ATV

Author: ATVLive

  • Zyra e Kryeministrit ka nënshkruar kontratën për blerjen e 44 kompjuterëve e laptopëve të rinj

    Zyra e Kryeministrit ka nënshkruar kontratën për blerjen e 44 kompjuterëve e laptopëve të rinj

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Zyrtarët e Qeverisë së shpejti do t’i kenë 40 pajisje teknologjike të reja në funksion.

    Rreth gjashtë muaj nga fundi i mandatit, Qeveria vendosi të blejë 20 kompjuterë dhe 24 laptopë.

    Kontrata e nënshkruar të mërkurën, kap vlerën e 37 mijë e 600 eurove, teksa vlera e parashikuar e tenderit ishte për 6 milionë më e madhe.

    Derisa në platformën e-prokurimi figuron vetëm njoftimi për kontratë, respektivisht procedurë e negociuar, në dosje të tenderit përmendet procedura e hapur.

    Sidoqoftë, tenderin e fitoi operatori ekonomik “Pattern SH.P.K” i cili i ka ofruar çmimin më të përshtatshëm. Kështu, sipas llogarive, një laptop apo kompjuter do të kushtojë mesatarisht 850 euro.

    Megjithatë, nga Qeveria, të paktën deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk janë përgjigjur në pyetjet e ATV-së rreth detajeve për këtë procedurë të tenderimit.

    Andaj, nuk dihet se në cilat zyra do të shërbejnë e as pse ishte e nevojshme të bëhet ky investim.

    Sidoqoftë, në këtë procedurë, garuan 6 operatorë ekonomikë.

    Të gjithë operatorët e tjerë i kishin ofruar mes 40 dhe 43 mijë euro, me përjashtim të Pattern SHPK, e cila duke bërë ofertën më të ulët prej 37.600 euro, u shpall fituese.

    Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit, kompania fituese aktivitetin kryesor e ka tregtinë e kompjuterëve me shumicë.

    Sipas specifikave të kontratës, kompjuterët në qeveri do të duhej të dorëzohen brenda 30 ditësh.

  • Me vendim të komunës së Fushë Kosovës, disa nxënës të shkollës “Mihal Grameno” ndërrojnë objektin

    Me vendim të komunës së Fushë Kosovës, disa nxënës të shkollës “Mihal Grameno” ndërrojnë objektin

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    E ndarë në shkollën amë dhe dy anekse, “Mihal Grameno”, tani do t’i ndajë disa nxënës edhe në një objekt tjetër.

    Nga fillimi i këtij viti shkollor, nxënësit nga klasa e parë në të pestën të kësaj shkolle në Fushë Kosovë, mësimin do ta vijojnë në objekte të ndryshme.

    Zhvendosja nxënësve u bë me vendim të Komunës, veç se shkolla e re është ende duke u ndërtuar.

    Megjithatë, për përfundimin e saj, optimist janë në Drejtorinë komunale të Arsimit.

    “Operatori ekonomik na ka thënë se janë duke punuar intensivisht për finalizimin e shkollës, dhe se më 2 shtator do të jetë gati, e nxënësit e shkollës Mihal Grameno, do të zhvendosen në aneksin një e nga aneksi një në shkollën e re. Ndërkaq në shkollën amë do të mbesin nxënësit nga klasa e 6-9”, tha drejtori i arsimit në komunën e Fushë Kosovës, Fatlum Berisha.

    Në shkollën amë do të vazhdojnë mësimin nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

    Sidoqoftë, vendimi i komunës nuk po iu pëlqen prindërve.

    Dardane Sogojeva, nëna e njërës prej nxënësve e cila mësimin deri në klasën e tretë e mbajti në shkollën amë “Mihal Grameno”, thotë se për vendimin prindërit nuk u konsultuan.

    “Drejtoria nuk ka bisedua me prindër, vendimi është marrë pa dijeninë e tyre, u dashtë me u bë më herët, jo pak ditë para se me nisë mësimi. Tash mua më duhet me pagua 150 për një kujdestar me dërgua e me kthye në shpi”, tha Sogojeva.

    Megjithatë, Drejtoria e Arsimit e mohon këtë.

    “Ne jemi takuar me këshillin e prindërve dhe janë njoftuar për këtë dhe për arsyet se përse është e mirë kjo lëvizje, i kemi njoftua për rekomandimet e ekspertëve. Janë njoftua pra me kohë”, tha Berisha.

    Ndryshe, Komuna e Fushë Kosovës, numëron rreth 11 mijë nxënës të ciklit të ulët në total.

  • Pesë ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Qeveria vendosi që paga minimale të jetë 350 euro

    Pesë ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Qeveria vendosi që paga minimale të jetë 350 euro

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Nga muaji tetor paga minimale, pa dallim, në sektorin publik dhe atë privat, për punën me orar të plotë do të jetë 350 euro në muaj.

    Qeveria miratoi këtë nivel page pesë ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për pagën minimale dhe shkallët e tatimit në të ardhurat personale.

    “Kjo pagë minimale e re do të prekë mbi 150 mijë të punësuar, të cilët punojnë me paga më të ulëta se 350 euro në muaj”, tha Kurti.

    Ndërkaq, për punën me orar jo të plotë, Qeveria vendosi që pagesa minimale të jetë 2 euro për orë.

    Periudha prej pak më shumë se një muaji deri në nisje të zbatimit, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, do t’u shërbejë bizneseve që të përgatiten.

    “Të përshtatin listat e pagave, por edhe shkallët e tatimit të pagave. Në mënyrë që ky vendim të zbatohet, do të sigurohemi që si Ministri, bashkë edhe me agjencitë vartëse, si ATK-ja dhe Inspektorati i Punës, të sigurohemi që të zbatohet vendimi, përmes kontrolleve rutinë ose kur kemi sinjalizim se nuk po zbatohet”, tha Murati.

    I pyetur për diferencën që krijohet me pensionet filluar nga ai i moshës dhe kategoritë e tjera përfituese, pa dhënë përgjigje për lëvizje eventuale konkrete ministri foli për ndërtim sistemi.

    “Synimi është që sistemet të jenë të qëndrueshme, sepse nuk i shërben askujt nëse për një vit ose dy bëhet diçka, por pastaj paqëndrueshmëria na kthen në situata ku duhet të rishikohet i gjithë sistemi”, tha Murati.

    Duke e cilësuar “vendim parazgjedhor” dhe të pakonsultuar, të pakënaqur u shprehën në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat.

    “Nën pagën 500 euro normal që ne nuk do të pranojmë dhe nuk do të jemi të kënaqur, jo pse ne nuk po pranojmë, por kushtet dhe rrethanat nuk po lejojnë që të bëhet një jetë ekzistenciale me nën këtë pagë”, tha kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi.

    Poshtërues e vlerësoi vendimin kreu AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se paga minimale duhet të jetë 450 euro.

    Me ligjin e vjetër, nga viti 2011, paga minimale ka qenë 170 euro për personat mbi 35 vjeç dhe 130 për ata nën këtë moshë.

  • Qeveria miratoi Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

    Qeveria miratoi Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Miratimi i Projektligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ishte pikë e parë në rendin e ditës në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën.

    Krahas konstatimit se procesi është i pakthyeshëm, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, listoi disa prej çështjeve që përfshin projektligji.

    “Me këtë nismë themelohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor i Republikës së Kosovës. Për herë të parë përcaktohen rregullat për listën e barnave të rimbursueshme, që do të transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët, e veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundjet. Me këtë projektligj po rregullohen edhe çështja e grumbullimit të kontributeve për fondin e sigurimeve”, tha Vitia.

    Derisa tregoi se projektligji parasheh pagesë mujore në vlerë 7% të pagës, 3,5% punëtori dhe po aq punëdhënësi, ministri nuk e ndërlidhi Projektligjin me fundin e mandatit të Qeverisë.

    “Duke qenë interes i të gjithë qytetarëve, duke qenë në interes edhe të deputetëve, besoj shumë që ky ligj do të miratohet sa më shpejt”, tha Vitia.

    Shpresat te Kuvendi, ministri i ka edhe për marrëveshjen me Bankën Botërore për financimin e Planit të Veprimit për Sistemin Informativ Shëndetësor, që është parakusht për funksionalizimin e sigurimeve, për të cilat ka një ligj në fuqi që nga viti 2014.

    Në mbledhjen e 218-të, Qeveria miratoi edhe vendimin për vazhdimin e afatit për regjistrimin elektronik të mërgatës deri më 31 Dhjetor 2024.

    Pushteti ekzekutiv i dha dritën e gjelbër dhënies në shfrytëzim të ngastrave kadastrale me qëllim ndërtimin e Qendrës Rezidenciale të Kosovës për Autizëm, Sindromë Down dhe Aftësi të Kufizuar.

    Mirëpo, Qeveria nuk i dha përkrahje nismës legjislative për heqjen e kufizimit të moshës për import në Ligjin për Automjete, me arsyetimin se paralelisht është duke u përgatitur projektligji i ri.

  • Shumë prindër edhe këtë vit janë duke u përballur me vështirësi në gjetjen e librave shkollorë

    Shumë prindër edhe këtë vit janë duke u përballur me vështirësi në gjetjen e librave shkollorë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Nga Lipjani në Fushë Kosovë, u desh ta bënte rrugën Flamur Gashi, për t’i gjetur të gjitha librat për 3 fëmijët e tij, për shkak se disa librari kanë mungesë të disa librave.

    “Na jena tu e pa tmerrin qe dy vjet, kjo është katastrofë. Lyp libra atje, lyp këtu, edhe nuk jem tu mujtë me i gjetë…”, tha Gashi.

    Sikur Gashi problem në sigurimin e teksteve po kanë edhe shumë prindër të tjerë në qytete të ndryshme.

    “Kemi raste që nga Shtimja duhet me shku në Ferizaj me ble tekstet shkollore sepse nuk po i gjejnë librat në komunat ku jetojnë…”, tha Visar Islami, nënkryetar i Këshillit të Prindërve.

    Edhe librashitësit thonë se ka mungesë të teksteve shkollore nga disa shtëpi botuese.

    “Shtëpia Botuese Albos ka mungesë të disa librave siç është matematika, por na është thënë se këto ditë do të vijë”, tha Elez Morina, menaxher në Librarinë “Altera”.

    Sipas të dhënave të fundit, deri më tani kanë aplikuar në platformën e Kosova gjithsej 194.180 prindër, ndërkaq, janë subvencionuar për blerjen e teksteve shkollore gjithsej 171.200 aplikues.

  • Nga tetori deri në mars e domosdoshme vitamina D

    Nga tetori deri në mars e domosdoshme vitamina D

    Vitaminën D shpesh e quajnë edhe “vitaminë dielli”, sepse krijohet në trup gjatë ekspozimit në rrezet e diellit.

    Nga tetori deri në mars, meqenëse ditët janë më të shkurtra dhe më të zymta, është e domosdoshme që ta marrin këtë vitaminë në formë suplementesh të caktuara, por edhe nëpërmjet ushqimit siç është peshku i yndyrshëm, mishi i kuq, qumështi dhe vezët.

    Mungesa e vitaminës D mund të çojë deri në deformime të eshtrave te fëmijët dhe dhembje të eshtrave te të rriturit.

    Kjo vitaminë i nevojitet organizmit që të luftojë kundër problemeve të shumta shëndetësore, ndërkaq hulumtimet kanë treguar që mungesa e vitaminës D mund të jetë faktor i cili i kontribuon infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes, siç është Covid-19, thotë nutricionistja Elizabeth Stewart.

    Stewart ka vërejtur që është shumë e vështirë të merret vitamina vetëm nëpërmjet ushqimit, sepse peshku i yndyrshëm, kërpudhat dhe ushqimi tjetër i cili përmban vitaminën D përmban nivel shumë të vogël përbërësish ushqimor.

    Bebeve deri në 1 vit u nevojiten 8,5 deri në 10 mikrogramë vitaminë D në ditë.

    Fëmijëve pas moshës njëvjeçare dhe të rriturve u nevojiten 10 mikrogramë vitaminë D në ditë.

  • ​Britania e Madhe dhe Gjermania bëjnë thirrje për përparim në bisedimet për armëpushim në Gaza

    ​Britania e Madhe dhe Gjermania bëjnë thirrje për përparim në bisedimet për armëpushim në Gaza

    Gjermania dhe Britania e Madhe kërkuan të mërkurën për përparim në bisedimet për armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit dhe u kërkuan autoriteteve izraelite që të lejojnë qasje të papenguar humanitare në Gaza.

    Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin britanik Keir Starmer në Berlin, kancelari Olaf Scholz tha se të dy ishin “thellësisht të shqetësuar” për tensionet e rritura në Lindjen e Mesme.

    “Vuajtjet e mëdha njerëzore që ne kemi qenë dëshmitarë atje prej muajsh po shtohen, por edhe rreziku i zjarrit. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që menjëherë të rifillojnë negociatat për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve”, tha Scholz.

    Ai u bëri thirrje gjithashtu autoriteteve izraelite që të marrin masa për të shmangur viktimat civile në Gaza dhe të lejojnë dërgimin e më shumë ndihmave humanitare në enklavën palestineze.

    “Jam thellësisht i shqetësuar për situatën katastrofike humanitare në Gaza dhe mungesën e mbrojtjes për civilët dhe punonjësit e ndihmës humanitare. Këtu Izraeli duhet të bëjë më shumë”, theksoi ai.

    Kryeministri britanik Starmer ka nënvizuar se të dy vendet ndajnë pikëpamje të përbashkëta për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe se do të vazhdojnë të punojnë së bashku drejt një zgjidhjeje politike.

    Ai bëri thirrje për “qasje të papenguar humanitare në Gaza” dhe nënvizoi rëndësinë e përpjekjeve të tyre të përbashkëta drejt de-përshkallëzimit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit.

    Starmer tha se krijimi i një shteti palestinez së bashku me një Izrael të sigurt dhe të sigurt do të ishte “e vetmja mënyrë” për të ofruar paqe dhe siguri afatgjatë për izraelitët dhe palestinezët.

    “Dhe ky, sigurisht, nuk është një qëllim i lehtë, por është ai që ne jemi të përkushtuar ta ndjekim së bashku”, shtoi ai./AA

  • Janë definuar detajet e fundit për rrugën Tetovë – Prizren, Kasami: Edhe komuna do të ndajë buxhet

    Janë definuar detajet e fundit për rrugën Tetovë – Prizren, Kasami: Edhe komuna do të ndajë buxhet

    Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se në bashkëpunim me qeverinë, do të mundohen që rrugën Tetovë-Prizren, ta realizojnë përmes tunelit prej 6 kilometraveKasami tha se ka opsion që fshati Vejcë të lidhet me segmentin e kësaj rruge përmes një rruge ekzistuese.

    “Kuvendi ka qenë në pushim veror, besoj që nga momenti kur do të rikthehen deputetët, do të vazhdojë procedura e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend. jeni të njoftuar që zv.ministrja e Transportit ka qenë në vizitë zyrtare në Kosovës, me çka janë definuar edhe detajet e fundit të vazhdimit të procedurës së tenderimit të projektimit të tunelit”.

    “Unë mund të garantoj që për një pjesë të kësaj rruge do të ndahet buxhet nga komuna e Tetovës, por edhe në bashkëpunim me Ndërmarrjen Shtetërore, do të shohim që ky buxhet të jetë më serioz”, theksoi mes tjerash Kasami.

  • Apeli merr vendim për herë të tretë për “Currin”, s’e vlerëson të arsyeshme revokimin e dorëzanisë

    Apeli merr vendim për herë të tretë për “Currin”, s’e vlerëson të arsyeshme revokimin e dorëzanisë

    Gjykata e Apelit për herë të tretë ka vendosur lidhur me çështjen penale ndaj të akuzuarit për fajde Ismet Osmani-Curri, i cili gjendet në arrati. Shkalla e dytë ka vendosur që të anulojë vendimin e Themelores të marrë më 15 gusht 2024, ndërsa ka lënë në fuqi vendimin me të cilin i ishte ndërprerë masa e paraburgimit “Currit” dhe i është zëvendësuar me dorëzani.

    Rasti ka të bëjë me çështjen penale ku Ismet Osmani, bashkë me Sami Nikën, Ilir Bojkun dhe Mentor Maqanin akuzohen për kryerjen e veprës penale “Fajde” dhe “Detyrim”, ndërsa i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kujtojmë se Osmani kishte munguar në seancë e 1 korrikut 2024, seancë në të cilën me propozim të prokurorit të çështjes Armend Hamiti dhe pas marrjes së mendimit të mbrojtësit të Osmanit, avokatit Besnik Berisha, ishte marrë dorëzania prej 50 mijë euro.

    Lidhur me këtë vendim të Themelores në Prishtinë, Apeli e kishte kthyer këtë çështje edhe dy herë të tjera në rivendosje, fillimisht më 15 korrik 2024, dhe më pas më 6 gusht 2024.

    Në të dy rastet kur Apeli e kishte kthyer çështjen në rivendosje, Themelorja kishte sqaruar se Osmani ka munguar në seancën e datës 1 korrik 2024, e në të cilën seancë avokati Berisha ka sqaruar se për rrethana tjera të një telashi familjar dhe për shkaqe shëndetësore, nuk ka prezantuar në gjykim.

    Gjithashtu, Themelorja me rastin e vendosjes pas kthimit në rigjykim nga Apeli, kishte sqaruar se si Gjykatë nuk kanë poseduar asnjë raport mjekësor, për çka Apeli e kishte kthyer çështjen në rivendosje me arsyetimin se nuk janë analizuar raportet mjekësore, pa i poseduar të njëjtat Themelorja.

    Gjithashtu, shkalla e parë edhe në vendimin e saj të fundit ka sqaruar se Osmani gjendet në arrati edhe për një rast tjetër dhe se pikërisht nga vetë avokati Berisha, kanë kuptuar se nuk rezulton se Osmani nuk prezanton në gjykim për shkaqe shëndetësore, por për rastin tjetër për të cilin gjendet në arrati.

    Prandaj, sipas gjykatës fakti se Osmanit i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të dorëzanisë prej 50 mijë euro, e duke ia sqaruar pasojat në çdo gjykim në rast të shkeljes së dorëzanisë, dhe fakti se i njëjti gjendet në arrati, ka përbërë rrethana që ndaj tij të lëshohet urdhërarrest dhe t’i merret shuma e dorëzanisë.

    Ndaj vendimit të fundit të Themelores, ankesë ka parashtruar mbrojtësi i Osmanit, avokati Besnik Berisha, për shkak të shkeljes esenciale të Kodit të Procedurës Penale, me propozim që aktvendimi të anulohet dhe të mbetet në fuqi masa e dorëzanisë.

    Kurse, Prokurori i Apelit përmes shkresës kishte propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e avokatit Berisha.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit përmes vendimit të tretë të marrë më 26 gusht 2024 nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Beqir Kalludra- kryetar, Hashim Çollaku dhe Abdullah Ahmeti- anëtarë, gjeti se ankesa e avokatit Berisha është e bazuar, me arsyetimin se dispozitivi i aktvendimit të ankimuar është i paqartë dhe në kundërshtim me shkresat e tjera të lëndës, si dhe i pa ekzekutueshëm. Apeli vlerëson se nuk janë marrë për bazë rekomandimet e kësaj Gjykate të dhëna me rastin e aktvendimit paraprak të Themelores.

    Po ashtu sipas Apelit, Osmani ka munguar në një seancë dhe se nga avokati Berisha është kuptuar se i njëjti gjendet jashtë vendit për trajtim mjekësor. Për këtë, thuhet se pastaj mbrojtësi i ka bashkëngjitur disa prova materiale, nga të cilat rezulton se i akuzuari është në trajtim mjekësor.

    Tutje, Apeli vlerëson se deri te ky vendim ka ardhur pasi që Themelorja në dy rastet kur ishte kthyer çështja në rivendosje, nuk iu është përmbajtur rekomandimeve të Apelit.

    Gjithashtu, Apeli vlerëson se shkalla e parë nuk ka dhënë arsye të qartë me rastin e vlerësimeve të pretendimeve të avokatit Berisha dhe se fillimisht ka revokuar aktvendimin për dorëzani dhe në të njëjtën kohë ka lëshuar urdhërarrestin dhe caktoi paraburgimin dhe konfiskoi dorëzaninë. Në të njëjtën ditë, ka anuluar urdhërarrestin.

    Mirëpo, kujtojmë që Themelorja edhe në vendimin e dytë dhe të tretë me rastin e kthimit në rivendosje, nuk kishte caktuar masën e paraburgimit, por vetëm kishte lëshuar urdhërarrest dhe i kishte revokuar Osmanit dorëzaninë.

    Apeli kishte konstatuar edhe në vendimin e dytë, por edhe në këtë të fundit se Themelorja në vendimin e saj të dytë dhe të tretë, ndër të tjera kishte caktuar paraburgimin.

    Themelorja kishte sqaruar se me rastin e kthimi të çështjes në rivendosje për herë të parë nga Apeli, kanë revokuar vendimin për caktim të paraburgimit dhe urdhërarrestin për zbatim të paraburgimit krejt kjo sipas rekomandimeve të vet Apelit.

    Kurse, për lëshimin e letërreshtimit vendor ndaj Osmanit, Apeli thotë se është në kundërshtim me urdhërarrestin e anuluar një muaj më parë, duke mos dhënë arsye të qarta se pse është anuluar. Aty thuhet se gjendja faktike nuk ka ndryshuar në raport me të akuzuarin.

    Gjithashtu, Apeli ka sqaruar se deri në vendimin e tyre të fundit nuk është mbajtur asnjë seancë, çka do të vërtetohej nëse Osmani i përgjigjet ftesave të gjykatës. Po ashtu, thuhet se nuk është dhënë arsye lidhur me premtimin e mbrojtjes për praninë e të akuzuarit në seancën e radhës.

    Mirëpo, Themelorja për këtë rrethanë në vendimin e fundi kishte sqaruar se Osmani tashmë është vërtetuar se nuk po iu përgjigjet ftesave të gjykatës.

    Fillimisht, për seancën e datës 1 korrik kanë dërguar ftesën për seancë mirëpo nga Posta është kthyer përgjigja se nuk kanë mundur të dorëzojnë ftesën për seanca, për çka Themelorja kishte obliguar Stacionin Policor në Graçanicë për dorëzim të ftesës për seancë, mirëpo nga stacioni ishte kthyer përgjigja se Osmani gjendet në arrati.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, fillimisht kishte revokuar dorëzaninë dhe kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Osmanit, pasi që kishte munguar në seancën e 1 korrikut 2024.

    Mirëpo, Apeli e kishte kthyer çështjen në rivendosje, me arsyetimin se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të nenit 384, par.1 të KPPRK-së, ngase shkalla e parë duke vendosur lidhur me masën e paraburgimit ndaj Osmanit, nuk ka vepruar konform dispozitave ligjore në fuqi dhe nuk ka respektuar procedurat e parapara për caktimin e paraburgimit në raste të tilla. Sipas Apelit, nuk janë analizuar drejt dhe në hollësi raportet shëndetësore të të akuzuarit.

    Apeli e kishte kthyer çështjen në rivendosje Themelores me arsyetimin se nuk janë analizuar dokumentacionet shëndetësore, të cilat Themelorja ka mohuar se i ka pasur në shkresat e lëndës.

    Ndërsa në rivendosje, Themelorja kishte revokuar dorëzaninë ndaj Currit dhe kishte lëshuar urdhërarrest ndaj tij.

    Më pas, Gjykata e Apelit e ktheu sërish në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilit kishte revokuar dorëzaninë ndaj Currit në shumën prej 50 mijë euro dhe ndaj të njëjtit kishte lëshuar urdhërarrest.

    Sërish në rivendosje, Themelorja më 15 gusht 2024 ka vendosur që të akuzuarit Ismet Osmani i njohur si “Curri” t’í hiqet masa e dorëzanisë, ndërsa shuma prej 50 mijë euro e ofruar në emër të dorëzanisë, do të kalojë në fondin për kompensimin e viktimave, pasi që sipas gjykatës i njëjti është i paarritshëm për institucionet e drejtësisë.

    Aktakuza ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Sami Nikës, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit, ishte ngritur më 19 nëntor 2021.

    Pesë të akuzuarit, në seancën e mbajtur më 15 korrik 2022 ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.

    Më 23 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendim kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Kosovare Kelmendi, Besnik Berisha, Naser Sopjani dhe Artan Qerkini.

    Kurse, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktvendimin e Themelores përmes të cilit ishin refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

    Ndryshe, Osmani po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale të fajdesë dhe detyrimit së bashku me Sami Nikën, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin. Kurse, Adil Thaçi ngarkohet për veprën penale “Mashtrimit”. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni, duke klikuar në këtë link.

    Osmani në një rast tjetër dyshohet për vrasje në tentativë të ndodhur në qytetin e Graçanicës, në të cilin rast të dyshuar janë edhe djali i tij Armir Osmani, Mentor Beqiri e Behar Halili. Për këtë, ndaj tij është lëshuar një urdhërarrest tjetër.

  • Lista përfundimtare e votuesve, KQZ: Kosova ka 161 mijë e 700 votues më shumë

    Lista përfundimtare e votuesve, KQZ: Kosova ka 161 mijë e 700 votues më shumë

    Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve ka miratuar listën përfundimtare të votuesve për 9 shkurtin 2025.

    Sipas KQZ janë 161 mijë e 700 voties më shumë sesa në zgjedhjet e vitit 2021.

    “124,366 votues mund të konsiderohen si votues të rinj që pas Zgjedhjeve Lokale, të mbajtura me datën 17.10.2021, kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025 dhe shtetas të cilët posedojnë certifikata të Republikës së Kosovës nga ekstrakti i Departamenti i Gjendjes Civile:, thuhet mes tjerash”.

    KQZ shqyrtoi dhe miratoi raportin e Listës Preliminare të Votuesve për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Lista Preliminare e Votuesve përmban: 2,047,148 votues, pra 161,700 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Lokale 2021, të mbajtura me datë 17 tetor 2021.

    Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025 është: 209,878 votues, prej të cilëve:
    124,366 votues mund të konsiderohen si votues të rinj që pas Zgjedhjeve Lokale, të mbajtura me datën 17.10.2021, kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025 dhe shtetas të cilët posedojnë certifikata të Republikës së Kosovës nga ekstrakti i Departamenti i Gjendjes Civile;

    85,512 votues mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, pra votuesit që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës, votuesit e regjistruar për votim jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021 dhe shtetas të cilët posedojnë certifikata të Republikës së Kosovës nga ekstrakti i DGJC.