ATV

Author: ATVLive

  • Policia shqiptoi mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia shqiptoi mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2362 gjoba në trafik.

    Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 27 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 53 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 13 persona, ndërkaq 12 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Moti sot me temperatura deri në 30 gradë Celsius

    Moti sot me temperatura deri në 30 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas këtij instituti, temperaturat maksimale të ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-30 gradë Celsius.

    Të shtunen parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu me shkarkime rrufesh”.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-30gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.

  • Parashikimi i motit për këtë vikend, temperaturat lëvizin ndërmjet 11-31 gradë Celsius

    Parashikimi i motit për këtë vikend, temperaturat lëvizin ndërmjet 11-31 gradë Celsius

    Këtë fundjavë do të mbajë mot kryesisht i ndryshueshëm, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

    Të shtunën parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu me shkarkime rrufesh.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale mes 27-30 gradë Celsius.

    Mot i ngjashëm parashihet edhe për të dielën. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të jenë mes 27-31 gradë Celsius.

  • SBASHK kërkon nga Qeveria rritje të koeficientit të pagave për 30%

    SBASHK kërkon nga Qeveria rritje të koeficientit të pagave për 30%

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka mbajtur një takim me kryetarët e Sindikatave Komunale të Arsimit Parauniversitar (SKAP) dhe kryetarin e Sindikatës së Universiteteve të Shkencës dhe Kulturës (SUSHK).

    Gjatë këtij takimi, kryetari Rrahman Jasharaj informoi pjesëmarrësit për veprimet e ndërmarra nga SBASHK që nga mbledhja e fundit.

    Pas diskutimeve, u arrit marrëveshja për formimin e një komisioni që do të hartojë Draft-Kontratën Kolektive të Arsimit të Kosovës, e cila do të përfundohet brenda një jave dhe më pas do të dërgohet për diskutim publik tek anëtarësia për të hartuar draftin final që do të dorëzohet në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

    Në takim u vendos gjithashtu që SBASHK-u të fillojë një iniciativë qytetare për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, duke mbledhur mbi 10 mijë nënshkrime nga anëtarët dhe qytetarët e tjerë për t’i dorëzuar në Parlament për procedurat e duhura

    Gjithashtu, SBASHK-u do t’i drejtohet MASHTI-t dhe Qeverisë për një rritje të vlerës së koeficientit të pagave prej së paku 30%, që do të fillonte së zbatuari me pagën e muajit shtator 2024.

    “Nga takimi doli kërkesa që t’i drejtohet MASHTI-t dhe Qeverisë, për ngritje të vlerës së koeficientit të pagave prej së paku 30% me rishikim të buxhetit të vitit 2024 ose me vendim të Qeverisë, por kjo ngritje të filloj së zbatuari me pagën e muajit shtator 2024”, njofton SBASHK-u.

    Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin e tyre për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin e Pagave, veçanërisht për pagesën e përvojës së punës në 15 vitet e para, ku aktualisht paguhet vetëm 0.25%.

    Ata kërkojnë që Qeveria të implementojë këtë vendim në mënyrë retroaktive që nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave.

    Gjatë javës së ardhshme, do të mbahen kuvendet e sindikatave komunale dhe universiteteve për të diskutuar me anëtarësinë lidhur me këto çështje dhe për të marrë mendimin e tyre për veprimet e ardhshme sindikale në rast të mosrealizimit të kërkesave.

    Këto takime do të zhvillohen para mbledhjes së Këshillit Drejtues të SBASHK-ut që do të mbahet në fund të shtatorit, ku do të vendoset për hapat e mëtejshëm sindikal.

  • “Fillimi i vitit shkollor”, Policia del me apel për shoferët që të kenë kujdes maksimal pranë shkollave

    “Fillimi i vitit shkollor”, Policia del me apel për shoferët që të kenë kujdes maksimal pranë shkollave

    Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, policia e Kosovës apelon pjesëmarrësit në trafik për një përgjegjësi të shtuar.

    Përmes një postimi në Facebook, policia thotë se në zonat pranë shkollave dhe ku janë vendosur tabelat njoftuese si “Kujdes shkolla” dhe “Këmbësorë”, është jetike që të gjithë të tregojnë maksimal.

    Tutje, policia kërkon të tregohet kujdes i veçantë për fëmijët që shkojnë në shkollë për herë të parë.

    “Këta fëmijë janë më të pafajshëm dhe më të papërvojë në rrugë, ndaj është detyra jonë të sigurojmë që udhëtimi i tyre drejt shkollës të jetë sa më i sigurt dhe i mbrojtur”, thotë policia.

  • Lajçak: Është iluzion të mendosh se me Kallas do të ketë proces të ri dhe marrëveshje të re Kosovë-Serbi

    Lajçak: Është iluzion të mendosh se me Kallas do të ketë proces të ri dhe marrëveshje të re Kosovë-Serbi

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se nuk beson se do të ketë marrëveshje të re në dialogun Kosovë-Serbi gjatë udhëheqësisë së re të Bashkimit Evropian. Ai tha se është iluzion të besohet se me përfaqësuesin e ri të Lartë të BE-së, papritur do të ketë një proces të ri.

    Lajçak tha se në marrëveshjen e Ohrit, kanë punuar mendjet më të ndritura dhe se mbështetet plotësisht nga të 25 vendet antarë.

    Ai tha se palët duhet të zbatojnë për atë që kanë rënë dakord dhe se sa ma shpejt ta kuptojnë këtë, aq më mirë.

    “Dhe përsëri, nuk mendoj që do të ketë një marrëveshje të re. Sepse nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë, dikush do ta kishte propozuar. Janë mendjet më të ndritura që kanë punuar për këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Gjermania, Franca dhe Italia. Pra, është përsëri një iluzion të besosh se me përfaqësuesin e ri të Lartë [të BE-së], papritur do të ketë një proces të ri. Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Dhe për këtë arsye, pacta sunt servanda – ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet – është parimi bazë. Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mire”, ka deklaruar Lajçak në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

    Lajçak tha se parametrat bazw të këtij procesi nuk do të ndryshojnë.

    “Shiko, parametrat bazë nuk do të ndryshojnë. Parametrat bazë të këtij procesi janë të njohura mirë. Dhe natyrisht, këtu përfshihet fakti që komuniteti serb në Kosovë duhet të jetë në gjendje ta ruajë identitetin e vet, të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, të ketë marrëdhënie institucionale me Serbinë në përputhje me standardet evropiane dhe brenda kornizës ligjore të Kosovës. Le të jemi shumë të qartë për këtë. Dhe, në këmbim, Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha elementet e normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Lajçak.

  • Borrell kërkon që Ukrainës t’i hiqen kufizimet në përdorimin e armëve

    Borrell kërkon që Ukrainës t’i hiqen kufizimet në përdorimin e armëve

    Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të Ukrainës që t’i heqin kufizimet në përdorimin e armëve, duke thënë se Kievi ka të drejtë t’i sulmojë vendet nga të cilat sulmohet.

    Duke folur në Bruksel, përpara një takimi jozyrtar të ministrave të Mbrojtjes të BE-së, Borrell tha se është “absurde” të thuash se sulmet në territorin e Rusisë, do të nënkuptonin luftë direkte kundër Moskës.

    “Askush nuk dëshiron” një luftë me Rusinë, tha ai.

    “Por, vendoseni veten në vendin e ukrainasve: Rusët po ju bombardojnë nga një vend ku nuk mund të arrini. Ju dëshironi të luftoni si të barabartë”, tha ai, duke shtuar se për ta bërë këtë, Ukraina duhet të jetë në gjendje t’i godasë vendet nga ku Rusia e sulmon.

    Zyrtarët ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, u kanë bërë vazhdimisht thirrje aleatëve globalë të Ukrainës që ta lejojnë atë t’i godasë objektivat ushtarake më thellë brenda Rusisë, me armët që ia siguron Perëndimi.

    Javë më parë, Ukraina ka nisur një inkursion në territorin rus.

    Zelensky ka thënë se Rusia “duhet ta ndjejë atë që ka bërë”.

    Ditëve të fundit, Rusia është përgjigjur me sulme të ashpra me raketa dhe dronë, të cilat kanë pasur në shënjestër infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën.

    Zyrtarët ukrainas thonë se, pavarësisht dërgesave të armëve të reja që po e ndihmojnë Ukrainën, forcat e saj të armatosura janë ende në disavantazh, sepse kufizimet e Perëndimit i pengojnë ato që t’i përdorin armët me rreze të gjatë, për të goditur thellë brenda territorit rus.

    “Siguria afatgjate për Evropën fillon me vendime afatshkurtra dhe të guximshme për Ukrainën”, u tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, gazetarëve në Bruksel më 29 gusht./REL

  • Ndahet nga jeta profesori Ismail Hasani

    Ndahet nga jeta profesori Ismail Hasani

    Ismail Hasani, nga komuna e Shtimes, profesor unversitar i Sociologjisë dhe autor i disa librave nga fusha e sociologjisë së religjionit ka vdekur gjatë ditës së sotme.

    Lajmin e ka konfirmua kryetari i kësaj komune, Qemajl Aliu, teksa ka thënë se profesori Hasani do të mbahet mend për përkushtimin dhe punën e palodhshme në përgatitjen e shumë gjeneratave të studentëve.

    Aliu me anë të një Telegrami Ngushëllimi ka shprehur ngushëllime për familjen, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët e ish-studentët e tij!.

    Postimi i plotë:

    Telegram ngushëllimi

    Me pikëllim e morëm lajmin e hidhur për vdekjen e profesorit universitar të sociologjisë, Prof.Dr Ismail Hasani, i cili është autor i disa librave nga fusha e sociologjisë së religjionit, njëherit autor i një numri artikujsh shkencorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Krahas punës në Universitetin e Prishtinës, i ndjeri profesor Hasani ishte angazhuar edhe në Universitetin e Stavangerit në Norvegji dhe si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin për Studimin e Raporteve Ndëretnike në Universitetin “Leiden” në Holandë.

    Bashkëqytetari ynë, profesori Hasani do të mbahet mend për përkushtimin dhe punën e palodhshme në përgatitjen e shumë gjeneratave të studentëve. Veprimtaria akademike e tij do jetë frymëzim për brezat e ardhshëm.

    Në emër të Komunës së Shtimes, shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët e ish-studentët e tij!

    Pushofsh në paqen e përjetësisë, profesor Ismail Hasani!

  • Ekzekutohen sot pagat në sektorin publik, Murati: Secili do të përfitojë 6.8 euro më shumë

    Ekzekutohen sot pagat në sektorin publik, Murati: Secili do të përfitojë 6.8 euro më shumë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se sot do të ekzekutohen pagat në sektorin publik, për herë të parë me ndryshimet në shkallët tatimore.

    Kësisoj, Murati tha se të ardhurat deri në 250 euro janë të liruara nga tatimi.

    “Pagat në sektorin publik sot ekzekutohen duke aplikuar shkallët e reja të tatimit në të ardhura personale, ku 250 eurot e para janë të liruara nga tatimi”, tha Murati.

    “Si rezultat i këtij ndryshimi, secili punonjës në Kosovë, nga ky muaj e tutje do të paguajë më pak tatim, e rrjedhimisht do të marrë pak më shumë pagë neto.”

    Duke llogaritur përfitimet e punëtorëve, ai tha se në tërësi bëhet fjalë për 2.3 milion euro në muaj më shumë paga neto sesa në muajin paraprak.

    “Përfitimi mujor prej 6.8 euro apo vjetor prej 81.6 euro dikujt mund të mos i duket shumë, mirëpo nëse e shohim në tërësi, janë rreth 2.3 milion euro në muaj apo rreth 27 milionë euro në vit, që nuk do të mblidhen si tatim nga shteti por do të mbesin në xhepat e qytetarëve”, tha Murati.

  • A Radio arrin 4 milionë dëgjime në platformën Shkabaj

    A Radio arrin 4 milionë dëgjime në platformën Shkabaj

    Brenda një kohe relativisht të shkurtër, A Radio ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke regjistruar 4 milionë dëgjime vetëm në platformën Shkabaj, duke mos përfshirë platformat e tjera dhe valët e saj që mbulojnë një pjesë të madhe të Kosovës.

    Kjo arritje shënon një moment të rëndësishëm për radion, duke tërhequr një audiencë të gjerë dhe duke e bërë A Radion një nga radiostacionet më të dëgjuara mbarë kombëtare.

    A Radio, e cila është pjesë e grupit mediatik “Media Invest”, filloi transmetimin më 21 shkurt 2021 dhe që atëherë ka arritur të bëhet një nga stacionet më të preferuara të dëgjuesve shqiptarë.

    Grupi mediatik “Media Invest”, pjesë e së cilës janë ATV dhe A Radio, funksionon mbi themelet e Kolegjit AAB, i cili nëpërmjet Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë̈, për me shumë se dy dekada me radhë, u ka dhënë mediave në Kosovë profesionistë të spikatur dhe të përkushtuar.

    Për tri vite e gjysmë që nga themelimi, ATV vazhdon te jetë televizioni më i shikuar në Kosovë, ndërsa A Radio, një nga radiostacionet më të dëgjuara mbarë shqiptare.