja e lëndës nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.

    Javën e kaluar ministria kishte bërë kallëzim penal ndaj Totajt pas rrënimit të qëllimshëm të monumentit që ishte në mbrojtje të përhershme.

  • Kjo është gjendja në vend-kalimet kufitare, ja ku ka pritje më të gjata

    Kjo është gjendja në vend-kalimet kufitare, ja ku ka pritje më të gjata

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat e fundit sa i përket pritjeve në vend-kalimet kufitare.

    Sipas kësaj qendre për të dalë nga Kosova më shumë po pritet tek Dheu i Bardhë deri në 20 minuta.

    Kurse, në Merdarë pritjet për të dalë nga Kosova janë 10-15 minuta.

    Derisa në pikë-kalimet tjera po pritet 3-5 minuta, përjashtuar pikën kufitare në Jarinje ku pritjet për të dalë nga Kosova janë 5-10 minuta.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në Hagë, sot, pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ky dëshmitar është planifikuar të dëshmojë publikisht. Më 21 gusht ka përfunduar dëshminë dëshmitarit i ZPS-së me shifrën W03871.

    Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët” do të vijojë nga e hëna në të enjte. Javën që shkoi u mbajtën tri seanca gjyqësore, pas rikthimit të trupit gjykues nga pushimi. Kurse në shtator pritet të mbahen 13 seanca, raporton RTKlive.

    Kujtojmë se Administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, javën që shkoi, ka marrë vendim për emërimin e Rodney Dixon si avokat i ri mbrojtës i Kadri Veselit. Emërimi i Dixon vjen pasi që Veseli dhe avokati Ben Emmerson kanë ndërprerë në mënyrë të parevokueshme marrëdhënien e tyre klient-avokat.

    Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

    Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.