Përgatiti: Fatlum Jashari
Nga muaji tetor paga minimale, pa dallim, në sektorin publik dhe atë privat, për punën me orar të plotë do të jetë 350 euro në muaj.
Qeveria miratoi këtë nivel page pesë ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për pagën minimale dhe shkallët e tatimit në të ardhurat personale.
“Kjo pagë minimale e re do të prekë mbi 150 mijë të punësuar, të cilët punojnë me paga më të ulëta se 350 euro në muaj”, tha Kurti.
Ndërkaq, për punën me orar jo të plotë, Qeveria vendosi që pagesa minimale të jetë 2 euro për orë.
Periudha prej pak më shumë se një muaji deri në nisje të zbatimit, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, do t’u shërbejë bizneseve që të përgatiten.
“Të përshtatin listat e pagave, por edhe shkallët e tatimit të pagave. Në mënyrë që ky vendim të zbatohet, do të sigurohemi që si Ministri, bashkë edhe me agjencitë vartëse, si ATK-ja dhe Inspektorati i Punës, të sigurohemi që të zbatohet vendimi, përmes kontrolleve rutinë ose kur kemi sinjalizim se nuk po zbatohet”, tha Murati.
I pyetur për diferencën që krijohet me pensionet filluar nga ai i moshës dhe kategoritë e tjera përfituese, pa dhënë përgjigje për lëvizje eventuale konkrete ministri foli për ndërtim sistemi.
“Synimi është që sistemet të jenë të qëndrueshme, sepse nuk i shërben askujt nëse për një vit ose dy bëhet diçka, por pastaj paqëndrueshmëria na kthen në situata ku duhet të rishikohet i gjithë sistemi”, tha Murati.
Duke e cilësuar “vendim parazgjedhor” dhe të pakonsultuar, të pakënaqur u shprehën në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat.
“Nën pagën 500 euro normal që ne nuk do të pranojmë dhe nuk do të jemi të kënaqur, jo pse ne nuk po pranojmë, por kushtet dhe rrethanat nuk po lejojnë që të bëhet një jetë ekzistenciale me nën këtë pagë”, tha kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi.
Poshtërues e vlerësoi vendimin kreu AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se paga minimale duhet të jetë 450 euro.
Me ligjin e vjetër, nga viti 2011, paga minimale ka qenë 170 euro për personat mbi 35 vjeç dhe 130 për ata nën këtë moshë.

Leave a Reply